Kisha e Shën Gjergjit u krijua në qytetin e Korçës me ndihmën financiare të biznesmenit atdhetar Anastas Avramidh Lakçe (1821-1890). Punimet u kryen prej ustallarëve vendes duke përdorur gurë të skalitur e të lidhur mirë me kllapa mashkull-femër në dy breza sepse në atë kohë nuk përdoreshin breza betoni. Nuk dihet nëse projekti ishte krijuar prej ndonjë arkitekti, apo ishte përmirësim në praktikë i projekteve të kishave të vjetra shqiptare prej kryeustait. Nuk kanë qenë shënuar askund emrat e ustallarëve dhe as emri i kryeustait që drejtoi punimet. Në pjesën e jashtme të ndërtesës, në të majtë të dhomës së shenjtë (ajodhimës) ustallarët ndërtuan varrin ku u vendos trupi i ballcamosur i të ndjerit A. A. Lakçe, mbuluar me xham të trashë që mund të shihej nga qytetarët.
Kupola e mesit që ndriçonte nga lart sallën me dritën e qiellit kishte dimensionet e kupolave të vjetra shqiptare që trashëgoheshin që nga koha e Bizantit me lartësi dhe gjerësi mesatare. Ajo nuk ishte e ulët dhe e gjerë si kupolat e kishave greke dhe as e lartër dhe e ngushtë si kupolat e kishave rumune, serbe e ruse (kishat ruse i kane kupolat edhe më të larta e më të ngushta prandaj kanë nga dy ose tri kupola). Punimet për ndertimin e kësaj kishe vijuan gjatë viteve 1899-1905, sepse sundimtari turk, për të marrë ryshfete i dërgonte letra Sulltanit me ankesën: :Qytetarët e krishterë nuk po krijojnë një kishë, po një kala për të na luftuar”. Pasi paguheshin pare të tjera tek Sulltani e tek sundimtari turk i Koçës punimet rifillonin, e më pas ndërpriteshin e rifillonin, derisa përfundua me 1905. Inagurimi i saj u organizua në qershor 1905. Këtë date ma ka thënë nëna ime (Meropi) së cilës ia kishin thënë e ëma dhe gjyshja e saj, se kishte lindur kur u inagurua (sinaps) Kisha e Shën Gjergjit.
Në qershor të vitit 1922 në këtë kishë At Fan Noli u dorëzua Peshkop. Në janar të vitit 1931, kur ra tërmeti dy kambanoret e kesaj kishe u dëmtuan dhe u puqën me njëra tjetrën. Klerikët dhe populli kishin frikë të kryenin ceremonitë fetre se mos ndodhte shembja e kambanoreve. Atëhere usta Loni Vasil Trebicka djalë 20 vjeçar, nipi i tim eti, doli vullnetarisht dhe realizoi çmontimin e dy kambanoreve nga lart poshtë pa vinç duke ndërtuar skela prej druri. Ai i mbylli dy pjesët e çatisë ku ishin ndërtuar kambanoret. Kështu rifilloi e vijoi mbajtja e meshëve dhe e ceremonive fetare në këtë kishë deri në vitin 1967, kur u shpall lufta kundër fese. Në vitet 1968-1969 me urdhër të Komitetit Ekzekutiv të Korçës u realizua prishja e këtij monumenti arkitektonik e kulturor, pasuri unikale e qytetit të Korçës. Këtë dhuratë që e sponsorizoi një korçar i vetëm i mërgimit, sot ne mijëra korçarë të mërguar na bie për detyrë të marrim përsipër mbledhjen e shpenzimeve për rikrijimin e një kishe të re me të njëjtën arkitekturë.
Kisha madhështore e Shën Gjergjit ishte pasuri e trashëguar prej Rilindjes sonë. Para një viti u hap fushata e mbledhjes së ndihmave për rindërtimin e kishës së Mitropolisë, që e kishte kthyer regjimi komunist në muze ikonash.
E përshëndeta këtë nismë dhe dhashë ndihmesën time modeste. Shpresoj që populli i Korçës tashmë e ka mbledhur shumën e nevojshme. Sugjeroj që tani të rihapet një fushatë e re midis ne korçarëve të larguar për t’ia rikthyer qytetit tonë pasurinë tjetër që i mungon, Kishën e Shën Gjergjit.
Komentet