Ju ka ndodhur shpesh të merrni ftesa për promovim të punëve të mirëfillta krijuese dhe studimeve shkencore. Por asnjëherë nuk keni pasur fatin që të ftoheni për të promovuar, diskutuar dhe përshendetur me nderim solemn një Asgjë, të sajuar me ngut, jo nga autori që mban emrin në kapakun e verdhë të librit të sjellë papritmas mbi tavolinë e madhe, por nga shërbenjës rrogëtarë, që imponohen dhunshëm, nga rrjeti hierarkik i Vatrës ku programohet e ardhmja. Ka dhe ska reçensentë, sepse askush nuk guxon të përballet me zbrazëtinë, kotësinë, formalizmin, mashtrimin, shkeljet procedurale dhe fyerjen që u bëhet të ftuarve. Megjithate ka zgjidhje për të mbushur vrimat e dekadencës dhe diskretitimin: në treg kanë dalë fjalëmbajtësit profesionistë shumëpërdorimësh. Jo ato që hartojnë vargje dhe hartime ndër varrime në Metropol. Janë ca të tjerë, prej atyre që futen gjithandej ku Vatra ka nevojë për plotësim skenarësh solemnë dhe seriozë. Edhe kësaj radhe nuk mungojnë vullnetarët e vetëofruar.
Dhe në fakt teatër provokues, pa asnjë cipë mbuluese, guxojnë ta bëjnë vetëm ata që nuk dijnë çfarë është mundimi dhe përkushtimi i njerëzve që jetën e kalojnë mbi letra. Janë ata që përdorin letrat për të justifikuar kotësinë e qënieve të tyre, bjerraditjen e përditshme vëzhguese, fallsifikimin e fakteve administrative dhe brumatriçën e fondeve publike, që kanë ndërtuar pas sfondit të librave, laboratorëve dhe arkivave, në prapaskenë, me një rrjet mercenarësh të rekrutuar për shërbim besnik, fallsifikim e negocim të paligjshmërisë.
Në një shoqëri ku vlera nuk matet më me dije, punë apo integritet, por me afërsi ndaj zaptuesit, servilizëm ndaj kupolës dhe manipulim të së vërtetës e të realitetit, lind institucionalizimi i asgjësë së njeriut, ose i Njeriut–Asgjë, si dhe institucioni që merret me kurimin e infrastrukturës mbështetëse për këtë Zbrazëti. Siç e tha dhe Ai, kjo skenë tanimë është e gjallë dhe në përfeksion, si një motorr i pandalshëm që gjallnon shpresë dhe ardhmeni në Shqipninë e boshatisun europiane.
Pjesë e këtij projekti rrenc është promovimi i burimeve njërëzore, që jo vetëm do të duhet të jenë prej atyre që i ka sjellë në kryeqendër Partia, por domosdoshmërisht, vegjëtues të përjetshëm, bubrreca pa zë, pa ndërgjegje, pa ndjenja dhe pa skrupuj e màrré. Dhe ata duhet të ngrihen aty, në përjetësinë e tyre boshe, si monument i një kohe të gënjeshtërt, të skicuar në oborrin e mesëm të një pallati të ç’përfytyruar nga fantazitë e pakuptueshme dhe brengat/mëkatet e një kohe që nuk duhet përmendur.
Qenia e pikëtuar kësaj radhe, pa kontribute reale, pa kulturë mendimi e pa përmasë krijuese, duhet të ngjitet në maja që nuk i përkasin, jo përmes meritës, por zvarritjes pas Padrinos. Ky, në vijim, e ndihmon dhe madje e nxit për ta ofruar gënjeshtrën si të vërtetë, për ta shitur realitetin e trilluar institucional, si lavdi dhe sukses intelektual.
Fillimisht, atij i shpiket një jetëshkrim; Dyshi bëhet Dhjetë; më pas i sajohet një listë veprash që nuk ekzistojnë, por që megjithatë u serviren publikut dhe asambleve, të cilat, edhe pse e dinë se janë të rreme dhe nuk dallohen gjëkundi, heshtin, duartrokasin, aprovojnë dhe votojnë. Më tej, birit besnik të krahinës sunduese dhe operative, i ngrihen tribuna, thirret në konferenca për përshendetje, i njoftohen zyrtarisht promovime, i jepen poste censorësh. Kështu nis vallja e madhe e gënjeshtrës që hidhet vendshe, më kërcim, si qëmoti, ku vetë strukturat që duhej të garantonin vlerën, bëhen pjesë e mashtrimit: falsifikojnë prezenca e firma, interpretojnë ligje sipas nevojës, kompromentojnë të madh e të vogël dhe, në fund, organizojnë promovime solemne të Asgjësë së Askushit. Në promovim mbërrin vetë Padrinoja i Vatrës që gumëzhin, si asnjëherë më parë. Si gjithmonë, i vengërt, autoritar me një buzëqeshje formale, që i ngjan më shumë kërcëllitjes kërcënuese. Një shpurë këmbëshpejtish e ndjek nga pas me vemendje qehajallarësh të përkulur e frikësuar nga lëkundjet e paparashikuara të humorit të zotit të punëve.
Për të pritur Atë del vetë Askushi, autori i Asgjësë, me kokën gjysmë të ulur, me vështrim të ndrojtur, i skuqur deri në majat e veshëve, jo prej turpit të zbrazëtisë së tij, por nga rëndësia e ceremonialit, teatrit pa maska, që junta e krahinës e ka organizuar enkas për atë.
Dhe kështu pra, Asgjëja dhe Askushi nuk fshihen më; përkundrazi, ofrohen në një paketë, promovohen bashkë, shiten si arritje të pandara, si shembull e si model, edhe pse askush nuk i sheh realisht si ekzistues. Deri sa, me kalimin e kohës, mashtrimi pranohet si i mirëqenë, kthehet në normë dhe ndiqet si rrugë e suksesshme për mbijetesë.
Në këtë pikë, njeriu i vërtetë, që punon, mendon e krijon, mbetet në hije; ndërsa njeriu i asgjësë ngrihet në piedestal dhe shpallet figura zyrtare e epokës.