FIER- Përmbyset” historia për 11 këshilltarët e Hekalit. 72 vjet pas vrasjes së tyre, banorë të fshatit Gorishovë në rrethin e Fierit pohojnë se e vërteta qëndron ndryshe. Sipas tyre, 11 hekaliotët për të cilët flet filmi “Këshilltarët”, nuk janë vrarë nga gjermanët apo ballistët, por për hakmarrje nga një banor i zonës së tyre. Bëhet fjalë për Isuf Hasanin (tregtar), i cili në atë kohë ishte i pasur dhe kishte shumë influencë. Madje, banorë të fshatit Gorishovë shprehen se jo të gjithë ata që u pushkatuan ishin anëtarë të këshillave të Luftës Nacionalçlirimtare. Njëri prej banorëve të këtij fshati, 83-vjeçari Barjam Kalemaj, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, tregon me detaje ngjarjen e ndodhur në dhjetor të vitit 1943.
Zoti Kalemaj, sa vjeç keni qenë dhe si ka ndodhur ngjarja?
Kam qenë 10 vjeç kur janë pushkatuar 11 hekaliotët pas godinës italiane në fshatin tonë. Ata nuk u vranë nga gjermanët apo ballistët, por nga një banor i zonës sonë.
Për kë bëhet fjalë?
Isuf Hasani ka qenë një banor i Rromsit. Ai ishte i kamur, por kishte influencë në fshatrat tona. Nuk bënte pjesë as me ballin dhe as me partizanët. Hasani merrej me tregti dhe shikonte punën e tij, nuk i bënte keq askujt. Disa ditë para ngjarjes, disa hekaliotë vranë dy vëllezërit e Isufit teksa po punonin në tokat e tyre. Isuf Hasani, në shenjë hakmarrjeje shkoi në fshatin Hekal me të afërmit e të njohurit e tij dhe mori 11 persona që dyshonte se i kishin vrarë vëllezërit. Pasi i lidhi për duarsh të gjithë që të mos iknin, në darkë i futi në një kasolle dhish në fshatin Rroms, disa kilometra larg fshatit tonë. Ndërkohë, ai me njerëzit që e shoqëronin, hanin darkë.
Çfarë ndodhi më pas?
Banorët e fshatit Rroms i thanë Isufit që të largohej prej andej me 11 hekaliotët që i mbante lidhur dhe të mos i vriste aty, sepse do hakmerreshin e do vrisnin të pafajshëm. Kështu që në mëngjes herët, Isufi me ata që e shoqëronin i morën 11 hekaliotët dhe i sollën në fshatin tonë, në Gorishovë.
Ku u pushkatuan 11 banorët e Hekalit?
Ata i pushkatuan pas një godine të vjetër.
Por, lapidari i ngritur për këshilltarët e Hekalit ndodhet anës rrugës?
Lapidari ka histori tjetër. Pak para lapidarit, është një godinë e vjetër. Ajo është ndërtuar nga italianët. Pas 1944-ës u bë shkollë, ndërsa pas ’90-ës ajo ka humbur çdo funksion.
Në histori thuhet se 11 hekaliotët u pushkatuan se ishin anëtarë të këshillave të Luftës Nacionalçlirimtare. Ndërsa, versioni juaj është ndryshe.
E përsëris, 11 hekaliotët nuk ishin të gjithë anëtarë të këshillave nacionalë-çlirimtarë. Ata i vrau Isuf Hasani për hakmarrje. Nuk u pushkatuan për bindje politike. Isufi, meqenëse nuk e dinte me saktësi se kush ia vrau dy vëllezërit, i mori të 11-të dhe i vrau që të mos kishte njeri të hakmerrej ndaj tij. Dhe këtë nuk e them vetëm unë, por edhe banorë të tjerë të zonës.
Çfarë bëri më pas Isuf Hasani?
Thonë se ai iku nga fshati dhe shkoi në Amerikë. Jetoi deri në vitin 1992, por asnjëherë nuk erdhi në Shqipëri. /XHEMIL BEHARAJ
Deomos jetojme kohen kur heronjte behen tradhetare dhe tradhetaret shpallen heronj. Kjo eshte ne vazhden e diskretitimit te Keshillave Nac- Clirimtare sepse keto na udhehiqeshin nga PKSH-ja.Deomos nese shpallet deshmor Hamit Matjani dhe bulevardit ” Deshmoret e Kombit” i vihet emri Bulevardi Zogu i pare.. ç’prisdsni me ? Keta tradhetare per te minimizuar luften e popullit shqiptar na thone se nuk ishin 28 mije deshmore dhe per cudi numrimine deshmoreve na e bejne ballistat , ata qe u qepen si balta mbas kepuce ne makinat e gjermanit. Po mire supozojme se nuk i vrau as gjermani e as Balli.Po si eshte e mundur qe ku pasaniku na paskish kapur fiks te gjithe keshilltaret ?! Cudi e madhe! Si mund ti njihte ai te gjithe keta keshilltare kur nuk ish dhe nga i njeti fshat ?! Jo ore jo… eshte dora e ndyre e Ballisteve qe i spiunuan te gjermanet. Nuk e besoni ? Po ju sjell nje shembull : Ne janar te vitit 1944 kryeballisti Azis Biçaku kapi rob gjeneralin Devis dhe e dorzoi te gjermani… Kete e pranojne vet dhe gjermanet dhe englezet… pra kur kuptohet lehte roli i ballisteve gjate lufte.Po te ishin aq atdhetare nuk kishin pse ja mbathnin duke u grindur midis tyre se kush e kush te hypte i pari neper makina- ! Dhe ne te pastajmen na erdhen si diversante !