Kështu të ndodhi në fund
Te jetës tënde materiale,
Zotni Bernardin,
Meshtar e mësues dhe,
Studiues folklori …
.
Në burgun e Diktaturës,
Telat e ndryshkur me gjemba
Në trup t’i spërdridhnin,
Tek të dhunonin e të poshtëronin.
.
Ti, ndërmendje mundimin
E Krishtit në kryq dhe,
Dëlireshe prej dhimbjeve,
Ashtu si edhe kur vetëgjakoseshe
Me grethoren e ritit
Castigo corpus meum…
.
Homazh për ty,zotni Bernardin,
Që të masakroi bajlozi i Diktaturës !
Homazh për ty,
Që solle i pari të shkruar
Këngën e Gjergj Elez Alisë
Në duelin e tij legjendar
Me bajlozin sundues !
.
Udhëtove drejt asaj Kënge,
Bernardin
Dhe u ngjite
Dy mijë metra lart,pranë qiellit
Dhe,pranë Zotit,
Atje,në Nikaj të Tropojës.
.
Dhe gjete Gjergjin
Trimin mbi trimat dhe,
Motrën e tij mbi krye
Si dielli dhe hëna…
.
Çaste ngazëllimi përjetove
Bernardin,sigurisht
Me të nisur udhën ndër pjerrina
Nga vareshin e vareshin ujërat
Tek binin e bumbonin ;
Ujëvarat pra siç quhen kaherë…
.
Më pas ke ndaluar e je freskuar
Me ujin e centë që hidhet
Gur më gur e gurgullon
Ndër gurrat e kristalta ,
Siç quhen kaherë,
Bernardin.
.
Kështu, në Nikaj
Mes shkrepash tempullorë,
Mrekullisht e vërtetë
Tingëllonte kënga e Gjergj Elez Alisë.
.
Nënëtë plagë kishte
Ai trim në trup
Varra varra, Bernardin,
Siç i quan Kënga plagët;
Nëntë varra,
Ç’fjalë që të zymton me dramë,
Me tragjedi ,madje,
E mendjen ta nis
Kah varri i mirëfilltë …
.
Ç’ngazëllim t’u përndez
Martir Bernardini,
Tek dëgjoje shqipen
N’ato maja ,
Shqipen e lashtësisë,
Shqipen e ditës dhe,
Të së nesërmes…
.
Falëminderit,atdhetari Bernardin
Për Këngën që e solle
Edhe për ne, që banojmë
Poshtë…