Verë, 2025
1.
Ishte një mesditë e artë, ashtu si vetë mosha vjeshtore e vitit. Asgjë nuk parathoshte se, pas pak, do të ngjante e një kohe tjetër. Të errët e të mykur vjetërie.
Në ambientet e një ndërmarrje botimesh kishte gjallëri. Nuk kalonte një grimë kohë pa ardhur një autor ose rishtar që sillte dorëshkrimin e vet.
Dhe një çast, teksa humori fitoi të drejtën e orës vet, do thoshja: ja, kështu duket fabrika që prodhon shkrimtarë.
Por, më parë se letrarë, ata ishin njerëz të lirë. Sepse, si mësojmë nga antika, skllavët nuk shkruajnë…
Dhe kjo, ndaj, është kurora e saj. Një lidhje kauzale e të bukurës: liria i shpjen drejt shkrimit dhe shkrimi, ky flatrim imagjinate, tejshkon tutje horizontet e lirisë…
2.
Ndërsa bisedonim lirshëm, pashë të hynte papritur në ambientet e parregullta të punës, një grup të rinjsh. Të tjerrur, lëmuar e mondanë, ata i prinin si një syth blernaje, epokës së re libertare.
Bënin një praktikë mësimore dhe ndiqnin kuriozë vajtjen e punëve. Pastaj, një midiskohë pushimi duhej të kishte. Dhe ata zgjodhën të mos dilnin jashtë. Kuvendonin me gjuhën e tyre rinore, bënin ndonjë mahi, ngacmoheshin e qeshnin.
Por, si për të plotësuar harenë, njëri prej tyre i dha zë në kënge që dëgjonte. Unë, që në ritmin e parë, mbeta i habitur. Habia ime, ndërkaq, do të mbytej në shpërthimin e tyre.
Të gjithë nisën të këndonin këngën me lehtësi spontaniteti dhe afsh tronditës, sikur të ishin vetë kantautorët e saj…
Ishte një këngë turke. Sa e panjohur për mua, poaq e adhuruar prej tyre…
Dhe, i keqndier, thashë më vete: ç’është ky trill i zhvendosjes, ky makth? Vallë nuk ndodhesha në Prishtinë?
Nuk thashë asgjë. Sepse, thjeshtë, përjetimi i tyre ishte emocional, i shkrirë e njëshbërë me këngën turke dhe çfarëdo fjale e kujdesshme qortimi do të ngjante e huaj.
E, ndaj, s’kish si t’mos kujtoja qeveritarin dhe strategjistin e hershëm Davutogllu që predikonte: shqiptarët janë mbetje osmane…Dhe ky çast atmosfere që lashë pas, thuajse i zgjaste atij provën e mohimit, kurse ata, si çmim historik, merrnin nga ai dorën e ligë të mirënjohjes…
Kisha kryer punë ndërkohë dhe ika duke mos harruar kurrë ritmin vajtues të muzikës orientale, që kallte aq zjarr e ndjesi orgjie ndër të rinjtë shqiptarë.
3.
Në kohën e tij, vitesh të pasluftës së dytë, shkrimtari kombëtar kroat, Kërlezha, shkruante se, po të mos ishte dyndja e përdhunshme kolektive, Kosova tani, në kohën e tij, do të kishte 5 milionë banorë shqiptarë.
Por ja, represaljet serbe dhe kolona e hoxhallarëve shpirtshitur do të ushtronin parreshtur etnocidin kronik e të heshtur.
Dhe Kosova fironte. Nuk pllenohej dot as afër pikës së bekuar kërlezhjane.
Në fakt, asnjë mot i saj, sërish, nuk epej dot. Qëndronte. Ishin nënat shqiptare që, në vetmi, shtypje e varfëri, ruanin fytyrën e saj shqiptare.
Mirëpo, me gjasë, kjo doktrinë e përzier vijon akoma sot. Njëjtësimi, si në seancën përhumbëse të atyre nxënësve shqiptarë me vajkëndimin turk, dëshmonte këtë ngulmërisht.
Porse njëj dallimi të fshehtë dhelpëror: tani shqiptarët nuk venë në Turki duke mbushur Marmaranë me lot, por është Turkia e shekullit të ri që vjen e kryeshtrohet në etnoshpirtin e tyre…
4.
Edmond De Amiçis shkruan diku (“Stambolli” i stinëve sulltanore, natyrisht), me admirim për ngrehën e saj, se Ura e Gallatës ishte përherë në lëvizje gjallnore. Një jetë vrulli, madje shpesh babël e përzier kombesh e gjuhësh që shkelnin syprinën e saj tek ndante e pikëlidhte përultas Euroazinë…
Por do t’a mendoja gjithmonë një definim mjeshtëror fati dhe misioni të saj. Nga Europa drejt Turkisë, shkruante ai, kalonin Ide, kurse nga Turkia drejt Europës vetëm mallëra..!
Ky pohim ishte një deshifrim i hollë intelektual i dallimit kulturor e, poaq, strategjik që ndante aq thellë të dy anët e tyre.
Të largëta e humnerore.
Atëherë dhe përherë.
r. k.