Njëherë Nastradini e çoi një thes drith në mulli për ta bluar. Meqë atë kohë aty s’ishte askush i pranishëm, Nastradini e shfrytëzoi rastin e përshtatshëm dhe e mbushi thesin e vet me drith nga një thes tjetër.
Atypëraty u paraqit pranë tij mullisi dhe e pyeti: “Hoxho, çfarë je duke bërë?” Hoxha u shtir si i pafajshëm dhe tha: “Unë jam një njeri i çmendur dhe e bëj thjesht atë që më vjen në kokë ta bëj”.
Atëherë mullisi iu përgjigj: Ëhë, ashtu qenka apo. Po mirë pse nuk e bën njëherë të kundërtën e të marrësh drith nga thesi yt dhe të futësh në thesin tim?!”
Nasradini nuk ia vonoi përgjigjen dhe i tha: “Po zotëri, unë vërtet jam i çmendur, mirëpo çmenduria ime nuk mbërrin dot deri atje!”