Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë “më shumë se sa duhet” armë për të zhvilluar një luftë të zgjatur me Iranin, pavarësisht sinjaleve të mëhershme të presidentit Donald Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se rezervat nuk ishin në nivelin e dëshiruar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë më shumë se kapacitet të mjaftueshëm jo vetëm për të zbatuar me sukses Operacionin Epic Fury, por edhe për të shkuar shumë më tej”, u shpreh ajo gjatë konferencës së sotme për shtyp.
Më herët, Trump ishte shprehur i pakënaqur për gjendjen e rezervave të armëve amerikane, duke shkruar në platformën Truth Social të hënën se “kemi furnizim të mirë, por nuk jemi aty ku duam të jemi”.
Drejtues të kompanive të mbrojtjes pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë të premten, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar prodhimin.
Megjithatë, Leavitt theksoi se Trump i referohej vendimit të administratës së Joe Biden për të dërguar armë amerikane në Ukrainë “falas”, për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë, dhe jo ndonjë shqetësimi aktual për mungesë furnizimesh.
“Presidenti po theksonte se, fatkeqësisht, për katër vjet patëm një udhëheqës shumë të paaftë në këtë Shtëpi të Bardhë, i cili dhuroi shumë nga armët tona më të mira pa asgjë në këmbim”, deklaroi ajo.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë u pyet në lidhje me kërcënimin e menjëhershëm ndaj SHBA-së që, sipas administratës, e bëri të domosdoshëm sulmin kundër Iranit.
Gazetari përmendi gjithashtu komentet e kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili më herët ishte shprehur se nuk ekzistonte një “plan i zbatueshëm dhe i menduar mirë”.
“E refuzoj plotësisht premisën e pyetjes suaj”, u përgjigj zëdhënësja Karoline Leavitt. “Presidenti Donald Trump nuk merr vendime në vakum.”
Ajo vijoi duke thënë se “ndjesia e presidentit, e bazuar në fakte”, ishte se Irani përbënte kërcënim për SHBA-në.
“Kjo ka rezultuar qartazi të jetë vendimi i duhur dhe efektiv”, shtoi ajo, ndërsa nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes lidhur me deklaratat e Starmer. gsh