PËRKOHSHMËRI
E gjitha kjo
që po ndodh mes nesh,
thjesht është përkoshmëri.
Të pamundur e kemi.
Po, po absolutisht.
Nuk mund të vijojmë më tej,
Në këtë rrugë të trëndafiltë
Tejet të qetë
Por tërësisht të pakuptimtë,
Mbarsur keqas
Në tërësinë e saj
Nga problemet tona,
Që nuk u sosën kurrë.
Edhe pse e re kjo marrëdhënie
Në fund të fundit
Është qetësuese
Në përkoshmërinë e saj.
————-
HESHTJE
Ajo e pamëshirshmja heshtje
Qe shumë e madhe.
Madje e paparë,
Jo e padëgjuar.
Sepse në një heshtje të tillë
Nuk ke se ç’të dëgjosh
Aq më tepër
Kur je i bindur
Që nga një heshtje e kësisojtë
S’duhet të kesh besim.
Aty, në mbretërinë e saj
Domosdoshmërisht
Duhet të thuhet diçka
Enkas
Për ta thyer e grimëcuar
Atë të padurueshmen heshtje
Që të mos mendoj askush
Se ne janė shterur ndjenjat.
————–
E PËRHUMBUR
“Është i lodhshëm
Apo tejet raskapitës,
Kërkimi i kohës së humbur?”
Më ke pyetur jo një herë
Dhe kur ta kam dhënë
Gjithnjë përgjigjen e duhur
Ti çuditërisht ke heshtur
Si një fije bari.
Jo që s’më ke thënë asgjë
Por ke mbetur e përhumbur.
Nuk e di në cfarë mendimesh
Edhe pse e di mirë
Madje dhe e njeh
Dobësinë time
Që nuk të duroj aspak
Kaq të mbyllur e të largët.
—————
DUHET
Nuk e mohoj
Kurrsesi
Mes nesh ka pas edhe gabime.
Absolutisht.
Nuk ka qenë faji yt.
Zotërues
Them se më shumë se sa ti.
Gjithnjë
Unë kam qenë.
Pangurim
Ti jepeshe e gjitha
Papërmbajtmërisht
Kur bënim dashuri.
Pa as më të voglën frikë
Më falje gjithshka
Pa rezerva.
Oh duhet të shmangesh!
E të zësh vend.
Sa më larg nga ndjenjat.
Atëhere po.
Po.
Shumë herë më e lehtë
Do të jetë marrëdhënia.
————