Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është institucioni ku qytetarët shkojnë me shpresë për t’u trajtuar nga problemet shëndetësore që kanë. Por në kardiokirurgji, kjo shpresë po gërryhet çdo ditë nga një realitet që ngre dyshime serioze për kapjen e shërbimit publik nga interesa private.
Listë pritja për ndërhyrje jetike shkon deri në tre muaj. Në një repart ku çdo ditë vonesë rrit rrezikun për jetën, kjo nuk mund të justifikohet si mungesë kapacitetesh apo fluks pacientësh. Pyetja është e drejtpërdrejtë: a po përdoren listat e pritjes si mjet për të orientuar pacientët drejt sektorit privat?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndë kur shihen të dhënat financiare. NIPT-et e disa individëve të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me shërbimin sugjerojnë ose një volum të pazakontë pacientësh të devijuar drejt klinikave private, ose xhiro të fryra nga informaliteti. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me një dëm të drejtpërdrejtë ndaj shërbimit publik dhe parimit të barazisë në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor.
Paralelisht, qytetarë dhe familjarë raportojnë pagesa “nën dorë” që shkojnë nga 2 deri në 5 milionë lekë për ndërhyrje që ligjërisht duhet të ofrohen falas në sistemin publik. Këto nuk janë “dhurata”. Janë korrupsion, i ushtruar mbi njerëz të dëshpëruar, në momentin më të brishtë të jetës së tyre.
Ironia është kriminale: pacientët paguajnë shifra marramendëse, ndërsa pas operacionit trajtohen në kushte çnjerëzore. Pavione pa ngrohje, mjekë që punojnë me xhupa, dhoma shtrimi me tualetin ngjitur, dhe salla operacioni të improvizuara në ambiente që fillimisht janë projektuar si pavion kardiologjie, jo si salla kardiokirurgjie sipas standardeve bashkëkohore. Ky është realiteti për të cilin paguhen miliona lekë nën dorë.
Edhe teknologjia është pjesë e kësaj hipokrizie. ECMO, pajisje jetike për rastet kritike kardiopulmonare, rezulton se nuk është vënë kurrë realisht në funksion. Pse? Kush mban përgjegjë për një investim që ekziston vetëm në letra, ndërkohë që pacientët humbasin jetën?
Ndërkohë, premtimi publik për hapjen e kardiokirurgjisë në godinën e re në verën e vitit 2025 mbetet i pambajtur. Shërbimi nuk hapet, arsyet nuk shpjegohen, transparenca mungon. A janë kryer punimet sipas standardeve europiane që kërkon një shërbim kardiokirurgjie moderne? Apo kemi devijime nga projekti fillestar, të diktuara jo nga nevoja mjekësore, por nga interesa përfitimi?
Këto nuk janë raste të izoluara. Janë shenja të një problemi sistemik, të mbajtur gjallë nga heshtja institucionale dhe mungesa e ndëshkimit.
Kontrollet e brendshme, auditimet dhe përgjegjësia penale nuk janë zgjedhje, janë detyrim.
Çdo mesazh, çdo SMS, çdo ankesë nga qytetarët për këtë shërbim do të merret seriozisht. Demaskimi nuk është hakmarrje. Është një akt në shërbim të jetës, dinjitetit dhe të drejtës për shërbim publik të ndershëm. Sepse kardiokirurgjia nuk mund dhe nuk duhet të jetë biznes. Është çështje jete.