Albert Kamy (7 nëntor 1913 – Villeblevin, 4 janar 1960),
shkrimtar dhe filozof francez, [65 vjet] Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957.
Në jetën e tij, mund të thuhet hapur, le të jenë ca ligatina me pllanga bore, që në mbrëmje presin të bëhen tjetër gjë, që të vijnë pastaj te dritarja ku vinte ballin dhe dëgjonte përherë sonatën e vesës së mallit në qelq. Kaq. Një fjali si kjo i shkon për shtat ndoshta vetëm Kamysë. Ai ka mbetur përjetësisht prozator, dramaturg, eseist dhe filozof ekzistencialist, si dhe bashkëpunëtor teatri i pasionuar. Platforma ideoartistike e Kamysë qe ngjizur nën ndikimin e Niçes, të Hajdigerit dhe të Sartrit, por një rol të rëndësishëm në formimin e tij si shkrimtar ka luajtur Dostojevski. Në vitin 1953 Alber Kamy ka shkruar: «U njoha për herë të parë me veprën e Dostojevskit kur isha njëzet vjeç, tronditjen e përjetuar e ruaj të gjallë brenda meje deri më sot, pas kaq kohe, por mbetesh i habitur nga ajo që të zbulon në natyrën e njeriut… Veç shumë shpejt, ndërkohë që fillon të ndiesh e të ndërgjegjësosh dramën e epokës sonë, e dashuron atë shkrimtar për aftësinë e pakrahasueshme që tregon në spikatjen dhe paraqitjen e fatit tonë historik.»
Duke e përjetuar vetë dramën e epokës kur jetoi, Kamy arriti ta rikrijojë me art botën me një prirje krejt të veçantë: përfytyrimi i mbretërisë së absurdit që është i pandarë nga përfytyrimi i tij i njeriut të tjetërsuar në botën kaotike, të mbyllur në jetën dhe veprimtarinë thjesht individuale. Ky vështrim i botës tanimë njihet me përkufizimin ekzistencializëm.
Shkrimtari i shquar Kamy e ka dashur shumë natyrën, si fresk e gëzim që i vjen njeriut prej komunikimit aktiv me të. Domethënë për Kamynë shkrimtari shkrihet e bëhet një me natyrën. Ai e pa po me këtë stil edhe fatin e njeriut në botë. Ai i sheh si mbijnë trëndafilat në qiell prej duarve të njeriut, a thua se tërhiqen lart prej një dore të mbinatyrshme. Kamy thotë se ashtu mbeten të varur derisa vjen pa pritur një puthje e dashur për këdo po edhe për të. Arti është pranverë me temperaturë prej vajze, prandaj ka shumë lule, duke preferuar to më të bukurat… Arti i tij është i zhveshur nga elitarizmi, një art i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i thellë, që ka arritur të mishërojë konceptet filozofike pro ekzistencialiste të shkrimtarit, prandaj dhe u mirëprit nga bashkëkohësit, duke gjetur jehonë në shpirtrat dhe në mendjet e tyre. Fryma e rebelimit e përshkon tej e tej veprën letrare të Alber Kamysë dhe që buron në zgjedhjen e lirë që bëjnë në jetë personazhet e tij, integruar organikisht në konceptin e tij për njeriun dhe për botën, që buron nga dashuria në kuptimin e plotë të fjalës. Kredoja krijuese të Alber Kamysë është shprehur në fjalët e tij të arta: «Absurdi mbretëron, të shpëton dashuria.» Sigurisht, koncepti dhe qëndrimi ideoartistik i Kamysë s’janë pa kundërti, por mund të pohohet se pesimizmi i manifestuar nuk e vret dashurinë për jetën dhe për natyrën, nuk e shtyp synimin e përhershëm të njeriut për veprim, pavarësisht mosbesimit në sukses.
Albert Camus ka lindur në Algjer, kryeqyteti i Algjerisë, e cila deri në vitin 1962 ka qenë koloni franceze. I ati, Lusien Kamy, francez, ka punuar mëditës në fermë, domethënë një jetë në skamje. Duket se gjithçka ka mbetur nga vjeshta dhe boshatiset si një tablo e lënë vetëm në kornizat e murit. I ati mbeti i vrarë në fillim të Luftës së Dytë Botërore, me rritjen dhe shkollimin e të dy djemve u mor e ëma, spanjollja Katrinë Santes. Shkolla fillore, e mesme, bursa dhe Alberi vijoi liceun. Në vitin 1932 u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Algjerit. Ai tregoi një interes të veçantë për letërsinë dhe për filozofinë, u njoh me veprat e intuitivistit Bergson dhe të idealistit Niçe, me veprat artistike të Marsel Prust dhe të Anatol Fransit, të Dostojevskit dhe të Tomas Manit. Në kurset e detyruara të leksioneve u njoh me pikëpamjet e shumë mendimtarëve bashkëkohës, në mënyrë të veçantë me platformën filozofike të Zhan Pol Sartrit, të shprehur prej tij si ekzistencializëm. Atij i interesoi teatri dhe me nismën e tij u krijua ‘Teatri i Punës’, një teatër shëtitës. Duhej patjetër t’i flisje botës me zë të lartë, se po vdisnin drurët dhe fryma njerëzore, derisa okita lëkundëse ngrin si borëtima në pezulin e ndajnatës. Dëshirën dhe luftën që bën i arrin me gjuhë ku fshihet dashuri e thellë për drurët në jetën e dhuruar. Për trupën e këtij shkroi dramën ‘Kryengritje në Austri’. E interpretoi vetë rolin kryesor. Por shpejt përsëritja e shfaqjes u ndalua nga censura. Sidoqoftë mundi që të vinte në skenë tragjedinë e Eskilit «Prometeu i lidhur», dramën e Maksim Gorkit «Fundërrinat», tragjedinë e vogël të Pushkinit «Miku i gurtë», «Vëllezërit Karamazov» të Dostojevskit, përgatiti për skenën disa fragmente nga vepra e A. Zhidit dhe e A. Malrosë. Përzgjedhja e repertorit flet me zë.
Kamy ka marrë pjesë aktive në jetën sociale dhe politike të vendit. Në vitin 1934 u pranua anëtar i Partisë Komuniste Franceze, antifashist i vendosur, ndërkaq nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë krijuese, planet e tij të gjera, luftoi me tuberkulozin, ndërpreu studimet pse i pakësonin punën. Shkoi për kurim në Paris, qëndroi një kohë në sanatorium në Alpe dhe përsëri u kthye në Algjer. Botoi vëllimet me ese të titulluara «E mbara dhe e prapa», «Vera në Paris». Një nga më të përkushtuarit e veprimtarisë shoqërore. Ashtu lulëzojnë edhe sot tek vepra e tij dhe këtë e ndien fort. Dhe më tej akoma më fort bota letrare do ta ndiejë, e di.
Në vitin 1940, Kamy e pranoi ftesën për të punuar redaktor në gazetën ‘Paris-soir’, u largua nga Algjeri dhe u vendos në Francë. Në Paris mbërriti disa ditë përpara se të pushtohej nga Gjermania fashiste. Mori pjesë aktive në Rezistencë, mbante lidhje të vazhdueshme me ilegalët, vetë bëri pjesë në shoqatën ‘Komba’. Është koha e një veprimtarie intensive krijuese: shkroi romanin «I huaji», esenë e famshme «Miti i Sizifit», i botoi në vitin 1942. Pak më vonë botoi romanin «Murtaja» (1945), u vu në skenë drama «Kaligula» (1947), në të cilën rolin kryesor e interpretoi aktori me famë botërore Zherar dë Filip. Në vitin 1951 Kamy botoi traktatin «Njeriu rebelues», kurse në vitin 1956 pa dritën e botimit novela «Rënia». Në vitin 1957 Alber Kamysë iu dha Çmimi Nobel. Ka vdekur në vitin 1960 pas një aksidenti automobilistik.
Ideja e madhre që e përshkon tejetej veprën me famë botërore të Alber Kamysë është: absurditeti i qenies njerëzore dhe rebelimi si formë e luftës kundër padrejtësive dhe i sigurimit të lirisë. Koncepti mbi absurditetin e botës, i trajtuar në rrafshin filozofik, e gjejmë në esenë e mirënjohur “Miti i Sizifit” (1941). Sizifi legjendar i paraqitet lexuesit si mishërim i njeriut absurd. Sipas legjendës, i dënuar nga perënditë që ta ngrinte vazhdimisht gurin në majën e malit, nga ku shkëputej e shkëputej dhe binte poshtë, ndërsa Sizifi detyrohej që ta ngrinte përsëri lart e kështu pafund. Bënte punë të pakuptimtë, absurde, sepse i mungonte qëllimi. Sizifi qe i vetëdijshëm, kjo e bënte që t’i përbuzte edhe më perënditë, që të lartësohej mbi ta shpirtërisht, por edhe mbi fatin e vet. Kështu ai bëhet «më i fortë se shkëmbi», bëhet i vetëdijshëm se «e ka vetë fatin e tij në dorë». Bëhet zot i absurdit. Përgjithësimi i arritur është i përmasave të mëdha: njeriu vetë e kupton pashmangshmërinë brenda absurdit. Sipas Kamysë: «Njeriu i absurdit fillon aty, ku mbaron njeriu që ushqen shpresë». Sizifi e bën fat të tijin ngritjen e gurit, ashtu ai çapitet në botën që nuk ka si e njeh. Por lind pyetja: «Si shpjegohet stoicizmi dhe fryma optimiste e veprës së Kamysë?» Kamy na e ka bërë të qartë se burimet e lirisë dhe të optimizmit ekzistojnë, këto janë dijet që zotëron njeriu, është puna e duarve të tij, është arti, është procesi krijues.
Analogjinë ideore me esenë «Miti i Sizifit» e gjejmë në romanin më të mirë, që doli nga pena e Kamysë, «I huaji» (1940). Heroi kryesor i romanit nuk është personazh mitologjik, është «thjesht njeri», është djaloshi Mersó, që di ta shijojë bukurinë me shkrirjen në natyrë, që jeton i lirë, pa detyrime, pa iu nënshtruar normave standarde të moralit, ndonëse këto zakonisht imponohen me përdhunë. Jeton në një botë ku nuk ka Zot duke qenë pa kuptim që të ketë dhe këtë ai e di fort mirë, duke e ndierë veten të huaj në mjedisin e afërt. Pra, nuk dëshiron që të luajë sipas rregullave që ka vendosur shoqëria. Mersó kryen krim, vret një arab, por nuk i jep vetes llogari për aktin e bërë, ashtu siç nuk i jep llogari vetes edhe kur sillet në mënyrë të papranueshme në rastin e vdekjes së të ëmës, në rastin e qëndrimit ndaj Marisë, që e do, por për të është njëlloj, si të martohen, si të mos martohen. Veç nuk di si t’ia bëj këtij halli, këtij perëndimi me një sqepim prej ylli që e ndjek hap pas hapi dhe e çukit hijen që i vjen pas, apo edhe i shkon përpara, varur se nga e rreh drita. Krimin, vrasjen e arabit, e kreu në rrethana misterioze: dielli përvëlues ia prish baraspeshën, rrezja si teh thike ia vret keq sytë, si në jerm e nxjerr revolverin, e tërheq këmbëzën pa e ditur as vetë se ç’qe duke bërë. Mbretëroi një heshtje varri në bregdet, aty ku pak më parë e kish ndjerë veten aq mirë. «Sikur trokita në derën e fatkeqësisë me ato katër të shtëna të shkurtra», – janë fjalët e mbylljes së tregimit të Mersosë. Studiuesit vënë re se në tregimin e shkurtër të Morsosë dielli përmendet 20 herë, gjatë varrimit të së ëmës dielli përvëlues i shkakton dhembje koke, e pikërisht ky, dielli, mbahet si ç’ekuilibrues i Morsosë. Gjyqi zgjat pambarim, përsëriten të njëjtat fjalë, Morsó nuk ndien pendim. Akuzohet për vrasjen e arabit dhe për thyerjen e normave të moralit gjatë varrimit të së ëmës. Morsó akuzën e priti «si fraza që nuk kishin fund». Tri herë nuk e pranoi afrimin e priftit për lutjen e fundit. Vdekjen e priti qetë, pa frikë. E vetmja dëshirë që shprehu ishte: «Në ditën e ekzekutimit, le të mblidhen sa më shumë shikues dhe le të më presin me britma urrejtjeje.»
Kritika me të drejtë ka shkruar se Morsó prandaj është i huaj, se jeton i veçuar nga të moralshmit dhe është bashkuar me natyrorët. Përmes asaj që i ndodh Morsosë, Kamy ka theksuar se gjithçka që i vjen njeriut nga morali dhe nga normat e shoqërisë, është sipërfaqësore, është e rritur në trupin e tij si mish i huaj. Ligji ekzistencialist i tjetërsimit të njeriut në shoqërinë e rregulluar keq dhe ligji i absurdit të jetës në këtë lloj shoqërie veprojnë në romanin e Kamysë «I huaji» me forcë të madhe. Kritika ka vënë në dukje po ashtu se si Sizifi, si Morsó i përkasin një race të veçantë njerëzish, sipas përkufizimit të autorit, ata janë absurdë. Aty janë të gjitha: malli, fëmijëria, ditët e mira e të këqija, flatrat ngjyr-ngjyra, pastaj fluturon e shkon të krehë e të stolisë përpara duke pritur agimin. Këtë gjendje na e ka shpjeguar teoricieni i ekzistencializmit Zhan Pol Sartri, kur ka thënë: «Është njëlloj qëndrimi dhe marrëdhënie e njeriut me botën. Gjendja e absurdit do kuptuar fillimisht si tjetërsim, si mungesë harmonie mes shkrirjes me jetën shoqërore dhe prirjes për jetë si individualist, mes dëshirës për ekzistencë dhe pengesave për ta bërë këtë realitet, do kuptuar dhe si shqetësim i vazhdueshëm jetësor, të cilin njeriu përpiqet që ta kapërcejë dhe nuk e kapërcen dot.»
Te romani «I huaji» Kamy e vë theksin në përshkrimin e realitetit të përditshëm dhe në përpjekjet e individit për ta rindërtuar sjelljen dhe për pasojat që e presin. Mungesa e harmonisë mes tyre, dëshmon mungesën e harmonisë së ndërtimit të jetës. Tragjizmi që e bashkëshoqëron është i pashmangshëm. Si në urgjencën e qiellit ku ngjiten drurët pa një gjethe dimri, lidhur me fasha resh të pafundme, që pulsi i dobët e i drobitur i njerëzve, ndonëse i rezistojnë vesës – prapëseprapë e dinë se dielli e thith atë i etur…
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore në botëkuptimin e Kamysë ndodhën ndryshime: periudha e shkrimit të «I huaji» kishte mbetur prapa, ajo që po ndodhte, tepër e përgjakshme, kërkonte një filtër të ri. Shkroi esenë ‘Letra mikut gjerman’, në të cilën Kamy, tanimë shkrimtar botërisht i njohur, bisedon me mikun gjerman të imagjinuar, kërkon që bota të përfshihet nga solidariteti dhe njerëzit të përveshin mëngët për ta larguar sa më parë fatin mizor dhe për të jetuar në harmoni. Është i vetëdijshëm për vështirësitë, por ka besim te njerëzit. «Më pyesni, – i drejtohet Kamy mikut gjerman, – se çdo të thotë ta shpëtosh njeriun? Përgjigjja ime është: kjo do të thotë të mos e sakatosh atë, por të mbash si orientuese drejtësinë. Dhe këtë është i zoti që ta vërë në këmbë vetëm njeriu.» Përpara nesh qëndron ekzistencialisti Kamy, i pasuruar nga ideja e madhe e solidaritetit njerëzor. Është ekzistencialisti shpërfillës i kësaj jete të parregulluar, që del me idenë e përgjegjësisë që ndien përpara njerëzve lidhur me gjithçka që ndodh me njeriun në këtë botë. Sigurisht që flet për rritjen e Kamysë si filozof, si shkrimtar dhe si personalitet botëror.
Kjo ide madhështore e përshkon krejt veprën e radhës të Kamysë «Murtaja» (1947). Sëmundja epidemike e murtajës e ka pllakosur njerëzimin. Murtaja është fashizmi. Ajo duhet zhdukur për të shpëtuar njerëzimi nga kërcënimi serioz. Gjejmë një tipar të ri, të rëndësishëm, të krijimtarisë së Kamysë, dukjen në të të brendisë sociale. Personazhi kryesor i veprës në një vend thotë: «Ka baza aq shumë të mjafta që të preokupohesh për ta adhuruar sa më fort njeriun. Shumë më tepër se sa të merresh me përbuzjen e tij.» Konceptimi tërësor i një krijimtarie të mrekullueshme si ajo e Kamysë, një thënie lapidar. I kësaj kohe është dhe traktati filozofik ‘Njeriu rebelues’. Risia e rebelimit të njeriut, i kësaj dukurie të njohur në krijimtarinë e ekzistencialistëve! Ajo nuk shihet thjesht si heqje dorë prej pajtimit, por është edhe solidaritet njerëzor. «Në një rebelim, – ka vënë në dukje Kamy, – njeriu bashkohet dhe solidarizohet me të tjerët.» Pra, jo veçimi e as tjetërsimi vihet në plan të parë, por rebelimi bashkues, rebelimi që shoqërohet prej solidaritetit njerëzor, pa të cilin nuk ka përparim njerëzor. Pa hequr dorë prej teorisë së absurdit dhe të tjetërsimit, Kamy në të njëjtën kohë merr në mbrojtje idenë e nevojës që ka njeriu për të qenë me të tjerët. Faktikisht sfidohet ideja e vetmisë si oaz shpëtues i individualizmit. Ndoshta ajo frymë ishte si fari që tregon udhën në stuhinë detare të fatit njerëzor të hidhur, duke pritur të hapej shpirti e të ngrihej sipari i jetës, pastaj të zbrisnin të gjithë me këmbë në tokë…
Veprat e pasluftës, që shkroi Kamy, janë të zhveshura nga alegoria. Motivi i shkrirjes së njeriut me natyrën tingëllon më i plotë dhe më përtëritës. Novela ‘Rënia’ (1958) është e shkruar si rrëfim i personazhit kryesor kundër dyfytyrësisë, kundër mashtrimit dhe egocentrizmit, konsiderohen jo thjesht vese, por mëkate me thelb antinjerëzor, të tilla që e pengojnë njeriun të dashurojë e të jetojë jetën.
Në fjalimin e shquar që mbajti me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel, Kamy u shpreh se paracaktimin që i vuri vetes e kishte arritur, se ai ishte «mohimi i të keqes dhe qëndresa fort përpara skllavërimit».
Njëra nga epidemitë e shekullit, aksidenti automobilistik, ia mori jetën para kohe shkrimtarit fisnik dhe me mendje e zemër të madhe. Alber Kamy vdiq në vitin 1960. Por mbeti i pavdekshëm, sepse ndriçoi me origjinalitet dhe me nivel të lartë filozofik e artistik problemin e madh të njeriut dhe të fatit të tij në shoqërinë e shekullit XX, tregoi tjetërsimin e njeriut dhe absurditetin e jetës së individualistit, viktimë e shoqërisë së rregulluar keq, por tregoi edhe solidaritetin njerëzor dhe rebelimin njerëzor si faktorë të mëdhenj rregullues të jetës njerëzore. Vepra e tij ushtroi një ndikim të dukshëm në jetën letrare dhe shoqërore të shekullit XX.
Alber Kamy është lart dhe endet poshtë, ku qëllon të gjejë ndonjë figurë, thërrime të shpirtit që s’i dalin kurrë më bukur se aq dhe për asgjë tjetër në botë, përveç njeriut…
Tiranë, korrik 2025