(3 korrik 1883 Pragë – 3 korrik 1924 Kuerling Klosterneuburg, Austri)
140 vjet
Franz Kafka është emër simbol dhe jo vetëm si shkrimtar, jo vetëm si austriak, apo thjesht si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, por ka qenë edhe njëri nga njerëzit më të pandjeshëm të shekullit, njëri nga më të tjetërsuarit e më të çuditshmit. Ai gjithnjë dinte për çfarë flitej, dhe qe gati të ngrihej lart krejt si malli i vjetër njerëzor, i trallisur nga ndryshimi i hallakatur në vetëdijen e gjërave, fjala vjen nga trëndafilat e freskët në një luftë të pleksur e të mbrapshtë. Kafka erdhi në letërsi si anash-anash, pa u ndier, pa më të voglin pretendim, me mosbesim. Në të gjallë, botoi vetëm disa tregime dhe ndonjë fragment të shkurtër nga romanet, të cilët i mbante të kyçur në sirtar. Ai madje përpara se të vdiste i la porosi mikut të vet, shkrimtarit Maks Brodi, që t’i digjte dorëshkrimet. Ky për meritën e tij të madhe jo vetëm që nuk e çoi në vend porosinë, por, përkundrazi, ia sistemoi, ia redaktoi dhe ia botoi veprat, duke i bërë njerëzimit një shërbim fisnik dhe të çmuar. Po edhe atij i dukej se po jepte diçka të vogël edhe pse me dashuri të madhe, fundja s’është gjë të dhurosh kur s’ka dashuri në atë që jep, se edhe dashuria s’ka mjaftuar…
Vërtet ky është fakt i çuditshëm dhe Franc Kafka e ka pranuar me gojën e tij: “Çastet më të bukura të jetës sime i kam kaluar në tryezën e shkrimit”. Mirëpo e keqja ishte se ato që shkruante ai i quante pa interes për të tjerët. I vetëm fillikat dëgjon meshën e heshtjes qoftë edhe një aht, sidomos në buzët e lutjes! Dukuri e pashoqe në historinë e artit. Se raste dyshimesh për vlerën e krijimit ka pasur dhe ka, por një mohim aq i prerë dhe një kërkesë aq kategorike për asgjësimin e dorëshkrimeve, nuk njihet. Mos po ndodhte katastrofa? Mos ngaqë ishte koha e restaurimit të katedraleve? Rrotull tij askush s’dukej i velur e i nginjur me mollën e helmuar nga gjarpri për shkak të shkrimit…
Dihet se fillimi i shekullit XX karakterizohej nga larmia e paparë e rrymave dhe e shkollave letrare dhe këto sollën gjallërimin e ardhangët të jetës artistike: kohë britmash dhe ekstravagancash deri dhe përçudnime krijuese, madje modat dukeshin e zhdukeshin dhe të pataksnin. “Izmat” artistike rivalizonin zhurmshëm me njëra-tjetrën, përshkuar nga bashkëpunimi dhe debati në mbrojtje të krijimtarisë. Gjithçka e rrethuar me skela të larta fund e majë duke restauruar artin e plakur pa i marrë leje askujt dhe pa dëgjuar as mesinë e Hendelit. Ajo kish mbetur. Dukej si një atmosferë që fort mirë mund të mbijetonte! Ndaj dhe vepra e Kafkës, që shquhet për ekspresionizmin e vet dhe për konceptimin ekzistencialist të jetës. Ndërsa Franc Kafka asgjë nuk ndërmori për t’ia hapur rrugën krijuese vetes. Ndenji kurdoherë mënjanë dhe nuk u ndie.
Krijimtaria letrare e Kafkës u zhvillua në mbështetje të rrymës letrare moderniste të ekspresionizmit, pa lënë në harresë asgjë të veçantë, u zhvillua në vendet gjermanisht-folëse në fillim të shekullit XX, por shkrimtari me ta nuk u bashkua. Parapëlqeu heshtjen duke dalë prej andej kur vinte ndajnata, duke u rënë me mend kambanave dhe duke kënduar bahun po ashtu me mend. Thjesht ekspresionizëm që bazohet në shpalosjen artistike të ndjesive vetjake dhe që ndezin flakën blu të shpirtit. Kafka e dinte mirë se ekspresionistët parapëlqenin tregimin për atë që mendonin dhe imagjinonin ata vetë dhe jo për atë që mund të ishte në të vërtetë. Edhe Kafka këtë rrugë ndoqi, shkroi si për të restauruar katedralet e vjetra e të përtymura të letërsisë, solli kohën e harruar kur vdes e ringjallesh pa u besuar kurrë, as si imagjinatë dhe as si realitet. Si ekspresionistët. Se Kafka e ndiente shkatërrimin e botës, e shqetësonte fati i njerëzve, katastrofat e pritshme, atë e tmerronte vetëdija e tragjizmit të llahtarshëm të njerëzimit. Ndaj dhe për të tejçuar shqetësimet iu drejtua absurdit, që preferohej nga modernistët, por vetëm në dukje, sepse në të vërtetë Kafka si artist dhe si mendimtar është mjaft i thellë, më filozofues dhe më fetar se absurdistët. Ndërkaq ai ishte gati të shndërronte kozmosin në pëllumb. Barka e Noes për të mbërrin në brigjet alarmuese të shkrimit të tij edhe si përmbajtje, edhe si stil, të cilin e përpunoi e që nuk ngjan aspak me stilin e fryrë e pompoz, të rënduar me britma e me klithma, me deklarata vrastare të ekspresionistëve. Ai preferoi t’u bjerë kitarave të tregimit të qetë, pa i mjaftuar Uollt Uitmani në frazën e shtruar, duke nxehur përshkrime veprimesh jo të bujshme, madje edhe kur bëhet fjalë për temperamentin artistik të shkrimit që te lexuesi shkojnë përplot tronditje, Kafka parapëlqeu kumbimin minor të jargavanit që çel. Dhe është aq shumë e theksuar kjo mënyrë shkrimi, saqë e quajtën asketizëm, duke e ngritur zërin deri në kupë të qiellit, se aty mungojnë thuajse tërësisht figurat e fjalës dhe fjalori poetik. Stili i Franc Kafkës ndryshon kryekëput nga orgjia e stilit dhe britmat e shkujdesura të shumë krijuesve të fillimit të shekullit XX. Tek ai nuk gjejmë asgjë të përbashkët as me estetizmin e ekspresionistëve. Veç, tek e sheh me kujdes stilin e Kafkës, menjëherë thua: “Po ky është stili i absurdit!” “Ky është stili i ankthit!” Pra, stili i Franc Kafkës është kafkian. Ai u afrua me ekspresionistët vetëm në kuptimin e tragjizmit të botës…
Franc Kafka ka lindur në Pragë në vitin 1883 në një familje hebrenjsh të varfër, por i ati shquhej për vullnet dhe u tregua tregtar i zoti, madje u bë i pasur dhe pronar i një fabrike. Ëndrra e tij, si dita dhe nata këmbëzbathur, ishte që Franci të vazhdonte atë që nisi i ati, por djali qëlloi shëndetlig, natyrë pasive dhe aspak praktik, pa treguar pikën e zellit për punë tregtie. Dukej se kish mbetur në zonën zero. Ai pëlqente jetën e mbyllur të librave. Presioni i të atit qe i vazhdueshëm dhe i vrazhdë, duke dashur me çdo kusht që i biri të merrte në duart e tij frenat e ekonomisë. Por as irisë të kaltër dhe as tulipanë blu (ngjyra e shpirtit) nuk do të mbillen. Sepse Franci vuante shumë nga privimi i lirisë, nga dhunimi i dëshirave, hija prej shtypësi e të atit nuk iu nda gjithë jetën. Asgjë s’kish ndodhur vërtet në atë kokërr të vogël të gdhendur shpirti! Sigurisht që përbrenda tij këtë do ta shpjegonte jeta e oshënarit, që ai e bëri mes njerëzve, duke ndjekur si të thuash i dehur puplën e hënës, që bëhej vetvetiu masë e masës së gjërave! Pafuqia përpara të atit u bë shkas për pasivitet dhe druajtje që u shoqërua edhe prej frikës. Konflikti me të atin i la vragë të thellë për tërë jetën. Po edhe si kënga e fundit që këndon një mjellmë duke çarë fytin e absurdit. Për të gjitha këto, me art të rrallë Franc Kafka do t’i kumtonte botës në të famshmin traktat “Letër babait” (1919), që është një dokument me forcë përgjithësuese të jashtëzakonshme. Por asgjë s’kish ndodhur akoma brenda në zhivën e termometrit letrar, pavarësisht nga klithma ankimtare e shpirtit të vrarë padrejtësisht. E megjithatë, rrjedhojat e rënda të kësaj sjelljeje do të duken në jetën dhe në sjelljen e Kafkës, sidomos në qëndrimin mosbesues të tij ndaj asaj që krijoi.
Në vitin 1910 u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Parisit, por nuk e mbaroi, punoi nëpunës sigurimesh shoqërore. U bind sesa shumë që ia përthith njeriut forcat e shpirtit zyra me shkresurinat burokratike. Krijimtaria, kur vinte errësira si për të tradhtuar nga pak, u bë për të një kështjellë me mure të larta, ndaj dhe aty gjente vendstrehimin mbrojtës nga rrebeshet e jetës. Si në pikturat e Shagallit? Jo. Por duke pritur nënën e mbetur vetëm fillikat, po; kur vjen mugu e muzgu si një i dashuruari i përjetshëm, po; si ëndërr e si ikonë, natyrisht që po. Fillimi, është sigurisht gjithnjë i vështirë, i mbushur plot shënime për jetën e përditshme, teksa ai i hidhte në letër raste të veçuara përjetimi e mbrese, meditimi dhe arsyetimi, më pas nisi që ta vishte mendimin me formën e duhur artistike. Provoi të shkruante ndonjë tregim, përditë duke pritur si të thuash të gjallët të ngjallen dhe të vdekurit të vdesin, duke shpërthyer si dinte ai nën zë dhe duke dalë furishëm më i bukur e më i fuqishëm, madje me një shkëlqim e gëzim prej të marri, përthithur me gjithsej nga krijimtaria, kështu që jeta filloi t’i merrte kuptim dhe pikërisht kësaj iu përkushtua pa rezerva. Po përsëri në shtyp asgjë nuk jepte, gjithçka e mbyllur në sirtar!
Me rrjedhoja fatale për jetën e Kafkës ka qenë fakti që ai jetoi në mjedise me përbërje shumëkombëshe dhe shumëkulturëshe, me zakone dhe tradita të ndryshme, me besim fetar të ndryshëm. Ishte hebre, por nuk jepte e merrte me komunitetin e hebrenjve të Pragës, sepse gjuhë amtare kishte gjermanishten, kurse hebrenjtë çekë flisnin çekisht. Pra, vetja i dukej tri herë i privuar: ishte çek në mes të austriakëve, ishte qytetar austriak në mes të gjermanëve, ishte hebre në sy të botës. Dhe ndali i tromaksur, ngriu, sigurisht në mënyrë figurative. Po t’i shtonim këtij fakti presionin e të atit për t’u bërë tregtar, detyrën e zyrtarit që nuk e kishte aspak përzemër, natyrën e ndrydhur e të mbyllur që ruante, del i qartë personaliteti i Franc Kafkës në atë periudhë fillimi të krijimtarisë letrare. Nuk mund të shpresonte as për karrierë shkrimtari, sepse krijimet që dilnin nga pena e tij ishin të pazakontë…
Lexonte shumë, i afrohen vajza, gra, jo për fuqinë e shkrimtarit, po për të harruar edhe atë që ishte e tija. E adhuronte Gëten, nga letërsia bashkëkohëse ia tërhoqën vëmendjen novelat dhe romanet e Tomas Manit, e çmonte shumë dhe e donte Dostojevskin, ndikimi i tij ndihet në mënyrën e të skaliturit të personazheve. Vlerësonte sidomos aftësinë e shkrimtarit për t’i bërë jehonë me dinjitet ngjarjeve më tronditëse të historisë, por të përthyera në tregimin e jetës së përditshme, thoshte se biografitë e shkrimtarëve të mëdhenj janë më të rëndësishme se veprat që ata kanë shkruar. Më pas Tomas Man do të thotë për Kafkën se ngjason me personazhin kryesor të novelës së tij “Tonio Krëger”…
Kafka ka vuajtur nga tuberkulozi dhe sëmundja ia shtonte tjetërsimin. Ky, si zoti i tij i ligjshëm, nga ana e vet, e shtynte që të merrej me vetë-analizë shoqëruar me erë hiri e magjie. E urrente vetminë, sepse e ka torturuar gjatë gjithë jetës duke ruajtur gjurmët e fundit me kumbe qiellore, që i bënte si për ta parë veten larg njerëzve dhe të mos duhej prej tyre dhe zgjidhja i bëhej më e lehtë. Por mënyrë tjetër të jetuari nuk kishte, se atij nuk i pëlqente aventura prandaj e bëri dhe temë të preferuar të krijimtarisë ‘burgun’ e tij ku çapitet i plogët. Jeta e mbushur me kundërsens dhe parregullsi e detyroi që të zgjidhte rrugë të ndërmjetme jete, aspak të favorshme për të qenë normale dhe e qetë. Dhe belbëzonte se i duhej një grimë kohë sa për t’u marrë me këtë qenie delikate (vetveten) që e donte shumë! Ka qenë pikërisht kjo gjendje e ndërmjetme ajo që ia bëri të pasigurt jetën, i sugjestionoi psikologjinë e fajit përpara të tjerëve, një gjendje aq munduese për shkrimtarin me ndjeshmëri të rritur si i përhimtë me sy prej plumbi që përditë vret me ngurtësimin e vet. Tërë kohën ka jetuar i përndjekur nga pasiguria dhe nga frika. E kanë vënë në dukje dhe ata që e kanë njohur. Gazetarja çeke Milena Esenska, të cilën Kafka e dashuroi në fundin e jetës, ka shkruar: “Franci nuk di të jetojë. Franci nuk është i zoti që të jetojë. Franci kurrë s’do të mund të shërohet. Franci do të vdesë shpejt”. Ka ëndërruar jetën e veçuar përpara tryezës së shkrimit, por ja që trëndafilat nuk kishin aromë, por nuk i arrinin mjetet që ta bënte, se tek e fundit yjet jo gjithmonë duken dhe hëna nuk është kurdoherë e argjendtë, qe i detyruar të punonte në zyrë, ku ndihej i tjetërsuar sepse nostalgjia është e madhe saqë të vjen të thërrasësh urgjencën!… Ka ëndërruar që të kishte familje, të lindte fëmijë, të rronte si qytetar i devotshëm, por kurrë nuk e realizoi, pasi dukej se të gjithë qenë gati ta përlanin, sido që sa për sy e faqe kërkonin shkaqe për ta bërë këtë. Moskuptimet dhe keqkuptimet ia prishnin lidhjet me gratë. Sigurisht kjo ndikoi në psikologjinë e tij prej krijuesi e artisti dhe duket në sjelljet e pazakonta të personazheve që krijoi, në kthesat e befasishme që u merr jeta, në vënien në dukje të fatit që i ndjek pas me fatalizëm dhe në fundet e pashmangshme tragjike. Të para me këtë sy novelat dhe romanet e Franc Kafkës mund të quhen fare mirë kronika fantastike të jetës së përçudnuar.
Vepra e Kafkës është me pak vëllime: na la disa tregime dhe novela, disa ese, shkrimin dokumentar “Letër Babait”, romanet “Amerika”, “Procesi”, “Kështjella” dhe novelën “Metamorfoza” që e bënë të famshëm. Që nuk fluturojnë por ecin në ajër. Që bëjnë jehonë në sallat e zbrazëta të katedraleve, ku bien kambanat e fundit si alarme. Që ndezin qirinj për të vdekurit. Që nuk harrojnë të ndezin dhe një për atë vetë. Që bëhen shpesh kukulla plëngprishëse. Që tradhtojnë dhe falin nostalgji… Romani “Amerika” (1912), që mban si nëntitull “Humbi pa lënë gjurmë”, u shkrua në traditën e letërsisë realiste dhe ku bëhet fjalë për jetën e mbushur me peripeci të Karl Rosmanit, të larguar nga shtëpia për shkak të lidhjes së paligjshme me shërbëtoren që ishte më e madhe se ai. Është i ndjeshëm dhe i respektueshëm, por jo sa duhet i vullnetshëm, prandaj fati luan me të. Njëra rastësi ndjek tjetrën, afrimet me njerëzit dhe largimet prej tyre tregohen si lojë e fatit. Jeta atë e gllabëron në prapësitë e saj, ndërsa djali ka besim tek ajo. Romani mbyllet me triumfin e drejtësisë dhe me fitoren e lirisë. Karlin e pranojnë në teatër. Në roman kjo konceptohet si pranim në jetën e vërtetë. Është një fund i stisur, nuk vjen si rrjedhojë e ngjarjeve të mëparshme, ku shkojnë e vijnë nëpër yje vetëtimat që zbulojnë përherë prapësi të thyera keq. Romani “Amerika” është një provë pene e Kafkës, por është interesant për mesazhin që jep: njeriu kërkon strehë dhe ngrohtësi në jetë, ndërkohë që një ligj i pamëshirshëm, i ngahershëm, e ndëshkon të pafajshmin. Është motiv që e përshkon tërë veprën e Kafkës…
Në veprat e tij më të mira, në novelën “Metamorfoza” (1914) dhe në romanet “Procesi” (1915) e “Kështjella” (1919), ngjarjet zhvillohen në hapësira të mbyllura, kurse sprovat e mendjes, të ndjenjave dhe të moralit përfundojnë me disfatë. Si shikimi artistik i jetës, ashtu dhe logjika krijuese e autorit kanë gjetur në këto vepra madhore një mishërim të plotë, kurse prirja kafkiane për universalizëm duket e shprehur qartë.
Romani “Procesi” fillon me fjalët: “Dikush, me sa duket, shpifi kundër Zhozef K., sepse pa bërë asgjë të keqe, u gjend i arrestuar” teksa bën pyetjen pse është kaq i fortë kur bie të flejë. Ai s’kam më kohë të merret me shpirtin dhe s’do të zgjohet më në ëndrra, por të rrojë përgjithnjë, sepse s’gjen dot qetësi edhe në shtrat, se koha është si një vjershë biblike në të shkruhet me shkronja kapitale dhe se në zot të besosh qenkej e kotë, duke u theksohet faji përpara të tjerëve dhe po aq edhe paaftësia për ta rregulluar jetën. Fundi tragjik është i pashmangshëm. Zhozef K. e arrestojnë ditën kur po kremtonte tridhjetëvjetorin e lindjes. Procesi gjyqësor që pason është i çuditshëm: nuk i parashtrohet ndonjë akuzë konkrete, sepse nuk e nxë as edhe dëshpërimi më i errët dhe fajësia e të cilit është një fajësi e përgjithshme, sepse njerëzit që të gjithë mbartin mbi supe faj. Gjykohet në gjendje të lirë, sepse procesi gjyqësor s’duhet që të bëhet pengesë për jetën. Asnjë dhunë nuk ushtrohet mbi të. I akuzuari nuk ndjen ndonjë faj. Zë të përligjet në sy të kolegëve, me këtë e rrit sferën e veprimit të ligjit, i cili mbështetet në parimin e fajësisë së përgjithshme. Dhe ndodh paradoksi: orvatja për përligjje kthehet në pranim të fajit. Dënimi tani është i pashmagshëm. Sipas Kafkës, gjyqi ndodhet brenda nesh, gjithsecili jeton nën mbikëqyrjen e gjyqeve, gjithsecili mund të bëhet viktimë e veprimit të gjyqit. “Gjithçka e kësaj bote ka të bëjë me gjyqet”, – thotë njëri prej gjykatësve. Avokati thotë se akuza vjen që brenda vetë të akuzuarit. Ardhja e xhelatëve në vigjilje të ditëlindjes pas një viti nuk e habit të akuzuarin, që nxiton për te vendi i ekzekutimit.
Motiv të ngjashëm ka dhe novela “Metamorfoza”. ende e bardhë pa një shkronjë, Po ai fillim befasues: Gregor Zamzën vijnë që ta thërresin të paraqitet në zyrë, por e gjejnë të shndërruar në zvarranik. Aty ngjitet dhe zbret si nëpër shkallë. Si në romanin “Procesi” edhe këtu njëlloj tregohet për jetën e tjetërsuar të personazhit, ku qielli thonë se është parajsa, ku nëntoka thonë se është ferri. Theksohet pamundësia për të bërë ndonjë veprim, i cili do ta shmangte tragjedinë. Kritika ka gjetur në këtë konceptim të Kafkës mishërimin e fatit të vetë autorit dhe përgjithësimin e pesimizmit për jetën në tokë. Arrihet përmes një tregimi të qetë në dukje, por të llahtarshëm në thelbin e vet. Me pak fjalë thuhet se Gregor Zamzën e mundi gjumi atë mëngjes, u vonua për në punë, si nëpunës i vogël që është e dridhet përpara të plotfuqishmëve, ka frikë se e pushojnë nga puna.
Nuk thuhet, por nënkuptohet se nga frika i ndodhi dhe metamorfoza, u shndërrua në zvarranik. E pra, Zamza ka plot virtyte: sakrifikon për tjetrin, sidomos për prindërit e dashur, është i përpiktë në detyrë. Mirëpo tani që po i ndodhte fatkeqësia, të afërmit mezi prisnin që të vdiste. Dhe i gjithë ky tmerr përshkruhet me një tonalitet të qetë, fatkeqësia pritet si fat i pashmangshëm, duke bërë përpjekje për t’u përshtatur me metamorfozën dhe për të mbijetuar, por më kot, rrugëdalja e vetme nga gjendja është vdekja. Alegoria kafkiane është mbresëlënëse.
Motiv të ngjashëm gjejmë të trajtuar dhe në romanin “Kështjella”. K. nuk ka se ku banon. Për të marrë tokë në Fshat, duhet marrë leje në Kështjellë. K. qëndron në pritje të hyrjes në Kështjellë për të marrë lejen. Pritja zgjat pa fund. Kur i erdhi lajmi se leja u pranua, K. kishte vdekur. E dinë se kush është, por askush nuk interesohet për rregullimin e tij në Fshat. E takojnë, i flasin për hallet, i kujtojnë dhe ndonjë arritje, por në të kaluarën. Kurse ai ua dëgjon me durim çmenduritë që ua bëjnë të ditur. Aty edhe spikat shqetësimi i pandashëm i Kafkës për fatin e njeriut të vogël, tjetërsimi është pjellë e shoqërisë së pashpirt.
Kritika ka vënë në dukje këtë të veçantë në emërtimin e personazheve kryesore: në romanin “Amerika” quhet Karl Rosman, në romanin “Procesi” quhet Jozef K., kurse në romanin “Kështjella” thjesht K. Germën K Kafka e ka përdorur si pseudonim kur botoi disa nga tregimet që shkroi. Prapa këtij përdorimi të K, fshihet nënkuptimi i tipareve autobiografike në këto personazhe. Në të njëjtën kohë, vihet re se personazhet me K janë pa portret individual, pa sjellje individuale, pa karakter individual e pa status social të përcaktuar, janë konceptuar si figura universale. Kafka është marrë shumë me problemin e ruajtjes së pacenuar të individualitetit të njeriut përmes integrimit sa më të plotë të tij në shoqëri. Gjithkund ka theksuar se në shoqërinë ekzistuese kjo është e pamundur të arrihet. Falë këtij kuptimi të gjerë, vepra simbol e Kafkës konsiderohet si monument i tjetërsimit të njeriut nga shoqëria e ndërtuar keq.
Kritika me të drejtë vuri re kambanat e para të ekzistencializmit në krijimtarinë e Kafkës, kurse përfaqësuesit e ekzistencializmit nuk do të vononin që ta shpallnin atë pararendësin e tyre. Domethënë edhe bie një pupël, po ja që s’bie vërtet! Alber Kamy ka folur me superlativë për konceptimin prej Kafkës të idesë së absurdit dhe të tjetërsimit të përgjithshëm, si dhe të vetmisë universale të njeriut në të. Këmbënguljen e K. për të hyrë patjetër në Kështjellë dhe për ta marrë dokumentin e nevojshëm, Kamy e ka cilësuar si vendosmëri të tij për të depërtuar në botën ideale, por që nuk e arriti dot. Kurse Tomas Man pa në orvatjet e përsëritura të K për të hyrë në Kështjellë dhe për të krijuar lidhje me kështjellarët synimin për t’iu afruar Zotit, për ta siguruar me çdo kusht lëmoshën prej tij. Me fjalë të tjera endet e endet në ajrin argjendtë dhe secili rri e pret që me pëllëmbë ta zër. Por nuk arrin. Sigurisht që mund të thuhet, por e thëna mbetet vetëm version interpretimi i simbolikës së koklavitur që krijoi Franc Kafka.
Një revistë prestigjioze bëri një anketë me kërkesën që të shkruheshin dhjetë emra të shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX. Përzgjedhja qe e larmishme, por asnjëri prej të anketuarve nuk ngurroi që ta shënonte emrin e Franc Kafkës në listën me dhjetë më të mirët e shekullit… Emër që bie e bie sikur kërkon pëllumbin e vet as në qiell, as në tokë, po diçka në mes dhe është kaq i bardhë dhe kaq delikat, sa të vjen dhe shpirtin t’ia japësh, sigurisht edhe në një pështjellim të ri…
Tiranë, më 26.05.2023