Dëgjoj e lexoj – çdo ditë, prej më shumë se tre muajsh – pohime mahnitëse mbi mësymjen e Ukrainës. Turpi – si duam t’a quajmë? – heshtet; përgjegjësitë, davariten; tmerri, sheqeroset. Me që këta opinione vijnë edhe nga njerëz të zgjuar, pyes veten: a ka diçka që më rrëshqet? Lufta është një breshër që shkatërron mendimet. Ndofta po më ndodh edhe mua , e nuk po e marr vesh.
Ndonjë shëmbull të habisë sime. Carlo Rovelli, fizikant: “ Duhet të dalim nga kjo logjikë, simbas së cilës, duhet qëndruar në një anë apo në tjetrën”. Më falni, profesor, por kjo logjikë duket se është e përpiktë. Duhet të dënojmë agresorin e të mbështesim të mësyemin. Barazlargimi përballë tmerrit që shohim, është një formë përkoreje. Një gabim që e kemi kryer në shekullin e XX, dhe e kemi paguar shtrenjtë.
Ginevra Bompiani, botuese e shkrimtare: “Deri në vitin që shkoi merrnja si njësi matjeje Covidin, por ishte më e lehtë, sepse asnjë nuk kishte një qëndrim të arsyeshëm (…). Sot me luftën është ndryshe, sepse gjysma e Vëndit është kundër qeverisë mbi dërgimin e armëve” dhe “Draghit nuk i bëhet vonë”. Më falni, por ka një parlament që mbështet qëndrimin e qeverisë. Pastaj: nëse nuk ndihmojmë ukrainasit të qëndrojnë, duhet të dorëzohen, me pasojat e rastit. Shtypje për ata, rreziqe të rinj për neve.
Michele Santoro, gazetar televiziv: “Putini nuk është armiku i ynë më i keq, armiku më i përbindshëm është lufta”. Më fal i hijshmi koleg, por vërtetë nuk kuptoj. Kush e ka shpërthyer këtë luftë? Un? Juve? Puffi i madh? Këtë luftë të pakuptimtë – qytete të shkatërruara, civilë të vrarë, fëmijë të shpërngulur, rreziqe botërore – e ka dashur, përgatitur (duke e mohuar) dhe shpërthyer një njeri që quhet Vladimir Putin. Ai mund t’a pushonte: edhe sot. A duam t’a themi?
Zgjodha tre vetë, por mund të rrjeshtonja tridhjetë a treqind, edhe ndërmjet miqsh e të njohurish. A kanë një emërues të përbashkët? Ndoshta po, dhe është biografik. Kam përshtypjen se ata që, në rini kanë parë me siklet Amerikën e me shpresë komunizmin, kanë vështirësi të gjykojnë një regjim që thotë se frymëzohet nga Bashkimi Sovjetik. E dijnë që Putini është një tiran, sigurisht. Por joshja e pyllit të kuq i trazon mendimet.
“Corriere della Sera”, 5 qershor 2022 Përktheu Eugjen Merlika
Komentet