VOAL

VOAL

John Kasich – Nëna Tereza të jetë fytyra e 10 dollarëshit amerikan

September 17, 2015

Komentet

SHBA do të vendosë në Gjermani raketa me rreze të gjatë veprimi

VOA/Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, njoftuan të dy vendet gjatë një takimi të vendeve të NATO-s të martën. Ky është një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

Armët më të fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, përbëjnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Presidentin Vladimir Putin.

Deklarata amerikano-gjermane thotë se “dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjerë veprimi.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët në një komunikatë të publikuar të mërkurën.

Në komunikatën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në takimin e NATO-s në kryeqytetin amerikan, aleatët bënë të ditur synimin për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm.

Dokumenti gjithashtu shprehet me një gjuhë më të ashpër se në të kaluarën ndaj Kinës, duke e quajtur atë si “mundësuese e përpjekjeve” luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe se Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi kanë një rëndësi strategjike për aleancën dhe NATO-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tyre, thuhet në komunikatë.

“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe të luftojmë kundër ndikimit malinj, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe aleatët e tyre”, thuhet në komunikatë.

Dokumenti thekson rëndësinë e vlerave demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, thuhet në pikën për Ballkanin.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë të udhëhequra nga NATO”, thekson komunikata.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Konfirmoi të mërkurën se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë të tipit F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Holanda.

Gjatë një interviste të mërkurën për radion e rrjetit FOX NEWS, kandidati republikan për president, Donald Trump tha se nuk do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja ndërsa përsëriti thirrjet që vendet anëtare të shpenzonin më shumë për mbrojtjen.

“Unë thjesht dua që ata të paguajnë detyrimet e tyre. Ne po e mbrojmë Evropën dhe ata po përfitojnë nga kjo”, tha zoti Trump.

Në komunikatë i bëhet thirrje Kinës që të ndërpresë mbështetjen materiale dhe politike për përpjekjet luftarake të Rusisë, ndërsa shprehen shqetësime lidhur me aftësitë hapësinore të Kinës. Dokumenti foli për zgjerimin e shpejtë të arsenalit bërthamor kinez duke i kërkuar Pekinit që të angazhohej në bisedimet strategjike për uljen e rrezikut.

Kamala Harris, kandidatja më e mundshme për të zëvendësuar Presidentin Biden nëse tërhiqet nga gara

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden këmbëngul se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë që të tërhiqet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Por në rast se do të ndryshonte mendje, nënpresidentja Kamala Harris duket se është e pozicionuar mirë për ta zëvendësuar atë.

Zonja Harris do të kishte avantazh krahasuar me emrat e tjerë të përmendur si alternativa të mundshme nga radhët e demokratëve, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsome dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer. Ajo është sprovuar tashmë si kandidaturë e suksesshme së bashku me Presidentin Biden, ka siguruar mbështetje prej vitesh në bazën demokrate dhe do të mund të trashëgonte menaxhimin e fondeve të mëdha nga kontributet e mbledhura nga fushata për rizgjedhjen e Presidentit Biden.

Kandidatja që do të mbështetej më natyrshëm nga Presidenti Biden

Presidenti Biden fitoi me lehtësi zgjedhjet paraprake për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate dhe rregullat e kësaj partie nuk lejojnë që delegatët e zgjedhur për të mbështetur kandidaturën e tij, t’i kalohen një kandidati tjetër gjatë kuvendit të Partisë Demokrate muajin e ardhshëm. Por tashmë një numër delegatësh kanë deklaruar se do ta mbështesnin kandidimin e zonjës Harris.

Nëse Presidenti Biden do të përzgjidhte zonjën Harris, kjo do kufizonte kaosin e mundshëm dhe do të shmangte përplasjet në sallën e kuvendit, që mund të shkaktonin dëm afatgjatë për cilindo që do të merrte emërimin si kandidaturë zyrtare e Partisë Demokrate për t’u përballur me ish-Presidentin republikan Donald Trump.

“Do të kishte më shumë kuptim që Harris ta vazhdonte trashëgiminë e Biden-it”, tha Andrew Feldman, ekspert demokrat që punon nga afër me degët e partisë nëpër shtetet amerikane. Ai theksoi se çështja është thjesht hipotetike, pasi presidenti Biden këmbëngul se nuk do të tërhiqet.

Zoti Feldman shtoi se axhenda e administratës së Presidentit Biden “ka qenë shumë popullore për sa i përket çështjeve që ata kanë mbrojtur” dhe se presidenti dhe nënpresidentja Harris “e kanë bërë këtë në partneritet”.

Antjuan Seawright, një ekspert demokrat nga Karolina e Jugut, vuri në dukje se votuesit katër vite më parë caktuan 78-vjeçarin Biden në Zyrën Ovale, duke e ditur se zonja Harris do ta kishte radhën pas tij dhe se zoti Biden i shmangu rivalët gjatë zgjedhjeve paraprake këtë vit në moshën 81-vjeçare, ndërsa demokratët e dinin se zonja Harris do të vazhdonte e dyta për nga hierarkia.

“Demokratët kanë votuar për Joe Biden-in me Kamala Harris-in”, tha zoti Seawright.

Kundërshtitë ndaj kandidimit të zonjës Harris si një alternativë në vend të Presidentit Biden

Zonja Harris është gruaja e parë që shërbeu si nënpresidente, si dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore. Afrikano-amerikanët janë blloku më i madh dhe më besnik ndër mbështetësit e demokratëve.

Anashkalimi i një zëvendëseje historike në favor të kujtdo kandidature tjetër – qoftë edhe një alternativë popullore nga një shtet kyç – do të ishte tashmë e vështirë. Për shkak të imazhit të zonjës Harris si kryesuese e përpjekjeve për të thyer barrierat gjinore dhe racore, mund t’i lërë përgjithmonë sfidantit të saj imazhin e një personi jo besnik në zgjedhjet e ardhshme brenda Partisë Demokrate.

Glynda Carr, e cila drejton komitetin e veprimit politik “Higher Heights”, që mbështet kandidatet afrikano-amerikane në të gjithë vendin, tha se sugjerimet publike se zonja Harris mund të anashkalohej për një tjetër zyrtar të lartë demokrat, në mungesë të Presidentit Biden, tregojnë se “sa shumë shpesh anashkalohen gratë afrikano-amerikane”.

“Ju dëshironi që gratë afrikano-amerikane të organizojnë shtëpitë tona, lagjet tona, kishat tona, familjet tona?” pyeti zonja Carr. “Atëherë ne duhet ta mbështesim udhëheqjen tonë”.

Ligjvënësja demokrate Jasmine Crockett theksoi rëndësinë e asaj se çfarë do të thotë për gratë afrikano-amerikane që ta shohin zonjën Harris në detyra drejtuese në nivel kombëtar.

Demokratët me ambicie për poste në nivel kombëtar, mund të mos duan një fushatë të nxituar

Që nga paraqitja e dobët e Presidentit Biden në debat, demokratët kanë përmendur një varg emrash kryesorë alternativë që mund të kandidojnë në vend të presidentit. Përveç emrave të zonjës Whitmer dhe zotit Newsom, janë përmendur edhe guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe guvernatori i Illinoit, J. B. Pritzker. Të gjithë këta zyrtarë kanë thënë se do të vazhdojnë ta mbështesin Presidentin Biden.

Por në dhjetëra intervista, ekspertë demokratë, anketues dhe zyrtarë të zgjedhur raportojnë se nuk kanë hasur atë lloj niveli mbështetje politike për dikë tjetër në kuvendin demokrat, si për zonjën Harris, gjë që do të ishte e nevojshme nëse Presidenti Biden do të tërhiqej nga gara. Çdo diskutim i tillë ka ndodhur pa zhurmë dhe me siguri që do të shfaqej në publik nëse Presidenti Biden do të largohej nga gara.

Juristi Barry Goodman, i cili ka drejtuar operacionet për mbledhjen e fondeve për të dyja fushatat zgjedhore të zonjës Whitmer, tha se nuk kishte dijeni për ndonjë përpjekje të koordinuar nga ana e guvernatores për të siguruar mbështetje për kandidaturën e saj.

Zonja Harris do të ketë fonde që në fillim

Një tjetër faktor që do të ndihmonte në zbutjen e një kalimi nga zoti Biden tek zonja Harris, janë financat e fushatës. Nënpresidentja, duke qenë bashkë-kandidate zyrtare me Presidentin Biden, mund të ketë qasje në fondet prej 91 milionë dollarësh që janë mbledhur gjatë fushatës elektorale – fonde që arrijnë në 240 milionë dollarë nëse përfshihen edhe fondet e mbledhura nga organizatat aleate demokrate.

Nga ana e tij, ish-Presidenti Trump tashmë po përpiqet të mobilizojë donatorët me idenë se demokratët mund ta shkëmbejnë kandidaturën e Presidentit Biden me nënpresidenten Harris. Ish-presidenti dërgoi email-e për mbledhjen e fondeve të hënën me titullin “Largimi i Biden-it” dhe “Presidentja Kamala Harris?”

Eksperienca si juriste mund të ketë peshë më shumë se më parë

Në moshën 59-vjeçare, nënpresidentja është 22 vite më e re se Presidenti Biden. Me përvojën e ish-prokurores, ajo mund të bëjë një paraqitje të fortë në debate – siç u përball me zotin Biden gjatë zgjedhjeve paraprake brenda bllokut demokrat në vitin 2020, kur zonja Harris e kritikoi për kundërshtimin e tij të dikurshëm ndaj përdorimit të autobusëve të shkollave si një mjet kundër ndarjeve racore.

Përvoja e saj juridike gjithashtu mund të jetë më pranë idealeve të Partisë Demokrate të tanishme, e cila është zhvendosur kryesisht drejt qendrës për sa i përket drejtësisë penale dhe mesazheve për rendin dhe ligjin në vitet e fundit, pasi protestat mbarëkombëtare kundër padrejtësisë racore në vitin 2020 ndihmuan në mobilizimin për lëvizjen për shkurtimin e fondeve për policinë.

Presidenti Biden është përballur me një rënie të ndjeshme të mbështetjes nga radhët e afrikano-amerikanëve, një tendencë që zonja Harris do të shpresonte ta ndryshonte përpara nëntorit. Megjithatë, Presidenti Biden është përballur prej kohësh me nivele të ulëta të mbështetjes në përgjithësi në radhët e afrikano-amerikanëve dhe nënpresidentja gjithashtu nuk rezulton të gëzojë mbështetje më të mirë.

Rreth 39% e amerikanëve në moshë madhore kanë një opinion të favorshëm për nënpresidenten, çka është në përputhje me mbështetjen prej 40% për Presidentin Biden. Por një anketim i Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, AP-NORC, i kryer në qershor, gjeti se më pak persona kanë një pikëpamje të pafavorshme për zonjën Harris, 49% krahasuar me 57% për Presidentin Biden.

Zonja Harris gëzon një mbështetje prej 62% nga radhët e afrikano-amerikanëve, krahasuar me 37% nga amerikanët hispanikë dhe 35% nga amerikanët e bardhë. Të gjitha këto shifra janë të ngjashme me ato për Presidentin Biden, megjithëse mund të ketë më shumë mundësi që ajo ta ndryshojë opinionin. Gati 12% e amerikanëve thanë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth zonjës Harris për të dhënë një opinion, ndërsa pothuajse të gjithë të pyeturit kanë formuar një opinion për Presidentin Biden.

Shtëpia e Bardhë mohon se Biden ka probleme me shëndetin

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë dyshimet në lidhje me shëndetin mendor të presidentit Joe Biden.

Sekretarja për media, Karine Jean-Pierre, mohoi se Biden po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit, e cila mund të shkaktojë lëvizje të ngurta dhe të folur të paqartë.

“A është trajtuar presidenti për Parkinson? Jo. A po trajtohet për Parkinson? Jo”, tha ajo në një konferencë me gazetarët.

Jean-Pierre po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një raport në gazetën New York Times, se një ekspert për sëmundjen e Parkinsonit ka vizituar Shtëpinë e Bardhë tetë herë që nga viti i kaluar.

Një letër që lëshoi të hënën vonë mjeku i Bidenit, sqaroi se specialisti në fjalë, Kevin Cannard, ka qenë konsulent neurologjie në Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2012 dhe se ai i ndihmon “mijëra anëtarë aktivë që punojnë në mbështetje të operacioneve të Shtëpisë së Bardhë”.

Mjeku i presidentit, Kevin O’Connor, tha gjithashtu se Biden nuk ka vizituar ndonjë neurolog jashtë kontrollit të tij vjetor.

Biden, 81 vjeç, demokrat, do të garojë për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Pyetjet në lidhje me shëndetin e tij mendor janë intensifikuar që nga performanca e dobët e tij në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, më 27 qershor.

Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.

Biden e ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë, por ka thënë se rizgjedhja e Trumpit “do ta shkatërronte demokracinë”. REL

Biden kërkon mbështetjen e demokratëve në Kongres

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden u dërgoi sot një letër ligjvenësve demokratë ku thekson se “është plotësisht i vendosur” për të qëndruar në garën presidenciale, mes shqetësimeve të ngritura publikisht dhe privatisht se demokratët mund të humbasin Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin në nëntor.

Një pjesë e vogël ligjvenësish demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje publike zotit Biden të tërhiqet nga gara. Por 81 vjeçari ka qenë në pozita mbrojtëse që prej paraqitjes së tij të dobët gjatë debatit presidencial të 27 qershorit kundër republikanit Donald Trump.

Në letrën drejtuar demokratëve në Kongres, zoti Biden shprehet se ai është në dijeni të shqetësimeve të tyre, por shton se tani është koha për të forcuar radhët.

“Ne kemi një detyrë dhe kjo është të mundim Donald Trump-in”, shkruan presidenti.

“Edhe 42 ditë na ndajnë nga Konventa Demokrate dhe 119 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme”, vazhdonte ai më tej.

“Çdo dobësim i vendosmërisë, ose mungesa e qartësisë rreth detyrave që kemi përpara ndihmon Trumpin dhe na dëmton ne. Është koha për t’u bashkuar dhe për të ecur përpara si një parti e bashkuar dhe për ta mposhtur Donald Trump-in”

Por edhe një seri aktivitetesh publike të presidentit pas debatit nuk i kanë dhënë fund pikëpyetjeve të demokratëve nëse ai mund të fitojë, apo nëse mund ta përballojë një mandat tjetër katër vjeçar në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Të njëjtin qëndrim zoti Biden mbajti edhe gjatë një interviste telefonike po sot për rrjetin televiziv MSNBC, ku këmbënguli se “demokratët e thjeshtë” duan që ai të qëndrojë në garë.

Zoti Biden tha se ishte i irrituar me thirrjet e zyrtarëve të partisë që ai të largohej.

“Ata janë emra me peshë, por nuk më intereson se çfarë mendojnë ata”, tha zoti Biden.

“Nuk do të largohem”, shtoi ai më tej.

Demokratët po përballen me një betejë të vështirë për të ruajtur shumicën e ngushtë, 51 me 49, ndaj republikanëve në Senat.

Disa në parti shohin rimarrjen e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve si shansin e tyre më të mirë të siguruar një balancë të pushtetit, nëse zoti Trump do të rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarë të administratës thanë se zoti Biden do të vazhdojë të takohet me votuesit në ditët në vijim.

Në të njëjtën kohë ai planifikon të kontaktojë edhe ligjvënësit që i njeh prej dekadash, mes përpjekjesh për të qetësuar shqetësimet mbi shanset e tij për të fituar në nëntor.

Biden thotë se “vetëm Zoti” mund ta bindë të heqë dorë nga gara presidenciale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se vetëm “Zoti i plotfuqishëm” mund ta bindë atë të heqë dorë nga përpjekja për t’u rizgjedhur.

Biden i bëri këto komente të premten në një intervistë për ABC News, në përpjekje për t’ua larguar dyshimet dhe shqetësimet demokratëve rreth garimit të tij në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ai përsëri e cilësoi si “një episod të keq” paraqitjen e tij të dobët në debatin presidencial kundër rivalit të tij republikan, Donald Trump, më 27 qershor në CNN.

“Nuk ka tregues për ndonjë sëmundje serioze. Isha i dërrmuar. Nuk ua vura veshin instinkteve të mia në lidhje përgatitjet… ishte një natë e keqe”, tha Biden, 81 vjeç.

“E kisha thjesht një natë të keqe. Nuk e di përse”, shtoi Biden.

Biden u pyet butësisht por vazhdimisht nga moderatori George Stephanopoulos nëse ishte real në besimin e tij se mund t’ia dalë ta mposhtë Trumpin, duke i parë sondazhet mes tyre dhe rritjen e shqetësimeve nga demokratët.

“Mendoj se askush tjetër nuk është më i kualifikuar”, theksoi Biden.

Sondazhet, sipas tij, nuk janë të sakta.

I pyetur nëse do të hiqte dorë nëse ndonjë nga demokratët në Kongres thotë ai po i dëmtonte shanset për t’u rizgjedhur në nëntor, Biden theksoi: “Nëse Zoti i plotfuqishëm vjen dhe ma kërkon këtë, atëherë mund ta bëj”.

Presidenti iu përgjigj pyetjeve më qartë se sa në debatin kundër Trumpit javën e kaluar, por zëri i tij përsëri dukej i dobët dhe herë pas here i ngjirur.

Në fillim të kësaj jave, një sondazh gjeti se një në tre demokratë mendon se Biden duhet t’i japë fund garës së tij për rizgjedhje, pas debatit të javës së kaluar me kundërkandidatin republikan Donald Trump.

Sondazhi dyditor që u mbyll të martën, zbuloi se Trump, 78 vjeç, dhe Biden, 81 vjeç, ruajnë mbështetjen e 40% të votuesve të regjistruar.

Rreth 32% e demokratëve në sondazh kanë thënë se Biden duhet të heqë dorë nga gara për rizgjedhje pas debatit të 27 qershorit.

Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë pretendime të rreme.

Vetë Biden ka pranuar se nuk ka pasur paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin, por ka thënë se rizgjedhja e tij “do ta shkatërronte demokracinë”.

Biden nuk tërhiqet: Askush nuk është më i kualifikuar për të fituar zgjedhjet

“Askush nuk është më i kualifikuar se unë” për të qenë president ose për të fituar këto zgjedhje, tha Joe Biden gjatë një interviste për ABC News.

Performanca zhgënjyese e 81-vjeçarit Biden në debatin me rivalin e tij republikan 78-vjeçar më 27 qershor ka bërë që disa demokratë të ngrenë çështjen e tërheqjes së kandidaturës së tij. Tashmë katër kongresmenë demokratë i kanë kërkuar Joe Biden që të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Biden pranoi për të disatën herë se paraqitja e tij në telekonferencën e mëparshme me Donald Trump nuk i përmbushi pritjet, por theksoi se ishte një incident i izoluar për shkak të të ftohtit që po e shqetësonte.

Xhorxh Stefanopulos, gazetari me origjinë greke ngriti edhe çështjen e testit kognitiv që Donald Trump e ka kërkuar vazhdimisht, duke e pyetur presidentin Biden nëse do të ishte gati t’i nënshtrohej një vlerësimi të tillë. Presidenti amerikan u përgjigj se ushtrimi i detyrave të tij është i barabartë me një test kognitiv të cilit ai i nënshtrohet çdo ditë.

(BalkanWeb)

Joe Biden kritikon vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial

Presidenti Joe Biden duke folur në Shtëpisë së Bardhë lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë. Uashington, 1 korrik 2024.

 

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti Joe Biden kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë mbi imunitetin presidencial, që u pa si një fitore për kundërshtarin e tij, ish Presidentin Donald Trump, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm në dëm të popullit amerikan.

Përmes deklaratave të qeta dhe të matura të dhëna nga Shtëpia e Bardhë zoti Biden tha se vendimi nënkupton se ka pak të ngjarë që zoti Trump të dalë në gjyq përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Në vendimin e së hënës, Gjykata e Lartë u shpreh se ish-presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet e tyre zyrtare, si dhe asnjë lloj imuniteti për veprimet jozyrtare, një vendim që njeh për herë të parë një lloj imuniteti presidencial nga hetimi.

Presidenti Joe Biden duke folur në Shtëpisë së Bardhë, Uashington, 1 korrik 2024.

Presidenti Joe Biden duke folur në Shtëpisë së Bardhë, Uashington, 1 korrik 2024.

“Ky komb u themelua mbi parimin se nuk ka mbretër në Amerikë. Askush nuk është mbi ligjin, as Presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Biden. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, tha ai “kjo ka ndryshuar rrënjësisht”.

Ai shtoi se “unë do të respektoj kufijtë e pushtetit presidencial, siç kam bërë për tre vjet e gjysmë, por çdo president, përfshirë Donald Trumpin, tani do të jetë i lirë të injorojë ligjin”.

Presidenti Biden po kandidon për një mandat tjetër përballë kundërshtarit Donald Trump dhe ka qenë kritik ndaj veprimeve të rivalit të tij në lidhje me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit nga mbështetësit e zotit Trump.

“Tani, njeriu që dërgoi njerëzit në Kapitol po përballet me mundësinë për t‘u dënuar penalisht për atë që ndodhi atë ditë. Populli amerikan meriton të ketë një përgjigje nga gjykatat përpara zgjedhjeve të ardhshme”, tha zoti Biden duke iu referuar zotit Trump.

Këto ishin deklaratat e tij të para në Shtëpinë e Bardhë pas debatit të parë presidencial me zotin Trump, ku paraqitja e tij, e cila u cilësua si e dobët, nxiti thirrjet që ai të tërhiqej nga gara.

Demokratët përjashtojnë mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Biden pas thirrjeve për tërheqje nga gara

VOA/Marrë nga Reuters

Udhëheqës të lartë demokratë përjashtuan të dielën mundësinë e zëvendësimit të Presidentit Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë, pas një paraqitjeje të dobët në debat, ndërsa u bënë thirrje anëtarëve demokratë që të përqendrohen në pasojat që do të kishte fitorja e presidencës nga republikani Donald Trump.

Pas shkëmbimit të akuzave disa ditore lidhur me paraqitjen e zotit Biden dhe rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, udhëheqësit demokratë kundërshtuan me vendosmëri thirrjet që partia e tyre të përzgjidhte një kandidat më të ri për të konkurruar në garën presidenciale.

Presidenti 81-vjeçar, Joe Biden, e kaloi të dielën në vendpushimin presidencial “Camp David” me pjesëtarë të familjes, ku e ardhmja e tij politike mund të ketë qënë një nga temat e bisedimeve.

Ndërsa vazhdojnë thirrjet që zoti Biden të tërhiqet nga gara, një anketë pas debatit, nga rrjeti televiziv CBS, tregon një rritje nga 36% në muajin shkurt në 46% tani të demokratëve që besojnë se zoti Biden nuk duhet të kandidojë për president.

“Fatkeqësisht, e vërteta është se Biden duhet të tërhiqet nga gara, për të mirën e vendit, të cilit i ka shërbyer në mënyrë kaq të admirueshme për gjysmë shekulli”, shkruante të dielën në editorialin e saj gazeta “Atlanta Journal-Constitution”, duke theksuar si të nevojshme daljen e tij në pension.

“Absolutisht jo”, tha Senatori Raphael Warnok i Xhorxhias, i cili shihet si një nga demokratët e mundshëm për të zëvendësuar zotin Biden.

“Debate të dobëta ndodhin”, tha ai në emisionin televiziv “Meet the Press” të rrjetit NBC. “Pyetja qëndron se kur ka punuar Donald Trump-i për të tjerët, përveç vetes dhe njerëzve si ai? Unë jam me Joe Biden-in dhe është detyra jonë të sigurohemi që ai të fitojë në nëntor”.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, i cili mund të bëhet kryetar vitin e ardhshëm nëse partia e tij siguron shumicën në nëntor, e pranoi paraqitjen e dobët të Presidentit Biden në debatin e parë me kandidatin republikan Donald Trump.

“Besoj se një pengesë nuk është asgjë më shumë se një shtysë për një rikthim të fuqishëm”, tha ai për rrjetin MSNBC. “Pra, momenti në të cilin jemi tani është një moment rikthimi dhe do të kërkojë mbështetjen tonë, të artikulojmë një mesazh largpamës se pse platforma demokrate është e pajisur më së miri për t’i trajtuar sfidat me të cilat përballet populli amerikan”.

Një tjetër figurë e lartë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, James Clyburn, pajtohet. “Ai duhet të qëndrojë në këtë garë dhe duhet ta demonstrojë këtë përmes aftësive të tij për ta udhëhequr vendin”, tha ai për rrjetin CNN.

Republikanët i kritikuan ashpër pretendimet e demokratëve se paraqitja e dobët është diçka që ndodh.

“Ideja se Biden-i kishte një natë të keqe, nuk përbën thelbin. Ai ka patur një presidencë problematike dhe një debat katastrofik”, tha për rrjetin CNN Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut.

Por gjatë debatit presidencial, kandidati Trump lëshoi një breshëri kritikash, shumë prej të cilave, të pavërteta të përsëritura prej shumë kohësh, mes tyre pretendimet për një valë krimesh nga emigrantët, se demokratët mbështesin vrasjen e bebeve të sapolindura dhe se ai në fakt i fitoi zgjedhjet e vitit 2020.

Nobelisti Paul Krugman në New York Times: Presidenti Biden duhet të tërhiqet nga gara

 

Thirrjet që Biden të tërhiqet janë shtuar.

Edhe ata që e admirojnë Presidentin Biden po i bëjnë thirrje me ngurrim që ai të largohet nga gara.

“Presidenti më i mirë i jetës sime të rritur duhet të tërhiqet,” është titulli në një artikull të New York Times nga kolumnisti fitues i çmimit Nobel, Paul Krugman.

“Ndoshta disa besnikë të Bidenit do ta konsiderojnë këtë një tradhti, duke pasur parasysh se sa shumë i kam mbështetur politikat e tij,” shkruan Krugman, “por kam frikë se duhet ta njohim realitetin.”

Më tej në opinionin e tij botuar tek The NYT Krugman shton se ai ëstë bashkuar me korin që i kërkojnë Presidentit Biden në mënyrë vullnetare të largohet nga gara.

Shëndeti i Bidenit shqetëson donatorët demokratë- Shqyrtohen mënyrat e largimit të tij nga gara

Donatorët e Partisë Demokratike të SHBA-së po shqyrtojnë mënyrat se si mund të largojnë Joe Biden nga gara presidenciale kundër vullnetit të tij dhe të zëvendësohet me një kandidat më të fortë, raportoi të dielën The New York Times.

Diskutimet pasojnë performancën e dobët të Bidenit në debatin e së enjtes me Donald Trump. Një sondazh i kryer nga CNN zbuloi se 67% e votuesve të regjistruar që ndoqën përplasjen televizive në Atlanta, mendonin se Trump kishte fituar.

New York Times shkroi se po zhvilloheshin diskutime me këshilltarët politikë mbi “rregullat e fshehta” që mund të lejojnë që Biden të përjashtohet nga votimi i vitit 2024 përpara Konventës Kombëtare Demokratike, të planifikuar për në gusht.

Një donator nga Silicon Valley, i cili kishte planifikuar të organizonte një mbledhje fondesh me Biden më vonë këtë verë, thuhet se e ka anuluar ngjarjen dhe një sponsor i madh nga Kalifornia u shpreh se debati ishte një “katastrofë e plotë” për Presidentin aktual.


Demokratë të tjerë të pasur thuhet se kanë shprehur shpresën se Biden “do të kuptojë situatën dhe do të vendosë të largohet vetë”. Ideja për të kontaktuar zonjën e parë Jill Biden është gjithashtu duke u shqyrtuar, thanë burimet.

NBC News më herët citoi burime të thoshin se i vetmi person që mund të ndikojë në vendimin e Biden është gruaja e tij. Çifti thuhet se do t’i bashkohet fëmijëve dhe nipërve të tyre të dielën në Camp David, ku Biden priste të “vendoste nëse do të vijojë me garën apo do ta përfundojë herët fushatën e tij”. bw

Në ç’kushte mund të ndodhte zëvendësimi i presidentit Biden si kandidat

Nga konventat e mëparshme të Partisë Demokrate

 

VOA

Paraqitja e presidentit Joe Biden në debatin e së enjtes, e përshkruar si jo e njëtrajtshme, me pauza dhe e shkëputur, i ka lënë të shqetësuar edhe mbështetësit të tij më të fortë dhe ka ngritur çështjen e zëvendësimit të tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.

Megjithëse disa ligjvënës demokratë janë bashkuar në mbështetje të presidentit, duke thënë se një paraqitje e dobët nuk nënkupton fundin e kandidimit, është sidoqoftë teknikisht e mundshme që presidenti të zëvendësohet si kandidat i demokratëve. Por, do të duhej të ndodhnin disa gjëra për të mundësuar një tranzicion pa probleme.

Edhe në ato rrethana, gjetja e një kandidati të ri do të ishte për partinë një proces i vështirë, në rastin më të mirë.

Së pari, presidenti Biden duhet të tërhiqet me vullnetin e tij. Ai nuk ka treguar shenja për këtë.

Më herët këtë vit, çdo shtet amerikan mbajti zgjedhjet paraprake. Sipas rregullave të Partisë Demokrate, në sistemin e tanishëm për votimin paraprak, delegatët që ka fituar presidenti Biden kanë detyrimin të votojnë për të.

Nëse presidenti Biden do të zgjidhte që të tërhiqej, delegatët do të ishin atëherë të lirë të votonin për kë të dëshironin gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, të planifikuar të mbahet në 19 gusht në Çikago, e cila do të shndërrohej kështu në një konventë të hapur.

Logoja e Konventës Kombëtare Demokrate për zgjedhjet e vitit 2024

Logoja e Konventës Kombëtare Demokrate për zgjedhjet e vitit 2024

Në këtë pikë procesi do të vështirësohej. Përpara se të vendosej sistemi i zgjedhjeve paraprake, konventat ishin të hapura dhe delegatët vinin të merrnin pjesë përgjithësisht të paangazhuar ndaj një kandidati të caktuar. Ata takoheshin me delegacione të kandidatëve të ndryshëm dhe negocionin për të arritur marrëveshje me ta.

Me një konventë të tillë do të përballeshin demokratët në gusht, me disa kandidatë që do të kërkonin mbështetjen e delegatëve dhe me disa raunde votimesh për të zgjedhur kandidatin. Kjo do të sillte ndoshta një konventë të zgjatur, që do të vazhdonte për më shumë ditë.

Kjo gjithashtu do t’i vendoste demokratët nën trysninë e afateve për të siguruar regjistrimin e kandidatit të tyre të ri në zgjedhjet në të 50 shtetet amerikane.

Komitetit Kombëtar Demokrat iu desh të organizonte një takim virtual për të regjistruar përpara konventës praninë e delegatëve që do të propozonin zotin Biden. Kjo për shkak se një ligj në shtetin Ohajo kërkon që kandidati i emëruar të jetë përzgjedhur përpara datës 7 gusht, pra dy javë përpara konventës së demokratëve, në mënyrë që të kualifikohet për të figuruar në fletëvotimet në këtë shtet.

Një propozim për të shtyrë afatin në Ohajo, me qëllim lehtësimin e procedurës për demokratët, u refuzua nga legjislatura e këtij shteti me shumicë republikane.

Biden pranon mangësitë gjatë debatit, por deklaron se do të mbrojë demokracinë

Presidenti Biden duke folur gjatë aktivitetit elektoral në Karolinën e Veriut (28 qershor 2024)

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden u përpoq fuqishëm të premten për të qetësuar shqetësimet në radhët e demokratëve për paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin Donald Trump. Ndërkohë zyrtarët e zgjedhur të partisë u bashkuan përreth tij, në përpjekje për të ndalur idetë për zëvendësimin e tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të debatit, ushqyen frikën në radhët e vetë anëtarëve të partisë së tij, se në moshën 81-vjeçare, ai nuk është në nivelin e duhur për detyrën e drejtimit të vendit për katër vite të tjera. Kjo krijoi një moment krize për fushatën e tij elektorale dhe për presidencën e tij, ndërsa anëtarë të partisë së tij filluan të kontaktojnë zëvendësuesit e mundshëm, si dhe donatorët dhe mbështetësit që nuk mund ta përmbanin më shqetësimin për paraqitjen e tij të dobët përballë ish-presidentit Trump.

Presidenti Biden duket se i pranoi kritikat gjatë një tubimi në Raleigh, të Karolinës së Veriut, duke thënë se “nuk debatoj më aq mirë si dikur”. Por, ai shtoi se “e di si ta bëj këtë punë. Di si t’i realizoj gjërat”. Në një fjalim prej 18 minutash, presidenti Biden dukej shumë më i gjallëruar krahasuar me paraqitjen e një nate më parë dhe kritikoi ashpër ish-presidentin Trump për “gënjeshtrat” e tij dhe për fushatën e tij që synon “hakmarrje dhe shpagim”, siç u shpreh presidenti Biden.

“Zgjedhja në këto zgjedhje është e thjeshtë”, tha presidenti Biden. “Donald Trump-i do ta shkatërrojë demokracinë tonë. Unë do ta mbroj”.

Ai shtoi, duke aluduar për kandidimin e tij: “Kur të rrëzojnë, duhet të ngrihesh sërish”.

Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden duke përshëndetur pjesëmarrësit në tubimin në Karolinën e Veriut (28 qershor 2024)

Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden duke përshëndetur pjesëmarrësit në tubimin në Karolinën e Veriut (28 qershor 2024)

Që përpara debatit, mosha e presidentit Biden kishte qenë një pikë e dobët për votuesit dhe paraqitja në përballjen e së enjtes në mbrëmje duket se përforcoi shqetësimet e thella të publikut. E gjithë kjo ndodhi përpara audiencës më të madhe që ai ndoshta do të mundet të ketë deri në ditën e zgjedhjeve.

Në prapaskenë, zyrtarët e fushatës së tij elektorale kaluan orë të tëra duke punuar për të qetësuar shqetësimet dhe për të ruajtur mbështetjen e donatorëve dhe të zyrtarëve. Ligjvënësit demokratë pranuan të premten paraqitjen e dobët të presidentit Biden, por u përpoqën të ndalnin idetë për zëvendësimin e tij si kandidati kryesor për president. Ata u përpoqën ta zhvendosin vëmendjen tek sulmet dhe deklaratat e ish-presidentit Trump, që ata shpresojnë se do t’iu rikujtojnë votuesve turbullirat e përditshme gjatë presidencës së tij.

“Presidenti nuk pati vërtet një mbrëmje të mirë, por po kështu ishte edhe për Donald Trump-in, me gënjeshtra pas gënjeshtrave dhe vizionin e tij të errët për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press të premten, pak orë pasi do të prezantonte presidentin Biden në Raleigh. “Nuk mund ta çojmë sërish Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Ai është një rrezik ekzistencial për vendin tonë”.

Njerëzit duke pritur presidentin në Raleigh, Karolina e Veriut (28 qershor 2024)

Njerëzit duke pritur presidentin në Raleigh, Karolina e Veriut (28 qershor 2024)

Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries u përgjigj me një “jo” të prerë, kur u pyet të premten nëse presidenti Biden duhej të tërhiqej. Por, ai shtoi se do të ndiqte me interes se si presidenti do ta trajtonte në tubimin e së premtes paraqitjen e tij gjatë debatit.

“Pres me padurim të dëgjoj nga presidenti Biden”, tha ai. “Dhe derisa të artikulojë një vizion të tijin për Amerikën, do t’i rezervoj komentet rreth çdo gjëje që lidhet me momentin ku gjendemi tani. Mund të them vetëm se mbështes kandidaturën e tij”.

Ligjvënësi demokrat Ritchie Torres tha se “që nga paraqitja e djeshme, më është dashur të marr më shumë qetësues se zakonisht”.

“Njerëzit më kanë pyetur nëse ndihem mirë me debatin. Duhet ta dini se një presidencë e Donald Trump-it do më trazonte shumë më tepër se paraqitja në debat e Joe Biden-it”.

Ekipi elektoral i presidentit Biden e përshkroi tubimin në Raleigh, si më të madhin të mbajtur deri më tani, në shtetin ku ish-presidenti Trump fitoi me një diferencë të ngushtë në vitin 2020. Në vazhdim, presidenti Biden do të udhëtojë drejt Nju Jorkut për një fundjavë aktivitetesh me donatorë të mëdhenj, për të cilët fushata e tij ka nevojë më shumë se ndonjëherë më parë në përpjekjet për t’ia kaluar ish-presidentit Trump.

Sipas rregullave të tanishme të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, zëvendësimi i presidentit Biden si kandidati zyrtar i partisë, pa dëshirën e tij, ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë për të ndryshuar rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht.


Send this to a friend