Botimi i librit Lidershipi i John F. Kennedy-it në gjuhën shqipe erdhi si një homazh në 100 – vjetorin e lindjes së presidentit më karizmatik të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe natyrshëm lind pyetja, pse John Kennedy arrin të frymëzojë kaq shumë njerëz në mbarë botën, edhe sot, gjysmë shekulli pas vdekjes së tij?
Pse njerëzit vazhdojnë ta duan atë si asnjë president tjetër?
Pse për punën e tij, kishte miratueshmërinë më të madhe, që ka pasur ndonjëherë një president amerikan në detyrë?
Pse presidentët amerikanë dhe liderët në mbarë botën përpiqen t’i ngjasojnë, edhe tani kur ne po festojmë 100 – vjetorin e lindjes së tij? Dhe pyetjet vijojnë…
Unë nuk kam ndërmend t’u jap përgjigje gjithë këtyre pyetjeve me anë të kësaj parathënieje, pasi për këtë duhet të lexohet libri. Por ajo që me siguri mund t’ju them është fakti që, shoqëria njerëzore dhe ajo shqiptare në veçanti, kanë nevojë dhe po lëngojnë, për modele njerëzish të këtij kalibri, që me veprat e tyre ndryshuan botën. Ajo çka mungon në shoqërinë shqiptare është pikërisht aftësia për të sakrifikuar sadopak interesin vetjak për hir të një të mire më të madhe publike. Për të forcuar demokracinë, ne kemi nevojë për lider kurajoz, karakterialisht të fortë dhe të cilët udhëhiqen nga ideale fisnike.
Tipari më sublim i njerëzve të mëdhenj, thotë Stefan Cvjag, është aftësia e tyre për të sakrifikuar interesin vetjak për hir të një interesi më të madh publik. Pikërisht këtë tipar John F. Kennedy e personifikonte dhe e ktheu në një postulat, me anë të thirrjes “…Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju; pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj…”
Presidenti John Kennedy me vizionin e tij i drejtoi sytë e amerikanëve drejt yjeve, duke e dërguar njeriun në Hënë dhe njëkohësisht veten e tij në piedestalin ku qëndrojnë të mëdhenjtë e historisë botërore.
John Kennedy ishte një hero i luftës që dashuronte paqen dhe që bëri gjithçka për të. Ai me karakterin e tij të jashtëzakonshëm, çiltërsinë e natyrshme, oratorinë, që përfaqëson majën më të lartë të artikulimit politik, e ndryshoi politikën amerikane njëherë e përgjithmonë.
Ky libër na sjell të plotë figurën e presidentit John F. Kennedy në të gjitha përmasat e saj. Në këto faqe shpaloset me vërtetësi profili i një njeriu “idealist, por pa iluzione”, siç kishte dëshirë ta përshkruante veten.
Imazhi i John F. Kennedy-t jeton përjetësisht i ri në kujtesën tonë dhe vazhdon ende të frymëzojë udhëheqës dhe njerëz të thjeshtë, kudo në botë. Fjalët dhe vepra e tij jehojnë edhe sot, pas pesëdhjetë e katër vjetësh, dhe kështu do të vazhdojnë për shekuj me radhë.
Ajo çka ne presim nga ata që na udhëheqin është mbi të gjitha të jenë burim frymëzimi. Tek ky frymëzim pasqyrohet imazhi që do të donim të shikonim për veten dhe të ardhmen e vendit tonë. Një frymëzim që na jep forcë për të nxjerrë më të mirën nga vetja, me qëllim përmirësimin e të ardhmes sonë ditë pas dite.
John F. Kennedy ishte një idhtar i paqes në botë. Ai ishte ideatori dhe themeluesi i Trupave të Paqes, për nxitjen e paqes dhe miqësisë midis kombeve. Ai ishte njeriu që shmangu me mjeshtëri fillimin e një lufte të tretë botërore dhe të një katastrofë bërthamore për mbarë njerëzimin. JFK ishte ndër të parët që nënvizoi kalbësinë e sistemit komunist dhe parashikoi fundin e tij. Ai i hodhi mbi krye presidencës amerikane petkun mbretëror dhe ndryshoi njëherë e përgjithmonë mënyrën si qeveriset në Shtëpinë e Bardhë. Dhe njëherë e përgjithmonë, me konferencat e tij të famshme të shtypit, e ndryshoi mënyrën si komunikojnë me publikun presidentët amerikanë dhe politikanët në mbarë botën. Ai është i pari president amerikan që guxoi ta trajtonte dallimin racial si një çështje morale. Ai ishte nismëtar i disa prej arritjeve më madhështore të kombit të tij dhe të mbarë njerëzimit, siç ishte fluturimi i parë i njeriut në Hënë, dhënia fund diskriminimit të ligjëruar racial, si dhe Luftës së Ftohtë.
Të gjitha këto arritje bëhen akoma edhe më të jashtëzakonshme, po të kihen parasysh sëmundjet e rënda që e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. JFK ka qenë i sëmurë më tepër se cilido president tjetër.
Janë këto gjëra dhe shumë të tjera, që do të keni mundësi t’i prekni gjatë leximit të faqeve të këtij libri, ato që e bëjnë edhe sot frymëzues modelin politik të John F. Kennedy-t, pesëdhjetë e katër vjet pas vdekjes së tij. John F. Kennedy ishte njeri me karakter të jashtëzakonshëm dhe me kurajë të pamasë. Asnjë president tjetër amerikan nuk ka arritur të frymëzojë kaq shumë njerëz në mbarë botën si JFK.
Trashëgimia e modelit të tij politik është një pasuri e njerëzimit dhe u shërben gjithë njerëzve që synojnë të jenë pjesë e jetës publike. John Kennedy kërkonte që kombi i tij të “praktikonte atë që predikonte rreth barazisë së të drejtave dhe drejtësisë sociale.”. Ai dëshironte ta shkëpuste vendin e tij nga ideologjia e militarizimit dhe ëndërronte të kishte në gurin e varrit të vet epitafin me mbishkrimin “Ai e ruajti paqen.”.
Ne duhet të vazhdojmë t’i mbajmë gjallë këto ideale fisnike, në mënyrë që flaka e përjetshme që vazhdon të shkëlqejë në varrin e tij në Arlington, të mos shuhet kurrë.
Dëshiroj t’i mbyll këto pak rreshta me fjalët e të vëllait, Robert Francis Kennedy (RFK), të cilat përmbledhin edhe thelbin filozofiko-politik të veprimtarisë dhe trashëgimisë së Presidentit John F. Kennedy: “…Nëse ka diçka së cilës Presidenti Kennedy i qëndroi fort dhe që preku ndjenjat më të thella të të rinjve në mbarë botën, ishte besimi se idealizmi, synimet e mëdha dhe bindjet e thella nuk janë të papajtueshme me programet më praktike dhe eficente; se nuk ka mospërputhje thelbësore ndërmjet idealeve dhe mundësive reale, nuk ka ndasi ndërmjet dëshirave më të zjarrta të zemrës dhe mendjes, dhe zbatimit racional të përpjekjeve për problemet njerëzore. Është jorealiste ose kokëfortësi të zgjidhësh problemet dhe të ndërmarrësh veprime, pa pasur si busull drejtuese qëllimet dhe vlerat më të larta morale, megjithëse të gjithë njohim disa që pretendojnë të kundërtën. Në gjykimin tim, kjo është një marrëzi e madhe, pasi ajo injoron realitetin e shpresës, të pasionit njerëzor dhe forcën e besimit, që në fund të fundit janë shumë më të fuqishme se të gjitha llogaritjet e ekonomistëve apo të gjeneralëve tanë. Natyrisht, për t’u përshtatur me standardet, me idealizmin, me vizionin, i cili do të përballet me rreziqet e atypëratyshme, duhet kurajë dhe vetëbesim i madh. Por ne dimë edhe se, vetëm ata, të cilët guxojnë të dështojnë fort, mund të arrijnë gjëra madhështore…”
Veçanërisht, ky libër u drejtohet të rinjve që në zemër kanë gjithmonë dëshirën e zjarrtë për të ndryshuar dhe përmirësuar botën.
*Përkthyes i librit “Lidershipi i John F. Kennedy-it”
Komentet