Pas konferencës për shtyp të koncertit të mbrëmjes, m’u afrua një zonjë elegante dhe, me një zë disi të ndrojtur, më thotë:
“Pra, do të luani një koncert tërësisht me muzikën e Bahut? Sa mirë! Një mrekulli! Muzika e tij ka…nuk e di… është hyjnore… A mund të të tregoj diçka? Një miku im, i cili vuante nga një depresion i fortë, mëngjesin që vendosi t’i japë fund jetës, dëgjoi në radio muzikën e Bahut. U mahnit aq shumë sa mendoi se jeta vlente të jetohej qoftë edhe vetëm për të dëgjuar këtë muz…”
Nuk mundi të mbaronte fjalën.
Më kërkoi ndjesë dhe u largua.
Ndërkohë që një gazetar më pyeste diçka rreth programit unë shikoja zonjën elegante e cila,
si një personazh i librave të Zweig-ut, largohej ngadalë.
Vetëm në atë çast kuptova se personi që Bahu i kish shpëtuar jetën ishte vetë ajo.