VOAL

VOAL

Japoni: U shënua 72 vjetori i sulmit të parë atomik në Hiroshimë

August 6, 2017

Komentet

Boshti ruso-iranian i propagandës: Nga ‘Kulti i Baalit’ te skandali Epstein

Platformat mediatike pro-iraniane dhe ato të mbështetura nga Kremlini kanë shënjestruar lexuesin shqipfolës me një fushatë të re dhe në dukje të sinkronizuar dezinformimi, duke shfrytëzuar bombardimet e fundit në Iran për të përhapur teori konspirative kundër Perëndimit.

Bombardimet e SHBA-së dhe Izraelit në Iran kanë shërbyer si një katalizator për një fushatë të re dezinformimi në gjuhën shqipe nga media ruse, iraniane dhe nga ato që riprodhojnë qëndrimet e këtyre të fundit.

Një analizë e teksteve të publikuara së fundmi në rrjete të ndryshme tregon një shkrirje të narrativave të makinerisë shtetërore ruse, si rrjeti i dezinformimit “Pravda” në shqip apo ideologët e afërt me Kremlinin, dhe mediave të linjës iraniane që operojnë në gjuhën shqipe, si Gazeta Impakt apo Pars Shqip.

Të dyja këto rryma po përdorin të njëjtën gjuhë apokaliptike, duke pikturuar Perëndimin në tërësi, si edhe SHBA-në dhe Izraelin, si “Antikrishti” apo “Baali” (një emër i përdorur për djallin). Ato e lidhin luftën në Iran me ekspozimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, një financier amerikan i dënuar për ngritjen e një rrjeti të trafikimit seksual të të miturave, i cili shfrytëzoi lidhjet me elitat globale për të fshehur krimet e tij.

Vdekja e tij në burg, kontaktet që ai kishte me një numër të madh personash me pushtet dhe mungesa e hetimeve të thelluara janë bërë një mjet i preferuar për makineritë e propagandës dhe teoritë konspirative që kërkojnë të godasin Perëndimin ose vlerat perëndimore.

Kjo valë propagande vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë masive dhe të koordinuar sulmesh ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, me pretendimin se po godisnin infrastrukturën bërthamore, qendrat ushtarake dhe vetë udhëheqjen e lartë iraniane.

Nga sulmet raportohet se u vra edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. SHBA-ja dhe Izraeli e justifikuan sulmin me dështimin e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.

Sulmet u pasuan nga një kundërpërgjigje e menjëhershme dhe e gjerë nga ana e Teheranit, i cili lëshoi qindra raketa balistike dhe dronë – jo vetëm drejt Izraelit, por edhe drejt bazave ushtarake amerikane të vendosura në vendet fqinje arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini.

Në ditët e para të marsit, ky përshkallëzim i paprecedentë e ka zhytur Lindjen e Mesme në një luftë të hapur rajonale, me qindra viktima dhe hapësira ajrore të mbyllura.

 “Kulti i Baalit” dhe apokalipsi

Tekstet e publikuara prej mesit të shkurtit dhe të intensifikuara pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit janë një përpjekje për ta zhvendosur konfliktin nga rrafshi politik në atë fetar.

Alexander Dugin, i njohur si arkitekti ideologjik i politikës së jashtme të Rusisë së Vladimir Putinit, në një shkrim të fundit e cilëson Perëndimin si “Qytetërimin e Baalit” – një referencë biblike për idhujtarinë dhe sakrificat njerëzore – dhe Iranin si rezistencën e fundit kundër djallit.

Ai paralajmëron se rënia e Iranit do t’i hapte rrugë shkatërrimit të Rusisë, duke bërë thirrje për një luftë të shenjtë dhe radikale. Shkrimi i Dugin, i cili në këtë tekst vendos shenja barazimi mes bombardimeve në Iran dhe atyre kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë, u publikua në shqip nga Gazeta Impakt, një hapësirë e lidhur me Olsi Jazexhin, një historian i njohur për qëndrimet e tij pro Teheranit zyrtar dhe mbështetjen e qëndrimeve të Dugin.

Si për të kthyer favorin, Dugin në faqen e tij në Facebook ndau një postim të Jazexhit, në të cilin pretendohej në mënyrë të rreme se Irani kishte bombarduar zyrat e qeverisë së Izraelit dhe se fati i kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk dihej.

Faqet e lidhura me Dugin, Gazeta Impakt dhe Jazexhi kanë publikuar gjithashtu karikatura të ngjashme në të cilat bëhet thirrje për një aleancë të krishterë dhe myslimane kundër “zionizmit”. Karikatura përpiqet të pikturojë Perëndimin si djallëzor, ndërsa skandali i Epstein përdoret si fytyra përfaqësuese e Perëndimit apo Izraelit.

Një profil në X i faqes së radios së Iranit në Shqipëri ndau një mesazh të ngjashëm, duke këmbëngulur se bombardimi i një shkolle fillore vajzash në Minab më 28 shkurt (kur nisi edhe sulmi i SHBA-së ndaj Iranit), që raportohet se ka vrarë 175 nxënëse, ishte i qëllimtë dhe përbënte një “kurban” që SHBA-ja dhe Izraeli i bënin “Baalit”.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë një qëndrim zyrtar mbi bombardimin e shkollës, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar hetim, duke e cilësuar atë një krim lufte.

Përdorimi i skandalit të Epstein

Të dy linjat e propagandës dhe dezinformimit – qoftë ajo ruse e përkthyer automatikisht në shqip nga rrjeti Pravda, qoftë ajo iraniane përmes mediave Pars dhe Gazeta Impakt – i lidhin bombardimet me skandalin Epstein.

Pravda, duke iu referuar kryesisht kanaleve afër Kremlinit në Telegram, këmbëngul se bombardimet janë një përpjekje e presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr vëmendjen nga lidhja e tij e pretenduar me Epstein.

Në këtë përpjekje, publikimet e Pravda tërheqin paralele me bombardimin e regjimit të Millosheviçit nga NATO në përpjekje për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke përsëritur një linjë të njohur propagande dhe lajmesh të rreme që i lidh bombardimet me skandalin e presidentit Bill Clinton dhe Monica Lewinsky.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 u mbështet nga komuniteti ndërkombëtar dhe erdhi si përgjigje ndaj një krize humanitare të dokumentuar, pas dëbimit masiv të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.

Në të njëjtën linjë me mediat ruse, edhe Gazeta Impakt e etiketon ushtrinë e SHBA-së si “ushtria e Epstein”.

“Çfarë do të ndodhte nëse ushtria e Epstein – e Trumpit – ka vrarë Khamenein?”, shkruhet në një artikull të publikuar më 1 mars, i cili e barazon Khamenein me Jezu Krishtin.

Lideri iranian, i cili raportohet se u vra nga bombardimet e Izraelit në një bunker në Teheran, cilësohet nga organizatat e të drejtave të njeriut si përgjegjës për vrasjen e mijëra iranianëve të pafajshëm./ Reporter.al/

Irani kërcënon të godasë centralin bërthamor të Dimonës nëse Izraeli dhe SHBA-të përpiqen të rrëzojnë regjimin

Irani ka paralajmëruar se mund të synojë kompleksin bërthamor Dimona në Izrael nëse Uashingtoni dhe udhëheqja izraelite përpiqen të ndryshojnë regjimin në Teheran.

 

Kërcënimi u raportua të mërkurën nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA, duke cituar një zyrtar ushtarak iranian.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe vjen disa ditë pasi qeveria izraelite paralajmëroi udhëheqjen iraniane. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha dje se kushdo që merr përsipër udhëheqjen e Republikës Islamike do të jetë një “objektiv i padiskutueshëm për asgjësim”.

Në të njëjtën kohë, Teherani mohoi raportet se djali i udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, është zgjedhur tashmë si pasardhës.

Qendra e Kërkimeve Bërthamore Shimon Peres Negev, pranë qytetit të Dimonës, besohet të jetë çelësi i programit të dyshuar prej kohësh të armëve atomike të Izraelit. Izraeli as nuk konfirmon dhe as nuk mohon se ka armë bërthamore.

Vendndodhja, e vendosur në rajonin jugor të Negevit, është ndër vendet më të mbrojtura në vend, me masa që besohet se përfshijnë gamën e plotë të sistemeve të mbrojtjes ajrore. gsh

Lufta në Iran- Frikë edhe për mungesën e ushqimit pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, cilat vende preken

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit nuk po ndikon vetëm në tregjet e naftës, por edhe në furnizimin me ushqim në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sipas analistes ekonomike të Financial Times, Susanna Savage, ndërprerjet në Ngushtica e Hormuzit po krijojnë probleme serioze për zinxhirët e furnizimit me ushqim. Shumë anije tregtare po e shmangin këtë kalim strategjik, gjë që po pengon importet thelbësore të ushqimit për vendet e Gjirit dhe po rrit rrezikun e mungesave dhe të çmimeve më të larta.

Pjesa më e madhe e drithërave, ushqimeve të paketuara dhe produkteve të freskëta që furnizojnë rajonin kalojnë përmes Ngushtica e Hormuzit. Sipas Savage, shmangia e këtij korridori nga anijet po shton shqetësimet për krizë furnizimi, pasi shtetet e Gjirit janë shumë të varura nga importet.

Një shembull është Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat importojnë rreth 90% të ushqimit të tyre përmes portit Jebel Ali Port në Dubai. Ky port është një qendër e rëndësishme logjistike që furnizon me ushqime rreth 50 milionë njerëz në katër vende të Gjirit dhe në rajone të tjera përreth.
Ndërkohë, në Iran situata është edhe më e ndjeshme. Edhe pse vendi prodhon një pjesë të madhe të ushqimit të vet, inflacioni i ushqimeve ka kaluar tashmë mbi 100%, duke e bërë të vështirë për shumë familje të blejnë produkte bazë. Analistët paralajmërojnë se sulmet ndaj Iranit mund të dëmtojnë infrastrukturën e prodhimit dhe transportit të ushqimit, duke përkeqësuar situatën nëse ndërprerjet në tregti vazhdojnë.

Autoritetet iraniane kanë ndaluar përkohësisht eksportet e produkteve ushqimore dhe bujqësore për të garantuar furnizimin e popullsisë me mallra bazë.

Nëse ndërprerjet në Ngushtica e Hormuzit vazhdojnë, vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Iran mund të përdorin rezervat ushqimore dhe të ridrejtojnë tregtinë drejt porteve të tjera. Megjithatë, transporti alternativ shpesh është më i shtrenjtë dhe më i kufizuar.

Shtetet më të pasura të rajonit mund të përballojnë një pjesë të kostove shtesë, por ndikimi mund të jetë i rëndë për vendet më të cenueshme. Për më tepër, Emiratet e Bashkuara Arabe veprojnë si një qendër rajonale që rieksporton ushqime drejt vendeve si Jemeni, Sudani dhe Somalia.

Analistët paralajmërojnë se nëse përçarjet në tregti zgjasin, këto ekonomi më të brishta mund të ndiejnë shumë shpejt pasojat. Në Iran, ku rritja e çmimeve të ushqimeve ka shkaktuar protesta të fundit, mungesat e mundshme dhe rritjet e mëtejshme të çmimeve mund të krijojnë tensione edhe më të mëdha sociale.

Operacioni “Epic Fury”: 100 orët e para që ndryshuan pamjen e Lindjes së Mesme

Operacioni i koduar “Epic Fury” po cilësohet si një nga ndërhyrjet ushtarake më të gjera dhe më shkatërruese të dekadave të fundit, me 100 orët e para që, sipas raportimeve, kanë ndryshuar ndjeshëm balancat gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

 

24 orët e para
Armiqësitë nisën në orët e para të së shtunës, më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë masive sulmesh me raketa ndaj objektivave në Iran. Objektivi kryesor i fazës së parë ishte neutralizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe qendrave të komunikimit iraniane.

Raketat “Tomahawk”, të lëshuara nga anije sipërfaqësore dhe nëndetëse, goditën pika strategjike nga Tabrizi në veri deri në bregdetin e Makranit në jug. Teherani reagoi me kundërsulme, duke synuar baza amerikane në Irak, Jordani dhe në vendet e Gjirit.

Dita e dytë: Epërsia ajrore
Të dielën, më 1 mars, operacionet u përqendruan në dominimin e hapësirës ajrore. Forcat amerikane vendosën epërsi ajrore përgjatë bregdetit iranian, duke u mundësuar avionëve aleatë të operonin thellë në territorin e vendit.

Një zhvillim i rëndësishëm u regjistrua në mbrëmje, kur Forcat Ajrore Izraelite raportuan se kishin arritur epërsi të plotë ajrore mbi Teheranin. Ky moment u konsiderua kyç, pasi dobësoi ndjeshëm ombrellën mbrojtëse të kryeqytetit dhe të instalimeve ushtarake përreth.

72 orë më vonë: Objektivat bërthamore
Të hënën, më 2 mars, në operacion u përfshinë bombardues strategjikë amerikanë, përfshirë B-2, B-1 dhe B-52, të cilët ndërmorën sulme të njëpasnjëshme ndaj objekteve të lidhura me programin bërthamor iranian në Qom, Arak dhe Isfahan.

Sipas burimeve ushtarake, përdorimi i avionëve “stealth” mundësoi goditjen e objektivave të fortifikuara që më parë konsideroheshin të vështira për t’u depërtuar. Në të njëjtën kohë, sistemet e mbrojtjes ajrore iraniane u neutralizuan në mënyrë progresive.

Mbyllja e 100 orëve: Bllokada detare

Të martën, më 3 mars, fokusi u zhvendos në frontin detar. Flota amerikane vendosi një bllokadë të plotë në Gjirin Arabik, në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin e Omanit, duke synuar eliminimin e pranisë detare iraniane.

Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, kaloi nën kontrollin operacional të koalicionit perëndimor, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të ushtruar presion përmes kontrollit të rrugëve detare.

Faza e parë e operacionit përfundoi të mërkurën, më 4 mars, me raportime për fundosjen e anijes së fundit të madhe luftarake iraniane nga një nëndetëse amerikane me energji bërthamore.

Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar dhe komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, ndërsa pasojat politike dhe ekonomike të këtij operacioni pritet të jenë të thella dhe afatgjata për rajonin. BW

Senati bllokon propozimin për ta kufizuar autoritetin e Trumpit në luftën ndaj Iranit

Raketë Tomahawk e lëshuar gjatë Operacionit Tërbimi Epik kundër Iranit.

 

Radio Evropa e Lirë

Forcat amerikane dhe ato izraelite kanë vazhduar të sulmojnë Iranin, teksa Senati amerikan e ka hedhur poshtë një propozim që do ta kufizonte autoritetin e presidentit amerikan, Donald Trump për të vazhduar aksionin ushtarak kundër shtetit të Lindjes së Mesme pa miratim të Kongresit.

Trump ka thënë më 4 mars se çdo zyrtar iranian që synon pozitat më të larta për t’i zëvendësuar liderët e vrarë, “do të përfundojë i vdekur”, dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Iranit.

“Jemi në pozicion shumë të fuqishëm tani, dhe udhëheqja e tyre po largohet shpejt. Secili që dëshiron të bëhet lider, do të përfundojë i vdekur”, ka thënë Trump në një takim me liderë të sektorit të teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 mars.

“Po ia dalim mirë në frontin e luftës, nëse e them butë këtë. Dikush më ka pyetur se deri në numrin 10 sa do ta vlerësoja? Do të thosha 15”, ka deklaruar Trump.

Presidenti është zotuar se nuk do të lëshojë pe në fushatën e përbashkët ushtarake me Izraelin, që e ka lënë të vrarë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe shumë zyrtarë tjerë të sigurisë, ushtrisë dhe politikës.

Trump ka thënë se arsenali i raketave balistike të Teheranit “po zhduket me shpejtësi”.

Presidenti amerikan ka thënë se e ka urdhëruar sulmin për t’ia parandaluar këtij shteti krijimin e armës bërthamore, por ka thënë se dëshiron që Teherani të mos ketë as program të raketave balistike, që t’i japë fund dhunës kundër protestuesve anti qeveritarë, mijëra prej të civilëve janë vrarë në një shtypje brutale shtetërore në javët e fundit.

Duke tentuar t’i ulë shqetësimet për prezencën e trupave ushtarake amerikane në tokën iraniane, Shtëpia e Bardhë ka thënë më 4 mars se angazhimi i trupave tokësore në Iran “nuk është pjesë e operacionit në këtë moment”.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se dy aleatët kanë shënuar “arritje historike” në luftën e tyre – e cila ka hyrë në ditën e gjashtë – kundër Iranit.

Një zëdhënës i tij ka thënë se sulmet ndaj Iranit kanë qenë të domosdoshme pasi Teherani ka qenë duke rindërtuar programin e armëve bërthamore në “bunkerët nëntokësorë” dhe që ka pasur sinjale se ka planifikuar të sulmojë “Izraelin dhe forcat amerikane në rajon” por pa ofruar më shumë hollësi.

Republikanët kundërshtojnë kufizimet për kompetencat e luftës

Një propozim i paraqitur në Senatin amerikan parashihte që çdo sulm i mëtejshëm ushtarak të autorizohej nga Kongresi.

Por, shumica e republikanëve e kundërshtuan atë, duke argumentuar se presidenti, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, e ka autoritetin t’i drejtojë operacionet ushtarake.

Demokratët thanë se votimi është provë për rendin kushtetues. Senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer, tha se ligjvënësit duhet të vendosin nëse do t’i dërgojnë “bijtë dhe bijat” e amerikanëve në rrezik.

Nga ana tjetër, udhëheqës republikanë mbrojtën presidentin Trump. Senatori nga Dakota e Jugut, John Thune, tha se Trump po vepron për t’i mbrojtur forcat amerikane, ndërsa senatori nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, e quajti propozimin jokushtetues.

Situata në rajonin e Lindjes së Mesme

Ndërkohë, trafiku ajror në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë i bllokuar teksa Irani vazhdon kundërpërgjigjen duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të tjera të rajonit ku gjenden baza ushtarake amerikane.

Shumë vende perëndimore po përpiqen t’i evakuojnë mijëra shtetas të tyre që kanë mbetur të bllokuar në rajon pas nisjes së fushatës së gjerë ajrore nga Uashingtoni dhe Tel Avivi më 28 shkurt.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se fluturimi i parë për evakuimin e shtetasve amerikanë u realizua nga Lindja e Mesme më 5 mars, por nuk dha hollësi të tjera.

NATO-ja dënon Iranin

Aleanca ushtarake e NATO-s dënoi Iranin pasi sistemet e aleancës perëndimore ndaluan një raketë balistike iraniane para se ajo të hynte në hapësirën ajrore të Turqisë.

“NATO qëndron në krah të të gjithë aleatëve, përfshirë Turqinë, teksa Irani i vazhdon sulmet pa dallim në gjithë rajonin”, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, më 4 mars.

Ajo shtoi se kapacitetet e parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s mbeten të forta në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe atë nga raketat.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, për zhvillimet e fundit në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme.

Sipas tij, Rubio i tha Fidanit se sulmet ndaj territorit sovran të Turqisë janë të papranueshme dhe premtoi mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara.

Arabia Saudite rrëzon raketa

Ndërkohë, Saudi Arabia njoftoi në orët e para të 5 marsit se kishte kapur tri raketa lundruese që po niseshin drejt vendit.

“Tre raketa lundruese u kapën dhe u shkatërruan jashtë qytetit të Al‑Kharj”, njoftoi Ministria saudite e Mbrojtjes në rrjetin X – dikur Twitter. Nuk u raportuan viktima apo dëme.

Fundoset një nëndetëse iraniane

Më herët, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, konfirmoi se një nëndetëse amerikane kishte fundosur një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Shri Lankës.

Hegseth e përshkroi sulmin – ku humbën jetën të paktën 87 marinarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ose u zhdukën – si një “vdekje të heshtur”. Autoritetet e Shri Lankës thanë se 32 marinarë iranianë shpëtuan.

Macron paralajmëron Izraelin

Ndërkohë, Izraeli i rriti sulmet kundër pozicioneve të grupit Hezbollah në Liban, pasi ky i fundit lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha më 4 mars se i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të përmbahet nga nisja e një ofensive tokësore në Liban.

“Ritheksova nevojën që Hezbollahu t’i ndalë menjëherë sulmet ndaj Izraelit dhe më gjerë. Kjo strategji përshkallëzimi është një gabim i rëndë që rrezikon gjithë rajonin”, shkroi Macron në X.

Ai shtoi se i kishte bërë thirrje Netanyahut të respektojë integritetin territorial të Libanit dhe të shmangë një ofensivë tokësore, duke theksuar se është e domosdoshme që palët t’i kthehen marrëveshjes së armëpushimit.

Ka raportime se forcat tokësore izraelite mund të kenë kaluar tashmë kufirin me Libanin, megjithëse hollësitë mbeten të paqarta.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Rritet tensioni në ngushticën e Hormuzit: Trafiku i naftës bie 90% – SHBA, Kina dhe BE marrin masa emergjente

U përfundua, ashtu siç pritej: të gjithë po e shqyrtojnë me kujdes ngushticën e Hormuzit me “mikroskop”.

Nga ana tjetër, ngushtica është njohur gjerësisht si një nga nyjet më të ndjeshme të tregtisë globale, pasi një pjesë e konsiderueshme e gazit dhe naftës (si dhe e mallrave të tjera tregtare) kalon përmes saj. Teherani pretendon se ka kontroll absolut mbi të. Ndoshta kjo nuk është e vërtetë në tërësi, por ndërkohë trafiku i tankerëve ka rënë me 90%. Rreziqet janë shumë të larta. Një anije transporti mallrash, për shembull, u godit në bregdetin e Omanit: ky është sulmi i katërt i raportuar në zonë brenda 24 orëve.

Pra, qëllimi kryesor i SHBA-ve, Evropës dhe madje edhe i Kinës është të rihapet sa më shpejt navigacioni. Ministria e Punëve të Jashtme e Pekinit ka bërë thirrje që “të gjitha palët të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake, të shmangin përshkallëzimin e tensioneve dhe të ruajnë sigurinë në ngushticën e Hormuzit”. Sipas disa burimeve, Irani ka deklaruar se do t’u lejojë të kalojnë vetëm anijet kineze, si shenjë mirënjohjeje për aleatin kinez (i cili, përveç kësaj, blen pjesën më të madhe të naftës nga ayatollahët, të ndaluar nga sanksionet). Situata nuk është e qartë.

“Ndryshe nga llojet e tjera të anijeve, lëvizjet e të cilave janë në pjesën më të madhe ndalur, disa tankerë ende po kalojnë ngushticën nga lindja në perëndim, ndonjëherë me transponderët e fikur,” theksoi Matt Wright, analist në Kpler. Megjithatë, kjo përbën vetëm një pjesë të 79 kalimeve ditore para luftës. Nuk është rastësi që Cosco – gjigandi kinez i transportit detar që menaxhon një nga flotat më të mëdha të tankerëve në botë ka deklaruar se nga sot do të pezullojë shërbimet drejt dhe nga vendet e Gjirit.

Rreziqet janë shumë të larta dhe kompanitë e sigurimeve po tërheqin policët. Një bllokim i gjatë mund të bëhet katastrofë për ekonominë globale.

Donald Trump e di këtë dhe madje ka sugjeruar përdorimin e Marinës Amerikane si shoqërues për anijet. Jo vetëm kaq: Uashingtoni do të ishte i gatshëm të zëvendësonte siguruesit, duke nxjerrë polica përmes US Development Finance Corporation. Presidenti francez Emmanuel Macron, edhe me ton dhe stil të ndryshëm, është i të njëjtit mendim. “Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon përmes kësaj ngushtice,” tha ai, duke theksuar se “edhe Kanali i Suezit dhe Deti i Kuq janë nën presion”. “Ne kemi marrë iniciativën njoftoi më tej për të formuar një koalicion për të ndarë burimet e nevojshme, duke përfshirë ato ushtarake, me qëllim të rivendosjes dhe garantimit të sigurisë së trafikut në këto rrugë detare thelbësore për ekonominë globale.”

Ndërkohë, dy anijet shtesë që premtoi Franca iu bashkuan pjesës tjetër të misionit të BE-së, Aspides, të vendosur për të mbrojtur navigacionin nga Houthit përgjatë ngushticës Bab al-Mandab, ngushticës së Hormuzit, si dhe ujërave ndërkombëtarë të Detit të Kuq, Gjirit të Adenit, Detit Arabik, Gjirit të Omanit dhe Gjirit Persik. “Operatorët tanë në zonë po monitorojnë me kujdes situatën,” komentoi një zëdhënës për ANSA-n. “Megjithatë, për arsye sigurie, nuk zbulojmë detaje mbi aktivitetet aktuale.”/ ansa

DW: Pse Rusia nuk po i vjen në ndihmë Teheranit?

Moska është një nga aleatët e paktë, por më të vendosur të Teheranit, dhe një rënie e mundshme e regjimit iranian mund të jetë një goditje për interesat e tij gjeopolitike dhe ekonomike. Atëherë, pse nuk i ka ardhur në ndihmë Teheranit?

Vetëm disa orë pasi bombat izraelite dhe amerikane filluan të godisnin Teheranin të shtunën, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, e quajti atë një “akt të paprovokuar të agresionit të armatosur kundër një shteti anëtar sovran dhe të pavarur të OKB-së”.

Moska është një nga aleatët e paktë, por më të vendosur të Teheranit, dhe një rënie e mundshme e regjimit iranian mund të jetë një goditje për interesat e tij gjeopolitike dhe ekonomike. Atëherë, pse nuk i ka ardhur në ndihmë Teheranit?

Partneriteti Rusi-Iran
Moska dhe Teherani kanë bashkëpunuar në disa projekte ekonomike jetësore për Rusinë, tha për DW Nikita Smagin, një ekspert i pavarur për Rusinë dhe Lindjen e Mesme me bazë në Azerbajxhan.

“Korridori i transportit Veri-Jug është një prej tyre — veçanërisht që kur Rusia u ndërpre nga rrugët e saj tradicionale të tranzitit pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022”, shpjegoi ai.

Rusia, India dhe Irani nënshkruan marrëveshjen për rrjetin shumëmodal prej 7,200 kilometrash (4,473 milje) në vitin 2000, i cili gjithashtu do të kalojë nëpër Azerbajxhan. Sipas Qendrës së Kërkimeve të Gjirit, një organizatë me seli në Arabinë Saudite, 75% e projektit është përfunduar.

Irani ka qenë gjithashtu thelbësor për Rusinë ushtarakisht, jo vetëm duke ofruar të ashtuquajturit dronë Shahed që nga viti 2023. Dronët e kanë riformësuar kryesisht luftën në Ukrainë, tha Julian Waller, analist kërkimor në Programin e Studimeve të Rusisë në Qendrën për Analiza Detare (CNA) me seli në SHBA.

“Irani ishte i dobishëm për përpjekjet luftarake ruse, edhe nëse prodhimi [i dronëve] tani është kryesisht i indigjenizuar nga Rusia, gjë që ka përmirësuar dizajnin e tyre”, tha Waller për DW.

Raportohet gjithashtu se Rusia ka ndarë informacione inteligjence me Iranin dhe ka dërguar raketa dhe municione në Teheran.

“Megjithatë, partneriteti midis Rusisë dhe Iranit nuk ka të bëjë me ideologjinë – politikanët rusë nuk e pëlqejnë veçanërisht Iranin”, nënvizoi Smagin, “por ata e shohin Teheranin si një partner strategjik të besueshëm, pasi të dy vendet janë nën sanksione ndërkombëtare – ndryshe nga Turqia ose Egjipti që mund të ndalojnë tregtinë me Rusinë nëse u bëhet presion nga Perëndimi”, shpjegoi ai.

Gregoire Roos, drejtor për Evropën dhe Rusinë në organizatën kërkimore Chatham House me seli në Londër, beson se Teherani është bërë deri diku edhe mentori i Moskës.

“Irani ka pasur përvojë të konsiderueshme në anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare për shumë vite dhe i ka dhënë Rusisë këshilla se si t’i anashkalojë ato”, i tha ai DW-së.

Llogaritja e gabuar e Iranit?
E megjithatë, ekspertët duket se bien dakord se Rusia nuk ka gjasa të ndërhyjë në mënyrë aktive në luftën e vazhdueshme SHBA-Izrael kundër Iranit .

“Të dy vendet nuk janë aleatë mbrojtës”, tha Waller. Disa analistë thonë se kjo mund të jetë edhe për shkak të një pakti joformal mossulmi me Izraelin që kuptohet se e ka Rusia.

Sipas Mojtaba Hashemit, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist politik, Teherani megjithatë priste “mbështetje të prekshme politike dhe ushtarake” nga Moska. “Kjo përfshinte bashkëpunim të zgjeruar ushtarako-teknik, shkëmbim inteligjence dhe dërgimin e një mesazhi të qartë parandalues ​​ndaj armiqve të tij – jo vetëm mbështetje verbale”, tha eksperti për DW, duke shtuar se regjimi iranian kishte gabuar në llogaritjet e tij.

“Rusia dhe Kina kanë probleme më të mëdha për t’u shqetësuar. Mbështetja e tyre ka qenë e njëjtë me atë që deri më tani i ka siguruar Republikës Islamike shumë armë dhe mjete shtypjeje”, tha Hashemi.

Megjithatë, Mohammad Ghaedi, një lektor në Universitetin George Washington, beson se mungesa e mbështetjes nga Rusia nuk erdhi si surprizë për udhëheqësit iranianë. “Skepticizmi për t’u mbështetur te Moska ka ekzistuar prej kohësh në Teheran. Siç tha dikur (ish-presidenti iranian) Mahmoud Ahmadinejad, ‘Rusia gjithmonë e ka shitur kombin iranian’, dhe Presidenti Masoud Pezeshkian pas luftës 12-ditore (qershor 2025) vuri në dukje se ‘vendet që i konsideronim miq nuk na ndihmuan gjatë luftës'”.

Përfitimet dhe disavantazhet e luftës së Iranit për Moskën
Një luftë e zgjatur me Iranin mund të ketë anët e saj pozitive për Moskën, argumenton Roos i Chatham House. “Oksigjeni mediatik do të pakësohej për Presidentin [ukrainas] Volodymyr Zelenskyy, sepse gjithçka ka të bëjë me Iranin dhe rrezikun e përshkallëzimit”, tha ai.

“Përveç kësaj, Uashingtoni nuk mund të përballonte të mbante një front tjetër nga një perspektivë mbështetjeje diplomatike dhe ushtarake – dhe hierarkia e prioriteteve padyshim do të shkojë në Lindjen e Mesme.”

Dhe mund të ketë përfitime ekonomike edhe për Rusinë. Irani e ka mbyllur kryesisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e naftës dhe gazit botëror. Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur ndjeshëm që atëherë.

“Nëse çmimet e naftës dhe gazit do të mbeteshin të larta për muaj ose edhe një vit, kjo do të ishte një përfitim i madh për Rusinë, eksportuesen e naftës dhe gazit”, tha Julian Waller i organizatës think-tank CNA, duke shtuar se Kremlini më pas mund të ulte taksat e brendshme që ishin përdorur për të financuar luftën.

Megjithatë, rënia e mundshme e regjimit iranian do të ishte një pengesë e madhe për reputacionin e Rusisë, pasi Moskës i pëlqen ta portretizojë veten si një fuqi e madhe, nënvizoi Roos. “Rusia ka qenë pjesë e një grupi vendesh – përfshirë Iranin, Sirinë dhe Kinën – që synojnë të zëvendësojnë rendin botëror të drejtuar nga Perëndimi me një botë shumëpolare”, tha ai.

“Por ky grup nuk është tkurrur kurrë kaq shpejt më parë, që do të thotë një humbje e ndjeshme e ndikimit për Rusinë në të ashtuquajturën zonë euroaziatike të ndikimit.”

A do të vazhdojë aleanca Rusi-Iran?
Hashemi beson se mungesa e mbështetjes nga Rusia për Iranin ka të ngjarë të prishë lidhjet e tyre.

“Rusia dhe Kina e kanë përdorur kryesisht Iranin si një monedhë negociuese gjeopolitike me Perëndimin. Nëse regjimi aktual dobësohet më tej , Moska ka të ngjarë të kërkojë siguri nga qeveria e ardhshme iraniane në vend që të investojë në një strukturë që po shembet. Në mënyrë të ngjashme, Kina po kërkon lëshime nga qeveria e ardhshme për të ruajtur të paktën një pjesë të ndikimit të saj. Megjithatë, të dyja e dinë se marrëdhëniet e Iranit me to pas Republikës Islamike do të jenë mjaft të ndryshme”, shpjegoi ai.

Ghaedi i Universitetit George Washington është i mendimit se regjimi aktual iranian do të donte ende të mbante lidhje të ngushta me Moskën, duke pasur parasysh lidhjet e saj të tendosura me Perëndimin. “Teherani nuk ka gjasa të rrezikojë humbjen e këtij partneriteti, veçanërisht me Rusinë që ka të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.”/DW

Raketa mbi Dubai! Super të pasurit po paguajnë deri në 350,000 dollarë për t’u arratisur me avionë privatë

Çmimet e avionëve privatë për evakuimin e qytetarëve nga vendet e Gjirit Persik kanë shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vijon të përshkallëzohet. Sipas raportimeve, disa individë shumë të pasur po paguajnë deri në 350 mijë dollarë për një fluturim drejt destinacioneve të sigurta në Evropë dhe më gjerë.

Raketat dhe dronët iranianë kanë goditur zona si Abu Dhabi, Dubai, Katari dhe Bahreini — vende që deri pak kohë më parë konsideroheshin relativisht të sigurta. Në këto kushte, shumë qytetarë të pasur po largohen drejt Arabia Saudite, e cila po shihet si një nga rrugët më të sigurta të daljes nga rajoni.

“Ura” tokësore drejt Riadit
Kryeqyteti saudit, Riad, është kthyer në një pikë qendrore tranziti, pasi aeroporti i tij mbetet funksional dhe me lidhje të rregullta ndërkombëtare. Kompanitë private të sigurisë raportohet se kanë marrë me qira flota automjetesh SUV për të transportuar persona nga Dubai drejt Riadit — një udhëtim rreth 10 orë me rrugë tokësore — përpara se të organizojnë fluturime private jashtë rajonit.

 

Të evakuuarit përfshijnë drejtues të lartë të korporatave financiare ndërkombëtare, investitorë dhe individë me pasuri të lartë që ndodheshin në zonë për biznes apo pushime.

Sipas burimeve të industrisë së aviacionit, një fluturim me avion privat nga Riadi drejt Evropës ka arritur të kushtojë deri në 350,000 dollarë (rreth 260,000 paund), për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së disponueshmërisë.

Arabia Saudite si dalje emergjente
Një faktor që e bën Arabinë Saudite veçanërisht tërheqëse është fakti se disa vende fqinje kanë kufizuar lëvizjen. Oman, për shembull, ka mbyllur disa rrugë pas një sulmi iranian ndaj një porti dhe një anijeje cisternë nafte.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar King Khalid në Riad, i vendosur rreth 35 kilometra nga qendra e qytetit, vijon të operojë normalisht. Aeroporti ka pesë terminale dhe lidhje të rregullta me Evropën, Amerikën, Azinë dhe Afrikën.

Autoritetet saudite kanë lehtësuar gjithashtu procedurat e vizave, duke u lejuar shumë shtetasve të marrin vizë në mbërritje, një masë që ka rritur ndjeshëm fluksin e atyre që kërkojnë një dalje të shpejtë dhe të sigurt nga rajoni. bw

SHBA fundos një anije luftarake iraniane në Oqeanin Indian

Një nëndetëse amerikane sulmoi dhe fundosi një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lankës, sipas Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth.

 

Hegseth theksoi gjithashtu se anija luftarake që Irani mendonte se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare ishte “mbytur nga një silurë”.

“Mbytja e parë e një anijeje armike nga silur që nga Lufta e Dytë Botërore”, vuri në dukje ai. “Ashtu si në atë luftë… ne po luftojmë për të fituar”, shtoi zyrtari.

Hegseth nuk e përmendi emrin e anijes, por më parë, marina e Sri Lankës tha se rreth 140 persona rezultuan të zhdukur pasi një anije iraniane u fundos në brigjet e Galle. Panorama

Djali i Khameneit u zgjodh Lideri i ri Suprem i Iranit, paralajmëron Izraeli: Çdo udhëheqës që vepron kundër nesh do të jetë objektiv për eliminim

Mojtaba Khamenei
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka paralajmëruar se cilido udhëheqës që regjimi iranian emëron për të zëvendësuar Ajatollah Ali Khamenein do të jetë “një objektiv i padiskutueshëm për eliminim”.

 

 

“Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar udhëheqjen e planit për të shkatërruar Izraelin, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe botën e lirë dhe vendet e rajonit, dhe për të shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i padiskutueshëm për eliminim”, tha Katz.

 

“Nuk ka rëndësi emri i tij apo vendi ku fshihet“, theksoi ministri izraelit, duke shtuar:

“Ne do të vazhdojmë të veprojmë me forcë të plotë, së bashku me partnerët tanë amerikanë, për të çmontuar aftësitë e regjimit dhe për të krijuar kushtet që populli iranian ta përmbysë dhe ta zëvendësojë atë.” GSH

“Asnjë pikë naftë nuk largohet nga rajoni!”Garda Revolucionare: Ne kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit

Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka marrë nën kontroll të plotë Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më jetësore në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror, duke paralajmëruar se anijet që kalojnë në këtë rrugë ujore rrezikojnë të goditen nga raketa ose dronë “të humbur”.

Megjithatë, pretendimi u hodh poshtë nga pala amerikane. Admirali Brad Cooper i United States Central Command deklaroi se SHBA-të po “fundosin të gjithë marinën iraniane” dhe se deri tani janë shkatërruar 17 anije iraniane. “Për dekada, regjimi iranian ka ngacmuar transportin detar ndërkombëtar. Sot nuk ka asnjë anije iraniane në det në Gjirin Arabik, në Ngushticën e Hormuzit apo në Gjirin e Omanit”, tha ai.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Marina Amerikane mund të nisë shoqërimin e cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, nëse kjo konsiderohet e nevojshme. Ky do të ishte një nga hapat më agresivë të administratës amerikane për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga lufta.

Sipas admiralit Cooper, numri i sulmeve të kryera në 24 orët e para të luftës kundër Iranit ishte pothuajse dyfishi i sulmeve “tronditëse dhe të tmerrshme” ndaj Irakut në vitin 2003. Deri më tani, janë goditur rreth 2,000 objektiva në territorin iranian.

Rreth 20% e naftës dhe gazit botëror kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit. Një bllokim i mundshëm i këtij kanali do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale.

Gjenerali i lartë iranian, Sardar Jabari, ka deklaruar se Teherani nuk do të lejojë më “asnjë pikë nafte të largohet nga rajoni”. Tashmë, pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit kanë shkaktuar rritje të çmimeve të naftës.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërprerje e trafikut në Ngushticën e Hormuzit do të ndikonte drejtpërdrejt në ekonomitë më të mëdha të botës, përfshirë Kina, India dhe Japonia, të cilat janë ndër importueset kryesore të naftës që kalon përmes këtij korridori strategjik. BW

Komploti për vrasjen e Khameneit, Financial Times: Izraeli e planifikoi për 25 vite

Ishte një sulm “kirurgjikal” sipas të gjitha gjasave. Të shtunën në mëngjes, avionët luftarakë izraelitë bombarduan Teheranin dhe vranë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Por një sulm me precizion 60 sekondash me 30 raketa kërkoi vite planifikimi, siç zbulon një raport i Financial Times.

Izraeli përdori kamera trafiku të hakuara dhe inteligjencë artificiale për të hartuar lëvizjet e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei para vrasjes së tij.

Nëpërmjet kamerave të trafikut të hakuara, u monitorua jeta e përditshme e figurave të larta iraniane në përgatitje të Operacionit “Ulërima e Luanit”, i cili vrau Udhëheqësin Suprem të regjimit Ali Khamenei, sipas një raporti të Financial Times të botuar të hënën.
Sipas raportit, inteligjenca izraelite zbuloi një “model jetese” për Khamenein dhe stafin e tij të sigurisë, duke përfshirë rrugët e udhëtimit, orët e aktivitetit dhe identitetet e zyrtarëve të lartë që zakonisht ishin me udhëheqësin e ndjerë iranian.

Raporti pohon gjithashtu se Izraeli përdori mjete të Inteligjencës Artificiale, së bashku me algoritmet, për të renditur sasi të mëdha informacioni të mbledhura rreth udhëheqjes iraniane dhe lëvizjeve të saj.

Përveç kësaj, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) siguroi një burim shtesë njerëzor për të konfirmuar vendndodhjen e saktë se ku do të ndodhej Khamenei në ditën e vrasjes së tij.

Zhvillimi dhe ekzekutimi i operacionit për vrasjen e Ali Khameneit varej nga sinkronizimi midis Njësisë 8,200 dhe Mossadit, dy nga shtyllat e inteligjencës izraelite.

Njësia 8200, e cila specializohet në inteligjencën e sinjaleve, ishte përgjegjëse për mbledhjen dhe përpunimin e sasive të mëdha të të dhënave elektronike. Puna e tyre përfshinte përgjimin e komunikimeve, hakimin e kamerave të qytetit dhe shkeljen e sistemeve të telefonisë celulare, duke siguruar një rrjedhë të vazhdueshme informacioni rreth lëvizjeve dhe zakoneve të rrethimit të Khameneit.

Nga ana e saj, Mossad – shërbimi i inteligjencës së jashtme të Izraelit – ishte përgjegjës për menaxhimin e aseteve njerëzore në territorin armiqësor. Duke rekrutuar informatorë dhe duke marrë të dhëna të ndjeshme përmes kontakteve në Iran, Mossad ishte në gjendje të plotësonte mbikëqyrjen teknologjike me informacione me vlerë të lartë operacionale.

Si u arrit vrasja e Khameneit?

Raporti i FT thotë se Izraeli sulmoi kompleksin ku mbahej Khamenei duke përdorur raketa Sparroë, ndërsa aeroplanët u vendosën gjatë ditës për të arritur një surprizë taktike, madje edhe me nivelin e lartë të gatishmërisë në Iran.

Në total, 30 raketa u qëlluan në kompleks, ndërsa kullat e telefonisë celulare në zonë ishin jashtë funksionit, duke i penguar personelit të sigurisë të merrte thirrje paralajmëruese.

FT raportoi gjithashtu se planifikimi për operacionin filloi në vitin 2001, kur ish-kryeministri Ariel Sharon urdhëroi Mossadin që ta bënte Iranin shënjestër kryesore. bw


Send this to a friend