–Vrisni dhe vriteni, si në ndonjë lojë shahu, mbret i së cilës nuk jeni ju, por ata, që prej jush bëhen të pasur, duke u bërë të hani njëri-tjetrin-
(Savjano)
Sapo fillon të shfletosh librin “Gomorra”, shkruar nga shkrimtari italian Roberto Saviano, përkthyer nga Etleva Demollari dhe Alketa Ylli, e ndien veten si një udhëtar i shokuar, që rend me këmbë të gjakosura, drejt perandorisë ekonomike mafioze dhe ëndrrës së “Gomorra”-s për të sunduar. Ky udhëtim i çuditshëm të çon herë në parajsën e jetës përrallore të klaneve mafioze dhe herë në bodrumet e ferrit, ku lahen mëkatet. Libri është shembull i gjallë i një vepre, ku fatet reale të jetës ngërthehen në mënyrë të përsosur me gjuhën e artit, duke i bërë ato më reale se realja, më të vërteta se e vërteta. Aty lexuesi gjen të trazuar faktin me emocionin, historinë me fjalën magjike, realitetin me fantazinë, analizën me përfundimin, njeriun me hijen e tij, gëzimin me dhimbjen, trimërinë me frikën, të bukurën me të shëmtuarën, vlerën me antivlerën, të vërtetën me gënjeshtrën, besën me pabesinë, parajsën me ferrin, dhe mbi të gjitha, jetën me vdekjen.
Në këtë libër jepet historia e gjallë e “Gomorra”-s, mafies më të egër italiane, e cila ka shtrirë kthetrat e saj në çdo cep të globit. Autori i këtij libri Roberto Saviano, duke jetuar në gjirin e kësaj mafieje, përshkruan me imtësi mënyrën e krijimit dhe të funksionimit, veprimtarinë dhe përfitimet marramendëse, raportet me njerëzit dhe shtetin, fitimet dhe humbjet, marrëdhëniet me mafien botërore, luftën vetëseleksionuese në gjirin e saj dhe vrasjet e dhunimet. Vend të rëndësishëm zënë përpjekjet e shtetit të së drejtës për eliminimin e saj, si një mortajë, që bren demokracinë dhe shoqërinë e një vendi. Sa më shumë faqe të shfletosh, aq më fuqishëm e ndjen zhurmën e një “nëndetëseje” gjigande, të sofistikuar, që vozitet pa e prishur terezinë nga dallgët, stuhitë dhe terri.
Kapitenët e saj janë kamorristët, që për të fituar sa më shumë para, thyejnë çdo ligj e normë morale, vrasin e helmojnë njerëz, madje, shesin edhe shpirtin e tyre, në emër të fitimit. Kemi, kështu, një libër të pazakontë dhe të fuqishëm, plot pasion e dhunë, por, në të njëjtën kohë, tepër të vërtetë, të pasur me ngjarje reale e trille krijuese të mbushura me tmerre, që të lënë gojëhapur. Autori i këtij libri R.Savjano, lindur e rritur në viset e errëta të “Gomorra”-s, gjendet i përfshirë, që në moshë të re në këtë organizatë mafioze. Narracioni i librit është, aq i tmerrshëm, sa që kur e lexon, përveç kënaqësive që të jep, për një çast, të duket sikur dikush të kap për fyti, për të të syrgjynosur në humnerat e mafies gomorriste.
MALLRA QË KUNDËRMOJNË
Porti i Napolit quhet si një vrimë e zezë e globit, nga e cila kalon çdo gjë, që prodhohet në Kinë. Rrënqethës është përshkrimi që i bën autori qenieve njerëzore. Një lloj malli i zhvlerësuar janë kthyer edhe njerëzit. Prej kontejnerit dilnin burra dhe gra të vdekur e të ngrirë, të vënë njëri mbi tjetrin, të ngjeshur si sardelet në një kuti. Ishin kinezë, prej atyre që nuk vdesin kurrë (fq. 11).
Shoqëritë e mëdha mafioze hapin fabrika të reja në Lindje, Rumani, Moldavi dhe në Kinë, për të siguruar kosto të ulët. Malli ka erën e vet. Nëse paraja nuk kundërmon, edhe malli ka erë të mirë. Kundërmimi i keq, ose i mirë e ka zanafillën e vetë në banakun e tregtarit dhe përfundon në shtëpinë e blerësit, thekson në mënyrë të figurshme autori. Ndërsa më poshtë vazhdon: “Ndiqja, se si mbillej dhe korrej ‘fara e parasë’, se si lihej ugar terreni i ekonomisë”(fq 126). Të gjitha mallrat e prodhuar nga mafia kanë prejardhje të errët. Mafiozët e kanë shpirtin te fitimi. Ashtu si vrasin një shpërndarës droge, kur ai u mban një pjesë të fitimit, ashtu vrasin një “kokë gjarpri”, që ka bërë hile në mallin e tjetrit.
“GOMORRA” DHE GOMORRISTËT
Në të vërtetë, fjala “gomorra” nuk ekziston. Ai është një emërtim, që e kanë shpikur policët dhe e përdorën gjykatësit, gazetarët dhe skenaristët, në punën e tyre. Ndërsa termi, me të cilin identifikojnë veten pjesëtarët e këtij klani, quhet sistem. “”Gomorra” mbetet organizata kriminale më me peshë në Europë. Droga, zhvatja me dhunë, dhënia e kredive me përqindje të lartë, janë disa nga veprimtaritë e saj. Ai që i drejtonte dhe i koordinonte kapitalet kryesore, ishte Petro Nokera, një nga menaxherët më të fuqishëm të “”Gomorra”-s, i cili lëvizte i blinduar me “Ferrari” dhe aeroplan privat. “Gomorra” është një formë terrorizimi, që ngjall frikë dhe vendos ligjet e veta. Kamoristët detyrojnë me dhunë, me armë në dorë e me rregulla të papranueshme. Ata organizojnë një veprimtari, sa të frikshme, aq dhe të sofistikuar, në fushën e trafiqeve për blerjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Ata mbështeten nga politika dhe i shërbejnë asaj. Drejtojnë dhe organizojnë tregun e punës.
“Gomorra” quan familje një klan të organizuar për qëllime kriminale, kur besnikëria absolute bëhet ligji i tyre i përbashkët. Çdo shprehje e autonomisë quhet tradhti, që është e detyruar të vdesë. Investimi bazë i saj është fuqizimi i kësaj familjeje. “Gomorra” është organizata më mizore, që ka vrarë më shumë se katër mijë veta, në 30 vitet e fundit, më shumë se IRA dhe ETA, më shumë se terroristët islamikë. Ajo është organizata, që bën biznese mafioze në fushën e ligjeve, çimentos, transportit, drogës dhe nënkontraktimet e çdo lloji. Bizneset e saj më të egra janë: kokaina, trafiku i armëve dhe i qenieve njerëzore. Investon në vendet e Lindjes, në fushën e hoteleri-turizmit, prostitucionit etj. Ajo ka blerë dhe shumë tituj shtetërorë në vendet e Lindjes.
Në një intervistë, një i pandehur i “Gomorra”-s deklaron: “Ne nuk ndihemi aspak antishtet, përkundrazi, ne jemi pjesë e tij. Kështu, ne bëhemi ortakë, jo vetëm të përpunimit të ligjeve, por edhe të shkeljes së tyre, në emër të fitimit maksimal. Pyetjes, kush qeveris në Itali, Berluskoni apo “Gomorra”, R. Saviano i përgjigjet, se shteti italian ka njerëz me shumë vlerë, që punojnë me përkushtim, ashtu siç ka dhe të korruptuar, që vijnë nga interesat e organizatave kriminale.
Gomorrist nuk lind, por bëhesh. Të hysh në një organizatë kriminale është një zgjedhje borgjeze, por ndodh jo rrallë edhe nga varfëria. Kur bëhesh pjesë e krimit, di të rritesh, por edhe të vdesësh. Një fëmijë, në një burg, i shkruan një prifti: “Dua të vdes, por ashtu siç vdes një burrë i madh me rëndësi. Dua të më vrasin!” Nëse nuk të vrasin, nuk ke asnjë vlerë. Në këto klane s’mungonin as gratë. Shndërrimet e botës kapitaliste, gjatë viteve të fundit, kanë sjellë dhe metamorfozën e rolit femëror, edhe në këtë sferë me rrezikshmëri të madhe. Gruaja, nga asistente, është kthyer në protagoniste drejtimi, duke marrë përsipër veprimtarinë financiare dhe duke deleguar anën ushtarake të trafiqeve të paligjshme. Një figurë historike, në krye të “Gomorra”-s është Ana Mazz. Ajo ishte një nga gratë e para në Itali, që u dënua për bashkëpunim mafioz, si drejtuese e një grupi ekonomik kriminal të fuqishëm. Kjo quhej “Vejusha e Zezë”. Sistemi gomorrist vazhdon të marrë gjithnjë e më shumë tipare femërore. Por edhe viktimat e shtypura nga zinxhirët e tankut janë femra, si Annalisa Duran, 14-vjeçarja, që u vra barbarisht. Ajo u bë simbol i fundit tragjik të një vajze të njomë, i një gonxheje, që u vyshk pa çelur mirë, nga era mbytëse e drogës.
KALLASHNIKOVI
Një nga kapitujt më të bukur të këtij libri është “Kallashnikovi”. Tepër ekspresiv është kontrasti, që krijon autori, midis Mihal Kallashnikovit dhe pjellës së tij, armës me të njëjëtn emër. Ajo është një armë e fuqishme, që edhe majmunin e shndërron në luftëtar. Kur sheh portretin e Mihal Kallashnikovit, mendja të shkon te Alfred Nobel, që shpiku dinamitin. “Unë shpika një automatik-thotë Kallashnikovi. -Se si e përdorin të tjerët, s’ka rëndësi për mua”. Kallashnikovi jo vetëm mbron koka njerëzish, por edhe i shfaros ato. Kallashnikovi, ka vrarë më shumë se bomba atomike e Hiroshimës dhe Nagasakit, më shumë se virusi HIV, më shumë se mortaja, më shumë se malarja, më shumë se gjithë atentatet e fundamentalistëve islamikë, më shumë se tërmetet që kanë trazuar koren e tokës. Kallashnikovi është kthyer në “ikonë” e së keqes dhe e gjithë klaneve të mbarë globit. Por kjo armë është bërë dhe burim fitimi përrallor për klanet mafioze. Nuk ekziston perandori ekonomike, që të ketë lindur në jug të Italisë, thekson R. Saviano, që të mos ketë kaluar nëpër ndërtime, prokurime, gurore, çimento, ilaçe, tulla, skela etj. Ishin ndërtuesit e pallateve, ata që tërhoqën për flokësh dhe nxorën në dritë Italinë e groposur nga kriza. Por frytet e saj i korrën bankierët e mafiozët, si Sindona.
PLEHRA QË KTHEHEN NË FLORI
Vendin, ku helmet dhe plehrat kthehen në flori, Roberto Saviano e quan “Toka e zjarreve”. Është një tokë e tmerrshme, që lëngon nga sëmundja e trafikimit të maleve me mbetje. Ishin klanet gomorriste, ato, që u bënë lider kontinentalë për asgjësimin e plehrave dhe mbetjeve toksike. Stakeholder-at ishin krerët e klanistëve, që plehrat i kthenin në burime marramendëse fitimi. Për 30 vjet me radhë ata kanë arritur të grumbullojnë gjithçka, ta tresin çdo gjë. Një nga trafikantët e këtij klani, në një telefonatë, thotë: “Sapo i prekim plehrat, i kthejmë në flori”. Aq të mëdha janë malet me plehra dhe mbetjet toksike, të grumbulluara deri më sot në Itali, saqë, për t’i asgjësuar do të duhen 56 vjet. Ja si e përshkruan autori atë tokë, që digjet nën këmbët e njerëzve: “Është një territor, në zonën e Napolit, që quhet “Toka e zjarreve”, ku gjenden 30 pika të grumbullimit të plehrave dhe 27 me mbetje të rrezikshme.
Në vend që të përpunohen, ato digjen nga djemtë romë, kundrejt një pagese qesharake. Tymi i zi dhe zjarri i ndotur me dyoksid, djeg e helmon çdo pëllëmbë toke. Bujqësia e këtyre anëve, tregon Savjano, shkrumbohet nga dyoksidi. Vdekjet e njerëzve nga helmet dhe tumoret shtohen çdo ditë. Një masakër e vërtetë dhe një vdekje e ngadaltë, e vështirë për t’u monitoruar. Por fitimi nga “Toka e zjarreve”, s’mbaron me kaq. Ato shiten për troje banimi. Sa më shumë të shtohet fitimi, aq më shumë zgjerohet mortaja vrastare dhe helmuese e këtyre tokave mbi jetën e njerëzve të pafajshëm.
MAFJA SHQIPTARE
Në këtë libër, Roberto Saviano shkruan edhe për mafien shqiptare. Sipas tij, ajo është më e panjohura, por më mizorja në botë. “Klani i Kazalezëve” është i pari, që ka hapur dyert e një të huaji. Dhe të huajt e parë kanë qenë shqiptarët. Respektohen shumë kapot e maleve, që zbatojnë Kanunin. Kazalezët, një shqiptari i besuan të drejtojë një territor të tërë, gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Shqiptarët, që kryejnë krime në Itali, thekson autori, jetojnë qetësisht në Shqipëri, sepse korruptojnë gjykatësit shqiptarë. Veprimtarinë e saj mafia shqiptare e ka filluar me prostitucionin. Ndërsa sot e ka shtrirë veprimtarinë në të gjitha fushat e mafies më të sofistikuar. Veprimtaria e saj zë fill që në vitet ‘70-të, në kohën e diktaturës.
Drejtues komunistë paguheshin nga organizatat kriminale të botës. “Gomorra” synon që nëpërmjet mafies shqiptare, të futur në çdo qelizë të shoqërisë së brishtë, Shqipërinë dhe Kosovën kërkon t’i kthejnë në një Kolumbi të re, duke u dhënë atyre monopolin e kokainës. Ndërsa shteti, në vend që të neutralizonte kapot e mafies, prangos, si për ironi, pleq dhe plaka 80-vjeçare, për t’u përligjur e mburrur se, gjoja, po bënte çudira! Ndërsa mafia e vërtetë dhe krerët e saj, shëtisin e veprojnë të lirë. Hyjnë e dalin, sikur të jenë pjesë e ligjëruar e shtetit.
TË RESHTIM SË QENI “GOMORRË”
Ja, si u drejtohet Savjano gomorristëve, që e detyruan të bënte jetë të mbyllur e të bindur: “Bastardë të mallkuar, jam ende gjallë!” Dhe më poshtë vazhdon: “Kam lindur në tokë gomorre, në vendin me më shumë të vdekur e të vrarë në Europë, në vendin ku asgjë nuk ka vlerë, nëse nuk pjell pushtet, në vendin ku gjithçka duhet ta fitosh duke shkulur mishin nga kockat. Të ngrihesh kundër klaneve, kthehet në një luftë për mbijetesë si kundërekzistenca, ushqimi që ha, buzët që puth, muzika që dëgjon”. Duke dashur të shprehë gjendjen shpirtërore të tij, në gjirin e mafies, ai shkruan: “Kisha dëshirë të ulërija, doja të bërtisja, doja të shqyeja mushkëritë, duke çarë trakenë, me gjithë zërin, që fyti mund të shfrynte”. Dhe, si Dankua, me zemër në dorë, ju drejtohet jo vetëm mafiozëve, por gjithë njerëzimit me mesazhet: “Ka ardhur koha që të rreshtim së qeni “Gomorrë” (simbol i shkatërrimit).
Bëni dhjetëra vjet burg për të arritur një pushtet vdekjeje, fitoni male parash, që do t’i investoni në shtëpi që nuk do t’i banoni, në banka, ku nuk do të hyni kurrë, në restorante, që nuk do t’i administroni, në ndërmarrje që nuk do t’i drejtoni. Komandoni një pushtet vdekjeje, ndërtoni një jetë të fshehur nën tokë, të rrethuar nga roje personale. Vrisni dhe vriteni si në ndonjë lojë shahu, mbret i së cilës nuk jeni ju, por ata që prej jush bëhen të pasur, duke u bërë të hani njëri-tjetrin, deri sa askush nuk do të mund të bëjë shahmat dhe do të mbetet vetëm një gur në fushën e shahut. Atë që e përpini këtu, e pështyni gjetkë, si zogjtë nëna, që vjedhin ushqimin nga goja e zogjve të tyre të vegjël. Nuk janë zogjtë tuaj ata, që mëkoni, por huta. Edhe ju nuk jeni zogjtë-nëna, por buaj, gati të shkatërroheni në një mjedis, ku gjaku dhe pushteti janë kusht për fitore.”(fq.257)
/Gazeta Panorama