Sfi da më e madhe sot e çdo shqiptari është ëndrra e përbashkët për ta parë shqiptarinë, kudo ku ajo është, të kthyer me sytë andej nga perëndon. Sepse ne shqiptarët të gjithë, lindim andej nga perëndon. Natyralisht, pa asnjë shtirje apo sforcim. Ne shqiptarët e kemi Perëndimin si pjesë bazike të Kushtetutës sonë shpirtërore. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Çamëria, Prishtina, Tirana, Kukësi, Vlora, Tuzi, Kumanova apo Tetova. Të gjithë jemi një. Dhe ëndrra ime është që të gjithë të ëndërrojmë njëlloj.
Mbi të gjitha e kam këtë ëndërr si shqiptar që mbart mbi shpinë peshën e një dhimbjeje të madhe, e cila ka dekada që rëndon mbi shpatullat e të gjithë popullatës çame. Për shkak të përkatësisë sonë kombëtare, për shkak se jemi shqiptarë, neve çamëve na masakruan dhe përzunë nga vatrat dhe pronat tona. Na vranë të afërmit, na dogjën shtëpitë, na shkatërruan pronat e na detyruan të largohemi nga vendi ynë, nga vatrat tona të kahershme. Ne çamët në Greqi nuk ishim as të huaj, e as të mikpritur.
Ne ishim në shtëpitë tona, në tokat tona. Por një vullnet shtazarak politik në Greqinë e asokohe, armatosi mendjet e sëmura dhe njerëzit e pandërgjegjshëm dhe me Napoleon Zervën në krye, ushtruan një gjenocid mizor, të pastër e të qartë kundër popullatës çame në vitin 1944.
Ne nuk ishim as fashistë, as bashkëpunëtorë të askujt që vriste njerëz e shkatërronte shtëpi e prona. Ne ishim si çdo qytetar në botën e asaj kohe, njerëz që përjetonin tmerret e Luftës së Dytë Botërore, që as kishte nisur për shkakun tonë e as vazhdonte për shkakun tonë. Të tjerë e nisën, e zhvilluan dhe e bitisën Luftën e Dytë Botërore. Popullatat e përfshira në këtë luftë, nuk kishin asnjë përgjegjësi, për asgjë që po ndodhte përreth tyre. Popullatat ishin vetëm viktima të marrëzisë njerëzore që e kishte çuar botën në zjarr, hekur e gjak.
Ne çamët e Greqisë, ishim viktima të Luftës së Dytë Botërore dhe befas u bëmë edhe theror i mendjeve të çartura që donin ta shfrytëzonin këtë luftë për të larë hesape të vjetra historike.
Masakra e bandave të Napoleon Zervës dhe me urdhër e frymëzim politik nga qeveria e Greqisë, që u krye ndaj popullatës çame, ishte një përmbyllje e pabesë e Luftës së Dytë Botërore, sepse dhimbjet e luftës i fashoi me makabritetin e gjenocidit. Asnjë faj, asnjë grimë përgjegjësie, asnjë shkas nuk kishte askush për të masakruar barbarisht gra e fëmijë, të moshuar e të rinj, të gjithë të pafajshëm.
Ndaj ajo dhimbje nuk është e lehtë të shërohet nga koha që shkon. Dhimbja që mbart sot popullata çame ka nevojë për drejtësi që të gjejë paqe e lehtësim.
Dhimbja nuk shërohet me harresë. Sepse ne çamët e kemi amanet që çdo fëmije që lind t’i tregojmë historinë tonë, t’i tregojmë për dhimbjen tonë, t’i tregojmë për pronat e shtëpitë tona që kemi aty në Greqi. Koha që shkon e ka të pamundur të mbjellë harresën, sepse fëmijët që lindin sjellin kujtesën.
Ja kështu jemi rritur ne çamët. Me këtë ëndërr për drejtësi. Jemi fëmijë të kujtesës ne çamët. Jemi qytetarë të mirë që kujtesën nuk e ndërtojmë për hakmarrje, as për shpagim. Kujtesën ne e frymëzojmë me dashurinë për paqen, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor. Nuk ka ëndrra të shëmtuara me urrejtje, hakmarrje, konfliktualitet, zemëratë, – një popullatë fisnike që dhimbjen e ka ushqyer me shpresë e mirësi.
Nuk ka arsye që ndokush në politikën shqiptare këtu në Shqipëri apo edhe në politikën dhe institucionet e Greqisë, të shohë te popullata çame një ngasje konflikti. Përkundrazi, popullata çame është urë paqeje dhe fqinjësie të mirë me dinjitet dhe reciprocitet.
Askush, asnjëherë, për asnjë shkak, arsye apo motiv, nga përfaqësuesit politikë dhe civilë të popullatës çame, nuk ka kërkuar ndonjëherë ndryshime kufijsh shtetërorë. Ne çamët nuk kërkojmë që kufiri i shtëpive tona të bëhet kufiri i shteteve. Ne çamët jemi lindur, mëkuar e rritur me dashuri e fisnikëri dhe me vlerat më të mira perëndimore për ta parë gjithnjë bashkëjetesën si një çështje që nuk kufizohet te pragu i shtëpisë dhe pronës. Mendësia primitive ballkanike ka sjellë që të mbërrijmë në shtete e qeverisje që e shohin shtetin si shtëpi dhe pronë private. Ne shqiptarët, ne çamët, nuk i shohim shtetet si shtëpi e prona private. Shtetet janë bashkësia jonë, janë fuqia jonë e përbashkët, përtej pronësive e shtëpive private. Kështu që, askush të mos trembet nga tapitë tona që tregojnë kufijtë e tokave dhe pronave tona. Nuk janë tapi kufijsh shtetërorë, por tapi qytetarësh që duan pronën e tyre e që duan dhe e nderojnë çdo institucion shtetëror të cilitdo shtet.
Ne kërkojmë që prona të shkojë te i zoti, siç e kërkon çdo konventë ndërkombëtare, çdo ligj e Kushtetutë demokratike dhe perëndimore. Prona jonë, tapitë tona, nuk janë rivendikim kufijsh shtetërorë. Ne kërkojmë të drejtën tonë private si qytetarë. E duke qenë se kjo e drejtë private si qytetarë na është mohuar politikisht, me vullnet dhe vendimmarrje politike, ne kërkojmë që edhe zgjidhja të vijë si fryt i një bashkëpunimi e negociate politike.
Ne çamët jemi properëndimorë, pro europianë, pro të drejtave dhe lirive të njeriut, pro dinjitetit njerëzor, pro fqinjësisë së mirë me Greqinë.
Ëndrra ime është që edhe Greqia të mos na shohë edhe sot e kësaj dite si “njerëzit e gabuar” që nuk duhej të kishin ekzistuar fare. Sepse kështu na panë në vitin 1944 dhe na sollën gjenocidin.
Kështu po na shohin edhe sot, e po përpiqen të na ‘shfarosin’ me harresë, shpërfillje dhe mohim.
Greqia është vend anëtar në BE. Herët a vonë, Greqia duhet të bëhet Europë dhe ta pranojë që ne çamët ekzistojmë, jemi gjallë, të fortë, energjikë, me tapitë dhe dokumentacionin e plotë të pronave dhe shtëpive tona dhe me të gjithë frymëzimin për ta kërkuar pareshtur të drejtën tonë.
Nuk po kërkojmë drejtësi nëpërmjet padrejtësisë. Nuk po kërkojmë as ndryshim kufijsh.
Po kërkojmë vetëm që Greqia të bëhet Europë, e ta pranojë ekzistencën tonë. Ne çamët jemi Europë sepse ne jemi fisnikë. Ne nuk kërkojmë as luftë e as konflikt. Kërkojmë dinjitet, drejtësi dhe pronat tona.
Unë jam çam dhe kam një ëndërr. Ëndrra ime është që Greqia të bëhet Europë njëlloj si ne shqiptarët. Sepse vetëm kur edhe Greqia të bëhet Europë, do të kemi dinjitet për çdo qytetar, prona që shkojnë tek i zoti dhe fqinjësi të mirë. Ja, kjo është ëndrra ime! E thjeshtë, e dlirë dhe qytetare.
Jam çam, jam qytetar aktiv në Shoqatën Çamëria dhe beteja e sfida ime qytetare dhe politike është që Shqipëria të anëtarësohet sa më parë në BE. Por e di që anëtarësimi në BE nuk të bën domosdoshmërisht Europë. Greqia është shembulli më i mirë që, ndonëse është vend anëtar në BE, ka ende vullnete e mendësi politike që mendojnë se disa njerëz si ne çamët, do të ishte më mirë të mos ekzistonim fare. Madje, ekzistence tonë, ka vullnete dhe mendësi politike në Greqi që konsiderojnë provokim.
Vetë zgjedhja e z.Shpëtim Idrizi në detyrën e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, u konsiderua si provokim nga Ministria e Jashtme e Greqisë, vetëm e vetëm pse ai është çam.
Ëndrra ime është që mendësia dhe vullnetet politike në Greqi dhe Shqipëri të bëhen Perëndim dhe, si të tilla, të besojnë në vlerat njerëzore, ku çdo njeri që ngrohet nga ky diell e merr frymë në këtë botë, është i barabartë dhe meriton të trajtohet me dashuri e dinjitet. Atje në Greqi, nuk kanë pse të na urrejnë a mohojnë ende, thjesht pse ne jemi çamë e pse kemi prona legjitime e të ndershme.
*Ish-themelues dhe ish-kryetar i Shoqatës Çamëria
Rrofsh e qofsh o zoti Servet , gjith jeten ke qen nje cam I mir….