VOAL

VOAL

Ish-zv.ministrja e Ramës: Vendi s’ka patur kurrë udhëheqës. Ja pse duhet të refuzojmë votimet pa zgjedhje

June 1, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Sami 6 years ago Reply

    Fjal me vend

Komentet

Binomi, ekonomi – plakje/ Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin e 2 milionë banorëve përpara vitit 2035

Shqipëria hyri në vitin 2025 me një popullsi më të plakur dhe emigracion që thellohet më tej. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane u rrit me 0,8 vjet brenda 1 viti duke arritur në 44,3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arritën në rreth -29 mijë persona. Popullsia ra në 11 qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shkodra pësoi tkurrjen më të madhe. Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorëve përpara vitit 2035. Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, përllogarisin institucionet ndërkombëtare

Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorë përpara vitit 2035.

Të dhënat e reja zyrtare mbi popullsinë treguan se më 1 janar 2025, në vend jetojnë 2,36 milionë banorë, me rënie 1.8% nga Censi i vitit 2023.

Tkurrja me më shumë se 27 – 30 mijë banorë në vit, e përqendruar kryesisht te moshat e reja, rrezikon ta çojë treguesin e popullsisë përtej çdo skenari dhe gjithashtu i bën edhe më të vështira zgjidhjet.

Në vitin 2024, migracioni neto negativ u dyfishua krahasuar me një vit më parë me – 28,8 mijë persona nga -13,761 persona në vitin 2023.

Ky ritëm i largimit ka ndikuar jo vetëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë, por edhe në strukturën e saj demografike, pasi largohen më së shumti të rinjtë dhe familjet e reja.

Paralelisht me emigracionin, Shqipëria ka hyrë në një cikël të gjatë me lindshmëri shumë të ulët në 1.3 lindje për grua.

Kjo reflektohet në ulje të lehtë të raportit të varësisë së të rinjve, nga 23.9% në 2024, në 23.8% në 2025 dhe plakje e përshpejtuar e popullsisë, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve është rritur me 2.2 pikë përqindje ndërmjet 2023 dhe 2025. Shqipëria ka tani një nga popullsitë më të vjetra në Ballkan dhe Europë.

Mosha mediane e BE në janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri 44.3 vjeç, sipas të dhënave të fundit.

Pasojat kanë nisur të ndihen. Vendi ka më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës, ka më shumë të moshuar që dalin në pension.

Shkollat në zona të tëra rrezikojnë mbylljen për mungesë nxënësish dhe administrata dhe tregu i punës vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore.

Demografët dhe ekspertët e ekonomisë mendojnë se pa ndërhyrje të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të mbahet në funksion ekonomia, pensionet dhe kujdesi shëndetësor.

Për ekspertin Ilir Gëdeshi, i cili prej vitesh merret me zhvillimet demografike të vendit, duhen politika urgjente që të frenojnë emigracionin dhe të tjera që nxisin natalitetin në vend.

Lindjet nën kufirin 2,1 për grua bëjnë që çdo brez i ri të jetë 40% më i vogël se ai që del në pension, duke e vënë vendin përballë sfidës së ekzistencës në këtë shekull.

Binomi, ekonomi – plakje

Përqendrimi i emigracionit në moshat e reja ul drejtpërdrejt produktivitetin potencial sepse po largohet kapitali njerëzor me arsim dhe gjuhë të huaja, ndërsa rrit barrën e pensioneve për rezidentët që mbeten.

Jetëgjatësia më e lartë 80,9 vjeç për gratë dhe 75,3 vjeç për burrat ushtron më shumë presion mbi shpenzimet për pensione e shëndetësi, teksa vendi ynë edhe tani ka shpenzime publike për banorë sa 34% të mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, ritmi mesatar i rritjes ekonomike 2015 – 2024 është rreth 3.5% në vit, nuk është i mjaftueshëm për të ngushtuar hendekun me BE-në.

Struktura e ekonomisë dominohet nga sektorë me produktivitet të ulët si bujqësi fasoneri, ndërtim dhe turizëm sezonal. Financat publike dhe tregu i punës tashmë janë nën presion.

Për çdo vit varësia e të moshuarve ndaj forcës së punës rritet me 1 pikë për qind në vit dhe skema e pensioneve kërkon financime shtesë sa 0,2% të PBB-së në vit.

Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, – përllogarisin institucione të tilla si FMN-ja.

Për të zbutur efektet e plakjes, vendi ynë duhet të investojë te popullsia e mbetur sidomos në dixhitalizim, automatizim në agropërpunim, grante në kërkim dhe zhvillim dhe të krijojë një ambient të favorshëm për kthimin e diasporës.

Nëse nuk do të ketë ndryshime në treguesit aktualë demografikë deficiti i ISSH-së dyfishohet brenda dekadës.

Nëse nuk ndërhyhet tani për të rritur bazën tatimore, për të tërhequr kapital njerëzor dhe për të modernizuar sektorët kyç, hendeku midis moshës në rritje dhe mirëqenies ekonomike do të zgjerohet, duke i ekspozuar financat publike dhe rritjen afatgjatë ndaj rrezikut sistemik.

Shqipëria hyn në 2025 me një popullsi më të plakur, varësi më të lartë ekonomike dhe ende në humbje migratore. Këto zhvillime po ushtrojnë presion në tregun e punës, financave publike dhe modelit të rritjes ekonomike.

Emigrimi i përqendruar në moshat e reja po redukton popullsinë e re në moshë dhe rrit peshën relative të të moshuarve.

Sipas projeksioneve, Shqipëria do të arrijë një moshë mediane mbi 47 vjeç brenda dekadës, nëse nuk ndryshon trajektorja e lindjeve dhe e migracionit.

Rritja e varësisë së përgjithshme nënkupton se për çdo 100 persona në moshë pune, tani ka 57 persona fëmijë apo pensionistë.

Kjo thellon presionin mbi skemat e pensioneve dhe shpenzimet e shëndetësisë dhe përkeqëson raportin kontribut-përfitim./ Monitor

 

Shengen mbush 40 vjet

 

VOAL- Pikërisht dyzet vjet më parë, më 14 qershor 1985, pesë vende të Komunitetit Ekonomik Evropian të atëhershëm – Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – themeluan zonën Shengen. Me heqjen e kontrolleve sistematike në kufijtë e brendshëm, po merrte formë një Evropë më konkrete, me përfitime të prekshme për miliona qytetarë.

Megjithatë, sot marrëveshja po tregon shenja lodhjeje. Andrea Ostinelli, korrespondent nga Brukseli, foli për këtë në Radiogiornale.

Emri i komunës së vogël të Luksemburgut ku u nënshkrua marrëveshja është bërë, në gjuhën e zakonshme, sinonim i lëvizjes së lirë. Sot, zona Shengen përfshin 29 shtete, përfshirë Zvicrën – e cila donte të anëtarësohej pavarësisht se mbeti jashtë Bashkimit Evropian – dhe përfshin afërsisht 450 milionë njerëz. Çdo ditë, dy milionë qytetarë kalojnë lirisht kufijtë e saj të brendshëm, ndërsa shkëmbimet tregtare arritën një vlerë prej 4,100 miliardë eurosh në vitin 2024.

Shengeni përfaqëson një nga gurët themeltarë të integrimit evropian. Megjithatë, dyzet vjet pas lindjes së saj, zona po përballet me atë që disa e quajnë “krizë e moshës së mesme”. Së pari pandemia, dhe më pas mbinxehja e çështjes së migracionit, bëri që njëmbëdhjetë vende – përfshirë tre nënshkrueset fillestare: Franca, Gjermania dhe Holanda – të rivendosnin kontrollet e kufijve të brendshëm. Një masë që duhet të jetë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme, por që rrezikon të bëhet normë.RSI

Çmimet – Krahasimi tronditës: Produktet bazë në Shqipëri kushtojnë më shumë se në Europë

Një analizë krahasuese e çmimeve e zhvilluar nga “Monitor” në 52 produkte ushqimore, të kujdesit personal dhe produkteve për fëmijë në rrjetin e supermarketeve “Penny” në Gjermani me ato në Shqipëri nxjerr në pah disbalanca të forta. Të dhënat krahasuese treguan se çmimet në Gjermani janë mesatarisht 25.6% më të lira se në Shqipëri për 52 artikujt e përfshirë në tabelë (përjashtohen frutat dhe perimet e freskëta). Produktet për fëmijë dhe detergjentët shiten në marketet tona me çmime dyfish më të larta. Arsyet pas këtyre diferencave lidhen me nivelin e lartë të taksave për mallrat e shportës, sidomos TVSH, kostot e larta të transportit, logjistikës jo shumë të përshtatshme, spekulimeve dhe mungesës së konkurrencës

Nga Blerina Hoxha, MONITOR

Lona, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e vegjël, ka ardhur nga Gjermania te të afërmit në Shqipëri. Teksa shkoi në supermarket për të blerë produktet e nevojshme për vajzën e vogël 7 muajshe, ajo mbeti e habitur nga çmimet.

Qumështi pluhur që ajo në Baden, qytetin ku jeton, e blen 18.99 euro, nuk e gjeti më lirë se 2800 lekë. Panolinat që kushtojnë nga 5-8 euro, në Tiranë janë mbi 2 mijë lekë (mesatarisht 25 euro).

Vetëm me një blerje shpenzoi 10 mijë lekë (100 euro). “Në Baden, me këtë shumë do të kisha blerë shumë më tepër produkte, jo vetëm për fëmijë, por edhe për veten. Edhe çmimet e ushqimeve në supermarkete janë shumë të shtrenjta”, thotë ajo.

Lona dhe bashkëshorti po shqyrtonin mundësinë për t’u rikthyer në Shqipëri, por e shohin të pamundur jetesën me këto çmime. “Në Gjermani marrim 1200 euro kompensim në muaj për fëmijët, nga 600 për secilin deri sa ata të mbushin 18 vjeç”.

Shqetësimet për çmimet e larta kryesisht të artikujve industrialë në marketet shqiptare në krahasim me vendet e zhvilluara të rajonit dhe Europës janë rritur shumë, sidomos me inflacionin të lartë pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Një analizë krahasuese e çmimeve e zhvilluar nga “Monitor” në 52 produkte ushqimore, të kujdesit personal dhe produkteve për fëmijë në rrjetin e supermarketeve “Penny” në Gjermani me ato në Shqipëri nxjerr në pah një disbalancë të ndjeshme në koston e jetesës. Shumë artikuj kanë diferencë domethënëse në disfavor të konsumatorit shqiptar.

Për artikujt e pastrimit, detergjentët, shampot etj., dhe produktet për fëmijë u krahasuan çmimet në të njëjtën ditë në rrjetin e marketeve “Penny” në Gjermani dhe marketet e nivelit mesatar në Shqipëri, ndërsa për disa artikuj ushqimorë, duke përfshirë bulmetrat, u morën çmimet mesatare të INSTAT dhe u krahasuan me çmimet në marketet gjermane “Penny”.

Të dhënat krahasuese treguan se çmimet në Gjermani janë mesatarisht 25.6% më të lira se në Shqipëri për 52 artikujt e përfshirë në tabelë. (çmimet në Shqipëri u konvertuan në Euro me kursin zyrtar të BSH, 98.4 lekë).

Arsyet pas këtyre diferencave lidhen me nivelin e lartë të taksave për mallrat e shportës, sidomos TVSH-së, kostove të larta të transportit, logjistikës jo shumë të përshtatshme etj.

“Ne kemi norma të larta të taksave, sidomos TVSH-së për shportën e ushqimeve, teksa kostot e transportit janë mbi 100 euro për ton” tha Eleni Babameto, zotëruese e kompanisë “Teuta”, një nga importuesit kryesorë në vendin tonë.

Të dhënat tregojnë se pijet joalkoolike, produktet e pastrimit dhe kujdesit personal, bulmetrat, dhe produktet për fëmijë në Shqipëri janë shumë më të shtrenjta aktualisht se në Gjermani, me diferenca që kalojnë më shumë se 60%.

Pavarësisht se të ardhurat për frymë në Gjermani janë rreth 5 herë më të larta se në Shqipëri, shumë produkte jetike dhe të përdorimit të përditshëm rezultojnë më të shtrenjta në tregun tonë.

Këto diferenca tregojnë një barrë të lartë mbi konsumatorin shqiptar dhe nevojën për politika më të qarta dhe efikase në fushën e konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, tha se çmimet e larta të ushqimeve kanë rritur të ardhurat buxhetore. Këto të ardhura duhen të përdoren për të kompensuar me mbështetje financiare shtresat e varfra të vendit, tha ai.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që nuk aplikon lehtësi fiskale për shportën e ushqimeve dhe ndërkohë ka subvencione shumë më të ulëta për të nxitur prodhimin vendas me kosto më të lirë.

Çmimet e larta të ushqimeve janë një nga arsyet kryesore pse shqiptarët çojnë më shumë se 40% të të ardhurave mujore për blerjen e tyre, niveli më i lartë në Europë.

Ushqimet bazë, ku Shqipëria është më e shtrenjtë

Nga të dhënat rezulton se sheqeri është 39% më i shtrenjtë në Shqipëri, 0.97 euro për kilogram krahasuar me Gjermaninë, 0.70 euro për kg.

Edhe vaji i lulediellit ka një diferencë të ndjeshme, me 1.50 euro për litër në Gjermani kundrejt 1.99 euro në Shqipëri, me një diferencë 24%.

Ndërkohë, produktet si patatet, qepët dhe orizi kushtojnë ndjeshëm më lirë në Gjermani – deri në 40% më pak.

Produktet e mishit, Shqipëria më e lirë, por me diferenca të vogla

Produktet e mishit janë më të shtrenjta në Gjermani, siç është rasti i mishit të viçit, që ksuhton 12.29 euro për kilogram Shqipëri (çmimi mesatar INSTAT, janar 2025) ndaj 31.00 euro për kilogram në Gjermani, apo filetos së pulës (6.05 euro/kg në Shqipëri dhe 7.00 euro për kg në Gjermani).

Megjithatë, diferenca nuk është drastike dhe për disa produkte si kremviçet dhe peshku i freskët, diferenca arrin në mbi 3 euro/kg.

Bulmeti, Shqipëria me çmime më të larta

Çmimi i djathit të bardhë në Shqipëri është 9.62 euro/kg, kundrejt 13.00 euro në Gjermani, por kaçkavalli është më i lirë në Gjermani (9.90 euro) se sa në Shqipëri (12.43 euro).

Qumështi dhe kosi janë gjithashtu dukshëm më të lirë në tregun gjerman me 31 dhe 24% më pak.

Vezët kushtojnë afërsisht njësoj në të dyja vendet, ndërsa gjalpi është më i lirë me 6 euro/kg në Gjermani, një diferencë prej 55% nga tregu ynë.

Uji, pijet dhe alkooli – Gjermania më lirë, sidomos për ujin dhe birrën

Çmimi i ujit mineral në Shqipëri është 0.50 euro për litër, ndërsa në Gjermani, vetëm 0.20 euro. Edhe birra rezulton dukshëm më e lirë në Gjermani me 1.79 euro kundrejt 0.70 euro në Shqipëri për një shishe 0.5 litër.

Lëngjet e futave janë shumë më lirë në Gjermani me mbi 50%.

Artikujt e pastrimit dhe higjienës – Shqipëria shumë më e shtrenjtë

Kategoria me diferencën më ekstreme është ajo e detergjentëve dhe produkteve të kujdesit personal. Për shembull, një pako “Finish” me 42 tableta për larëse enësh kushton 16.16 euro në Shqipëri dhe vetëm 9.95 euro në Gjermani, një diferencë prej 6.21 euro apo 38% më shumë.

Edhe produktet e përditshme si “Cif”, “Mastro Lindo”, “Lenor”, apo pasta e dhëmbëve rezultojnë më të shtrenjta në Shqipëri, me diferenca që shkojnë deri në 54%.

Për shembull shampo “Head & Shoulders” shitet për 5.08 euro në Shqipëri dhe vetëm 1.79 euro në Gjermani, një diferencë prej 3.29 eurosh apo gati 65%. Gjithashtu një krem “Nivea” me të njëjtën sasi në Gjermani ishte 80% më lirë në të njëjtën ditë të krahasimit më 29 maj 2025.

Produkte për fëmijë – Shqipëria dyfish më shumë

Çmimi i pelenave “Pampers” për pesha 11-22 kilogramë me 22 copë për fëmijë rezulton 27.34 euro në Shqipëri dhe vetëm 8.70 euro në Gjermani ose 68% më lirë.

E njëjta tendencë vërehet edhe për produktet kozmetike për fëmijë, si kremrat apo shampot, ku diferencat variojnë nga 30% deri në 60% (shiko tabelën).

Ushqimet për fëmijë janë jashtëzakonisht më të shtrenjta. Për shembull produkti “Aptamil Organic 1 Bio 800 gr” kushton në tregun tonë rreth 28 mijë lekë (29 euro) ndërsa në të njëjtën ditë në supermarketin “Penny” në Gjermani kushtoi 18 euro.

Ndërkohë PBB për frymë në Shqipëri është rreth 8 mijë euro, ndërsa në Gjermani, rreth 53 mijë euro. Nga gjithsej 52 produkte të analizuara në tabelë, 42 prej tyre rezultojnë më të lira në Gjermani sesa në Shqipëri.

Nga analiza rezulton se vetëm 9 produkte janë më të shtrenjta në Gjermani sesa në Shqipëri.

TVSH e lartë për ushqimet

Në Shqipëri, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet ushqimore është 20%, një nga normat më të larta në Europë.

Në kontrast, vendet fqinje aplikojnë norma më të ulëta Maqedonia e Veriut 5%, Mali i Zi 7%, Kosova 8%, Serbia 10%, ndërsa mesatarja europiane për ushqimet është rreth 9%.

Kjo barrë fiskale e lartë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët shqiptarë.

Zonja Babameto tha se Shqipëria ka taksa të larta në përgjithësi më shumë se rajoni dhe TVSH të lartë për ushqimet, si një arsye e fortë për diferencat e larta. Niveli i lartë i TVSH-së ishte arsye për çmimet e larta edhe sipas përfaqësive të kompanisë tjetër të importeve të ushqimeve “Kosmonte Foods”.

Sipas të dhënave nga “Taxfoundation” dhe “Eurofast”, disa vende si Spanja dhe Portugalia kanë ulje të përkohshme deri në 0% për ushqimet bazë, për të përballuar inflacionin.

Vendet e Bashkimit Europian aplikojnë gjerësisht norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet, për të lehtësuar barrën fiskale mbi konsumatorët. Në Francë, për shembull, ndërsa norma standarde është 20%, TVSH për ushqime është vetëm 5.5%.

Gjermania aplikon një normë standarde prej 19%, por vetëm 7% për ushqimet. Po ashtu, Austria 10%, Belgjika 6%, Italia 4% dhe shumë vende të tjera ndjekin të njëjtin model favorizues për produktet bazë të konsumit.

Rast interesant është Suedia, me normë standarde të lartë 25%, por me vetëm 2.6% TVSH për ushqime, ndërsa Irlanda aplikon zero TVSH për produktet ushqimore.

Disa shtete, si Holanda dhe Luksemburgu, kanë zgjedhur norma të moderuara të reduktuara, përkatësisht 9% dhe 3%.

Ndryshe nga Bashkimi Europian, ku Shqipëria synon të anëtarësohet, vendi ynë dallohet për mungesën e një skeme që ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës, sidomos për shtresat më të ndjeshme të popullsisë.

Shqipëria është ndër të vetmet vende që nuk aplikon normë të reduktuar për ushqimet, duke ndikuar negativisht në fuqinë blerëse.

Në të shkuarën ka pasur shpesh propozime për vendosjen e një TVSH-je të reduktuar për produktet ushqimore bazë, por argumenti kryesor kundër ka qenë rënia e të ardhurave në buxhet dhe frika nga abuzimet në zinxhirin e furnizimit.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se një sistem me dy norma (standarde dhe e reduktuar) jo vetëm që është i zbatueshëm, por edhe i domosdoshëm për të garantuar drejtësi sociale dhe mbrojtje të konsumatorit.

Varësi e lartë nga importet

Çmimet e larta të ushqimeve në vendin tonë më së shumti diktohen nga baza e ulët e prodhimit dhe varësia nga importet. Në vitin 2024 importet e ushqimeve ishin 2.7 herë më të larta se eksportet.

Rënia e prodhimit në sektorin bujqësor në njërën anë dhe në tjetrën rritja e numrit të konsumatorëve nga turistët po rizgjojnë kanalet e importit të ushqimeve.

Në vitin 2024, importet e ushqimeve në sasi shënuan rritje me 13%, ndërsa në vlerë, me 6.6.%

Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se nga viti 2006 deri në 2024, Shqipëria ka shënuar rritje të dukshme të importeve të ushqimeve në vlerë monetare, ndërkohë që sasia në ton shënoi rritje më të moderuar.

Të dhënat tregojnë një tendencë të qartë drejt rritjes së kostos së importeve ushqimore, duke reflektuar ndryshime në çmime. Importet e ushqimeve në vendin tonë kanë pasur rritje të fortë, sidomos pas pandemisë.

Në vitin 2024, importet e ushqimeve arritën pikën më të lartë historike, mbi 1.300.000 tonë, duke treguar rritje të qartë pas stabilitetit shumëvjeçar.

Ndërkohë, vlera e importeve ushqimore shfaq një rritje të qëndrueshme që nga viti 2006, kur ishte nën 50 miliardë lekë.

Deri në vitin 2021, ajo arrin mbi 100 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2024 kapërcen kufirin e 160 miliardë lekëve, mbi 3.5 herë krahasuar me 2006.

Kjo ecuri tregon se, edhe pse vëllimi në sasi nuk ka ndjekur të njëjtin trend, shqiptarët paguajnë shumë më tepër për ushqimet që importohen, edhe pse forcimi i Lekut nuk e mbështet këtë fenomen.

Në tre vitet e fundit, Leku është forcuar me rreth 20% ndaj Euros, gjë që duhet të kishte ndikuar edhe në uljen e vlerës së importeve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vendi ynë po importon sasi të ngjashme, por me kosto gjithnjë e më të lartë.

Kostot e larta të transportit dhe logjistika, një tjetër arsye

“Çmimet e larta të ushqimeve në Shqipëri disfavorizohen nga kostot e larta të transportit dhe logjistika e përshtatshme. Kostot e transportit për 1 ton ushqime janë rreth 100 euro”, – tha zonja Babameto. Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në Europë.

Një litër naftë kushton 1.76 euro, dukshëm më i lartë se në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, ku çmimet e karburantit janë më të ulëta së paku 30%.

Në Bashkimit Europian, çmimet e naftës variojnë, por mesatarja është më e ulët se ajo në Shqipëri. Qeveria jonë aplikon taksa më të larta mbi karburantet, të cilat rrisin çmimin final për konsumatorin.

Shqipëria ka gjithashtu deficit në logjistikë. Nuk ka hekurudha funksionale. Tregu dominohet nga kompani të vogla transporti dhe ka kapacitete të dobëta magazinimi profesional.

Ekonomistët përllogarisin se kostot e transportit përbëjnë deri në 15–25% të çmimit final të disa produkteve ushqimore, sidomos të frutave, perimeve, mishit dhe produkteve të freskëta.

Treg i vogël dhe spekulim i lartë

Duke qenë një treg i vogël, shumë kategori produktesh importohen dhe shpërndahen nga pak kompani, çka krijon monopole ose oligopole që vendosin çmime të larta. Supermarketet e mëdha shpesh nuk kanë presion konkurrues të mjaftueshëm për t’i ulur çmimet.

Shqipëria importon rreth 80-90% të produkteve ushqimore të përpunuara, ndryshe nga vendet me bujqësi të zhvilluar. Kjo sjell kosto më të larta për shkak të transportit, taksave doganore etj.

Gjatë periudhave të krizës, si pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, është vërejtur një rritje e çmimeve të produkteve bazë në Shqipëri me ritme mbi 13% për ushqimet.

Fondi Monetar vërejti se në vendet e rajonit dhe sidomos në Shqipëri kishte elemente të spekulimit me çmimet e ushqimeve.

Në mungesë të mekanizmave efektivë të kontrollit dhe monitorimit nga autoritetet përkatëse, çmimet e larta mbahen në mënyrë spekulative.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024 janë importuar nga jashtë rreth 1,3 milionë kilogram ushqim me vlerë 156 miliardë lekë. Një kilogram nga grupi “ushqim, pije, duhan” kushtoi 120.8 lekë në vitin 2024 nga 129.8 lekë në vitin 2023, me rënie rreth 7%.

Në raport me vitin 2022, çmimi i një kilogrami ushqim dhe pije ka ranë mesatarisht me 17%.

Në anën tjetër, në vitin 2024, inflacioni i grupit ushqim, pije, duhan shënoi rritje me 2.7%. Importet janë përbërësi kryesor i inflacionit, pasi Shqipëria e ka të bazuar konsumin në import.

Mirëpo tregu vendas me pakicë nuk po tregohet elastik ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtar, duke mos përcjellë uljen e çmimeve dhe fitimet nga kursi i këmbimit.

Importuesit dhe distributorët e ushqimeve kanë pohuar, se po përballen me rritjen e kostove të brendshme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore që i ka detyruar të rrisin pagat.

Çmimet e larta të ushqimeve, marrin 40% të buxhetit të familjeve

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2023, një familje shqiptare me mesatarisht 3.7 anëtarë shpenzoi rreth 91,675 lekë në muaj, nga të cilat 36,349 lekë (39.6%) ishin për ushqime dhe pije joalkoolike.

Kjo përqindje është ndër më të lartat në Europë, duke reflektuar se shqiptarët çojnë gjysmën e të ardhurave të tyre për ushqim. Në BE familjet shpenzojnë rreth 13% të buxhetit për ushqime.

Shpenzimet e larta për ushqime gjithashtu lidhen me të ardhurat e ulëta. Shqipëria ka fuqi blerëse sa 34% e BE-së, ndërsa pagat janë rreth 30% më të ulëta se Rajoni.

Kur të ardhurat janë të ulëta, një pjesë më e madhe e tyre shkon për mallra bazë, si ushqimet, që janë të domosdoshme për mbijetesë. Në vendet me të ardhura më të larta, familjet kanë mundësi të shpenzojnë për argëtim, edukim, udhëtime etj., duke ulur përqindjen që zë ushqimi në totalin e shpenzimeve.

Shqipëria ka qenë ndër vendet me inflacion më të lartë për produktet ushqimore pas krizave globale (COVID-19, lufta në Ukrainë), duke rritur më tej peshën e tyre në buxhet.

Nga ana tjetër, ndihma ekonomike dhe mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta në raport me PBB kanë pësuar ulje vitet e fundit.

Në vitin 2024, fondet për shpenzimet për ndihmën ekonomike arritën vetëm 1,1% e PBB-së, dukshëm më pak se 1.6% në vitin 2014.

Rënia e vazhdueshme e shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në për shtresat në nevojë vjen në një kohë kur kostot e jetesës, të tilla si çmimet e ushqimeve, qirasë, transportit etj., janë rritur ndjeshëm, duke goditur më fort shtresat në nevojë.

Ndërkohë Shqipëria ka zyrtarisht 42% të popullsisë në rrezik të varfërisë.

ImageImage

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet nga Perandori i Japoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim zyrtar nga Perandori i Japonisë, një ngjarje që shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Në një postim në Facebook, Osmani theksoi rëndësinë e këtij takimi duke e cilësuar atë si një nder të veçantë. Ajo theksoi se lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi baza të forta të respektit, besimit dhe vlerave të përbashkëta.

“Miqësia e thellë me Japoninë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy shteteve tona janë dëshmi e një partneriteti që është zhvilluar ndër vite mbi baza të qëndrueshme dhe vlera të përbashkëta,” shkroi Presidentja Osmani.

Ajo shtoi gjithashtu se populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ka ofruar ndër vite në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe stabilitetit.

Takimi me Perandorin konsiderohet një simbolikë e rëndësishme për marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë, të cilat kanë njohur përparim të qëndrueshëm që nga vendosja e tyre zyrtare.

Popullsia e Shqipërisë vijon tkurrjen, INSTAT: Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë, faktorët kryesorë

Institut i Statistikave raporton për një tkurrje të popullsisë nga 1 Janari 2025.

Sipas INSTAT, popullsia shqiptare më 1 Janar 2025 rezultoi 2.36 milionë banorë duke pësuar rënie me 1.2% krahasuar me Janarin 2024. Rënia e popullsisë ka ardhur si rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë, së pari nga emigracioni dhe së dyti nga rënia e lindjeve.

Një tjetër tregues shqetësues gjithashtu është plakja e popullsisë. Mosha mediane është rritur nga 43,5 vjeç në 2024 në 44,3 vjeç në fillim të 2025, duke reflektuar uljen e lindshmërisë dhe emigrimin e të rinjve.

Instat2
Instat2

Kjo e ka çuar edhe raportin e varësisë së të moshuarve në 33,3%, në rritje nga 31,1% një vit më parë. Tirana është i vetmi qark me rritje të popullsisë, ndërsa Shkodra, Kukësi regjistrojnë rëniet më të mëdha. bw

 

Kosova e shënon 26-vjetorin e Çlirimit

Shqiptarë etnikë festojnë para një tanku britanik të NATO-s, tytën e të cilit e kanë zbukuruar me lule, ndërsa trupat e para të NATO-s vendosen në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, më 13 qershor 1999.

Radio Evropa e Lirë

Kosova e shënoi të enjten 26-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999 pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë, 26 vjet më parë, “mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, shkroi Osmani në Facebook.

Ambasada amerikane në Prishtinë shkroi në X se në këtë përvjetor, “ne nderojmë qëndresën e popullit të Kosovës dhe përkushtimin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe mirëqenie”.

“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. Data 12 qershor 1999 ishte pikë kthese – një moment që ua mundësoi familjeve të zhvendosura të kthehen dhe komuniteteve të fillojnë rindërtimin”, shkroi Ambasada amerikane.

Ambasada gjermane në Prishtinë, tha se vendosja e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, qershorin e ’99, solli stabilitet dhe siguri në Kosovë.

“Siç u shpreh Lord Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes i Britanisë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:
‘Qëllimi ishte: forcat e Millosheviqit jashtë, NATO brenda dhe refugjatët të kthehen’. Misioni u përmbush”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.

Ajo tha se Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke e mbështetur në rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë.

“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është shndërruar në një histori suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare”, tha ajo.

Të enjten u bënë 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë

Më 12 qershor bëhen 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Njëzetegjashtë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.

 

 

INSTAT: Paga mesatare zbret në 82 mijë lekë për periudhën janar-mars 2025. Renditja sipas profesioneve

Paga mesatare në ekonomi ishte 82.2 mijë lekë në tremujorin e parë të vitit, me rënie të lehtë në krahasim me fundin e 2024-s kur arriti rekordin e 83.4 mijë lekëve.

Kjo tendencë rënëse në tremujorin e parë është sezonale, teksa në fund të vitit pagat janë gjithnjë e më të larta si rrjedhojë e shpërblimeve të fundvitit.

Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pagat vijojnë rritjen dyshifrore.

Sipas INSTAT gjatë tremujorit të parë 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 82.210 lekë, me një rritje prej 11,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2024.

Pagat sipas aktiviteteve ekonomike dhe profesioneve

Aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare:
o Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit

o Informacioni dhe komunikacioni

Rritja më e madhe e pagës, krahasuar me tremujorin I 2024:
o Administrata publike, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale: +16,7%

Rritja më e vogël, krahasuar me tremujorin I 2024:
o Industria: +5,2%

Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare:
o Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë

o Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)

Rritja më e madhe e pagës, krahasuar me tremujorin I 2024:
o Forcat e armatosura dhe Specialistë me arsim të lartë përkatësisht prej 23,1% dhe 13,7%

Rritja më e vogël, krahasuar me tremujorin I 2024:
o Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit: +5,3%

Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe është vërejtur ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një rritje e numrit të punonjësve me paga më të larta./Monitor

 

Statistikat – Ines Nurja: Shqipëria në gjendje alarmi nga shpopullimi, mbi 50% e popullsisë janë mbi…

Staticienia Ines Nurja u shpreh se vendi ynë po plaket me ritme shumë të shpejta. Sipas Nurjas, ajo që i përmirëson deri diku statistikat është Tirana, sepse po të heqim kryeqytetin, 50% e popullsisë në Shqipëri i bie të jenë mbi 50 vjeç.

“Shqipëria është duke u plakur me ritme shumë të shpejta. Largimet më të mëdha janë të moshës 20-39 vjeç, që përbën 54% të popullsisë së larguar. Dhe këto statistika janë në të gjithë Shqipërisë, sepse po të heqim Tiranën, gjendja është shumë më alarmante.

Tirana e rregullon pak piramidën e popullsisë, e bën më të pranueshme deri diku. Në qarqet e tjera mbi 50% e popullsisë janë mbi 50 vjeç. Kjo tregon se ne jemi duke u plakur, madje me ritme shumë të shpejta. Kjo vjen si nga ana emigracionit, ashtu edhe nga lindshmëria, që janë dy faktorët kryesorë që kanë sjellë në këtë rënie” tha Nurja e ftuar në emisionin Log në News24.

Ndëron jetë Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim

Radio Evropa e Lirë

Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim dhe politikan i rëndësishëm i vendit, ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare.

Raportohet se ai vuante nga një sëmundje e rëndë e paspecifikuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lajmin për vdekjen e Bukoshit e “mora me dhimbje të thellë” dhe e përshkroi Bukoshin si një “mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq”.

“Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Osmani, sipas një komunikate të Presidencës.

Bukoshi, mjek, urolog, profesor i universitetit, ishte kryeministër i Kosovës në mërgim nga viti 1991 deri në vitin 1999.

Ai ishte pjesëmarrës aktiv i lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës.

Bukoshi ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pas pavarësimit të vendit mbajti disa poste politike, si deputet i Kuvendit të Kosovës, ministër i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër.

Bukoshi – i lindur në Suharekë në vitin 1947 – e mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Beograd më 1971, ndërsa tezën e doktoratës e mbaroi në vitin 1985, në Fakultetin e Mjekësisë në Berlin.

Gjatë karrierës së tij ai punoi edhe si mjek dhe profesor universitar në Prishtinë.

Bukoshi ka lënë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, vajzat Ora, Shota, Nita dhe nipërit Dardan dhe Taulant.

Kurti takon kryetarët e Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut: Shpreha mbështetjen për të punuar bashkë dhe jetësuar sa më shumë projekte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte sot në Mitrovicë, në jug dhe në veri. Ndalja e tij në jug, te kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, mori vëmendje.

Zyra e Kryeministrit njoftoi për takimet. Në atë me Hamzën, tha se Kurti foli me kandidatin e PDK-së për kryeministër për bashkëpunim ndërmjet nivelit qendror dhe atij komunal.

Në Mitrovicën e Veriut, zyra e Kryeministrit tha se nga kryetari i Komunës, Erden Atiq, u njoftua për punën e deritanishme dhe realizimin e projekteve që sjellin zhvillim ekonomik dhe shërbime efikase në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Në Mitrovicë të veriut dhe të jugut, me kryetarët Erden Atiq dhe Bedri Hamza, biseduam për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta.
Këto dy komuna janë më pranë njëra-tjetrës se kurrë më parë, duke punuar tashmë për të fuqizuar gjithëpërfshirjen dhe mirëqenien qytetare.

Shpreha mbështetjen për të punuar bashkë dhe jetësuar sa më shumë projekte e nisma në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Vizita e sotme rastisi dhe në ditëlindjen e kryetarit Erden Atiq, të cilit i uruam jetë të gjatë, shëndet të plotë e shërbim me integritet të lartë” – shkruan Kurti në postimin e tij në rrjetet sociale. bw

“Ukraina në NATO është e konfirmuar”, Rutte në Londër: Rruga drejt anëtarësimit, e pakthyeshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte është shprehur se rruga drejt anëtarësimit në NATO të Ukrainës është një proces i pakthyeshëm dhe i konfirmuar.

Gjatë takimit të sotëm në Chatham House në Londër, Rutte tha se ky angazhim do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas samitit të Hagës, “prania ose mungesa e tij e mundshme në përfundimet përfundimtare nuk është relevante”.

“Qëllimi im, shtoi më tej Rutte, është që samiti të ketë përfundime koncize.

“Nuk është e nevojshme të përsëritet çdo fjali ose angazhim që është shprehur tashmë, që ato të mbeten të vlefshme”, tha kreu i NATO-s, duke theksuar se samiti do të përqendrohet në shpenzimet dhe prodhimin ushtarak.

Sipas tij, Kievi do të përmendet në deklaratë, por mos prisni që çdo paragraf të përsërisë atë që është thënë tashmë”, shtoi ai.bw

 

Rutte: “NATO duhet të rrisë mbrojtjen ajrore me 400%”


Send this to a friend