Valeria DedajAjo është e para pianiste durrsake që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në vitin 1983. Loja e saj interpretative do ta veçonte nga studentët e tjerë. Qysh atëherë ka pasur mundësi që të shoqërohet nga Orkestra e RTSH-së dhe koncertet e saj të regjistrohen. Bëhet fjalë për pianisten Irma Picari. Në një intervistë për “Shekulli”-n tregon për lidhjen e saj me pianon, por dhe me veprat shqiptare, të cilat ka dëshirë që t’i regjistrojë në një CD. Takimi i saj pas 25 vjetësh me publikun shqiptar, për të ishte një emocion i veçantë. E ftuar në festivalin“Pianodrom”, në vendin e saj, ku në të njëjtën kohë “ndihet” edhe e huaj, interpretimi i saj në skenën ku ka hedhur hapat e parë artistikë, për të kishte dhe një kosto financiare, një faturë të cilën e shleu pas provave gjenerale (dje), ndryshe salla e UA-së do të mbyllej për këtë artiste që ka 25 vjet që pret me padurim një ftesë nga vendi i saj. Një artiste që meriton më shumë trajtim, dje interpretoi në sallën e UA-së, një realitet miks zhanresh klasikë, xhaz, bashkëkohorë etj. Rreth një orë e dhjetë minuara u krijua një atmosferë shumë e këndshme, nga “
The Köln concert”, regjistruar nga pianisti
Keith Jarrett, repertor që në skenën tonë vihej për herë të parë.Zonja Picari, sapo përfundove provat gjenerale dhe pak orë të ndajnë nga premierës. Si ndiheni?
Si ndihem? Kjo është një pyetje e vështirë. Ka shumë për të thënë dhe më mirë të heshtë. Por jam e emocionuar, sepse kam mbaruar studimet në Akademinë e Arteve (UA sot) në vitin 1983 dhe kam qenë një ndër studentet më të mira. Nëpër konkurset që janë bërë kam fituar përherë çmimet e para dhe kam mbrojtur diplomën me orkestrën e RTSH-së, me koncertin e Çajkovskit, kështu që kur më bëhet kjo pyetje them: Do të dëshiroja që të isha aty ku e kam lënë pianon para 25 vjetëve.
Një koncert xhaz dhe klasik dhe bashkëkohor njëkohësisht. Kjo është një sfidë dhe për ju?
Kur isha në Milano para 7 vjetësh, sepse tani jetoj në Le Marche, një nxënësi im më solli partiturën e këtij koncerti dhe më tha: Shikoje pak këtë se është shumë interesant. Të them të drejtën sa e hapa thashë që nuk është për mua, sepse jam pianiste klasike. Por ata këmbëngulën. Atëherë shkova e dëgjova, sepse nuk e njihja si xhazist Keith Jarrett, duke e dëgjuar përditë lindi dhe dëshira që të nisja një sfidë me veten për realizimin e këtij koncerti. E kam studiuar për gjashtë muaj jo vetëm në piano, por edhe me një libër që të arrija të realizoja të gjitha ato që ka bërë Jarrett.
E kujtoni largimin tuaj nga Shqipëria?
Po, madje kujtoj se koncertin e fundit në Shqipëri e kam bërë me dirigjentin Eno Koço, me orkestrën e RTSH-së në vitin 1990. Kam luajtur koncertin e Ravelit në datë 27 tetor 1990, koncerti luhej për herë të parë.
Data 27 tetor, rastësi?
Është rastësi, sepse kësaj here nuk e kam zgjedhur unë datën, janë 25 vjet pas të cilave ishte shkruar se do të kthehesha.
Jeni larguar si refugjate e thjeshtë për në Itali. Si ishin fillimet tuaja atje?
Ikja ime nuk ishte as me rekomandime, as nëpërmjet shtetit dhe as nëpërmjet ndonjë burse. Në të njëjtën kohë unë kisha kërkesa edhe nga studiues gjermanë, që më fotonin të shkoja të specializohesha në Gjermani, por sikurse dihet në atë kohë nuk ishte e lehtë të dilje jashtë atdheut dhe unë u detyrova që të ikja si refugjate. Fillimi ishte shumë i vështirë, por mbas disa muajsh na kompletuan me dokumente dhe na lanë të zgjidhnim rrugën, pa asnjë lloj drejtimi dhe mbështetje, tre apo katër vitet e para kanë qenë të vështira. Pastaj me ato pak koncerte që bëja bleva një piano. Shtëpia nuk kishte asgjë dhe kur punëtorët sollën pianon thanë: A është kjo adresa që duhet të dorëzojmë pianon? Më pas mësova se diploma e Konservatorit të Arteve nuk ishte e vlefshme. U detyrova që ta bëj diplomën edhe një herë tjetër në moshën 40-vjeçare, në Konservatorin e Milanos “Xhuzepe Verdi”, në vitin 2001.
Çfarë ju mban kaq të lidhur pas pianos?
Nëse në këto momente kthehem në Itali edhe nuk kam asnjë lloj pune, mundet që të kem nevojë që të nxjerrë bukën e përditshme, por çfarëdolloj pune që të bëj do ta gjej mënyrën që ta studioj dhe pianon, sepse unë nuk ndihem e kompletuar as nëse do të gjej një punë për të jetuar dhe as nëse rri tërë ditën në shtëpi. Pra nëse unë nuk studioj piano, nuk ndihem e qetë. Nuk e kam lënë edhe nuk e lë asnjëherë, pavarësisht nga mundësia që të jepet për të jetuar me artin, unë nuk jetoj me artin, por jetoj për artin. Kjo është motoja ime.
A mendoni se nëse do të kishit qëndruar në Shqipëri rrugët tuaja do të kishin qenë më të lehta pas hapjes së kufijve?
Po, kjo është e vërtetë. Do të kisha shumë anë pozitive, por asnjë nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Dëshira ime kur ika ishte që duke pasur kërkesa private nga Gjermania, Holanda, por që nuk ishin zyrtare, prandaj atëherë nuk mund të dilja, sepse unë nuk isha vajza e asnjë politikani, vija nga një familje e thjeshtë. Vlerësimet këtu kanë qenë shumë pozitive, por nuk isha fëmija i askujt që të shkoja jashtë shtetit.
A ka qenë guxim i tepruar përzgjedhja e pjesës së Ravelit për t’u vënë në skenë atëherë?
Gjithmonë ka pasur teprime.
Keni menduar se çfarë mund të ndodhte më pas?
E kam marrë me sportivitet koncertin e Ravelit. Thosha edhe sikur nesër të më fusin në burg, punë e madhe.
Çfarë ju ka mbajtur larg për 25 vjet?
Larg më ka mbajtur asgjë dhe shumë. Them asgjë, sepse gjithmonë e kam vuajtur këtë. Qaja natën dhe thosha se është luks për mua që të qaj ditën (preket). Kur shikon një nxënëse, e cila që në moshë të vogël është fituese në konkurset që zhvilloheshin, nuk kam pasur përkrahje edhe të vetë pedagogëve, kështu që e quaja të pamundur të kthehesha.
Po një moment të lumtur, të cilin do ta veçonit gjatë punë suaj me pianon?
Pianoja për mua është gjithçka, kështu që nuk mund të them asnjë moment të veçantë, por pianoja është gjysma ime me të cilën unë hapem, aq më tepër kur jam e mërzitur që vazhdoj të punoj dhe më tepër me të.
Çfarë projektesh keni në duar?
Shpresoj që ta realizoj një CD me vepra shqiptare për piano dhe këtë nuk e bëj për fitim.
E mendon rikthimin në Shqipëri?
Rikthimin përfundimtar mbase jo, por nëse më thonë nesër hajde të punosh unë vij. Ndonjëherë them: përse unë duhet t’i jap mend Italisë, kam vendin tim, por unë nuk jam as italiane as shqiptare, nuk jam qytetare e asnjë vendi, jam pa emër.
A keni bërë një kërkesë për bashkëpunim?
Unë kam ngelur me mendimin: Po të më duan më thërrasin, kjo gjë stonon me periudhën që ne jetojmë, sepse po se hape gojën nuk të thërret njeri. Por unë nuk e kërkoj këtë gjë me forcë, por që me këtë bagazh që kam dhe dua që të jap kontributin tim. Në të njëjtën kohë kam shkollën time, që ka tre-katër vjet që funksionon për çdo lloj dege, mastar dhe konkurse, e fokusuar te pianoja. Kam disa nxënës që kur shkojnë nëpër konkurse fitojnë dhe vetë organizoj dhe konkurse ndërkombëtare për piano. Kam bashkëpunuar me instrumentistë me famë botërore, më kanë thirrur që në qershor të jem në Prishtinë, por këto gjëra më pëlqejnë apo nuk më pëlqejnë mua, unë mendoj se guri i rëndë peshon në vend të tij. Do të kisha shumë dëshirë që të isha në Shqipëri.
Komentet