Birçe Hasko: E kam bërë notin në det me dallgë të trazuara, por në breg dola ashtu si desha
Nga Bashkim Koçi
Gazeta Destinacioni
Birçe Hasko, i lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës “Jani Minga” të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti, ku për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43”, në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë provinciale”. Në vitin 1995 mori titullin Profesor. Eshtë dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasi të Dytë. Në vitin 1988 Birçe Haskos iu dha titulli “Artist i Merituar”. Bashkia e Orikumit e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Ai gëzon edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.
-Një pyetje disi “patriakale”, Birçe. Familja juaj, Haskot, ini të gjthë të kënduar, të arsimuar. Trashëgimi, genet, apo…?
-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qënë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm..Të tërë kemi qënë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë. Mesaduket kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.
Eshtë disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogara, pyje e krysisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë Fan Nolin në endërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.
-E vërtetë?
-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi dëshirën që të na dërgonte nëpër shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qënë vetëm ai që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institute që çke me të! Ka qënë i çuditshëm babai ynë.
-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë, kini mbaruar arsimin e lartë.
-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh, Birbili, mbaroi për inxhinjer elektromekanik në Ҫekosllavaki. E mbaroi shkëlqyshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbari pët inxhinir mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë, etj. Ka qënë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezrit Halili mbetet si më i drejti, njeri që lutoi e lufton për ideale të pastra.
-Po ti Birçe? Thonë që ke qënë me fat, të ka ndjekur e mira.
– Le të thotë njerëzia çtë dojë, por e vërtëta është që në jetën timë, në karierën si artist ka vepruar shumë faktorë, ku do të veçoja rastësinë. Por dua të ndalem tek vështirësitë ekonomike. Unë, vëllezrit dhe motrat, shkollën e kemi kryer në kushte tmerrësisht të rënda. Në varfëri ekstreme. Ne kemi qënë një familje e rënë nga vakti. Kishim patur pasuri, mall e gjë, por nuk kemi bërë prokopi. Babai, mbaj mend, punonte në xhade, shpërndante çakull për mirëmbajtjen e rrugve, punë botore quheshin atëherë, mesa më kujtohet mua. Na vinte keq kur e shikonim me duar të gjakosura. Ai tërë jetën kishte punuar si çoban dhe nuk ja dinte rradhën punës, pra nuk dinte si ta përdorte lopatën që shperndante çakullin. Shpesh e dëgjonim kur mallkonte veten. Këtë e bënte nën zë, që të mos e kuptonim ne fëmijët. Megjithatë ne e kptonin, i fliste fytyra, i flisnin sytë. Do ti që një ditë i doli një punë të cilën ai e preferonte!? Iu ngarkua detyra e shitësit. Në fillim si shitës ambulant. Mallrat i ngarkonte në mushkë. Pra mushka shërbente si një “dyqan shëtitës”. Shiste kripë, basmara, krëhëra për femra, opinga e plot gjëra të kohës. Më pas u bë shitës prej vërteti, i ngulur, me dyqan. Një vit qëndroi në Tragjas e pastaj u vendos në Radhimë ku u vendosëm me gjithë familjen.
-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd.
– Po tregoj. Dy vjet të shkollës fillore e kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur Hasan Halilin, Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.
Në shkurt të vitit 1951 u shpërgulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qera. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.
Shtatveçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë, shtatvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të mërrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.
Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën “Jani Minga” të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.
-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?
-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngriheshha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit. Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kasha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zëzë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t’i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi, mësuese. Cilin mësues ta ka dhënë matematikën? Shezai Radhima, iu përgjegja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.
-Më në fund dole mësues.
– Dola vërtet, po ku më degdisën thuaj! Më erdhi emërimi për në Tepelenë. Emërimi më erdhi me zarf, në shtëpi. Në Tepelenë vajta nga zori, shumë i dëshpëruar. Të them të drejtën, nuk e prisja. Medova se do të më mbanin në Vlorë meqë kasha mbaruar me nota shumë të mira.
-E pastaj?
-Pastaj vajta në Tepelenë, çtë bëja. Dyqind mësues kishte atëhere i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ҫ’bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do ti shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kok mushkë se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën. E kush më pyeste mua.
-E zbatove urdhërin, vendimin e seksionit të arsimit?
– Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatrëve që losnin domino aty afër shkollës? E dini ju çdo të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thot mësuesi juve. Amarikaj do të thotë “aman se ika”. Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambjentova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, anë për ata dhe ata për mua.
-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutv, u bë si tha ai?
-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës. Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falnderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha. I mori të gjitha fletët e provimit me vete. Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor. Më duhej të qëndroja aty por inspektori ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu mu desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin në Tepelenë.
-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj.
– Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emërunan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare. Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumënin. Mbaj mend që na erdhi për ispektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vrejtje rreth kontrollit, por ai më tha: “Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj”. Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, mu drejtua prap: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kifidencë Xhebdeti: mos u thuaj gjë shokëve!
-Të duhej të prsje vendimin zyrtar.
-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe tre mijë lëkë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njesoj si të ishim minatorë, me një kompesim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.
-Aty fillove të punoje edhe si “artist”, të merreshe me veprimtari kulturore
-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amotore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e rradhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje. Bënim katër priemiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.
-E si ndodhi, ç’qe ky fat dhe nga të erdhi?
– Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë z/ministry i energjitikës. Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte mbasditen dhe me disa drejtues të minierës vjen në çfaqjen tonë. Në fund të çfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra z/ministri. Vete. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qënke artist i vërtetë. E mora komposton. E di çke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor. Unë nuk kasha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E degjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962. Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një “faleminderit” dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune. Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në çfaqjen e rradhës. Pas çfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë, dhe porosita të vinte dopjua e rakisë. Hë, vazhdoi z/ ministri, si vendose për atë që të kam thënë. Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, çdo të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Ҫekosllavaki. Aty mora vesh që ai na qënkësh edhe shok i tim vëllai, Birbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurova. Më thanë që kasha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vëtetë. U ktheva në Vlorë unë i ziu.
-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve në Tiranë
– Jo. Konkurimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kasha konkuruar për aktor dhe që kasha fituar. Ua thashë këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t’ja mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Ҫudi! Përpara më doli një makinë “zis”, e cila na paskësh qënë makina e kooperativës së Poros.
-U paraqite në shkollë?
-Vajta, posi jo. E gjeta edhe shkollën. Të shtata klasat ishin mbushur me grurë. Kërkova kryetarin e kooperativës. Sotir Bojalliu e kishte emrin. I thashë: këto klasat duhet të boshatisen sot, të dizinfektohen, të vendosen bankat dhe shkolla nesër të jetë gati për mësim. Hapi sytë kryetari. Ҫ’është ky ultimatum, ku bëhet kjo punë për 24 orë? Nuk di gjë, i thashë, kjo është puna jote. Unë jam drejtori i ri i shkollës dhe përgjigjem vetëm për shkollën.
Ai për tërë natën futi në punë qerret e kooperativës. Kur dola të nesërmen në mëngjes, si aga, pashë që të gjitha klasat ishin boshatisur. Në një moment mu afrua një person. Ishte agronomi, i cili më “raportoi” që shkolla ishte gati, e dizinfektuar, me banka të sistemuara, e lyer me gërqere dhe çdo gjë që duhej. E falnderova.
Po atë mëngjes mblodha të gjithë arsimtarët. Nuk njihja asnjë prej tyre, por fakti që u paraqitën të gjithë, tregonte se e kishin marrë detyrën seriozishtë. Erdhën edhe nxënësit. Shkolla gumzhiu nga zërat e fëmijve, gjë që më bëri ta harroja hallin tim.
-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor.
– Jo ore, ku më linte “miza” mua. Vajta përsëri për të konkuruar për aktor. Konkurova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkuron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s’bën, nuk kanë çtë bëjnë, ua ktheva përgjigjen.
Për dreq shokët më propozuan për të vajtur tek stadiumi “Qemal Stafa’. Shkuam për tu argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj, se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshi listat, ç’të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbritur edhe telegrami që më njftonte për tu paraqitur pranë shkollës së lartë “Aleksandër Mojsiu” që të rregjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u kriuja Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.
-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëhere kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 përqind e studentve që kishin mbaruar shkëlqyshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë. Mirpo Vlora insistoi të më merrte si regjizor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!
-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson
-Shkolla, sipas meje, është e rëndësishme, por nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jëtë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njërëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japinn. Mbeten shkollareskë.
–Mund ta konkretizoni këtë, mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë e Arteve
-Unë, në radhë të parë, me studentët kam qënë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës. Unë si mësimdhënës kam qënë nopran, kam qënë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshnin “ky të fik derën, ky të merr shpirtin”. Kur dilnin në jetë thoshnin tjetër gjë: ke patur të drejtë professor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të goget me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.
Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thenie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t’u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj. ka patur pedagogë me përvojë të madhe. Atëhere shkolla kishte ndershmërinë që në pranimin e studentit për të vijuar studimet. Kjo ka të bëjë shumë. Arti nuk pyet se ti na qënkërke i biri apo e bija e kryeministrit, e deputetit, e beznesmenit apo kudiçfarë. Sepse do të dalësh në skenë dhe aty nuk të fal kush, apsolutisht. Publiku vjen aty për t’u argëtuar, jo të shikojë surratin tim. Këtë, nëse nuk e bën dot, ik, shko aty ku të takon. Sepse artisti duhet të sakrifikojë për publikun. Mbaj mend nga diçka përvoja ime. Në vitin 1979 më vdiq babai. Kam vajtur në Dukat, varrosa babanë dhe në dark u ktheva në Tiranë sepse kisha çfaqje. Qaja prapa kuintave e pastaj dola në skenë. Ku e di publiku se ç’hall ka aktori. Nuk i hyn në punë fare. Po ta them, kjo më ka ndodhur mua.
-Po roli i pedagogut, sipas jush, sa ndikon tek studenti?
– Unë, brezi im, ka patur pedagog Drita Agollin, Pandi Stillu, Miho Gjinin, etj. Ishin talente të lindur. Edhe pas kaq vitesh, në këtë moshë që jam sot, më duket vetja, ashtu i vogë, student nga të cilët mësova shumë. lu jam mirënjohës.
Pedagugu, nëse nuk ka krijmtari, kot që rri aty. Kjo është apsolutisht e domosdoshme për atë pedagog që jep lëndë profesionale. Unë, besoj, se e kam kryer mirë këtë, pra të punës si pedagog dhe atë të artistit. Po e konkretizoj këtë. Në maj të vitit 1990 vajtëm në Gjermani për një binjakëzim me një fakultet të arteve. I bëra një pyetje Rektorit. More, si ia bëni ju këtu për të larguar të paaftit? S’po të kuptoj zoti Hasko, dhe më pa drejt e në sy. Po ja, i thashë, me ata që janë të paaftë, që nuk dinë të japin mësim, si i largoni nga fakulteti si të tillë. Shumë e thjeshtë, mu përgjigj. Ata ikin vetë. Kur ai nuk di të spiegojë, të demostrojë apo diçka tjetër që ka lidhje me mësimin, nuk i venë studentët në mësim, i mbetet salla bosh. Një herë, dy herë, të tretën pedagugu ikën vetë nga kjo sallë mësimdhënie.
Nuk ka teorira në artin skenik. Sigurisht, teori ka, por sipas meje është dytësore. Nga vetë fjala aktor duhet ta kuptojmë këtë. Aktor do të thotë akt, dmth, bëje, vepro, hidhu. Nëse nuk je i zoti, çdo këtu, mbathja me vrap. I paafti në rolin që kërkon ta bëjë, djersin, vjen vërdallë, torturohet, ndërsa i talentuari e bën normalisht, nuk ndjen asnjë sforco. Mund të bëhesh kryeministër, mund të zësh kolltukun e presidentit, por aktor nuk mund të bëhesh dot nëse nuk ke talent. Pastaj ky talent do punë, punë dhe prap punë.
-Ka ndonjë sekret këtu, professor Hasko?
– Ka, si ska. Arti ka dy sekrete, spiegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti spiegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëhere ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qënë i prerë që në momentin që bëhej konkurimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkuruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva? Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideraatë “porosi” që bënin me spërkla balte profesionin si artist.
Unë kam patur një dashuri të veçantë për mësimdhënien. E di pse? Sepse unë erdha tek artet nga të qënit mësues. Kjo gjë më ka ndihmuar shumë. Pamvarsisht se arrita të bëhesha artist, fillesat e mija, qoftë shkolla, siç ishte pedagogjikja, qoftë të qënit mësues në shkollat fillore e atë të mesme, në shpirt, brënda meje, isha mësuesi. Kjo më ka ndihmuar shumë për të zbatuar si në simbiozë mësuesin dhe artistin. E di sesi e ka përcaktuar këtë Ҫehovi? Pedagogjia është gruaja ime, ndërsa krijimtaria është dashnorja ime. E bukur, apo jo?
-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?
– Shumë. Pedagogu duhet t’i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Nryshe ai, nën zë, të thotë “kush je ti”. Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t’i rrit vlerat si mësimdhënës.
Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.
-Profesor Birçja, si ini ndjerë ju për rolet që kini luajtur në teatër apo kinema
– Në të shumtat e rasteve jam ndjerë mirë. Po sjell një rast. Një mëngjes, kur po shkoja në Akademi, më doli përpara një person. Nga dialekti mu duk se ishte tiranas. Më fal, tha, a mund të pimë një kafe bashkë? Faleminderit, i thashë, me shumë dëshirë, por nuk kam kohë sepse po shkoj të jap mësim. Po mirë, tha, a mund të ta them këtu atë që do ta thosha tek kafja? Pa hë, çdo të më thuash? Ti Birçe, tha, je si kripa në gjellë për ata role që luan. Dy fjalë ishin ato të shkreta, por unë u kënaqa shumë. Kam edhe një rast tjetër, por diçka i kundërt me atë të tiranasit. Ishte viti 1971, vit ku sapo ishte çfaqur filmi “Kur zbardhi një ditë” ku unë luaj rolin e Sulo Ballistit. Aty përpara hotel “Dajtit” më ndaloi një person, rreth 25 vjeç. Ju ini Birçe Hasko, tha. Po, ia ktheva. Ti je pedagog, tha, aty tek Instituti i Arteve. Po, i thashë. E të mbajnë akoma aty ty? Po, i thashë. Po si mund të qëndrosh pedagog ti more ballist i qelbur!? Më pa me inat dhe iku. Pak a shumë kështu më ndodhi në festivalin e Kanës me filmin “Parrullat”. Kur po jepnim një konferencë për shtyp më vjen një plak, mbahej në një bastun. Ishte francez. Mu afrua shumë afër dhe diçka më tha në gjuhën fringe. Dukej si i trembur. Ҫfarë më tha, i thashë vajzës time, të cilën e kasha marrë si përkthyese. Edhe këtu në konferencë për shtyp të kam frikë, këtë të tha, bëri përkthimin vajza. Kjo kishte të bënte me rolin që unë luaja në filmin “Parrullat”.
-Atëhere ç’është roli për Birçen?
-Roli për mua është si puna e atij zanatçiut. Dikush bën këpucë, dikush qep kostume, një tjetër ka profesionin e berberit etj. I rëndësishm është fakti që ta luash sa më mirë rolin që të jepet. Tek filmi “Parrullat” unë kam bindje apsolutisht të kundërta me të personazhit që luaj rolin. Kjo nuk do të thotë gjë. E di çmë ngjau kur luajta rolin e Sulo Ballistit tek filmi “Kur zbardhi një ditë”? Shkuam në fshat, në Dukat, me dy vëllezrit e mi. Aty në qëndër të fshatit disa burra nga fshati ishin mbledhur dhe bënin muhabet. U përshëndetëm. Njëri nga ata pyeti: Ore, cili nga ju të tre luan atë rolin e ballistit? Unë e luaj, i thashë. Po mirë o, nuk e gjetët atë ballistin nga një fshat tjetër, në Dukat e gjetët ballistin!
-E kini ndjerë veten të vlerësuar në sistemin e kaluar Provesor?
– Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes leku. Nuk investohet siç investohej atëhere. Mirpo dëgjoj të thonë: Atere shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjizorë të shkëlqyer, mjeshtra. Dhe kështu do të mbeten. Ҫdo brez ka “të mëdhenjtë” e tij. Problemi është që ky brez, sa është në gjendje të nxjerrë “të mëdhenj”, ashtu si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.
-Të bëjmë pak politikë. Ҫmendim ka professor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq të lodhshëm?
-Kam një mendim të hidhur. Ky vënd është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë “humbameno”. Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Apsolutisht kurrë. Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegja ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova “të mëdhenjve” për të përfituar. Unë kisha vëllanë Sekretar të Prarë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara. Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar servil vetëm para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po tu thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.
Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot. Eshtë e dhimbëshme dhe e frikëshme. Nga e kaluara kemi mohuar gjithçka. Eshtë njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.
-Një fjalë të fundit?
-Unë Birçe Haskua ndjehem i priviligjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrëkush. Unë, “ Artisti i Merituar”, “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.