Në maj të vitit 1992 m’u dha mundësia të bëja një vizitë pune në Stockholm, e ftuar nga Instituti Suedez për Shkëmbimet Kulturore, Arsimore dhe Shkencore me botën. Ruaj kujtimet më të bukura nga ajo vizitë, të cilat më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë. Ndoshta do të vijë dita t’i shkruaj me hollësi, por këtu dua të përmend vetëm vizitën në Shtëpinë Botuese Rabén & Sjögren, e cila kishte autorësinë e botimit të veprave të shkrimtares së famshme suedeze të librit për fëmijë Astrid Lindgren. Më poshtë po postoj një intervistë të saj, të cilën e kam përkthyer më 1994 dhe është botuar në shtypin e kohës./Irena Dono
:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::
– Ju jeni tani 87 vjeç, do të ishte interesante të na thoshit dy fjalë se si ishte fëmijëria 80 vjet më parë…
Astrid Lindgren: (Buzëqesh). – U linda në një fermë të quajtur Nas, më 14 nëntor të vitit 1907. Shtëpia ku nxora klithmat e para, më kanë thënë se kam qarë kur linda, ishte një ndërtesë e lashtë 500 vjeçare, krejt e kuqe, në mes të një kopshti të rrethuar me mollë. Fëmijëria në ato kohë ka qenë krejt ndryshe. S’kishte radio, televizor, automobilë dhe telefon. Ose më mirë të them, disa prej tyre sapo ishin shpikur dhe kushtonin shumë shtrenjtë. Por, megjithë këto mungesa, pa të cilat sot nuk mund të përfytyrohet jeta, ne e ndienim veten shumë të lumtur. Kishim disa gjëra të tjera, të cilat mungojnë tani: kishim për shembull hapësira për të bredhur dhe për të luajtur, kafshët shtëpiake që i donim dhe i përkëdhelnim, plevicat ku luanim kukafshehti dhe një lumë ku laheshim gjatë gjithë verës. Ngjiteshim majë pemëve dhe mbi çati, kërcenim nga turrat e druve dhe mullarët e barit dhe, në kundërshtim me porositë e nënave për t’u futur në ujë deri në brez, zhyteshim sa më thellë dhe e mbanim frymën sa më gjatë… Shpesh, kur më pyesin se ç’mbaj mend nga fëmijëria, them se më është ngulitur përjetësisht në kujtesë natyra me larminë e aromave, sidomos luleshtrydhet, aroma e barit të kositur dhe ajo e qumështit të porsamjelë…
– Ju keni filluar të shkruani vonë, në moshën 37 vjeçare, si e shpjegoni këtë?
Astrid Lindgren: Qëkur isha në shkollë, hartimet i bëja të mira dhe bashkëshkollarët më thoshin se do të bëhesha shkrimtare. Më pëlqente letërsia, por nuk shkruaja. E ndieja brenda vetes se ishte më mirë të mos e kapja fare penën me dorë, se sa të shkruaja një libër të keq.
– Në ç’moshë jeni larguar nga ferma?
Astrid Lindgren: Isha 19 vjeç, kur shkova në Stockholm për të studiuar. Të them të drejtën, ajo ishte një nga periudhat më të vështira të jetës sime. Banoja me qira në një dhomë fare të lirë dhe ushqehesha keq. Punoja shumë dhe shpenzoja sa më pak që të ishte e mundur. Ndërkaq më përvëlonte malli për të afërmit. Doja të kisha pranë vëllanë dhe motrat. Mungesa e tyre dhe sidomos e prindërve më mbushte me trishtim.
– Megjithatë ju vite më vonë keni thënë se vetmia është e dobishme.
Astrid Lindgren: Po, ashtu është. Jeta atje më bëri të fortë, vetmia më bëri të pavarur. Vite më vonë vetmia dhe dëshira për jetë të pavarur u bë motivi i disa heronjve të librave të mi. Ndër ta dua të përmend sidomos Pipi Çorapegjatën…
– Ajo është bërë tashmë e njohur pothuajse për fëmijët e mbarë botës; a mund të na thoni si lindi ky personazh?
Astrid Lindgren: Më përpara dua t’ju them se në vitin 1931 u martova dhe nga kjo martesë pata dy fëmijë: Larsin dhe Karinën. Në moshën shtatëvjeçare vajza u sëmur nga pneumonia dhe u dergj për një kohë të gjatë në shtrat. Ajo më donte te koka dhe kërkonte t’i tregoja përralla. Ato që dija u mbaruan dhe m’u desh të sajoja… Kështu që një mbrëmje i tregova për bëmat e një vajze të fortë, të zgjuar dhe trimëreshë. Ajo s’kishte frikë nga sëmundja dhe ishte aq e fortë, sa mund të ngrinte peshë një kalë. Por ishte edhe pak tekanjoze, nuk shkonte në shkollë, kur s’ia kishte qejfi. Tregimet e mia i pëlqyen shumë dhe, për habinë time, ajo e quajti Pipi Çorapegjata. Tregimet për Pipin dolën vërtet të bukura dhe unë i hodha në letër në mars të vitit 1940. I dërgova për botim, por m’i kthyen si të pabotueshme.
Astrid Lindgren: Atëherë nuk mund të rrija dot pa shkruar. Shkrova një tregim tjetër për fëmijë. Mora pjesë në një konkurs dhe fitova çmimin e dytë. Suksesi i librit të parë, më shtyu t’i kërkoja fletët e shtypura të Pipit dhe t’i dërgoja te botuesit. Pesë vjet më vonë Pipi fitoi çmim të parë. Tani ai libër është botuar në 50 gjuhë dhe unë jam krenare që ndër 12 librat më të përkthyer në botë. Në botimin e parë në SHBA u shitën më shumë se 5 milionë kopje. Unë kam shkruar tanimë 40 libra, por as vetë nuk e kuptoj pse Pipi mbahet si më i miri.
– Për librat tuaj ka pasur gjithnjë debate, si e shpjegoni këtë?
Astrid Lindgren: Shikoni, unë kam shkuar vazhdimisht kundër rrymës dhe nuk i kam përfillur fare ato që janë thënë për mua. Mund të përmend debatin që u bë në vitin 1973 për “Vëllezërit Zemërluanë”. Po kështu edhe në vitin 1985. Puna arriti deri aty sa, në një bisedë në radio, një gazetar m’u drejtua me këto fjalë: “Si mund të mos e pranoni ju se libri “Mio, biri im” është një libër i keq? Mua s’m’u durua dhe ia prita aty për aty: “Sigurisht, por për çudi fëmijët e pëlqejnë aq shumë”. Pasi e kishin lexuar atë libër, shumë fëmijë më shkruanin: “Tanimë unë s’kam frikë nga vdekja”. Kjo ishte kënaqësi e madhe për mua.
– Gjatë karrierës suaj letrare ju jeni mbuluar me çmime si me buqeta lulesh. Midis tyre do të veçoja medaljen “Hans Kristian Andersen”, që është çmimi më i madh ndërkombëtar në fushën e letërsisë për fëmijë, “Çmimin e paqes së Librit Gjerman” etj.
Astrid Lindgren: Dëgjoni, çmimet kanë shumë gjëra të mira dhe të gëzojnë, por kanë edhe një të keqe të madhe, të lënë pa punë. Sa të përgatitësh fjalime për ceremonitë e dorëzimit të çmimeve, sa t’u kthesh përgjigje urimeve, më mirë është të shkruash një libër të ri. Prandaj kam vendosur të vë një lajmërim në derë: Ju lutem, mos më jepni më çmime. Më lini të shkruaj.
– Si personalitet i njohur ju keni ndikuar përmes veprës suaj edhe në jetën politike të Suedisë. Ç’mund të na thoni për këtë?
Astrid Lindgren: Meqë më ngacmuat, po ju them se unë kam shkruar edhe letërsi për të rritur dhe kam patur sukses. Kështu për shembull në vitin 1976 shkrova një tregim për taksat e larta. Atë vit partia politike në fuqi humbi në zgjedhje. Politikanët e anës tjetër e shfrytëzuan këtë. Kështu u fol se në fitoren e tyre kishte ndikuar edhe tregimi im. Më pëlqen kur dëgjoj se politikanët suedezë i lexojnë dhe vlerësojnë tregimet e mia.
– Ju keni jetuar gjatë dhe si rrallëkush keni arritur të shijoni lavdinë e veprës suaj. Jeni e kënaqur?
Astrid Lindgren: Oh, po! Jam 87 vjeç. Jam ende e fortë. Vazhdoj të krijoj. Edhe tani më pëlqen t’i lexoj vetë në radio krijimet e mia. Natyrisht s’mund ta them se e kisha parashikuar një famë të tillë. Më vijnë shumë letra dhe prekem kur i lexoj. Një lexuese më shkruante kohët e fundit: “Faleminderit që më ndriçove fëmijërinë time të errët”. E, nëse kam arritur ta bëj këtë qoftë edhe për një lexues, jam vërtet njeriu më i lumtur në botë.
++++++++++++++++++
Përktheu: Irena Dono
Korrik 1994
Komentet