Xhevdet Shehu – DITA
35 vjet pas vdekjes së kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, ende vijon dilema nëse ishte vrasje apo vetëvrasje. Mediat dhe historianët janë të ndarë sa i përket gishtit që tërhoqi këmbëzën e revolverit që i mori jetën Mehmet Shehut. Deri në fillim të viteve 2000, kur provat dhe dëshmitë ishin të mangëta një letër e publikuar nga historiani Paskal Milo përmbysi gjithçka. Ai zbuloi një letër të lënë nga ish-kryeministri Shehu, për arsyet që e çuan drejt aktit të vetëflijimit.
Teoritë konspirative edhe pas kësaj nuk munguan. U aludua se kjo letër i ishte dhënë profesor Milos nga Nexhmije Hoxha ose Ramiz Alia. Dikush foli për “trafik dokumentesh” e për manipulim të tyre, dikush e akuzoi se e kishte marrë në Arkivin Qendror të Shtetit.
Sot, profesor Milo shpjegon se si ra në gjurmët e atij testamenti të Mehmet Shehut, kush ishte zyrtari që ia dha, dhe a është e autentik shkrimi?
Në interpretimin që i bën letrës së Mehmetit, profesor Milo thotë se “përmbajtja e letrës që la pas Mehmet Shehu në mbrëmjen e datës 17 dhjetor, i terrorizuar nga mbledhja e sapo mbyllur e Byrosë Politike e dëshmon qartë këtë konfliktualitet karakterial të tij. Letra në përmbajtje është e dobët kur mendon se e ka shkruar kryeministri i vendit. Ajo ka kundërthënie mendimesh: nga njëra anë besnikëri ndaj Enver Hoxhës dhe dogmës, nga ana tjetër zhgënjim nga “shoku më i afërt i halleve dhe i fitoreve”, deri në akuzë “se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë”.
Në këtë bisedë për DITA, profesor Milo hedh poshtë versionin e vrasjes së ish-kryeministrit. Ai thotë se njerëzit që besojnë se ai është vrarë janë bashkëpunëtorë dhe njerëz të afërt me Mehmetin, ndërsa kategoria e dytë sipas tij janë spekulantët politikë që edhe nga kjo ngjarje për mbi 26 vite janë përpjekur të përfitojnë nga interpretime të gabuara e kokëposhtë të fakteve e ngjarjeve historike. Milo është i bindur që këmbëza e revolverit është shkrepur nga vetë dora e Mehmet Shehut. Ai thotë më tej se “Shehu nga përvoja e tij e gjatë si shtetar e udhëheqës komunist e dinte se cili do të ishte fati i tij në rastin kur Zeusi në vitet e fundit të jetës mund të dyshonte për besnikërinë e tij. Ai vetë kishte qenë dëshmitar se si ishte shtyrë Nako Spiru drejtë vetëvrasjes, ai vetë kishte ngritur dorën për t’u dënuar Koçi Xoxe e Pandi Kristo, Tuk Jakova e Bedri Spahiu, Liri Belishova e Koço Tashko, Beqir Balluku e Petrit Dume, Koço Theodhosi e Abdyl Këllezi e shumë e shumë të tjerë.”
Profesor Milo, ju jeni historiani që kini publikuar për herë të parë letrën e fundit të Mehmet Shehut, të shkruar në natën midis 17 dhe 18 dhjetorit 1981. Si mundët ta siguronit kopjen e asaj letre, ndërkohë që ajo nuk ishte bërë e njohur për publikun?
Unë e kam shpjeguar 14 vjet më parë historinë e letrës, në nëntor të vitit 2002 dhe nuk ka patur asnjë gjë konspirative. Mjaft njerëz në atë kohë, dikush nga padija, dikush nga frika se prapa kësaj letre mund të kishte dokumente të tjera që kompromentonin persona të caktuar për lidhje të afërta me familjen e Mehmet Shehut, dikush se binte alibia e vrasjes së ish-kryeministrit direkt nga Enver Hoxha që ishte skenar serb dhe dikush nga xhelozia shpikën e fantazuan lloj- lloj historish rreth burimit, përmbajtjes dhe vërtetësisë së letrës. U aludua në atë kohë se letrën ma kishin dhënë zonja Nexhmije Hoxha ose Ramiz Alia, dikush foli për “trafik dokumentesh” e për manipulim të tyre, dikush më akuzoi se e kisha marrë në Arkivin Qendror të Shtetit e të tjera. Jehona e jashtëzakonshme e botimit të letrës nxiti imagjinatën e disa njerëzve por edhe dashakeqësinë e perversitetin e disa të tjerëve për të thurur skenarë nga më të çuditshëm.
Në atë kohë unë në disa gazeta e studio televizive dhashë shpjegimet e duhura, disa prej të cilave po i përsërit për mënyrën se si kjo letër më ra në dorë. Deri në nëntor të vitit 2002 unë nuk e kisha takuar asnjëherë në jetën time zonjën Hoxha. As që bëhej fjalë deri në vitin 1990 por edhe në vitet e mëvonshme. Po kështu përveç një takimi zyrtar e në prani edhe të të tjerëve në vjeshtën e vitit 1991 as edhe presidentin Alia. Letrën nuk e mora as edhe nga Arkivi Qendror i Shtetit në korrik të vitit 1999 kur studiova me autorizim të posaçëm të kryeministrit të kohës dokumentet e fondit personal të Enver Hoxhës të konsideruara si “tepër sekret”. Nga ky fond në atë kohë u fotokopjuan shumë dokumente nga dosja e Mehmet Shehut dhe e gjyqit të bashkëshortes së tij dhe që ishin tepër interesante. Letrën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut nuk e gjeta aty se po të ishte do ta kisha marrë siç mora shumë dokumente të tjera. Letrën unë kisha rreth dy vite që e disponoja dhe ajo shërbeu si shtysë për të thelluar kërkimet e mia rreth dosjes së vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Letrën ma ka dhënë një qytetar, ish-zyrtar i nivelit të ulët, që kishte respekt për punën time si historian, sigurisht fotokopjen e saj. Edhe qytetarë të tjerë më vonë më kanë sjellë dëshmi të tjera për familjen Shehu. Për gati pesë vite ajo letër ka qëndruar në kasafortën time dhe mund të qëndronte edhe vite të tjera në rast se nuk do të kishte shpërthyer në vjeshtë të vitit 2002 një debat pa kokë e pa këmbë në “Gazeta Shqiptare” e “Korrieri” rreth vetëvrasjes apo “vrasjes” së Mehmet Shehut. Për t’u dhënë fund spekulimeve vendosa që ta botoj letrën, privilegj që i takoi kryeredaktorit të “Gazeta Shqiptare”, Arian Çanit.
Ju jeni i bindur tërësisht në autenticitetin e asaj letre?
Nuk ka pikë dyshimi që letra është autentike. Ekspertë të njohur për nivelin e lartë profesional të tyre kanë dhënë dëshmi publike për vërtetësinë e saj. Mjafton edhe një krahasim i thjeshtë i shkrimit të letrës me shkrime të tjera të Mehmet Shehut për të vërtetuar autenticitetin e saj.
Ka ende që besojnë se Mehmetin e kanë vrarë. Sa i justifikoni ju këta zëra?
Aspak. Këto zëra mund t’i ndajmë në dy kategori: në të afërt, bashkëpunëtorë, miq e pasues të hershëm të Mehmet Shehut që gjykojnë e reagojnë emocionalisht se ish-kryeministri është vrarë sipas disa skenarëve që kanë qarkulluar në vite. Kategoria e dytë janë spekulantët politikë që edhe nga kjo ngjarje për mbi 26 vite janë përpjekur të përfitojnë nga interpretime të gabuara e kokëposhtë të fakteve e ngjarjeve historike. Unë jam i bindur që këmbëzën e revolverit e ka shkrepur dora e vetë Mehmet Shehut natën e 17 dhjetorit duke u gdhirë 18. Vetëvrasjen e kanë pranuar dhe pohuar edhe dy djemtë e tij, Skënderi dhe Bashkimi në liri të plotë e shumë vite më vonë. Unë jam dakord se vetëvrasja u nxit nga vetë mënyra se si u trajtua dhe u gjykua Mehmet Shehu nga Enver Hoxha e Byroja Politike në serialin e takimeve e të mbledhjeve që u bënë deri në ditën e vetëvrasjes.
Mehmet Shehu ka qenë një personazh shumë kompleks dhe i veçantë dhe që meriton një studim të thelluar e më vehte. Mund të thuhen vlerësime ekstreme: terrorist dhe hero, i egër, i vrazhdë, ambicioz, por edhe i kulturuar, i vullnetshëm për punë dhe i zoti si shtetar, dogmatik në bindje, por edhe liberal në vepra, i fortë në karakter, por edhe i dyzuar në sjellje, servile para Enver Hoxhës, por me rezerva e pakënaqësi që i ndrydhte brenda vetes ndaj tij, prepotent ndaj vartësve e bashkëpunëtorëve por edhe i aftë që të kërkonte ndjesë më vonë kur i kalonte furtuna e inatit.
Përmbajtja e letrës që la pas Mehmet Shehu në mbrëmjen e datës 17 dhjetor, i terrorizuar nga mbledhja e sapo mbyllur e Byrosë Politike e dëshmon qartë këtë konfliktualitet karakterial të tij. Letra në përmbajtje është e dobët kur mendon se e ka shkruar kryeministri i vendit. Ajo ka kundërthënie mendimesh: nga njëra anë besnikëri ndaj Enver Hoxhës dhe dogmës, nga ana tjetër zhgënjim nga “shoku më i afërt i halleve dhe i fitoreve”, deri në akuzë “se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë”. Letra është shkruar natyrshëm nën peshën e emocioneve të jashtëzakonshme kur njeriu ka vendosur t’i japë fund jetës së tij. Shehu nga përvoja e tij e gjatë si shtetar e udhëheqës komunist e dinte se cili do të ishte fati i tij në rastin kur Zeusi në vitet e fundit të jetës mund të dyshonte për besnikërinë e tij. Ai vetë kishte qenë dëshmitar se si ishte shtyrë Nako Spiru drejt vetëvrasjes, ai vetë kishte ngritur dorën për t’u dënuar Koçi Xoxe e Pandi Kristo, Tuk Jakova e Bedri Spahiu, Liri Belishova e Koço Tashko, Beqir Balluku e Petrit Dume, Koço Theodhosi e Abdyl Këllezi e shumë e shumë të tjerë.
Letra është shkruar në funksion edhe të historisë. I bindur se nuk i kishte mbetur asnjë shpresë tjetër në fund të letrës jo pa qëllim Shehu vendosi frazën “se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë”. Unë nuk e besoj atë se çfarë u tha pas vetëvrasjes ose çfarë pëshpëritej si justifikim në qarqet e larta të nomenklaturës komuniste se kryeministri do të ndëshkohej vetëm me një vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit si anëtar i partisë, apo do të emërohej në një post tjetër të lartë shtetëror. Njohja me dokumentacionin e plotë të çështjes, kritikat e rënda të cilave Shehu iu nënshtrua edhe nga ata që deri në atë kohë e shikonin si trashëgimtarin e padiskutueshëm të Enver Hoxhës nuk lënë shteg për të menduar ndryshe. Siç kishte ndodhur edhe me të tjerët, pas një propozimi formal do të vinte në fillim mënjanimi nga kupola drejtuese politike e më vonë edhe shtetërore për të përfunduar fillimisht në pension e më vonë në burg e para togës së pushkatimit. Kryeministri jetëgjatë e dinte mirë këtë nga përvoja dhe preferoi t’ia jepte vetë vehtes plumbin se sa t’ia jepnin pushkatarët anonimë të togës speciale.
Zoti Milo bëhet fjalë për kryeministrin më jetëgjatë në detyrë të Shqipërisë. A ishte i merituar ai fund për të?
Unë mendoj se pyetja duhet shtruar në kontekstin historik të ngjarjes dhe as e shkëputur nga natyra e regjimit që ekzistonte në Shqipëri. Nuk është vetëvrarë vetëm Mehmet Shehu që sigurisht ishte top lider por edhe Nako Spiru, një udhëheqës tjetër i rëndësishëm komunist i kohës së Luftës dhe pas saj edhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë e të nivelit të mesëm të regjimit për arsye nga më të ndryshmet. Akoma më keq janë pushkatuar një numër jo i vogël udhëheqësish partiakë e shtetërorë ndër vite por edhe kundërshtarë politikë antikomunistë të regjimit. Çdo jetë njerëzore e marrë në mënyrë brutale, të dhunshme ose dhe nën presion thjeshtë e vetëm për ide e kundërshti politike, mbetet gjithnjë një akt flagrant antihuman dhe antidemokratik, qoftë edhe atëherë kur bëhen gjyqe formale me prokurorë e gjykatës.
Mehmet Shehu mund të mos e meritonte atë fat, ashtu siç nuk mund të mos e meritonin as edhe shumë kolegë e bashkëpunëtorë të tij si qenie njerëzore por edhe si udhëheqës komunist e shtetërorë. Por në Shqipëri sundonte regjimi stalinist ose revolucionar që i hante bijtë e vetë./ Vijon nesër…
****
Letra e fundit e Mehmet Shehut
Natën midis 17 dhe 18 dhjetorit 1981, Mehmet Shehu, 27 vjet kryeministër u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit. Mbi komodinë iu gjet një letër që fillon me këtë shënim përsipër:
“Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kërkush tjetër”.
“Shoku Enver,
në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, më shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre, Partia dhe populli do të jenë mirënjohës. Unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj. Enver 11 qershor 1981”.
Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, unë e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politikë të datës 17 nëntor, u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe, më në fund, ju e quajtët atë “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, domethënë gënjeshtër, mashtrim.
Në një shënim që më dërgove në 28 tetor 1981, në lidhje me projekt-autokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementëve negativë në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “…disa elementë negativë të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.
Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë. Nga kush? Nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovët që arritën, për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen.
Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash, që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën për ta. Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlyshi i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste; atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç e kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy (Jagon-gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), – pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?” Domethënë s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them, po të doni, kjo është puna juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane… Jo, shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm”(me ju!), për të vënë veten mbi Partinë etj., akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dalë përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre ishte se unë gabimin e kam bërë “për të vënë veten time mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, domethënë kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju, personalisht, nuk më quajtët armik, por Jagua, Hrushovi e edhe të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik.
E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik, armiku është Jagua. A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis në të dyve, domethënë për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Belishovën e Çu En Lain? Ata s’mundën t’ia arrinin dot qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye komplotit. Këtë herë ia doli në krye Jagua. Ju mund të ma quani si të doni, e keni vetë në dorë! Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi se, ndryshe, pas teje këtu do sundojnë hrushovjanët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them për Jagon dhe Hrushovin tonë, aherë unë s’të kam faj, i dashur Enver, aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia – vetëvrasja.
Edhe një herë: Amanet Partinë nga Jagua e Hrushovi! Partia jonë ka kuadro plot besnikë plot të tjerë.
Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste-leniniste! Rrofshi ju, të paktën sa të siguroni Partinë e socializmit nga Jagua dhe Hrushovi, dy komplotistët e sotshëm më të rrezikshëm dhe shumë e shumë vjet të tjera!
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinezë) në krye! Rroftë komunizmi! Poshtë reaksioni!
Amanet familjen time – Fiqireten, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë, thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë.
Po vdes i pafajshëm, më vrau Jagua i Shqipërisë!
Mehmet Shehu
17 dhjetor 1981”.
Komentet