VOAL

VOAL

Intervista – Kiara De Biasi: Ja për kë do bëj tifo në ‘Euro 2016’

June 8, 2016

Komentet

Euro 2024- Tupanë, flamuj e valle, shqiptarët “mbajnë zgjuar” gjermanët, festë në Dortmund

Dje ka nisur Euro 2024, eventi sportiv më i rëndësishëm për kontinentin e vjetër.

Një numër i lartë shqiptarësh kanë udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në nisjen e Europianit.

BalkanWeb ka siguruar pamje nga Dortmundi, ku shqiptarët kanë festuar mbrëmjen e djeshme me tupanë e flamuj kuqezi.

EURO 2024: Gjermania e mposht bindshëm Skocinë në ndeshjen hapëse

Kampionati Evropian i futbollit 2024 filloi të premten mbrëma, me nikoqiren Gjermaninë që e mposhti bindshëm 5:1 Skocinë në ndeshjen hapëse të Grupit A në stadiumin Allianz Arena në Munih.

Florian Wirtz, Jamal Musiala, Kai Havertz, Niclas Fullkrug dhe Emre Can i shënuan golat për Gjermaninë, kundër një skuadre skoceze që luajti me 10 futbollistë për pjesën më të madhe të ndeshjes, pasi Ryan Porteous u përjashtua nga loja me karton të kuq në fund të pjesës së parë.

Mbrojtësi gjerman Antonie Rudiger shënoi autogol në fund të ndeshjes për golin ngushëllues të skocezëve. Gjermania do të përballet me Hungarinë në ndeshjen e dytë në grup, ndërsa Skocia me Zvicrën. Hungaria dhe Zvicra përballen paraprakisht të shtunën, më 15 qershor.

Ky është edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian, i njohur më mirë si EURO, dhe në të po merr pjesë edhe Shqipëria – për herë të dytë në historinë e vet, pas debutimit më 2016.

Ndeshjes hapëse mes gjermanëve dhe skocezëve i parapriu ceremonia e zakonshme zyrtare.

Kosova dështoi të kualifikohej, ndërsa Shqipëria do ta ketë një grup zor ta kalueshëm, pasi përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Turneu ka gjashtë grupe me nga katër ekipe secili. Ekipet në secilin grup përballen njëra me tjetrën nga një herë. Dy ekipet me më së shumti pikë në grup kalojnë në fazën tjetër të garës, së bashku me katër ekipe që kanë paraqitje më të mira nga vendet e treta.

Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume në qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik.

Nga rrethi i 16 më të mirëve e tuje, gara është e karakterit të eliminimit direkt në fazat çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale për ta përcaktuar kampionin.

Anglia dhe Franca shihen si kombëtaret favorite për ta fituar trofeun evropianin. Anglia nuk ka fituar trofe të madh ndërkombëtar prej se e fitoi Kupën e Botës më 1966 dhe doli humbëse në EURO-n e kaluar kur u mposht nga Italia.

Franca ishte finaliste e Kupës së Botës 2022, ku u mposht nga Argjentina e Lionel Messit, dhe udhëhiqet nga superylli i ri i Real Madridit, Kylian Mbappe.

Cilat janë grupet?

Grupi A: Gjermani, Skocia, Hungaria, Zvicra

Grupi B: Spanja, Kroacia, Italia, Shqipëria

Grupi C: Sllovenia, Danimarka, Serbia, Anglia

Grupi D: Polonia, Holanda, Austria, Franca

Grupi E: Belgjika, Sllovakia, Rumania, Ukraina

Grupi F: Turqia, Gjeorgjia, Portugalia, Republika e Çekisë

Kush janë kampionët e kaluar?

Italia e fitoi edicionin e fundit të EURO-s, i cili u zhvillua më 2021 për shkak se turneu u shty për një vit si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Gjermania dhe Spanja e kanë fituar Kampionatin Evropian nga tri herë secila.

Ndërsa, dy kombëtaret e tjera të vetme që e kanë fituar më shumë se një herë, janë Italia dhe Franca, që e kanë fituar nga dy herë secila.

Një turne më ndryshe

Megjithatë, ky turne do të zhvillohet në një kontekst politik më ndryshe. Ngjarja kryesore sportive në Evropë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës po mbahen nën hijen e konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ukraina është pjesëmarrëse dhe mund të presë pritje të ngrohtë në Gjermani, e cila ishte nikoqire e ndeshjeve të kombëtares ukrainase si vendëse gjatë fushatës kualifikuese.

Rusia u përjashtua nga kualifikimet dhe është e pezulluar nga të gjitha garat ndërkombëtare nga organi i futbollit qeverisës në Evropë, UEFA, si dhe nga shtëpia e futbollit botëror, FIFA.

Ndërkohë, Gjeorgjia po shkon në kampionatin e parë të madh të futbollit në një kohë kur kriza në atdhe është thelluar.

Si gjithmonë, Kampionati Evropian është i kërcënuar nga huliganizmi, ku përleshjet mes tifozëve rivalë janë bërë ndodhi e zakonshme. Por, kërcënimi nga terrorizmi dhe dhuna politike janë bërë shqetësim edhe më i madh për sigurinë, pas një sërë sulmesh ndaj politikanëve në Gjermani.

Autoritetet gjermane kanë vendosur t’i rrisin dhe shpeshtojnë kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit. Më shumë se 20.000 oficerë të policisë do të jenë në detyrë.

Duke i parë tensionet rreth luftës në Rripin e Gazës, UEFA dhe Gjermania i shmangën shqetësime më të mëdha kur Izraeli dështoi të kualifikohej për EURO 2024.

EURO 2024- Informacione të rëndësishme për tifozët shqiptarë që do të ndjekin ndeshjen Itali – Shqipëri në stadiumin e Dortmundit

Shqipëria është gati për ndeshjen e parë në EURO 2024 ndaj Italisë. Një sfidë me rëndësi maksimale, ndërsa stadiumi i Dortmundit pritet të pushtohet nga tifozët e shumtë shqiptarë për të përkrahur dhe mbështetur Kombëtaren kuqezi.

Atmosfera në stadiumin e Dortmundit pritet të jetë fantastike, ndërsa dyert për tifozët do të hapen 3 orë para fillimit të ndeshjes.

Tifozë mos harroni që biletat ndodhen vetëm në aplikacionin “UEFA Mobile Tickets” dhe përpara se të shkoni në stadium, sigurohuni që bateria juaj e telefonit të jetë plotësisht e karikuar. Kodi QR i biletës do të shfaqet pak përpara hapjes së dyerve në ditën e ndeshjes. Biletat tuaja do të kontrollohen nga stafi i stadiumit në vend kontrollin e biletave, skanojeni biletën dhe drejtohuni për në vendin tuaj. Hyrja D është zona e përcaktuar për tifozët kuqezi në stadiumin e Dortmundit, ndërsa në foton e mëposhtme mund të shihni skemën e plotë të stadiumit për të gjetur tribunën ku ndodhet bileta juaj.

Skema E Stadiumit Dortmund
Skema E Stadiumit Dortmund

Gjithashtu të gjithë tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga stadiumi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara nga UEFA për të shmangur çdo lloj problemi.

Në stadium ka disa rregulla strikte për tifozët. Disa janë paraqitur më poshtë, ndërsa mund të klikoni butonin “lista e plotë” për t’i shikuar të gjitha.

Çanta më të mëdha se madhësia A4 nuk do të lejohen në stadium.

Mund të sillni një karikues portabël me vete, jo më të madh se telefoni juaj.

Sigurohuni që të keni një lloj ID-je të vlefshme.

Të gjitha stadiumet e EURO 2024 janë vende ku nuk konsumohet duhan. Cigaret e zakonshme si dhe ato elektronike apo produkte të tjera duhani, që krijojnë tym nuk lejohen. Ju lutemi, tregoni kujdes ndaj tifozëve të tjerë.

Klikoni butonin më poshtë për të parë listën e plotë me rregullat e stadiumit.

Lista e plotë

Për ju që nuk keni bileta, mund të shijoni ndeshjen në Fan Zone Friedensplatz në qendër të qytetit dhe Public Viewing Westfalenpark, 800 m në të majtë të stadiumit.

Harta
Harta

Për të marrë informacione më të detajuara drejtohuni në fshf.org në seksionin Euro 2024.

Shqipëria për rekord- Ja 82 lojtarët e EURO 2024 që nuk kanë lindur në vendin e tyre

“Askush nuk është profet në vendin e vet”. Kjo thënie, me origjinë biblike, ka kuptim të plotë në Euro 2024.   Janë plot 82 futbollistë, 17 më shumë se në edicionin e kaluar, që do të përfaqësojnë një kombëtare të ndryshme nga vendi ku ka lindur. 

 

Prestigjiozia “Marca” shkruan se Shqipëria është rasti më tipik, pasi ka 19 lojtarë që kanë lindur jashtë kufijve administrativë  të shtetit shqiptar. 

Vetëm katër nga 24 skuadrat (Austria, Çekia, Danimarka dhe Holanda) nuk kanë futbollistë që kanë lindur jashtë vendit në radhët e tyre. 

Renditja e kombëtareve me më shumë lojtarë të lindur jashtë kufijve 

Shqipëria – 19 

Etrit Berisha (Kosovë) 

Thomas Strakosha (Greqi) 

Berat Gjimshiti (Zvicër) 

Ardian Ismajli (Kosovë) 

Arlind Ajeti (Zvicër) 

Marash Kumbulla (Itali) 

Enea Mihaj (Greqi) 

Naser Aliji (Maqedonia e Veriut) 

Ivan Balliu (Spanjë) 

Mario Mitaj (Greqi) 

Amir Abrashi (Zvicër) 

Ylber Ramadani (Gjermani) 

Nedim Bajrami (Zvicër) 

Medon Berisha (Zvicër) 

Armando Broja (Angli) 

Taulant Seferi (Maqedonia e Veriut) 

Jasir Asani (Maqedonia e Veriut) 

Mirlind Daku (Kosovë) 

Arbër Hoxha (Gjermani) 

Kroacia – 8 

Josip Stanisic (Germania) 

Josip Sutalo (Bosnje) 

Marin Pongracic (Gjermani) 

Mateo Kovacic (Austri) 

Mario Pasalic (Gjermani) 

Luka Susic (Austri) 

Ante Budimir (Bosnje) 

Marco Pasalic (Gjermani) 

Turqia – 8 

Mert Müldür (Austri) 

Ferdi Kadioglu (Holandë) 

Hakan Cahlanoglu (Gjermani) 

Kaan Ayhan (Gjermani) 

Orkun Kökçü (Holandë) 

Salih Özkan (Gjermani) 

Cenk Tosun (Gjermani) 

Kenan Yildiz (Gjermani) 

Skocia – 6 

Angus Gunn (Angli) 

Kieran Tierny (Ishulli i Manit) 

Liam Cooper (Angli) 

Scott McTominay (Angli) 

Tommy Conway (Angli) 

Serbia – 5 

Vanja Milinkovic-Savic (Spanjë) 

Milos Veljkovic (Zvicër) 

Srdjan Babic (Bosnje) 

Sergej Milinkovic-Savic (Spanjë) 

Lazar Samardzic (Gjermani) 

Hungaria – 5 

Willi Orban (Gjermani) 

Milos Kerkez (Serbia) 

Marton Dardai (Gjermani) 

Loic Nego (Francë) 

Callum Styles (Angli) 

Portugalia – 4 

Diogo Costa (Zvicër) 

Pepe (Brazil) 

Danilo Pereira (Guinea) 

Matheus Nunes (Brazil) 

Zvicra – 4 

Yvon Mvogo (Kamerun) 

Xherdan Shaqiri (Kosovë) 

Breel Embolo (Kamerun) 

Këadëo Duah (Angli) 

Italia – 2 

Jorginho (Brazil) 

Mateo Retegui (Argjentinë) 

Polonia – 2 

Nicola Zalewski (Itali) 

Taras Romanczuk (Turqi) 

Rumania – 2 

Bogdan Racovitan (Francë) 

Ianis Hagi (Turqi) 

Sllovenia – 2 

Sandi Lovric (Austri) 

Josip Ilicic (Bosnje) 

Ukraina – 2 

Andriy Yarmolenko (Rusi) 

Viktor Tsygankov (Izrael) 

Belgjika – 1 

Amadou Onana (Senegal) 

Gjermania – 1 

Waldemar Anton (Uzbekistan) 

Anglia – 1 

Marc Guéhi (Bregu i Fildishtë) 

Sllovakia – 1 

Vernon de Marco (Argjentinë) 

 PANORMASPORT.AL

‘Jam 51% shqiptar dhe 49% italian’, Gianni de Biasi tregon se cilën skuadër do të mbështesë ditën e shtunë

Ish-trajneri i Ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Gianni de Biasi, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” për të komentuar ecurinë e Shqipërisë deri në finalet e ‘EURO 2024”. Ai u shpreh se ndryshe nga skuadra e vitit 2016 kur drejtonte ai, ka një element të mirë që luajnë me ekip është një skuadër që është rritur shumë, por është edhe në meritën e Federatës Shqiptare që ka bërë me ekipin kombëtar.

I pyetur për ndeshjen e ditës së shtunës mes Shqipërisë dhe Italisë dhe se për cilën do të bënte tifo, Gianni de Biasi u shpreh se ishte 51% shqiptar dhe 49% italian.

“Shqipëria ka një mundësi të artë sepse është rritur në aspektin teknik dhe është mjaft e fortë.

Që në momentin ku u hodh shorti  e kishin disa shtete të forta, ja kisha thënë edhe presidentit Duka, që kan shanse për të arritur favore.

Ndryshe nga skuadra e vitit 2016, ka një element të mirë që luajnë me ekip është një skuadër që është rritur shumë, por është edhe në meritën e Federatës Shqiptare që ka bërë me ekipin kombëtar.

Sot ekipi i Silvinjos teknikisht që është më i fortë se janë disa lojtarë që luajnë në liga të forta, teknikisht është skuadër më e fortë, sepse janë 7 lojtarë që luajën në Serinë A, në Bundesligë, në Spanjë, etj. Pra në anën teknike janë më të fortë, por në anën karakteriale dhe të pozicionimit në fushë këtë nuk jam në gjendje ta them tani.

I pyetur për ndeshjen e ditës së shtunës mes Shqipërisë dhe Italisë dhe se për cilën do të bënte tifo, Gianni de Biasi u shpreh:

“Me Shqipërinë tonë. Nuk kam asnjë flamur italian, kam vetëm simbole shqiptare. Zemra më thotë Shqipëri sepse aty jam ndier mirë, jam gjetur në një mjedis fantastik. Por kam kombësi shqiptare. Por për të qenë i sinqertë, jam 51% shqiptar dhe 49% italian”.

EURO 2024- Mbi 2.7 milionë tifozë do ndjekin ndeshjet në stadiume

Oficerë policie nga e gjithë Evropa kanë shkuar në Gjermani për të ndihmuar për masat mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme në kampionatin evropian të futbollit Euro 2024, me Ministren e Brendshme të Francës, Nancy Faeser që premtoi këtë të enjte shtimin e masave të sigurisë në prag të kampionatit.

“Fokusi ynë kryesor është kërcënimi nga terrorizmi islamik, huliganët dhe veprimet e tyre, krimet ordinere dhe ato të dhunshme, por këtë herë edhe rreziku i sulmeve kibernetike”,- tha Faeser në një takim me rreth 350 oficerët e huaj të dërguar në Gjermani për Kupën e Evropës., teksa grupe si Shteti Islamik kanë bërë thirrje tashmë për sulme gjatë kampionatit njëmujor, i cili hapet të premten me ndeshjen Gjermani-Skoci.

Gjermania parashikon që 2.7 milionë njerëz do të ndjekin kampionatin në stadiumet anembanë vendit dhe rreth 12 milionë në mjediset e tjera jashtë stadiumeve, përfshirë një hapësirë të madhe me ekranë përpara Portës së Brandenburgut në Berlin dhe për Evropianin janë në gatishmërinë e 22,000 oficerë policie, të cilët do të jenë në një shërbim të pandërprerë për të mbrojtur sigurinë. sn

ESPN: Mbi 50 mijë tifozë shqiptarë do jenë të pranishëm për ndeshjen me Italinë, rekord për EURO 2024

Rrjeti i njohur televiziv, ESPN raporton se më shumë se 50 mijë tifozë shqiptarë do jenë të pranishëm për të parë ndeshjen me Italinë, një rekord për Europianin.

“UEFA dhe autoritetet gjermane po përgatiten për mbi 50,000 tifozë të Shqipërisë që të marrin pjesë në ndeshjen e së shtunës në Euro 2024 kundër Italisë në Dortmund, thanë burimet për ESPN, në atë që do të jetë kontingjenti më i madh udhëtues i çdo skuadre tjetër përveç vendit pritës.

Kaq i madh është interesimi për lojën në vendin ballkanik, kryeministri shqiptar Edi Rama ka pezulluar parlamentin e vendit për 10 ditë për të mundësuar që mbi 100 ministra dhe parlamentarë të marrin pjesë në ndeshjet e grupit B të ekipit kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Edhe pse Signal Iduna Park, stadiumi vendas i Borussia Dortmund-it, mban rregullisht mbi 81,000 spektatorë për ndeshjet e klubit, tani do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 gjatë Euro 2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë,” raporton ESPN.

“Shumë banorë shqiptarë në Gjermani kanë blerë biletat për paraqitjen e parë të vendit në turne të madh që nga Euro 2016, ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë për shkak se shumica dërrmuese e biletave janë blerë nga tifozët shqiptarë,” thekson rrjeti i njohur. sn

Euro 2024: Bëhuni gati për një shfaqje politikash, fanellash dhe tifozësh ultras

Rikard Jozwiak

Euro 2024, festa më e madhe e futbollit në kontinentin evropian, fillon të premten, më 14 qershor. Për një muaj, 24 kombëtare do të luftojnë mes vete, 51 ndeshje në përgjithësi, në gjithsej 10 stadiume. Gjatë kësaj vere, ju do të dëgjoni, lexoni dhe shini – në vendin e punës, në kafene, në shtëpi dhe në restorante.

A mund ekipi i jashtëzakonshëm francez, i udhëhequr nga ylli i i ri i Real Madridit Kylian Mbappe, ta fitojë atë? A do ta mbrojë titullin kampionia në fuqi, Italia? A mendoni se superylli në moshë i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ta përmirësojë rekordin mahnitës të shënimit të golave? Dhe, a është koha që më në fund trofeu “të vijë në shtëpi” për skuadrën mbresëlënëse të Anglisë?

Radio Evropa e Lirë vendosi ta ndërmarrë qëndrim më ndryshe, duke i vlerësuar pesë kombëtare pjesëmarrëse nga rajonet ku ne raportojmë: Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Ukraina.

Mbase këto vende nuk janë aq favorite sa ato që i përmendëm më lartë; por, gjasat janë se, në fund të fundit, asnjëra prej tyre nuk do të bëhet kampione e Evropës në Berlin të Gjermanisë më 14 korrik.

Po, secila prej tyre e ka një rrëfim të vetin për ta treguar. Prandaj, uluni dhe mësoni më shumë se pse ju duhet t’i shikoni ato, se kush janë lojtarët yje të tyre dhe se cili është këndvështrimi politik. Mos ta tallim veten, në Evropë – ashtu si në botë – politika dhe loja e bukur e futbollit janë një çift i moçëm që ende po e mban veten fort.

Rumania: Një ekip i mirëfilltë, me të bijtë që po dalin nga hija e baballarëve

Duhet ta pranojmë se, shumica e ekipeve të futbollit e kanë një apo dy lojtarë, të cilët thjesht janë cilësi të një ylli. Një të tillë në të cilin varesh kur gjërat vështirësohen. Pastaj, kemi tjera lloje ekipesh. Ato të cilat funksionojnë si një njësi e stërvitura mirë dhe efikase.

Kjo është Rumania. Mbase jo ekipi më i mirë për sy, ndoshta tepër mbrojtës, por thjesht zor i mposhtur. Rumania nuk e pësoi asnjë humbje në 10 ndeshjet kualifikuese dhe i pranoi vetëm pesë gola.

Nëse jeni nostalgjik, Rumania mund të jetë ekipi juaj gjithashtu. Ky vendi i përjetoi ditët e lavdishme në mesin e viteve ’90, kur e arriti çerekfinalen e Kupës së Botës me një ekip të talentuar në Shtetet e Bashkuara, saktësisht para 30 vjetëve.

Ylli kryesor i ekipit ishte mbase lojtari më i mirë në historinë e futbollit rumun, Gheorghe Hagi, një lojtar elegant i njohur si Regele [Mbreti] në atdheun e vet, i cili luajti për dy ekipet më të mëdha spanjolle, Real Madridin dhe Barcelonën, në nivel klubi. Dhe, njeriu i cili e orkestroi tërë këtë nga stoli ishte mbase trajneri më i famshëm i kombit [së bashku me legjendën Mircea Lucescu], Anghel Iordanescu.

Tani, ta vlerësojmë lojën dhe stolin dhe do t’i gjejmë një Hagi dhe një Iordanescu gjithashtu. Djali i Gheorgheit, Ianis Hagi, i ka trashëguar disa aftësi driblimi nga babai, por edhe pse 25-vjeçar, ai ende nuk ka arritur lartësinë e babait të vet. Djali i Anghelit, Edward Iordanescu, e mori drejtimin e ekipit kombëtar më 2022 në një kohë kritikash për nepotizëm, por deri tani ka dhënë fryte. A është kjo vera kur djemtë do ta marrin vëmendjen nga baballarët e tyre të famshëm?

Lojtari të cilin duhet ta ndjek me vëmendje

Përveç Hagit, një lojtar tjetër, të cilit i rëndon mbi supe një emër tjetër i madh futbolli, që duhet ta shikoni me vëmendje është: Radu Dragusin. Si adoleshent ai ia doli t’i bashkohej klubit më të madh italian, Juventus.

Megjithëse ai i ka bërë vetëm katër paraqitje për Zonjën e Vjetër, ai u bë njëri prej mbrojtësve më të mirë në ligën italiane, Serie A, sezonin e kaluar duke luajtur për Genoan, e cila e bleu atë nga Juventusi.

Loja e tij ishte aq mahnitëse saqë gjiganti anglez Tottenham i pagoi 25 milionë euro për të në janar 2024, duke e bërë atë futbollistin më të shtrenjtë rumun në histori.

Këndvështrimi politik

Tifozët rumun “ultras”, që nënkupton tifozët e flakët të ekipit, janë mbase një grup politik që ka anim të qartë nacionalist dhe ekstremist. Nuk dihet se sa prej tyre do të udhëtojnë në Gjermani për ndeshjet e evropianit, por nëse shkojnë në numër të madh, do të jetë interesant të shihet se çfarë do të bëjnë.

Në një ndeshje vitin e kaluar kundër Kosovës, ata e shpalosën një afshie të madhe me mbishkrimin: “Kosova është Serbi”, si dhe një me mbishkrimin: “Bessarabia është Rumani”, duke iu referuar një regjioni historik që mbulon Moldavinë e sotme dhe pjesë të Ukrainës jugore.

Rumania është njëra nga pesë vendet e vetme të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Besohet se rreth 100.000 rumunë jetojnë në Ukrainë. Ia vlen të përmendet George Simion, kryetari i Aleancës së ekstremit të djathtë për Bashkimin e Rumunëve (AUR), e cila zuri vendin e tretë në zgjedhjet për Parlament Evropian së voni.

Partia e tij e kundërshton vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën – e cila është njëra prej kundërshtarëve të Rumanisë në kampionat. Derisa Ukraina dhe Moldavia në përgjithësi kanë marrëdhënie miqësore dhe Bukureshti është njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të Kievit, mund t’ia vlejë të shikohet se si do t’i përgjigjen njëri-tjetrit tifozët e të dy vendeve fqinje në ndeshjet hapëse të kombëtareve të tyre në turneun e Munihut më 17 qershor. Një atmosferë miqësore me dy palë tifozë të zbukuruar me ngjyrë të verdhë apo diçka më armiqësore.

Hungaria: A do të këndellet fuqia e futbollit?

A e keni ditur se Hungaria dikur ka qenë superfuqi e futbollit? Ju falet nëse nuk e dini, sepse ka qenë shumë kohë më parë, në vitet ’50, por ç’skuadër kishte! Me nofkën “Ekipi i Artë”, Hungaria e fitoi medaljen e artë olimpike më 1952 dhe e humbi vetëm një ndeshje nga viti 1950 deri më 1956.

Ajo disfatë erdhi kundër Gjermanisë Perëndimorë në finale të Kupës së Botës më 1954 – një befasi aq e madhe saqë gjermanët ende e cilësojnë atë si “Mrekullia e Bernit”, ku u zhvillua loja. Në një listë të përpiluar nga BBC më 2016, ekipi hungarez i cilësua si më i mirë në histori, para cilitdo ekip që kanë prodhuar ndonjëherë gjigantët e futbollit si Argjentina, Brazili, Italia apo Spanja.

Pushtimi rus i Hungarisë më 1956 shënoi fundin e asaj epoke. Futbolli hungarez nuk ka qenë kurrë më i njëjti dhe ka dështuar ta rikthejë lavdinë. Pas paraqitjes në Kupën e Botës 1986, Hungaria dështoi të kualifikohej për ndonjë turne botërori apo evropiani për tri dekadat pasuese!

Por, më 2016, hungarezët u kthyen në skenën më të madhe evropiane dhe i mposhtën fqinjët, Austrinë. Tani ka një ndjesi më ndryshe, ekipi i kaloi me lehtësi kualifikimet pa pësuar disfatë, dhe duke luajtur futboll të mirë pas një kohë shumë të gjatë.

Ajo mund të mos jetë kthyer në fron akoma, por Hungaria nuk ka udhëtuar në Gjermani vetëm për të qenë numër.

Lojtari të cilin duhet ta ndjek me vëmendje

Hungaria ka Milos Kerkezin, një mbrojtës i krahut të majtë tejetej premtues, si dhe Laszlo Kleinheisler, një mesfushor i palodhshëm. Megjithatë, është vetëm një lojtar të cilit duhet t’ia vini veshin: Dominik Szoboszlai.

Szoboszlai mund të jetë futbollisti më i mirë hungarez prej kohës së legjendës Ferenc Puskas. Ai u bë kapiten i Hungarisë në moshën 21 vjeçe dhe mund ta kuptoni pse bashkëlojtarët dhe tifozët e adhurojnë njëlloj.

Këndvështrimi politik

Nëse kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, e ka një pasion të vërtetë, ai është futbolli. Thuhet se ai i shikon disa ndeshje futbolli në ditë. Në rininë e tij, ai ishte futbollist për ekipin rumun Videoton dhe e ka themeluar një klub futbolli në fshatin e lindjes së tij Felcsut, i cili luan tani në ligën elitare të Rumanisë.

Stadiumi i klubit të tij mund të jetë vetëm simboli i kryelartësisë së Orbanit dhe stili i qeverisjes së tij. Stadiumi ultra modern dhe shumë i bukur, me rreth 3.800 ulëse, në një fshat të vogël, ndodhet vetëm pak larg vilës së kryeministrit, e cila u financua nga shteti me paratë kushtuar tatimpaguesve. Qeveria e Fideszit, që është në pushtet nga viti 2010, ka shpenzuar shumë në të gjitha llojet e projekteve të lidhura me futbollin.

Por, edhe nëse ato e cilësojnë veten si tifozët më të mëdhenj të futbollit, pasioni i Orbanit mund t’i kthehet bumerang. Përdorimi i parasë publike për futboll është duke ngritur shumë pyetje. Pastaj e kemi edhe “Brigadën Karpate” – njëfarë klubi jozyrtar i mbështetësve të ekipit kombëtar.

Kjo është një tjetër ide e Fidesz, i cili u përpoq t’i bashkonte tifozët e zjarrtë nga klubet e ndryshme të vendit me qëllimin e përbashkët për ta mbështetur kombëtaren e Hungarisë në ndeshje ndërkombëtare.

Ky eksperiment iu kthye bumerang shumë shpejt, pasi elementet ekstremiste e morën në dorë iniciativën. Ky grup është përfshirë në disa incidente famëkeqe në vitet e fundit, përfshirë në abuzimin në baza racore të lojtarëve me ngjyrë nga ekipet e tjera kombëtare dhe shpalosjen e afisheve homofobike, si pasojë e të cilave kombëtarja hungareze është dënuar me gjoba dhe me përjashtimin e tifozëve të rritur nga ndeshje të caktuara.

Ukraina: Zgjedhja neutrale e çdo neutrali

Ky duhet të jetë rrëfimi i këtij turneu që të bën të ndihesh mirë. Apo, së paku, duhet t’u ofrojë ukrainasve pak pushim nga sulmet e pareshtura ruse në vendin e tyre, të cilat po ndodhin tash e dy vjet.

Meqë lajmet nga vija e frontit janë të këqija, dhe mbështetja politike për vendin herë zvogëlohet e herë rritet në Perëndim, ka shpresa se sporti do të ofrojë gjëra të mira në vitin 2024. Pasi Oleksandr Usyk u bë së voni kampion i padiskutueshëm i botës në peshat e rënda të boksit pas dy dekadash, tani është koha që kombëtarja e futbollit ta bëjë goditjen e radhës mahnitëse.

Dhe ekipi i tanishëm ukrainas ka mjaftueshëm talent dhe dëshirë. Dëshmi për këtë janë dy ndeshjet e playoff-it në mars, të cilat Ukraina u desh t’i zhvillonte për të shkuar në Gjermani.

Së pari, u duk sikur Bosnja e Hercegovina po e mposhte skuadrën kaltëreverdh, ukrainasit i shënuan dy gola të shpejtë në fund të takimit për të shpëtuar. Dhe pastaj, pesë ditë më vonë, duke luajtur si vendës në qytetin polak Wroclaw, për arsye të ditura sigurie, Ukraina përsëri fitoi me rikthim të rezultatit kundër Islandës për ta siguruar biletën për turneun e verës në Gjermani.

Me një grup kryesisht të “lehtë”, ka gjasa që Ukraina ta barazojë arritjen e vet nga Euro 2020 dhe ta arrijë çerekfinalen. Por, këtë herë, Ukrainën do ta mbështesin edhe neutralët.

Lojtari të cilit duhet t’i kushtoj vëmendje

Ka shumë për të zgjedhur. Kapiteni dhe sulmuesi Andriy Yarmolenko. Mbrojtësi i kompletuar Vitaliy Mykolenko, portieri Andriy Lunin, i cili së fundmi luajti rol të rëndësishëm në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve, si dhe Artem Dovbyk, i cili shënoi gola më shumë se çdo lojtar tjetër në ligën spanjolle këtë sezon.

Por, ta zgjedhim Oleksandr Zinchenko. Pasi e fitoi Premierligën katër herë me Manchester City, ai tani luan për rivalin më të madh të dy viteve të fundit të Cityt, Arsenalin. Ky djalosh është ëndrra e çdo trajneri. Pse? Sepse ai mund të luajë në shumë role dhe pozita dhe këtë e bën shumë mirë.

Këndvështrimi politik

A është e nevojshme të theksohet? Patriotizmi është shumë i lartë në ekipin ukrainas. Të gjithë futbollistët flasin vetëm gjuhën ukrainase. Më një intervistë së voni, Zinchenko diskutoi për njërën prej çështjeve më të nxehta në shoqërinë ukrainase, thirrjen në ushtri, dhe tha se është i gatshëm t’i bashkohet ushtrisë nëse thirret. Dovbyk dhe anësori i Chelseat Mykhailo Mudryk dhuruan të holla për të blerë dronë për forcat e armatosura.

Por, mbase tregimi këtu janë fanellat verdhekaltër të Ukrainës. Në fakt, ato janë të njëjtat si në turneun e kaluar, Euro 2020, i cili u mbajt më 2021 për shkak të COVID-19. Fanella shkaktoi shumë polemika, edhe pse ishte para se Rusia ta niste pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, për dy arsye. E para, në pjesën e përparme të saj shihen qartazi kufijtë e Ukrainës si në hartë. Kjo përfshin edhe pjesën lindore të vendit që është nën kontrollin e Rusisë, si dhe Gadishullin e Krimesë, që e ka aneksuar Kremlini.

Kjo ishte cilësuar si provokim i mundshëm, sepse edhe Rusia ishte pjesë e atij turneu, por UEFA, organi qeverisës i futbollit evropian, e lejoi përdorimin e fanellave sepse në to ishin kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Por, UEFA nuk ishte e lumtur për një gjë tjetër në fanella, mbishkrimin “Slavia Ukraini” [Lavdi Ukrainës]. Ky mesazh cilësohej politik, prandaj u bë një kompromis, sipas të cilit ai mesazh u shkrua brenda fanellës, ku mbahet edhe sot.

Çështja tjetër është prodhuesi i atyre fanellave, kompania spanjolle Joma, e cila për një kohë të gjatë e ka furnizuar ekipin kombëtar ukrainas. Bashkëpunimi mes tyre do të përfundojë, pasi kompania vendosi të prodhojë rroba edhe për klubin rus, Zenit Shën Petersburg – klubi i vendlindjes së Vladimir Putinit, i cili financohet nga gjiganti i energjisë, Gazprom. Fanellat e ekipit kombëtar janë shumë më shumë se thjesht një pallë rroba të parëndësishme për këto ekipe.

Serbia: Debutuesi që mund të shkaktojë befasi

Pas një çerekshekulli, Serbia kthehet në Euro. Por, në fakt është hera e parë që ajo luan vetëm si Republika e Serbisë. Më 2000, ajo u përfaqësua si Republika Federale e Jugosllavisë, e cila asokohe përbëhej nga vendet e sotme të pavarura, Kosova dhe Mali i Zi, dhe shumë kohë më parë ishte, natyrisht, Republika Federal Socialiste e Jugosllavisë, e njohur për tifozët vetëm si Jugosllavia.

Pra, çfarë të presim nga ky ekip? Mbase shumë. Çdo turne ka një befasi, një ekip që askush nuk e kishte pritur se do të shkojë larg në turne. Më 2020 ishte Danimarka që e arriti gjysmëfinalen, ndërsa më 2016 ishte Uellsi që arriti aq larg. Befasi këtë herë mund të jetë Serbia.

Askush nuk flet për të vërtetë, gjë që nganjëherë mund të jetë bekim. Shumica e lojtarëve të saj luajnë në liga të mëdha evropiane dhe shumica e tyre e fituan Kupën e Botës për lojtarët nën moshën 20 vjeç më 2015.

Pra, ata në njëfarë mënyre “janë rritur së bashku”. Mos u habisni nëse ata shpërthejnë në skenën më të madhe në Gjermani.

Lojtari të cilit duhet t’i kushtoj vëmendje

Nga ekipi serb mund ta zgjidhni cilindo sulmues. Aleksandr Mitroviq, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares serbe dhe një bishë në ajër. Lluka Joviq dhe Dushan Vllahoviq janë dy yjet e vendit që ende nuk kanë shkëlqyer. Megjithatë, ky ekip është një hiç pa kapitenin Dushan Tadiq, i cili ka bërë më së shumti paraqitje për kombëtaren.

Ai mund të jetë 35 vjeç, por është ende ai që mban timonin. Kur njerëzit flasin për 10-shin e mirëfilltë, mos shikoni përtej Tadiqit, majtak, i aftë, pasues mahnitës, dhe goditës i paparë i topit. Nëse ai është në diskonim, topi vallëzon rreth tij.

Këndvështrimi politik

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbizotëron shumicën e aspekteve të jetës publike në Serbi, dhe futbolli nuk bën përjashtim. Dragan Dzhajiq, njëri prej futbollistëve më të mirë që ka pasur Serbia, është president i tanishëm i Federatës së Futbollit të Serbisë dhe ai erdhi në atë pozitë vetëm falë Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët praktikisht i ndaluan delegatët që besohej se do të votonin për një kandidat tjetër.

Dzhajiq ishte më herët president i njërit prej klubeve më të mëdha të vendit, Yllit të Kuq të Beogradit, ku u akuzua formalisht për mashtrim, pasi i shiti disa lojtarë. Gjykimi ndaj tij përfundoi më 2012, pasi presidenti serb në atë kohë, Tomisllav Nikoliq, i cili është anëtar i partisë së Vuciqit, Partia Përparimtare Serbe, vendosi ta falë atë nga përgjegjësia penale.

Në rrugët e Beogradit flitet se Dzhajiq është thjesht një figurë kukull. Njeriu i cili e udhëheq vërtet federatën e futbollit është zëvendëspresidenti Branisllav Nedimoviq, ish-ministër dhe njeri i afërt i Vuçiqit që nuk ka bagazh në futboll.

Serbia është vendi i vetëm evropian që ka luajtur kundër Rusisë prej se filloi pushtimi i plotë i Ukrainës para dy vjetëve. UEFA e përjashtoi Rusinë nga të gjitha ndeshjet zyrtare, që nënkupton se ekipi i saj nuk u lejua të luajë në ndeshje kualifikuese për Euro 2024, por mund të luajë ndeshje miqësore. Të gjitha ekipet evropiane nuk kanë pranuar të luajnë as miqësore me të.

Bosnja e Hercegovina pritej të luante kundër Rusisë, por një numër i lojtarëve të rëndësishëm nuk pranuan të luajnë dhe ndeshja u anulua. Serbia luajti kundër saj në Moskë në mars të këtij viti, megjithatë, dhe u mposht 4:0.

Gjeorgjia: Autsajderi më i madh

Nëse ju pëlqen ta mbështesni ekipin e favorizuar më së paku, atëherë përkraheni Gjeorgjinë. Nga 24 ekipet që marrin pjesë në Euro 2024, Gjeorgjia është ekipi i renditur më së dobëti – në vendin e 75-të. Ajo do të përballet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos dhe me fqinjin e madh, Turqinë, e cila ka popullsi 20 fish më të madhe. Por, nuk duhet të nënvlerësohet pasioni për futboll i këtij vendi të vogël të Kaukazit jugor.

Në një kohë trazirash në vend, ku qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë së fundmi për ta kundërshtuar një ligj të stilit rus për “agjentët e huaj”, i cili ia rrezikon Gjeorgjisë rrugën euroatlantike, ky ekip mund të ofrojë njëfarë arratisje nga kjo.

Kur Gjeorgjia e mposhti në mars Greqinë me penallti për t’u kualifikuar për turneun e parë ndërkombëtar prej pavarësimit më 1991, i tërë vendi festoi sikur të ishte fundi i botës.

Lojtari të cilit duhet t’i kushtoj vëmendje

Natyrisht, mund të them Giorgi Mamardashvili, një portier shumë premtues që luan për Valencian në ligën spanjolle, i cili do të ketë shumë punë pasi Gjeorgjia pritet të luajë futboll mbrojtës.

Megjithatë, për këtë ka vetëm një përgjigje: Khvicha Kvaratskhelia – ylli më i madh i vendit dhe njëri prej atyre që pritet të shkëlqejnë në Gjermani me shpejtësinë dhe driblimet e tij mahnitëse. Ai i ndihmoi Napolit ta fitojë titullin e parë në Serie A të Italisë pas plot 33 vjetëve pritje. Ai u shpall lojtari më i mirë në ligë para dy sezoneve pasi e udhëhoqi skuadrën drejt titullit.

Këndvështrimi politik

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka tentuar deri tani ta shfrytëzojë suksesin e kombëtares duke postuar fotografi duke festuar me ekipin. Kryeministri, Irakli Kobakhidze, pritet të jetë i pranishëm në Gjermani, së bashku me kryetarin e Tbilisit, pjesë e partisë së tij, dhe me Kakha Kaladze, dikur futbollist i Milanit në Itali, i cili tani është njëri prej mbështetësve kryesorë të Qeverisë.

Si po reagon ekipi kundër ligjit për agjentët e huaj? Anëtari i vetëm i ekipit që deri tani e ka mbështetur publikisht partinë në pushtet është 32-vjeçari Solomon Kvirkvelia, i cili shumicën e karrierës e kaloi në Rusi dhe tani luan në ligën e Arabisë Saudite.

Yjet Mamardashvili dhe Kvaratskhelia janë disi të pavendosur, duke theksuar se e ardhmja e Gjeorgjisë është në Evropë, por pa e dënuar ligjin. Budu Zivzivadze e ka dënuar disa herë publikisht ligjin.

Mbase lojtari i vetëm i cili që ka qenë i zëshëm është numri 10 i skuadrës, Giorgi Chakvetadze, i cili shkroi në Instagram se “askush nuk është mbi popullin tonë; asnjë ligj nuk është mbi popullin. Tërhiqeni këtë ligj dhe eja të bashkohemi përsëri, sic bëmë më 26 mars! Jo Rusi, por vetëm Evropë!” radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Drejtësi Gjermane, Itali-Shqipëri, UEFA vendos për trupën arbitrare

Më 15 qershor, Shqipëria bën debutimin në “Euro2024”, në Dortmund sfidojmë Italinë. Kjo është ndeshje jetike jo vetëm për kuqezinjtë, por dhe për përfaqësuesen “azzurre”.

Edhe UEFA e ka vlerësuar maksimalisht këtë takim duke ia besuarit një arbitri të njohur si gjermani Felix Zwayer. Edhe pjesa tjetër e trupës gjykuese është e gjitha gjermane: Stefan Lupp dhe Marco Achmüller do të jenë asistentët e tij, ndërsa në dhomën e VAR do të jetë Bastian Dankert.

(BalkanWeb)

Sylvinho për “The Guardian”: Shqipëria zgjedhje zemre, i emocionuar për Europianin, kam skuadër të fortë

Shqipëria ia doli të kualifikohej për në Europian, për herë të dytë në histori. Një nga më të më merituarit për këtë sukses është edhe trajneri Sylvinho , i cili së fundmi dha një intervistë për “The Guardian”.

“Unë asnjëherë nuk jam i qetë. Lojtarë e dinë, federata e di, presidenti e di. Mbrëmja e Krishtlindjeve, fundi i vitit, normalisht ti e rifillon punën në janar. Por gjatë gjithë kohës unë jam duke menduat se si mund të kalojmë grupin. Si mund të luajmë ndaj Italisë? Si mund të luajmë kundër Kroacisë? Çfarë do të bëjmë kundër Spanjës? Duhet të gjesh një mënyrë se si të shkurtosh distancën mes tyre dhe nesh. Si? Duhet të punosh”, tregon fillimisht Silvinjo, i cili pranon se sa i rëndësishëm kishte qenë ky “bast” për të, pas eksperiencave aspak të suksesshme të Korinthians dhe Lion.

“I thashë asistentit tim, Doriva “Unë duhet të tregohem i zgjuar, nuk mund të bëj një gabim, pasi nëse bëj një zgjedhje të gabuar, do të jem në telashe””, shpjegoi ai, duke zbuluar pse insistoi që të jetonte në Tiranë me stafin e tij. “Duhet të njohësh njerëzit, unë nuk më të vij e thjesht të shfaqem këtu 10 ditë para një ndeshje. Llojin e atmosferës që e sheh këtu, jam absolutisht i sigurt që transmetohet në fushë”.

Silvinjo tregoi se lojtarët e Shqipërisë janë të jashtëzakonshëm në aspektin e mësimit dhe dëshirës për të punuar taktikisht. “Teknikisht janë të shkëlqyer, ata kanë diçka ndryshe dhe mund ta tregojnë në fushë. Ata nuk janë lojtarë të tipit që dalin aty në fushë, rreshtohen 4-4-2 dhe kur nuk kemi topin nuk kemi pse të bëjmë diçka speciale. Ata e pëlqejnë anën taktike, ata e kuptojnë punë e lodhshme, por ata gjithashtu pëlqejnë që të kenë hapësira për të krijuar dhe duhet t’i lejosh ta bëjnë këtë.

Punohet çdo ditë, 10 apo 12 orë, pastaj ndoshta del për darkë dhe sheh një ndeshje më pas,. Edhe për mua ka qenë një sfidë e madhe. Por ti beson te taktika, te hapësira për lojtarët e mirë, te lojtarët e U21 dhe të brezi i vjetër. Të jep me të vërtetë kënaqësi” tha braziliani.

Suksesin e tij ai ia vendos faktit se ka qenë i sinqertë me lojtarët, duke u prezantuar si trajner dhe jo si ish-lojtari i famshëm.

“Nuk mund të ketë gjëra si “unë jam Silvinjo, fitova “Triplete” në 2009, punova për Guardiolën, tani di gjithçka”. Ajo q ë kam bërë më përpara është e rëndësishme për mua dhe mund ta përdor, por nuk mund të vij këtu dhe t’u flas lojtarëve në një nivel tjetër. Nuk mund të futesh në dhomat e zhveshjeve dhe të thuash thjesht “Liga e Kampioneve”.

Diçka e vogël, në një stërvitje në ditët e para, një nga lojtarët më pasoi topin. “Ta shohim si e gjuan trajneri pra”. Unë e kapa topin me duar, që është gjëja e parë që na mësohet të mos bëjmë kur jemi fëmijë. Unë mund të kem një teknikë të mirë, por kishte një mesazh më të madh. “Po, e kam bërë, por tani duhet ta bësh ti, pasi unë nuk mundem më. Nuk është koha ime, është e jotja”. Ndoshta kam qenë i rëndësishëm si lojtar, por jo më. Më është dashur të tërhiqem, të punoj dhe edukoj veten”, thotë Silvinjo, i cili më pas fokusohet te puna për Europianin duke kujtuar mësimet, si ato të Guardiolës nga i cili kishte mësuar të punonte me video.

“Lojtarët janë inteligjentë, nëse ti i tregon budallallëqe dhe nuk ke të drejtë, ata do ta marrin vesh. Duhet të jesh preciz dhe t’i bindësh. Mançini? Shumë inteligjent dhe shumë i aftë në promovimin e lojtarëve të rinj.

Ndeshja e parë me Italinë? Një ndeshje mbresëlënëse, një sfidë e madhe dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Nuk ke pse e fillon turneun duke u shqetësuar për 3, 4, 5 apo 6 pikë, pasi ka të bëjë me çdo ndeshje. Ndeshja e parë do të jetë shumë e rëndësishme, por kështu do të jenë edhe të tjerat.

Janë tre ndeshje, 90 minuta secila dhe çdo gjë mund të ndodhë në atë periudhë. Mund të ndryshosh jetën tënde në atë kohë, mund ta bësh me të vërtetë. Njerëzit thonë “Mister, qetësohu, qetësohu”. Por unë nuk mundem. Është detyra ime të sigurohem që do të mundohemi në maksimum që të bëjmë diçka speciale” – tha ai. bw

Turneu më i madh i futbollit në Evropë fillon këtë javë dhe është i paparashikueshëm

Trofeu i Kampionatit Evropian të futbollit prezantohet në Stadiumin Olimpik në Berlin, Gjermani, në prill 2024, në prag të EURO 2024.

 

Associated Press

Rikthimi i Cristiano Ronaldos, një Kylian Mbappe i papërmbajtshëm dhe një Gjermani e ringjallur.

Shtoja atyre edhe një Angli të fuqizuar nga Harry Kane dhe kampionen në fuqi Italinë, dhe EURO 2024 – që nis më 14 qershor – është thjesht e paparashikueshme.

E gjithë kjo pa e përmendur fare tri herë fituesen, Spanjën.

Në fund të fundit, ky është një turne të cilin e ka fituar autsajderja Greqia më 2004. Më 1992 atë e fitoi Danimarka, një kombëtare e cila nuk madje nuk ishte kualifikuar për turneun, por iu mundësua pjesëmarrja në çastin e fundit kur Jugosllavia e përfshirë në luftë u përjashtua.

Nikoqirja Gjermania shpreson se do ta krijojë një atmosferë festive dhe mikpritëse për miliona tifozë të futbollit, të cilët do t’i shkojnë ndeshjet në stadiume apo në zona e caktuara për tifozë nëpër gjithë vendin – njësoj siç bëri kur e organizoi Kupën e Botës më 2006.

Megjithatë, ky turne do të zhvillohet në një kontekst politik më ndryshe. Ngjarja kryesore sportive në Evropë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës po mbahen nën hijen e konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ukraina është pjesëmarrëse dhe mund të presë pritje të ngrohtë në Gjermani, e cila ishte nikoqire e ndeshjeve të kombëtares ukrainase si vendëse gjatë fushatës kualifikuese.

Rusia u përjashtua nga kualifikimet dhe është e pezulluar nga të gjitha garat ndërkombëtare nga organi i futbollit qeverisës në Evropë, UEFA, si dhe nga shtëpia e futbollit botëror, FIFA.

Ndërkohë, Gjeorgjia po shkon në kampionatin e parë të madh të futbollit në një kohë kur kriza në atdhe është thelluar.

Vendi i Kaukazit Jugor është përballur me protesta disajavore kundër një ligji kundërthënës, për të cilin kundërshtarët thonë se do t’i luftojë liritë e mediave dhe do të jetë pengesë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Si gjithmonë, Kampionati Evropian është i kërcënuar nga huliganizmi, ku përleshjet mes tifozëve rivalë janë bërë ndodhi e zakonshme. Por, kërcënimi nga terrorizmi dhe dhuna politike janë bërë shqetësim edhe më i madh për sigurinë, pas një sërë sulmesh ndaj politikanëve në Gjermani.

Autoritetet gjermane kanë vendosur t’i rrisin dhe shpeshtojnë kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit. Më shumë se 20.000 oficerë të policisë do të jenë në detyrë.

Duke i parë tensionet rreth luftës në Rripin e Gazës, UEFA dhe Gjermania i shmangën shqetësime më të mëdha kur Izraeli dështoi të kualifikohej për EURO 2024.

Në fushën e gjelbër ka arsye për ta pritur një turne drithërues, pa kufizimet e COVID-19 të cilat ishin vendosur gjatë evropianit të kaluar më 2021.

Anglia dhe Franca janë në mesin e kombëtareve favorite.

Tre vjet më parë, Anglia u mposht në finale në penallti nga Italia, duke dështuar për pak ta fitojë trofeun e parë të madh prej Kupës së Botës 1966.

Francës gjithashtu ia theu zemrën një disfatë në penallti në finalen e Kupës së Botës 2022 kundër Argjentinës në Katar. Kylian Mbappe mbetet ylli i saj kryesor, por ai është i rrethuar nga talente ta klasit botërorë në skuadrën franceze, me lojtarë në formë si Antoine Griezmann, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Ousmane Dembele dhe Kinggsley Coman.

Ronaldo do të kthehet të garojë në Evropë, pasi shkoi në Arabinë Saudite për të luajtur për klubin e tij të futbollit. Madje edhe në moshën 39-vjeçare, ish-ylli i Manchester United dhe Real Madrid, ende është një makineri golash – pasi i shënoi hiç më pak se 10 gola në fushatën e përkryer kualifikuese të Portugalisë.

Gjermania është një pikëpyetje pas një sërë turnesh zhgënjyes në vitet e fundit, por trajneri i ri Julian Nagelsmann e ka ringjallur humorin në ekipin nikoqir tamam në kohë për EURO 2024, duke ngritur moralin e lojtarëve me fitoret e fundit në miqësore kundër Francës dhe Holandës.

Parashikimet për Italinë janë të rrezikshme, pasi kombëtarja e fuqishme e futbollit botëror dështoi të marrë pjesë në dy botëroret e fundit, por e fitoi evropianin që u mbaj në mes tyre.

Spanja synon ta kthejë lavdinë e dikurshme, pasi e kishte mbizotëruar futbollin ndërkombëtar nga viti 2008 deri në vitin 2012, kur i fitoi dy evropiane dhe u kurorëzua kampione e botës.

Kombëtaret e tjera që nuk duhet humbur nga vëmendja janë Kroacia, e cila doli e treta nga Botërorin e Katarit, për të cilën Luka Modrici i Real Madridit ende po luan futboll të nivelit më të lartë. Brezi i artë i Belgjikës është shpërndarë, por ajo u kualifikua në EURO 2024 si fituese e grupit, me sulmuesin Romelu Lukaku si golashënuesi më i mirë me 14 gola.

Nëse ky është një vit i një befasie tjetër, atëherë kombëtaret e mundshme për ta bërë këtë janë Austria e Ralf Rangnickut, e cila mahniti gjatë kualifikimeve; Danimarka, gjysmëfinaliste e EURO-s së fundit; apo Serbia, e cila ka një sulm goxha të tentuar.

Shqipëria – që merr pjesë për herë të dytë në histori – do ta ketë një grup zor ta kalueshëm, pasi përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Kosova dështoi të kualifikohej.

Në një turne ku kanë ndodhur disa prej befasive më tronditëse në futbollin ndërkombëtar – gjithçka është e mundur. radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Ekrem Idrizi

EURO 2024- Shqipëria nis përgatitjet në Kaiserau për sfidën ndaj Italisë, seanca stërvitore e pasdites zhvillohet e hapur për tifozët

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot me përgatitjet në tokën gjermane për ndeshjen e parë të Kampionatit Europian ndaj Italisë.

Skuadra ka zhvilluar sot dy seanca stërvitor në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau. Seanca stërvitore e pasdites ishte edhe më e veçanta, pasi ishte e hapur për të gjithë tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, për të ndjekur nga afër një seancë të plotë stërvitore të Kombëtares shqiptare.

Pavarësisht kushteve atmosferike tifozët shqiptarë ishin të shumtë dhe qëndruan deri në fund për të ndjekur nga afër stërvitjen e kuqezinjve nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Në këtë seancë të hapur stërvitore ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, falënderoi bashkinë e Kamen për mikëpritjen dhe theksoi se të gjithë bashkë do të bëjnë të pamundurën për të qenë një vlerë e shtuar në Europianin “Gjermani 2024”.

“Faleminderit bashkisë për pritjen dhe gjithë mbështetjen që na ka dhënë në organizimin e këtij grumbullimi. Të gjithë djemtë iu falënderojnë ju dhe çdo njeri që ka bërë maksimumin për pritjen e tyre këtu. Në emër të tyre unë ju garantoj që do të japim më të mirën për të qenë një vlerë e shtuar për Kampionatin Europian në Gjermani. Unë i ftoj edhe njëherë djemtë dhe uroj që ta shijojnë këtë Kampionat Europian, ta shijojnë mundin e djersës së tyre që kanë arritur deri këtu, për ne është historike. Këto janë djemtë që të gjithë shqiptarët i kanë bërë krenarë dhe çfarëdo që të bëjnë në Europian, çfarëdo rezultati që të marrin ne do të jemi krenarë për to, do t’i përqafojmë dhe përshëndesim në çdo moment. Faleminderit shumë të gjithëve dhe nder për mua që në emër të djemve do të vendosim një shënim në librin e artë të komunës. Faleminderit dhe stërvitje të mbarë” – tha Presidenti Duka.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen, falënderoi FSHF që përzgjodhi si kamp bazë për finalet e “Euro 2024” SportCentrum Kaiserau dhe i uroi suksese në Kampionatin Europian.

Në përfundim të seancës stërvitore i gjithë ekipi, stafi teknik dhe President Armand Duka, u përshëndetën me tifozët, dhanë autografe dhe bënë foto duke përmbyllur një pasdite me atmosferë fantastike në SportCentrum Kaiserau.

Ndërkohë skuadra sot ka kryer me sukses dy seancat stërvitore. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë stërvitur normalisht nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Ndeshja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Europian ndaj Italisë do të luhet të shtunën më datë 15 qershor në ora 21:00, në stadiumin e Dortmundit. bw


Send this to a friend