Më 24 prill 2025, Jeffrey Goldberg,kryeredaktor i revistës prestigjioze amerikane,The Atlantic, dhe gazetarët Ashley Parker, Michael Scherer – të cilët më parë kanë qenë të ‘The Ëashington Post zhvilluan – një intervistë me presidentin e Amerikës Donald Trump në Zyrën Ovale.
Takimi erdhi pas disa përpjekjesh dhe anulimesh, përfshirë edhe një telefonatë të rastësishme nga presidenti në orët e vona të natës. Trump e pranoi intervistën me një postim ironik në Truth Social, ku kritikoi gazetarin Goldberg për artikuj “të sajuar”.
Pavarësisht historisë mes tyre, Trump ishte në një humor të mirë dhe i shoqëruar nga stafi i tij. Intervista u përqendrua në rikthimin e tij të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë dhe në mënyrën se si ai po e koncepton një mandat të dytë presidencial. Ai diskutoi për Ukrainën, tarifat tregtare, dhe ushtrimin e pushtetit, duke theksuar se synon ta përdorë presidencën për të “shpëtuar vendin dhe njerëzimin”. Takimi u vlerësua si një bisedë interesante”
Pjesë nga Intervista e publikuar në ‘The Atlantic’s më 28 prill
Rikthimi në Shtëpinë e Bardhë
Parker: Historia jonë po ndjek një rikthim të jashtëzakonshëm. Dhe nuk është vetëm rikthim —
duket se tani po ushtron pushtetin në një mënyrë të ndryshme. Por pyetja ime lidhet me janarin 2021 — ishe në një lloj “internimi”, po luftoje për mbijetesën politike.
Trump: Nuk e kam parë ashtu, por ndoshta ke të drejtë. Ka një grimë të vërtetë në këtë.
Parker: Kur ishte momenti i parë që kuptove se mund të riktheheshe? Që mund të ndodhte sërish?
Trump: Unë jam një mendimtar shumë pozitiv. Vura në dyshim nëse do të doja të rikthehesha, por kurrë nuk mendova se nuk do të mundesha.
Kishte figura si Ron DeSantis që po cilësohej si yll në ngritje. Njerëzit thoshin: “Ai do të shkëlqejë.” Dhe në anën demokrate — ndoshta — kishte disa që dukeshin premtues. Kush e di? Unë nuk i pashë si të tillë. Për mua, Biden ishte një president i dështuar. Ai lejoi miliona njerëz të hynin në Amerikë, të cilët nuk duhet të ishin këtu. Është një problem i madh.
Mendova se ndoshta nuk do ta bëja, por nëse do ta bëja, do të fitoja. Por kurrë nuk e konsiderova si një “rikthim”. Shumë njerëz e quajnë ashtu. Madje disa e cilësojnë si rikthimin më të madh politik në histori. E shoh si një nder, por unë vetë nuk e ndjej si rikthim. Thjesht e shoh si: unë vazhdoj përpara, hap pas hapi.
Ndoshta nuk duhet të ndihem keq për atë fjalë, sepse ndoshta është e saktë. Thjesht unë nuk e kam përjetuar kështu.
Scherer: Kur erdha në Zyrën Ovale javën e kaluar si pjesë e gazetarëve, të bëra një pyetje për IRS-in që po heton Harvardin, dhe ti fole me shumë pasion për mënyrën se si konservatorët po shënjestrohen nga IRS. Gjithashtu ke nxjerrë një urdhër ekzekutiv — e ke akuzuar Chris Krebs se ka shkelur Amendamentin e Parë, por në fakt po e ndëshkon për opinionin e tij për zgjedhjet e vitit 2020.
Trump: Po.
Scherer: Ka shumë shqetësime në vend që mënyra si po e përdor pushtetin ekzekutiv për të goditur ata me të cilët nuk bie dakord po e shtyn vendin drejt autoritarizmit. Në Truth Social, ndoshta me shaka, the: “Ai që shpëton vendin, nuk shkel asnjë ligj.” A duhet të jenë të shqetësuar njerëzit se po ndryshon natyra e presidencës nën drejtimin tënd?
Trump: Jo. Shiko, në histori, askush nuk është ndjekur dhe sulmuar si unë. Ndoshta është më e vështirë për ju ta shihni, sepse jeni në anën tjetër të medaljes. Por askush nuk është ndjekur si unë. Nuk e kuptova menjëherë. Kur shkarkova [ish-Drejtorin e FBI] James Comey, më thanë se ishte një gabim i madh, që do të më përndiqte. Dhe vërtet, kur e pushova, ishte si të hidhje një gur në fole grerëzash — gjithçka shpërtheu në FBI. Dhe aty gjetëm deklaratën për “policën e sigurimit”. E mban mend deklaratën e famshme: “Mos u shqetëso, ai do të humbasë. Por nëse fiton, kemi një polici sigurimi”? Polica e sigurimit ishte pikërisht ajo që po bënin ata.
Nuk ka pasur njeri tjetër që është ndjekur si unë. Por gjatë presidencës sime të parë arritëm shumë; mora vlerësime të mira, sidomos nga të moderuarit dhe konservatorët. Kur sheh ekonominë, më pas u goditëm nga COVID, por kur ia dorëzuam tregun e aksioneve pas COVID-it, ishte më i lartë se sa para pandemisë — që është vërtet mbresëlënëse.
Por gjëja e vërtetë është: ndërkohë që isha këtu, po më përgjonin; përgjuan fushatën time që në fillim. Dhe tani kjo është vërtetuar — shumë nga këto gjëra janë vërtetuar. I gjithë hetimi i Mueller-it ishte një gjueti shtrigash; përfundimi ishte se nuk kisha asnjë lidhje me Rusinë.
Scherer: Vetëm një—
Trump: Vetëm ta përfundoj. Kjo është një presidencë shumë më e fuqishme se ajo e para. Por edhe herën e parë realizuam gjëra të mëdha. Herën e parë po luftoja për mbijetesë dhe për të drejtuar vendin. Këtë herë po luftoj për ta ndihmuar botën dhe për ta ndihmuar vendin. Është një presidencë shumë ndryshe.
Zelensky dhe Putin
Goldberg: T’i kthehemi çështjes së Rusisë. “Vladimir, NDALO!” — e shkruajte në Truth Social.
Trump: Po, e bëra.
Goldberg: Nuk më duket ai tipi që do të thotë: “Ah, mirë, Trump më tha të ndalem, ndaj do të ndalem.”
Trump: Ndoshta do të befasohesh.
Goldberg: Nëse ndodh kështu, do të kthehem dhe do të them: “Ke pasur të drejtë, unë gabova.” Por mendoj se kam të drejtë. Ai nuk është tipi që thjesht do të ndalojë përpjekjen për të marrë të gjithë Ukrainën. Pyetja është: Nëse ai përparon, nëse ka më shumë suksese ushtarake—
Trump: Gjë që është e mundur.
Goldberg: Të bombardojë pallate banimi—
Trump: Sigurisht.
Goldberg: A sheh ndonjë situatë ku do të përfshiheshe, jo me trupa, por me më shumë armë, me mbështetje të plotë për Ukrainën për të ruajtur integritetin e saj territorial?
Trump: Nuk duhet të jenë domosdoshmërisht armë. Ka shumë forma armësh. Nuk ka nevojë të jenë armë me plumba. Mund të jenë armë ekonomike, me sanksione. Mund të jenë armë përmes bankave. Ka shumë mënyra të tjera.
Goldberg: A ka ndonjë gjë që Putin mund të bëjë që do të të shtynte të thuash: “Tani jam në anën e Zelenskyt”?
Trump: Jo domosdoshmërisht në anën e Zelenskyt, por në anën e Ukrainës, po. Po. Por jo domosdoshmërisht në anën e tij. Kam pasur vështirësi me Zelenskyn. E pamë edhe kur ishte këtu, ulur në atë karrige, kur thjesht nuk e kuptonte.
Goldberg: Ajo ishte një nga skenat më të çuditshme që kam parë ndonjëherë në Zyrën Ovale.
Trump: Gjithçka që duhej të bënte ishte të rrinte i qetë, e kupton? E fitoi pikën e tij. Por në vend që të thoshte “Në rregull” kur bëra deklaratën, thashë: “Ne po punojmë për ta zgjidhur. Po përpiqemi të ndihmojmë.” Ai tha: “Jo, jo, na duhet edhe siguri.” Unë thashë: “Siguri?”
Goldberg: A nuk është detyra e tij të mbrojë vendin e vet?
Trump: Po, është, por gjithsesi, le ta zgjidhim luftën më parë. Në fakt thashë: “Nuk e di nëse do të arrijmë ta përfundojmë.” Ai fliste për sigurinë pas luftës. Dhe më pas bëri një deklaratë, diçka si: “Ne e luftuam të vetëm, nuk morëm ndihmë.” I thashë: “Po si jo? Ju dhamë 350 miliardë dollarë, ndërsa Evropa shumë më pak.” Kjo është diçka tjetër që më shqetëson.
Do të shohim çfarë do të ndodhë gjatë kësaj jave. Jemi në momentet e fundit. Dhe për ta përsëritur, kjo është lufta e Biden-it. Unë nuk dua të mbetem me barrën e saj. Është një luftë e tmerrshme. S’duhej të kishte ndodhur kurrë. Dhe nuk do të kishte ndodhur kurrë, kjo aq e sigurtë sa ti je ulur këtu.
Goldberg: Po ajo skenë me Presidentin Zelensky këtu, mendon se trembi Tajvanin, Korenë e Jugut apo Japoninë?
Trump: Jo. Jo.
Goldberg: Ata nuk po mendojnë: “Kështu i trajton aleatët?”
Trump: Shiko. Ne jemi trajtuar shumë keq nga të tjerët. Shkuam në Korenë e Jugut dhe u kujdesëm për ta për shkak të luftës. U kujdesëm për ta dhe nuk e ndaluam kurrë. E di, kemi 42 mijë trupa në Korenë e Jugut. Na kushton një pasuri. Unë arrita t’i bind që të paguanin 3 miliardë dollarë, dhe më pas Biden e anuloi. Nuk e di pse. Ata janë pasuruar shumë. Kanë marrë tregtinë detare, makinat tona. Kanë marrë shumë nga bizneset tona, shumë nga teknologjia jonë.
Nuk ke pse ndihesh keq për këto vende. Këto vende kanë përfituar shumë në dëm tonin, shumë. Dhe unë dua ta mbroj këtë vend. Dua të sigurohem që edhe pas njëqind vitesh ky vend të jetë i madh. Kjo është një kohë shumë e rëndësishme. Jeffrey, jemi në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. sn