India ka nisur punimet për ndërtimin e statujës më të madhe në botë, e cila do të përfaqësojë një kryetar hindu të shekullit të 17-të. Vlera e statujës arrin në disa milionë dollarë, ndërsa ka ngjallur debate për koston e lartë, ku disa qytetarë kanë kërkuar peticion për pezullimin e punimeve.
Kryeministri indian, Narendra Modi vendosi gurin e parë të statujës së Chhatrapati Shivaji, që do të ndërtohet në një zonë pranë brigjeve perëndimorë të Bombeit.
Statuja do të jetë 192 metra e lartë, rreth dy herë më e lartë se Statuja e Lirisë në Nju Jork, pesë herë sa ajo e Krishtit në Rio dhe do tejkalojë Budhën gjigant të Tempullit të Pranverës në Kinë e cila mban aktualisht rekordin botëror me 128 metrat lartësi.
E paralajmërova Presidentin Trump për një Luftë të Tretë Botërore, theksoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në deklaratat që iu referuan përshkallëzimit në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë me gazetarin dhe influencuesin Kaolan Robertson, Zelensky vuri në dukje se i kishte shprehur shqetësimet e tij presidentit amerikan në lidhje me zhvillimin e mundshëm të një sulmi ndaj Iranit në një luftë botërore.
“Presidenti amerikan dhe stafi i tij nuk më dëgjuan. Nuk jam i sigurt nëse e kuptuan seriozitetin e situatës. Rusia ka filluar të mbështesë regjimin iranian me dronë. Sigurisht që do të ndihmojë me raketa, dhe gjithashtu i ndihmon ata me mbrojtjen ajrore. Çfarë vjen më pas? Duke pasur parasysh situatën, ekziston vetëm një pyetje: kur dhe cili vend do të jetë i pari që do të mbështesë regjimin iranian duke dërguar trupa? Siç ndodhi me Rusinë, kur Koreja e Veriut dërgoi 10,000 ushtarë, të cilët tani janë të vendosur në Rusi, por mund të dërgohen në Ukrainë. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Iranin – Rusia mund të dërgojë trupa atje”, tha Zelensky, ndër të tjera. bw
Derisa lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit po përqendrohet në Ngushticën e Hormuzit, pikën më jetike për kalimin e energjisë në botë, pasojat ekonomike të një ndërprerjeje të madhe të furnizimeve me naftë dhe gaz mund të përhapen në mbarë globin.
Rreth një e pesta e naftës globale dhe e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) zakonisht kalon përmes kësaj rruge të ngushtë ujore që lidh Gjirin Persik me tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, trafiku i cisternave është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të shqetësimeve për sigurinë, kërcënimeve ushtarake dhe raporteve se Irani po vendos mina dhe masa të tjera asimetrike për të shkaktuar dëme ndaj anijeve që përpiqen ta përdorin ngushticën.
Reagimi i tregut tashmë është i qartë: çmimi i naftës u rrit deri në 120 dollarë për fuçi para se binte pak, ndërsa çmimet e karburantit të aviacionit mbeten rreth dyfish më të larta sesa ishin në janar.
Për analistët, këto luhatje ngrenë një pyetje themelore: A mund Teherani ta përdorë sistemin global të energjisë si armë strategjike, apo Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre mund ta parandalojnë një skenar të tillë?
Ushtria amerikane tha se më 10 mars shkatërroi 16 anije iraniane që vendosnin mina pranë Ngushticës së Hormuzit.
Por, Irani vazhdon të jetë aftë për të shkaktuar rrëmujë në këtë rrugë ujore, pasi tri anije tregtare thuhet se u goditën nga shpërthime më 11 mars, sipas United Kingdom Maritime Trade Operations (UKMTO), një qendër britanike për bashkërendim detar, e cila vëzhgon kërcënimet e sigurisë ndaj transportit tregtar.
Tregjet reagojnë ndaj rrezikut, jo ndaj furnizimit
Deri tani, analistët thonë se tregu duket se po përfshin në çmime pasigurinë dhe jo ndërprerje të vërtetë të furnizimit.
“Ajo që po shohim janë reagime të tregut minutë pas minute, orë pas ore ndaj shkallës dhe kohëzgjatjes së konfliktit”, tha Mason Hamilton, zëvendëspresident për ekonomi dhe hulumtime në American Petroleum Institute.
Para krizës, tregjet e naftës prisnin tepricë furnizimi dhe çmime kryesisht të ulëta. Kërcënimi i papritur ndaj Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë dhe produkte të lëngshme të naftës çdo ditë, e përmbysi këtë perspektivë.
Ekspertët në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) theksojnë se tregjet shpesh reagojnë para se të shfaqen mungesat fizike.
Kevin Book, analisti i këtij instituti kërkimor, tha se tregtarët po përgatiten për mundësinë që prodhuesit e Gjirit të detyrohen të ndalojnë prodhimin nëse eksportet bllokohen.
Edhe luhatjet modeste të çmimeve kanë pasoja të mëdha financiare: një ndryshim prej 30 dollarësh për fuçi në një treg prej 100 milionë fuçish në ditë përfaqëson rreth 3 miliardë dollarë ndryshim në vlerë çdo ditë, pa përfshirë derivatet financiare.
Leva asimetrike e Iranit
Për Teheranin, shënjestrimi i rrjedhave globale të energjisë mund të jetë ndër opsionet e pakta strategjike që i kanë mbetur përballë kundërshtarëve shumë më të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara.
“Synimi i Iranit është mbijetesa”, tha Khalid Azim, drejtor i MENA Futures Lab në Këshillin Atlantik. “Ai nuk mund të përballet drejtpërdrejt me SHBA-në apo Izraelin, prandaj mbështetet në taktika asimetrike për të rritur koston e konfliktit”.
Madje edhe ndërprerjet e vogla në Ngushticë mund të kenë ndikime të mëdha, duke pasur parasysh përqendrimin e tregtisë globale të energjisë në disa pika kyç detare.
Azim paralajmëroi se reagimet aktuale të tregut mund t’i nënvlerësojnë rreziqet, duke theksuar se tregjet financiare jashtë sektorit të energjisë kanë mbetur kryesisht të qeta.
“Ka rrezik shumë të madh asimetrik që tregu nuk po e përfshin plotësisht në çmime”, tha ai.
Llogaritjet e Uashingtonit: Trysni pa tronditje
Për Shtetet e Bashkuara, sfida është t’i baraspeshojë synimet ushtarake me domosdoshmërinë për të parandaluar ndonjë tronditje globale në tregun e energjisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Uashingtoni është gati t’i shoqërojë cisternat nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse është e nevojshme, megjithëse mediat, përfshirë Reutersin, kanë raportuar se marina amerikane deri tani i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e industrisë së transportit për shoqërime ushtarake për shkak të rrezikut të lartë tani.
Ndërkohë, zyrtarët nga vendet e Grupit të Shtatë (G7) po diskutojnë gjithashtu mundësinë e lirimit të rezervave emergjente të naftës për të zbutur ndikimin në treg, në rast se rrjedha e energjisë ndërpritet për shkak të kësaj gjendjeje.
Richard Goldberg, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën Trump, tha se strategjia amerikane kombinon mjete të tregut dhe masa ushtarake: garanci sigurimi për transportin detar, inkurajim të lëvizjes së cisternave dhe operacione shoqëruese detare nëse është e nevojshme. Aeroplanmbajtësit dhe sistemet e mbrojtjes raketore janë vendosur tashmë.
“Qëllimi është t’i tregojmë Iranit se ai nuk mund ta bllokojë rrjedhën globale të naftës pa u përballur me kundërmasa dërrmuese”, tha Goldberg në një aktivitet të Këshillin Atlantik më 10 mars.
Ai theksoi se përpjekjet synojnë ta zbusin ndërprerjen, jo ta zëvendësojnë për kohë të pacaktuar një korridor të madh furnizimi.
Edhe nëse prodhimi vazhdon, kriza zbulon brishtësinë e logjistikës së energjisë.
“Ka dy shtresa rreziku: infrastruktura që prodhon fuçitë dhe rrjedha e atyre fuçive”, tha Sara Vakhshouri, presidente e SVB Energy International.
Rafineritë janë mbyllur si masë paraprake, rezervuarët e magazinimit po mbushen dhe disa prodhues tashmë kanë ulur prodhimin pasi eksportet po ngadalësohen.
Kompanitë e transportit detar përballen me dilemën e tyre: vetëm sigurimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për t’i bindur ekuipazhet të lundrojnë në një zonë lufte. Vonesat e zgjatura mund t’i detyrojnë prodhuesit e Gjirit të ndalin miliona fuçi prodhim, duke rritur paqëndrueshmërinë e tregut.
Ngushtica e Hormuzit kanalizon gjithashtu rreth 20 për qind të LNG-së globale, që do të thotë se ndërprerjet mund të përhapen në zinxhirët e furnizimit me energji elektrike, petrokimikate dhe plehra.
Azia, si importuesja më e madhe e naftës nga Gjiri, është veçanërisht e ekspozuar. Evropa, e varur nga LNG-ja dhe produktet e rafinuara, përballet me cenueshmëri në një kohë kur rezervat e gazit janë të ulëta pas dimrit.
Rifillimi i punës së impianteve pas mbylljeve mund të zgjasë më javë ose muaj.
“Këto janë sisteme industriale komplekse të projektuara për të funksionuar vazhdimisht”, theksoi Hamilton.
Kriza po zhvillohet gjithashtu në mes të një ndryshimi më të gjerë në strategjinë energjetike të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara, tashmë prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit, e trajtojnë furnizimin me energji gjithnjë e më shumë si një aset strategjik, duke u dhënë politikëbërësve leverdi për të ndjekur objektivat e sigurisë ndërsa mbrojnë tregjet e brendshme.
Kohëzgjatja do të vendosë gjithçka
Ashpërsia e krizës varet nga ajo se sa gjatë zgjasin ndërprerjet. Një ndërprerje e shkurtër mund të absorbohet, por një e zgjatur, sipas analistëve në Uashington, mund t’i mbajë çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, të nxisë inflacionin, të ngadalësojë rritjen ekonomike ose madje të shkaktojë recesion në ekonomitë më të cenueshme.
Ekspertët e CSIS-it theksojnë se edhe pse rezervat, rrugët alternative dhe rezervat emergjente ofrojnë amortizim, ato janë të projektuara për ndërprerje afatshkurtra, jo për një mbyllje të zgjatur të Ngushticës së Hormuzit.
Përplasja që po zhvillohet është provë për qëndrueshmërinë e sistemit global të energjisë. Presioni i vazhdueshëm iranian mund të zgjasë paqëndrueshmërinë, ndërsa masat efektive të SHBA-së dhe aleatëve të saj mund të tregojnë kufijtë e përdorimit të energjisë si mjet shtrëngimi.
Për momentin, pyetja kryesore mbetet: A do të mbetet e hapur Ngushtica e Hormuzit apo do të bëhet epiqendra e një lufte të re energjetike?
Irani ka vendosur rreth 12 mina detare në Ngushticën e Hormuzit, sipas dy burimeve të cituara nga agjencia ndërkombëtare Reuters.
Një nga burimet bëri të ditur se pozicionet e shumicës së minave janë të njohura, por nuk dha detaje se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të përballen me situatën.
Sipas raportimit, Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht se në rast të një sulmi ushtarak ndaj tij, mund të përgjigjet duke vendosur mina në këtë ngushticë strategjike.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë. Rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) kalon përmes kësaj zone, çka i jep Iranit një mjet të rëndësishëm presioni ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj nëse lundrimi në këtë zonë do të ndërpritej. Panorama
Peter Mandelson kërkoi një dëmshpërblim prej 547 mijë paundësh pasi u largua nga posti i ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara në shtator të vitit 2025, sipas dokumenteve të para të publikuara lidhur me emërimin e tij, një proces që shkaktoi reagime të forta për shkak të lidhjeve të tij me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Dokumentet tregojnë se Mandelson kërkoi të merrte të gjithë pagën që do t’i takonte për periudhën katërvjeçare të kontratës së tij si ambasador, pasi u shkarkua nga posti.
“Negoçiatat nisën me kërkesën e tij që t’i paguhej pjesa e mbetur e pagave për mandatin katërvjeçar të kontratës me afat të caktuar. Kjo do të arrinte në 547.201 paund”, thuhet në dokumente.
Në fund, qeveria e kryeministrit Keir Starmer miratoi pagesën e 34.670 paundëve si kompensim diskrecional në momentin e largimit të tij, përveç 40.329 paundëve që i takonin ligjërisht. Shuma totale arriti në afro 75 mijë paund.
Dokumente të tjera në të njëjtin material tregojnë se verifikimet e përshtatshmërisë (due diligence), të përgatitura për Starmer, theksonin se marrëdhënia miqësore e Mandelson me Epstein kishte vazhduar edhe pasi ky i fundit ishte dënuar për rekrutimin e një të miture për prostitucion.
Alex Burghart, kancelar në hije i Dukatit të Lancasterit nga Partia Konservatore, deklaroi: “Për kryeministrin pretendohet se është mashtruar. Por ai nuk u mashtrua nga ky dokument i kontrollit të përshtatshmërisë”.
Sipas të njëjtave dokumente, lidhjet e Mandelson me Epstein, si dhe dy dorëheqjet e tij nga qeveria e Tony Blair, u konsideruan si tregues të një “rreziku të përgjithshëm për reputacionin”.
Dosjet zbulojnë gjithashtu se Jonathan Powell, këshilltar për sigurinë kombëtare i Starmer, ishte “veçanërisht i rezervuar ndaj emërimit” dhe mendonte se procesi kishte avancuar “çuditërisht me nxitim”.
Kryeministri kishte rënë dakord për publikimin e dokumenteve si përgjigje ndaj pyetjeve mbi kontrollin e përshtatshmërisë së Mandelson në vitin 2024 dhe mbi atë që qeveria dinte për lidhjet e tij me Epstein.
Megjithatë, pasditen e së mërkurës u publikua vetëm një pjesë e vogël e dokumenteve, të cilat në total pritet të përbëjnë mijëra faqe.
Disa prej tyre nuk janë bërë ende publike, pasi Mandelson – i cili ka deklaruar se nuk ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka pasur motive financiare – po hetohet nga policia për një abuzim të mundshëm me funksionin publik.
Pas publikimit të dokumenteve, Darren Jones, sekretari kryesor i kryeministrit, deklaroi në Dhomën e Komunave se është e rëndësishme të ketë “llogaridhënie dhe transparencë të plotë” lidhur me publikimin e tyre.
“Jeffrey Epstein ishte një kriminel i neveritshëm që kreu disa nga krimet më të tmerrshme dhe të urryeshme… Viktimat do të jenë gjithmonë prioriteti ynë”, shtoi ai.
Starmer nuk kishte dijeni të plotë për marrëdhënien Mandelson–Epstein
Në një letër të përfshirë në dosje përshkruhet një takim i zhvilluar më 11 shtator 2025, i kryesuar nga Keir Starmer, gjatë të cilit u mor vendimi për largimin e Mandelson nga posti.
Sipas letrës, Starmer shprehu shqetësimin se “përgjigjet që Mandelson i dha sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Jashtme, Oliver Robbins, lidhur me email-et, nuk i ofronin sigurinë se nuk do të kishte zbulime të tjera”.
Letra sqaron se bëhej fjalë për email-e që Mandelson i kishte dërguar Epstein dhe që u publikuan nga agjencia Bloomberg. Mesazhet ishin dërguar pasi financieri kishte pranuar fajësinë në qershor 2008 për rekrutimin e një të miture për prostitucion.
“Email-et zbuluan një thellësi dhe shtrirje të marrëdhënies me Epstein, për të cilën ai (Starmer) nuk kishte qenë më parë në dijeni kur vendosi ta emëronte Mandelson”, thuhet në letër.
“Në bazë të këtyre të dhënave, ai propozoi që Mandelson-it t’i kërkohej të jepte dorëheqjen.” Në fund, kryeministri vendosi ta largojë atë nga posti.
“Kryeministri ishte i qartë për shqetësimin e tij të thellë për viktimat e Epstein”, theksohet në letër.
Në 24 orët e para të Operacionit Epic Fury, ushtria amerikane goditi më shumë se 1 000 objektiva në Iran me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Duke pasur parasysh shkallën prej 42 objektivash të sugjeruara në orë, ekspertët kanë pyetur nëse makinat janë tani përgjegjëse në fushën e betejës, sepse truri i njeriut nuk mund t’i përballojë ato.
Ata kanë ngritur mundësinë që inteligjenca artificiale mund ta ketë identifikuar gabimisht shkollën fillore në Minab në ditën e parë të luftës. Gjithnjë e më shumë prova sugjerojnë se SHBA-të qëlluan atë që duket se kanë qenë raketa lundruese Tomahawk në vend, duke vrarë 110 fëmijë dhe dhjetëra të tjerë.
Sistemet e inteligjencës artificiale mund të përpunojnë sasi të mëdha të dhënash nga disa burime, duke përfshirë imazhet satelitore, të dhënat e avionëve mbikëqyrës dhe burimet njerëzore, për të zgjedhur ose shpërfillur objektivat.
Imazhet historike satelitore kanë treguar se shkolla fillore Shajareh Tayyebeh dikur ishte pjesë e një kompleksi të Gardës Revolucionare Islamike, ku ndodheshin kazerma detare dhe ndërtesa mbështetëse. Megjithatë, të paktën për nëntë vitet e fundit ajo ka qenë e rrethuar nga kompleksi. Murale shumëngjyrëshe në mure dhe një fushë e vogël loje janë të dukshme në disa imazhe satelitore.
Janë ngritur pyetje nëse një sistem i inteligjencës artificiale mbështetej në imazhet e vjetra për qëllime shënjestrimi.
Noah Sylvia, një analist kërkimor për Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, tha: “Nëse bombardimi i shkollës ishte gabim, a ishte gabim njerëzor apo shpejtësia e automatizimit të sistemit? A bazohej në të dhëna të vjetra? A ishte një makinë që e bëri automatikisht? Numri i sulmeve që po shohim i jep njëfarë besueshmërie idesë se objektivat krijohen kryesisht në mënyrë autonome.”
Dr. Craig Jones, ligjërues i lartë i gjeografisë politike në Universitetin e Newcastle, tha: “Në këtë pikë nuk mund ta përjashtojmë që inteligjenca artificiale mund të ketë … dështuar ta identifikojë shkollën si shkollë dhe në vend të kësaj e ka identifikuar atë si një objektiv ushtarak.”
Ai tha se çështja kryesore ishte shkalla në të cilën inteligjenca artificiale u përdor në mbledhjen dhe analizën e të dhënave të inteligjencës për ta paraqitur shkollën si një objektiv ushtarak, duke theksuar se çdo vendim njerëzor për të sulmuar bazohej në të dhëna dhe analiza që inteligjenca artificiale kishte ndihmuar të ndërtoheshin.
“Çfarëdo që të jetë rasti — dhe faktet do të mbeten të errësuar për ca kohë — sulmi ishte një dështim katastrofik i inteligjencës, qoftë i drejtuar nga inteligjenca artificiale apo i drejtuar nga njeriu me ndonjë komponent të inteligjencës artificiale”, tha ai.
I pyetur nga The Times nëse sistemet e inteligjencës artificiale kishin dhënë informacion të vjetëruar mbi shkollën, Pentagoni tha se një hetim ishte duke vazhduar. Presidenti Trump sugjeroi, pa prova, se Irani ose “dikush tjetër” mund të ketë kryer sulmin, por analiza e vendit ka sugjeruar se janë përdorur armë amerikane.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë në dispozicion një mori sistemesh të inteligjencës artificiale në luftën kundër Iranit. Pentagoni ka zhvilluar Projektin Maven me ndihmën e kompanisë së mledhjes të të dhënave Palantir të mbështetur nga CIA që nga viti 2018 dhe softueri është i integruar në të gjitha komandat luftarake të SHBA-së.
Në luftën e Iranit, SHBA-të kanë përdorur inteligjencën artificiale dhe të mësuarit automatik për të ndihmuar në shënjestrimin dhe mbikëqyrjen ushtarake. Ekspertët e kanë krahasuar atë me një version ushtarak të Uber.
I integruar në Sistemin Inteligjent Maven është chatbot-i Claude i Anthropic. Është përdorur në Operacionin Epic Fury për analiza të inteligjencës. Në teori, ai mund të mbledhë të dhëna me burim të hapur mbi atë që po ndodh brenda qeverisë iraniane.
Ka politika të rrepta përdorimi dhe nuk përdoret për shënjestrim. Anthropic beson se njerëzit duhet të jenë përgjegjës për identifikimin e objektivave të mundshëm dhe marrjen e vendimeve për sulmet. Administrata Trump tani e ka futur kompaninë në listën e zezë, duke tronditur shumë zyrtarë në Uashington.
Edhe pse softueri i Palantir është përdorur tashmë në luftën e Ukrainës, Sylvia tha se shkalla e operacioneve në Lindjen e Mesme ishte “shumë më dramatike”.
Ai tha se burimet e të dhënave do të ishin të ndryshme dhe se SHBA-ja dhe Izraeli po përdornin sisteme të ndryshme nga ato të përdorura në Ukrainë – armë sulmi me rreze të gjatë veprimi, në vend të artilerisë dhe dronëve me pamje nga personi i parë.
“Është thelbësisht e ndryshme për shkak të shtrirjes gjeografike të operacioneve dhe madhësisë së tyre”, tha Sylvia. “Ukraina Lindore është shumë e vogël në krahasim me Iranin. Aftësia për të kryer sulme mbi një pjesë të madhe të Iranit kërkon shumë më tepër të dhëna dhe sisteme shumë më të rëndësishme për të përpunuar të dhënat.”
Me këtë erdhën edhe rreziqet, tha ai, duke shtuar se kompanitë tregtare po prodhonin modele më të përparuara dhe personeli i shërbimit që i operonte ato duhej të ishte në hap me ritmin. Ai ngriti shqetësime në lidhje me një “zbatim të shpejtë të teknologjisë dhe mungesë të ekspertizës teknike midis personelit”.
“Kur ke një ndjenjë urgjence, njerëzit mund të ndihmojnë vetëm deri diku. Ndërsa lufta rritet në ritmin e operacioneve, gjithnjë e më shumë në një shkallë të paparë, do të shohim rritje me kalimin e kohës në nivelin e autonomisë në disa nga sistemet. Kjo ngre pyetjen, sa të qetë janë njerëzit për këtë?”
Elke Schwarz, një profesoreshë e teorisë politike në Universitetin Queen Mary të Londrës, tha se sistemet që sugjeronin mijëra objektiva në ditë prodhuan një “paragjykim automatizimi”, që do të thotë se vendimi i makinerisë u bë autoriteti. “Njeriu ka aftësi të kufizuara njohëse për të anashkaluar këtë kapacitet”, tha ajo.
Kishte gjithashtu një “paragjykim veprimi”, tha ajo, duke iu referuar vendimmarrjes së shpejtë të makinës që krijon një urgjencë për të vepruar. “Njerëzit kanë nevojë për kohë për të menduar dhe ky mendim është thelbësor për vlerësimin ligjor dhe etik.”
Ajo tha se 42 objektiva të sugjeruara në orë ishin “shumë, dhe bëhet e vështirë të vlerësohet vlefshmëria e të gjitha këtyre objektivave kur përparësi i jepet shpejtësisë dhe shkallës”.
Ekspertët në këtë fushë kanë frikë se çfarë mund të sjellë e ardhmja e konfliktit dhe paralajmërojnë për “zvarritje të misionit”. Schwarz tha se sistemet e ardhshme të inteligjencës artificiale mund të identifikojnë jo vetëm objektiva të mundshëm me shpejtësi dhe shkallë, por edhe sjellje ose lëvizje “të dyshimta”, të cilat më pas mund të nxisin sulme parandaluese.
Ajo tha: “Duhet të supozojmë se inteligjenca artificiale do të luajë një rol gjithnjë e në rritje në vendimin për të përdorur forcën – vendimin për të filluar konfliktin – dhe kjo është tmerruese.”/The Times
Irani ka filluar të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit, pikën më të rëndësishme të kalimit të energjisë në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e gjithë naftës së papërpunuar, sipas dy personave të njohur me raportet e inteligjencës amerikane për këtë çështje.
Vendosja e minave ende nuk është bërë në nivel të gjerë, vetëm disa dhjetëra janë vendosur në ditët e fundit, kanë thënë burimet.
Por Irani ende mban në ngushticë rreth 80% deri në 90% të anijeve të tij të vogla dhe mjeteve për vendosjen e minave, ka thënë një nga burimet, kështu që forcat e tij mund të vendosin qindra mina në këtë rrugë ujore.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të cilat tani në mënyrë efektive kontrollojnë ngushticën së bashku me marinën tradicionale të Iranit, kanë aftësinë të vendosin një “rrjet” mjetesh të shpërndara për vendosjen e minave, varka të mbushura me eksploziv dhe bateri raketash të vendosura në breg, raporton CNN.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në një postim në Truth Social të martën se: “Nëse Irani ka vendosur ndonjë minë në Ngushticën e Hormuzit, dhe ne nuk kemi raporte që e kanë bërë këtë, ne duam që ato të hiqen, menjëherë!” Panorama
Duke cituar zyrtarë iranianë dhe izraelitë, gazeta amerikane raporton se plagosja e Khamenei ndodhi në ditën e parë të luftës në Iran, më 28 shkurt.
IRAN-Gazeta New York Times ka publikuar informacione të reja rreth gjendjes së udhëheqësit të ri të Iranit, Mojtaba Khamenei , duke raportuar se 56-vjeçari është plagosur në këmbë. Duke cituar zyrtarë iranianë dhe izraelitë, gazeta amerikane raporton se plagosja e Khamenei ndodhi në ditën e parë të luftës në Iran, më 28 shkurt.
Zyrtarët thanë se Mojtaba Khamenei është plagosur në këmbë. Raporti vjen tre 24 orë pas zgjedhjes së Khamenei si udhëheqës suprem i Iranit, ndërkohë që ai nuk është shfaqur në publik, në një video apo në një deklaratë me shkrim. Në fakt, në një video që qarkulloi në mediat sociale, nga një tubim në Teheran të martën, një portret i tij në karton u shfaq në vend të Mojtaba Khamenei.
Mediat e huaja shkruajnë se, një arsye, për mungesën e paraqitjeve publike, është shqetësimi se shfaqja e Mojtaba Khamenei mund ta tradhtojë rajonin në të cilin ai ndodhet dhe ta vërë në rrezik. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se 56-vjeçari u plagos në ditën e parë të luftës në Iran. Khamenei ishte plagosur me plagë në këmbë, por se ai ishte vigjilent dhe ishte strehuar në një vend shumë të sigurt me komunikim të kufizuar.
Informacioni u konfirmua nga dy zyrtarë ushtarakë izraelitë të cilët i thanë New York Times se kishin mbledhur informacione edhe para zgjedhjes së Mojtaba Khamenei se ai ishte plagosur në këmbë më 28 shkurt. Kujtohet se më 28 shkurt, një sulm izraelit në Teheran vrau babanë e Mojtaba, Ajatollah Ali Khamenei, nënën e tij, gruan e tij dhe një nga djemtë e tij./Dosja.al
Një operacion i gjerë i forcave të rendit ka rikthyer në qendër të vëmendjes Zorro Ranch, prona gjigante në shkretëtirën e New Mexico që për vite me radhë i përkiste financierit të ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas raportimit të Daily Mail, hetues të Departamentit të Drejtësisë së shtetit, të mbështetur nga policia shtetërore dhe zyra e sherifit lokal, kanë nisur një kontroll të gjerë në pronën prej rreth 7.500 metra katrorë, që ndodhet pranë zonës së vogël Stanley, rreth 50 kilometra në jug të Santa Fe.
Qëllimi i operacionit është të verifikohen një sërë misteresh dhe zërash që qarkullojnë prej vitesh rreth Ranchit, përfshirë dyshimet për praninë e trupave të të paktën dy vajzave që dyshohet se kanë vdekur gjatë marrëdhënieve seksuale të dhunshme të organizuara brenda pronës.
Për një kohë të gjatë është folur për këto zhdukje, por viktimat e dyshuara nuk janë identifikuar kurrë dhe trupat e tyre nuk janë gjetur. Tani hetuesit besojnë se, nëse ekzistojnë, ato mund të zbulohen dhe të identifikohen përfundimisht.
Kërkimet janë pjesë e punës së një komisioni hetimor shtetëror, i krijuar muajin e kaluar me votë unanime të ligjvënësve të New Mexico. Organismi, i quajtur “truth commission”, do të ketë për detyrë të rindërtojë çfarë ka ndodhur realisht në këtë pronë gjatë viteve kur ajo ishte në pronësi të Epstein.
“Për vite me radhë kemi dëgjuar akuza dhe zëra për aktivitetet e Epstein në shtetin tonë”, shpjegoi deputetja Andrea Romero, nismëtarja e projektit. “Hetimet federale nuk arritën kurrë të rindërtonin një tablo të plotë. Ky komision do të shërbejë për të mbushur boshllëqet dhe për të kuptuar si ishte e mundur që abuzime kaq të rënda të ndodhnin”.
Komisioni pritet të nisë zyrtarisht punën në prill 2026 dhe do të ketë kompetencë të thërrasë dëshmitarë dhe të mbledhë prova për rreth një vit.
Pronari i ri i ranchit
Operacioni hetimor filloi një ditë pas një proteste pranë pronës. Qindra njerëz u mblodhën pranë ranchit, i cili sot quhet Rancho de San Rafael, për të shprehur solidaritet me viktimat e abuzimeve seksuale.
Pronari aktual, familja e sipërmarrësit nga Teksasi Don Huffines, u ka dhënë autoriteteve akses në të gjithë zonën, përfshirë edhe tokat publike përreth. Sipas deklarimeve të tyre, projekti është që kompleksi të shndërrohet në një qendër tërheqjeje shpirtërore të krishterë.
Epstein e kishte blerë ranchin në vitin 1993 nga ish-guvernatori i New Mexico, Bruce King. Pas vdekjes së tij në vitin 2019 në një burg federal në New York City, prona u hodh në treg për më shumë se 23 milionë dollarë dhe në vitin 2023 u shit një kompanie private për një shumë që nuk u bë publike.
Një pronë e izoluar mes luksit dhe sekretit
Prona shtrihet në rreth 13 milje katrore shkretëtirë dhe përfshin një “hacienda” të madhe prej mbi 2.400 metrash katrorë, ambiente për mysafirë dhe punonjës, stalla, sera, struktura shërbimi, një hangar, pistë private uljeje dhe madje edhe një heliport.
Sipas disa denoncimeve dhe dëshmive, ranchi ishte një nga vendet ku Epstein priste mysafirë me ndikim dhe organizonte takime larg syve të publikut. Disa akuza pretendojnë se ndër vizitorët kishte figura të rëndësishme të politikës dhe financës ndërkombëtare, pretendime që shumë prej të përmendurve i kanë mohuar vazhdimisht.
Akuza për abuzime dhe trafikim seksual
Gjatë viteve, disa gra kanë rrëfyer se kanë pësuar abuzime brenda pronës. Mes tyre është edhe Maria Farmer, e cila ka deklaruar se është sulmuar nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell gjatë një vizite në vitin 1996.
Maxwell u dënua në vitin 2021 me 20 vite burg për trafikim seksual të të miturve. Edhe padi të tjera civile të paraqitura nga gra të identifikuara si “Jane Doe” pretendojnë se ranchi ishte një nga vendet e përdorura në rrjetin e shfrytëzimit seksual të ndërtuar nga financieri.
Megjithatë, jo të gjithë punonjësit kanë deklaruar se kanë parë sjellje të paligjshme. Disa ish-punonjës kanë thënë se kanë parë shumë gra të reja që vizitonin pronën, por nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të abuzimeve.
Dyshime shqetësuese për eksperimente mjekësore
Dëshmitë e reja që po mbledh komisioni mund të hapin skenarë edhe më shqetësues. Disa dëshmitarë pretendojnë se në ranch janë kryer eksperimente mjekësore pa pëlqim, ku persona dyshohet se janë droguar dhe janë zgjuar pranë pajisjeve mjekësore pa e ditur çfarë kishte ndodhur.
Sipas Romero, disa individë kanë raportuar se u janë marrë mostra biologjike ose se u janë kryer procedura të lidhura me organet riprodhuese.
Këto akuza lidhen me teoritë e mëhershme për interesin obsesiv të Epstein ndaj eugjenikës, një ideologji pseudoshkencore e zhvilluar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX që synonte “përmirësimin” gjenetik të popullsisë përmes përzgjedhjes së tipareve trashëgimore.
Projekti i dyshuar për një “fabrikë fëmijësh”
Një investigim gazetaresk në vitin 2019 kishte zbuluar se Epstein fliste hapur për mundësinë e përdorimit të ranchit si bazë për të inseminuar shumë gra me spermën e tij dhe për të krijuar një linjë të re gjenetike.
Ideja lidhej me interesin e tij për eugjenikën dhe për transhumanizmin, një lëvizje filozofike dhe kulturore që promovon përdorimin e teknologjive të avancuara për të përmirësuar aftësitë fizike dhe mendore të njeriut dhe për të kapërcyer kufizimet biologjike.
Nuk ka prova që një projekt i tillë është realizuar ndonjëherë, por sinjalizimet e reja të ardhura tek autoritetet — mes 25 dhe 30 vetëm në muajt e fundit — i kanë shtyrë ligjvënësit e shtetit të hetojnë çdo pistë.
Një hetim me implikime edhe politike
Hetimi pritet të jetë kompleks dhe potencialisht shpërthyes. Gjatë viteve Epstein ka pasur lidhje me shumë figura me ndikim, disa prej të cilave janë përmendur si vizitorë të pronës.
Mes tyre është edhe ish-guvernatori i New Mexico, Bill Richardson, i cili gjithmonë ka mohuar çdo sjellje të paligjshme përpara vdekjes së tij në vitin 2023.
Ekzistojnë gjithashtu dyshime se në të kaluarën autoritetet shtetërore mund të mos kenë hetuar me vendosmëri të mjaftueshme aktivitetet e financierit në New Mexico.
Për anëtarët e komisionit, prioriteti mbetet një: të përcaktohet çfarë ka ndodhur realisht pas portave të pronës.
“Kemi një histori shumë të madhe, me akuza jashtëzakonisht të rënda dhe shumë zona gri”, deklaroi Romero. “Nuk dimë ende të dallojmë faktet nga zërat, por duhet ta bëjmë. Ua kemi borxh njerëzve që mund të kenë qenë viktima”.
Nëse kërkimet aktuale çojnë në zbulimin e mbetjeve njerëzore ose provave të reja, ranchi në shkretëtirën e New Mexico mund të shndërrohet përfundimisht nga simbol misteri dhe skandali në një vend të së vërtetës dhe, ndoshta, të drejtësisë. Panorama
Të paktën gjashtë civilë kanë humbur jetën dhe 37 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa të kryer nga Ukraina në rajonin rus të Brjanskut, bëri të ditur guvernatori lokal, Aleksandr Bogomaz.
Sipas tij, raketat goditën një fabrikë të pajisjeve mikroelektronike, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në objekt.
Autoritetet ruse e kanë cilësuar sulmin si një goditje të rëndë, jo vetëm për shkak të humbjeve në njerëz, por edhe për ndikimin që mund të ketë në sektorin ushtarak. Pajisjet që prodhohen në këtë fabrikë përdoren nga forcat e armatosura ruse, çka e bën objektivin strategjik.
Ngjarja konsiderohet gjithashtu një goditje për moralin e ushtrisë dhe opinionit publik në Rusi, ndërsa lufta mes dy vendeve vijon me sulme të ndërsjella në territor. gsh
Irani ka nisur sulme me raketa në bazat amerikane të Al Udeid në Katar, Kampit Arifjan në Kuvajt dhe Harir në Irak, thuhet në një deklaratë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike në X.
Media shtetërore, thuhet se “lançimi masiv” shënjestroi gjithashtu Flotën e Pestë Detare të SHBA-së në rajon dhe se “infrastruktura operacionale e ushtrisë amerikane u shkatërrua”.
Një postim i veçantë e quan atë “operacionin më shkatërrues dhe më të rëndë” që nga fillimi i luftës.
Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë komentuar mbi sulmet. bw
Sinjali i radios filloi të transmetohej për herë të parë më 28 shkurt, rreth 12 orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën bombardimet ndaj Iranit.
Në një sinjal të zhurmshëm të valëve të shkurtra, pothuajse dy herë në ditë —në mëngjes herët dhe në mbrëmje sipas Kohës Universale të Koordinuar (UTC) — dëgjohet zëri i një burri që flet persisht, duke numëruar një seri numrash që duken të rastësishëm.
Numrat lexohen në periudha të ndryshme kohore, pastaj pason një pauzë gjatë së cilës fjala “tavajjoh”, që përkthehet si “vëmendje”, thuhet tri herë.
Misteri i këtij transmetimi ka habitur shumë njerëz në komunitetin global të radioamatorëve që analizojnë sinjale të dyshimta; ata kanë shkëmbyer shënime dhe këshilla mbi sinjalin, kush mund të qëndrojë pas tij dhe cili mund të jetë qëllimi i tij.
Duke filluar nga 4 marsi, sinjali filloi të bllokohej, me një zhurmë elektronike shurdhuese që e bënte pothuajse të pamundur dëgjimin e numrave. Transmetimi origjinal ndaloi për një periudhë kohe dhe më pas u zhvendos në një frekuencë tjetër të valëve të shkurtra.
“Është interesante sepse filloi të bllokohej në frekuencën fillestare”, tha Akin Fernandez, i cili konsiderohet gjerësisht një autoritet mbi teknologjinë e vjetër të radios së koduar të njohur si “kanalet me numra”.
“Dikush nuk dëshiron që marrësi [i sinjalit] të dëgjojë numrat”.
“Është një situatë ballafaqimi, dy grupe që veprojnë kundër njëri-tjetrit. Pyetja është kush ka mjetet teknike për të bllokuar një kanal”, tha Fernandez.
“Shtetet e Bashkuara i kanë këto mjete, që do të thotë se kjo po transmetohet nga Irani. Ose mund të jetë Irani, që do të thotë se burimi i transmetimit janë Shtetet e Bashkuara”, sipas tij.
“Më shumë gjasa ky është një operacion kundër Iranit”, shtoi ai.
“Plotësisht i pathyeshëm”
Pavarësisht se kush e bën transmetimin dhe kush po e bllokon, ky transmetim misterioz është rikthim në një epokë tjetër, para se të ekzistonte enkriptimi digjital i përdorur gjerësisht në aplikacione si WhatsApp, Signal dhe të tjera.
Transmetimi quhet “numbers station” — një mjet i epokës së Luftës së Ftohtë që përdor transmetime radioje dhe kriptologji tradicionale për të dërguar mesazhe sekrete — zakonisht tek spiunë në mbarë botën.
Koncepti është ky: duke përdorur një seri të rastësishme numrash, të gjeneruar nga ndonjë pajisje mekanike ose elektronike apo nga diçka më e sofistikuar, një person mund ta dërgojë një mesazh të koduar te një person tjetër që posedon një dekoder, shpesh të quajtur “one-time pad” (bllok që përdoret vetëm një herë).
Kushdo mund ta dëgjojë transmetimin; valët e shkurtra udhëtojnë në distanca të gjata, pasi sinjalet reflektohen nga atmosfera. Por, vetëm një person që ka çelësin e dekodimit mund ta deshifrojë atë. Ky koncept u shfaq edhe në serialin amerikan të spiunazhit “The Americans”, i vendosur në vitet 1980.
Kodi i stacioneve me numra është “plotësisht i pathyeshëm”, tha Fernandez, i cili më shumë se dy dekada më parë publikoi një përmbledhje audioje me katër CD që përmbante qindra regjistrime nga e gjithë bota, të quajtur “The Conet Project.” Ai konsiderohet si “Bibla” për entuziastët e stacioneve me numra.
“Çelësat numerikë që përdoren janë plotësisht të rastësishëm. Nuk ka operacione matematikore që mund të përdoren për t’i thyer me forcë brutale”, tha ai. “Dhe edhe nëse përgjigjja gjendet, për shembull në anglishte të saktë, nuk është domosdoshmërisht e kuptueshme”.
“Nuk mund të kuptosh asgjë nga një grup i rastësishëm shkronjash ose numrash përveç gjatësisë së tyre. Gjatësia e mesazhit nuk është përmbajtja e informacionit që transmetohet”, tha ai.
“Por, është e mundur të nxirret një ide për qëllimin e stacioneve nga kohëzgjatja që ato janë aktive dhe nga zhurma që transmetojnë nëse nuk ka mesazh tekstual”.
Një radio spiunazhi dhe inteligjence (R-394KM) e përdorur nga KGB-ja e epokës sovjetike
Sipas Priyom, një blog i drejtuar nga entuziastë të radios, transmetimi në gjuhën perse është stacioni i parë i ri me numra në vite. Ata ishin të parët që identifikuan, kataloguan dhe analizuan sinjalin, të cilin e kanë quajtur “V32”. Gazetari amerikan Seth Hettena gjithashtu e përmendi sinjalin në një postim në blog më 4 mars.
Grupi thotë se anëtarët e tij të shpërndarë nëpër botë kanë arritur të triangulojnë origjinën e transmetuesit të sinjalit: “diku në një zonë që përfshin Italinë veriore, Zvicrën, Gjermaninë perëndimore, Francën lindore, Belgjikën dhe Holandën”.
Kjo e ngushtoi listën e mundësive për pronarin e transmetimit “V32”.
Dhe pastaj filloi bllokimi.
“Bubble Jammer”
Gjatë Luftës së Ftohtë, transmetime si ato të BBC, Deutsche Welle dhe Radio Evropa e Lirë, ndër të tjera, bllokoheshin rregullisht nga autoritetet e bllokut sovjetik, të cilët donin të mos i lejonin qytetarët të merrnin informacione të pacensuruar: lajme për vendet e tyre, ose, për shembull, muzikë xhaz dhe rok nga Perëndimi.
Metoda është të mbytësh transmetimin hyrës me zhurmë të çrregullt — diçka e njohur si “bubble jammer”.
Më 4 mars, sipas Priyom, një i tillë filloi të transmetonte zhurmë në të njëjtën frekuencë të valëve të shkurtra si transmetimi origjinal “V32”, duke e bërë të vështirë kuptimin e tij.
Transmetimet “V32” u ndërprenë për pak kohë dhe më pas kaluan në një frekuencë tjetër aty pranë, tha Priyom.
“Në fillim u mendua se stacioni ishte një stacion spiunazhi për regjimin islamik të Iranit, por kur u shfaq bubble-jammer për ta bllokuar, kjo ishte befasuese”, tha Mauno Ritalo, administrator i bazës së të dhënave në Radio Data Center, një kompani radio me bazë në Gjermani.
“Është saktësisht i njëjti lloj bubble jammer që përdoret kundër Radio Fardës, VOA Farsi, transmetimit me valë të shkurtra të Iran International TV dhe BBC Farsi”, tha ai. “Edhe Radio Irani i Lirë e pësoi një natë”.
Radio Farda është shërbimi në gjuhën perse i Radios Evropa e Lirë.
Sa i përket burimit të transmetimit, komuniteti global i radios ka teori të ndryshme; shumë prej tyre përqendrohen te Shtetet e Bashkuara si iniciatore e mundshme, që mund të dërgojë mesazhe të koduara për agjentë brenda Iranit.
Teori të tjera fokusohen te Izraeli ose madje edhe Turqia, e cila nuk është pjesë e fushatës amerikano-izraelite, por është një rivale rajonale e vjetër e Teheranit.
Ose, siç sugjerojnë blogerët e Priyom, mund të jetë një operacion psikologjik: “një stacion shumë i dukshëm, në një frekuencë të vetme, që shfaqet papritur për një transmetim në orarin kryesor në ditën e parë të luftës, me relativisht pak elemente besueshmërie për të siguruar që marrësit mund t’i kopjojnë mesazhet plotësisht dhe pa gabime”.
CIA nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese së REL-it për koment.
Duke e bërë situatën edhe më të paqartë: më 9 mars ABC Neës raportoi se qeveria amerikane kishte dërguar një paralajmërim për agjencitë e zbatimit të ligjit në lidhje me “komunikime të enkriptuara të kapura”.
Raporti nuk specifikoi saktësisht se çfarë ishte transmetimi, apo nëse bëhej fjalë për një sinjal të një stacioni me numra.
“Ndërsa përmbajtja e saktë e këtyre transmetimeve nuk mund të përcaktohet aktualisht, shfaqja e papritur e një stacioni të ri me karakteristika të ritransmetimit ndërkombëtar kërkon rritje të vigjilencës situacionale”, citoi ABC paralajmërimin.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka zyra në Iran dhe bashkëpunon me autoritetet vendase për çështje emergjente shëndetësore, bëri të ditur se gjatë kësaj jave ka marrë raporte të shumta për reshje shiu të përziera me mbetje nafte.
Të hënën, Teherani u mbulua nga re të dendura tymi të zi, pasi një rafineri nafte u bombardua, në një përshkallëzim të sulmeve ndaj rezervave energjetike të brendshme të Iranit, në kuadër të fushatës ushtarake amerikano-izraelite.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se fenomeni paraqet rrezik real për shëndetin publik.
“Shiu i zi dhe shiu acid që e shoqëron përbëjnë vërtet një rrezik për popullsinë, sidomos për sistemin respirator”, tha ai, duke shtuar se autoritetet iraniane u kanë rekomanduar qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi.
Rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve
I pyetur nëse OBSH mbështet këto rekomandime, Lindmeier u përgjigj se, duke pasur parasysh situatën aktuale, ato janë të arsyeshme.
“Duke parë rreziqet që ekzistojnë tani – instalimet e naftës dhe rafineritë e goditura që kanë shkaktuar zjarre dhe shqetësime serioze për cilësinë e ajrit – është padyshim një ide e mirë që njerëzit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura”, tha ai.
Sipas tij, bombardimet kanë shkaktuar çlirimin masiv në atmosferë të hidrokarbureve toksike, oksideve të squfurit dhe përbërjeve azotike.
Ekspertët paralajmërojnë se thithja e tymit ose kontakti me grimcat ndotëse mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Ndërsa ekspozimi afatgjatë ndaj disa prej këtyre substancave mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e disa llojeve të kancerit.
Komentet