Historia e mësimdhënies së matematikës në shkollën e lartë dhe e kërkimit shkencor matematik është e lidhur me emrin dhe veprimtarinë e prof. Pilikës. Janë qindra e mijëra studentet dhe studentët e prof. Pilikës. Unë kam patur fatin të kem qenë student dhe, më vonë, koleg i profesorit në katedrën e matematikës.
Profesor Pilika lindi në një familje të njohur e të nderuar korçare. U dallua që në klasat e herëshme për rezultate të larta, për këmbënguljen dhe përkushtimin ndaj mësimeve. Ndoqi Liceun francez të Korçës të njohur për standardet e larta e të rrepta të kërkesave, për kultivimin e disiplinës shkencore të studimit dhe për edukimin e vetëkontrollit të rezultateve vetjake larg skemave shabllone. Pepi, siç e thërritnin shokët e miqtë, pas mbarimit të Liceut, me idealizmin e vet rinor, mori pjesë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare duke u dalluar për shkathtësinë e të menduarit dhe të vepruarit, për forcën e karakterit.
Më 1946 filloi studimet e larta në fakultetin mekaniko-matematik të Universitetit të Moskës “Lomonosov”. Ky fakultet (“mehmati” i famshëm) ishte i njohur në tërë botën. Aty studenti i ri shqiptar pati fatin të dëgjonte leksione nga matematikanë të nivelit botëror, të njihej e të merrte pjesë në seminaret ku kultivohej kërkimi i së resë dhe ku profesorët ndanin me studentët të “fshehtat” e mjeshtërisë kërkimore-shkencore. Ishin mundësi që duheshin shfrytëzuar. Me vullnetin e kalitur që kishte, ai i shfrytëzoi këto dhe arriti të formonte një kulturë matematike të gjerë e solide. Mbrojti shkëlqyeshëm diplomën dhe më 1951 u kthye në Shqipëri.
Këtu sa ishte hapur Instituti i lartë Pedagogjik katërvjeçar për përgatitjen e mësuesve. Përgjegjës i katedrës së sapokrijuar të matematikë-fizikës u emërua Petraq Pilika.
Pak vite më herët ishte hapur Instituti Pedagogjik dyvjeçar. Aty punonin me përkushtim figura të njohura si prof. S. Kuneshka dhe prof. Q. Turdiu, që kishin fituar përvojë në mësimdhënien e matematikës në shkollë të lartë.
Por Instituti katërvjeçar ishte një shkallë e re më e lartë dhe mësimdhënia në të duhej organizuar në nivel të ri. Prof. Pilika, me një vizion të qartë e largpamës nguli këmbë që programet e lëndëve themelore matematike dhe fizike të ishin të krahasueshme me ato të vendeve me tradita.
Tani mund të duket që gjithçka “shkoi vaj”, por gjatë shumë viteve gjithënjë dilnin zëra që i quanin këto synime si të tepëruara me “argumentin” që ç’na duhen gjithë këto “matematikra”, kur ne kemi detyrë përgatitjen e mësuesve. Dhe për ata mjafton matematika e shkollës së mesme me ca plotësime.
Prof. Pilika, i bindur që mbronte një çështje të drejtë, me ndikim në ritmet e përparimit të vendit, nuk lëshoi asnjëherë pé dhe përdori tërë zjarrin e pasionit, mprehtësinë e logjikës, por edhe burrërinë e palëkundshme dhe peshën e autoritetit shkencor e moral të fituar, që nuk mund të nëpërkëmbej kurrsesi nga askush.
Ky vizion i prof. Pilikës mori rëndësi të veçantë kur u hap Universiteti i Tiranës. Universitetit i duhej që matematika të jepej në nivel universitar të përshtatshëm jo vetëm për mësimdhënien, por edhe për kërkimin shkencor. Dhe për këtë, P. Pilika së dhe L.I. Kamynjini hartuan një program intensiv dyvjeçar për kualifikimin e pedagogëve (që në shumicën e vet kishin dalë nga Instituti pedagogjik). Kjo ishte baza mbi të cilën u futën lëndë të reja dhe u krijuan gradualisht grupe për kërkimin shkencor.
Shembullin më të mirë për kërkimin shkencor në matematikë e jepte vetë prof. Pilika që kur kishte mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën në universitet.
Më 1957 ai u regjistrua në aspiranturë (pa shkëputje nga puna) pranë Universitetit të Moskës. Udhëheqës shkencor pati matematikanin e njohur prof. Nikolskij. Tema e disertacionit lidhej me probleme të holla të evidentimit e të vetive të disa hapësirave funksionale kufitare, që ishin mjaft aktuale. Duke punuar me ngulm, siç dinte si, arriti rezultate të rëndësishme që u botuan në revistën e njohur “Dokllady Akademii Nauk” dhe u përmblodhën në disertacionin e tij, që e mbrojti shkëlqyeshëm më 1961. Për këtë fitoi gradën shkencore “kandidat i shkencave fiziko-matematike”. Ishte shqiptari i parë që fitonte këtë gradë.
Rezultatet e paraqitura në disertacionin e tij inkuadroheshin mjaft mirë me kërkimin shkencor bashkëkohor. Madje, sipas referatit të mbajtur në seancën plenare të Konferencës ndërkombëtare Matematike (Hollandë, 1967), ato u vlerësuan ndër arrritjet më të spikatura në fushën e teorisë së funksioneve të arritura gjatë dhjetëvjeçarit 1956-1966.
Në vitet 1960 Prof. Pilika shtroi idenë për futjen dhe përdorimin e teknikave llogaritëse elektronike. Shumëkujt kjo iu duk fantazi, por Ai arriti të bindë instancat përkatëse për nevojën e realizimit të saj dhe më 1966 u caktua kryetar i një delegacioni që shkoi në Kinë për këtë problem. Kina u zotua të ndihmonte për përgatitjen e kuadrit dhe për furnizimin e pajisjeve përkatëse. Kjo u realizua me sukses dhe më 1971 u ngrit Qendra e Matematikës Llogaritëse, që më 1972 kaloi në varësi të Akademisë së Shkencave.
Në mesin e viteve 1960 u hap dega pesëvjeçare e matematikës. Ishte një hap i guximshëm dhe shumë i rëndësishëm për përgatitjen elitare të matematikanëve. Sot mund të themi me gojën plot që ky hap u realizua me sukses dhe shumë matematikanë të reja e të rinj të dalë nga kjo degë punojnë me sukses në universitete të ndryshme në Evropë dhe në ShBA. Ishte guximi dhe vullneti i paepur i prof. Pilikës që kjo degë nuk u mbyll me gjithë reagimet negative të herëpasherëshme të shumë kundërshtarëve mendjengushtë.
Meritat shkencore dhe pedagogjike të prof. Pilikës janë vlerësuar lart. Ai është një nga anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave (1972), anëtar i seksionit të shkencave natyrore të Akademisë. Ka titujt “Mësues i Popullit”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Qytetar nderi” i Korçës.
Prof. Pilika në leksione ishte mjeshtër i ligjërimit, ishte pasionant në të folur. Leksionet e tij nuk ishin kurrë të mërzitshme. Kujtoj ato “ekskursionet” jashtë formulave e vërtetimeve ku fliste me shumë pasion për historikun e matematikës, për kuptimin e thellë të koncepteve të saj përtej formalizmit të natyrshëm të vërtetimeve dhe ne e dëgjonim me “gojëhapur”.
Ai e thoshte sinqerisht që ka patur fat e sukses në punën e tij sepse kishte bashkëpuntorë të zotë që punonin me të. Por duhet thënë që ishte Ai që i kishte zgjedhur (madje ndonjëherë duke dalë kundra kritereve joshkencore të kohës), i kishte mbajtur pranë, i kishte këshilluar e nxitur.
Prof. Pilika nxiti nxënësin e tij Mishel Fundo që të përfundonte “Përmbledhjen e ushtrimeve e të problemeve të TFVR-së” që ishte një koleksionesh miniaturash shkencore origjinale. Kur Misheli mbrojti disertacionin për gradën ”kandidat i shkencave”, prof. Pilika propozoi që t’i jepej menjëherë grada më e lartë “doktor i shkencave” (kjo, sipas rregullave të kohës kërkonte disertacion tjetër). Dhe këtë propozim e bënte Ai që vetë formalisht nuk e kishte këtë gradë.
Në një përvjetor të universitetit do të bëheshin propozime për dekorime. Kur e pyetëm pse nuk ishte propozuar një koleg i dalluar, tha me urtësinë e tij: më mirë të mos i dalë emri se ndryshe do të gërmojnë në biografinë e tij dhe do t’i nxjerrin telashe.
Prof. Pilika, me shembullin e tij, krijoi një mjedis miqësor e të sinqertë në katedër, aq sa na thoshin “ju kemi zili që shkoni kaq mirë”. Ai i trajtonte të gjithë, të vjetër e të rinj, me respekt dhe kjo ishte normë e pashkruar në katedër.
Profesori ishte kërkues, por ashtu si kërkonte, ashtu edhe jepte mirësi e qetësi, respekt e dashuri.
Studentët i trajtonte me dinjitet. Nami ishte që prof. Pilika është shumë i rreptë në provim. I rreptë, por i drejtë. Nuk mbaj mend asnjë rast që të jetë ankuar ndonjë student për notë negative në provim.
Në katedër profesorin e quanim me respekt e dashuri “USTA”. Dhe vërtet ashtu ishte . Prof. Aleko Minga, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, shkruan:
Prof. Pilika është dhe do të mbetet ‘ustai’ i matematikës shqiptare. Nuk ka rëndësi kush e përdori i pari këtë epitet (ne të tjerët themi që e ka përdorur i pari vetë Alekoja); ai gjeti miratim të menjëhershëm dhe u bë sinonimi që e përcolli në vite profesorin, sepse pasqyronte besnikërisht dy gjëra thelbësore: mjeshtërinë e lartë në profesionin e nderuar të matematikanit dhe përkujdesjen proverbiale për të mos e prishur kurrë “dorën” prej ustai’ në përzgjedhjen dher formimin e brezave të specialistëve të ardhshëm
Kjo që kam shkruar ësrtë një paraqitje e pamjaftueshme e veprimtarisë së prof. Pepit. Lexoni librin e prof. Aleko Mingës “Homazh për katër ish liceistë”