Ah ,sikur të ishim drurë ,
Të bleronim,çdo pranverë,
Të dridheshim nga shpërthimi i gjethit në degë,
Ta ndjenim hënën që ec
trupave tonë në stinën e lëngëzimit,
T’i ndjenim shirat degëve, lot i qiejve pa emër,
Retë të rrëzoheshin e të lulonin mbi ne,
Të flinim jashtë si nomadë të përjetshëm,
Hije t’i bënim udhëtarit të vetmuar,
Pa pyetur as qiellin ,
T’i bënim marrëzitë e verës!
Ta mashtronim plakjen tonë,si drurët e moçëm
Që vishen me gjeth në prill
E duken të rinj
Ah ,sikur te ishim drurë a pemë,
E njêherë në vit ,lulet të shpërthenin brenda nesh ,
T’i bënim pa marrë leje,
Marrëzitë e pranverës..
Të tundonim njeriun në vjeshtë,siç tundojnë frutat mëkatin
E pastaj butë,butë të na kaplonte bora ,si dashuria,
Të mbusheshim me gjurmë zogjsh a egersirash të pyllit,
Ujkun të nxirrnim nga vetja ,a sorkadhen e trembur
Se njeriu asgjë tjetër s’është,
Veç një pyll plot egërsira !
…. i tha vetes njeriu …