VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Identifikohen dy viktima nga Rahoveci në aksidentin tragjik në Kroaci

By | July 25, 2021
blank

Komentet

blank

Turpi i “shrëderizimit”: Korruptimi i elitës evropiane, pushtimi tjetër i heshtur i Rusisë, për të cilin nuk po flet askush – Nga Tom Tugendhat

 

Botuar në Atlantic Council

Ndërsa politikë-bërësit perëndimorë janë të fokusuar aktualisht tek rreziku i një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës, ata po mbyllin njërin sy ndaj një pushtimi tjetër: kapjes së elitave evropiane nga oligarkët rusë. Nga Londra në Athinë dhe shumë më gjerë se kaq, bankierë, avokatë, lobistë dhe ish-zyrtarë janë të kapur nga Kremlini dhe aleatët e tij.

Ndërsa tanket ruse po grumbullohen në kufirin ukrainas, interesat e lidhura me regjimin grabitqar të presidentit rus Vladimir Putin, po e rritin ndikimin e tyre në kryeqytetet anembanë kontinentit të vjetër.

Shembulli më i fundit i përpjekjeve të tilla të profilit të lartë për ndikim, përfshin ish-kryeministrin francez Francois Fillon, që në qershorin e vitit të shkuar u bë pjesë e bordit të kompanisë ruse shtetërore të naftës “Zarubezhneft” (me emërim të posaçëm nga Kremlini).

Dhe Fillon nuk është i vetmi. Ish-Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, e cila u bë e famshme për vallëzimin e saj me Putinin ditën e dasmës së saj në vitin 2018, u emërua në qershorin e vitit 2021 në bordin drejtues të “Rosneft”, kompanisë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi.

Dhe ai bord drejtohet nga Gerhard Schroeder, ish-kancelari i Gjermansë që ka një rrogë prej 600 mijë dollarësh në vit. Por ai nuk është i vetmi ish-kancelar evropian me lidhje të ngushta me Rusinë. Edhe ish-kancelari austriak Christian Kern është pjesë e Bordit Mbikëqyrës të Hekurudhave Ruse.

Ndonëse këta individë nuk kanë shkelur ndonjë ligj me marrjen e këtyre posteve, rolet e tyre nxjerrin në pah një kërcënim sistematik për Evropën. Nga kriminalizimi i plotë sikurse është rasti i Luca Volontè, një ish-deputet italian dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u dënua janarin e vitit të kaluar me 4 vjet burg për marrje ryshfeti nga zyrtarët e Azerbajxhanit, deri tek pastrimi në shkallë të gjerë i parave ruse dhe të kleptokratëve të tjerë në Londër, duket se diçka po shkon shumë keq në mbrojtjen ekonomike të Evropës.

Këto nuk janë raste të izoluara, por produkte të një strategjie që kanë regjimet kleptokratike në Rusi dhe më gjerë, për të vënë në shërbimin e tyre elitat evropiane, bizneset dhe sektorë të tërë që kanë shumë lidhje dhe ndikim.

blank

“Ky pushtim i elitave tona nga kleptokratët, duhet parë për atë që është vërtet: si një kërcënim për interesat tona, dhe si një tradhti ndaj vlerave tona”

Në vend se t’i shërbejnë vendeve të tyre, elitat evropiane po u shërbejnë tashmë interesave që ushqejnë forcat autoritariste, të cilat synojnë të rrënojnë Perëndimin. Shkalla e këtij rrjeti kleptokratik është shumë e lartë.

Pak ditë përpara se udhëheqja e Kazakistanit të jepte urdhrin për të qëlluar për vdekje protestuesit, think-tanku britanik “Chatham House”, identifikoi më shumë se 720 milionë dollarë prona të blera nga elita kazake në Mbretërinë e Bashkuar.

Ne në Evropë duhet ta pranojmë se erozioni i integritetit tonë ekonomik, po e dëmton shumë vendosmërinë, por edhe sigurinë tonë kombëtare. Ky pushtim i elitave tona nga kleptokratët, duhet parë për atë që është vërtet: si një kërcënim për interesat tona, dhe si një tradhti ndaj vlerave tona.

Putini dhe aleatët e tij po synojnë jo vetëm të paralizojnë dhe të ngatërrojnë vendimmarrjen tonë, por edhe të diskreditojnë politikën demokratike, duke i bërë praktikuesit e saj të duken po aq cinikë sa ata në Kremlin.

Në Britaninë e Madhe, Komisioni i Përzgjedhur Parlamentar i Punëve të Jashtme, të cilin e drejtoj unë, do të nisë së shpejti një hetim të ri mbi pastrimin e parave ruse dhe të kleptokratëve të tjerë, duke u mbështetur në punën tonë të vitit 2018.

Por gjykoj se duhet të zhvillohet një debat më i gjerë: aleatët perëndimorë duhet të hartojnë dhe miratojnë një grup të përbashkët standardesh etike për ish-politikanët për të ndaluar këtë “Shrëderizim”, duke i kufizuar ata në punën me kompanitë shtetërore të shteteve armiqësore autoritare dhe kompanitë e lidhura me to.

Në mbarë Evropën, ne, elitat perëndimore, duhet të distancohemi nga kleptokratët. Përveç sjelljes individuale, qeveritë evropiane duhet të hetojnë edhe strukturat. Herë pas here, dobësia e përpjekjeve tona kundër pastrimit të parave, është dokumentuar si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Si për shembull në rastin e skandalit të “Danske Bank”, që zbuloi se anëtarët e familjes së Putin dhe Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), si dhe të elitës të Azerbajxhanit, kishin përdorur kompani britanike për të depozituar para në degën estoneze të bankës daneze.

E çfarë mesazhi më të mirë mund t’u dërgojmë këtyre autoritaristëve, sesa ringjallja e propozimeve për një Nismë Globale kundër Kleptokracisë, për të qenë më të ashpër në  luftën kundër financimit të paligjshëm?

Gjatë Samitit të saj për Demokracinë në dhjetorin e vitit të kaluar, administrata e Joe Biden filloi procesin pozitiv të kërkimit të bashkimit të aleatëve për çështjet e mbrojtjes së demokracisë dhe anti-korrupsionit.

Demokracitë evropiane duhet të tregojnë se e marrin këtë proces po aq seriozisht sa edhe qeveria amerikane. Në rast se ne nuk e mbrojmë me forcë demokracinë brenda vendit tonë, aftësia jonë për ta mbrojtur atë jashtë vendit vetëm sa do të dobësohet, dhe ky dështim do të kishte pasoja që nuk mund t’i përballojë asnjë nga ne në botën e lirë.

*****

Tom Tugendhat, është kryetar i Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme në parlamentin e Britanisë së Madhe./Dita

blank

“Gomorra” shqiptare në Romë- Lufta për territorin e drogës mes grupeve Arapaj dhe Demçe

U desh një operacion i madh dhe i shpejtë në orët e para të mëngjesit të kësaj të martë në zonën mes Romës dhe Castelli Romani, për të parandaluar që lufta mes 2 grupeve italo-shqiptare për menaxhimin e disa shesheve të trafikut të drogës të kthehej në një kasaphanë.

Mediat italiane raportojnë se atentat kanë filluar prej vitesh me disa tentativa dhe prita për të hequr qafe përgjithmonë rivalët në këtë biznes kriminal. Përplasja bëhet mes dy grupeve italo-shqiptare, të drejtuar nga Ermal Arapaj i njohur me nofkën “Ufo” në njërën anë dhe Elvis Demçes nga ana tjetër.

27 arrestime u kryen mëngjesin e 18 janarit që me shumë mundësi nëse ndërhyrja do të vononte do të kishte shtuar listën e të “rënëve” në luftën për drogën. I fundit ishte Selvald Shehaj i njohur si “Simoncino”, i vrarë në plazh në 2020-ën.

blankVrasja e Selvald Shehaj në plazh

Viktimë e kësaj lufte ishte edhe Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, i vrarë në mes të ditës dhe që sipas hetimeve të fundit nga karabinierët qëndronte shumë pranë Elvis Demçes. Piscitelli ishte kapoja e tifozëve ultras të Lazio me emrin “Irriducibili”.

blank
Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”

Operacioni i fundit u koordinua nga antimafia dhe zyra e prokurorit të Romës. 27 personat që kanë përfunduar në qeli akuzohen për “lidhje me trafikun e drogës sipas metodave mafioze, armëmbajtje, kanosje, zjarrvënie, pengmarrje etj. Mediat italiane kanë publikuar rastet e dhunës mes grupeve të Arapajt dhe të Demçes.

Kush janë Ermal Arapaj dhe Elvis Demçe

Hetimet kanë nisur shumë kohë më parë. Ishte 27 dhjetor 2017 kur në Artena u gjet trupi i djegur i Cristian Di Lauro, i zhdukur ditën e Krishtlindjeve. Një vrasje brutale që nxiti karabinierët të nisin një sërë hetimesh dhe në këtë mënyrë të zbulojnë figurën e Ermal Arapajt dhe mënyrën sesi ai kishte ngritur një grup të mirëstrukturuar.
Demçe, nga ana tjetër, u shfaq në hetimet e njësisë së Romës në prill 2020 menjëherë pas lirimit në “arrest shtëpiak”.

Kështu në periudhën 2017-2020, hetimet zbuluan mënyrën e funksionimit të dy grupeve italo-shqiptare që konsiderohet “një strukturë organizative solide dhe me disponueshmëri të armëve të zjarrit”. Angazhimi kryesor është trafiku i kokainës dhe hashashit.

Sipas hetuesve, një rëndësi të veçantë ka figura e Elvis Demçes, citon lapsi.al. I konsideruar si grupi i Piscitellit, ai ka një “profil të lartë kriminal”, i karakterizuar nga dëshira për të arritur “shpejt, nëpërmjet furnizimit me sasi të mëdha droge dhe rikuperimit të borxheve në një mjedis të dhunshëm. Në këtë mënyrë ka siguruar likuiditet të nevojshëm për të konsoliduar forcën kriminale të organizatës së tij”.

Me pak fjalë, një kriminel i gatshëm të bëjë gjithçka. Emri i tij doli gjithashtu në qendër të hetimeve për vrasjen e Federico Di Meo në 2013.

Rritja e Demçes dhe dhuna në mbledhjen e borxheve

Megjithatë, karizma dhe kalibri i tij e shtynë policinë të përvijonte më mirë figurën e tij. Dhe kështu, më 27 korrik 2020 dolën “elemente shumë të qartë në lidhje me blerjen e afërt të një ngarkese të madhe droge” nga grupi Demçe. Droga u sekuestrua më 7 gusht në një makinë Porsche Macan, brenda së cilës kishte 2 të rinj. Karabinierët gjetën në bagazh rreth 90 kilogramë kanabis. Hetuesit konfirmuan se grupi qarkullonte sasi të mëdha droge që i jepnin fitime të majme.

Por nuk është vetëm droga aktiviteti i vetëm në organizatën e Demçes. Ai përdori metoda mafioze për të siguruar territore duke frikësuar dhe goditur rivalët dhe blerësit që nuk shlyenin dot borxhet. Në një rast, në San Basilio, ekipi i dhunshëm i Demçes zhvati dy vëllezër, pronarë farmacie në një nga sheshet më të populluara në Romë. Ai u bëri presion duke u marrë 100 mijë euro për të paguar një sasi droge.

Grupi i Arapajve

Më në periferi të Romës vepron grupi i Ermal Arapajt, i cili kishte një bazë operacionale në Velletri. Nga sa është zbuluar, grupi i tij kriminal akuzohet se ka rritur “biznesin” e tij nëpërmjet dërgesave të drogës. Grupi siguronte kokainën nga disa shqiptarë të tjerë ndërsa nuk mungonin kontaktet edhe me Holandën dhe Kolumbinë. Ata përdornin 2 shtëpi në Romë ku ruanin një pjesë të sasive të lëndëve narkotike që ua dorëzonin klientëve, por edhe garazhe si bazë mbështetëse.

Sherri mes Arapajt dhe Demçes

Duket se Ermal Arapajt zona e tij i dukej e vogël. Për Elvis Demçen as Roma nuk mjaftoi. Kjo është arsyeja pse të dy, që më parë jetonin në paqe, filluan një luftë. Sipas hetimeve të bëra nga karabinierët, tensioni u rrit kur Elvis Demçe filloi të kërkonte kontrollin e farmacive në lagjen Velletri të menaxhuara, deri në ditën e lirimit të tij, nga Ermal Arapaj. Bisedat e përgjuara konfirmojnë urrejtjen e Demçes ndaj bashkatdhetarit të tij, i cili pas arrestimit kishte marrë drejtimin, por pa i dhënë cent si shpërblim.

Një fyerje kjo për shqiptarin. Kështu, mungesa e kompensimit e bëri Demçen të planifikonte një pritë kundër rivalit të tij më 9 korrik 2020, në komunën e Lanuvios. Një pritë nga e cila Arapaj arriti të shpëtojë duke qëlluar i pari dhe duke goditur në këmbë një nga ekzekutorët e caktuar nga Demçe. Mëngjesin e 5 shtatorit 2020, grupi i Demçes hapi zjarri në Velletri, duke dëmtuar vilën dhe makinat e Arapajt si dhe partneres së tij.

blank
Federico Di Meo, vrarë me urdhër të Elvis Demçes

Ky përshkallëzim i dhunshëm e detyroi Arapajn të arratisej në Spanjë, nga frika e hakmarrjes. Por ishte vetëm një pushim për një kohë të shkurtër. Me kthimin në Itali, Arapaj kishte filluar të planifikonte me shumë detaje vrasjen e Demçes.

blank

Plani duket e u pengua nga hetimi i operacionit “Alba Bianca”, i realizuar në 9 shkurt 2021 ku Arapaj përfundoi në pranga. Gjatë kontrollit në një shtëpi në Fermo ku banonte Arapaj dhe partnerja e tij, u gjet një pistoletë model Steyr 40 me numër serie të fshirë, një karikator me 12 fishekë dhe një maskë silikoni. Me sa duket kjo do të përdorej për fshehur fytyrën e autorit të vrasjes së rivalit të tij, Elvis Demçe. LAPSI

blank

“FETO në institucionet fetare”, deklarata e Erdogan trazon Komunitetin Mysliman Shqiptar

Mungesa e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’Hem Beut, ku ishte i ftuar edhe Presidenti Turk Rexhep Tajip Erdogan, u kthye në temë debati për shkaqet e kësaj mungese.

Aludimet në media thanë se drejtues të KMSH-së, nuk ishin ftuar në këtë event, për faktin se ishin të lidhur me organizatën FETO kanë trazuar ambientin e KMSH-së, pavarësisht qetësisë me të cilën ky institucion u është përgjigjur interesit të shtuar medias.

Gazeta “Panorama” kontaktoi me përfaqësues të KMSHsë, të cilët hodhën poshtë këto aludime. Të pyetur se përse nuk ishin në një ceremoninë e inaugurimit të një xhamie nën varësi të saj, KMSH-ja e argumenton se ky institucion nuk ka pasur një ftesë nga organizatorët e këtij eventi.

“Nuk ka asgjë për t’u aluduar në lidhje me mungesën tonë në përurimin e xhamisë së Et’hem Beut. Nuk kemi qenë të pranishëm pasi nuk kishim një ftesë zyrtare nga organizatorët e eventit”, thotë KMSH-ja në përgjigjen e saj për gazetën “Panorama”.

Më herët, të pyetur nëse kanë një reagim në lidhje me akuzat për lidhje me Gulenin, KMSH-ja përgjigjet prerazi duke sqaruar se: “Nuk kemi lidhje me FETO-n. Jemi shqiptarë, kreu i Komunitetit Mysliman është shqiptar”.

Burime të gazetës “Panorama” kanë konfirmuar se dje gjatë mesditës krerët e KMSH-së kanë zhvilluar takime me drejtues të disa xhamive të Tiranës dhe drejtues të disa myftinjve të rretheve kryesore.

Të njëjtat burime kanë konfirmuar se temë e këtyre takimeve të zhvilluara në institucionin drejtues të myslimanëve shqiptarë ka qenë pikërisht mbajtja apo jo e një qëndrimi zyrtar mbi deklaratat e Presidentit turk në Kuvend.

Të pyetur nëse do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje, KMSH-ja përgjigjet prerazi duke thënë se: “Jo! Nuk kemi asnjë qëndrim momentalisht. Nuk e shohim të arsyeshme për momentin”.

Mënyra e drejtimit të dy aktiviteteve ku ishte kishte një prezencë të madhe qytetarësh, treguan se axhenda e vizitës së Erdoganit në Tiranë ishte hartuar nga pala turke. Gjatë ceremonisë së dhënies së çelësave të banesave në Laç dhe inaugurimit të restaurimit të xhamisë së Et’Hem Beut u pa qartë që drejtuesit që orientonin folësit dhe përcaktonin “lëvizjen e radhës”, flisnin turqisht.

Një ditë më parë, Presidenti Turk deklaroi në kuvend se: “Fatkeqësisht anëtarët e organizatës terroriste FETO edhe 5 vjet pas tentativës për grusht shteti në Turqi, vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në institucionet fetare, si dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat”.

Erdogan: Anëtarë të FETO-s janë në institucionet fetare, Presidenti turk, kërkesë qeverisë: Kjo çështje të marrë formë të prerë

Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, i kërkoi Shqipërisë të largojë përfaqësuesit e FETO-s, nëse do që të mbajë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë. Në fjalën e tij në Kuvend, Erdogan foli qartë kur tha se kjo çështje duhet të jetë zgjidhur “në formë të prerë” deri në vizitën e tij të ardhshme në vendin tonë duke i kërkuar qeverisë shqiptarë të ndërhyjë në këtë zgjidhjen e saj.

“Lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi Parlamentin dhe Kuvendin e Republikës së Turqisë, si dhe masakroi popullin tonë, është një nga ndjeshmëritë tona, së cilës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Fatkeqësisht anëtarët e kësaj organizate edhe 5 vjet pas tentativës për grusht shteti në vendin tonë vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në institucionet fetare, si dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat.

Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur. Por, çështjen e FETO-s ne e shohim si parakusht vëllazërie, miqësie dhe partneriteti tonë strategjik që shprehim sinqerisht të vërtetën. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme kundër strukturës së FETO-s në vend dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Shpresoj që kjo çështje në vizitat e ardhshme që do të zhvilloj në Shqipëri të ketë marrë formë të prerë”, tha Erdogan.

Sipas Presidentit turk, “Ashtu si në Turqi, edhe këtu institucionet dhe qarqet e lidhura me FETO-n kanë axhenda të fshehura, ndaj nuk duhet të keni asnjë lloj dyshimi se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta. Dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë. E njëjtë si Turqia, e njëjtë si shumë vende të tjera të botës. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë shumë helmuese, tradhtare, tinëzare, që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja juaj.

Nëse nuk veproni menjëherë në kohë, është e pashmangshme që tentativat e ngjashme të kësaj strukture në vendin tonë të përsëriten edhe këtu në Shqipëri. Ne e kemi përjetuar dhe parë shumë këtë organizatë, një gjë e vërtetë, e cila realisht kemi paguar ne si shtet, si Turqi, një kosto shumë të rëndë. Ne konsiderojmë si detyrë të shprehemi, kudo që shkojmë, t’ua tregojmë vëllezërve tanë, miqve tanë, që të mos kenë të njëjtin fat që ne përjetuam më përpara”, u shpreh Erdogan përpara deputetëve të Kuvendit.

blank

Prishjet tek 5 Maji- Firma e Agron Kapllanaj një prej përfituesve

Firma ‘Shkëlqimi 07’, është një prej përfituesve nga shkatërrimet që u bënë ditën e sotme në zonën e ‘5 majit’ në Tiranë.

Firma e cila është nën emrin e Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i të emëruarit të deputetit Lulzim Basha në PD-në e Fierit, ka përfituar miliona lekë tendera për të ndërtuar në këtë zonë.

Kjo firmë ka përfituar një fond prej gati 322 milionë lekësh, taksa të shqiptarëve në tenderin e shpallur nga Bashkia e Tiranës.

‘Hartim i Projektit dhe zbatim i Punimeve për Ndërtimin e godinës 20 në zonën zhvillimore 5 Maji me vlerë kontrate 321 750 000 Lekë me fitues bashkimin e operatorëve Shkëlqimi 07 shpk, Gran Konstruction M shpk dhe Fled shpk’, thuhet në raportin e publikuar nga Open Data Albania.

Më faqen ueb për prokurime transparente Open Procurement janë krijuar dy databaza me të dhëna për tenderime në Kuadër të projektit të Rindërtimit pas Tërmetit. Databaza e parë ka të gjitha procedurat fondi për rindërtim që janë zhvilluar në Bashki.

Databaza tjetër ka procedura po të programit Buxhetor Fondi për Rindërtimit të zhvilluara nga Fondi Shqiptar për Zhvillim FSHZH.

Shteti Shqiptarë po aplikon në procedurën e tenderimit rregulla të veçanta të krijuara në Aktin Normativ me Fuqi Ligji datë 9 Dhjetor 2019. Këto rregulla anashkalojnë legjislacionin e rregullt për Prokurime Publike. Organizata AIS ka konstatuar defekte të kësaj baze ligjore, shkelje të të drejtës kushtetuese për Liri Ekonomike dhe terren për cenim të konkurrencës në favor të kontraktorëve të mëdhenj të Qeverisë.

blank

Mafia shqiptare bën ligjin në trafikun ndërkombëtar të drogës – Nga Vincenzo Musacchio

 

Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC) ka konfirmuar atë çka është zbuluar prej kohësh nga studiuesit e kriminalitetit të organizuar: mafiet shqiptare luajnë në Evropë një rol primar në trafikun dhe tregtinë e lëndëve të ndaluara.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian tani përjetojnë dominimin mafioz shqiptar. Gjendemi përballë një fenomeni kriminal që vazhdon të rritet e të zhvillohet. Shqiptarët fillimisht punonin për grupe të krimit të organizuar të kombësive të tjera, si italiane, turke, ruse e të tjera.

Sot nuk kanë më një rol plotësues por të barabartë me klanet e tjerë që operojnë në Evropë. Kjo ka ardhur pasi liderët mafiozë shqiptarë janë mjaft të mprehtë e inteligjentë dhe i kanë mësuar shpejt strategjitë e mënyrat për të marrë trafikun e drogës nga grupet e ndryshme kriminale me të cilët kanë bashkëpunuar. Në këtë mënyrë kanë zhvilluar një aftësi operative dhe potencial investimi ekonomik për t’u bërë të pavarur. Reputacioni që kanë për besueshmëri dhe përpikmëri në trafikun dhe tregtimin e drogës së cilësisë së lartë me çmim mjaft konkurrues e ka përshpejtuar rritjen e statusit të tyre si narkotrafikues të nivelit të parë.

Shqiptarët garantojnë dërgesat e drogës deri në pikën e dorëzimit, nuk kanë të penduar në radhët e tyre, nuk u besojnë kurrë të tretëve dhe kjo përbën siguri për blerësit. Ofrojnë kokainë, heroinë e kanabinoidë të cilësisë së lartë me çmime të leverdishme. Pas rikthimit të Afganistanit nën sundimin e talibanëve, Shqipëria do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në rrugën e drogave nga Orienti drejt Evropës. Klanet shqiptare, edhe përmes ndërmjetësimit të ’ndranghetas, kanë marrëdhënie të mira në Amerikën Latine (Brazil, Kolumbi, Ekuador e Venezuela), dhe kontakte në portet e Anversës (Belgjikë) e Roterdamit (Holandë), drejt të cilëve vijnë dërgesat nga Amerika Latine.

E gjitha kjo i bën gjithnjë e më të fortë dhe u rrit dukshëm mundësitë për fitime e rrjedhimisht edhe për të korruptim në vend të dhunës, nga e cila nuk kanë hequr dorë. Në pesë vitet e fundit, 2016-2021, organizatat kriminale shqiptar e kanë zgjeruar perimetrin e pikave të hyrjes, me prani të vazhdueshme në vende si Hamburgu (Gjermani), Valencia e Algeciras (Spanjë), bashkë me praninë e ndikimin në rritje në Britaninë e Madhe.

blank

Kanë nisur të zgjerojnë edhe tregjet, me shpërndarjen e drogave të raportuara në Gjermani, Suedi, Australi e Zelandën e Re. Grupet kriminale të organizuara shqiptare kanë raporte të ngushtë me mafiet italiane, duke bashkëpunuar në trafikun ndërkombëtar të drogës (Holandë, Spanjë, Portugali, Britani). Brezi i ri i mafias shqiptare ka interesa në pjesë të ndryshme të botës. Në Dubai riciklojnë një pjesë të parave të pista. Në Greqi kanë kompani guackë që i shfrytëzojnë për fshehjen e fitimeve në pará e mallra.

Në Britaninë e Madhe e në Itali luajnë në bursë. Shumë nga fitimet e drogës ri-investohen në projekte ndërtimi e turizmi në Shqipëri dhe përdoren për të ndikuar te politika e për të financuar korrupsionin.

Aktualisht, mafiet shqiptare planifikojnë të pushtojnë edhe vendet nordike, ku çmimet e drogave, kokaina e para, mbeten të larta dhe aksesi është më i kufizuar në krahasim me Evropën perëndimore. Australia është një shembull gjeografie që nuk përbën pengesa për trafikun dhe tregtimin e drogave, ndërsa portet e bregut perëndimor të Amerikës Latine përdoren për dërgesa direkt atje.

Rruga ballkanike vazhdon të jetë një kanal strategjik për drogën, në veçanti për heroinën dhe droga të tjera në transit nga Afganistani në Evropën perëndimore. Pjesa më e madhe e drogës transportohet në rrugë. I vlen të përmendet që shkalla e interceptimit për heroinën në Ballkanin perëndimor është relativisht e ulët. Sasi të mëdha heroine kanë sekuestruar edhe në Turqi e Iran para se të mbërrijnë Ballkanin. Ka sekuestrime të shumta heroine edhe në Evropën perëndimore. Grupet shqiptare megjithatë nuk pësojnë dëme të mëdha dhe duket se kontrollojnë pjesën më të madhe të rrugëve (pasi kanë mbushur boshllëkun e lënë nga grupet kurde e turke).

Sipas UNODC, shqiptarët janë të përfshirë jo vetëm në tregtim, por edhe në transport e logjistikë. Ndërsa heroina zhvendoset nga Afganistani në Evropë përmes Ballkanit, shqiptarët tashmë e kanë nisur punën për prodhimin e heroinës nga opiumi dhe po lëvizin edhe në drejtim të drogave sintetike. Faktori që e zbulon këtë tendencë të re është një substancë kimike që tregtohet përgjatë rrugës ballkanike: anhidridi acetik, i cili shërben për të krijuar heroinë përmes një reaksioni kimik. Klanet shqiptare kontrollojnë edhe portet e tyre, ato kroate, malazeze e sllovene në Adriatik dhe i përdorin për trafikun drejt Evropës perëndimore.

Bregu i Adriatikut tashmë është një nyje e drogës, ku ndërthuren grupe kriminale shqiptare, ballkanike e italiane. Lufta mes bandave të lidhura me drogën sot është zëvendësuar nga paqja mafioze dhe marrëveshjet për ndarjen e mundësive të mëdha për fitime. BE duhet të rritë vigjilencën, ndryshe për një kohë të shkurtër rrezikon nokautin përfundimtar në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Marr nga HuffingtonPost-Përgatiti: SYRI.net

blank

Dajaku tek 5 Maji është thjesht biznes – Nga KLODIAN TOMORRI

Rindërtimi është ndoshta programi publik me solidar që është ndërmarrë ndonjëherë në Shqipëri.

Është një program ku qytetarët e një vendi bëhen bashkë dhe financojnë 700 e ca milionë euro apo ndoshta 1 miliardë (se shifrat aty prokurohen sipas qejfit dhe kanë dalë jashtë çdo kufiri), për të ndihmuar bashkëqytetarët e tyre që u goditën nga një fatkeqësi natyrore.

Është program i paprecedentë. Nuk ka rast të dytë në botë ku qytetaret të kenë treguar solidaritet në këtë shkallë, nëse e merr në raport Prodhimin Kombëtar.

Çfarë bën qeveria? Solidaritetin e kthen ne represion. Këta janë qeveria e vetme në bote që mund ta bëjnë këtë. Kanë turrur xhandarët për të nxjerrë me dajak familjet nga banesat e tyre në lagjen ‘5 maji’.

Ato familje, që këta po i nxjerrin me forcë sot nga shtëpitë e tyre, kanë kontribuar për rindërtimin. Kanë paguar nga taksat e tyre që të ndihmonin familjet e prekura nga tërmeti të bëheshin me shtëpi. Por paskan paguar edhe të zezën e tyre.

Pse e bën qeveria këtë? Çfarë arsye ka që ta kthejë një program kaq solidar në gjëmë për qindra familje? Bën biznes. Gjithmonë kjo është arsyeja.

Aty tek 5 maji janë prokuruar 62 milionë dollarë kontrata në kuadër të rindërtimit nga Bashkia e Tiranës. Janë para të prokuruara me procedura ekstraligjore, me garë të cunguar. Fituesit e këtij lumi të madh parash janë oligarkët më të mëdhenj të Shqipërisë, kompani trafikantësh dhe klientë të qeverisë.

Ndaj po u vënë hurin njerëzve këta duke i nxjerrë me forcë nga shtëpitë.

Duan të bëjnë biznes.

Kanë lekë për të ndarë nëpër llogari.

Kjo është arsyeja.

Gjithmonë.

blank

Fatmir Merkoçi: Kur pengohem unë që jam themelues i PD-së, lëre më se çfarë i bëjnë njerëzve të thjeshtë!

Protesta – Demokratët i zënë pritë Lulzim Bashës në njësinë 7

Themeluesi i PD-së Fatmir Merkoçi së bashku me dhjetra protestues demokratë, e kanë pritur me protesta Lulzim Bashën në takimin e tij te Njësia 7.

Lulzim Basha me njerëzit e tij ka refuzuar themeluesin e PD-së të jenë në këtë takim, gjë e cila ka sjellë edhe reagimin e tij publik.

Merkoçi: Kur pengohem unë që jam themelues i PD-së, lëre më se çfarë i bëjnë njerëzve të thjeshtë.

Ne që nuk pranohemi në takim jemi dhe quhemi të përjashtuar, derisa nuk pranohemi në takim. Ky është Lulzim Basha i cili e tregoi vetë fytyrën e tij.

blank

Dashuria për SHBA-të nuk ka nevojë për ndërmjetës – Nga Luçiano Boçi

Ka një përpjekje të shfrenuar për t’i ndarë anëtarët e PD sot apo drejtuesit e saj ndër vite, në proamerikanë dhe në anti. Investuesit politikë shqiptarë të kësaj teze, spekulojnë me një akt diplomatiko-politik, me të drejtën ligjore të atakimit, i cili i drejtohet një personi (Berishës) pavarësisht përfaqësimit dhe vendit që mund të zerë ai në hierarkinë politike.

Sipas tyre, distanca ndaj këtij “mallkimi” afekton jo vetëm njerëzit që kërkojnë e mbështesin sot një proces normal zgjedhor legjitim të inspiruar nga anëtarësia e mbartësi i non-grata-s, por dhe forcën politike ku aderon, nëse e mban atë në gjirin e saj.

Retorika banale shkon deri aty sa këtë sjellje ta tundin si vërtetim dashurie ndaj SHBA-ve dhe si një kartabiankë e cila i siguron ose jo të drejtën atyre, për të qenë ata ndërmjetësit e dashurisë për vetë SHBA-në.

Shkojnë deri ne etiketime të tilla fantazmagorike me terma “bandë” apo “organizatë” antiamerikane, duke krijuar tymnajën e një ndjenje dhe realiteti që nuk ekziston.

Shpërndajnë profecira antike të një “armiqësie” hipotetike që do shfaqet në horizont me përmasa shkatërruese për PD, nëse ndodh “gjëma”, por që ekziston vetëm në kokat e tyre.

Spekulohet me një marrëdhënie tashmë solide, joartificiale e as momentale, me partnerin tonë kryesor dhe mbështetësin e disafishtë të vendit, SHBA-në.

E gjitha kjo bëhet për arrivizëm politik, me një kosto të pallogaritshme dhe një verbëri ulëritëse.

Sepse po vendosin përdhunshëm një pikëpyetje që kurrë nuk ka ekzistuar së paku në këto vite demokraci.

Pikëpyetjen e mirënjohjes për Amerikën.

E një tentativë e tillë është e rrezikshme dhe e dëmshme.

Një pikëpyetje e tillë duhet të anulohet, duhet të zhduket e fshihet menjëherë.

Ajo dëmton ndenjën proamerikane të shqiptarëve dhe hedh dyshime për vlerat e saj të pakontestueshme.

Shqiptarët kudo, anëtarët e formacioneve politike, veçanërisht të Partisë Demokratike, për shkak të historisë si dhe përfaqësuesit e saj politikë janë thellësisht proamerikanë.

Në çdo kohë e moment.

E kjo është e dëshmuar jo vetëm me politikat proatlantike të ndjekura nga çdo qeveri që ka drejtuar vendin në këto vite demokraci.

Shqiptarët e duan Amerikën. Anëtarët e PD thelbësisht. Pa kushte.

E duan për vlerat e lirisë e demokracisë, përmasën e të drejtave universale, për fuqinë dhe zhvillimin që imponon, për rolin historik në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.

Prandaj ata sot kërkojnë me ngulm “të pakuptuar” nga spekulantët politikë, respektimin e vullneteve të lira dhe votës së lirë.

Është një dashuri e cila as mund të dyshohet, as mund të keqpërdoret e as të negociohet.

Ajo asnjëherë nuk ka pasur nevojë të imponohet dhe kur është kërkuar të ndalohet nga diktatura, sepse thjesht ajo nuk pranon ndërmjetës.

Prandaj tezat e “të përzgjedhurit”, apo “të mallkuarit” sot janë e mbeten teza false.

Sepse askush nuk mund të kushtëzoje apo të negociojë këtë marrëdhënie të ndërtuar mbi bazën e mirënjohjes, e cila është dhe e njohur dhe e pranuar si e tillë nga partneri ynë startegjik. Jo a priori, por në bazë të kontributeve edhe të personave për rolin në ardhjen e demokracisë, anëtarësimit në NATO, apo akteve të tjera.

Për më tepër askush qoftë drejtues politik, nuk mund të marrë tagrin e atij që ndan kufirin midis dashurisë dhe jo dashurisë.

Një demokrat në dashurinë për Amerikën nuk ka nevojë për ndërmjetësinë e lidershipit të PD, sikurse një socialist nuk ka nevojë për Ramën.

Perandorët u zhveshën nga e drejta hyjnore që me iluminizmin kur njerëzit kuptuan e pranuan që dashuria për Zotin nuk kishte nevojë për ndërmjetës politik.

Përgjatë historisë një rol i tillë, madje dhe nga e kundërta, nuk ka pasur sukses dhe nuk mund të ketë.

Mjafton të sjellim në kujtesën historike sjelljen e Hoxhës para viteve ‘90.

I vetëshpallur shpikësi dhe imponuesi i dashurive kombëtare, ai çfarë nuk bëri për të mbjellë me dhunë tek shqiptarët dashuritë jugosllave, sovjetike e kineze dhe për të ndaluar dashurinë për Amerikën e perëndimin.

Dhe asnjëherë nuk ia doli megjithëse përdori gjithcka. Nga propaganda e deri tek terrori e pushkatimet për çdo ndjenjë proamerikane të shqiptarëve.
‘90-ta e dëshmoi qartazi që lidhja shpirtërore e shqiptarëve nuk ishte mbytur dhe ata para saj kishin refuzuar çdo “pro” tjetër të imponuar.

Ardhja e Xhejms Beker-it shpërtheu realitetin që shpërdahet dhe ekziston dhe sot.

Ndërmjetësia nuk funksionon.

Një shembull tjetër për padobishmërinë e ndërmjetësisë:

Sado që mundohet Rama me prirjet e tij autoritariste të imponojë një “flirt” me Serbinë nëpërmjet projekteve rajonale, propagandës e me lloj-lloj marifetesh, ai nuk mundet t’ia dalë.

Ai nuk mund t’i imponojë asgjë shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të jenë dot proserbë. Ndërmjetësia apo shkuesia nuk jep rezultat si në demarshet për pro si në ato për kundër.

Në këto marrëdhënie “partneri” as nuk zgjidhet e as nuk funksionon, as për mirë e as për keq.

Prandaj proamerikanizmi i anëtarëve të PD, i përfaqësuesve të saj politikë, i liderve të saj në çdo kohë, sikurse i gjithë shqiptarëve i ngjason atij malit të lartë që sado ta gjuajnë ai po mal ngelet.

Shqiptarët shkojnë vetë tek ky mal.

Nuk ka nevojë që dikush t’i zërë prej dore…

blank

PARTIA E BABAIT… – Nga REX KASUMAJ

Berlin, dimër
Skenë e çuditshme shqiptare.
Me ç’duket qartë, Memli mban vetëm kumbonën. Sepse është i ati, islamisti Milazim K., që i prinë grigjës.
Çdo prononcim i tij në media shndërrohet në vendim të partisë së të birit.
Një ditë para seancës kuvendare mbi referendumin serb, ai do të dilte hapur kundës idesë.
Dhe partia e urtë, si rregull tashmë, ndoqi sugjërimin e tij.
Po lexuat, ndaj, shkrimet e babait në momente të mëdha politike, ju e dini saktë, qysh më parë, qëndrimin e pritshëm të pdk-së!
Sa poshtë ka rënë e mjera, “partia e luftës”!
R.
blank

18 janar 1976, gjetje arkeologjike në fund të detit – Nga Moikom Zeqo

Durrësi për arkeologjinë është një qytet i trishtë: ai shtrihet nëntokë, mbi tokë dhe në fundin e detit. Kazma e punëtorit që hap themele të reja në këtë qytet shpesh është zanafillë dhe prolog i kazmës së arkeologut. Po si qëndron puna në fundin e detit? A fshehin dallgët pjesë të qytetit të vjetër, të përmbysur nga tërmetet dhe inondatat?

Gojëdhëna popullore flet për Durrësin e nëndetit, për lashtësinë që e ruan deti i madh dhe shekullor. Kjo gojëdhënë është besuar brez pas brezi si e vërtetë, por ka pasur edhe raste që është konsideruar thjesht si një fantazi e këndshme dhe tërheqëse, një trill dhe asgjë më tepër. Dhe ky qëndrim skeptik deri-diku justifikohej me mungesën e zbulimeve konkrete. Por gojëdhëna popullore megjithatë nuk u zhduk.

Në vitin 1860 arkeologu francez Leon Hezei desh të bindej për dëshminë e tërthortë dhe vërtetësinë në origjinë të gojëdhënës së qytetit. Në shënimet e veta ai tregon se iu lut kapitenit të anijes franceze “La Biche”, që ish ankoruar në limanin e Durrësit, të bënte një sondim të kujdesshëm mbi shtresën e shkëmbinjve nënujorë në perëndim të bregut të qytetit (është fjala për shkëmbinjtë dhe gurorët e Currilave (shënimi im, M. Z.) për të parë në se të vjetrit kishin përfituar të mbështetnin mbi to themelet dhe strukturën e një moloje. Përgjigja qe negative; nuk mund të zbulohej asnjë shenjë punimi nga dora e njeriut. Por në fakt kjo përgjigje nuk spjegoi asgjë.

Kanë kaluar 115 vjet nga ajo kohë. Në muzeumin arkeologjik të Durrësit janë grumbulluar mjaft materiale të lashta (kryesisht amfora) të nxjerra nga fundi i detit prej rrjetave të peshkatarëve, ose, edhe nga vetë dallgët. Por, siç dihet, amforat janë material i transportueshëm dhe në një shumicë rastesh kanë rënë në fundin e detit nga hambarët e anijeve të lashta të mbytura në brigjet. Duhej pra zbulimi i një konstruksioni të palëvizshëm, elementë të një ndërtimi njerëzor. Është e vetmja dëshmi me peshë, që vërteton në mënyrë të padiskutueshme ekxistencën e qytetit nëndet, të përmbytjes së tij nën dallgë.

Çështja e topografisë së qytetit antik, e përcaktimit të qendrës dhe periferisë së tij, si edhe të gjitha pikave të banimit është një çështje e ndërlikuar, e hapur dhe shumnë pak e studjuar. Kjo çështje kërkon një angazhim të madh dhe sistemim shkencor të të dhënave dhe në fund fare konkluzione të sakta. Hidroarkeologjia, zbulimi i pikave arkeologjike nëndet këtu ka rëndësinë e vet, të cilën s’mund të mos e përfillësh dhe ta lesh mënjanë.

Të pajisur me një akualang të thjeshtë, gjatë muajit gusht të vitit që shkoi u zhytën, natyrisht të nisur nga amatorizmi në disa pika të bregut, kryesisht tek pika e quajtur Batlla dhe në Currila. Rezultati: tri gryka amforash me vegje të dyfishta dhe shumë copa që u përkasin me siguri atyre. Pastaj, të informuar nga polumbari pensionist R. Balashi dhe peshkatari i vjetër H. Istrefi, për disa gërmadha gurësh në det pranë Portëzës (Porto Romanës), vazhduam kërkimet aty.

Disa qindra metra në veri të molit të vogël të Portëzës dhe hidrovorit, mbi dajlanin e ish kënetës dhe detit, gjatë rrypit ranor që bashkon kepin e Bishtit të Pallës, si edhe 40-50 metra në det që nga bregu, mbas disa zhytjesh hasëm në trakte muresh nënujë. Thellësia ishte e vogël: 1,80 m. deri në 2 m. Dallohet qartë një trakt muri në drejtim verilindje – jugperëndim ndërtuar me gurë të mëdhenj poligonalë, material shtufi, të vendosur njëri mbi tjetrin pa llaç, me nga një kanal të gdhendur për t’u kapur dhe mbajtur. Ja disa nga përmasat e tyre: 0,79 m x 0,64 m x 0,32 – 0,97 x 0,61 x 0,38 – 1,02 x 0,85 x 0,55 – 0,73 x 0,45 x 0,58 etj. Ky trakt afro 3,5 m. mbaronte me një gur trekëndësh me brinjë 1,04 x 0,99 x 0, 93, kundrejt, një gur qosheli ku lidhej një mur me gurë me përmasa më të vogla përpendikularisht me faqen e brendshme. Disa metra më tej, paralelisht me traktin e parë, zgjatej një trakt i tretë, pjesërisht i ruajtur mirë, por pa lidhje me njëri tjetrin.

Fundi i detit ishte plot leshterikë dhe midis gurëve kishte iriqë deti të panumërt. Rretheqark në një sipërfaqe të madhe qenë shpërndarë nënujë mjaft gurë të shkulur nga dallgët. Ajo që të bënte më tepër përshtypje në mënyrë të veçantë qe qeramika masive, një numër mjaft i madh tjegullash antike të thyera, disa prej tyre edhe të ruajtura plotësisht të pathyera. Derdhjet e hidrovorit në det në këtë zonë kanë bërë që fundi të mbulohet me një shtresë llumi, nën të cilin duhen bërë pa tjetër kërkime të kujdesshme. Tjegullat ishin solene, të sheshta dhe të mëdha me trashësi 2,5 cm. Dhe buzë me lartësi 5,5 cm., etj. Kishte edhe tjegulla kaliptere me buzë konvekse. Tjegulla të tilla janë përdorur në sh.IV p.e.r. deri në sh.I e.r. Janë të epokës helenistike. Dalloheshin mirë disa tjegulla kulmi si edhe tjegulla të periudhës romake të gjata deri në 0,80 cm. bile njëra prej tyre ishte e ngjyrosur nga brenda me ngjyrë të kuqe të fortë dhe në pjesën e jashtme ishte e sigluar me dy vija të thelluara të ndërprera. Në materialin e nxjerrë në breg mund të klasifikoje pesë lloje të kësaj qeramike masive. Tjegulla të tilla helenistike dhe romake janë përdorur edhe në nekropolin e Apollonisë, si edhe atë të Durrësit të vjetër. Mbishkrime dhe monograme, vula mbi tjegullat, deri tani s’kemi gjetur, por mundësia për të gjetur ekziston, sepse fundi i detit është ende plot me këtë qeramikë.

Ç’përfaqëson ky zbulim? Ku qëndron rëndësia e tij? Le t’i referohemi kronikanëve të vjetër. Ata thonë se qyteti i Dyrrahut u ndërtua në gadishullin kodrinor me të njëjtin emër, por nuk përmendin se ku, në veri apo në jugë. Disa të dhëna nga Pausania (historian grek i sh.II e. sonë), flasin për banorët e Dyrrahut që banojnë në një qytet që është pak larg nga qyteti i vjetër i braktisur (ndoshta më në jug. Shënimi im, M.Z.). Sipas Ana Komnenës dhe Gulielmit të Apulies (autorë të shek.XI) në veri të murit të qytetit ka patur gërmadha shtëpish të vjetra, me të cilat u ngrit kampi i normanëve dhe u strehuan, kur Robert Guiskardi rrethoi Durrësin në vitin 1081. Muri dhe fortifikimi i Porto Romanës ndodhet 7 kilometra larg nga qyteti i sotëm. Ky mur me tulla konsiderohet më i vjetër dhe i një tipi tjetër nga muret bizantine në juglindje të qytetit. Që qyteti ka lëvizur në hapësirë dhe e ka çvendosur pikën e gravitetit të tij disa herë në drejtime të ndryshme kjo s’ka dyshim. Një gjë është lehtë për t’u kuptuar: pika e Portëzës ka patur përherë rëndësi strategjike për qytetin. Në lashtësi kjo pikë mund të ketë qenë bile moli i parë dhe kryesor sepse krijonte me kënetën grykëhyrjen e një limani të madh të brendshëm, të mbrojtur nga të gjithë erërat, të përshtatshëm për anijet e lashtësisë që s’kërkonin shumë thellësi për të lundruar dhe lëvizur për shkak të konstruktit dhe madhësisë së tyre jo të konsiderueshme. Ç’mund të jetë ahere ky ndërtim i lashtë, me sa duket i mbuluar nga uji i detit nga ndonjë fundosje tektonike? Mos kemi të bëjmë me mbeturinat e tempullit të famshëm të Artemisit në portat e të cilit arritën dikur legjionet e Cezarit në luftën me Pompeun, siç dëshmon Apiani? Me sa duket jo, sepse tempujt, zakonisht ndërtoheshin në lartësi dhe mbeturinat e tempullit të Artemisit për shumë arsye duhen kërkuar në majë të kepit të Bishtit të Pallës, ku është pozicioni më i përshtatshëm.
Mos kemi të bëjmë me mbeturinat e një sistemi fortifikimi që dublojnë atë të Porto-Romanës në takimin e kënetës me detin? Gurë të mëdhenj shtufi të tillë të një mënyre ndërtimi arkaik të kujtojnë faktin që jep Prashnikeri për ekzistencën e gurëve të tillë prej shtufi në murin juglindor, si ato të ndërtimeve arkaike, ndoshta të murit të parë rrethues fillestar, shumë të afërt me ndërtimet ilire për të cilin deri tani s’kemi asnjë provë dokumentare të ruajtur sepse kanë humbur. Apo kemi të bëjmë thjesht me një shtëpi banimi të lashtë ose ndërtesë publike? Sasia e madhe e tjegullave masive (të punuara padyshim në punishtet vendase) tregon se ky objekt ka qenë përdorur nga njerëzit për një kohë shumë të gjatë, në vazhdimësi shekujsh. Më së fundi shprehim mendimin se ky s’do të jetë një objekt i vetmuar.

Peshkatarët që peshkojnë në këtë zonë, domethënë midis Porto Romanës dhe Bishtit të Pallës, përdorin toponimin “qyteti” për fundetin e zonës në fjalë dhe pikërisht këtu rrjetat e tyre kanë nxjerrë edhe tulla, edhe elementë arkitektonikë, copa kolonash etj. Sidoqoftë, zbulimet e ardhshme hidroarkeologjike do të sqarojnë gjithçka dhe specialistët do të thonë fjalën e tyre. Arkeologu i pajisur me akualang është diçka e re për lashtësinë e këtij qyteti. Deti fsheh nën peshën e kaltërisë, si një arkiv i jashtëzakonshëm vigan, fragmente të historisë së Durrësit të vjetër.

blank

blank

blank

blank

blank

blank

blank

DW për vizitën e Erdogan në Shqipëri: Godisni FETO-n që marrëdhëniet tona të mos errësohen

Bilanci i vizitës së presidentit turk Erdogan, të hënën, (17.01) në Tiranë ka një spektër të gjerë. Me pak fjalë ai mund të përmblidhet në konkretizim zotimesh  të ndërsjellta për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Shqipëri dhe kushtëzim të tyre me goditjen e gülenistëve në Shqipëri.

Gjatë 12 orëve të qëndrimit të tij në Shqipëri,  (09.30-21.30) u nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi përfshirë ato në fushën e medias, zbatimit të ligjit, emergjencave civile dhe kulturës.  Erdogan inaguroi kompleksin me 522 apartamente të reja në bashkinë e Kurbinit, qarku i Lezhës , të prekur rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, të financuar nga Turqia me një fond prej 42 milionë eurosh dhe siguroi për një rol konstruktiv të Turqisë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Erdogan: Marrëdhëniet me Shqipërinë – më të qëndrueshmet në Ballkan 

Inagurimi i 522 apartamenteve të reja është pjesë e konkretizimit të zotimit të Turqisë, në konferencën ndërkombëtare të donatorëve, më 17 shkurt 2020 në Bruksel  për të mbështetur me 1 miliardë euro rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti, strehuar mijra njerëz të mbetur pa banesa, rindërtuar godina publike, shkolla dhe spitale. Turqia rezulton vendi me donacionin më të lartë për rimëkëmjen e Shqipërisë nga tërmeti i sipërpërmendur. Në një deklaratë në prag të vizitës në Tiranë, presidenti turk Erdogan i vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë, “një nga më të mirat dhe më të qëndrueshmet në Ballkan”. Ai theksoi se në Shqipëri operojnë “600 kompani turke, janë punësuar 15 mijë shqiptarë duke e bërë Turqinë investitorin dhe partnerin e saj më të madh tregtar.”

“Lidhjet mes dy vendeve janë në nivelin e partneritetit strategjik. Synojmë ta ꞔojmë në 1 miliardë dollarë vëllimin e tregëtisë dypalëshe. Në Shqipëri Turqia ka investuar 3,5 miliardë dollarë,” theksoi ai në deklaratën e tij. Me një fond prej 40 milionë euro qeveria turke po ndërton në qëndër të Tiranës, në një sipërfaqje prej 6 mijë metrash katrorë “Xhaminë e Namazgjasë,” një nga më të mëdhatë në Ballkan.

59367959 401
59367959 401

Kërkesa: Godisni FETO në Shqipëri, që marrëdhëniet tona mos të errësohen

Zotimin për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë presidenti turk Erdogan e kushtëzoi në Tiranë, të hënën (17.01), me goditjen e elementeve të organizatës së njohur me inicialet FETO, të drejtuar nga Fetullah Gülen, kundërshtari politik i presidentit Erdogan dhe të klasifikuar si organizatë terroriste pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, ku u vranë mbi 300 vetë dhe u plagosën rreth 2.100 të tjerë.

Lëvizja güleniste duket se ka ende kolegje private në Shqipëri, të ngritura me fondet e klerikut Fetullah Gülen të fokusuara në matematikë, shkenca dhe predikimin e një islami tolerant dhe reformator. Pas grushtit të shtetit, kur presidenti Erdogan vizitoi Tiranën 6 vjet më parë, ai u kërkoi autoriteteve të saj t’i godiste këto kolegje duke i mbyllur dhe dorëzuar mësuesit gülenistë. Kërkesa u përsërit me forcë edhe gjatë vizitës së djeshme në Tiranë. “Fakti që FETO është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri”, tha presidenti turk Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

60455835 401
60455835 401

Në fjalën përshëndetëse që ai mbajti në mbrëmjen e të hënës, në seancën e parë parlamentare të këtij viti, Erdogan shkoi më tej kur theksoi se ” ꞔështjen e FETOs e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen.”

Roli i Turqisë në rajon

Kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp që “roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe pa diskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Turqia është një valvul e pazëvendësueshme për BE”, theksoi Rama duke zhvleftësuar opinione të studiuesve dhe politologëve lidhur me përpjekjet e Turqisë për të fituar influencë politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Erdogan iu referua rolit që luan Turqia si vend anëtar i NATO-s kur tha në konferencën e përbashkër për shtyp se Turqia „ do të vazhdojë të bëjë detyrat siç ka bërë deri tani. Për Ballkanin është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria. Turqia do të bëjë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, për të siguruar dhe garantuar një të ardhme paqësore.”/DW

blank

Ndërtohet ferma e parë lundruese në botë në qytetin holandez të Roterdamit

Ferma e parë lundruese në botë  është ndërtuar në qytetin holandez të Roterdamit. Me sipërfaqe 1 200 metra katrore, e ndërtuar në kanalin Merwehaven shquhet si një zgjidhje e rëndësishme për holandezët që kanë mungesë toke.

Minke Van Wingerden, një nga themelueset e fermës, tha se objekti funksionon me kapacitet të plotë me rreth 40 lopë dhe se nga çdo lopë marrin nga 20 deri në 25 litra qumësht në ditë.

Qumështi, kosi, gjalpi dhe djathi janë disa nga produktet që kjo fermë ofron për klientët në dyqanin e saj, por edhe në raftet e dyqaneve të tjera të Roterdamit. Ferma gjithashtu prodhon dhe shet plehra organike.

Fakti që ferma ndodhet në ujë, ofron përfitime për fermerët për shkak të afërsisë së saj me qendrën e qytetit./Burimi:Abc


blank
blank
Send this to a friend