Dyshohet se Zalla ka ndihmuar autorët e vrasjes së Gilmando Danit në Rinas.
KRUJË- Ylli Zalla është 48-vjeçari që u gjet arsenali i armëve ditën e sotme në Nikël. Dyshohet se Zalla ka ndihmuar autorët e vrasjes së Gilmando Danit në Rinas.
Ai rezulton i arrestuar më herët për arsenal armësh dhe prodhim lëndëve plasëse, si edhe vendosje eksplozivi. Policia e Krujës e ka arrestuar Zallën në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale. Sipas policisë ai dyshohet për lidhje me grupin e muxhahedinëve që dërgojnë shqiptarë për të luftuar në Siri.
Ndaj tij Gjykata e Shkallës në Parë në Krujë kishte vendosur më 13 mars të 2014 masën e arrestit me burg pasi ka kryer vepren penale “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Si ndodhi ngjarja?
Atentati mafioz ndodhi mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë. Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 12.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit. Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit. Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/Dosja.al