Piktori i njohur Anastas Kostandini ka publikuar një shkrim kritik mbi zhvillimet e fundit urbanistike në Pogradec, duke rikthyer në vëmendje vizionin fillestar të inxhinierit francez Albert Garique, autor i planit rregullues që hodhi themelet e qytetit modern.
Anastas Kostandini shkruan:
Vizioni urbanistik dhe projektet e inxhinierit francez Albert Garique janë themeli mbi të cilin u ndërtua Pogradeci modern. Pas Luftës së Parë Botërore, ai jetoi dhe punoi në Pogradec, duke e shndërruar nga një fshat në një qytet me plan rregullues bashkëkohor. Plani i tij parashikonte një qytet të sheshtë, me rrugë që zbrisnin drejt liqenit dhe një harmoni të qartë mes natyrës dhe ndërtimit urban, duke e menduar qytetin në raport të drejtpërdrejtë me peizazhin. Një nga projektet më përfaqësuese të Garique është Turizmi i Vjetër i Pogradecit (Hoteli i Albturizmit), i ndërtuar pranë derdhjes së lumit në liqen, si edhe bulevardi “Zogu i Parë”, sot rruga R. Çollaku. Ky shembull i turizmit të hershëm tregon se si mund të ndërtohet bukur dhe me masë, brenda kuotave të projektimit, në respekt të plotë të natyrës dhe planit urban.
Albert Garique kujtohet me respekt të veçantë në Pogradec, si për veprat e tij ndërtimore, ashtu edhe si “babai i urbanizimit perëndimor të qytetit”. Edhe gjatë komunizmit, emri dhe mendimi i tij përmendeshin shpesh sa herë flitej për zhvillimin urban të Pogradecit.
Arsyeja pse ky vizion rikthehet sot në vëmendje lidhet me tentativat për ndërtimin e kullave të larta (gradaciela) në këtë zonë, të cilat bien ndesh me mendimin urbanistik fillestar të qytetit. Në këtë situatë, vizioni largpamës i Garique duhet marrë seriozisht në konsideratë, si në planin makro ashtu edhe në atë mikro urbanistik. Historia na ka lënë pak vlera nga periudha të vështira, ndaj ato duhet të ruhen si dëshmi të ndërthurjes së kulturës europiane me realitetin tonë. Këto trashëgimi janë sot veçanërisht të çmuara në rrugën drejt Europës. Për këto arsye, sugjeroj dhe kërkoj me indinjatë që Hotel Turizmi i Vjetër të rikthehet në identitetin e tij projektues, për të ruajtur natyrën, kujtesën dhe shtresat historike që përfaqëson.
E njëjta qasje duhet mbajtur edhe ndaj “Oktapodit”, ndërtesë e veçantë e vitit 1988, e cila mbetet një dëshmi e rëndësishme arkitektonike dhe sociale e qytetit./Pogradeci Press
