VOAL

VOAL

Horoskopi i vitit 2019 sipas nga astrologes Meri Shehu

January 4, 2019
1 Comments
  • author avatar
    Alketa 5 years ago Reply

    Ben parashikim personal

Komentet

Lejimi i të dënuarit Beleri të shkojë në PE, një skandal kur Berisha nuk lejohet të shkojë në parlamentin shqiptar – Nga GENC BURIMI

Kjo drejtësi apo kjo qeveri shqiptare që përbëjnë dy anet e të njëjtës medalje po humbasin dhe pikën më të fundit të moralit dhe dinjitetit në publik.

Shumë lajme zbulojnë sot se po realizohet ultimatumi i datës 16 korrik që kryeministri grek Micotaqis i vuri Edi Ramës: ose Fredi Beleri të lejohet atë ditë të shkojë të bëjë betimin në Parlamentin europian meqënëse tani është eurodeputet, ose Rama të gjejë « vrimë ku të futet ». Nëse ky ultimatum transformohet në realitetin e imponuar nga Greqia , Shteti shqiptar i parë në tërësinë e tij si Qeveri dhe Drejtësi nuk mund t’i bëjë bish kësaj pyetje uluritëse :

Si është e mundur që nje person i dënuar me dy vjet burg nga drejtësia shqiptare, Fredi Beleri, të autorizohet të shkojë në Parlamentin europian dhe të kryejë misionin e tij si i zgjedhur përpara atyre që e kanë zgjedhur në Europë, ndërsa i padënuari Sali Berisha, me asnjë ditë burg, nuk lejohet që edhe ai po ashtu të kryejë minimalisht funksioin e tij si i zgjedhur përpara zgjedhësve të tij shqiptarë! Ka diçka që nuk shkon në këtë paralele asimetrike, diçka që të fyen jo vetëm llogjikën dhe intelektin por dhe qënien si demos, si anëtar i një shoqërie demokratike ku shpreson se Shteti të respekton.

Pse disa zgjedhës, ate europianë trajtoihen në këtë histori sitë nënës dhe u lejohet të përfitojnë nga i zgjedhuri i tyre, europarlamentari Beleri ndonëse ky është shpallur kriminel nga drejtësia e një vendi sovran, ndërsa zgjedhësit shqiptare trajtohen si të njerkës bash nga qeveria dhe drejtësia shqiptare dhe nuk kanë të drejtë të përfitojnë edhe ata nga deputeti i tyre Sali Berisha!

Nëse kjo ndodh, kjo do të përbëjë një njollë të pashlyeshme në demokracinë e brishtë shqiptare. Kjo do të jetë një mohim i vetë demokracisë!  Për t’u pajtuar me Kryeministrin grek që po ngre Ëashingtonin dhe Brukselin kundra homologut të tij shqiptar, Edi Rama nuk e ka fare problem të sakrifikojë parimet bazë të demokracisë dhe vetë popullin shqiptar.

Po asistojmë në momentin simbolik sesi shfryhet Edi Rama, si një gjel të cilit Greqia ia shkuli puplat një nga një dhe që sillet tani në mënyrën më burracake që mund të egzistojë , autorizon politikanin e Greqisë të shkojë tek të zgjedhësit grek dhe shkel me këmbë politikanin shqiptar duke mos i lejuar atij, ndonëse i padënuar të bëjë poltikë pranë zgjedhësve shqiptarë. A imagjinihet Biden dhe Drejtësia amerikane të pengojë Trumpin të bëjë politikë jo vetëm kur ishe nën hetim por as dhe tani që ish presidenti figuron si i dënuar. Fakti është se Drejtësia dhe qeveria shqiptare në menyrën më të perulët po përgatiten sipas shumë burimeve të lajmeve të organizojnë transferimin e një të burgosuri deri në Strasburg thjesht për t’iu nënshtruar Greqisë. Cfarë justifikimi do të gjejnë tani ata që nuk e lejojnë Berishën, i padënuar fare të shkojë në këmbë vetëm 500 metra deri në Kuvendin e shqiptarëve ku dhe ai të betohet se do të vazhdojë deri në fund luften e tij politike kundra këtij  sistemi kleptokratik e aspak demokratik !

Po aq fyes qe dhe angazhimi i menjehershëm i drejtësisë shqiptare të përshpejtojë hetimin ndaj ish ministrit Beqja sapo rezultoi se ky ka prekur interesat e taksapaguesve europiane. Por, kur bëhet fjala për dëmet e pësuara nga taksapaguesit shqiptarë të vjedhur dhe të grabitur edhe ata nga koncesionet dhjetëra milionëshe të ministrisë së shendetësisë, Drejtësia shqiptare nuk tregon po të njëjtin  zell qe ndërmerr për të shërbyer taksapaguesin europian! C’është ky vend ku dy kategori qytetarësh jane krijuar, ata europianë dhe ata shqiptarë. Të të diskriminojnë në tokë të huaj edhe ndodh, dhe këtë do kish bërë pa teklif Le Pen po të kish marrë pushtetin në dorë në Francë.

Por që të ndodhë e kundërta, të diskriminohesh në vendin tend sepse prioriteti i jepet zgjedhësve europianë, ky është një rekord kobzi që vetëm Shqipëria e Edi Ramës e mban.

Ndaj nuk duhet toleruar transferimi i Fredi Belerit në Parlamentin e Europës pa lejuar më parë Berishën të rivërë dhe ai këmbën në Parlementin e Shqipërisë. Nëse kjo ndodh për njërin dhe nuk lejohet për tjetrin, për këtë arsye por edhe për shumë te tjera në aeroportin Nënë Tereza të Tiranës duhet të gdhendet me germa të mëdha për tokësorë dhe jashtetokësorë që vijnë në Shqipëri : Këtu, Ligjin e bën Maliqi .

Kush mund të zëvëndësojë Presidentin Biden në garën për President

VOA/Scott Stearns

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden po refuzon thirrjet e disa zyrtarëve të rëndësishëm të partisë së tij për të hequr dorë nga gara. Thirrjet filluan pas debatit të parë me kandidatin e pritshëm republikan Donald Trump muajin e kaluar, ku ai pati një paraqitje të dobët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns njofton mbi kandidatët e mundshëm që mund të zëvëndësojnë zotin Biden nëse ai vendos të tërhiqet nga gara për një mandat të dytë.

Presidenti Joe Biden është i sigurt se do të fitojë.

“Unë mendoj se jam personi më i kualifikuar për të kandiduar për president”, tha zoti Biden.

Pas vështirësive në debat në fund të muajit të kaluar, disa zyrtarë të partisë po i bëjnë thirrje të tërhiqet nga gara zgjedhore.

Por pas muajsh zgjedhjesh brenda partisë, demokratët nuk mund ta detyrojnë atë të largohet, thotë drejtori i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias, Larry Sabato.

“Ka vetëm një mënyrë që një kandidat të largohet. I emëruari duhet të vendosë vetë të mos kandidojë përpara konventës. Ai duhet të krijojë mundësinë që Komiteti Kombëtar Demokratik të vendosë gjatë kuvendit”, thotë zoti Sabato.

Nëse zoti Biden tërhiqet, nënpresidentja Kamala Harris kryeson listën e demokratëve për ta zëvendësuar atë.

Zonja Harris tregoi besnikërinë e saj duke i ofruar përkrahje Presidentit.

“Të mos harrojmë që vetëm njëri prej kandidatëve e ka përkrahjen e nënpresidentes së tij dhe ai është Joe Biden”, tha zonja Harris duke theksuar vendimin e ish nënpresidentit Mike Pence që të mos e përkrahë kandidaturën e zotit Trump.

Megjithatë kandidatura e zonjës Harris mund të ndihmojë me votuesit e pavarur, thotë profesori i shkencave politike të Universitetit të Kalifornisë Jugore, Christian Grose.

“Po të shohësh sondazhet, ajo që tregon se zonja Harris mund të ketë shanse më të mira se zoti Biden është fakti se ka më shumë të pavarur që janë të pavendosur për të për momentin. Ajo mund t’i bindë ata, ndërsa zoti Biden mund të mos t’i bëjë dot për vete”, thotë zoti Grose.

Në listën jozyrtare të njerëzve që mund të zëvendësojnë zotin Biden është edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

Ai thotë se mbështet zotin Biden ndërsa mori pjesë në tubimin zgjedhor të Presidentit në Miçigan javën e kaluar.

“Rezultatet janë ato që kanë rëndësi dhe ai i ka siguruar ato. Ne nuk na duhet një aktor, na duhet një komandant të përgjithshëm”, thotë zoti Newsom.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, gjithashtu përmendet si zëvendësuese e mundshme e zotit Bidenit. Ajo gjithashtu thotë se mbështet presidentin.

Zonja Whitmer u rizgjodh në një shtet të rëndësishëm për zgjedhjet. Ajo vazhdon të ketë popullaritet për shkak të përkrahjes për sindikatat dhe përpjekjet për të luftuar dhunën nga armët e zjarrit.

“Javë pas jave në Amerikë, po shohim lajme të zymta për shkak të dhunës me armë që ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme kudo në vend”, tha zonja Whitmer.

Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, është më pak i njohur në nivel kombëtar, por ai është një politikan popullor në një rajon jugor të mbizotëruar nga politika republikane.

J. B. Pritzker, guvernatori i Ilinoisit ku mbahet kuvendi i demokratëve të këtij viti, ka pasuri të madhe dhe do të kishte mundësi të vetëfinanconte pjesën më të madhe të asaj që do të ishte një garë presidenciale e minutës së fundit.

Në listë është edhe ish-zonja e parë Michelle Obama, e cila ka refuzuar vazhdimisht mundësinë për të kandiduar. Ajo megjithatë mbetët e preferuar për shumë votues. Sondazhi i Reuters-Ipsos-it javën e kaluar tregoi se ndërsa kandidatët Biden dhe Trump ishin në një barazim, Michelle Obama është dhjet më lart se zoti Trump. Analisti Larry Sabato thotë se nuk ka mundësi që ajo të kandidojë.

“Ajo është shumë e zgjuar që pas tetë vitesh në Shtëpinë e Bardhë të dëshirojë të kthehet, aq më pak të bëhet presidente. Ne mund të spekulojmë për emra, por ajo që ka rëndësi është se kush ka ambicie të mëdha ose aftësinë për të mbledhur para dhe mundësinë për të siguruar një shumicë në konventë”, thotë zoti Sabato.

Nëse zoti Biden qëndron në garë, spekulimet për emra të tjerë mund të vazhdojnë deri në kuvendin e Partisë Demokrate që mbahet në gusht në Çikago.

Goli 30 milionë euro në Tunelin e Llogarasë – Nga Klodian Tomorri

Ekipi kombëtar i Turqisë humbi shansin e kualifikimit historik në gjysmëfinalen e Europianit të futbollit teksa u mund me rezultatin e ngushtë 2 me 1 nga Holanda. Por golin që nuk arritën ta bënin dot të zgjedhurit e Montelës, e realizuan dy kompani turke në Shqipëri.

Madje në minutat shtesë. Dhe ky ishte një gol me vlerë 30 milionë euro.

Në mars të vitit 2021, qeveria shqiptare tenderoi për herë të parë ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro me kursin e sotëm. Në tender u paraqitën 6 oferta ku më e ulëta ishte ajo e kompanisë shqiptare Gjoka Konstruksion me 14 miliardë lekë ose 140 milionë euro. Por ministria e Infrastrukturës e anulloi tenderin me arsyen zyrtare se asnjëra nga ofertat nuk ishte e përshtatshme.

Tuneli i ritenderua në korrik të vitit 2021. Qeveria shpalli fitues të garës bashkimin e dy kompanive turke, por këtë herë me vlerën 17 miliardë lekë ose 170 milionë euro. Pra 30 milionë euro më shumë se oferta në tenderin e parë që u anullua. Ajo që ndodhi më pas është manual i pastër brokerimi në punët publike.

Kapitali analizoi bilancet e shoqërisë ndërtuese të tunelit të Llogarasë nga fillimi i punimeve në vitin 2021 dhe deri në fund të vitit të kaluar. Numrat e bilancit janë reflektim i pastër i asaj që ndodhi me dy tenderat.

Në vitin 2021 shoqëria Intekar-ASL faturoi 5.85 milionë euro të ardhura nga buxheti i shtetit për ndërtimin e tunelit. Në po të njëjtin vit shpenzimet totale të saj ishin 4.7 milionë euro, ndërsa diferenca prej 1.1 milionë euro ishte fitimi.

Por nga 4.7 milionë euro shpenzime, 99.9 për qind ishin të klasifikuara në zërin e shpenzimeve të tjera. Këto janë nënkontraktimet. Pra praktikisht kompania vetëm ka marrë para nga shteti dhe ka nënkontraktuar punën.

E njëjta situatë rezulton edhe në vitin e dytë të ndërtimit. Për vitin 2022, shoqëria Intekar-ASL faturoi 53 milionë euro të ardhura nga buxheti i shtetit. Shpenzimet totale të saj ishin 43.5 milionë euro. Diferenca prej 9.4 milionë euro ishte fitimi i realizuar nga kompania. Edhe në këtë vit nga 43.5 milionë euro shpenzime totale, 43 milionë euro ishin sërish në zërin e shpenzimeve të tjera. Pra 99 për qind nënkontraktim.

Për vitin e tretë të operimit, kompania faturoi 73 milionë euro nga shteti. Shpenzimet totale të saj rezultuan 60 milionë euro dhe diferenca prej 13 milionë eurosh ishte fitimi. Sërish edhe në këtë bilanc kompania klasifikoi në zërin e shpenzimeve të tjera, 58.5 milionë euro ose 97.5 për qind e totalit të shpenzimeve.

Numrat e tregojnë të gjithë historinë. Në tre vitet 2021-2023, kompania ndërtuese e tunelit ka shpenzuar gjithsej për rrogat e punëtorëve të saj që po ndërtojnë veprën vetëm 2.1 milionë euro ose 1.6 për qind e totalit të të ardhurave të faturuara nga shteti. Për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo mjafton vetëm një krahasim me një tjetër kompani turke, në një tjetër vepër të madhe publike në Shqipëri.

Në vitin 2009, konsorciumi turko-amerikan Bechtel-Enka, që ndërtoi rrugën e Kombit, shpenzoi 53 milionë euro si rroga për punonjësit e saj ose 16.5 për qind të të ardhurave dhe nënkontraktoi vetëm 39 milionë euro punime tek të tretët ose rreth 12 për qind të të ardhurave. Këto diferenca kanë vetëm një arsye. Bechtel-Enka ndërtonte vet kurse Intekar-ASL thjesht nënkontrakton. Për ironi tek kompania, që dha ofertën më të ulët në tenderin e parë të anulluar, të cilën e detyruan të tërhiqej.

Dhe tani llogaria e tarifës së suksesit. Në tre vitet e operimit të tij, konsorciumi turk ka regjistruar 24 milionë euro fitime. Bilanci i 2024-ës duhet ende të mbyllet. Por ruajtja e raporteve tregon se fitimi total i Intekar-Asl në tunelin e Llogarasë do të shkojë rrumbullak 30 milionë euro. Pikërisht sa diferenca mes vlerës me të cilën këto dy kompani fituan kontratën dhe ofertës më të ulët në tenderin e parë të anulluar.

Pra, me pak fjalë, ajo që ka ndodhur është kjo. Tuneli i Llogarasë u ndërtua nga kompania që dha ofertën 140 milionë euro në tenderin e parë të anulluar. Vetëm me një ndryshim. Qytetarët shqiptarë paguan 170 milionë euro, pasi 30 milionë shkuan si divident në Ankara.

Kjo është tarifa më e madhe e suksesit që është regjistruar ndonjëherë në një punë publike në Shqipëri. Një gol 30 milionë euro, që u gatua në hotelet e Ankarasë. Atëherë kur qeveria udhëtonte shpesh në viset e Anadollit duke i thënë popullit se ishte me mision patrotik për të gjetur vaksinat.

Mediat gjermane: Mijëra demonstrues të zemëruar kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe lirimin e Berishës

Shumë media gjermane i kanë bërë jehonë protestës së djeshme në Tiranë.

Gazeta e madhe gjermane, Frankfurter Allgemeine shkruan se mijëra protestues të zemëruar kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës dhe lirimin e liderit të opozitës, Sali Berisha.

“Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar Tiranë të enjten kundër kryeministrit Edi Rama. Kundërshtarët e qeverisë akuzojnë Ramën për korrupsion dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

Demonstruesit e zemëruar hodhën mjete ndezëse në godinën e qeverisë shqiptare dhe zyrën e një kryetari bashkie që i përket Partisë Socialiste të Ramës. Zjarret janë shuar dhe deri më tani nuk raportohet për të lënduar.

Kundërshtarët e qeverisë kërkojnë lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Lideri i opozitës ndodhet në arrest shtëpie nën dyshimin për korrupsion. “Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku lideri i opozitës është nën arrest politik pa asnjë fakt apo provë”, tha Berisha përmes video-lidhjes. “Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë, pa opozitë dhe pa drejtësi”.

Prokurorët nuk kanë vendosur ende nëse do të ngrenë zyrtarisht akuza ndaj Berishës. Berisha mohon të gjitha akuzat dhe akuzon Ramën se po hakmerret për të heshtur kundërshtarët. Rama nga ana e tij i mohon akuzat,” raporton gazeta gjermane. sn

Regjistrimi i popullsisë: Çka tregojnë të dhënat?

Dy gra në Prishtinë, qershor 2024. Fotografi ilustruese Foto:Bujar Terstena (RFE/RL)
Doruntina Baftiu


I shtyrë disa herë, regjistrimi i popullsisë në Kosovë u realizua përfundimisht rreth dy muaj më parë dhe më 12 korrik u publikuan rezultatet paraprake.

Rezultatet finale dhe më të detajuara parashihet të publikohen në fund të këtij viti.

Por, Avni Kastrati, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thotë se nuk priten ndryshime në të dhëna.

Çka tregojnë të dhënat?

Që prej regjistrimit të parafundit të popullsisë në vitin 2011, ASK-ja ka publikuar vazhdimisht raporte vjetore të vlerësimit të popullsisë.

Çdo vit, ajo ka vlerësuar se popullsia është më e madhe sesa që është regjistruar më 2011, duke u bazuar në shifrat e natalitetit, mortalitetit dhe migrimit.

Tani, sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, popullsia del të jetë ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011.

Por, në regjistrim nuk kanë marrë pjesë shumë nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë, ASK-ja tha se serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër, kanë marrë pjesë në regjistrim, për dallim nga viti 2011.

Kjo pjesëmarrje ka bërë që të dhënat të paraqesin një rritje të popullsisë në komunat me shumicë serbe.

Por, prapëseprapë, rritjen më të madhe në numër të popullsisë e ka shënuar komuna e Fushë Kosovës. Ndërsa, shumica e komunave të tjera në Kosovë kanë pasur rënie të popullsisë.

Nëpër komunat në Kosovë, gjithashtu, është evidentuar një përqindje e lartë e banesave dhe shtëpive të pabanuara. Përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara.

ASK-ja thotë se përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.

Dallime janë vërejtur edhe në numrin mesatar të anëtarëve në ekonomi familjare. Edhe pse më i vogël sesa në vitin 2011, ky numër, 4.5, mbetet ende më i lartë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe botës.

Një trend i tillë i zvogëlimit të ekonomive familjare është vërejtur edhe në Shqipëri, ku së voni janë publikuar të dhënat e regjistrimit të popullsisë që është bërë gjatë vitit të kaluar.

Njëjtë si në Shqipëri, edhe në Kosovë vërehet një trend i plakjes së popullsisë. Megjithatë, mosha mesatare në Kosovë – tani 34.3 vjeç – mbetet ende dukshëm më e ulët sesa në Shqipëri, ku është 42.5 vjeç.

Të dhëna më të detajuara dhe finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.

Atëherë, do të publikohen edhe të dhënat për diasporën, që, sipas ASK-së, ka rreth 600 mijë të regjistruar. Radio Evropa e Lirë

Mediat amerikane: Mijëra protestues opozitarë akuzojnë kryeministrin Edi Rama për korrupsion

US News and World Report

Protestuesit e opozitës sulmuan ndërtesën e qeverisë së Shqipërisë dhe zyrën e kryetarit të bashkisë me bomba benzine të enjten vonë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën para zyrës së Ramës dhe më pas në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili është gjithashtu nga Partia Socialiste e Ramës.

Policia nuk ka ndërhyrë por ka shuar zjarret nga bombat me benzinë ​​të cilat rrezikuan disa efektivë. Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar.

Protestuesit kërkuan gjithashtu lirimin e liderit të opozitës Sali Berisha, i cili është mbajtur në arrest shtëpiak dhe i hetuar për korrupsion të dyshuar gjatë kohës që ka shërbyer si kryeministër midis viteve 2005-2013.

Berisha ka mohuar çdo shkelje, duke akuzuar Ramën për një hakmarrje politike që synon të mbyllë gojën e kundërshtarëve. Rama nuk bëri asnjë koment, por e ka mohuar vazhdimisht këtë akuzë.

Prokurorët ende nuk kanë vendosur nëse do të ngrenë akuza zyrtare kundër Berishës.

“Shqipëria është i vetmi vend në Europë me liderin e saj të opozitës në arrest politik pa asnjë fakt, provë apo dokument”, tha Berisha përmes një video-lidhjeje nga arresti shtëpiak.

“Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë, pa opozitë dhe pa drejtësi”.

Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve që të përfshihen në mosbindje civile për të detyruar qeverinë të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Rama ka mbajtur pushtetin që nga viti 2013 dhe që atëherë ka fituar të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe vendore. sn

Këlliçi: PD nuk ndalet! Më 18 korrik do të jemi para bashkisë së Tiranës

 Belind Këlliçi anëtari i kryesisë së PD ka paralajmëruar që protesta e sotme e opozitës para kryeministrisë, nuk është e fundit për këtë sezon.Në një prononcim për mediat , Këlliçi tha se “pa shkuar para drejtësisë ata që abuzojnë me fondet publike, PD nuk ndalet”.

I ndalur tek pjesëmarrja e qytetarëve në protestë, ai tha se ka pasur me mijëra qytetarë që i i janë përgjigjur thirrjes së opozitës.

Ndër të tjera, ai bëri me dije se opozitarët do të protestojnë sërish më datë 18 korrik, para Bashkisë së Tiranës.

“Ajo që mund t’ju konfirmoj është se sot java, në datë 18 ditën e enjte do të ketë sërish protestë tek bashkia, në orën 11 paradite“, tha ai.

Këllëçi: Pjesëmarrja flet vet, jemi në mes të sezonit veror, në 11 korrik, ka pasur me mijëra qytetarë që i i janë përgjigjur thirrjes së opozitës. Kjo nuk është protesta e fundit që ne bëjmë për këtë sezon. Ajo që mund t’ju konfirmoj është se sot java, në datë 18 ditën e enjte do të ketë sërish protestë tek bashkia, në orën 11 paradite. Pa shkuar para drejtësisë ata që abuzojnë më fondet publike, që vjedhin taksat e qytetarëve çdo dit  PD nuk i ndal protestat. Protesta e sotme foli vet, me folësit me simbolikat, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme dhe kërkesën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. sn

Protesta e opozitës- Lubonja: Tregoi se ka ende shumë njerëz me shpirt opozitar

Opinionisti Fatos Lubonja në emisionin “Open, duke komentuar protestën e opozitës, tha se kjo protestë tregoi se ka ende njerëz që kanë një lloj shpirti opozitar.

Lubonja tha se protesta nuk është më instrument demokratik, sikundër ndodh në një vend demokratik.

“Në këtë vapë, me këtë lodhje, me këtë mërzitje, edhe sikur të dalin 50 vetë duhen falënderuar. Çështja e numrave nuk është më determinante. Numri tregon pushtet, ndonëse mendimi im është se edhe sikur të protestojnë 100 vetë, ka rëndësi”, tha Lubonja.

Analisti tha se fakti që protestuesit janë zhvendosur para Bashkisë së Tiranës janë shprehje e një zemërimi tjetër, ndoshta ka lidhje me ato skandalet që janë denoncuar.

VOA: Tiranë, protesta e opozitës, molotovë kundër selisë së qeverisë

Tiranë, bomba molotovë drejt godinës së qeverisë, gjatë protestës së opozitës

 

Armand Mero

Disa breshëri bombash molotov drejt selisë së Këshillit të Ministrave, kërkesa këmbëngulëse për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të çojë vendin drejt zgjedhjeve, dhe tensionet më pas përpara godinës së Bashkisë së Tiranës, shënuan protestën e organizuar nga opozita mbrëmjen e së enjtes.

Kryetari demokrat Sali Berisha ju drejtua i fundit, disa mijëra protestuesve që ishin mbledhur në bulevardin kryesor. Ai foli përmes një lidhjeje video nga shtëpia ku ai gjendet në arrest, që prej dhjetorit të kaluar, pasi kundërshtoi masën e “detyrimit për paraqitje” të urdhëruar nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimit për privatizimin e ish klubit Partizani në kryeqytet, gjatë kohës kur ai drejtonte vendin si kryeministër.

Sapo zoti Berisha nisi të fliste, nga ekranet e mëdha të vendosura në podiumin e ngritur në boulevard, drejt godinës së qeverisë nisi hedhja e molotovëve. Zhurma e shpërthimeve të tyre, së bashku me flakën dhe tymin, u bënë për disa momente sfondi i fjalës së kreut të opozitës.

Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, u shpreh zoti Berisha duke ju drejtuar kryeministrit Rama, duke saktësuar se ky ishte një paralajmërim për të. “Mos e drejto Shqipërinë drejt greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë”, përsëriti ai.

Sipas tij rotacioni politik është i nevojshëm në Shqipëri “shteti i vetëm në Europë që ka humbur 40% të popullsisë, shteti i vetëm në Europë me 47% fëmijë të kequshqyer, shteti i vetëm në Europë me liderin e opozitës të arrestuar”.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, përjetoi në tre vitet e fundit një luftë të ashpër të brendshme, e cila u nxit nga vendimi i ish kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij, dhe familjes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit. Ish kryeministri, megjithatë, arriti të rimarrë kontrollin e Partisë e së fundmi, edhe njohjen zyrtare si drejtuesi i saj, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit.

Në fjalën e tij zoti Berisha i mëshoi sërish bashkimit. “Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore. Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë. Ajo është Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë. Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëj të pandalshëm”, u shpreh ai.

Mbyllja e fjalës së zotit Berisha shënoi dhe fundin e protestës përpara godinës së qeverisë, dhe spostimin e saj drejt Bashkisë së Tiranës, ku opozita mblidhet çdo javë prej më shumë se tre muajsh, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, që kur disa drejtorë të rëndësishëm të tij u arrestuan nën dyshimet për korrupsion. Molotovët nuk munguan as drejt ndërtesës së Bashkisë, ndërkohë që momente tensioni u shënuan kur grupe protestuesish u përpoqën të çanin kordonin e dendur të policisë, rreth e qark godinës. Tensione që nuk zgjatën shumë dhe u shuan me largimin e protestuesve.

A KA SHANSE QË IRANI TË REFORMOHET?- Nga ASLLAN BUSHATI

Irani shtrihet në Azinë perendimore në një sipërfaqe prej 1,648.195 kilometrash katrore dhe me një popullsi prej 90 milion banorësh. Ai kufizohet me: Turqinë, Azerbajxhanin, Armeninë, Detin Kaspik, Turkmenistanin, Afganistanin, Pakistanin, Gjiun e Omanit e Gjiun Persik. Është vend multifetar, multietnik dhe multikulturor, ku 51% e popullatës është persiane, 24% azerbajxhanase, 7% kurde, 7% lurset, 7% mazandaranët dhe gilaket, 3% arabët, dhe 2% boloshët.
Irani është një vend me një histori mijra vjecare, me kulturë e identitet të vecantë, i ballafaquar me shumë luftra që nga koha e Aleksandrit të Maqedonisë e deri tek ato ruse, turke, britanike etj. Për një kohë të gjatë këtë vend e sundoi Dinastia Pahlavi (i fundit Shahin Shahu- Pahlavi u përmbys në 1979 nga revolucioni Islamik i Iranit drejtuar nga Ajetollah Khomeini).
Që nga kjo kohë u aplikuan forcërisht ligjet fetare, ku liritë e të drejtat themelore të njeriut (vecanërisht ato për femrat) pësuan goditjen më të rëndë. Po ashtu vendi u militarizu e u bë prodhuesi më i madh i terrorizmit ndërkombëtar. Veprimtaria e tij terroriste, me të gjitha format e mënyrat u përcollë kundër Europës Perendimore, SHBA-së dhe fuqishëm në Irak, Siri, Liban, Rripin e Gazës, Jemen edhe ISIS. Kohët e fundit u bë mbështetësi kryesor i Rusisë me armatim, municion dhe vecanërisht drone të cilat duke u përdorur në Ukrahinë kanë vrarë një masë të madhe civilësh e vecanërisht gra e fëmijë. Po ashtu duke qenë se Shqipëria pranoi një sasi të opozitarve të kohës së Pahlevit në teritorin e saj, Irani ndërmori sulmet kibernitike duke dëmtuar shumë sektorë, gjë e cila coi në ndërprerjen e mardhënive diplomatike.
Veprimtari shumë të rrezikëshme për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë Lindjes Mesme Irani bëri me mbështetjen e armatosjen e Hamasit dhe Hezbullahut duke krijuar një situatë të rëndë e një dëm kolosal për popullin palestinëz.
Irani ka formën presidenciale të ushtrimit të pushtetit i cili bëhet me zgjedhje, por presidenti është autoriteti numër dy në vend, sepse autoriteti numër një është Lideri Suprem (aktualisht Ali Khamenei).
Me qenë se Presidenti Republikës Islamike të Iranit Ebrahim Raisi, humbi jetën pas një aksidenti me helikopter në maji 2024, më 28 qershor u zhvillu raundi parë dhe më 5 korrik raundi i dytë zgjedhor. Pas përfundimit të raundit të dytë reformatori Masoud Pezeshkian u zgjodh President i Republik Islamike të Iranit me 53,6% të votive të elektoratit. Po kush është Masoud Pezeshkain?
Ai ka lindur në Kurdish të Mahabadit një rajon azerbaxhano Iranian. Ai flet gjuhët persisht, azerbajxhane, kurde, arabe dhe anglisht. Është 69 vjec me profesion kirurg kardiak dhe ka shërbyer si Ministër i Shëndetsisë në vitet 2001-2005. Po ashtu ka qenë kandidat për president edhe dy herë të tjera në 2013 dhe 2021.
Pezeshkian ka qenë një opozitar i fortë edhe kundër ish Presidentit thellësisht konservator Mahmoud Ahmedinaxhad. Që në 2009 kur shërbente si parlamentar ai ishte i orientuar qartë nga procesi i reformimit të shtetit Iranian. Shpesh kritikonte ashpër praktikat e pamoralshme e anti ligjore të shtetit e vecanërisht të patrullave të policisë sidomos në veprimet kundër grave. Ai bënte thirrje për:”përgjegjesi të lartë në sjelljen ndaj grave, besimtarve, minoriteteve” etj.
Publikimet e kohëve të fundit bëjnë me dije se ai u bë zëri më i fuqishëm në politikën iraniane brenda vendit, (2022) kur e reja Mahsa Amini u arrest për mos respektim (refuzim) të kodit të veshjes iraniane dhe tragjikisht humbi jetën nën tortura e policisë në burg.
Në fushatën elektorale të këtij viti, Pezeshkain duke e njohur mirë situatën e brendëshme të Iranit, u suall si përfaqësuesi i njerëzve të demostratave, i klasës mesme, studentëve, të rinjëve dhe vecanërisht grave. Nga ana tjetër, ai u zotu të gjente gjuhën e përbashkët me konservatorët, të kooperonte e të kordinonte me to, për të evituar ndonjë konflikt të thellë brenda shtetit dhe vecanërisht me Liderin Suprem Ali Khamenei. Pra ai parashtroi dhe u zotu se do të ndërmerrte reforma të qënësishme politike pa e theksuar këtë të fundit “politike”.
Vizioni ekonomik i tij fokusohet tek një drejtësi sociale e bazuar në ligj, zhvillimi i balancuar rajonal, reforma strukturore të thella, themelimi i një sistemi transparent ekonomik, luftë të hapur kundër korrupsionit dhe stimuli i rritjes përgjithëshme të ekonomisë. Premtoi ngritjen e një klime të favorëshme për investimet e huaja për të ulur nivelin e papunësisë dhe reduktimin e inflacionit në 40%. Ai nënvizoi se Iranit i duhen të paktën 200 miliard nga investuesit perendimor duke i dhënë fund nivelin shumë të ulët të mardhënieve të sotme me perendimin. Irani, tha ai është ekonomia e 19 në botë nga përmasat e GDP-së e cila është e barabartë me 1,081 trilion. Pra premtoi reforma të thella ekonomike duke u hapur ndaj vendeve perendimore, gjë e cila nuk është dëgjuar në vendin e tij që nga koha e Pahlevit.
Duke qenë se me Kushtetutën e Iranit, Pezeshkani, është udhëheqësi numër dy, ka kakufizime në vendimmarrjet për problemet madhore vecanërisht ato të politikës jashtme, sigurisë dhe Gardës Revolucionare. Prandaj ai ka hedhur insinuatën për mos përplasje me liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei. Por nga ana tjetër edhe për ti thënë atij se jam i vendosur në zbatimin e premtimet të marra para elektoratit të vendit.
Irani është vend i rëndësishëm në botë, e fuqi e madhe rajonale. Interesat e vendeve perendimore janë që ai të mbetet fuqi jo bërthamore. Të dhënat e deri tanishme të Institutit Ndërkombëtar Atomik të Vienës (dhe shërbimeve sekrete) bëjnë me dije se një sasi e madhe uranium është pasuruar në kufijt e 60%. Aktualisht ky nuk është në formatin e municionit bërthamor i cili kërkon pasurimin mbi 90%, por nuk është larg kufirit të kërkuar për një municion të tillë.
Sido që të jetë, zgjedhja e Mosaud Pezeshkain në postin e Presidentit të Republikës Islamike të Iranit, në perendim ka prirjen të shihet si një shpresë, që në ate vend,do të kryhen reforma të thella e të gjithanëshme. Reforma që do të cojnë në vendosjen e lirive e të drejtave njerzore, ngritjen e mirqenies dhe uljen e tensioneve të brendëshme e të jashtme.
Pyetjes së kryetitullit se: a ka shanse që Irani të reformohet ? mund ti përgjigjemi me një “po” në se lufta që po gatitet nuk është afër shpërthimit.
ASLLAN BUSHATI

Rrëfehet nëna nga Srebrenica, që i vranë burrin, djalin e 25 anëtarë tjerë të familjes

Fadila Efendiq, pas 29 vjetësh ende përjeton dhimbje të thellë për humbjen e djalit, bashkëshortit dhe mbi 25 anëtarëve të familjes.

Jeta e saj dhe nënave tjera është vuajtje, lot e plagë të pashëruara.

29 vjet pas ngjarjes më tragjike që ka prekur kontinentin e vjetër që nga Lufta e Dytë Botërore, flet qetë, por, për shkak të shëndetit të rënduar, sot, në këtë përvjetor nuk do të dal, as në përkujtimet.

Fadila Efendiq, është nëna e njërit nga mbi 8 mijë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Veç djalit, iu vra edhe burri dhe mbi 25 anëtarë tjerë të familjes. Gjatë çdo vizite në varrezë, bën lutje për secilin, thotë se i nënvizon emrat, që të mos harroj ndonjërin.

“Në Gjenocidin e Srebrenicës, të njëjtën ditë më janë vrarë djali i vetëm dhe burri. Djali ishte nxënës i vitit të dytë të shkollës elektroteknike. Burri i ndjerë është varrosur ndër të parët, më 31 mars 2003. Ishin të rënda mendimet se ku janë, çka ka ndodhur? Çdo kufomë ka vulën e vet në vuajtjet dhe dhimbjet. Që nga muaji maj përgatitemi për të pritur që t’i varrosim më të dashurit tanë, dëshmorët tanë, në mënyrë që të ketë një shenjë nga ata”, ka thënë Efendiq për Radio Dukagjinin.

Mbetjet mortore të burrit iu kthyen. Nga djali mori vetëm dy eshtra të këmbës.

“Trupi i burrit është kthyer i tëri, ndërsa djalit i janë gjetur vetëm dy eshtra të këmbës. Më 2008 nga instituti më thanë se ka diçka, por nuk mund të bëhen gërmimet, por më 2013 unë i varrosa ato eshtra pranë babait të tij, që të ketë një gjurmë. Kur vij në varreza, i shikoj këto shenja dhe lutem, më duket si të kem biseduar me ta. Është shumë më lehtë t’i varrosesh se të jetosh në paqartësi”, ka treguar më tej ajo.

Srebrenica për të është qytet fantazmë. Në qytetin që e quan fantazmë, jeton vetëm.

Në terrorin që ka përjetuar, e që ende e ndjek ashtu sikur një fantazmë nga e kaluara, ngushëllimin e gjen tek familja e vajzës. Arsye të jetesës i ka 3 nipërit.

Efendi thotë për Radio Dukagjinin se nuk do të harroj, as të fal këtë krim.

“Pyes, pse, për çfarë, cilat janë ato interesa madhore që i tërë një popull të shkatërrohet. Srebrenica jonë tash është një fantazmë. Qyteti nuk janë ndërtesat, as rrugët, as asfalti. Qyteti janë njerëzit. Assesi, assesi nuk mund të harroj. Unë nuk mund të fal derisa të jem gjallë. Ata shkatërruan jetën, shkatërruan mendjen, nëse je mysliman nuk mund të jesh gjallë, e aq më pak i mençur”.

“Djalin e morën nga kampi holandez. Quhej Fejzo, dinte anglisht, e ftuan të përkthente dhe të shihej mundësia që të shpëtohet dhe të nxirret në territorin e çliruar. Por, të gjithë meshkujt nga kampi në Potoçare i vranë. Kjo për faktin se i besuan Bashkësisë ndërkombëtare. Nuk guxon t’i besosh askujt. Nëse nuk mund të mbrohesh vet, je i vdekur”, ka rrëfyer Efendiq.Anipse është falënderuese për Rezolutën e miratuar në OKB – në maj të këtij viti – ka edhe një mendim të vetin.

Efendiq thotë se është  e vonuar, dhe është një mënyë për ndërkombëtarët për t’i larë mëkatet që nuk i ndihmuan më 1995.

“Ishim zonë e mbrojtur nga OKB-ja, rezoluta u miratua që sado pak t’i lajnë mëkatet,  sepse nuk deshën të na ndihmojnë më 1995”.

Viktimat e identifikuar vazhdojnë të varrosen çdo 11 korrik. Sot, ishin edhe 14 të tjerë. /Telegrafi.al/

A po kërkon Rusia ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë?

Pllakate me portretin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, më 2018.

 

Autoritetet në Kosovë, kohët e fundit, i kanë shpeshtuar paralajmërimet për një rrezik të mundshëm që mund t’i kanoset shtetit nga fqinji verior, Serbia. Por, sa herë që ato flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Beogradi dhe Moska kanë një të përbashkët: duan zgjerim.

Për presidenten Vjosa Osmani, Serbia është “dorë e zgjatur e Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”.

E, sipas kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Beogradi po përgatitet për një sulm apo provokim eventual ndaj Kosovës, sikurse ai që u krye në shtator ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë.

Por, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, i ka cilësuar “drama mediatike” paralajmërimet se Kosova është e kërcënuar, duke thënë se një gjë e tillë “nuk është gjë tjetër veçse edhe një mjegull për sponsorët e saj perëndimorë”.

Shkronja Z, simbol i pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, e pikturuar në një mur në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, më 2022.

Shkronja Z, simbol i pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, e pikturuar në një mur në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, më 2022.

Largimi i vëmendjes nga lufta në Ukrainë

Kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”, vlerëson Ivana Stradner, hulumtuese e lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo qëndron, pasi Rusia – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – po kërkon që ta shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ku, sipas saj, nuk po performon mirë.

Për këtë, sipas Stradnerit, Rusia po kërkon “pika të cenueshme në Perëndim dhe pika më e cenueshme aktualisht në Evropë është Ballkani: Bosnje e Hercegovina dhe Kosova”.

Pikërisht veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës u cilësuan nga Shtetet e Bashkuara si rreziqet kryesore për sigurinë në rajon, ku duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.

Edhe Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë, nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të dhunshme në Kosovë, pasi, thotë ai, në Serbi ka qarqe që synojnë destabilizimin.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Shtuni thotë se, sipas treguesve në terren, gjasat për një përshkallëzim nuk janë rritur krahasuar me tre apo gjashtë muaj më parë.

Një tjetër aspekt në këtë çështje, sipas Shtunit, është se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë mesazh të qartë nga Uashingtoni se “çfarëdo agresioni i dhunshëm ndaj Kosovës dhe ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, do të jetë i papranueshëm”.

Shtuni ndan mendimin e njëjtë me Stradnerin se, çdo vatër e re krize, apo rindezja e vatrave të vjetra në Ballkanin Perëndimor, “do t’u shkonte për shtati interesave të Rusisë, pasi do të shpërqendrohej vëmendja e vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tjerë që i kanë dalë krah Ukrainës”.

Stradner, ndërkaq, nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë një konflikt në shkallë të gjerë, sikurse ai në Ukrainë. Megjithatë, ajo pohon se në Ballkan ka aktivitete që mund të konsiderohen “luftë hibride”.

“Mund të përfshihet edhe përdorimi i forcës, sepse, sipas strategjisë ushtarake të Rusisë, lufta hibride nuk është vetëm dezinformim, siguri kibernetike, sabotim e të tjera, por përfshin edhe gjëra sikurse përdorimi i forcës”, paralajmëron ajo.

Stradner shpreh shqetësim për narrativët që po shtyn përpara Rusia se gjoja Perëndimi po synon të hapë një front të ri, dhe se presidenti Putin do që t’i thotë Perëndimit se, “nëse nuk do që Ballkani të përshkallëzohet, atëherë duhet të negociosh me mua”.

Protestues serbë duke u përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, në hyrje të objektit të Komunës së Zveçanit, Kosovë, më 29 maj 2023.

Protestues serbë duke u përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, në hyrje të objektit të Komunës së Zveçanit, Kosovë, më 29 maj 2023.

Roli i KFOR-it dhe i sanksioneve

Por, kryeministri i Kosovës, në një shkrim të botuar në New York Times, tha se hapja e një fronti të ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë dhe Serbisë, “pasi Serbia mund të tentojë të fitojë territor përmes agresionit, dhe Rusia mund të forcojë kontrollin ndaj Serbisë si satelit të saj, dhe ta shpërqendrojë botën nga lufta e saj në Ukrainë”.

Stradner dhe Shtuni pajtohen se Serbia mund të ketë qëllime territoriale ndaj Kosovës. Shtuni këshillon koordinim me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë të Kosovës për parandalimin e ndonjë përshkallëzimi, teksa Stradner thotë se Perëndimi duhet t’i dërgojë sinjal të qartë Beogradit se nëse vepron në Kosovë, KFOR-i do të veprojë.

Nga aleanca ushtarake perëndimore thonë për Radion Evropa e Lirë se dislokimi i 1.000 trupave shtesë në Kosovë vitin e kaluar ishte ndër hapat e ndërmarrë për t’u siguruar se “KFOR-i ka forcat dhe kapacitetet për të përmbushur mandatin” e tij.

Vitin e kaluar, veriun e Kosovës e përshkuan tensione të larta: protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë, që kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it, u pasuan muaj më vonë nga sulmi i armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh.

Pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Prishtina fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë thanë, po ashtu, se po hetonin lidhjet e mundshme ruse me këtë sulm.

Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të sanksionohet për sulmin në Banjskë, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, një sulm i tillë mund të përsëritet.

Stradner pajtohet se sanksionet ndaj njerëzve specifikë do të ishin një formë e mirë për të parandaluar kërcënimet eventuale në të ardhmen. Radio Evropa e Lirë


Send this to a friend