VOAL

VOAL

Historia e dy vëllezërve nga Shijaku që ndërtuan një perandori droge në Itali /FOTO

October 29, 2015

Komentet

(Video) In memoriam: Reshit Mulleti: Komedia Prefekti me realitetin nuk ka asgjë të vërtetë! Intervistë me të birin e Qazim Mulletit

“NJë ditë pasi u shfaq komedia, kur shkova në shkollë, isha në vitin e dytë të gjimnazit Qemal Stafa, mësuesja e rusishtes, ishte ruse, kur thirri emrin tim Reshit Qazim Mulleti, ajo shtangu dhe pyeti: Emër i vërtetë është ky? Nxënësit e klasës iu përgjigjën në kor:
Po, po, ky është Shiti i komedisë ‘Prefekti’.
Mësuesja shtangu, u habit, iu duk çudi, më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe iu duk shumë padrejtësi se si mund të përdoreshin emra realë në një komedi?!
Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës.
Aty na mbajtën 5 vjet deri në mbylljen e tij…”

Lindi më 21 Korrik 1930, në Tiranë.
Deri në 1992 në internime pas internime…
Vdiq në Tiranë në 12 Prill 2005, në moshën 75 vjeçare.

 

Nga jeta e bashkëshortes së Qazim Mulletit

Shumë nëna, gra, vajza, fëmijë e pleq u internuan vetëm e vetëm se djemtë, burrat, vëllezërit e baballarët e tyre ishin të padëshiruar nga regjimi komunist, ishin të burgosur politikë dhe shteti sllavo-komunist, u mohonte atyre gjënë më elementare, lirinë. Duke u mohuar lirinë, ato ishin izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe s’i lejonin të ktheheshin në vendlindje, pranë të afërmve të tyre. Kjo iu mohua për vite të tëra, ndërsa për shumë familje vazhdoi me disa dekada.

Të dhemb zemra kur mendon sa shumë zonja të nderuara, nëna të çmuara, që provuan vuajtjet në kampet e internimit si në Tepelenë, Savër, Gradisht, etj.., që ishin të reja, u plakën e disa prej tyre vdiqën aty. Ja disa prej tyre: Rukije Dine, Meleqe Dine, Sulltane Dine, Vesfie Dema, Mudi Dema, Mrika Gjon Markaj, Marta Markagjoni, Vashe Kola, Hajrie Cami, Cuba Miraka, Kune Miraka, Caje Merlika, Lice Kaloshi, Bije Kaloshi, Lije Ndreu, Rufije Ndreu, Ilmije Agolli, Zeqine Agolli, Roza Marashi, Ana Pervizi e Hajrie Mulleti.

Po ndalem në jetën e njërës prej tyre e jo pa qëllim po e filloj me jetën e Zonjës Hajrie, sepse ajo pati një jetë më të veçantë nga bashkëvuajtëset e tjera, që nga viti 1949 u bë objekt humori, argëtimi në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës. Një komedi që s’iu nda skenës për 40 vjet (edhe sot vazhdojnë ta japin në televizion) u vu në lojë një familje e tërë, me emra realë.

Po cila ishte kjo grua?

Lindi në Tiranë më 1908 në familjen e Ismail Kusit,   familje me tradita nacionaliste. Motra dhe vëllezërit e saj ishin të gjithë universitarë. E fejuar me Qazim Mulletin, nolist, emigrant politik. Martohet në Vjenë, në vitin 1929. Jetoi në Shqipëri me djalin e saj të vogël (datëlindja 1930). E rriti dhe edukoi të birin, i dhuroi gjithë dashurinë e saj prej nëne, me shpresë se ndonjë ditë do të kthehej emigranti politik, nga Europa.

Vitet kalonin, jetonte me shpresën e një takimi. Mbas 9 vite pritjeje, nënë e bir u mbushën me gaz e gjallëri. Për ta filloi një jetë e re, një pranverë e rilindur. Por shpejt do të fryjnë erërat e forta dhe gëzimi i tyre u ndërpre. Erdhën vitet e diktaturës. Përsëri nëna 36 vjeçare, mbeti vetëm me djalin e saj. Vëllain e madh, Abdullain, ia pushkatuan, se ishte antikomunist. Nxirret me forcë nga shtëpia, i grabitet çdo gjë, bile edhe dhuratat e prindërve të saj. E internojnë bashkë me të birin, Reshitin 15 vjeçar, në kampin e Tepelenës, me shumë bashkëvuajtës të tjerë. Flinin në kazerma, nga 200 vetë, pa dallim moshe e gjinie.

S’kishin dritë, as ngrohje. Ushqimi ishte një copë bukë e zezë. Shtrëngonte nëna djalin e vetëm, i dhimbte zemra për të, s’mund t’i siguronte asgjë. Në këto kushte, ai ishte pa të ardhme. Në kampin e Tepelenës i vinin të transportonin dru, të ngarkuar në vend të karrocës, për familjet e oficerëve.

Vitet kalonin në internim. Motrat e vëllezërit i vdiqën e s’u pa me ta. Internimi vazhdonte. I dërguan në Savër, në një barakë ku jetonin dy familje bashkë. Më vonë në një barakë të vogël, në mes të llucës së Myzeqesë, në vjeshtë e në dimër dhe në mes të pluhurit, në verë. Punoi në bujqësi dhe pse vuante nga hipertensioni. Jetoi e punoi me nder. S’u nda asnjë moment nga i biri. Nuk pranoi të bënte prishje kurore nga i shoqi dhe nuk desh lehtësira nga komunistët. Qëndroi e papërkulur dhe gjithë jetën e saj e saj      ruajti një dozë humori që buronte nga zemra e që ishte e mbushur me dashurinë e pakufi për djalin e saj të vetëm. Kjo grua, me shtat të imët, një figurë fisnike e burim dashurie për familjen e saj, u bë objekt talljeje në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës.

Që nga viti 1949 u shfaq në skenat e teatrove, u transmetua në Radio-Tirana, në televizion e skeçe, për 40 vjet pa ndërprerje. E vinin në skenë regjisorët e socializmit, me emra realë, siç ia kishte vendosur shkrimtari. Interpretonin Hajrien në mënyrat më qesharake, e bënë edhe të çalë e çfarë s’e bënë!! A menduan ndonjëherë që ajo grua, të cilën e vinin në lojë, jetonte e izoluar dhe i sfidonte me jetën e saj të pastër, të papërlyer, pa u ankuar? Vitet kalonin dhe nënë Hajria, u plak në internim dhe tre vitet e fundit u bë me sklerozë. Në trurin e saj kishin mbetur të zgjuara vetëm dy qendra. Kur e pyesnin ku je? – ajo përgjigjej: “Jam tek shtëpia e babait tim, në oborrin me diell e plot lule, në dhomat e mëdha, jorganët e bardhë…! Po cilën adresë mban mend? Kujtonte një kryeqytet e një apartament të kohës së martesës së saj.

Natyra i dhuroi gëzimin e fundit. Vdiq në barakën prej llamarine e dërrase, në mes të baltës së Myzeqesë, por truri i saj ndriçohej nga dielli i qytetit të lindjes, Tiranës, që s’u lejua të kthehej në vendlindje, për 35 vjet. Vdiq më 6 maj 1980. Në momentin e vdekjes i biri qante. Vdiq një nanë me zemër plagë, që djali i vetëm i mbeti pa të ardhme…!

Pse vuajti ajo?

Se ajo zgjodhi rrugën e drejtë, atë të shqiptares, të  besnikes, të ndershmërisë. A ishte e drejtë të talleshin me dy qenie njerëzore, që jetonin në Gulagun e Shqipërisë socialiste??!! Për çfarë roli?? Pse vetëm interpretimi i një roli vlen për t’u quajtur një artiste e pavdekshme? Po vazhdojnë mendësitë komuniste, tek njerëzit që s’duan të njohin realitetin, të vërtetën e shoqërisë social-komuniste. Vazhdojnë zotërinjtë të qeshin me të vdekurit. Deri kur do të vazhdoni duke mohuar të drejtat elementare? Po të drejtat e liritë e njeriut që i mbron Karta e Helsinkit? Apo vetëm në teori? Pa le thuhet që në Shqipëri s’ka pasur gjenocid?

Reshit Qazim Mulleti

Reshiti ishte kushërini i vetëm nga xhaxhai i im, ishim rritur bashkë dhe e donim si vëlla. Nëna Hajrija e rriti e vetme, se burri i saj ishte emigrant politik, nuk e kishte të drejtën me jetue në atdhe. I munguan dashuria dhe ledhatimet e të atit. Edhe kur jetuan bashkë, ato ishin pak vite, me shumë angazhime nga babai i tij, si Bashkiak e Prefekt i Tiranës, ishte kohë lufte.

Në shtator 1944, Reshiti 14 vjeçar, mbeti përsëri me nënë Hajrien, por këtë herë ishte ndarja e përjetshme, nuk u takuan më. Jeta i kishte rezervuar të papritura. Kujtonte Shiti, drekën e fundit që hëngri me babain Qazim. Një i afërt i tha babait: “Pse nuk e merr djalin me vete”? Ai iu përgjigj: – “Nuk është nevoja, politikanët nuk merren me gra dhe fëmijë…”! (E çuditshme, ai që e dinte shumë mirë ç’është komunizmi, nuk e parashikoi se si do të vepronin ata në Shqipëri).

Mbas vitit 1944, nënë e bir i kishin arrestuar disa herë, i mbanin të izoluar, në biruca të veçanta, i bënin presion nënë Hajries në lidhje me të shoqin dhe për t’ia grabitur pronën, ndërsa djalin e akuzonin për shkrimin e disa parullave antikomuniste në shkollë. Shpesh e keqtrajtonin nxënësit, vinte në shtëpi i gjakosur, por peripecitë e tij dhe të nënës Hajrie do të nisnin në vitin 1949, kur u shfaq për herë të parë premiera e komedisë “Prefekti” e Besim Levonjës.

Reshiti tregonte: – Kur u shfaq për herë të parë komedia “Prefekti”, unë me nënën time ishim në shtëpi, po e dëgjonim në radio, nëna e ime u revoltua…! Të nesërmen e premierës së komedisë “Prefekti”, kur dola nga shtëpia për të shkuar në shkollën “Qemal Stafa”, ku vazhdoja gjimnazin, të gjithë më shikonin si të habitur e kuriozë. Kur vajta në shkollë, më rrethuan të gjithë, të habitur, sikur isha ndonjë personazh filmi. Në orën e rusishtes, mësuesja ruse N.P. lexoi apelin e klasës, kur thirri emrin tim Reshit Qazim Mulleti, ajo shtangu dhe pyeti:

– Emër i vërtetë është ky?

Por nxënësit e klasës i’u përgjigjën në kor:

– Po, po, ky është Shiti i komedisë “Prefekti. Mësuesja shtangu, u habit, i’u duk çudi!! Më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe i’u duk shumë padrejtësi se si mund të përdoreshin emra realë, në një komedi?? Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës, aty na mbajtën 5 vjet, deri në mbylljen e tij. Autori i komedisë Besim Levonja ishte liruar nga burgu me firmën e babait tim, që hyri garant për të.

– Në atë kamp – tregonte Shiti, -kam kaluar tmerre të vërteta, kushte të këqija dhe trajtim çnjerëzor. Kur shkuam për herë të parë aty, nana Ije, i’u drejtua komandantit të kampit, Gani Lamçe. “Mirë se ne kemi qenë familje e pasur, por çfarë kanë bërë fukarenjtë, që i keni sjellë këtu? Ju komunistët thoni se jeni shtet i fukarasë, përse i mundoni këta të varfër?”. Nëatë kamp, – dëshmonte Reshiti, – kam varrosur me duart e mia më shumë se 300 vetë, ku 200 prej tyre kanë  qenë fëmijë. Mbas dy-tre vjetësh, me urdhër të komandës, i kemi zhvarrosur, prapë i kemi varrosur në një vend tjetër”.

Nga Tepelena Hajrien dhe Reshitin i thirrën në Tiranë, në Degën e Punëve të Brendshme, ku i torturuan, duke u kërkuar të tregonin ku i kishin fshehur florinjtë. Ai tregonte: – Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh më futnin dhe kokën në ujë…! Mbasi na grabitën çdo gjë, na dërguan përsëri në Tepelenë, më pas në Fier e Lushnje, në kampet e internimit në Savër, Gradisht, Grabian…! Çdo kamp të ri e kam inauguruar, ishim të parët që dërgoheshim në kampet e rinj të internimit.

Gjithë jetën Reshiti e kaloi pa liri, nuk kishte të drejtë me lëvizë, por vetëm me leje, me dy herë në ditë apel, duhej të paraqitej tek polici i kampit, në mëngjes dhe në mbrëmje, shpesh i kërkohej edhe në drekë, punonjës i përjetshëm në bujqësi, ku ishin vendet e punës më të largëta e të zorshme.

Tregonte Reshiti: – Morëm leje dhe dolëm në qytetin e Lushnjes. Në një moment më thotë nëna: “Shiti, dikush po na thërret”! Më erdhi shumë keq, por u detyrova dhe i thashë: “Nanë nuk po na thërret njeri, por nga altoparlanti jepet komedia e po na qeshin, po na tallin, po na venë në lojë, po argëtohen”! Ajo m’u përgjigj: “Na marrshin të keqen” Dhe unë i thoja vetes, na i morën të gjitha gjërat, na zhvatën, por na dëmtuan dhe imazhin tonë të mirë, tani ishim vetëm personazhe groteske, butaforike. U larguam nga qyteti, dorë për dorë, nënë e bir, ecnim në drejtim të kampit të internimit. Më 2 maj 1980 në Shkodër më dorëzuan një telegram me tekstin: “Nanën e kam shumë sëmurë. Të pres. Shiti”.

U nisa me tren drejt Lushnjes. Deri në Savër eca në këmbë. Kampi i Savrës, shtrihej në anë të majtë të rrugës automobilistike 5 km. larg qytetit, në mes të baltës, të llucës dhe pluhurit të Myzeqesë. Këtu shtriheshin disa rreshta me kasolle, ku dërrasa, kashta  e llamarina ishin materialet me të cilat ishin ndërtuar këto vende banimi për të internuarit. Në një dhomë të tillë 2 m. x 2 m., pa dritë, në një shtrat, qëndronte e shtrirë nënë Hajria, pa ndjenja, kishte humbur lidhjet me ambientin. Ishte hera e parë që nuk përgjigjej. E dërguam në spital, me anë të një zetori, në rimorkion e tij. Një mjeke e re përcaktoi diagnozën: “Hemorragji cerebrale e plotë, pa shpresë, dy ose gjashtë ditë jetë. Më mirë merreni në shtëpi”.

– Si quhet e sëmura? – pyeti mjekja për të regjistruar emrin. – Hajrie Mulleti, – i’u përgjigja. Mjekja më tha: – Kush e di ç’jetë të bukur ka bërë kjo grua? Iu përgjigja: – Atë jetë që ka bërë kjo nënë, s’do ia dëshiroja as një gruaje në Shqipëri apo në botë. U kthyem përsëri me të sëmurën në kasolle. Prisnim me ankth ndalimin e asaj zemre nëne, që po luftonte orët e fundit të saj, në luftë me jetën. Më ka mbetur në kujtesë një trup i vogël, çuditërisht i bukur, i pastër, i bardhë si alabastër. Për të jeta qe vetëm luftë, ajo u fshikullua në mënyrën më të padrejtë, më çnjerëzoren nga diktatura. Reshiti pranë saj qante nën zë:

– Ia ke kaluar Hekubës së lashtësisë, o nana e ime, ke 50 vjet vuajtje. Ku po më len mua, të vetëm pa njeri në këtë botë?! Zemra ime vuante dhe shpirti më dhimbte. Ata, nënë e bir, nuk ishin ndarë asnjëherë, ishin shumë të lidhur, provuan vetëm vuajtje e dhimbje të pafund. Në funeral morën pjesë dhjetë vetë. E varrosëm nënë Hajrien, por ndodhi diçka e papritur. Djali i oficerit të vdekur që ishte varrosur pranë nënë Hajries, filloi të shante, nuk i dukej e drejtë që babai i tij, një oficer i nderuar i ushtrisë, të ishte pranë një gruaje të deklasuar, armike, tradhtare…! Ulërinte djali i oficerit.

Ne, që ndodheshim në funeral, shtangëm, nuk folëm, deri ku kishte arritur indoktrinimi, racizmi klasor komunist, e çuditshme, i shkreti djalë nuk e kuptonte që babai i tij dhe nënë Hajria, ishin tashmë nën dhe nuk i përkisnin më kësaj bote të padrejtë, për të parin me detyra të nderuara, ndërsa për nënën e shkretë, e internuara e përjetshme, si e tillë vdiq dhe ishte sharë e bërë objekt argëtimi me anë të komedisë “Prefekti”. Reshiti i dashur ishte njeriu i mirë, i ndershëm, i drejtë, që të dhuronte kënaqësi kur fliste në dialektin verior, zotërues i shkëlqyer i gjuhës italiane, po ashtu dhe njohës i mrekullueshëm i muzikës së lehtë romane, i apasionuar për futbollin, shahun.

Zonja Bardha Markagjoni tregon:

– Për ne, Reshiti ka qenë një djalë i mrekullueshëm dhe me shumë dinjitet dhe humor, na bënte me qeshë, me harrue vuajtjet tona, shpirti i tij ishte i lirë…

Ndërsa Suzana Topalli tregon:

– Na kishin vendosur për të jetuar dy familje në një dhomë të vogël, unë me nënën Marije dhe Reshiti me nënën Hajrie. Ai ishte një djalë shumë korrekt, pothuajse nuk hynte fare në dhomë, kishte zor, s’donte të na vinte në pozitë të vështirë, shpesh flinte jashtë. Ishte më shumë se një vëlla, një vëlla i mrekullueshëm. Ai mbet gjithë jetën trup imët, i hajthëm me sy melankolikë. Sa herë bisedonim më thoshte:

– Sikur çmimin “Nobel” të kishte fituar komedia “Prefekti”, nuk do të shfaqej në skenë kaq shumë, gjithë këta dhjetëra vjeçare, s’e larguan asnjëherë nga skena shqiptare. Në vitin 1992, Reshit Mulleti u kthye në Tiranë, shtëpia e shkatërruar, e zaptuar nga njerëz të huaj, i kishte kaluar të gjashtëdhjetat…, e shoqëronte kudo cigarja, shoqja e pandarë e tij. Ishte i lodhur nga jeta, nuk i hynte në sy asgjë. I dhuroi shumë dashuri familja e Tanush Mulletit, mbeti përherë i dashur, njeriut që iu mohua e drejta e lirisë, edhe pse u plak në skenat dhe ekranet tona televizive ai qeshej, e flasim për të drejtat tona, pa kemi dhe Komitet Helsinki në Tiranë??!!

Vdekjen e pati të menjëhershme, infarkt, i pushoi zemra, mbaruan dhe vuajtjet e pafund, një jetë që s’u lejua të jetonte. Ky shkrim është si një kujtim në përvjetorin tënd të vdekjes, të kam qarë gjithë jetën vuajtjen tënde dhe dhimbjen tonë për ty, u munduam të të dhuronin shumë dashuri, ai që kujtohet nuk vdes, vazhdon përjetësia, dhimbjet dhe vuajtjet tuaja janë dhe përjetësia jote. Memorie.al

 

LVV nominon Albin Kurtin për kryeministër, kreu në detyrë i qeverisë: Synojmë të marrim 60% të votave

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që u mblodh të shtunën, ka nominuar sërish Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

 

Kryeministri në detyrë synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, në shkurt dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51% të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen është e vazhdueshme, ndërsa shtoi se synojnë të marrin 60% të votave.

“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”, tha ai.

Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale, duke thënë se veprimet e saj nuk e kanë mundur popullin, por kanë synuar pengimin e shtetit. Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja nuk ishin të domosdoshme, por shtoi se ato mund të jenë të tilla për disa faktorë politikë, por jo për popullin.

“Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme.

Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullnet i popullit nuk është nen kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara”, deklaroi ai.

Kujtojmë që KQZ ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë

Raporti i detajuar i konsumit të barnave për muajin mars 2026 bazuar në listën e rimbursimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tregon se popullata shqiptare po vuan nga përhapja e lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe gastritit.

Lista tregon se sëmundjet Kardiovaskulare mbeten kategoria me volumin më të lartë të rimbursimit. Gjatë muajit mars, vetëm për kontrollin e tensionit arterial dhe ritmit kardiak, janë rimbursuar dhjetëra mijëra paketime.

Për shembull, bllokuesit e kanaleve të kalciumit si Amlodipina dhe Lercanidipina shënojnë shifra të larta konsumi, ku vetëm disa prej brendeve kryesore arrijnë në mbi 10,000 paketime secila. Kjo tregon se hipertensioni është sëmundja me shtrirjen më të gjerë gjeografike dhe moshore në vend. Gjithashtu aspirina protekt konsumohet në masë.

Diabeti pason si kategoria e dytë për nga sasia e barnave të shpërndara. Metformina, si mjekimi bazë për diabetin Tip 2, shënon shifra rekord. Nga të dhënat e muajit mars, rezulton se variantet e ndryshme të Metforminës (si Siofor apo Glucophage) janë rimbursuar në sasi që i kalojnë 20,000 paketime në total.

Ndërkohë, te insulinat, vihet re një dominim i insulinave me veprim të shpejtë si Novorapid (mbi 4,000 njësi) dhe insulinave bazale si Lantus apo Tresiba, që dëshmon për një numër të lartë pacientësh që varen nga terapia me injeksion.

Sëmundjet e sistemit tretës zënë një vend të rëndësishëm në hartën e konsumit. Barnat anti-ulcer dhe ato për mbrojtjen e stomakit, si Omeprazoli, shfaqen me një sasi totale rimbursimi prej mbi 18,000 paketimesh (ndarë mes brendeve Ulcozol, Omeprazid, etj.). Kjo tregon për një incidencë të lartë të problemeve gastrike në popullatë.

Shëndeti okular (Glaukoma) dhe Sistemi Nervor përmbyllin listën e kategorive me konsum të lartë. Për trajtimin e Glaukomës, produkti Travatan shënon një sasi prej rreth 4,930 paketimesh, ndërsa Xalatan rreth 1,394, duke treguar një fokus të lartë te shëndeti i syrit te moshat e thyera.

Për sa i përket sistemit nervor, barna si Levetiracetam për epilepsinë dhe Donepezil për Alzheimerin shënojnë konsum të qëndrueshëm, duke pasqyruar nevojat e vazhdueshme të pacientëve me sëmundje degjenerative.

Ky vëllim i lartë i barnave të rimbursuara tregon se buxheti i shtetit po orienton pjesën më të madhe të fondeve drejt menaxhimit të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, të cilat dominojnë profilin shëndetësor të popullatës shqiptare në vitin 2026./Monitor

Banka Botërore: 23% e popullsisë shqiptare jeton me 681 lekë në ditë, ja çfarë mund të përballojnë

Vitin e kaluar 23.4% e popullsisë shqiptare ka jetuar me 8.3 dollarë (681 lekë në ditë me kursin e këmbimit lek USD), sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore. Shifrat tregojnë se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon edhe në 2025 së bashku me Kosovën dhe do të vijojë ta ketë edhe së paku deri në fund të dekadës.

Një e katërta e popullsisë së vendit është jashtë konsumit pasi shporta e blerjeve me këtë shumë është shumë e kufizuar vetëm sa për mbijetese. Shërbimet arsimore dhe shëndetësore apo qiraja në këtë nivel të ardhurash janë tërësisht të papërballueshme.

Metodologjia e Bankës Botërore përllogarit se rreth 60 për qind e shumës prej 681 lekësh pra rreth 400 lekë shkojnë për ushqime ditore dhe pjesa tjetër prej 281 lekësh për të përballuar të gjitha shpenzimet e tjera.

400 lekë në ditë ushqim çfarë blen

Me një buxhet prej 400 lekësh në ditë për ushqim, 23.4 % e popullsisë në Shqipëri detyrohet të orientohet tërësisht drejt produkteve të shportës bazë dhe shumë të kufizuar pa mish, pasi kjo shumë është e mjaftueshme vetëm për një dietë modeste. Ky nivel shpenzimi kërkon një menaxhim qe eliminon mundësinë për konsumuar produktet jetike të shportës.

Për të qëndruar brenda këtij kufiri 400 lekë një person gjatë një ditë mund të blejë një bukë masive kushton rreth 100 – 120 lekë, dy kokrra vezë llogariten rreth 50 – 60 lekë, një gotë kos ose qumësht që kushton rreth 60 – 80 lekë, gjysmë kilogrami patate ose disa mollë kushtojnë rreth 50 – 70 lekë. Me tej mund te blihet një porcion fasule, oriz ose makarona llogaritet rreth 70 – 90 lekë.

Ky buxhet nuk lejon hapësirë për produkte si mishi i viçit apo i derrit, pasi kostoja e tyre tejkalon mundësitë ditore. Po ashtu, shpenzimet për si ëmbëlsirat, pijet me gaz apo kafetë në lokal janë të pamundura.

281 lekë të tjera për drita dhe uje

40 për qind e shumës prej 681 lekësh gjithsej 281 lekë shkojnë për mbulimin e faturave të dritave dhe ujit. Energjia elektrike dhe uji për një konsum minimal llogariten rreth 150 deri në 200 lekë në ditë, dhe edhe pse shteti ofron subvencione prej rreth 648 lekësh në muaj për kategoritë në nevojë, barra mbetet përsëri e lartë.

Situata vështirësohet më tej nëse personit i duhet të lëvizë për punë ose arsim, pasi transporti publik me urban kushton 80 lekë në ditë për një biletë vajtje-ardhje. Kjo kosto e nxjerr buxhetin ditor menjëherë me minus, duke e detyruar individin të zgjedhë mes ecjes në këmbë ose pakësimit të mëtejshëm të ushqimit. Ndërkohë, produktet e higjienës bazë si sapuni apo pasta e dhëmbëve zënë rreth 20 deri në 30 lekë të tjera nga ky buxhet modest.

Çfarë nuk mund të konsumojë 23% të popullsisë

Kategoria që jeton me 681 lekë në ditë mbetet me nevoja kritike plotësisht të pambuluara. Qiraja në zona periferike, që kushton rreth 1,075 lekë në ditë, është e papërballueshme pasi tejkalon të gjithë buxhetin ditor. Po ashtu, blerja e medikamenteve apo vizitat mjekësore private janë të paarritshme pa ndihmë shtesë. Edhe arsimi mbetet një sfidë, pasi tarifat universitare kërkojnë kursime drastike ose punësim shtesë. Sa i përket veshjeve, blerja e rrobave apo këpucëve ndodh vetëm përmes kursimeve afatgjata ose mbështetjes nga të afërmit jashtë vendit. Kjo kategori gjithashtu nuk mund të përballojë pushime dhe konsumin e vakteve jashtë dhe të marrë pjesë në aktivitetet kulturore./Monitor

EUROSTAT: 44.5% e familjeve me fëmijë në Shqipëri në rrezik varfërie, dy herë më e lartë se mesatarja e BE

Gati 45% e familjeve, që kanë fëmijë në varësi në Shqipëri janë në rrezik varfërie, përballen me privim të rëndë material dhe social, ose jetojnë në një familje me intensitet shumë të ulët pune. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, në raportin e sotshëm për rrezikun e varfërisë me të cilin përballen familjet me fëmijë.

Kjo përqindje është shumë më e lartë sesa mesatarja europiane prej 22.1%.

Eurostat mat treguesin AROPE, që tregon përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Konkretisht, në Shqipëri 44.5% e familjeve me fëmijë në varësi në Shqipëri, ose kanë të ardhura sa 60% e medianës kombëtare, ose nuk paguajnë dot fatura, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimet, ose jetojnë në një familje ku shumica e anëtarëve punojnë shumë pak, ose një kombinim i disa prej këtyre kushteve. Për familjet pa fëmijë, kjo përqindje është 37%, sërish shumë më e lartë sesa mesatarja e BE-së prej 19.8%.

Varfëria e familjeve shqiptare me fëmijë është shumë e lartë se e rajonit. Në Mal të Zi, në rrezik varfërie janë 34.8% e familjeve me fëmijë, e dyta më e lartë në Europë, pas Shqipërisë. Në Serbi, vetëm 21.4% e familjeve me fëmijë janë në rrezik varfërie.

Edhe Maqedonia e Veriut, ka 29% të familjeve me fëmijë në rrezik varfërie. Mungojnë të dhënat për Kosovën dhe Bonjën.

Sipas Eurostat, Treguesi “në rrezik varfërie” mat përqindjen e personave që jetojnë me të ardhura më të ulëta se një prag i caktuar në vendin e tyre. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në rrezik varfërie nëse të ardhurat e tij të disponueshme (pas transfertave sociale) janë nën 60% të të ardhurave mediane kombëtare.

“Norma e privimit të rëndë material dhe social” (SMSD) mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht disa nevoja bazë të jetesës. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elemente bazë, si pagesa e faturave, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimi i rregullt, interneti apo pjesëmarrja në aktivitete sociale.

Norma e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë financiarisht disa nevoja bazë të jetesës. Sipas Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 elemente bazë, si pagesa e faturave, shpenzimet e papritura, pushimet, ushqimi i rregullt, interneti apo pjesëmarrja në aktivitete sociale.

Personat që jetojnë në familje “me intensitet shumë të ulët pune” janë ata që jetojnë në familje ku anëtarët në moshë pune kanë punuar 20% ose më pak të potencialit të tyre total të punës gjatë vitit.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2025, 22.1% e personave që jetonin në familje me fëmijë në varësi në BE ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social (AROPE), krahasuar me 19.8% të atyre që jetonin në familje pa fëmijë në varësi.

Norma AROPE për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi ishte më e larta në Spanjë, me 29.9%, e ndjekur nga Rumania, me 29.4%, dhe Bullgaria, me 29.1%. Në të kundërt, nivelet më të ulëta u regjistruan në Slloveni, me 10.4%, Holandë, me 11.7%, dhe Qipro, me 12.2%.

Në 16 nga 27 vendet e BE-së, norma AROPE ishte më e lartë për personat që jetonin në familje me fëmijë në varësi sesa për ata që jetonin në familje pa fëmijë në varësi./ Monitor

Rruga që kushtoi 260 mln euro sërish me probleme, situata kritike në lotin e dytë të aksit Qukës-Qafë Plloçë

Rrugës Qukës-Qafë Plloçë nuk i mbarojnë problemet, pasi ditëve të fundit janë evidentuar sërish problematika në këtë aks.


 

Sipas asaj që shihet në terren vërehen ulje të niveleve në shtratin e rrugës, konkretisht në lotin e dytë, pranë zonës së quajtur “Kthesa e Trebinjës”.

Duhet të kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, edhe një pjesë tjetër e këtij aksi, pësoi zhytje për shkak të rrëshqitjes së strukturës.

Megjithatë pavarësisht se kanë kaluar kohë ky segment ende nuk është rikthyer në normalitet, ndërsa qarkullimi vijon të jetë i kufizuar dhe i orientuar vetëm në një korsi.

Problemet dhe dëmtimet në rrugën Qukës–Qafë Plloçë kanë nisur që prej inaugurimit të saj.

Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, ka patur shumë problematika për shkak të reshjeve.

Kjo rrugë ka kushtuar 260 milion euro dhe është hapur për qarkullimin e mjeteve në shtator të vitit të shkuar. Ndërsa  pas problematikave në lotin e tretë, së fundmi situata serioze është evidentuar dhe në lotin e dytë të rrugës. gsh

Gjykata Speciale për Radio Evropa e Lirë: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Radio Evropa e Lirë

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep.

Raporti i IOM: Shqipëria, ndër më të rrezikuarat në Europë nga emigracioni i moshave riprodhuese! Ja pasojat

Shqipëria është ndër vendet europiane ku emigracioni mund të ndikojë më tej në rënien e popullsisë, për shkak të largimit të personave në moshë riprodhuese, vlerëson Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin në raportin “World Migration Report 2026”.

Raporti thekson se Europa ka numrin më të madh të vendeve që kanë shënuar rënie të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhës 2005-2024. Sipas IOM, në disa vende të kontinentit, rënia e popullsisë lidhet kryesisht me normat e ulëta të lindshmërisë, ndërsa emigracioni ka kontribuar gjithashtu në këtë prirje.

Raporti përmend Shqipërinë krahas Lituanisë, Moldavisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si vende ku normat e fertilitetit janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë.

“Në vende si Shqipëria, Lituania, Republika e Moldavisë dhe Bosnja e Hercegovina, ku normat e fertilitetit janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë, emigracioni i personave në moshë riprodhuese mund të kontribuojë në një rënie të mëtejshme të popullsisë, për shkak të numrit të lindjeve që humbasin pas largimit jashtë vendit”, thuhet nw raport.

Raporti vëren gjithashtu se gjatë tre dekadave të ardhshme, disa vende europiane, si Moldavia, Bosnjë-Hercegovina dhe Lituania, pritet të humbasin 20% ose më shumë të popullsisë së tyre. Për shumë vende europiane, imigracioni pritet të mbetet një faktor kyç për rritjen e popullsisë, duke zbutur efektet e plakjes dhe të lindshmërisë së ulët.

Sipas raportit, në vitin 2024 kishte rreth 304 milionë migrantë ndërkombëtarë në botë, ose 3.7% e popullsisë globale. Pavarësisht rritjes së numrit absolut të migrantëve, IOM thekson se shumica e njerëzve vijojnë të jetojnë në vendin ku kanë lindur.

Shqiptarët po bëhen europianë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç

Të dhëna të tjera të Eurostat, më herët bënë të ditur se emigrantët që kanë ikur nga Shqipëria, tashmë po bëhen qytetarët të vendeve të BE-së me të drejta të plota. Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi. Niveli më i lartë ishte në 2016 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit.

Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon pak a shumë dhe me tkurrjen e popullsisë në vend që në periudhën gjatë dy censeve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, e ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por dhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Po sipas Eurostat, në treguesin tjetër, atë të numrit të emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së, mbizotërojnë të rinjtë, vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë.

Në total, 62% e personave që kanë ikur emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme vitale dhe me përvojë e tregut të punës gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve.

Të dhënat historike të Eurostat tregojnë se ka një ulje të moshës së emigracionit. Psh në 2019-n, grup mosha kryesore që emigroi ishte ajo midis 30-34 vjeç, me 15.6% të totalit.

Emigracioni e ka dhënë tashmë efektin në rënien e lindjeve. Ndërmjet 2015 dhe 2025, numri i fëmijëve të lindur në vendin tonë ra me 35%, duke reflektuar, jo vetëm dëshirën e njerëzve për të pasur më pak fëmijë, por për një tkurrje të motorit riprodhues të vendit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se ndërmjet 2015 dhe 2025, numri i grave në kulmin e riprodhimit 20-34 vjeç ra me 32%. Qarqe të tëra kanë humbur mbi gjysmën e grave në moshën e lindjes në dekadën e fundit.

Popullsia e re në moshë riprodhimi u tkurr dy herë më shpejt se popullsia e përgjithshme, duke garantuar përkeqësim të fortë të lindjeve në vijim.

Vitin e kaluar lindën 21,425 bebe në të gjithë vendin, ose 8% më pak se vitin paraardhës. Ritmi i rënies është thelluar pas pandemisë me rreth 26% gjatë 2021–2025. Në fillim të viteve ’90, lindjet ishin mbi 70 mijë, ose mbi tre herë më shumë. /Monitor

“Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë” – Reporterët pa Kufij i përgjigjen Ramës: Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike e kërcënimet ndaj gazetarëve

Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin e tyre për lirinë e medias, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të, duke shënuar një rënie me tre pikë në krahasim me një vit më parë.

Në reagim, Reporterët pa Kufij nënvizojnë se, renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Kryeministër Edi Rama, ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipëria në vendin e 83-të (-3) në Indeksin 2026 pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët të medias dhe kërcënimet ndaj gazetarëve,” thuhet në reagimin e Reporterëve ka Kufij.

Kjo deklaratë erdhi pas një postimi të mëhershëm të kryeministrit Edi Rama, i cili vinte në dukje një vlerësim pozitiv të Agjencisë për Media dhe Informim në një raport të SIGMA-OECD, ndërsa ironizoi duke përmendur “bërbaltje”, që sipas tij, janë bërë nga të 4 anët nga brenda dhe jashtë vendit.

“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht.

Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave!”, shkroi Rama. gsh

Reagimi i Reportereve pa kufij

“Korrupsioni në nivele të larta” Komiteti i Jashtëm i PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Mbroni lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka miratuar raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim.

Në raport theksohet se korrupsioni mbetet shqetësim serioz në vendin tonë ndërkohë që kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta.

Ndërkohë një vend e veçantë i dedikohet medias, ku rekomandohet mbrojtje më e fortë e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.
Në raport shprehet shqetësim edhe mbi keqpërdorimin e burimevë të administratës dhe polarizimi politik e diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike.

“Vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit; bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në raport.

RAPORTI:
Parlamenti Evropian,
– duke pasur parasysh Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve Anëtare të tyre, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër,
– duke pasur parasysh aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, paraqitur më 24 prill 2009,
– duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2021/1529 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 15 shtatorit 2021 për krijimin e Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA III),
– duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2024/1449 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 14 majit 2024 për krijimin e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 5 shkurtit 2020 “Forcimi i procesit të anëtarësimit – Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor”,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 nëntorit 2023 “Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor”,
– duke pasur parasysh Agjendën e Reformave të Shqipërisë të paraqitur në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes së BE-së, siç është miratuar nga Komisioni më 23 tetor 2024,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 korrikut 2025 “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025”, i shoqëruar me dokumentin e punës së shërbimeve të Komisionit “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 – Kapitulli për situatën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 4 nëntorit 2025 “Komunikimi 2025 për Politikën e Zgjerimit të BE-së”, i shoqëruar me dokumentin e punës “Raporti për Shqipërinë 2025”,
– duke pasur parasysh raportin përfundimtar të 23 tetorit 2025 të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it të OSBE-së mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të 11 majit 2025,
– duke pasur parasysh deklaratën e Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel më 17 dhjetor 2025,
– duke pasur parasysh rezolutat e mëparshme për Shqipërinë,
– duke pasur parasysh nenin 55 të Rregullores së tij,
– duke pasur parasysh raportin e Komisionit për Punët e Jashtme (A10-0000/2026),
A. duke qenë se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim demokratik e socio-ekonomik në të gjithë kontinentin evropian;
B. duke qenë se Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE dhe ka demonstruar përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të BE-së;
C. duke qenë se Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, ka nisur negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, ka përfunduar me sukses procesin e “screening”-ut në nëntor 2023 dhe ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave ndërmjet 15 tetorit 2024 dhe 17 nëntorit 2025;
D. duke qenë se Raporti i Komisionit për vitin 2025 konfirmon se vendi vazhdon të bëjë progres në shumicën e fushave të lidhura me anëtarësimin, ndërsa thekson nevojën për reforma më të thella, më të qëndrueshme dhe të pakthyeshme;
E. duke qenë se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit;
F. duke qenë se forcimi i institucioneve demokratike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat themelore mbeten thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit;
G. duke qenë se rekomandimet e OSBE/ODIHR për përmirësimin e procesit zgjedhor ende nuk janë zbatuar plotësisht;
1. Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, të bazuar në konsensusin mes forcave politike dhe mbështetjen e gjerë qytetare, si dhe faktin që u hapën të gjitha grup-kapitujt brenda vetëm 13 muajve;
2. Përshëndet ambicien për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe progresin e shpejtë të viteve të fundit; thekson nevojën për zbatim të plotë të legjislacionit;
3. Vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit; bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias;
4. Shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike;
5. Inkurajon forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, transparencën legjislative dhe konsultimin me shoqërinë civile;

## Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
6. Përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut; vëren sfida si vonesat në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë;
7. Kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e dixhitalizim;
8. Thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;
9. Insiston në adresimin e korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve;
10. Thekson rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me agjenci të BE-së si Europol dhe Eurojust;

## Të drejtat themelore dhe liria e medias
11. Kërkon mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik;
12. Inkurajon forcimin e mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve të cenueshme, përfshirë romët, egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët migrantë dhe personat LGBTIQ+; shpreh shqetësim për retorikën antigjinore;
13. Nënvizon nevojën për përmirësimin e aksesit në drejtësi;

## Reforma në administratën publike
14. Vlerëson progresin, por kërkon depolitizim dhe rekrutime mbi bazë merite;
15. Kërkon planifikim më të mirë të politikave dhe transparencë buxhetore;

## Reforma socio-ekonomike dhe mjedisi
16. Përshëndet angazhimin në Planin e Rritjes së BE-së, por vëren dobësi strukturore si informaliteti dhe produktiviteti i ulët;
17. Thekson rëndësinë e investimeve në arsim dhe inovacion;
18. Nënvizon rëndësinë e dialogut social dhe përfaqësimit sindikal;
19. Shpreh shqetësim për mungesën e progresit në mjedis dhe klimë;

## Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal
20. Përgëzon për përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së;
21. Thekson rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë;

## Mbështetja e BE-së
22. Përshëndet ndihmën financiare dhe teknike të BE-së, duke theksuar lidhjen e saj me zbatimin e reformave;
23. Ngarkon Presidentin e Parlamentit që ta përcjellë këtë rezolutë institucioneve përkatëse të BE-së dhe autoriteteve të Republikës së Shqipërisë. bw

Eurostat: Shtetasit shqiptarë investuan 760 mln euro në pasuri të paluajtshme jashtë vendit më 2023

Shqiptarët kanë rritur investimet në pasuri të paluajtshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vitet e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat mbi pozicionet e Investimeve të Huaja Direkte, stoku i investimeve që rezidentët shqiptarë zotërojnë në pronat jashtë kufijve ka kapur vlerën rekord me një stok 766.5 milionë euro në fund të vitit 2023.

Siç shihet nga të dhënat në tabelën e mëposhtme fluksi ka qenë shumë i lartë në vitin 2023 me 760 milionë euro, pasi deri në vitin 2022, stoku i investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit ka qenë vetëm 6.5 milionë euro, sipas Eurostat.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë dërguar jashtë vendit rreth 760 milionë euro për blerje pronash, një vlerë kjo sa 2.5% të PBB-së së vendit. Kjo shifër dëshmon për një akumulim të lartë kapitali në duart e individëve dhe kompanive shqiptare, të cilët po e zhvendosin pasurinë e tyre jashtë.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqet një profil krejtësisht të ndryshëm dhe shumë më agresiv në raport me investimet jashtë vendit. Maqedonia e Veriut raporton shifra modeste që nuk i kalojnë 3 milionë eurot, dhe vende si Serbia apo Mali i Zi nuk kanë të dhëna të publikuara.

Ky ekspansion ngre pyetje mbi burimet e këtij likuiditeti dhe arsyet që po i shtyjnë investitorët shqiptarë të zhvendosen jashtë, pasi tregu i brendshëm është në një fazë bumi çmimesh.

Ekspertët e tregut pohojnë se ka një vale reale ku individët e pasur po blejnë prona apo shtëpi pushimi në vende si Greqia, Italia apo Spanja, nisur nga kursi i favorshëm i euros dhe rregullat më të qarta të pronësisë. Gjithashtu mësohet se ka rol përmirësimi i metodologjisë nga Banka e Shqipërisë dhe rritja e shkëmbimit të informacionit.

Gjithashtu rritja e çmimeve të pronave në vendi tonë sidomos në Tiranë ka kaluar nivelet mesatare të çmimeve ë disa zona të Mesdheut, duke shtyrë gjithnjë e më shumë kapitalin vendas jashtë.

Nëse një apartament në Tiranë kushton afërsisht sa një apartament në një qytet europian, shumë blerës zgjedhin të dytin, duke e parë si një investim me kthim më të mirë nga qiraja.

Gjithashtu grupet e mëdha të biznesit shqiptare kanë blerë asete të rëndësishme jashtë vendit, si hotele, resorte ose ndërtesa zyrash.

Nëse një kompani shqiptare blen një pronë të tillë në emër të saj, e gjithë vlera regjistrohet si investim dalës. Pronat jashtë vendit ofrojnë siguri më të madhe ligjore dhe mbrojtje nga luhatjet e mundshme të ekonomisë tonë./ Monitor

Banka Botërore: Shqipëria drejt “superplakjes”, raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje

Raporti i fundit i Bankës Botërore sjell në vëmendje se sfida reale për këtë do të jetë kujdesi afatgjatë që duhet të garantohet për këto popullsi që po shkojnë drejt asaj që cilësohet si “superplakja”.

 

 

TIRANË- Plakja e popullsisë në vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria po bëhet vit pas viti një temë gjithmonë e më e mprehtë. Raporti i fundit i Bankës Botërore sjell në vëmendje se sfida reale për këtë do të jetë kujdesi afatgjatë që duhet të garantohet për këto popullsi që po shkojnë drejt asaj që cilësohet si “superplakja”.

“Kërkesa për shërbime të kujdesit afatgjatë (LTC) është tashmë e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe pritet të rritet me shpejtësi, ndërsa popullsia vazhdon të plaket,” thuhet në raport.

Kujdesi afatgjatë përfshin “shërbime dhe përfitime për personat që, për shkak të kufizimeve fizike ose mendore për një periudhë të gjatë, kanë nevojë për mbështetje në aktivitetet e përditshme ose për kujdes të vazhdueshëm,” ndërsa përkufizimet ndryshojnë sipas vendeve dhe institucioneve.

Të dhënat tregojnë një realitet në përkeqësim: “rreth 16 për qind e personave mbi 65 vjeç raportojnë vështirësi të mëdha në kryerjen e aktiviteteve bazë të përditshme, ndërsa 32 për qind të tjerë raportojnë disa vështirësi.”

Ndërkohë, të moshuarit përbëjnë tashmë “rreth 9–19 për qind të popullsisë në nivel kombëtar” në vendet e rajonit.

Presioni pritet të intensifikohet ndjeshëm në dekadën e ardhshme. Sipas Bankës Botërore, “Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia pritet të klasifikohen si vende ‘super të plakura’ (me të paktën 20 për qind të popullsisë mbi 65 vjeç), ndërsa deri në vitin 2050 edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet të ndjekin të njëjtin trend.”

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, mbulimi i shërbimeve dhe përfitimeve formale të kujdesit afatgjatë mbetet shumë i kufizuar në të gjithë rajonin, duke sjellë një varësi të fortë nga kujdesi informal familjar.

Sipas të dhënave të disponueshme të nënvizuara në raport vetëm një pjesë e vogël e të moshuarve përfitojnë shërbime në natyrë të financuara publikisht dukshëm nën nivelet e BE-së.

Sipas Bankës Botërore mbështetja publike priret të fokusohet në kujdesin rezidencial dhe në pagesa cash për kujdestarët informalë, ndërsa shërbimet në shtëpi dhe ato me bazë komunitare mbeten të pazhvilluara dhe shpesh financohen nga donatorë ose OJF, pa u integruar në sisteme publike të qëndrueshme./Monitor.al


Send this to a friend