Ka kohë që pozita politike e opozitës shqiptare është ekzistencialisht e paqartë, turbulente, e pasigurt. Nuk është fjala për ndonjë keqardhje politike të njëanshme, për periudhën e gjatë të pozitës së larguar nga pushteti, se sa efektet kolaterale të ndikimit të kësaj opozite likuide, në ekuilibrat e brendshëm dhe shëndetin e demokracisë, si një ekuacion bilaterial e dikotomik të marrëdhënieve të opozitës politike me pushtetin. Problemi është se këtë situatë politike kritike, strukturalisht delikate, herë kaotike e pa busull, e herë timide dhe rrugëhumbur, të krijohet ideja se kjo situatë nuk është e tanishme. Ka kohë që opozita ngaqë nuk ka gjetur rrugën e duhur të kompeticionit politik dhe sigurimit të peshës së ballafaqimit elektoral, duke kaluar në mënyrë suksesive nga humbja në humbje, të krijon idenë se ajo ose ka humbur aftësitë e perceptimit subjektiv të situatës ku ndodhet, ose në heshtje ka filluar të jetë e bindur për pamundësinë për të qenë e aftë e konkurruese për të ardhur në pushtet.
Për pasojë, ajo ka kohë që lëviz në boshllëk, bën politika dhe beteja fiktive, aksione anemike dhe spektakolaritete me gjasme, të cilat politikisht kanë treguar se janë pa të sotme dhe pa perspektivë të qartë edhe për të ardhmen. Sikur të na duhet të bënim një vlerësim sintetik të situatës së agravuar politike dhe pozitës së dobësuar, në trajtën më skeletike të atraksionit elektoral, pa mëdyshje do të thosha se situata aktuale e opozitës, veprimtaria e saj si strukturë dhe stratagjemat e dobësuara të lidershipit të saj, të krijojnë idenë se planet, projektet, dinamikat dhe lëvizjet e saj brenda vetes dhe në raport me elektoratin kanë filluar t’i ngjajnë një “loje shahu”, që opozita po e luan në errësirë dhe pa sukses. Të gjithë komponentët e opozitarizmit, idetë e shfaqura mediatikisht në publik, betejat pa substancë solide dhe të reduktuara si qëllim në vetvete në parlament kanë krijuar idenë e një opozite të margjinalizuar, të hutuar. Pesha elektorale e të cilës është testuar me rezultate negative dhe dështime të bujshme e spektakolare në të gjitha zgjedhjet, të përgjithshme politike apo lokale të realizuara në këto dymbëdhjetë vjet. Për fat të keq, këtë situatë politikisht patologjike që ka kapluar opozitën shqiptare, ajo asnjëherë nuk e ka parë të lidhur me “veten” dhe faktorët endemikë”, të lidhura me dinamikën e zhvillimeve brenda saj, apo me anomalitë e njohura të cilësisë së lidershipit.
Përkundrazi, është mundur të ndërtojë një strategji, e cila deri tani ka dështuar dhe ka qenë pa produkt të suksesshëm, duke e faturuar statusin politik dhe dështimet suksesive elektorale me faktorë të jashtëm, të lidhura me mazhorancën, pushtetin jetëgjatë, me stratagjemat e vërteta apo të imagjinuara të saj. Kjo logjikë është defiçente. Opozita nuk ka për ta gjetur rrugën e fitores, për sa kohë do ecë duke e “kërkuar çelësin” e humbjeve jo aty ku ka humbur, por aty ku ata mendojnë se “ka dritë”. Kjo logjikë reduksioniste e naive nuk besoj se do e ndihmojë opozitën për të dalë nga gjendja aktuale. Është e pamjaftueshme rruga e qarjes dhe ankimimit shterp. Në pamje të parë, fakti që Partia Socialiste ka një kohë relativisht të gjatë në pushtet dhe opozita një kohë po aq të gjatë në opozitë, nuk është e lidhur me argumentet dhe kritikat e bëra për zgjedhjet, cilësinë e tyre, nevojën për të qenë të lira të drejta dhe të barabarta. Demokracia është kompeticion dhe çdo parti përdor rrugët dhe mjetet e veta për të siguruar atraksion masiv popullor dhe mbështetje të gjerë elektorale. Nuk besoj se ka ndonjë gjë të gabuar në strategjinë e mazhorancës, e cila përveç peshës elektorale pozitive të testuar në disa zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, mundet që ky realitet të ketë pasur ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë situatë politikisht anemike dhe elektoralisht skeletike të opozitës. Edhe në qofshin të vërteta ato argumente që opozita përdor ndaj mazhorancës, duke e bërë atë fajtore dhe shkaktare të pozitës së saj, nuk ka asgjë jo demokratike, nëse Partia Socialiste ka aftësitë dhe përdor strategjinë e pushtetit të ligjshëm për ta mbajtur opozitën në këtë gjendje.
E cila po duket se nuk është rastësore e kalimtare, por ka filluar të bëhet “toksike” dhe të shfaqet si situatë permanente e “hutimit të përhershëm”. Duke e ndjekur me kujdes statusin, diskursin politik, veprimet elektorale dhe në përgjithësi aktivitetin e opozitës, pyetja që mund të bëhet është: a i ka nxjerrë mësimet e duhura opozita, pas disfatave elektorale të zgjedhjeve, të paktën në dekadën e fundit? Si ka mundësi që për një kohë kaq të gjatë opozita të jetë në këtë situatë? Edhe pse kanë angazhuar bateritë e opozitarizmit, të përballjes dhe demaskimit të shfaqjeve të korrupsionit, edhe pse po përpiqen të luajnë me kartën e ndershmërisë dhe premtimeve për luajalitet, është e çuditshme që “hidraulika” e makinerisë politike të opozitës nuk e ka forcën e duhur për të ngritur autoritetin e saj elektoral dhe besueshmërinë publike. Nuk është anomali e lehtë. Përkundrazi, sipas mendimit tim, është jashtëzakonisht shqetësuese për ta dhe besoj se kanë kaq mend të bëjnë një analizë të vetes, të shkaqeve pse edhe pse kaq gjatë në opozitë, nuk është i besueshëm idealizmi, kredibiliteti politik dhe atraksionit elektoral i opozitës?
Në këtë gjendje hutimi dhe situate politikisht destruktive dhe elektoralisht pa perspektivë të sigurt, opozita jo vetëm është e paqartë në analizën e patologjive, mangësive, mungesave politike e strukturore të saj, por po vazhdon duke besuar se është në rrugën e duhur duke bërë “politikë struci”, duke u “fshehur pas gishtit” të përgjegjësive të pushtetit. Ajo sikurse duket, ende nuk është e qartë se cila është rruga për të dalë nga kjo situatë kaotike dhe dëshpërimi pesimist. Pozita e opozitës ka kohë që është e vendosur dhe korracuar prej shumë kohësh në një terren likuid, të rrëshqitshëm. Për fat të keq lidershipi dhe në tërësi, klasa politike profesioniste e PD-së po e tregon veten të larguar nga aftësitë mbushamendëse dhe karizma politike e personalizuar, për të bërë të mundur ndryshimin e situatës, të raporteve të tyre me pushtetin e kërkuar e të pretenduar. Klasa politike, të paktën ajo që shfaqet në publik dhe luan rolin e lidershipit, sikurse janë deputetët e PDsë, në shumë raste shfaqen në debate të cekëta, pa substancë. Gradualisht atraksioni i tyre në “bllok” dhe i personalizuar është në rënie, deri në kufijtë kritikë të një klase që vjen rrotull vetes dhe brenda selisë së partisë së tyre, duke u kthyer në një klasë të “diskutimeve boshe”. Mund t’u vijë keq nga ky konstatim, por si sociolog dhe politolog, duhet të them një të vërtetë, që mund të jetë e hidhur për shumë nga deputetët dhe politikanët e PDsë, të cilët këtë parti e kanë katandisur në një instrument politik apo mekanizëm parazitar, që po “ushqen” njerëz që nuk japin asgjë politikës së PD-së, por që edhe me këtë status fitojnë gjithçka për veten e tyre. Kjo situatë përbën një rrezik që duhet vlerësuar seriozisht.
Sepse një klasë politike pa atraksion grupor dhe të personalizuar, e amortizuar e të fosilizuar, do jetë shkak që do sjellë akoma mungesë të kohezionit politik të opozitës, që do sjellë edhe në të ardhmen rezultate humbëse. Ajo duhet ta kuptojë, vlerësojë dhe reflektojë, për ta ndryshuar këtë situatë sa nuk është vonë. Ndryshe humbjet do kthehen në një realitet suksesiv, që opozitës do vazhdojë t’i “djegë nën thonj” edhe për shumë kohë. Kjo sepse me sa duket, me gjithë përpjekjet e sforcuara statusi social dhe elektoral bashkë me atë politik, po e bën opozitën të jetë asimetrike me qytetarin. Iluzionet dhe këmbëngulja në rrugët e njohura tradicionalisht të paefektshme, duket se janë kthyer në një “perde politike” dhe “mur elektoral” që nuk e lejon opozitën të shikojë pozitën dhe të vërtetat e saj të hidhura. Që janë të lidhura kryesisht më të. Nuk është rrugëdalje nga kjo gjendje, përdorimi i “përgjegjësisë pluskuese”, të drejtuar ndaj të “tjerëve” apo faktorëve që ekzistojnë jashtë tyre. Të vjen keq me naivitetin këmbëngulës të PD-së, që politikisht akoma në mënyrë arkaike, duke mos qenë e qartë me “veten” dhe përballë vështirësive në përballjen me soliditetin e mazhorancës, e ka reduktuar pozitën dhe rolin e saj në rolin e një partie që kërkon të ekzistojë vetëm përmes konfliktit, apo duke e reduktuar tërë betejën sinkretike, në një rol të thjeshtësuar të opozitës si “parti të kundërpërgjigjes”. Kjo është mbase arsyeja pas të cilës fshihen shumë shkaqe, që lidhen së pari dhe më së shumti me “autokontradiktat e brendshme të opozitës”. Historia politike ka treguar se situata të tilla, nëse nuk kuptohen, diagnostikohen dhe shërohen sjellin “vdekjen e ngadaltë të opozitës”.
/Gazeta Panorama