VOAL

Please Wait...

Kryetari Haradinaj jep dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit

By | February 19, 2016

Komentet

Frank Shkreli i zhgënjyer për rolin përçarës në diasporë të Ministrive të Diasporës, për vlerësimin nga Departamenti i Shtetit për ish prokurorin komunist Ardian Dvorani etj.

Z.Frank Shkreli, gazetari veteran i Zërit të Amerikës për 30 vjet, ish drejtori i Zërit të Amerikës shqip dhe ish drejtor i EuroAzisë po tek Zëri i Amerikës flet tek Adi Krasta A Show për situatën në Shqipëri, për komunitetin shqiptar në SHBA si dhe për diasporën në përgjithësi. Frank Shkreli ishte pjestar i delegacionit të parë të SHBA që vizitoi Shqipërinë në vitin 1991.

Frank Shkreli i zhgënjyer për vlerësimin nga Departamenti i Shtetit për ish prokurorin komunist Ardian Dvorani etj, flet gjithashtu për reformën në drejtësi, shpreh zhgënjimin e mungesës të progresit gjatë këtyre 30 viteve, a është progresi ndërtesat e larta që janë ndërtuar këto tre dekada, pyet Z.Shkreli, jo, nuk është ky progresi përgjigjet ai vetë. Pastaj Z.Shkreli flet edhe për braktisjen që i është bërë shtresës të ish të burgosurve politikë. Pastaj ai flet edhe për situatën në diasporë. Për rolin negativ të ministrive të diasporës për përçarjen e diasporës.

Ju lutemi që ta ndiqni këtë intervistë shumë interesante.

 

Bëhen homazhe në Prekaz

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës, kanë kryer të shtunën homazhe në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manifestimi ‘Epopeja e UÇK-së’, ka nisur të premten, zgjat tri ditë, dhe zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

Ky organizim realizohet për përkujtimin e Adem Jasharit, i cili njihet si komandat legjendar i UÇK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka thënë nga Skenderaj se sakrifica e familjes Jashari ka rezultuar me lirinë e Kosovës, rrjedhimisht me shtetin e Kosovës.

“E kemi borxh, jo vetëm ne që e kemi shumë të freskët kujtesën e 5, 6 dhe 7 marsit, por e kemi borxh që kujtesën historike, e mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohjes të thellë, ta bartim brez pas brezi, në mënyrë që edhe fëmijët tanë, por edhe fëmijët e fëmijëve tanë, ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptar në mënyrë që sot ta kemi shtetin tonë dhe sot ta gëzojmë lirinë tonë”, ka thënë Osmani.

Homazhe pranë varreve të familjes Jashari, ka bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se po qëndron në Prekaz për të treguar respektin e qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për familjen Jashari.

“Për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që kalon çfarëdo sakrifice që mund të bëjë dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit ”, është shprehur ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se për krimet në familjen Jashari ende nuk është gjykuar askush.

“Për këtë sulm të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Prandaj, ne duhet të angazhohemi si institucione, që kjo të ndryshojë për hir të Republikës se Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharajve dhe për hir të se ardhmes se popullit dhe kombit tonë në përgjithësi” ka deklaruar ai.

Njëzetetrevjet më parë, në Prekaz të Skenderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

Studimi: “Lustracioni në Shqipëri”, nevoja urgjente për t’u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit

Ilirian Agolli

Në Tiranë sapo është botuar studimi “Lustracioni në Shqipëri, e shkuara dhe e ardhmja” i autorit Ilir Kalemaj me mbështetjen e OSBE-së.

Studiuesi arrin në përfundimin që Shqipëria ka nevojë të ngutshme për një ligj të ri të lustracionit, edhe pse kaluan tre dekada nga përmbysja e regjimit komunizmit.

OSBE prej shumë vitesh mbështet përpjekjet e shoqërisë shqiptare për drejtësinë tranzitore, si dhe për zhvillimin e dialogut kombëtar mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.

Gjatë viteve të diktaturës komuniste shoqëria shqiptare vuajti, vec të tjerash edhe nga dhuna e Sigurimit të Shtetit dhe mekanizmave shtetërore të dukshme apo të fshehta.

Por 3 dekada në demokraci Shqipëria dështoi t’i mbante larg njerëzit e këtyre strukturave shtypëse nga zyrat e institucioneve të reja të demokracisë.

Pas studimit të një morie intervistash, anketash dhe sondazhesh të bëra rishtas, studiuesi Ilir Kalemaj, thotë se lustracionika nisur 3 herë rrëmujshëm më 95, 98 dhe më 2008, por asnjëherë nuk u krye.

Procesi dështoi sepse nuk u gjet një mekanizëm i efektshëm që ta ndante Shqipërinë nga e kaluara dhe të mbyllte tranzicionin politik nga diktatura në demokraci dhe në fakt shumë shërbëtorë të diktaturës tani gjenden në të gjithë administratën shtetërore të institucioneve demokratike.

“Këtu ka munguar vullnetii politik, pra nuk ka patur asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – thotë autori Kalemaj.

Studimi thekson se për të hartuar një ligj të plotë për lustracionin që të përmbyllë tranzicionin shqiptar, nevojitet një konferencë mbarëkombëtare, ku të sjellin përvojat e tyre organizata si OSBE, bazuar në shembujt më të suksesshëm nga vendet ish komuniste të Europës lindore. Sondazhet përfshinë historianë e studiues, sociologjisë e diplomatë, drejtues institucionesh, publicistë dhe ish-të persekutuar politikë. Një pjesë e tyre dyshojnë për shkatërrim të dosjeve sekrete, një pjesë tjetër kanë shpresë se drejtësia do të bëhet më në fund dhe njerëzve të diktaturës do t’u vihet një kufi, disa janë për një ndalim me ligj të inflitrimit të tyre në administratë, disa thonë se pas 30 vjetësh koha ka fshirë shumë shumë plagë të viktimave dhe shumë krime të persekutorëve. Por studiuesi Kalemaj thotë se asnjëherë nuk është vonë për të bërë drejtësi dhe për të forcuar institucionet demokratike. Përmbylja e këtij procesi lustracioni do të fuqizojë shtetin e të drejtës në Shqipëri, thotë ai.

“Sot shifrat na tregojnë që bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit ishin jo 15 mijë vetë, si thuhej më parë, por dhjetëfishi i tyre, rreth 150 mijë. Një pjesë e mirë e nomenklaturës politike është ende aktive, edhe në sistemin gjyqësor ka vazhduar të jetë edhe pas viteve 90. Por nuk është vonë, sepse Shqipëria duhet ta kryejë këtë proces moralisht për viktimat e persekucionit komunist, për ata 500 mijë shqiptarë që kanë qenë të dënuar me burg, të torturuar dhe në kampet e internimit” – thotë zoti Kalemaj.

Pasi zbulon një informim mjaft të pakët të publikut për lustracionin, studimi propozoi edhe rishikim të programeve shkollore e për të bërë dekomunistizimin dhe dënimin e krimeve të regjimit totalitar. Shoqëria shqiptare vazhdon të bashkëjetojë me autorët dhe zbatuesit e diktaturës komuniste dhe në 30 vjet nuk u dënua asnjë prej tyre për mijëra vrasje, plagosje e vuajtje që iu shkaktuan shqiptarëve, ndërsa struktura famëkeqe e Sigurimit të Shtetit konsiderohet nga shumë autorë jo vetëm si një organizatë e mbijetuar në fshehtësi gjatë tranzicionit, por madje me veprimtari të zgjeruar në administratë dhe fusha të tjera të jetës së vendit, e cila vazhdon të kërcënojë viktimat që të mos hapin gojën për të denoncuar dhe shantazhojnë bashkëpunëtorët e penduar me dokumenta kompromentuese.

Në studim thuhet se askush nga komunizmi enverian ende nuk i kanë kërkuar ndjesë viktimave dhe shqiptarëve për atë diktaturë kriminale. Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit shqiptar të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema, nuk mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.

Mbahet manifestimi qendror i Epopesë së UÇK-së

Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu Agency (AA).
Pas Paradës së FSK-së në ambientet e kazermës, ushtarëve dhe qytetarëve u është drejtuar me fjalë rasti ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se beteja tre ditore, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga familja Jashari në Prekaz të Skenderajt vuri themelet e lirisë së Kosovës.

“Të dashur ushtarakë, në 23 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe 13 vjetorin e pavarësisë tonë, brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, të cilët mbi fatin e tyre e vunë fatin e kombit, duke u flijuar që të gjithë për liri”, theksoi Osmani.

Ajo tha se anëtarësimi në NATO mbetet ende objektiv i Kosovës, teksa shtoi se FSK-ja edhe më tej po zhvillohet si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se akti heroik i familjes Jashari i filluar në mëngjesin e 5 marsit 1998 dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi.

“Këto tri ditë të rezistencës në Prekaz dhanë kushtrimin për popullin tonë, për liri dhe pavarësi, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj”, theksoi Hoti.

Hoti u tha ushtarëve të FSK-së ta realizojnë misionin e tyre për ruajtjen e Kosovës, sepse kështu e dërgojnë në vend amanetin e mijëra dëshmorëve të atdheut.

I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë edhe biri i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt.

Jashari tha se është nder e jashtëzakonshme dhe krenari të shohësh vajzat dhe djemtë e FSK-së që pasojnë rrugën e UÇK-së dhe të komandantit Adem Jashari për t’i shërbyer shtetit dhe shoqërisë në çdo kohë.

Epopeja e UÇK-së është ngjarje me të cilën për tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars që nga paslufta në Kosovë kujtohet komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, të cilët ranë dëshmorë në këto ditë të vitit 1998 nga sulmet e njësiteve speciale policore serbe.

23 vjet nga rënia e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij

Kanë kaluar 23 vjet që kur kryekomandanti dhe një nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, ra dëshmor bashkë me 55 anëtarë të familjes së tij në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt.

Sulmeve të marsit 1998 nga forcat policore serbe në drejtim të shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, të cilat zgjatën tre ditë dhe dy net, përkatësisht më 5, 6 dhe 7 mars, i rezistuan vëllezërit Adem e Hamëz Jashari me familjen e tyre, bashkë me disa bashkëluftëtarë tjerë të UÇK-së nga ky rajon.

Por, mbi 5 mijë pjesëtarë të forcave policore serbe vranë në ditën e tretë kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me vëllanë Hamëz Jashari, ndërsa nga ajo që më vonë do të njihej si Masakra e Prekazit, humbën jetën 56 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, përjashtuar vajzën e Hamëz Jasharit, Besartën (atëherë 10 vjeç), e cila shpëtoi.

Sulmeve të njësisë speciale policore serbe në shtëpinë e Jasharëve i parapriu një sulm i pjesëtarëve të UÇK-së ndaj pjesëtarëve të njësisë policore serbe, ku më pas këta të fundit kërkonin ndëshkim dhe synonin t’i kapnin ushtarët e UÇK-së duke i konsideruar ata si “terroristë”.

Ky sulm ndaj familjes Jashari ishte kritikuar nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila theksoi se “të gjithat provat dëshmojnë se sulmi nuk ka pasur qëllim për t’i kapur ushtarët e UÇK-së, por për t’i vrarë të dyshuarit dhe familjet e tyre”.

Osman Musliu, imami nga duart e të cilit u qefinosën anëtarët e familjes Jashari

Osman Musliu, imami 59 vjeçar nga Likoci i Drenasit, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon se e kishte përballuar rëndë rënien e familjes Jashari, gjë që ishte bërë shkak që atëkohë ai të mos qëndrojë në Suharekë, aty ku punonte si imam, por kishte vendosur të marrë pjesë në varrimin e kufomave të kësaj familjeje.

Por, me të shkuar në Polac, rreth 5 kilometra larg nga Prekazi, Musliu ishte ndeshur për herë të parë me trupat e pajetë të familjes Jashari të vendosura nën një strehë afër rrugës, pasi ishin ekzaminuar nga autoritetet jugosllave. Ditë më vonë nga i njëjti vend, media ndërkombëtare shfaqën imamin Musliu të përlotur, teksa shikonte trupat e pajetë të Jasharëve.

Sot, ai e ka ende të freskët pamjen që iu shfaq para syve më 10 mars të vitit 1998, në të njëjtin vend, ku qëndroi gjatë gjithë ditës, duke qefinosur të rënët e duke ndihmuar në shkrimin e emrave të tyre mbi arkivole.

“Nga ora 4, kur mbeta i vetmi hoxhë i pranishëm këtu, më shkoi mendja se ndoshta nuk do të ketë kush t’ua falë xhenazet Jasharëve dhe kam dalë atje prapa. Për fat të mirë kibla ishte ashtu siç përshtatej me kufomat dhe kam dalë dhe e kam falur namazin e xhenazes fshehurazi që të mos bie në sy të askujt. Por, e kam kryer namazin pa i ngritur duart në tekbire, vetëm i kam lidhur duart në mes dhe e kam falë namazin e xhenazes për të gjithë, në atë mundësinë time për të treguar se po bëj diçka për këta njerëz, sepse, edhe atëherë isha i vetëdijshëm që këta njerëz do të jenë liria jonë. Unë nuk mendoja se do të shpëtoj. Kush ka menduar se sot do të isha i shpëtuar dhe do të flisja për ta”, thotë Musliu për AA.

Megjithë këtë, ai dhe asnjë nga grupi i tij nuk kishin mundur të bëheshin pjesë e varrimit të nesërmen, kur ata ishin varrosur me traditë Islame nga banorët e Prekazit, por pa praninë e familjarëve, nga të cilët një pjesë ndodhej në Kosovë dhe një pjesë tjetër jashtë.

Imami Musliu thotë se familja Jashari e cila rrjedh nga Shaban e Zahide Jashari, të cilët të dy kishin nga 74 vjet kur u vranë, ishte familje me ndenja të veçanta për atdheun dhe vetëdije të lartë kombëtare dhe fetare.

“Mixha Shaban (babai i Adem dhe Hamëz Jasharit) ka qenë nga ata njerëzit që ka pasur njohuri për fenë Islame sa që kam dëgjuar që është bërë herë-herë edhe myezin dhe ka pasur kolegë disa nga hoxhallarët e gjeneratave të vjetra. Sa, si e tek, unë nuk kam pasur shumë njohuri për këtë familje sepse nuk i kam njohur, por çdoherë kam dëgjuar se kjo familje ka qenë familje fetare Islame, sa që edhe në Ramazan kur ata ishin sulmuar më 22 janar të vitit 1998 në sulmin e parë, nëna Zahide thotë se ishin ngritur për të ngrënë syfyr ndërsa pas syfyrit ishin sulmuar nga forcat serbe”, thekson Musliu.

Në shtator të vitit 2002, me vullnetin e një pjese të familjes Jashari që ishte në mërgim në kohë të luftës, të kryesuar nga vëllai i Adem e Hamëz Jasharit, Rifati, trupat e pajetë u zhvarrosën dhe u bë identifikimi i secilës kufomë, për t’u varrosur në vendin ku edhe sot ndodhen, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij u bënë simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, ndërsa pas vdekjes, atij dhe Hamëz Jasharit iu nda urdhri “Hero i Kosovës” (dekoratë shtetërore për figurat historike) nga presidenti i atëhershëm, Ibrahim Rugova.

Pothuajse 10 vite pas rënies, në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, në Kosovë u krijua slogani “Bac, u kry”, që i dedikohej kryekomandantit Adem Jashari, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.

Miratohet rezoluta për Shqipërinë, Komisioni i Jashtëm i PE: Ndjekja penale për blerjen e votës, kusht për negociatat (Amendimet)

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave.

Raporti fillestar i raporteres Santos (S&D) iu nënshtrua amendimeve nga bashkëraporteri David Lega (PPE) e kolege te tjerë.

Sot u miratuan amendimet e mëposhtme të propozuara nga Grupi PPE:
“…shpreh shqetësimin për akuzat e blerjes së votës dhe thekson se ndjekja penale për këtë çështje është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 Mars 2020”.

“Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar”.

“…Nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme (AM 125)”;

“Inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për të paketën anti shpifje (AM 199, 201);

“Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ (AM 197) dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen (AM 198, 202) me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur (AM 198, 202)”.

Vjosa Osmani pritet nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z.Andreas Aebi

Aebi: Zvicra është vendi i katërt në botë që ka ndihmuar Kosovën gjatë këtyre më shumë se 20 viteve

VOAL – “Isha e nderuar sot të pritem nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z.Andreas Aebi, për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Zvicrës. Prioritetet e institucioneve të ardhshme, menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, potenciali i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë si dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar e ekonomik, ishin vetëm disa nga temat që i diskutuam gjatë takimit tonë shumë përmbajtësor. Mirënjohje e thellë për mbështetjen e deritanishme nga Zvicra e poashtu optimizëm i thellë për rrugën tonë përpara.”

Me këto radhë zonja Vjosa Osmani në faqen e saj në facebook na njeh përmbledhtas me përmbajtjen e takimit në Parlamentin e Zvicrës, ku u prit nga qytetari numër një i Konfederatës.

Sipas albinfo.ch, mikpritësi i ka uruar fillimisht zonjës Osmani fitoren “e shkëlqyer” siç është shprehur ai, të saj dhe të partisë për të cilën ajo ka garuar. Më tutje, kryeparlamentari zviceran ka kujtuar raportet shumë të mira në mes të dy shteteve. Në këtë kuadër, përveç ndihmave dhe mbështetjes që Zvicra i ka ofruar në vazhdimësi shtetit më të ri të Kosovës, ai ka thënë se raportet e tilla i ka mundësuar edhe diaspora kosovare “e integruar shumë mirë” në Zvicër. Kjo ka bërë, sipas tij, që krahas marrëdhënieve zyrtare, politike, ekonomike etj., të krijohen edhe shumë lidhje miqësore e familjare në mes të njerëzve të të dy vendeve.

Aebi ka thënë se Zvicra është në vendin e katërt të të gjitha vendeve të botës që kanë ndihmuar Kosovën gjatë këtyre më shumë se 20 viteve. Ai ka theksuar edhe kontributin që Zvicra po jep për mbrojtjen e paqes në Kosovë, përmes misionit paqësor Swisscoy në kuadër të KFOR-it.

Ndërsa presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Zvicrën për gjithë kontributin që ajo ka dhënë e vazhdon të japë për Kosovën. Në këtë kontekst ajo ka veçuar ndihmën e madhe që shteti helvetik i ka ofruar Kosovës që nga “kohët e errëta” të përpjekjeve për çlirim e pavarësi, raporton albiunfo.ch. Më tutje, ka vënë në pah ajo, Zvicra ka qenë ndër vendet e para që kanë mbështetur fuqishëm të drejtën e Kosovës për pavarësi dhe rrjedhimisht, ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më tutje znj. Osmani ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen edhe falë diasporës së madhe kosovare, të integruar në të gjitha sferat e jetës në Zvicër. Këtu ajo ka përmendur veç tjerash edhe sukseset e kësaj diaspore, duke veçuar shembullin e futbollistëve të famshëm me prejardhje nga Kosova, të cilët janë edhe një urë tjetër lidhëse mes dy vendeve.

Kryeparlamentarja dhe presidentja në detyrë e Kosovës vazhdon gjatë pasdites së sotme takimet me autoritete tjera të larta të Zvicrës, mes të cilëve edhe me ministrin e jashtëm, Ignazio Cassis.

DASH, raport kritik për luftën ndaj narkotrafikut e pastrimit të parave në Shqipëri

VOA

“Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”, vlerëson Raporti vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit.

Në raport Shqipëria konsiderohet ende si “një vendburim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lënëdëve narkotike në të gjithë Evropën”. Kështu sipas raportit, vlerësohet se “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe shkëmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë. Organizatat e trafikut të drogës të drejtuara nga shtetas shqiptarë ose kryesisht të përbëra nga shtetas shqiptarë, janë aktive në nivel ndërkombëtar dhe fitimet e tyre të paligjshme pastrohen në Shqipëri”.

Në Raport vlerësohet se “autoritetet shqiptare kanë rritur përpjekjet për çrrënjosjen e kanabisit, duke i detyruar trafikantët të spostojnë operacionet e tyre të paligjshme në vendet fqinje, kryesisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto organizata po zgjerojnë gjurmët e tyre globalisht”, theksohet në dokument ndërsa vihet në dukje se “ka patur një rritje të konfiskimeve të kokainës në Evropën Perëndimore të lidhura me shtetas shqiptarë që trafikojnë kokainë dhe heroinë në tregjet evropiane direkt nga Turqia dhe vendet në Amerikën e Jugut dhe Azinë”. Sipas Raportit “hetimet e SHBA-ve kanë çuar në shpërbërjen e organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë në të gjithë Ballkanin, Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Autoritetet greke vazhdojnë të arrestojnë shumë shtetas shqiptarë të angazhuar në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Greqi”.

Raporti vë në dukje gjithashtu dhe ngritjen në fillim të vitit të kaluar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe të gjykatës speciale.”SPAK shënoi disa suksese të menjëhershme, përfshirë dënimin e Arbër Çekajt për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë afërsisht 2 milion Euro të Klement Balilit, i quajtur “Escobar i Ballkanit”. Balili është i burgosur në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge pas dënimit të tij në 2019”.

Raporti thekson se “reformat e drejtësisë penale në Shqipëri synojnë të ndjekin penalisht dhe të dënojnë kriminelët e përfshirë në trafikun e drogës. Tani prokurorët ndërthurin akuzat e lidhura me drogën me akuzat për krim të organizuar. Shqipëria – nënvizohet më tejë – duhet të vazhdojë përpjekjet e reformës në drejtësi dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar”.

Pastrimi i parave

“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm për të penguar pastrimin e parave dhe krimet financiare në vitin 2020”, thekson Raporti në kapitullin kushtuar luftës ndaj pastrimit të parave. “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe të parasë në cash dhe sektor informal të gjerë, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e kontributeve nga emigrantët dhe investimeve të ndryshme”. Trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda konsiderohen si aktivitetet e paligjshme që krijojnë më shumë të ardhura

Shqipëria, sipas Raportit, regjistroi disa përparime duke vënë në zbatim ligjin Antimafia, për konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit” dhe sekuestrimin e bizneseve të shumta të Ylli Ndroqit, përfshirë Ora News Media. Ndroqi, i cili ka lidhje të forta politike në Shqipëri, dyshohet për organizim të një trafiku narkotikësh në Turqi dhe Itali.

Raporti vë në dukje se “në Janar 2020, parlamenti miratoi një ligj kundër pasurimit të paligjshëm që i jep SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, aftësinë për të shënjestruar pasuritë e paligjshme përmes sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe kufizon veprimtarinë ekonomike dhe lëvizjen e lirë të kriminelëve. Ndërsa është efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë, sigurimi i provave për sekuestrimin përfundimtar të aseteve mbetet sfidues”, nënvizon Raporti duke shtuar se “ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm”.

Sipas dokumentit “reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për të trajtuar çështjen e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje – thekson Raporti – pengohen nga sfidat që lidhen me kapacitetet e institucionet të drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon sundimin e ligjit”.

“Shqipëria – vlerësohet më tej – duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u përqëndruar në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimeve ekonomike. Personeli i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është krahu hetimor i SPAK, ka patur vonesa, por po vazhdon. Reformat thelbësore të kodit penal në 2016 dhe 2017 kishin për qëllim të ndërtonin një sistem më efektiv, por zbatimi i këtyre reformave është ende një sfidë”, thuhet në Raport.

Protestë kundër “uzurpimit të vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës

Përfaqësues të komuniteteve joserbe gjatë protestës në Prishtinë, më 2 mars, 2021.

Nën moton “Demokracia ka dështuar”, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe në Kosovë kanë marshuar të martën në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar, siç kanë thënë, “uzurpimin e vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës.

Kjo protestë është thirrur nga ‘Nasha Iniciativa’ (Iniciativa jonë), parti e komunitetit boshnjak, e cila ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Osman Xhuxheviq, zëdhënës i kësaj iniciative, ka thënë se uzurpimi i vendeve të garantuara vjen si pasojë e një “procesi të mashtrimit elektoral”, që, sipas tij, e pamundëson “përfaqësimin efektiv të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“Komunitetet joshumicë kanë marrë pjesë në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe shoqërisë së lirë të Kosovës. Për këtë arsye, Kushtetuta e Kosovës u siguron të drejta atyre për t’ua mbrojtur identitetin dhe për t’ua garantuar mbijetesën, me qëllim të ruajtjes së diversitetit dhe multietnicitetit. Ajo që po ndodh tani, është një shkelje e dukshme e këtyre parimeve, ku të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë sfidohen drejtpërdrejt dhe mbijetesa e tyre vihet në pikëpyetje”, ka thënë Xhuxheviq.

Ai ka paralajmëruar se komunitetet joshumicë do t’i përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë për ta adresuar këtë çështje, por ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës t’iu ndihmojnë.

“Ftojmë institucionet relevante dhe komunitetin ndërkombëtar të reagojnë dhe të përkujdesen që parimet dhe fryma kushtetuese të mirëmbahen dhe të respektohen”, ka thënë Xhuxheviq.

Partitë boshnjake në Kosovë që kanë garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit – por shumica prej tyre kanë mbetur jashtë Kuvendit – kanë thënë se në zgjedhje, dy parti të reja, një nga komuniteti boshnjak dhe një nga rom, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe, përkatësisht të votuesve në komunat me shumicë serbe.

Sipas tyre, partia Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiqit, nga komuniteti boshnjak, dhe Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviqit kanë fituar vota në vende ku nuk ka banorë të këtyre komuniteteve.

Partitë boshnjake kanë paralajmëruar se për këtë çështje, pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe Gjykatës Supreme të Kosovës.

Nëse këto dy nivele nuk e adresojnë këtë çështje, ato kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ende nuk dihet nëse Hoxhiq ka fituar një apo dy nga këto ulëse, pasi numërimi i votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit po vazhdon.

Komuniteti rom, ndërkaq, e ka të garantuar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

557 vjetori i Besëlidhjes, Albin Kurti marshim në Lezhë

Njëra prej datave më thelbësore të historisë së popullit shqiptar, që konsiderohet edhe pikënisja e idesë për një shtet të bashkuar shqiptar, pa dyshim që është Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444.

557-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Albin Kurti, Ziadin Sela dhe politikanë të tjerë marshim në Lezhë.

Të pranishëm në marshim edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Politikanët shqiptarë kanë kryer homazhe dhe kanë vendosur kurora në Obeliskun e Besëlidhjes.

Muzika në zi! Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur Agim Krajka

Një lajm i trishtë dhe i dhimbshëm për muzikën shqiptare. Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur Agim Krajka. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkruan: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.

Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.

Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fsahti”, Njësiti Gueril” etj.
Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin: Mjeshtër i Madh”.

Minatorët e Trepçës hyjnë në grevë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve: Jemi duke pritur pagën e janarit

Minatorë e turnit të parë dhe të dytë të minierës së Stan Tërgut dhe Artanës kanë hyrë në grevë të përgjithshme.

Arsyeja e kësaj greve është mos marrja e pagës së muajit janar. “Minatorët e turnit të parë dhe të dytë të minierës së Stan Tërgut dhe Artanës kanë hyrë në grevë, për shkak që deri më sot nuk e kanë marr pagën e muajit janar. Jemi në pritje të marrjes të kësaj page. Ende nuk e dimë se kur do të del paga”, tha për Telegrafin kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.
Kombinati Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.


Send this to a friend