Rruga që çon në fshatin Banjskë është liruar për qarkullim, njoftoi Koha.net nga vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës ka lejuar lëvizjen e makinave. Deri tani, në udhëkryqin që çon në këtë fshat Policia nuk lejonte automjete të tjera, veç atyre të banorëve të fshatit.
Situata po konsiderohet më e qetë. Sot pritet të merret vendimi se si do të procedohet tutje pas përfundimit të bastisjeve.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku.
Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur me uniforma serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.
Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tani janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.