Për pjesën dërrmuese të personazheve më domethënëse të Luftës Antifashiste dhe më pas, të regjimit komunist pas viteve 90-të kanë folur pasardhësit, bashkëkohës të mbetur gjallë dhe padyshim, simpatizantët dhe kundërshtarët në shtypin pluralist. Në rastin e Bedri Spahiut, mund të thuhet se ish drejtuesi i lartë i Luftës dhe i viteve të para të diktaturës komuniste ka qenë fatlum. Ai jo vetëm ka arritur të shkruajë vetë dhe të lërë pas materiale të vyera reflektuese që hedhin dritë mbi të dyja pamjet e epokës që jetoi, si pushtetin edhe burgun, por jetoi edhe 8 vjet pas rënies së regjimit komunist.
Antizogist i orëve të para, shef politik i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër gjatë luftës, prokuror e funksionar i lartë partiak e shtetëror pas luftës Bedri Spahiu u godit bashkë me shkodranin Tuk Jakova nga Enver Hoxha në vitin 1955, pasi nën frymën e zhvillimeve çliruese post-staliniane në Bashkimin Sovjetik, kërkoi ngadalësimin e “industrializimit” dhe kolektivizimit për t’i dhënë një frymëmarrje ekonomisë dhe popullit të varfër, si dhe ndjekjen e kursit zbutës sipas modelit të Hrushovit. Në vitin 1958 u dënua zyrtarisht me 25 vjet burg, në vitin 1974 u lirua dhe menjëherë më pas u internua në Selenicë të Vlorës, deri në përmbysjen e sistemit.
Njihen për publikun letrat e tij drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, dy “Testamentet politike” dhe padyshim mesazhi i tij drejtuar kongresit të 10 të PPSH në qershor 1991, që i ndryshoi emrin dhe profilin partisë duke themeluar Partinë Socialiste: “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”. Ky mesazh, një pendesë e kthjellët ku ai nuk kursen as veten, në fakt ka edhe një paraprirës. Pjesa që po botojmë, e treta e dy “testamenteve”, me titullimin “Hallallashtisja” (kërkim ndjese, ma bëni hallall) edhe pse nuk ka datë, nga referencat kohore që vetë autori përmend, është shkruar pas daljes nga burgu, gjatë viteve të internimit në Selenicë.
Në këtë pjesë Bedri Spahiu shpjegon zgjedhjen e vet në luftë arsyeton pozicionet e palëve dhe të popullit si një masë e përbërë prej shumë grupimesh. Dhe sigurisht, u drejtohet me elegancë ish kundërshtarëve të tij politikë. / dita
******
HALLALLASHTISJA
Nga Bedri Spahiu
1-ISH-KUNDËRSHTARËT E MI POLITIKË
Tre janë çastet interesante të jetës së birucës time: kur marr letër nga shtëpia, kur vjen ora e gjumit dhe lejohem të futem nën mbulesa dhe kur marr gazetën “Zëri i popullit”.
Për “Zërin e popullit” unë jam i interesuar, veç të tjerave, edhe për faktin se në të unë gjej nekrologji dhe fotografi të kuadrove që vdesin dhe fotografitë e shokëve të mi dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare. I kam mbledhur të gjitha këto fotografi dhe mbasi shumica dërrmuese e të vdekurve që njofton “Zëri i popullit” janë ish-shokë ose të njohur të mi, unë jetoj në mes të këtyre fotografive që më janë të dashura dhe më shërbejnë si një hallkë që lidh vekjen dhe jetën. Po kush nga shokët dhe të njohurit e mi, bashkëpunëtorët e mi, jo kuadër ka vdekur? Kush ka vdekur nga ish-kundërshtarët e mi? Sa bëhen këta? Një Perëndi e di! Unë mund të them vetëm se sikur vdekja të korrte njerëzit në bazë të moshës, unë duhej të kisha vdekur përpara të gjithëve tyre që ka njoftuar “Zëri i popullit”, sepse të gjithë ata, përveç tre vetëve, ishin nën moshën time. Sikur vdekja të niste punën e vet nga njerëzit që kanë bërë një jetë privacionesh, mua tani do të më ishin bërë baltë edhe kockat e sikur vdekja të kishte sedër dhe t’u lëshohej më parë atyre që nuk e kanë përfillur, mua do të më kishte ngrënë kokën 40 vjet më parë.
Në artikullin e tij “Mosha mesatare – 900 vjet?”, botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, datë 28 mars 1970, Ulrin Shipkeja shkruante se që nga fillimi i shekullit XIX dhe gjer më sot në “vendet e qytetëruara” jetëgjatësia mesatare është dyfishuar nga 35 në 70 vjet dhe se në fund të tre dekadave që na ndajnë nga viti 2000 kjo jetëgjatësi mesatare do të shtohet nga 70 deri 150, 200 dhe ndoshta deri në 300 vjet.
Kufiri i këtij realizimi mund të jetë i diskutueshëm; ndërkohë ndërhyjnë dhe faktorë të pamatshëm dhe parashikuesit mund të vuajnë edhe nga teprimi i entuziazmit, por unë besoj në zgjatjen e kohëzgjatjes së jetës mesatare dhe gëzohem për brezat që do të jetojnë gjatë dhe uroj me gjithë shpirt që sukseset në këtë fushë të jenë të vazhdueshme.
Por, unë do të isha vendosmërisht kundër pritshmërisë së një shpikjeje të menjëhershme që do t’i jepte mundësinë brezit tim të jetonte 200 apo 300 vjet. Vdekja biologjike është një dukuri individuale. Zëvendësimi i brezit të vjetër nga brezi i ri në fushën e bashkëjetesës shoqërore, ekonomike e politike është kundërrefleksi i lindjes dhe i vdekjes biologjike, është rezultantja, pasoja shoqërore e fenomenit biologjik. Zëvendësimi në fjalë është një nga nxitja e përparimit shoqëror. Brezi ynë jeton orën dymbëdhjetë, spostimi i saj është i pashmangshëm falë vdekjes biologjike dhe falë pulsit rinor të brezit së re dhe i domosdoshëm shoqërisht. Të mirat që do të kishte shoqëria nga zgjatja e jetës sonë nuk do ta kompensonin dëmin. Korrelacioni që ekziston ndërmjet konjukturës së shoqërisë bashkëkohore dhe zëvendësimit natyral të brezave do të thyhej, do të shkallmohej nga zgjatja e menjëhershme e jetës sonë. Ne, jetëzgjaturit, do t’i kundërviheshim vrullit rinor dhe përparimit, do t’i impononim shoqërisë një kohë zëvendësimi dhe një korrelacion për të cilin ajo nuk është e përgatitur. Fatbardhësisht i një shpikjeje të tillë është vetëm një hipotezë dhe vetë shpikja një mjet i fushës së magjisë. Njeriu ka bërë edhe magji kur nuk bënte dot shkencë, por tani që bën shkencë nuk beson në magjinë. Gjenerata e re mund të jetë e sigurtë se brezi ynë do t’i lërë pozitat që ka në bashkëjetesë në kohën e zëvendësimit të zakonshëm. Vdekja zgjidh edhe ato kontradikta që individët nuk i kanë zgjidhur ndër vedi.
Përpara se të arrija në prag të gjashtëdhjetave më dukej se jetën e kisha përpara dhe të shkuarën e sodisja në funksion me të ardhmen. Pasi kapërceva të gjashtëdhjetat, ndodhi një fenomen i kundërt: Më dukej sikur vjetët që më takonin të jetoja i jetova, sikur fiziku as vdes, as jeton, por shkrihet, sikur tani jetoj vite qelepir dhe në fund të çdo viti i gëzohem këtij qelepirllëku. Kryesore tani mua më paraqitet e shkuara. Vizioni retrospektiv, që përpara të gjashtëdhjetave ishte një aksidentalitet, bëhet tani i zakonshëm. Po filloj të jetoj me shikimin nga prapa. Hallallashtisja, kjo ndjenjë fisnike që buit në fazën e pjekurisë dhe që e pushton të tërin në prag të vdekjes, ka filluar të më shfaqet. Po ndiej nevojën të hallallashtisem me ish-kundërshtarët e mi politikë.
2-KUNDËR EGOIZMIT
Gjatë jetës time kam rënë disa herë në burg për çështje politike, por burgu që po vuaj tani është më i frytshmi për zhvillimin e mendjes, pasi më kursen atë kohë dhe atë energji që e harxhoja me punën e rutinës shoqërore dhe kjo jo për pak kohë, por për 25 vjet. Dhe mbasi unë e vuaj burgimin në birucë, domethënë i izoluar edhe nga shoqërimi dhe nga bisedimi me të burgosur të tjerë, ky izolim, ky burgim brenda burgut më kursen edhe atë kohë dhe atë energji që do ta harxhoja me të burgosur të tjerë. Gjithë koha dhe energjitë e mia, pra, janë vazhdimisht në dispozicion të mendjes dhe unë nuk njoh tjetër aktivitet veç të menduarit.
Rezultati i këtij izolimi të dyfishtë, izolim nga bashkëjetesa kombëtare dhe izolim nga bashkëjetesa e të burgosurve ka pasur, pra, një efekt të dyfishtë në personin tim. Në një anë më është atrofizuar gjuha dhe të shprehurit, nuk ka mbetur më asgjë nga ajo rrjedhshmëri shprehjeje që kanë vërejtur tek unë bashkëkohësit e mi në polemikat gojore. Sikur, mos qoftë thënë, të më imponohej tani një polemikë, do t’i thoja kundërshtarit siç i thoshte Gorki publikut: “Do të përgjigjem me shkrim”. Nga ana tjetër më është zhvilluar përqendrimi i vëmendjes në një shkallë që nuk e kam njohur më parë dhe as që merrja me mend se ishte e mundur. Falë këtij përqendrimi, formova mendimin tim mbi jetën, mbi njeriun, mbi shoqërinë, mbi bashkëjetesën e njerëzve dhe mbi botën, gjë që nuk do ta ndërroja me asgjë. Kam fituar atë aftësi falë të cilit njeriut i është e mundur të ruajë sensin e mbipalës, të arbitrit, të të paanshmit edhe kur vepron si pjesëtar i njërës nga palët e bashkëjetesës, ose si pjesëtar i rrymave mendore, filozofike, ideologjike apo politike.
Në jetë njeriut i imponohet të japë atë që i dhimbet që të përvetësojë atë që i duhet. Mua m’u desh ta sakrifikoja të gjithë atë idealitet mistik që rrethonte qenien time, ashtu sikurse zogut i duhet të shkatërrojë lëvozhgën që të dalë në jetë. Ua shkallmova piedestalin idhujve të kohës sime, i hodha këta përtokë dhe i shkela me këmbë siç bëri monoteisti me idhujt e paganëve, ateisti me altarin e teistëve dhe historia me idealet kontradiktore të palëve shoqërore të të gjitha kohërave dhe të të gjitha sistemeve shoqërore.
E ashpër dhe e dhimbshme është lufta kundër egoizmit palësor që zotëron njeriu. Unë e zhvillova këtë luftë me sukses duke pasur parasysh sa e ashpër dhe e dhimbshme është edhe përpjekja e foshnjës për t’u shkëputur nga mitra e nënës. Unë e përvetësova atë që më duhej – tani jam në gjendje të vendosem mbi veten time dhe mbi ish-kundërshtarët e mi dhe t’i shikoj të dyja palët siç i shikon ai që ka dalë në kreshtën e malit dy faqet e tij.
3-ELEMENTET E KUNDËRZIMIT
Hallallashtisja është një fenomen i pozicionit kreshtëror. Në jetë njerëzit hallallashtisen kur gjenden përpara vdekjes, në politikë – kur objekti i kundërzimit politik ka pushuar së ekzituari. Nuk duhet ngatërruar hallallashtisja me paqtimin, bashkërendimin, rrëfimin, kritikën dhe autokritikën, të cilat janë nocione palësh dhe, pra, dukuri të fushës së kundërzimit. Të gjitha këto njerëzit i bëjnë që të vazhdojnë të ruhen si pjesë e palëve përkatëse, kurse hallallashtisjen e bëjmë kur fitojmë ndërgjegjen se kundërshtimit ndërmjet tyre i ka shkuar koha dhe pozitat e tyre palësore janë shkallmuar, kalbëzuar dhe asgjësuar nga realiteti faktik.
Është e sigurtë, pra, se nga hallallashtisja ime me ish-kundërshtarët e mi politikë nuk do të ketë rast as që ta ndiejnë veten të braktisur nga unë simpatizantët e mi dhe ish-bashkëvepruesit e çështjes sime shoqërore, as të ndiejnë kurrfarë sadisfaksioni mbi bazë të logjikës kundërshtare ish-kundërshtarët e mi.
Cilët ishin ato elemente, tërësia e të cilave formonte objektin e kundërzimit tim me kundërshtarët e mi?
Mënyra e grumbullimit shoqëror. Unë mendoja se grumbullimi mbi bazë të pronësisë private ishte shkaku, baza e vobegtësisë, e mjerimit dhe e urisë. Unë isha një nga të uriturit e kohës, por isha aq i bindur për vërtetësinë e mendimit tim, saqë edhe kur dola nga radha e të mjeruarve dhe e të uriturve (u bëra oficer), unë i mbeta besnik këtij mendimi.
Regjimi politik. Unë kisha bindje republikane. Për mendimin tim regjimi monarkik ishte fatkeqësia numër dy e Shqipërisë së asaj kohe.
Interpretimi i kushtetutës. Sipas interpretimit tim kushtetuta nuk e përjashtonte lirinë e fjalës, të organizmit, të mbledhjes, domethënë lirinë e opozitës dhe të drejtën e saj që të bëhej, falë veprimtarisë së saj, shumicë. Unë mendoja se edhe sikur një kushtetutë të mos i ketë të sanksionuara shprehimisht të drejtat e opozitës, ajo i parakupton sine-qua–non këto të drejta, përderisa sanksionon sistemin e zgjedhjeve. Për mendimin tim, interpretimi i kundërt ishte arbitrar dhe antikushtetues. Për mua zgjedhjet ishin një farsë, akti i parë i së cilës luhej para kutisë së kandidatit të vetëm të listës së vetme. Sipas mendimit tim, praktika e një interpretimi të tillë, zhdukte opozitën, që sipas meje, ishte një domosdoshmëri për bashkëjetesën. Pa opozitën parlamenti ishte një mjet për të krijuar në popull iluzionin se qeveriset sipas vullnetit të tij, për të fshehur diktatin e pushtetit vetjak–kastik dhe për t’i shërbyer si pritë asaj mërie popullore që do të përplasej kundër qeveritarëve efektivë.
Ishte bindja ime se pa liri të opozitës ka ditirambe, por jo opinion publik, se qeveritarët, edhe engjëj të zbritur nga qielli të jenë, do të shndërrohen në tiranë, po të mos përballohen me opinionin publik dhe se mbrojtja e vetme dhe e frytshme e shtetasit nga këta tiranë është opinioni publik dhe jo kushtetuta, ligjet apo ligjëratat, sado të bukura, njerëzore dhe demokratike që të jenë ato. Ku ka ligjshmëri, ka edhe arbitraritet. Të kundërtat ekzistojnë, por kur nuk ka opozitë dhe, pra, opinion publik, arbitrariteti ngrihet në sistem. Këtu nuk është fjala për bindjen time. Unë kam qenë edhe dëshmitar okular i këtij sistemi arbitrar edhe viktimë e tij.
4-KONCEPTET EKZISTENCIALE
Mbasi u përballëm për 15 vjet për mënyrën e grumbullimit, të regjimit politik dhe të interpretimit të kushtetutës, unë dhe kundërshtarët e mi, u gjendëm në periudhën e pushtimit të vendit nga të huajt, përballë elementeve të tjerë të kundërzimit dhe pikërisht:
PËRBALLË PËRSHTATJES SË BASHKËJETESËS KOMBËTARE NDAJ PUSHTIMIT
Populli ynë nuk e braktisi truallin e vet as ashtu si e braktisën popujt në dyndjen e barbarëve, as si e braktisi në kohën e vet populli i Izraelit. Pra, ai iu përshtat gjendjes së pushtimit. Populli nuk është as pala, as individi. Ai ka logjikën e vet, moralin dhe ndjenjat e veta. Njerëzit dhe palët i shtrohen asaj logjike, atij morali dhe atyre ndjenjave, nuk dalin dot jashtë tyre. As pasardhësit tanë, as historia nuk do ta dënojë brezin tonë që nuk braktisi vendin, por vazhdoi bashkëjetesën e tij në kushtet e pushtimit.
Përpara brezit tonë, në këtë periudhë ishin të hapura tri rrugë, siç ndodh gjithnjë kur populli nuk e braktis vendin:
Të quhej pushtimi si i përhershëm, përshtatja faktike si përfundimtare dhe të vazhdohej ekzistenca e shtetit shqiptar në kuadrin e perandorisë fashiste.
Të mbahej një qëndrim obstruksionist ndaj të gjitha ofertave të pushtuesit dhe apatik ndaj çështjes së pavarësisë e të jetohej jeta ashtu siç paraqitej.
Të konsiderohej pushtimi dhe përshtatja faktike e përkohshme, çlirimi i vendit si një domosdoshmëri dhe lufta e armatosur si mjet çlirimi. Dhe kjo luftë të ishte:
a) Ose e menjëhershme, tërësore dhe e pandarë nga ajo e aleatëve,
b) Ose e përkohshme, demonstrative dhe aq e shtrirë sa të ishte e domosdoshme për t’i dalë zot vendit pas kapitullimit të fuqive të Boshtit.
Unë mendoja se vetëm rruga e luftës së menjëhershme ishte shpëtimtare, e dobishme dhe fisnike për popullin dhe si një udhëheqës i kësaj lufte unë u gjenda përballë me kundërshtarët e mi të kësaj periudhe – suazistët ose kolaboracionistët, ballistët dhe legalistët.
Populli u nda siç ndodh gjithnjë. Ai ecën në treshkolonë dhe palët që u formuan gjatë periudhës së pushtimit ishin kolonat e marzhit të tij.
Si përfundim duhet thënë se unë dhe ju, kundërshtarët e mi, si pjesë e popullit shqiptar dhe e bashkëjetesës kombëtare të periudhës së pushtimit, kishim një bazë nisjeje të përbashkët që ishte ajo e popullit: të mos braktiset trualli i të parëve përpara agresorit. Ky koncept ekzistencial popullor, i përgjithshëm e universal, na bashkonte dhe e bënte bashkëjetesën në kushtet e pushtimit dhe përshtatjen e saj ndaj pushtimit, një realitet. Ne u ndamë përballë çështjes se si duhej trajtuar kjo përshtatje, pushtimi, pushtuesi dhe në kuptimin e pavarësisë e në vlerësimin e rrugëve që mund të çonin në këtë pavarësi. Konceptet tona ekzistenciale si palë ishin të kundërta dhe si rrjedhim nuk mund të mos ishin të kundërta…. ndijimet tona.
5-NDIJIMET TONA TË KUNDËRTA
Do të përqendrohem në këto ndijime dhe për lehtësi shpjegimi do t’ju drejtohem drejtpërsëdrejti ish-kundërshtarëve të mi.
Pra, unë me gjithë ata që më pasonin dhe me gjithë ata me të cilët kishim të njëjtin botëkuptim, bindje dhe aspirata dhe ju me të gjithë ata që ju pasonin formonim kundërpalët e bashkëjetesës së periudhës së monarkisë dhe asaj të pushtimit.
Si kundërpalë ne e antipatizonim njëri–tjetrin, antipati që konkretizohej në atë urrejtje, përbuzje e neveri me të cilat e trajtonim njëri–tjetrin, në botëkuptimin, bindjet dhe aspiratat përkatëse dhe në intolerancën që karakterizonte marrëdhëniet tona. Antipatizmi reciprok ishte një domosdoshmëri e bashkëjetesës sonë psikopolite. Ne, duke antipazuar njëri-tjetrin jetonim jetën tonë. Pa këtë antipati jeta biologjike secilit prej të dy palëve do t’u dukej e zbrazët, e shpëlarë, e padenjë për t’u jetuar, në mos ju dukej barrë.
Medet! Mos vallë brezi ynë kishte lindur që ne të antipatizonim njëri-tjetrin? Apo mos brezi ynë ishte një pjellë monstruoze e popullit shqiptar, një perversion i natyrës shqiptare? Jo! Aspak, sepse paraardhësit tanë janë antipatizuar edhe ata ndër vedi për shkak të koncepteve të tyre ekzistenciale të kundërta.
Mos ne dhe pasardhësit tanë kemi ardhur në jetë për të treguar antipatinë tonë? Mos në zemrën e kundërpalëve të bashkëjetesës shqiptare nuk ka vend veçse për antipati? Mos simpatia është një ndjenjë e huaj, e panjohur, e paqenë për shpirtin shqiptar? Absolutisht jo! Secili nga ne lidhej me atë tërësi individësh që formonte palën e tij falë asaj ndjenje që quhet simpati. Të dyja palët tona psikopolite ishin mishërimi i patosit të bashkëjetesës kombëtare. Simpatia dhe antipatia ishin antinomitë e këtij patosi. Çdonjëri nga ne ishte personifikimi i këtij patosi – antipatizonim dhe simpatizonim njëkohësisht; antipatizonim sepse simpatizonim dhe anasjelltas, dhe me këtë ndijim tonin kontradiktor ne dalloheshim nga pala apatike e kohës sonë.
Mos vallë patosi është produkt i veçantë, ekskluziv i bashkëjetesës shqiptare? Jo! Ai është produkt i bashkëjetesës se çdo populli dhe i çdo sistemi shoqëror, sepse subjekt okular i tij është psika e njeriut të shoqërueshëm.
Ka njerëz që besojnë se zhvillimi shoqëror çon drejt një bashkëjetese në të cilën antipatizimi reciprok i njerëzve nuk do të ekzistojë. Kjo ndjenjë do të shuhet te njeriu i shoqërueshëm dhe simpatia do të fuqizohet dhe do të mbretërojë pa antinominë e saj. Ka edhe njerëz që mendojnë se natyra, në ngutjen e saj për të krijuar sa më shpejt kafshë që ecin mbi këmbë, ka harruar numrin tek dhe na ka privuar kështu nga kënaqësia që të sodisim kafshë me një ose tre këmbë. Nuk mungojnë as ata që mendojnë se do të ishte shumë më mirë që një nga sytë e njeriut të ishte mbrapa kokës. Njeriu ka aftësinë e mrekullueshme të konceptojë realitetin abstrakt dhe jetën iluzore të këtij realiteti në mendjen e tij. Por, në realitetin konkret jeta, si në natyrë edhe në shoqëri, ndërtohet dhe rrjedh sipas etikës universale.
Pasardhësit që do të gjenden jashtë ndikimit të botëkuptimeve tona do të antipatizohen dhe ata ndër vedi sikurse ne dhe nuk do të na kritikojnë për këtë ndjenjë; ata mund ta përligjin dhe ta shpjegojnë prurjen që ka përcaktuar kjo antipati në kohën tonë, por nuk do të përvetësojnë kurrë këtë prurje. Zhvillimi do të ketë bërë të përgjithshme ndër pasardhësit tanë atë fisnikëri në sjelljen e kundërshtarëve që në kohën tonë ishte e rrallë. Njeriu shkon jo vetëm nga mbretëria e domosdoshmërisë në atë të lirisë, por edhe nga egërsia në fisnikëri, pa e shterur as pasionin e tij për liri dhe as atë për fisnikëri.
Tekstet që do të përmbajnë etiketat që i kemi vënë njëri-tjetrit si kundërshtarë, interpretimin që u kemi bërë qëllimeve, programeve dhe fjalëve të njëri-tjetrit, cilësimet dhe kritikat që i kemi bërë njëri-tjetrit nga pozitat e palës kundërshtare, në qoftë se paraardhësit tanë do t’i lexojnë, ata do ta bëjnë këtë vetëm netëve të gjata të dimrit, në kohën kur kallëzohen përrallat.
Tekstet ku secili nga ne e paraqet palën e vet si përfaqësuese ekskluzive të popullit, jashtë popullit dhe mbi të, ku koncepti ekzistencial, bindja, aspiratat, interesat dhe sjellja e palës paraqiten si të popullit, ku të vërtetat e palës paraqiten si të vërteta të të gjithë popullit dhe pala si timoniere dhe akullthyese në vazhdën e së cilës do të kalojë zhvillimi i shoqërisë, këto tekste, pra, kanë vetëm një të vërtetë: – As ne, as ju nuk kuptonim që ishim si ata varkëtarët që tërheqin një varkë përpjetë lumit nga buzët e kundërta të tij. Secila nga palët tona e tërhiqte varkën e bashkëjetesës që ta fuste në rrugën e vet, por ajo do të ecte mbi përbërësen e dy forcave tërheqëse divergjente, duke mposhtur rezistencën e kundër-rrjedhjes, vështirësitë e jetës. Nëse duhet bërë fjalë për ndryshimin ndërmjet varkëtarëve dhe kundërpalëve psikopolite duhet thënë se varkëtarët e dinë nga përvoja se ku duhet të kalojë varka, kurse për kundërpalët shoqërore zhvillimi kalon në rrugën e papandehjes, duke u nxjerrë gjuhën të dyjave dhe duke ua ndërruar të gjitha iluzionet palësore në deziluzion.
E vërteta në fjalë që del nga tekstet tona, domethënë nga gjithçka që ne kemi ndier, kemi bërë, kemi thënë dhe kemi shkruar si palë kundërshtare është e hidhur për ne kur përdorim logjikën e palës. Vetëm kur vendosemi dhe e shikojmë njëri – tjetrin nga pozita kreshtërore ne e ndiejmë dhe e kuptojmë se nuk na qe e mundur as të kishim përvojën e varkëtarëve dhe as të ishte fisnikëria karakteristikë e përgjithshme e palëve tona.
Jeta e popujve dhe e pavarësive të tyre ka edhe ajo fazën e saj të miturisë dhe të pjekurisë, por secili popull jeton veten e vet në një bashkëkohësi, dhe objektivisht dhe subjektivisht gjendet ose në juridiksionin e progresit ose në juridiksionin e prapambetjes së kësaj bashkëkohësie. Duke qenë populli ynë në fazën e miturisë dhe në juridiksionin e prapambetjes, ne, si pjesëtarë të tij, si bashkëjetues dhe si kundërpalë të bashkëjetesës nuk mund të mos jemi ata që jemi në fakt.
Brezi ynë psikopolit gjendet në komunitetin kombëtar siç gjenden njerëzit brenda kupës së qiellit të globit ose brenda pyllit. Ai e ka të pamundur të gjykojë vetveten dhe sjelljen e tij nga pozita e mbipalës, por, ashtu sikurse është e pamundur për individin, është e mundur për tërësinë, po ashtu është e mundur për pjesëtarin e secilës palë kundërshtare të konceptojë dhe formulojë një logjikë kreshtërore përballë brezit psikopolit të kohës së tij
Unë besoj se në radhët tona, që prej 20 vjetësh u kundërzuam për çështje të mënyrës së grumbullimit, të regjimit politik, të interpretimit të kushtetutës dhe për trajtimin e pushtimit; ka edhe të tjerë, të cilët ndoshta jo meditimi, por vetë mençuria e zhvillimit i ka vënë në atë pozitë mbipale, në të cilën gjendem edhe unë.
Nuk pretendoj se vizioni im retrospektiv është i pacen dhe ajo që mua më duket e vërtetë është e tillë absolutisht; Zoti na ruajt nga një pretendim i tillë ekskluzivisht, por është fakt se zhvillimi i lë prapa kullat e fildishta të palëve dhe historizohet rezultantja e ndeshjes së palëve, dhe unë mendoj se vetëm nga pozicioni i mbipalës, njeriut i është e mundur të kapë zhvillimin që rrjedh përpara shikimit të tij, kurse brezat e fazës së pjekurisë së popullit tonë dhe të juridiksionit progresist do të jenë en bloc në pozita mbipale ndaj nesh, jetës dhe kohës sonë, vizioni i tyre do të jetë i pacen dhe gjykimi i tyre një vërtetësi absolute. Mua më pëlqen që vizioni im të jetë sa më afër vizionit të këtyre pasardhësve të largët. Në qoftë se atyre do t’u bjerë në dorë testamenti im, do të shohin se ia kam arritur qëllimit tim.
Komentet