Ai u shqua si poet për fëmijë për stilin lirik, temat interesante, mendimin filozofik, edukues dhe atdhetar, leksikun e veçantë dhe figuracionin plot fantazi dhe shpesh me ironi, ndaj veseve të shoqërisë tonë.
Mëngjes i 17 majit 2020.
Isha në koridor. Po bëhesha gati për të dalë. Nga dhoma e pritjes më vjen zëri i sime shoqeje, tepër i shqetësuar:
– Bobo, paska shembur Teatrin Kombëtar! Natën. Në fshehtësi.
Pas pak, përsëri Mira, me zë më të lartë:
– Ua, Xhevat! Paska vdekur Shkëlzeni!
U befasuam. U tronditëm e u pikëlluam thellë.
Me Shkëlzenin jam njohur gjatë viteve të punës sime te revista “Fatosi”, në vitet 1982-1990. Jam njohur nëpërmjet shkrimtarit Sokol Jakova, me të cilin punonim bashkë.
Shkëlzeni, sa herë vinte nga Tropoja në Tiranë, do të trokiste me një lloj droje në redaksinë tonë. Sillte me vete edhe ndonjë cikël vjershash, të cilat priteshin mirë e pëlqeheshin edhe nga redaksia, edhe nga lexuesit e revistës.
Të tre zbrisnim poshtë te Goni, në klubin e gazetarëve, apo shkonim diku tjetër. Pinim ndonjë kafe. Shkëlzeni e Sokoli kishin qejf të hidhnin edhe ndonjë gotë.
Nuk ua prishja. Ata, ishin edhe më të dhënë pas saj. Unë më i kursyer.
Si më i rritur, u jepja edhe ndonjë këshillë:
– Edhe rakia, si çdo gjë, duhet me masë. Me tepri të dëmton. Jeni krijues të dy. Ti, – i drejtohesha Shkëlzenit, – edhe pse dukesh shëndet pakët, do të rrosh shumë. Mendoj se arsyet janë dy: mban emrin e një mali të njohur, Shkëlzenit. E dyta: je poet. Poezia të shton jetën. Të rinon.
Ai, si ndonjë cucë e turpshme, ulte sytë dhe, atë ulje sysh, e shoqëronte me një buzëqeshje fëmijërore.
***
Më vonë, Shkëlzeni erdhi në Tiranë.Punoi në Radio Tirana.
U njohëm më mirë e u afruam edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shkëmbenim edhe mendime për kohën dhe letërsinë. Ai mendimet i shprehte hapur. Nuk dinte të shirej. As të përgojonte. As të fliste për vete. Ishte njeri i thjeshtë. I dhënë pas punës. I dhënë pas letërsisë.
Nga librat që botonte, disa prej tyre, më tepër i kam jo prej Shkëlzenit, po prej Vjollcës, tek e cila kam njohur një grua me një përkujdesje të veçantë ndaj krijimtarisë së të shoqit.
Shkëlzeni u shua. U shua në vlugun e moshës. Në vlugun e krijimtarisë. Ishte vetëm 61 vjeç.
Iku duke na lënë poezinë.
Është e çiltër, e sinqertë ajo poezi. Vjen e flet natyrshëm me ne, me lexuesin, se burimi nga ajo rrjedh është shpirti i poetit.
Dhe do të mbetet e freskët, e bukur ajo.
E freskët, e bukur, si Valbona e Tropojës, vendlindjes së Shkëlzenit.
***
Gjatë karrierës së tij, Zalli u bë shumë i njohur për emisionet e fëmijëve si “Mikrofoni i qershizave”, “Kolovajsa e pasdites”, “Në vallen e rritjes sonë”. Disa nga titujt më të njohur të shkruar prej Zallit janë: “Gjergji takon Skënderbeun”, “Ditari i maces”, “Pësimet e Benit”, “Treni me gaztorë” etj.
Shkëlzen Zalli ishte fitues i shumë çmimeve kombëtare të Letërsisë për Fëmijë. Shkelzen Zalli e filloi karrierën letrare në vitet 1980 me poezi për të rritur dhe si autor i teksteve të shumë këngëve të bukura të kompozuara nga Kolë Susaj dhe sidomos Skëndër Dozhlani.
Pas viteve 1990 ai do të lëvronte me sukses të madh poezinë për fëmijë duke u shndërruar në një nga poetët më të mirë për fëmijë.
Ai u shqua si poet për fëmijë për stilin lirik, temat interesante, mendimin filozofik, edukues dhe atdhetar, leksikun e veçantë dhe figuracionin plot fantazi dhe shpesh me ironi, ndaj veseve të shoqërisë tonë.
Shkelzen Zalli u bë pjesë e jetës së fëmijëve shqiptarë për shumë breza, duke i mësuar përmendesh poezitë e tij të bukura dhe plot elementë stilistikë që ishin pjesë e individualitetit të tij jetësor dhe letrar.
*Shkrimtar. Ish-kryeredaktor i revistës “Fatosi”
Komentet