VOAL

VOAL

Greqi, protestuesit bastisin televizionin shtetëror

January 13, 2019

Komentet

” Nuk kam frikë nga sanksionet e BE-së”, Dodiku konfirmon vizitën në Moskë më 9 maj

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike në Moskë, në 9 maj, pavarësisht paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian për pasoja të mundshme diplomatike.

“Nuk kam frikë nga sanksionet e BE-së. Është një nder për mua të marr ftesë nga presidenti Vladimir Putin dhe të jem pjesë e një ngjarjeje që përkujton fitoren mbi fashizmin,” u shpreh Dodik për mediat lokale.

Ai deklaroi se vizita në Rusi nuk është vetëm simbolike, por një shprehje e respektit për historinë antifashiste të Evropës, duke theksuar se këto data nuk duhet të harrohen “për hir të së ardhmes së kontinentit”.

Komentet e Dodikut vijnë pas një deklarate të përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila njoftoi se Brukseli do t’u kërkojë përfaqësuesve të vendeve kandidate që të mos marrin pjesë në ceremonitë e 9 majit në Moskë. Ajo bëri thirrje që sa më shumë liderë evropianë të udhëtojnë në Kiev atë ditë, në shenjë solidariteti me Ukrainën, e cila vazhdon të përballet me agresionin ushtarak rus.

Sipas rregullave të BE-së, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të unionit, edhe pse nuk kanë të drejtë të ndikojnë në vendimmarrjen brenda BE-së deri në momentin e anëtarësimit të plotë.

Dodik është një nga zërat më pro-rusë në rajon dhe prej vitesh ka mbajtur një linjë politike të kundërt me integrimin euroatlantik të Bosnje dhe Hercegovinës, çka ka krijuar tensione të vazhdueshme si në nivel vendor, ashtu edhe ndërkombëtar. bw

Vuçiçi nuk do t’ia dijë për Evropën: Më 9 maj do të jem në Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se do të udhëtojë në Moskë për të marrë pjesë në ceremoninë e “Ditës së Fitores” më 9 maj, pavarësisht paralajmërimeve të forta nga Bashkimi Evropian.

Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se në paradën ushtarake do të marrë pjesë edhe një njësi e Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marshojë në sheshin e Kuq të kryeqytetit rus.

“Unë nuk e kam ndryshuar mendjen. Do të jem në Moskë më 9 maj”, u shpreh Vuçiç, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë.

Ky vendim vjen në një kohë kur shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar ashpër vendet e Ballkanit Perëndimor që të shmangin pjesëmarrjen në ngjarjet zyrtare në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të BE-së për të ruajtur një qëndrim të përbashkët kundër agresionit rus.

“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat i BE-së të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, deklaroi Kallas, duke iu referuar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

Pjesëmarrja e Serbisë në këtë ceremoni shihet si një tjetër sinjal i politikës së saj të balancuar mes Lindjes dhe Perëndimit, në një kohë kur tensionet gjeopolitike janë në rritje. Ndërsa vendet e tjera të rajonit përpiqen të harmonizohen me qëndrimet e BE-së, Beogradi vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën.

Për BE-në, kjo pjesëmarrje përfaqëson një provë të vështirë për përkushtimin e Serbisë ndaj kursit evropian, ndërsa për Vuçiçin, është një demonstrim i qëndrimit të tij të pavarur në skenën ndërkombëtare.  sn

Kundërshtarët dhe mbështetësit e Vuçiqit protestojnë në qytetet serbe mes tensioneve në rritje

Një protestë kundër Qeverisë, e udhëhequr nga studentët, në Novi Pazar (majtas) dhe një tubim pro-qeveritar në Beograd.

 

Radio Evropa e Lirë

Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mblodhën në vende të ndryshme më 12 prill për të protestuar, në një kohë kur tensionet janë të larta, pas muajsh protestash të organizuara nga studentët kundër Qeverisë së udhëhequr nga Vuçiqi.

Vetë Vuçiq i mblodhi mbështetësit në Beograd, duke njoftuar se do ta formojë një lëvizje të re politike përballë valës në rritje të protestave që filluan në nëntor, pas shembjes së strehës në stacionin e trenit si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz në Novi Sad.

Protestuesit, të udhëhequr nga grupe studentore por të bashkuar nga mijëra të tjerë, kanë fajësuar korrupsionin dhe mungesën e kujdesit për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kundërshton atë që demonstruesit e cilësojnë si dështim të sundimit të ligjit, si dhe korrupsion sistematik nën udhëheqjen e Vuçiqit, i cili ka shërbyer si president që nga viti 2017, pasi më parë ishte kryeministër për tre vjet.

Vuçiq këmbëngul se protestat – të cilat janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha ndaj pushtetit të tij të kamotshëm – po e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në vend dhe i akuzon organizatorët se paguhen nga “agjenci të huaja të inteligjencës”.

Para mijëra mbështetësve, presidenti populist i Serbisë tha se autoritetet duhet të nisin procedurat “për të rikthyer rendin në vend” dhe se “respektimi i plotë i Kushtetutës [duhet të ndodhë] për të garantuar sigurinë e Serbisë”.

Vuçiq tha gjatë tubimit se është e nevojshme një “Lëvizje për Popullin dhe Shtetin”, sepse “na nevojitet energji e re dhe forcë e re, një plan i ri, jo plan deri në vitin 2027, por deri në vitin 2035”.

Presidenti serb Aleksandar Vuciçiq flet në tubimin në Beograd.

Presidenti serb Aleksandar Vuciçiq flet në tubimin në Beograd.

Ai nuk dha hollësi për këtë lëvizje, por tha se do të mbahen tubime të tjera.

Vuçiq përsëriti thirrjen ndaj studentëve për t’u rikthyer në shkolla dhe deklaroi se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.

Autoritetet në Serbi i kanë quajtur vazhdimisht protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët si një përpjekje për “revolucion me ngjyra”.

Ky është një term që i referohet kryengritjeve popullore në vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Kirgizi, që çuan në rrëzimin e qeverive atje.

Protestat popullore që çuan në rrëzimin e liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 gjithashtu shpesh cilësoheshin si “revolucion me ngjyra”.

Gazetarët në vendngjarje raportuan se shumë nga mbështetësit që morën pjesë në tubim ishin sjellë me autobusë nga e gjithë Serbia si dhe nga Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ku ka minoritete të mëdha serbe.

Studentët dhe të tjerë protestojnë me pankarta, muzikë dhe brohoritje në Novi Pazar.

Studentët dhe të tjerë protestojnë me pankarta, muzikë dhe brohoritje në Novi Pazar.

Lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik – i kërkuar nga autoritetet qendrore në Sarajevë pasi u dënua për shkelje të Kushtetutës së Bosnjës – u shfaq në tubimin e Beogradit, raportoi AFP.

Dodik, i cili është president i entitetit serb në Bosnjë – Republika Sërpska – iu drejtua turmës në tubim.

Ai është gjithashtu nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprime që qeveritë perëndimore thonë se synojnë shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Arkivi i Takimeve Publike, një organizatë joqeveritare që vlerëson madhësinë e turmave, tha se në tubimin në Beograd morën pjesë rreth 55.000 persona. Më 15 mars, grupi vlerësoi se protesta e udhëhequr nga studentët kundër qeverisë kishte midis 275.000 dhe 325.000 pjesëmarrës.

Ndërkohë, protesta e udhëhequr nga studentët u mbajt në rrugët e Novi Pazarit, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Protesta është në mesin e një sërë demonstratash të thirrura nga studentët që kanë bllokuar fakultetet universitare për më shumë se katër muaj, duke kërkuar llogaridhënie nga Qeveria për vdekjen e 16 njerëzve pas shembjes së strehës së betonit në Novi Sad.

Një grup studentësh në bllokadë ecën për ditë me radhë nga qytete të tjera drejt Novi Pazarit për t’u bashkuar me protestuesit atje.

Studentët e Universitetit të Novi Pazarit e bllokuan rrethrrotullimin në dalje të qytetit.

Autobusë me mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të udhëhequr nga Vuçiq, ishin planifikuar të kalonin nëpër atë rrethrrotullim për të shkuar drejt tubimeve në Beograd. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse autobusët ndoqën rrugë alternative.

Mbështetësit e Vuçiçit rrahin një politikan të opozitës në Serbi

Nemanja Sharoviç, president i lëvizjes opozitare “Dashuri, Besim, Shpresë” dhe një gazetar është sulmuar fizikisht nga mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS) para Kuvendit të Serbisë në Beograd.

Sharoviç fillimisht u sulmua verbalisht, pastaj edhe fizikisht, raporton nova.rs.

Sipas dëshmive, sulmit i kishin paraprirë thirrjet dhe kërcënimet e shumta ndërsa anëtarët e SNS-së të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit kanë sulmuar edhe gazetarë të tjerë.

Në një moment, një grup njerëzish me veshje njgyrë të gjelbër, që duhet të shërbenin si roje për të siguruar rendin dhe paqen gjatë tubimit, sulmuan gazetarët.

Sharoviq është i njohur për publikun si një politikan opozitar ndërsa ka qenë një figurë e lartë e Partisë Radikale Serbe (SRS) të të dënuarit për krime lufte në ish-Jugosllavi, Vojisllav Sheshel dhe pas një konflikti me udhëheqësinë, ai e ka braktisur partinë dhe ka krijuar lëvizjen politike “Dashuri, Besim, Shpresë”, me anë të së cilës ka kritikuar pushtetin e Vuçiçit dhe SNS-në.

Incidenti ndodhi para një tubimi në mbështetje të “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”, që drejtohet nga SNS, ku këtë mbrëmje pritet të flasë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. /Telegrafi 

Plenkoviq dënon dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka dënuar dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia dhe ka kërkuar sqarim nga autoritetet në Beograd.

“Dëbimi i qytetarëve kroatë nga Serbia është një praktikë e papranueshme që duhet të dënohet, me insinuatën se qytetarët tanë po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë, gjë që nuk qëndron”, tha Pllenkoviq gjatë një mbledhjeje të Qeverisë kroate më 10 prill.

Ai tha se Kroacia kërkon “sqarim nga autoritetet në Serbi” dhe shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar Beogradit një notë proteste për këtë çështje.

Pllenkoviq tha se partnerët e Kroacisë në Bashkimin Evropian janë informuar për këtë situatë.

Shtetases kroate, Arien Stojanoviq-Ivkoviq, që ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ka punuar dhe është martuar e ka krijuar familje në Serbi, i është mohuar qëndrimi nga autoritetet serbe pas 12 vjetësh jetese në Beograd. Ajo është dëbuar nga Serbia dhe i është ndaluar që të hyjë në këtë shtet për një vit.

Më 8 prill, policia ia dorëzojë vendimin për heqjen e lejes – që ishte miratuar më herët – të qëndrimit në Serbi dhe ndalesës për hyrje në këtë shtet.

Shkaqet e këtij vendimi nuk u bënë publike, por Stojanoviq-Ivkoviq tha se kjo mund të jetë për shkak të mbështetjes së saj për studentët, të cilët kanë protestuar në Serbi për muaj të tërë.

Ambasadori kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviq, u tha mediave në Serbi se në tre ditët e fundit ka pranuar informacione lidhur me dëbimin e tre shtetasve kroatë nga Serbia, përfshirë kreun e Dhomës kroate të Tregtisë.

Dëbimet e fundit janë pjesë e një serie të dëbimeve të shtetasve kroatë nga Serbia. Nën pretekstin se paraqesnin kërcënim të sigurisë, në janar të vitit 2025, pjesëmarrës në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste në Beograd u dëbuan nga Serbia.

Për më tepër, udhëheqja shtetërore serbe e ka akuzuar Kroacinë se përmes shërbimeve sekrete dhe protestave studentore po përpiqet të rrëzojë pushtetin në Serbi.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të dhjetorit 2024, foli për ndikimin e agjencisë kroate të inteligjencës në sektorin joqeveritar në Serbi, duke thënë se e gjithë kjo mbështetet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, si nga Evropa ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Vuçiq nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime.

Në Serbi, prej muajsh po mbahen protesta dhe bllokime fakultetesh, teksa studentët po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë”, ministrja Gjermane e prerë: Dodik i izoluar dhe i rrezikshëm! Ka politikë përçarëse dhe anti-europiane

Ministrja gjermane e shtetit për Europën, Anna Lührmann flet për kërcënimet në Republika Srpska. Ajo kritikon politikën përçarëse dhe anti-europiane të Dodikut

Gjatë një vizite zyrtare në fillim të prillit në njësinë autonome serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, Anna Lührmann (Të Gjelbrit), ministre shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, u përball me kërcënime serioze nga përfaqësues të presidentit nacionalist Milorad Dodik. Fillimisht iu ndalua në mënyrë joformale e drejta për të hyrë sërish në territorin e Republika Srpskas, më pas u kërcënua se nuk mund t’i garantohej siguria dhe në fund, autoritetet kërcënuan me përdorim force nëse ajo nuk largohej menjëherë.

“Na u tha se duhet të largoheshim menjëherë, përndryshe do të përdorej dhuna,” tha Lührmann në një intervistë zhvilluar për Deutsche Welle-n nga korrespondentja, Tina Gerhäusser. Vizita ishte pjesë e një turneu diplomatik për të mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Sinjal për Brukselin dhe Berlinin
Lührmann e cilësoi incidentin si një sulm ndaj vlerave evropiane: “Të trajtosh në këtë mënyrë një përfaqësuese të një vendi partner si Gjermania është shenjë dobësie,” tha ajo. Ajo shtoi se kishte marrë shumë mesazhe solidariteti, përfshirë nga qytetarë të Banja Lukës, që e kishin distancuar veten nga veprimet e Dodikut. “Kjo nuk është Bosnja e vërtetë,” i kishin shkruar disa.

Dodik i izoluar – dhe provokues
Sipas Lührmann, Dodik po bllokon reformën dhe po e çon vendin drejt izolimit. Kundër tij ekziston një urdhër arresti nga autoritetet e Bosnjës, për shkak të refuzimit për të dalë në seanca dëgjimore mbi veprimet e tij për ndarjen e territorit dhe ndryshimin e kushtetutës. “Presim që autoritetet vendore të veprojnë. EUFOR nuk është përgjegjëse për këtë sipas mandatit të tij”, tha ministrja.

Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë
Lührmann përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë: “Do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, me kushtetutën dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Edhe në parlamentin e tij nuk ka shumicë për këto plane.”

Gjermania mbështet rrugën drejt BE-së
Ministrja nënvizoi se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Bosnjë-Hercegovinës: “E kemi ndihmuar vendin të marrë statusin kandidat për BE. Kemi përgatitur një paketë të madhe financiare në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.” Por, theksoi ajo, bllokimet nga Dodik e pengojnë vendin të ecë përpara.

Kthimi në Banja Luka? Po!
E pyetur nëse do të kthehej sërish në Republika Srpska, pavarësisht se është shpallur persona non grata nga Dodik, Lührmann u përgjigj: “Po, sepse ky vendim nuk i takon Dodikut. Ai nuk ka të drejtë të përcaktojë kush hyn në Bosnje-Hercegovinë. Unë dua të kthehem, të takoj njerëzit, të dëgjoj dhe të tregoj se Gjermania është në krah të tyre.”/ DW

Dodiku injoron sërish urdhër-arrestin e Bosnjes, udhëton me ftesë të Putinit drejt Moskës

Presidenti i rajonit autonom serb të Bosnjës thuhet se ka mbërritur në Moskë, vetëm disa ditë pasi një gjykatë e Sarajevës kërkoi një urdhër arrest ndërkombëtar për të.

Milorad Dodik, i cili drejton qeverinë e Republika Srpska, postoi një video të tij në Varrin e Ushtarit të Panjohur pranë murit të Kremlinit në kryeqytetin rus të hënën në mbrëmje.

Ndërsa ai nuk dha detaje rreth planeve të tij për vizitën e tij, ai shkroi në X se ishte ftuar nga presidenti rus Vladimir Putin të kthehej më 9 maj “për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin”.

Prokurorët e shtetit boshnjak kishin bërë thirrje muajin e kaluar për arrestimin e tij për injorimin e një ftese gjyqësore në mes të një lufte serioze të brendshme për pushtet midis provincës me shumicë serbe dhe autoriteteve shtetërore qendrore në Sarajevë.

Javën e kaluar, një gjykatë i kërkoi Interpolit të lëshonte një “njoftim të kuq”, duke u kërkuar shteteve në mbarë botën ta arrestonin atë, së bashku me një politikan tjetër të lartë serb boshnjak që kishte shkuar jashtë vendit.

Pas lëshimit të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata e Bosnjës, Dodik u drejtua për në Izrael duke kaluar nga Beogradi, në një lëvizje që alarmoi autoritetet boshnjake për kalimin e kufirit të presidentit të Republika Srpska.

Ai u largua me urgjencë nga Izraeli më herët se sa kishte lajmëruar, pasi dyshohet se i është trembur një miratimi të urdhër arrestit ndërkomëbtar nga Interpoli.bw

Qindra mijëra njerëz protestojnë në Stamboll kundër arrestimit të Imamoglut

Pamjet nga droni shfaqin njerëzit e mbledhur në protesën kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në Stamboll, Turqi, 29 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan.

Demonstruesit i vazhduan protestat të shtunën, të cilat janë shndërruar në demonstratat më të mëdha në Turqi pas më shumë se një dekade.

Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.

“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.

“Ata mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka dëshmuar se do t’i thyejë të gjitha kurthet dhe komplotet”, thuhej në letër.

Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.

Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Të shtunën, qindra mijëra protestues me flamuj turq dhe pankarta u mblodhën në një tubim në Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, për protestën “Liri për Imamoglu”, të organizuar nga CHP-ja.

Policia vendosi masa të rrepta sigurie rreth vendit ku po grumbulloheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, populli do të flasë”, shkruhej në një pankartë të mbajtur nga turma.

Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel, duke folur në protestë, tha se miliona turq kërkojnë lirimin e Imamoglut dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se akuzat kundër kryebashkiakut janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, ndërsa CHP-ja bëri thirrje për bojkot të mediave, markave dhe dyqaneve që mbështesin Erdoganin.

Javën e kaluar, CHP-ja mbajti zgjedhje të brendshme për ta konfirmuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028.

Megjithatë, CHP-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se Qeveria ka humbur legjitimitetin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha këtë javë se pothuajse 1.900 njerëz janë ndaluar që nga fillimi i protestave, ndërsa gjykatat kanë urdhëruar burgosjen e 260 prej tyre në pritje të gjyqit.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat “shfaqje”, ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe ka bërë thirrje që CHP-ja të ndalet “së provokuari” qytetarët.

Që nga arrestimi i Imamoglut, tregjet financiare turke kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke detyruar Bankën Qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Kjo krizë ka shkaktuar shqetësime edhe në sektorin privat.

Qeveria ka deklaruar se ndikimi do të jetë i kufizuar dhe i përkohshëm. Banka Qendrore tha se dinamika kryesore e ekonomisë mbetet e paprekur, por është e gatshme të marrë masa shtesë nëse është e nevojshme.

“Nuk kemi përdorur armë zanore kundër protestuesve”- NASA nxjerr zbuluar gënjeshtrën e Vuçiçit

Pas qëndrimit të tij të fundit në Bruksel, i pyetur nga media serbe N1 në një konferencë për shtyp nëse në Beograd është përdorur një armë zanore gjatë protestave të 15 marsit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e quajti atë një trillim dhe deklaroi se edhe ekspertët e NASA-s kanë konfirmuar se nuk është përdorur një gjë e tillë.

Sipas raportimeve të fundit kjo media shprehet se kontaktoi NASA-n dhe u kërkoi atyre të konfirmonin pretendimet e Vuçiçit për të informuar publikun në Serbi, por Agjencia Hapësinore e SHBA-ve tha se nuk ka asnjë informacion.

“Më lejoni t’ju them diçka. Për ekspertët e CRTA që thanë se ishte një vorbull zanore, dhe ne nuk kemi një armë të tillë”, tha Vuçiç nga Burkseli.

Më 20 mars, N1 i dërgoi departamentit të marrëdhënieve me publikun e NASA-s një deklaratë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe pamjet që tregojnë incidentin në protestën e 15 marsit në Beograd. N1 bëri pyetjet e mëposhtme:

-A ka marrë NASA një kërkesë/aplikacion nga ndonjë autoritet/organ shtetëror i Republikës së Serbisë apo ndonjë përfaqësues i tyre që kërkon të analizojë pamjet nga ngjarjet në Beograd të 15 marsit?
-Nëse NASA ka marrë një kërkesë/apel të tillë dhe ka analizuar pamjet e incidentit, ju lutemi na konfirmoni se është e vërtetë se “nuk është përdorur asnjë armë zanore”, siç deklaroi Presidenti i Serbisë në Bruksel.
-Nëse NASA nuk ka marrë kërkesë nga zyrtarë apo individë nga Serbia dhe ekspertët e saj nuk kanë analizuar se çfarë ka ndodhur në Beograd, të konfirmojnë se deklarata e Presidentit të Serbisë nuk është e vërtetë.

Përgjigja erdhi nga Elizabeth Shaw, eksperte e komunikimit strategjik të NASA-s nga Departamenti i Komunikimeve.

“NASA nuk ka asnjë informacion në lidhje me ngjarjet në lidhje me pyetjet tuaja. Nëse është e nevojshme, mund të kontaktoni edhe një zëdhënës të NASA-s”, u përgjigj ajo.

Jonathan Moore, të cilin Presidenti i Serbisë e përmendi, nuk është neurolog, akustik, toksikolog mjeko-ligjor apo ekspert ushtarak. Ky është një ish-diplomat amerikan, i cili shërbeu në Ballkan që nga vitet 1990, dhe më pas, në emër të administratës Trump, hulumtoi të ashtuquajturën Sindroma e Havanës, një sëmundje e paprovuar kurrë që dyshohet se synonte vetëm diplomatët perëndimorë. bw

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu në paraburgim, arrestohet edhe avokati i tij

Autoritetet turke kanë arrestuar edhe avokatin e Ekrem Imamoglu, Mehmet Pehlivan, në kuadër të hetimeve për rastin e korrupsionit për të cilin kryetari i bashkisë së Stambollit është lënë në paraburgim.

 

Pehlivan u arrestua me një urdhër të lëshuar nga departamenti kundër pastrimit të parave të Prokurorisë së Stambollit.

Sipas njoftimit, avokati i Imamoglu po hetohet për “pastrim pasurish që rrjedhin nga veprimtari kriminale”.

Pas arrestimit, Pehlivan u dërgua në spital për t’u ekzaminuar nga mjekët, një procedurë e nevojshme për transferimin e tij në zyrat e policisë në Stamboll. Panorama

Gjykata e Bosnjës kërkon që INTERPOL-i të lëshojë fletarrestime për Dodikun dhe Stevandiqin

Presidenti i Repubikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe kryetari i Parlamentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq. Banjalluka, 12 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ka kërkuar që të lëshohen fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për presidentin e Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiq.

“Shpallja e fletarrestimit është në kompetencë të Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it”, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë më 27 mars nga Gjykata e Bosnjës.

Në një përgjigje të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, për një rast tjetër, INTERPOL-i tha se nuk lëshon fletarrestime, por “me kërkesë të shteteve anëtare dhe pas kontrolleve të përputhshmërisë, INTERPOL-i lëshon njoftime ndërkombëtare për të kërkuarit që njihej si ‘njoftime të kuqe’”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës është bërë e ditur se fletarrestimet ndërkombëtare janë kërkuar më 26 mars nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, e cila i ngarkon Dodikun dhe Stevandiqin, bashkë me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dhe “persona të tjerë”, për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës.

Si bazë për lëshimin e fletarrestimeve, Prokuroria e Bosnjës ka deklaruar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka deklaruar se Dodik aktualisht ndodhet në Izrael, ndërsa i Stevandiq, duke shmangur kontrollet ligjore, është kthyer nga Serbia në Bosnje më 18 mars.

“Të gjitha rrethanat tregojnë se ka gjasa që Dodik dhe Stevandiq në çdo moment të ndodhen jashtë vendit”, është thënë nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.

Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime qendrore brenda Bosnje e Hercegovinës, siç është konfirmuar për REL-in më 17 mars. Çdo agjenci policore, nga 16 sa janë në Bosnjë e Hercegovinë, duhet t’i arrestojë ata.

Ku ndodhet Millorad Dodik?

Dodik ndodhet në Izrael, ku po merr pjesë në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem, ndërkohë që ndaj tij është lëshuar fletarrestim në Bosnjë e Hercegovinë.

Dodik kishte udhëtuar për në Izrael të martën, me avionin e Qeverisë së RS-së, të nisur nga Beogradi.

Një ditë para kësaj, në rrethana ende të paqarta, ai kishte kaluar kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë, kur kishte udhëtuar në Batajnicë, afër Beogradit, për të marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s.

Policia kufitare e Bosnjës ka njoftuar se po zhvillon hetime lidhur me kalimin e kufirit nga Dodiku, duke theksuar se në pikën kufitare ndërkombëtare Raça mes Bosnjës dhe Serbisë nuk ka barriera kufitare.

Çfarë i parapriu kërkesës për fletarrestim?

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar që pasoi pasi më 26 shkurt Dodik u dënua në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Një ditë pas aktgjykimit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, u përpoq që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës më 7 mars vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti i entitetit.

Pas kësaj, autoritetet e RS-së vazhduan me veprime jokushtetuese, përfshirë shqyrtimin e një Kushtetute të re të entitetit në një seancë të Kuvendit më 12 mars, e cila parashikon që RS-ja të jetë “shtet”, themelimin e ushtrisë entitetit dhe shfuqizimin e Këshillit të Popullit të RS-së.

Turqia zhytet në trazira- Erdogani kërcënon protestuesit LIVE në TV

BILD

Në Turqi, njerëzit dolën në rrugë në shumë pjesë të Turqisë për mbrëmjen e gjashtë me radhë.

Në Stamboll, mijëra studentë marshuan në një marshim proteste drejt vendit të tubimit qendror përpara administratës së qytetit, njoftuan mediat lokale.

Gjatë marshimit të tyre, demonstruesit morën mbështetje të madhe nga banorët, të cilët godisnin tenxheret e gatimit dhe brohorisnin.

Në Ankara, mijëra njerëz dolën përsëri në rrugë, siç mund të shihej në imazhet televizive, dhe hodhën parulla të tilla si “Qeveri, dorëhiqu!”

Protestat vijnë pas arrestimit dhe shkarkimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili konsiderohet si rivali më i rëndësishëm i presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Pavarësisht burgosjes së tij, partia e tij CHP e emëroi atë si kandidatin e saj presidencial të dielën. Ai përballet me akuza në lidhje me hetimet për korrupsion dhe terrorizëm. Ai i quajti akuzat “imorale dhe të pabaza”.

Para dhjetëra mijëra demonstruesve në Stamboll në mbrëmje, shefi i CHP-së, Özgür Özel, bëri thirrje për bojkot të disa markave që konsiderohen të jenë afër qeverisë – duke përfshirë një zinxhir të njohur kafenesh dhe një operator karburanti.

Ndërkohë, presidenti Erdogan iu drejtua sërish opozitës me fjalë të forta në një fjalim televiziv. “Mos prishni qetësinë e bashkëqytetarëve tanë me provokimet tuaja,” tha Erdogan në fjalimin e transmetuar të hënën, duke shtuar: “Mos luani me nervat e kombit. Mos lëshoni grupe të krahut të majtë kundër policisë sonë.”

Erdogan i quan demonstratat kryesisht paqësore një “lëvizje të dhunshme” dhe ka njoftuar se opozita do të mbajë përgjegjësi për thirrjet e tyre për protestë.

Demonstratat janë zhvilluar në qytetet kryesore si Izmiri, Ankaraja dhe Stambolli. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, të publikuara pasditen e së hënës, ka pasur më shumë se 1000 arrestime që nga fillimi i protestave. sn


Send this to a friend