Sunderland është shumë pranë zyrtarizimit të një prej goditjeve më të mëdha të kësj merkatoje verore. Sipas raportimeve të gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, klubi anglez ka arritur një marrëveshje me Bayer Leverkusenin për transferimin e mesfushorit zviceran Granit Xhaka, për një shumë që kap vlerën e 17.5 milionë paundëve.
32-vjeçari pritet të udhëtojë drejt Anglisë për të kryer vizitat mjekësore dhe për të përmbyllur marrëveshjen me “Black Cats”, të cilët janë gati t’i ofrojnë një kontratë dyvjeçare.
Përparimi i madh në negociata erdhi pas vendimit të Xhakës për t’i komunikuar Leverkusenit dëshirën e tij për t’u transferuar në Angli. Fillimisht, kishte një hendek të madh mes kërkesës së klubit gjerman dhe ofertës së Sunderlandit, por palët arritën një kompromis pas rritjes së ndjeshme të ofertës nga klubi anglez.
Ky transferim shihet si një hap ambicioz nga Sunderland, që kërkon të forcojë ndjeshëm repartin e mesfushës me një lojtar me përvojë të madhe ndërkombëtare dhe shumë vite në elitën e futbollit europian. sn