VOAL

VOAL

Gordana Jankullovkska dënohet me 6 vjet burgim

October 8, 2018

Komentet

“As në tokë, as në qiell, nuk ka vend për shqiptarët!” Shkrime anti-shqiptare shfaqen në Shkup pas protestës

Tensionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut duket se janë rikthyer në fokus pas shfaqjes së mesazheve me përmbajtje anti-shqiptare, vetëm pak ditë pas protestës së studentëve që kërkonin zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi nga qendra sportive “Forca” në Shkup, ku është shkruar një slogan me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve: “As në tokë, as në qiell, vend për shqiptarë nuk ka”.

Pamja është shpërndarë gjerësisht edhe nga figura politike dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, deri tani nuk është raportuar asnjë reagim zyrtar nga autoritetet.

Incidenti vjen në një periudhë kur janë shtuar rastet e retorikës anti-shqiptare në vend. Edhe më herët, gjatë një aktiviteti sportiv, nga tifozë maqedonas u dëgjuan kore dhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, duke nxitur reagime dhe shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes. bw

“8 orë pa ujë e ushqim” – Studentët nga Tirana denoncojnë keqtrajtimin nga policia maqedonase ditën e protestës për gjuhën shqipe

“As ujë, as liri lëvizjeje”.

Për më shumë se 8 orë, 40 studentë shqiptarë nga Tirana që udhëtonin për t’iu bashkuar protestës për gjuhën shqipe në Shkup, thonë se u përballën me presion, kontrolle të vazhdueshme dhe trajtim të papranueshëm nga autoritetet maqedonase.

Sipas dëshmive të tyre, pasi u ndaluan në kufirin e Bllatës, studentët u kontrolluan një nga një dhe u sorollatën nga Dibra deri në Kumanovë, edhe pse destinacioni i tyre ishte Shkupi.

Ata tregojnë se gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga policia dhe nuk janë lejuar as të ndalonin për të blerë ujë, ushqim apo për të kryer nevojat personale.

Studentët denoncojnë se janë mbajtur për orë të tëra nën presion, me kërcënime dhe keqtrajtime psikologjike. bw

Protesta e studentëve në Shkup, bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti: E përkrahim! Takuam kryeministrin Mickoski dhe ramë dakord të implementohet ligji i gjuhës dhe për shqipen

Bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka mbështetur protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës.

 

Në “Studio24”, Mexhiti deklaroi se studentët shqiptarë prej 20 vitesh e japin provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedonase dhe janë privuar nga kjo e drejtë.

“Studentët kanë të drejtë. Protestat ishin të qeta dhe ne i mbështesim”, u shpreh ai.

Sipas Mexhitit, policia është përpjekur të shmangë tensionet gjatë protestës, por pas përfundimit të saj pati një incident, ku u arrestuan dy shqiptarë dhe një maqedonas pas një përleshjeje fizike.

Ai shtoi gjithashtu se është arritur një dakordësi me kryeministrin Hristijan Mickoski për zbatimin e ligjit për gjuhët dhe zgjerimin e përdorimit të shqipes në disa fusha të arsimit dhe licencimeve.

Sipas tij, në disa raste nevojiten ndryshime ligjore dhe në të tjera ndryshime të rregulloreve për të mundësuar përdorimin e gjuhës shqipe.

Izet Mexhiti: Në të kaluarën studentët nuk kanë protestuar, janë privuar nga kjo e drejtë sepse provimin e jurisprudencës e japin prej 20 vitesh në gjuhën maqedonase. Protestat kanë qenë të qeta dhe ne i përkrahim si zë që kanë të drejtë.

Policia është munduar të mos ketë përplasje. Pas protestës ka pasur një incident dhe janë arrestuar dy shqiptarë dhe një maqedonas për përleshje fizike.

Kemi rënë dakord me kryeministrin Mickoski që të implementohet ligji i gjuhës dhe të përdoret edhe gjuha shqipe për disa sfera të arsimit, licenca etj. Diku kërkohet ndryshim ligji, diku kërkohet ndryshim rregulloreje.

Ina Zhupa në takimin Maqedoni e Veriut-Shqipëri: Trashëgimia natyrore dhe zonat e mbrojtura, përgjegjësi e përbashkët. Të zbatohen rekomanimet e UNESCO-s për Ohrin

Kryetarja e Komisionit për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën Ina Zhupa, mori pjesë në takimin e përbashkët të komisioneve parlamentare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, organizuar me mbështetjen e OSBE-së, mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe sigurinë klimatike. Gjatë fjalës së saj, Zhupa theksoi se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në rajon.

Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Strugë!
Takimi i përbashkët i komisioneve parlamentare Shqipëri-Maqedoni e Veriut për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe ato që lidhen me sigurinë klimatike me mbështetjen e OSBE.

Ndryshimet klimatike nuk janë më një problem i së ardhmes. Ato po ndikojnë sot drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë, në ekonominë, turizmin, trashëgiminë natyrore dhe kulturore, si dhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Përmbytjet, zjarret, ndotja, mungesa e burimeve ujore dhe degradimi i ekosistemeve janë sfida që nuk njohin kufij shtetërorë dhe që kërkojnë bashkëpunim të përbashkët.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë jo vetëm kufij dhe pasuri natyrore të përbashkëta, por edhe përgjegjësinë për t’i mbrojtur ato për brezat e ardhshëm. Liqenet tona, zonat e mbrojtura, trashëgimia kulturore dhe potenciali turistik i rajonit varen nga aftësia jonë për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe për të vepruar me vizion afatgjatë. Rekomandimet e UNESCO për liqenin e Ohrit, janë detyra për të dy anët e kufirit dhe duhet jetë përgjegjësi e shtuar qe secila të zbatoj rekomandimet. Mënyra si trajtojmë zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe anasjelltas ndikon të dyja shtetet. Duhet kuptojmë që mbrotja e mjedisit është mbrojtje e vetë shoqërisë.

Ky forum është një mundësi e vlefshme për të ndarë eksperienca, për të forcuar partneritetet dhe për të ndërtuar qasje të koordinuara ndaj sfidave që prekin të ardhmen tonë të përbashkët. bw

Studentët në Shkup protestë më 18 maj për gjuhën shqipe, Mickoski: Po punojmë për zgjidhje, bëni durim

Studentët shqiptarë në Shkup nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për mbrojtjen dhe mundësinë e dhënies së provimeve shtetërore në gjuhën shqipe. Pas paralajmërimit të tyre për zhvillimin e protestës së dytë më 18 maj, kryeministri Hristijan Mickoski duket se ka bërë një hap prapa, duke deklaruar se qeveria po punon për të gjetur një zgjidhje. Kryeministri kërkoi durim nga ana e studentëve pasi qeveria do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

“Bëhet fjalë për një çështje mbi të cilën po punojmë si qeveri. Besoj se shumë shpejt do të dalim me një propozim-zgjidhje, i cili do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces që të bëjnë durim”, shprehet ai.

Sipas kryeministrit Mickoski, protestat po nxiten nga forca politike që synojnë tensione dhe përçarje.
Një muaj më parë, studentët shqiptarë protestuan përpara Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë në Shkup. Me thirrjet “unë flas shqip”, studentët kërkuan dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe – një e drejtë që, sipas tyre, garantohet edhe me Kushtetutë. bw

VLEN-i më në fund u bashkua – Një karrige me dy të ndenjura Nga Dijana Toska

Një karrige me dy prapanica

VLEN-i më në fund u bashkua.

Pesë kryetarë u mblodhën me e ndërtu “partinë e madhe”, por i gjithë halli ishte:

sa prapanica i nxë një karrige.

Dhe në këtë luftë egosh, pasi nuk u morën vesh kush me u ul i pari, shpikën “zgjidhjen historike”: dy kryetarë për një karrige.

Madje këtë farsë e shpallën solemnisht në Ditën e Europës, duke i tregu edhe Europës se deri ku mund të shkojë pazari politik te ne.

Tash fillon filmi i vërtetë.

Kur të fillojë shtyrja mes dy prapanicave kush me mbet më gjatë në karrige…

Interesant po duket ky unitet…

Po edhe më interesante do të jetë, çka do të bëjnë disa ….. që janë në pritje, e disa të tjerë të eliminuar…që nuk janë përfshirë në këtë koalicion të prapanicave…

Në fund veç një pyetje po më mbetet,

Si urohet një karrige me dy prapanica?

“ u trashëgofshi”… apo “mos u rrëzofshi”?

Koalicioni VLEN në Maqedoninë e Veriut shndërrohet në një parti të vetme! Kush do jenë dy kryetarët

Pesë parti politike shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeveritar, u bashkuan zyrtarisht në një subjekt të vetëm politik.


Për herë të parë në historin e pluralizmit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në krye të partisë VLEN do të ketë dy kryetarë, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.

Në kongresin ku u vendos bashkimi i partive të koalicionit u tha se VLEN u shndërrua në parti të vetme, në shtëpi të përbashkët politike, në forcë që bashkohet rreth një vizioni për të ardhmen, ku vendimmarrja nuk do të varet nga një lider i vetëm.

Kulturë e re politike
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, tha se kjo parti do të ndjekë një model të ri funksionimi, duke u distancuar nga mitizimi i liderëve politikë. Modeli që po ndjek VLEN është i ngjashëm me sistemet evropiane, ku fuqia nuk përqendrohet te individi, por te ekipi drejtues.

“VLEN po sjell një frymë të re demokratike në këtë nën qiell duke mos u bazuar te individi, fuqia është te e gjithë udhëheqësia e VLEN-it dhe jo e përqëndruar te një individ. Nuk është model që e kemi shpikur, është model që funksionon me sukses në shtetet europiane. Për herë të parë pas shumë vitesh shqiptarët po e ndejnë se pesha e votës së tyre, po kthehet në peshë të vërtetë politike, në përfaqësim të vërtetë, në forcë vendimmarrëse, dhe kjo është arsyeja se pse ky bashkim ka rëndësi historike. Dy kryetarët do ta udhëheqin këtë parti, jo si ndarje, por si balancë, jo si kompromis por si garanci, se askush nuk është mbi vullnetin e përbashkët brenda VLEN-it” , tha bashkëkryetari i posazgjedhur Izet Mexhiti.

Jo politikës që jeton nga zënkat
VLEN nuk do të jetë thjesht bashkim partish, nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë, tha bashkëkryetari tjetër Bilall Kasami. VLEN do të jetë kulturë e re politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo do të jetë më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Sipas Bilall Kasamit, shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që jeton nga zënkat, shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.

“Ne besojmë tek familja si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet. Ne besojmë në një shtet modern, në institucione që funksionojnë, në administratë profesionale, në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha bashkëkryetari i VLEN Bilall Kasami.

Kurti: VLEN dëshmoi përgjegjësi politike
I panishëm në Kongresin e VLEN-it në Shkup ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare Kurti e vlerësoi si peshë të veçantë politike dhe shoqërore.

“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo përveç se dëshmon përgjegjësinë politike, përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmat politikë që veprojnë në rajon”, tha Kurti.

VLEN zgjodhi me shumicën e votash edhe dy nënkryetarët e partisë: Bekim Çoku dhe Mimoza Musa, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm i partisë u zgjodh Bekim Sali./DW

“Je ëndrra e çdo vajze” Media greke: Politikani i ri shqiptar që është bërë viral në TikTok për pamjen e tij

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

TIRANË-  Një valë e papritur popullariteti është shkaktuar nga analisti politik dhe akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ylli Pacuku i cili është bërë viral në TikTok.

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

Ai mban gjithashtu pozicionin e Zëvendëspresidentit të Shoqatës Evropiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse deri më tani ai njihej kryesisht për praninë e tij publike dhe aktivitetin shkencor, këtë herë interesi është drejtuar te pamja e tij, me shumë përdorues që e krahasojnë atë madje me një model.

Komentet në rrjetet sociale kanë qenë të zjarrta me shumë gra që e përshkruajnë atë si “ëndrra e çdo vajze”, “jashtëzakonisht simpatik”, ndërsa nuk mungojnë as referencat për “bukurinë e gjakut ilir”, me një ton krenarie. Në shumë postime, ai paraqitet si një kombinim i pamjes dhe inteligjencës, një fakt që e ka bërë atë një nga figurat më të diskutuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut./Dosja.al

“Po ata idiotët shqiptarë atje” Koalicioni shqiptar në RMV reagon ashpër ndaj Ferit Hoxhës: Skandal i rëndë! Të kërkojë falje publike

Koalicioni shqiptar në RMV, VLEN ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi të zbuluar të ministrit shqiptar Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë një skandal të rëndë politik dhe diplomatik, pasi sipas tyre ai ka përdorur gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve në Maqedonia e Veriut, duke i quajtur “idiotë”.

Në reagimin zyrtar, VLEN thekson se një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe fyese, duke treguar mungesë të theksuar të etikës dhe kulturës diplomatike. Sipas tyre, deklarata ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si një përfaqësues i shtetit shqiptar mund të shprehet me përçmim ndaj bashkëkombësve jashtë kufijve.

VLEN nënvizon se ky nuk mund të konsiderohet një incident i zakonshëm komunikimi, duke sjellë në vëmendje reagimet e shumta nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë politikanë, gazetarë dhe qytetarë, të cilët e kanë dënuar gjuhën e përdorur si fyese dhe të papranueshme.

Sipas deklaratës, fshirja e mesazhit nga Hoxha nuk mjafton për të zhbërë dëmin e shkaktuar publikisht, ndërsa kërkohet një falje e qartë dhe publike. VLEN kritikon gjithashtu heshtjen e institucioneve zyrtare në Tiranë, duke theksuar mungesën e distancimit ndaj kësaj gjuhe.

VLEN thekson se kjo çështje nuk prek vetëm një subjekt politik, por një pjesë të gjerë të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke kujtuar se pas këtij subjekti qëndrojnë mijëra qytetarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Në përfundim, në reagim thuhet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre përbën fyerje ndaj një pjese të rëndësishme të tij. VLEN kërkon që Ferit Hoxha të kërkojë të paktën falje publike për deklaratën e tij.

Reagimi i plotë i VLEN:

VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton, ministri Ferit Hoxha duhet të kërkojë falje publike
Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit.
VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi. Reagimet e shumta nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, përfaqësues politikë, gazetarë, publicistë dhe qytetarë dëshmuan se kjo gjuhë u lexua ashtu siç ishte fyese, përçmuese dhe e papranueshme.
Pas kësaj, Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme.
Kush përpiqet ta paraqesë këtë si ofendim vetëm ndaj VLEN-it, gabon rëndë. VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas VLEN-it qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë, pleq e të rinj, njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur me votë rrugën e tyre politike.
Prandaj, ky nuk është vetëm sulm ndaj një subjekti politik, por përçmim ndaj një pjese të madhe të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë periferi e kombit. Ata janë pjesë e pandashme e trungut shqiptar. Çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre nuk prek vetëm një subjekt politik, por fyen një pjesë të gjallë të kombit shqiptar.
Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike. bw

“Kërko falje për ofendimet”- Reagon ministri shqiptar i Ekonomisë në RMV pas mesazhit të Ferit Hoxhës: Presim reagim urgjent

Në një postim në Fabook, Besar Durmishi shprehet se fjalori i përdorur nga ministri Hoxha është zhgënjyes dhe i papërshtatshëm, teksa shton se presin reagim dhe sqarim urgjente nga Tirana zyrtare.

 

TIRANË- Ministri shqiptar i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut nga radhët e partisë BESA, ka reaguar pas publikimit të mesazhit të ministrit të jashtëm shqiptar, dhe komentit të bërë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në Fabook, Besar Durmishi shprehet se fjalori i përdorur nga ministri Hoxha është zhgënjyes dhe i papërshtatshëm, teksa shton se presin reagim dhe sqarim urgjente nga Tirana zyrtare. Ai thekson se, ministri Hoxha, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e thëna.

Postimi i plotë: 

“Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.

Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti”, shkruan ai.

Më tej i kujton ministrit se ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombësit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

“I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut”, e mbyll ai reagimin./Dosja.al

Gruevski drejt Rusisë apo Bjellorusisë?

Partia opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) deklaroi të enjten se ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski, mund të jetë duke përgatitur një largim të ri nga Hungaria drejt Rusisë ose Bjellorusisë, duke akuzuar qeverinë aktuale të Shkupit për mosveprim të qëllimshëm, përcjell INA.

Sipas një njoftimi zyrtar të kësaj partie, ndryshimi i pritshëm i kursit politik në Budapest ka krijuar një urgjencë të re. Pas paralajmërimeve të liderit opozitar hungarez dhe kandidatit për kryeministër, Péter Magyar, se Hungaria nuk do të jetë më një strehë e sigurt për individët me precedentë penalë, shtetet e tjera kanë filluar të lëvizin. LSDM vuri në dukje se Polonia ka dërguar tashmë kërkesa zyrtare për ekstradimin e politikanëve të saj nga territori hungarez, ndërsa pretendon se qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po e bllokon procesin për Gruevskin.

Sipas inteligjencës partiake të cituar në deklaratë, opsioni i Turqisë si vendstrehim i ardhshëm është përjashtuar, duke lënë si alternativa të vetme Moskën dhe Minskun. “Pyetja që shtrohet është çmimi që ai do të paguajë me paratë e qytetarëve maqedonas për këtë mbrojtje të re,” thuhet në kumtesë, ku shtohet se ekziston një rrezik real që ai t’i shpëtojë përfundimisht drejtësisë për shkak të vonesave nga Ministria e Drejtësisë.

Nikolla Gruevski, i cili udhëhoqi Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri më 2016, u arratis drejt Hungarisë në vitin 2018 për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit me burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ai mori azil politik nën qeverinë e Viktor Orbanit, një aleat i ngushtë ideologjik. Megjithatë, presioni i brendshëm politik në Hungari dhe ardhja në pushtet e pasardhësit të tij partiak në Shkup, Hristijan Mickoski, kanë krijuar një dinamikë të re komplekse. Edhe pse Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë rrënjë të përbashkëta me Gruevskin, marrëdhëniet e tyre janë ftohur publikisht, ndonëse opozita insiston se ekziston një marrëveshje e fshehtë për të parandaluar ekstradimin e tij që do të shkaktonte “trazira politike” brenda strukturave të pushtetit. (INA)

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, pjesë e Artemis II, misionit të NASA-s në Hënë

Nga një fshat i Gostivarit drejt një prej projekteve më ambicioze në historinë e eksplorimit hapësinor – historia e Albon Rexhepit është një dëshmi e qartë se përkushtimi dhe dija nuk njohin kufij.

Sot, ai është pjesë e misionit Artemis II të NASA, një projekt që synon rikthimin e njeriut në Hënë pas dekadash.

Me një rol drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara, Rexhepi kontribuon në teknologjinë e testimit dhe matjes – një komponent thelbësor për sigurinë dhe suksesin e misionit.

rugëtimi i tij profesional nisi pas studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa përvoja e parë në SHBA e çoi në kompani të njohura si Pfizer dhe më pas Legrand, ku ndërtoi një karrierë të qëndrueshme përpara se t’i bashkohej DEWETRON-it në vitin 2022.

“Produktet tona përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim”, është shprehur Rexhepi, duke theksuar rëndësinë kritike të punës së ekipit të tij.

Ai nënvizon se përgjegjësia në projekte të tilla është e jashtëzakonshme, pasi çdo detaj lidhet drejtpërdrejt me jetën e astronautëve.

“Në projekte të tilla duhet të jesh jashtëzakonisht i përpiktë, sepse këtu në pyetje janë siguria dhe jeta e astronautëve. Nuk ka hapësirë për gabime”, ka thënë ai për Portalb.mk.

Megjithatë, përtej suksesit profesional, Rexhepi e sheh historinë e tij edhe si një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë.

“Punoni dhe mësoni. Askush nuk mund t’ju mposhtë nëse keni një qëllim në jetë. Punoni fort dhe do t’ia dilni”, është thirrja e tij për brezat e rinj.

Ndërsa misionet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi planet për krijimin e një baze në Hënë, kontributi i profesionistëve si Albon Rexhepi mbetet një gur themeli në këtë kapitull të ri të njerëzimit në hapësirë – dhe një arsye krenarie për gjithë shqiptarët./Ina


Send this to a friend