Ia more gjuhën që me të tjerët flet, mishin e le,
në ç’vesh u fut inteligjenca e folur e tij, në cilin vesh?
I jashtmi me të vetes llapë,
i brendshmi me të tijën zgjatje- çelës në bravë,
nga jashtë derës i harruar,
memec ai tanimë, memec. Të flasë vetëm ty, me ty vetëm,
vetëm e vetëm me ty brenda qënies,
me thupra damarësh gardhi.
Ia more rrezet një për një që shikon të tjerët, retë i le,
në ç’sy u struk, inteligjenca e tij pamore, në cilin sy?
I majti dhe i djathti sy- dy rrotat e biçikletës së lidhur,
i verbër ai tanimë, i verbër. Të shikon vetëm ty, ty vetëm,
vetëm e vetëm ty, brenda qenies,
me hunj qerpikësh kopështi.
Ia more shqisen e panjohur, që të tjerët njeh, hijen e le,
në ç’anë rrëshqiti inteligjenca romantike e tij?
Ana e gjumit-“ Othello”, ajo e zgjimit- “Dezdemona”
a mos poshtë krevatit sikur ndonjë intime e hedhur?
I shurdh ai tanimë, i shurdh. Të dëgjon vetëm ty, ty vetëm,
vetëm e vetëm ty, brenda qenies,
gjurmë gishtërinjsh për kafshata të gojës.
E shklyve nga trung i familjes së babës dhe të nanës së vet,
në ç’adresë gjendet inteligjenca private e tij,
a te zona e ftohtë, a te zona e ngrohtë?
Një nudo në mes, me dy anët e veta i ndan,
i shkëputur ai tanimë, i ndarë. Orë e minut vetëm me ty,
me ty vetëm, vetëm e vetëm me ty, brenda qënies,
uji i trupit pa kursim i derdhur.
E tërhoqe veçmas nga të afërmit, të njohurit e tjerë
dhe të tjerët, zikzakun e le,
“Robinson Kruzo” ai përmbys natë e ditë në mes dy gjinjëve,
në njërën sisë- liliput bëhesh, në tjetrën gjigant i Rodit,
pse jo dhe te njëri, dhe te tjetri gji, Sizif i bllokuar,
gjer në majë të së përpjetës
shkëmbin e epshit duke e shtyrë,
tash ai fund e krye, goja, hundët, sytë, veshët, vetëm me ty,
me ty vetëm, vetem e vetëm me ty brenda qënies,
bulëza ajri me grenxa të ngulura.
Tash ai në psikometri imazhesh,
në prokurori të dërguara,
arrest shtëpie- dënim i parë,
shlyerje e dënimit me ditë pune- dënim i dytë
ose dënim i dënimit të parë,
burg me afat- dënim i tretë,
domethënë dënim i dënimit të dytë,
burg pa afat- dënim i katërt aq sa dhe gjymtyrët e pabindura,
gati dhe për nënshtetas i vendit të dënimit me vdekje,
pra dënim i të gjitha dënimeve gjer te i pakrahasueshmi,
Gjygji Hyjnor, për njerëzimin.
Tash ai në prekje ekstaze dhe në konflikt me xhindët,
zhytje e kujtesës si rriqna në mish,
gërmime me thonj në gropën e kërthizës,
fiksim se mos kjo, krater i një vullkani misterioz,
thirrje histerike kuajsh nëpër rrugë arteriesh të ngushtuara,
shtërngim gishtash, koka shpëndësh pas therjes duke krijuar,
ankth me psherëtima nga zierja e rrobave
plot insekte në gazermat me mercenarë paqeruajtës,
gjurmë njëthundrakësh në baltën e pjekur të lëkurës,
apostrofë klithmash partiake nga gojë kamikazësh,
ku tjetër ku, ky pambarim i pambarimit të pambarimit?
I gjithi ai tanimë, tanimë ai në gjëndje “Glosolaila”,
”glosolaila”, “glosolaila”, vetëm me ty, me ty vetëm,
vetëm e vetëm me ty por jashtë, jashtë qënies i përzënë,
shtratin- derë duke ia mbyllur.
Jo, jo, nuk mbaron me aq kjo gjurmë e Kjametit,
s’e ka fundin këtu ky peizazh i një femre të tillë,
”-Ku rrihet me një burrë gjithë jetën“- duke bëzajtur,
penelë pa qime- gishtat e asaj.
Ti dhe mund ta vrasësh atë trup, atë trup, ty po të them,
“-Ç’e dua një statujë nga dyll i veshëve?”-
dhe kështu djallon, përfytyron e flet,
dhe njërit zgjatim prej pesëshes së dorës majën ia mpreh
në shtufin e syve gërryes si erozioni,
ç’ po të thotë mendja halucinante tjetër të marrësh
nga fund i burrit, i bashkëshortit, jo i mashkullit, dot jo?
Këtu ndalu, ndal! Boll më, ti formë e këllefit të shpatës,
shpirtit, që nga vend i profetëve ”rwh” i thonë,
s’i afrohesh dot, dhe amfil të jesh,
ngaqë trupi më së tepërmi me ujë.
Dhe nga toka në zenith sikur ai zgjatim i mprehur,
apo tej për tej t’i bjerë planetit jug – veri, lindje- perëndim,
Kryeengjëlli Xhebrail e mbërthen atë zgjatim të së ligës,
majën e mprehur kriminale ia këput,
e thyen si karthi qorruese,
te një yll që digjet e hedh.
Krijuesi Apsolut i dashurisë
veç engjëllit Gabriel besuar ia ka,
krahun të dëgojë te krijesa më e dashur,
dorën të hapë, ( në atë çast lulet dhe filizat dalin),
qiell më qiell ta prezantojë,
-Glosolaila- thirrje histerike, me tinguj, rrokje, kombinime fjalësh pa asnjë lidhje dhe pa kuptim në gjëndje ekstaze fetare dhe jo vetëm.
-Amfil- jeton në tokë dhe në ujë.
Komentet