Kallxo.com
11:01- Nis dëshmia e ekspertit Kun Herlar në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur dëshmia e ekspertit holandez Kun Herlar, në çështjen gjyqësore ku për pengim të drejtësisë ku po gjykohen Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu.
Kun Herlar punon në Institutin e Kriminalistikës së Holandës (IKH) që nga shkurti 2009 dhe aktualisht shërben si ekspert i kriminalistikës në fushën e analizës së dokumentacionit në aspektin e gjurmimit.
Ai ka sqaruar se puna e tij përfshin analizën e formave të gjurmimit në dokumente, ekzaminimin e materialeve dhe objekteve për të evidentuar lidhjet e tyre me personat ose ngjarjet e hetuara, si dhe analizën e vendngjarjes.
Ndërkohë, gjatë seancës, u diskutua edhe mbi kërkesat e tre të akuzuarve të tjerë: Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, të cilët kishin kërkuar nga gjyqtari i vetëm ndryshimin e kushteve të lirimit të tyre.
Prokuroria kundërshtoi kërkesat e tyre, duke u obliguar që më vonë të zgjerojë parashtrimet e saj lidhur me këtë çështje.
Gjithashtu, Hashim Thaçi, i pranishëm përmes video-lidhjes, u ankua gjatë seancës për mungesë të përkthimit, duke kërkuar qartësi në procedurë.
Seanca pritet të vazhdojë me pyetje të mëtejshme nga ZPS-ja drejtuar ekspertit Kun Herlar.
09:19- Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për “pengim të drejtësisë”
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë do të vazhdojë edhe sot, më 03.03.2026 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përveç Thaçit, në këtë rast po gjykohen edhe Hajredin Kuçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Këta akuzohen për pengim të drejtësisë, vepra që sipas aktakuzës lidhen me rastin gjyqësor ku ish-katërshja e UÇK-së po gjykohet për krime lufte në Hagë.
Seanca e sotme pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit me numër 8. Kjo seancë është paraparë të fillojë në orën 09:30, por transmetimi i saj publik bëhet me 45 minuta vonesë.
Të hënën më 02.03.2026, dëshmitari 7, u pyet për dëshmitë e Rrustem Mustafës, Sylejman Selimit, Bislim Zyrapit dhe Nuredin Ibishit.
Gjatë seancës, avokatja e Thaçit, Sofi Menegon tha se, bazuar në materialet e nxjerra nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), “duket se vetëm dy dëshmitarë nga çështja 6 (akuzat për krime lufte), që lidhen me çështjen 12, janë pjesë e regjistrimit me video për ndërhyrjet në çështjen 12”, duke iu referuar zotit Mustafa dhe zotit Zyrapi.
Ajo e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur ndonjë dëshmitar tjetër nga çështja 6 që është intervistuar me zë dhe video.
Dëshmitari 7 tha se nuk i kujtohet.
Menegon tutje ngriti çështjen e organizimeve shtesë lidhur me sigurinë dhe e pyeti dëshmitarin nëse është e saktë që asnjë prej dëshmitarëve në çështjen 12 (akuzat për pengim të drejtësisë) nuk janë vendosur në një vend tjetër si rezultat i sjelljeve të pretenduara prej të akuzuarve.
Dëshmitari tha se një gjë e tillë është e saktë.
Avokatja mbrojtëse e pyeti po ashtu nëse është e saktë që ZPS-ja është detyruar të riorganizojë rendin e dëshmitarëve në çështjen 6. Gjë që u konfirmua nga dëshmitari.
Në një tjetër pyetje, Menegon iu referua një shënimi zyrtar të takimit të 24.02.2026 me ZPS-në, duke theksuar se dëshmitari nuk ishte në gjendje të thotë se cilët dëshmitarë të ZPS-së janë zhvendosur apo hequr nga lista.
“E saktë, sepse ne po lëviznim dëshmitarët dhe unë shpesh nuk kam pyetur për arsyen ose pse po i hiqnim ata, thjesht i kemi hequr për arsye të ndryshme, nuk kam pyetur konkretisht në mënyrë specifike.” – ishte përgjigja e dëshmitarit.
Tutje, Menegon kërkoi të ndalet te dëshmitari Rrustem Mustafa, i cili ka dhënë dëshmi në çështjen 6 (akuzat për krime lufte) në korrik të vitit 2023, pas një marrëveshjeje për pranimin e faktit midis palëve.
“Sipas deklaratës suaj ai nuk ka pasur masa mbrojtëse, a është e saktë?” – pyeti Menegon.“Po, e saktë” – u përgjigj Dëshmitari 7.
Në pyetjen pse nuk ka pasur masa mbrojtëse, dëshmitari tha se më herët kishte shpjeguar se prokurori vendos lidhur me masat mbrojtëse. Ai shtoi se nëse personi është publik dhe i njohur, nëse ka dhënë dëshmi publike në gjykata ndërkombëtare, tribunale apo edhe gjykata vendore, atëherë kjo merret parasysh.
“Pra ai ka dëshmuar në mënyrë të hapur dhe është person i njohur dhe figurë e njohur në Kosovë” – deklaroi dëshmitari.
Menegon prezantoi më pas një artikull ku thuhet se ish-oficerë të lartë të UÇK-së të zonës operative të Llapit, përfshirë Rrustem Mustafën – Remi, ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte.
Ajo e pyeti dëshmitarin nëse pajtohet se artikulli flet për dënimin e Mustafës dhe lidhet me krimet e pretenduara gjatë luftës.
“Nuk e kam parë më herët(artikullin). Mustafa është person publik. Unë e di që ai ka qenë pjesë e disa hetimeve në Kosovë, por nuk më kujtohen detaje që kanë të bëjnë me të” u përgjigj Dëshmitari 7.
Tutje, Menegon e pyeti nëse është e saktë që më 6 dhjetor 2018, Mustafa përmes avokatit ka thënë se do të paraqitet vullnetarisht në Hagë për intervistë.“Po” – u përgjigj dëshmitari.
Menegon kërkoi që ky dokument të bëhet pjesë e provave, kërkesë që u kundërshtua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Megjithatë, dokumenti u pranua si provë gjyqësore.
Duke iu referuar një artikulli të 26 tetorit 2019 të publikuar nga Insajderi, me titull “Struktura komanduese e UÇK-së e ftuar në Hagë”, avokatja e Hashim Thaçit, Sofi Menegon i tha dëshmitarit se përmbajtja e këtij artikulli përputhet me deklarimin e tij të mëhershëm se persona në nivele të larta të UÇK-së kishin bërë publike faktin se do të intervistoheshin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Dëshmitari u përgjigj, duke e konfirmuar këtë gjë. Në pyetjen nëse e kishte parë më herët artikullin në fjalë, ai tha se nuk i kujtohet. Menegon më pas citoi pjesën ku thuhet se Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, ishte intervistuar nga ZPS më 04.08.2019, duke e pyetur dëshmitarin nëse pajtohet se artikulli konfirmon intervistimin e Zyrapit nga ZPS-ja.
“Po, pajtohem” – u përgjigj dëshmitari. Avokatja vijoi duke e pyetur nëse bashkëpunimi i tij me ZPS-në ishte i njohur publikisht në atë kohë.
Dëshmitari u përgjigj: “Po.” Menegon kërkoi që artikulli i 26 tetorit 2019 të pranohet si provë materiale në këtë proces gjyqësor. Kërkesa u pranua.
Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) lexoi përmbledhjen e aktakuzës dhe paraqiti deklaratën hyrëse. Të gjithë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.
Kurse sot ekipet e mbrojtjes pritet të nisin pyetjet për dëshmitarin 7.
Në deklaratat hyrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar të premten më 27.02.2026, lexoi në mënyrë të përmbledhur aktakuzën ndaj Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për vepra që lidhen me pengim të drejtësisë.
Sipas prokurorit, “Hashim Thaçi mban përgjegjësi individuale për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi nga së paku 26 qershori dhe 18 korriku 2023, vepër penale kundër rendit publik”.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Thaçi ngarkohet për “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi – midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023”.
Pika e tretë ka të bëjë me “tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.
Në vijim, prokurori lexoi edhe katër pika që lidhen me shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe zbulim të dëshmitarit.
Sipas aktakuzës, Thaçi ngarkohet me veprat penale: shkelje e fshehtësisë së procedurës, përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë” (Pika 4), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 5), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes burimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 6), shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të një dëshmitari të mbrojtur midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 7).
Aktakuza përfshin edhe katër pika për mosbindje ndaj gjykatës: Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023” (Pika 8), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023” (Pika 9), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023” (Pika 10), mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023” (Pika 11).
Prokurori paraqiti edhe përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve të tjerë në këtë rast.
Sipas aktakuzës së lexuar, Bashkim Smakaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”, si dhe për “Mos bindje ndaj gjykatës midis së paku 9 shtatori dhe 30 tetori 2023”.
Ndërkaq, Isni Kilaj “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 6 tetori dhe 2 nëntori 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023”.
Sipas leximit të prokurorit, Fadil Fazliu “mban përgjegjësi penale individuale për: Tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”, si dhe për “Mosbindje ndaj gjykatës së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023”.
Ndërsa, për Hajredin Kuçi prokurori deklaroi se “mban përgjegjësi penale individuale për mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 1 dhe 13 shtatorit 2023”.
Të gjithë të akuzuarit po gjykohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndërsa procesi gjyqësor po vazhdon në Hagë. Të gjithë ishin të pranishëm në sallë dhe deklaruan se e kuptuan aktakuzën ndaj tyre, teksa u deklaruan të pafajshëm.
Në deklaratat hyrëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokurori i Specializuar ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi ka tentuar që përmes personave që e kanë vizituar atë, të udhëzojë dëshmitarët në procesin gjyqësor që të minimizonin rolin e tij gjatë luftës dhe ta ndihmonin atë.
“Përpjekjet e Thaçit për të ndikuar të dëshmitarët nuk kufizoheshin vetëm në vizitat me bashkakuzuarit e tjerë por ai ka përdorur dhe shumë vizita të tjera për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe për të dhënë udhëzime. Motivi ishte që dëshmitarët të ndryshonin deklaratat e tyre ose të dëshmonin në atë mënyrë që të ndihmonin Thaçin”- tha Prokurori i Specializuar.
Ai ka thënë se si prova kryesore janë video-incizimet nga takimet e Thaçit me dëshmitarët.
“Në incizime në rastin e Thaçit dëgjojmë fjalë, pëshpërima që ishin qartazi udhëzime për të ndërhyrë tek dëshmitarët… Volumi i zërit ulet kur ai nis të jep udhëzime”- ka thënë ai.
Prokurori gjatë seancës tha se një njërin nga audio-incizimet Thaçi dëshironte të eliminonte provat për keqtrajtimin e personave për të cilët akuzohej në rastin paraprak.
Ndërkaq si provë u paraqit edhe qesja me letra të grisura e gjetur para banesës së Isni Kilajt. Prokurori tha se copat e grisura të letrës janë dokument konfidencial që Kilajt ia ka dhënë Thaçi. Ky dokument, prokurori special tha se ishte dëshmia konfidenciale e njërit nga dëshmitarët.
Ky rast ka derivuar nga gjykimi ku Thaçi akuzohet për krime luftë në Kosovë, me ç’rast sipas Prokurorisë, përmes tashmë të akuzuarve, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi është provuar të pengohet drejtësia.
KALLXO.com kishte siguruar dosjen për të cilën akuzohet Thaçi dhe të tjerët. Informacione konfidenciale të grisura e të hedhura në mbeturina e informacione konfidenciale të mbajtura në vetura pretendohen se janë gjetur dhe janë dëshmi e prova nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Thaçin dhe të tjerët, në aktakuzën e re të ngritur më 2 dhjetor 2024.
Të gjitha këto informacione që ishin shkruar në letra, që ZPS thotë se i kishte gjetur gjatë bastisjeve në vendbanimin e Hysni Kilajt dhe veturën e Bashkim Smakajt, pretendohet se ishin dhënë nga Thaçi gjatë vizitave që ata i kishin bërë në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.
Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
ZPS ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve synonin pengimin e çështjes Thaçi dhe të tjerët.