Gjykata Supreme e SHBA-së ka rrëzuar tarifat doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump me një votim gjashtë kundër dhe tre pro.
Gjyqtarët, të ndarë 6 me 3, vendosën se qasja e presidentit Trump ndaj tarifave për produktet që hyjnë në SHBA nga e gjithë bota nuk lejohej sipas një ligji të vitit 1977 të quajtur Akti Ndërkombëtar i Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA).
Vendimi i bën të pavlefshme disa nga tarifat por jo të gjitha. Trump ka ende mundësi të kërkojë të rivendosë disa tarifa duke përdorur ligje të tjera.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende një koment mbi vendimin, por presidenti Trump e quajti atë një “turp” pasi u informua gjatë një takimi me guvernatorët. Sipas një burimi, të cituar nga NBC News, presidenti i SHBA ka deklaruar se kishte njëplan rezervë lidhur me këtë vendim të gjykatës.
Vendimi u hartua nga Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts, të cilit iu bashkuan tre gjyqtarë liberalë dhe dy kolegë konservatorë, gjyqtarët Neil Gorsuch dhe Amy Coney Barrett, të cilët ishin në shumicë.
“Presidenti pohon fuqinë e jashtëzakonshme për të vendosur në mënyrë të njëanshme tarifa me sasi, kohëzgjatje dhe fushëveprim të pakufizuar”, shkroi Roberts. Por administrata Trump “nuk tregon asnjë statut” në të cilin Kongresi ka thënë më parë se gjuha në IEEPA mund të zbatohet për tarifat, shtoi ai.
Si i tillë, “ne mendojmë se IEEPA nuk e autorizon presidentin të vendosë tarifa“, theksoi Roberts.
Çfarë është Akti Ndërkombëtar i Fuqive të Emergjencës?
Ligji i jep presidentit të SHBA autoritetin për të adresuar “kërcënimet e jashtëzakonshme” në rast të një emergjence kombëtare, duke përfshirë “rregullimin e importimit të mallrave të huaja”.
Ai u miratua në vitet 1970 për të kufizuar pushtetet presidenciale në çështjet e sigurisë kombëtare pas tarifave të vendosura nga Richard Nixon për të adresuar krizën e bilancit të pagesave pas rënies së sistemit monetar të Bretton Woods.
Ligji nuk bën asnjë referencë të qartë për tarifat, të cilat, ashtu si taksat, janë prerogativë ekskluzive e Kongresit dhe për të cilat presidentit i janë dhënë vetëm kompetenca të kufizuara.