VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendos: Rusia është përgjegjëse për vrasjen e ish-oficerit të sigurisë Aleksandër Litvinenko

By | September 21, 2021
blank

Komentet

blank

Kina: Nuk ka vend për kompromis apo lëshime për çështjen e Tajvanit

Kina tha sot se “nuk ka vend” për kompromis apo lëshime rreth çështjes së Tajvanit, pas komentit të presidentit amerikan Joe Biden se SHBA-ja është e përkushtuar për të mbrojtur ishullin nëse sulmohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin ripohoi pretendimin e kahershëm të Kinës se ishulli është territori i saj në një konferencë ditore pasi Biden bëri komentin e tij një ditë më parë në një forum të organizuar nga CNN.

Kina kohët e fundit ka rritur kërcënimin e saj për të marrë Tajvanin nën kontrollin e saj me forcë nëse është e nevojshme, duke çuar avionë luftarakë pranë ishullit dhe duke bërë manovra të uljeve në plazh.

“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe interesat e tjera thelbësore, nuk ka vend që Kina të bëjë kompromis ose lëshime dhe askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fortë, vullnetin e fortë dhe aftësinë e fortë të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integriteti territorial”, tha Wang.

“Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Çështja e Tajvanit është thjesht një çështje e brendshme e Kinës që nuk lejon asnjë ndërhyrje të huaj”, tha Wang.

Komentet e Bidenit të enjten u konsideruan si thellim të “paqartësisë strategjike” që Washingtoni ka mbajtur në lidhje me mënyrën se si do t’i përgjigjej një sulmi ndaj republikës ishullore vetëqeverisëse.

“SHBA-ja duhet të jetë e kujdesshme me fjalët dhe veprimet e saj për çështjen e Tajvanit dhe të mos dërgojë asnjë sinjal të gabuar për forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit, në mënyrë që të mos dëmtojë seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA si dhe paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, tha Wang.

“Unë thjesht dua t’i bëj Kinës të kuptojë se nuk do të tërhiqemi, nuk do të ndryshojmë asnjë nga pikëpamjet tona”, tha Biden i pyetur nëse SHBA-ja do të dalin në mbrojtje të Tajvanit nëse do të sulmohej, ai u përgjigj: “Sigurisht që do ta mbrojmë. Për këtë ne kemi premtuar”.

Në Taipei, zëdhënësi i presidentes mbështetëse të pavarësisë, Tsai Ing-wen tha se SHBA-ja ka treguar mbështetjen e saj për Tajvanin përmes veprimeve konkrete dhe se 23 milionë qytetarët e ishullit nuk do t’i dorëzoheshin presionit ose nuk do të vepronin me nxitim.

blank

AP – Paralajmërimi i zbulimit amerikan: Kina rrezikon të mbizotërojë teknologjitë e përparuara

Marrë nga Associated Press

Zyrtarët amerikanë të zbulimit paralajmëruan jo për herë të parë të premten lidhur me rrezikun që paraqesin ambiciet e Kinës në fushën e inteligjencës artificiale dhe një sërë teknologjish të përparuara.

Ata shtuan se ato mund t’i japin Pekinit një avantazh ushtarak të rëndësishëm dhe mbizotërim të mundshëm në sektorin e kujdesit shëndetësor si dhe sektorë të tjerë thelbësorë në SHBA.

Zyrtarët e Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë thanë se kanë ripërtërirë parlajmërimet ndaj drejtuesve të biznesit, akademikëve e zyrtarëve të qeverisë vendore dhe shtetërore, në lidhje me rreziqet e pranimit të investimeve kineze apo ekspertizës në industritë kryesore.

Ata thanë se nuk kanë ndërmend t’u kërkojnë atyre të refuzojnë investimet kineze, por po kërkojnë të inkurajojë përpjekjet për të kontrolluar pronësinë intelektuale dhe zbatimin e masave të sigurisë.

Agjencitë amerikane të sigurisë kombëtare nën drejtimin e Presidentit Joe Biden i janë kundërvënë në mënyrë agresive e publike politikave keqdashëse të Kinës, të cilën disa zyrtarë e kanë quajtur kërcënimin më të madh strategjik për Shtetet e Bashkuara. Administrata Biden është përpjekur njëkohësisht të zbusë disa tensione me Pekinin që i takojnë administratës Trump dhe po kërkon të gjejë pika të përbashkëta në çështje që lidhen me tregtinë dhe ndryshimet klimatike.

Pekini ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Uashingtonin dhe iu është kundërpërgjigjur shërbimeve amerikane të zbulimit lidhur me vlerësimet e saj ndaj Kinës, përfshirë akuzat se udhëheqësit kinezë kanë fshehur informacione jetike në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Qeveria kineze ka deklaruar qëllimet e saj për të krijuar teknologji fitimprurëse robotike e fusha të tjera sipas planeve që njihen si “Made in China 2025”.

Drejtori në detyrë i Qendrës së Kundërzbulimit, Michael Orlando, u tha gazetarëve në një konferencë të rrallë të enjten se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë luksin të humbasin terren” ndaj Kinës në disa fusha kryesore: sikurse inteligjenca artificiale, sistemet autonome, llogaritjet kuantike, gjysmëpërçuesit dhe bioteknologjia.

Zoti Orlando vuri në dukje se bizneset dhe akademikët kinezë i përkasin Partisë Komuniste Kineze dhe u kërkohet t’u shërbejnë interesave të partisë.

Zoti Orlando nuk iu përgjigj pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara do të miratojnë kufizime më të ashpra ose ndalime të drejtpërdrejta për investimet kineze në sektorë të caktuar, duke thënë se roli i tij nuk ishte të sugjerojë politika. VOA

blank

Mbretëresha Elizabeth II kaloi një natë në spital

Mbretëresha britanike, Elizabeth II, kaloi një natë në spital për kontrolle mjekësore, njoftoi Pallati Bukinghem.

Sipas deklaratës për media, mbretëresha tani është kthyer në rezidencën e saj dhe është me “disponim të mirë”.

Në deklaratë thuhet se mbretëresha e kaloi natën e së mërkurës në spital dhe se ajo është këshilluar që të pushojë disa ditë, pas një orari të ngjeshur me angazhime publike.

Një vizitë e saj në Irlandën Veriore, e planifikuar për këtë javë, është anuluar.

Mbretëresha Elizabeth II është 94 vjeçe.

Ajo ka marrë fronin e Mbretërisë britanike në vitin 1952.

Në muajin prill, ajo ka humbur bashkëshortin e saj, princin Philip.

Philip ka vdekur në moshën 99-vjeçare.

Ata janë martuar në vitin 1947 dhe kanë katër fëmijë: princin Charles, trashëgimtarin e fronit, princeshën Anne dhe princat Andrew dhe Edward.

blank

Stoltenberg: Marrëdhëniet me Rusinë janë në pikën më të ulët prej Luftës së Ftohtë

RFE/RL

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se marrëdhëniet me Rusinë kanë arritur në pikën më të ulët.

“Nuk ka qenë më e vështirë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë”, ka thënë Stoltenberg para se të niste samiti dyditor i ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, më 21 tetor.

Më herët gjatë këtij muaji, NATO-ja ka dëbuar tetë rusë të akredituar në aleancë, duke thënë se kanë qenë agjentë të inteligjencës.

NATO-ja po ashtu ka ulur numrin e pozitave për akreditim për Rusinë, në dhjetë.

Rusia është përgjigjur duke pezulluar misionin e saj në NATO dhe ka urdhëruar mbylljen e zyrave të aleancës veri-atlantike në Moskë, duke e akuzuar atë se nuk dëshiron dialog dhe se ka dështuar që të ofrojë dëshmi për supozimet rreth spiunimit.

“Ne kemi ende kanale të komunikimit me Rusinë, mirëpo na vjen keq për vendimin e Rusisë që të mbyllë dy zyrat e NATO-s në Moskë dhe të ndalë aktivitetin në misionin e NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.

“Qasja e NATO-s ndaj Rusisë vazhdon të jetë e njëjtë si më parë, që nënkupton parandalim dhe mbrojtje të besueshme, të kombinuar me përpjekjet për të pasur dialog kuptimplotë me Rusinë”, ka thënë ai.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka thënë se misioni rus në NATO, ka kryer aktivitete të inteligjencës, të mbuluar me status diplomatik.

“Kjo nuk është sjellje e re”, ka thënë ajo.

Mospajtimet e fundit në mes të NATO-s dhe Rusisë nuk janë në agjendën e samitit në Bruksel, ku ministrat e Mbrojtjes pritet të diskutojnë të ashtuquajturin “master plan” për të mbrojtur aleancën kundër secilit sulm potencial nga Rusia.

Anëtarët e aleancës do të diskutojnë edhe çështje tjera, duke përfshirë mbrojtjen e përbashkët dhe shqetësimet për rritjen e Kinës, investimet në teknologji të re dhe procesin e analizimit të asaj çfarë është mësuar nga misioni në Afganistan.

blank

Mbretëresha Elizabeth pranon këshillën mjekësore, anulon udhëtimin në Irlandën e Veriut

Londër

Mbretëresha Elizabeth II ka pranuar me hezitim këshillën mjekësore që të pushojë për disa ditë, duke anuluar udhëtimin e saj në Irlandën e Veriut, njoftoi sot Pallati Buckingham, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pallati nuk dha detaje mbi vendimin, por shtoi se mbretëresha 95-vjeçare është “në humor të mirë dhe është e zhgënjyer që nuk do të jetë në gjendje të vizitojë Irlandën e Veriut, ku duhej të ndërmerrte një seri angazhimesh” të mërkurën dhe të enjten.

Më tej theksohet se ajo “dërgon përshëndetjet më të përzemërta për popullin e Irlandës Veriore dhe mezi pret të vizitojë vendin në të ardhmen”.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Elizabeth u pa duke përdorur një shkop gjatë një ngjarje të madhe publike ku po merrte pjesë në Westminster Abbey që shënonte njëqind vjetorin e Legjionit Mbretëror Britanik, një organizatë bamirësie e forcave të armatosura.

Ajo ishte fotografuar më parë duke përdorur një shkop në 2003, por kjo ndodhi pasi ajo iu nënshtrua një operacioni në gju.

blank

Katër anije kineze hyjnë në ujërat territoriale të Japonisë

Tokio

Katër anije të qeverisë kineze të mërkurën hynë në ujërat territoriale të Japonisë jashtë Ishujve Senkaku në Detin e Kinës Lindore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e Rojës bregdetare të Japonisë theksuan se anijet iu afruan ishujve Minamikojima dhe Uotsuri Jima dhe qëndruan në zonën e diskutueshme për rreth dy orë, duke shtuar se zyrtarët japonezë paralajmëruan anijet të largoheshin.

Sipas transmetuesit publik japonez NHK, kjo shënon herën e 30-të në vitin 2021 që anijet zyrtare kineze kanë hyrë në ujërat territoriale të Japonisë jashtë Ishujve Senkaku, duke shtuar se hera e fundit ishte më 19 shtator.

Ishujt Senkaku kontrollohen nga Japonia, por edhe Kina i pretendon ato. Qeveria japoneze pohon se ishujt janë pjesë e qenësishme e territorit të Japonisë për sa i përket historisë dhe ligjit ndërkombëtar. Japonia tha se si e tillë, nuk ka asnjë çështje sovraniteti që duhet të zgjidhet mbi to.

blank

Navalny fiton Çmimin Sakharov

RFE/RL

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, fitoi Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit.

Çmimi vjetor i Parlamentit Evropian iu nda atij për, siç u tha, ekspozimin e korrupsionit në Rusi dhe të përpjekjeve për frenimin e lirive në këtë vend.

Navalny ishte në listë të ngushtë me një grup të grave afgane dhe me një politikan opozitar të Bolivisë.

Ai u shpall fitues nga ligjvënësit evropianë, njoftoi Partia Popullore Evropiane, e cila është subjekti më i madh politik në Parlamentin Evropian.

Navalny, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në një aeroport të Moskës në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij.

Navalny, 45 vjeç, është dënuar pastaj me 2 vjet e gjysmë burgim për, siç është thënë, shkelje të lirimit me kusht.

Ai ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

Vitin e kaluar, Çmimi Sakharov i është dhënë opozitës demokratike të Bjellorusisë, e cila ka organizuar disa protesta kundër udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë: ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, opozitën demokratike të Venezuelës dhe aktivisten pakistaneze të arsimit, Malala Yousafzai.

blank

Moska njofton pezullimin e misionit rus në NATO

VOA

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov njoftoi të hënën se vendi i tij do të pezullonte misionin rus në NATO.

Zoti Lavrov tha se masa ishte në përgjigje ndaj vendimit të javës së kaluar të NATO-s, për të dëbuar tetë anëtarë të misionit rus në aleancën ushtarake.

Pas njoftimit se Rusia do të mbyllte misionin e saj diplomatik në aleancës ushtarake perëndimore, NATO tha të hënën se i ka mbajtur shënim komentet e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, por shtoi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për çështjet e ngritura.

“Ne dëgjuam komentet e ministrit Lavrov për mediat, megjithatë nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar mbi çështjet që ai ngriti”, tha një zëdhënës i NATO -s.

Një javë më parë NATO akuzoi zyrtarët e misionit rus se po punonin në fshehtësi si oficerë zbulimi dhe mori vendim të përgjysmojë numrin e ekipit të Moskës në selinë e saj.

Zoti Lavrov njoftoi gjithashtu se do të mbyllen edhe se zyrat ndërlidhëse ushtarake dhe ato informacionet të NATO-s, të cilat ndodhen në Moskë.

blank

SHBA, Australia, Japonia dhe India nisin stërvitjen “Malabar 2021”

Tokio

Ka filluar stërvitja e përbashkët e marinës së SHBA-së, Japonisë, Australisë dhe Indisë në Gjirin e Bengalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e lajmeve Kyodo në lajmin e bazuar në burimet e Forcës Detare të Vetë-Mbrojtjes Japoneze (MSDF) njoftoi se ka filluar stërvitja “Malabar 2021” e aleancës Quad të formuar nga 4 vendet.

Sipas MSDF, në stërvitje po marrin pjesë transportuesi i avionëve të marinës bërthamore të SHBA-së, Carl Vinson, një fregatë australiane, një shkatërrues indian dhe dy anije japoneze.

Zëvendës sekretari i Kabinetit në Japoni, Kihara Seiji në një konferencë për media tha se ata shpresojnë se stërvitja do të forconte marrëdhëniet e 4 vendeve në mënyrë që të realizohet vizioni “Indo-Paqësor i lirë dhe i hapur”.

Stërvitja e përbashkët në Gjirin e Bengalit në verilindje të Oqeanit Indian do të vazhdojë deri nesër. “Malabar” shihet si një përpjekje për të kundërshtuar aktivitetet e shtuara të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Japonia mori pjesë në stërvitjet “Malabar” në vitin 2015, të cilat u mbajtën për herë të parë në vitin 1992 nga marinat indiane dhe amerikane.

blank

Marrëveshja për taksën globale që tenton të zhdukë parajsat tatimore

RFE/RL

Mbi 130 shtete kanë arritur një marrëveshje për ndryshime gjithëpërfshirëse të tatimit të kompanive të mëdha botërore.

Qëllimi: të pengohen kompanitë shumëkombëshe që të grumbullojnë fitime në vendet ku ata paguajnë pak taksa ose aspak –që njihen ndryshe si parajsa tatimore.

Marrëveshja u arrit midis 136 shteteve pas bisedimeve që u mbikëqyrën nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Kjo marrëveshje pritet të përditësojë rregullat e taksimit ndërkombëtar që janë të vjetra plot një shekull, me qëllim që shtetet të mund të përballen me ndryshimin që kanë sjellë digjitalizimi dhe globalizmi, shkruan Associated Press.

Komponenti kryesor i marrëveshjes është: taksë minimale globale prej të paktën 15 për qind, një iniciativë kyçe që është shtyrë nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Yellen tha se taksa minimale do t’i japë fund një gare prej dekadash që ka pasur rënie të normave të taksave për korporatat teksa parajsat tatimore kërkonin që të tërhiqnin korporatat që të përfitonin norma të ulëta – por, në fakt bëjnë pak biznes në ato vende.

Këto janë aspektet kyçe të marrëveshjes:

Çfarë problemi adreson?

Në ekonominë e sotme, kompanitë shumëkombëshe kanë më shumë gjasa të kenë më shumë fitime nga gjëra të paprekshme siç janë markat tregtare dhe nga pronësia intelektuale. Ato mund të zhvendosen lehtë dhe kompanitë globale mund të caktojnë të ardhurat që gjenerojnë në një degë të tyre në një shtet ku normat e taksave janë shumë të ulëta.

Disa shtete konkurrojnë që të fitojnë të ardhura duke vendosur norma shumë të ulëta të taksave me qëllim që të tërheqin kompanitë, duke tërhequr baza të mëdha tatimore që gjenerojnë përfitime të mëdha edhe kur normat e taksave janë pak mbi zero. Ndërmjet vitit 1985 dhe 2018, niveli mesatar global i taksave për korporatat ra nga 49 për qind në 24 për qind. Më 2016, mbi gjysma e përfitimeve të të gjitha korporatave amerikane ishin zhvendosur në shtatë parajsa tatimore: Bermude, Ishujt Kajman, Irlandë, Luksemburg, Holandë, Singapor dhe Zvicër. Sipas një vlerësimi, kjo i ka kushtuar Thesarit amerikan 100 miliardë dollarë në vit.

Si do të funksiononte taksa minimale globale?

Ideja është e thjeshtë: Shtetet do të miratonin një normë të taksës minimale globale të korporatave prej të paktën 15 për qind për kompanitë shumë të mëdha, që kanë të ardhur vjetore mbi 750 miliardë euro (864 miliardë dollarë).

Më pas, nëse kompanitë kanë të ardhura që nuk tatohen apo tatohen pak në një prej parajsave tatimore të botës, shteti i tyre i origjinës do të vendosë një taksë që do ta sillte nivelin e tatimit në 15 për qind.

Kjo do të bënte të pakuptimtë për kompanitë që të përdorin parajsat tatimore, pasi që shmangia e taksave në vendet që ofrojnë norma të ulëta, do të mblidheshin në shtetet e origjinës. Për të njëjtën arsye, kjo nënkupton se taksa minimale do të kishte efekt edhe nëse parajsat tatimore individuale nuk do të merrnin pjesë.

Si do ta adresonte plani për taksa ekonominë e digjitalizuar?

Plani do të lejonte po ashtu shtetet të tatojnë pjesë të fitimeve nga 100 ose më shumë kompanitë shumëkombëshe kur ato bëjnë biznes në vende ku nuk kanë prezencë fizike. Kjo mund të bëhet përmes shitjes me pakicë në internet ose reklamave. Taksa do të aplikohej vetëm për një pjesë të përfitimeve mbi një diferencë fitimi prej 10 për qind.

Në këmbim, shtetet e tjera do të hiqnin taksat e tyre të njëanshme për shërbimet digjitale që kanë ndaj gjigantëve amerikanë të teknologjisë, siç është Google, Facebook dhe Amazon. Një gjë e tillë do të shmangte edhe konfliktet tregtare me SHBA-në që argumenton se taksa të tilla padrejtësisht kanë në cak kompanitë amerikane dhe Uashingtoni ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet me tarifa të reja.

A ju pëlqen të gjithëve kjo marrëveshje?

Disa shtete në zhvillim dhe grupe avokuese siç është Oxfam dhe Rrjeti për Drejtësi Tatimore, organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, thonë se norma prej 15 për qind është shumë e ulët dhe lë hapësirë që shumë të ardhura të mos tatohen. Edhe pse taksa minimale globale do të mundësonte që qeveritë të inkasonin rreth 150 milionë dollarë të ardhura, shumica e këtyre parave do të shkonin te vendet e pasura pasi në to janë shumica e selive të kompanive shumëkombëshe.

Një taksë minimale prej 20 deri në 30 për qind u rekomandua nga paneli i lartë i OKB-së për Llogaridhënie Financiare, Transparencë dhe Integritet Ndërkombëtar. Në një raport të publikuar në fillim të këtij viti, paneli tha se një normë shumë e ulët e tatimit do të stimulojë shtetet që të ulin normat e tyre me qëllim që të mbesin konkurruese.

Shtetet që morën pjesë në bisedime, por që nuk nënshkruan marrëveshjen janë Kenia, Nigeria, Pakistani dhe Shri Lanka.

Cili është roli i SHBA-së në këtë marrëveshje?

Agjenda e Bidenit për taksat ka ngecur në negociatat midis ligjvënësve demokratë, pasi shpenzimet dhe propozimet për rritjen e normave janë ende në diskutim. Por, administrata amerikane ka pretenduar se në SHBA duhet të zgjerohet taksa minimale globale në mënyrë që edhe shtetet e tjera të binden që të veprojnë njësojë.

Biden ka tërhequr disa nga propozimet e tij fillestare pasi Kongresi dha mendimet e tij. Plani i fundit nga Komiteti për Mënyra dhe Mjete do të ngrehë taksën minimale globale në rreth 16.5 për qind nga 10.5 për qind sa është tashmë. Të ardhurat e kompanive vendore do të taksohen me 26.5 për qind nga 21 për qind sa është taksa aktualisht.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar që të rritet taksa minimale ndaj korporatave.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar që të rritet taksa minimale ndaj korporatave.

Pjesëmarrja e SHBA-së në këtë marrëveshje për taksa është thelbësore, thjesht sepse shumë korporata shumëkombëshe kanë selitë atje. Refuzimi i tërësishëm i propozimit të Bidenit për taksën minimale globale do të përbënte minim serioz për marrëveshjen ndërkombëtare.

Manal Corwin, drejtoreshë e taksave në kompaninë KPMG dhe ish-zyrtare në Departamentin amerikan të Thesarit në administratën e Barack Obamas, tha se heqja e taksave të njëanshme digjitale apo DST, do të ofronte një “motiv shumë të fortë” për SHBA-në që të marrë pjesë në këtë marrëveshje. Sipas saj, kjo është për faktin që marrëveshja do të ndalonte mosmarrëveshjet shkatërruese tregtare, që do të mund të përhapeshin në mesin e kompanive të tjera në sektorin e ekonomisë.

“Kur futeni në një luftë kërcënimesh me tarifa, tarifat jo domosdoshmërish vendosen për kompanitë që janë në qendër të diskutimit të çështjes”, tha ajo.

“Mund të jenë DST-të në fuqi sot dhe nesër të vendosen masa të tjera të njëanshme”, tha ajo, duke shtuar që tatimi ndërkombëtar ka nevojë për stabilitet dhe konsensus “që të inkurajohen investimet dhe rritja… nëse arrihet konsensus global, duke filluar me DST-të, mund të zgjerohet në gjëra të tjera”.

Si do të hynte në fuqi marrëveshja?

Marrëveshja do të dërgohet te liderët e Grupit të 20 vendeve më të industrializuara, pasi të gjitha këto shtete janë nënshkruese të këtij pakti. Më pas, zbatimi i marrëveshjes do të duhej të bëhej individualisht nga shtetet.

Taksa për të ardhurat në vendet ku kompanitë nuk kanë prezencë fizike, do të kërkonte nga shtetet që të nënshkruanin një marrëveshje ndërqeveritare gjatë vitit 2022, që do të duhej të zbatohej më 2023. Taksa minimale globale mund të aplikohet nga shtetet individuale, të cilat mund të përdorin rregulla të vendosura nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Nëse SHBA-ja dhe shtetet evropiane, ku shumica e korporatave shumëkombëshe kanë selitë miratojnë një taksë të tillë minimale, marrëveshja do ta kishte efektin e synuar.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

Vullkani në La Palma krijon sipërfaqe të madhe toke në oqean

VOA

Rrjedhja e lavës nga një vullkan aktiv në ishullin spanjoll La Palma, në brigjet veriperëndimore të Afrikës, po vazhdon pa asnjë shenjë ndërprerjeje, që nga shpërthimi me 19 shtator të muajit të kaluar.

Autoritetet spanjolle thanë të dielën se një rrjedhje e re shkëmbinjsh të shkrirë nga vargmali Cumbre Vieja ka shtuar shkatërrimet e më shumë se 1,100 shtëpive dhe ndërtesave industriale, si dhe fermave në zonën kryesisht bujqësore.

Burimet qeveritare thonë se rrjedha e lavës ka shkuar deri në 1.5 kilometra në pikën e saj më të gjerë dhe ka krijuar një sipërfaqe prej afro 34 hektarë në zonën ku lava derdhet në oqeanin Atlantik.

Shpërthimi fillestar detyroi evakuimin e më shumë se 6,000 personave nga afro 85 mijë banorë që ka La Palma. Banorët po qëndrojnë brenda perimetrit të sigurisë të krijuar nga autoritetet.

Vullkani në La Palma shpërtheu për herë të fundit 50 vite më parë dhe zgjati pak më shumë se tre javë. Ishulli është pjesë e arkipelagut të ishujve Kanarie në brigjet veriperëndimore të Afrikës.

blank

Tre shkencëtarë në SHBA fitojnë çmimin Nobel për ekonominë

VOA

Tre ekonomistë me qendër në Shtetet e Bashkuara fituan të hënën çmimin Nobel 2021 në ekonomi për studimet e tyre mbi ndikimet e pagës minimale, emigracionit dhe arsimit në tregun e punës dhe për krijimin e kuadrit shkencor për të lejuar nxjerrjen e përfundimeve nga studime të tilla kur metodologjia tradicionale nuk mund të përdoret.

David Card i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i lindur në Kanada, do të marrë gjysmën e shpërblimit që vjen me çmimin, ndërsa gjysma tjetër do të ndahet mes Joshua Angristit i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets dhe Guido Imbensit, me origjinë holandeze, 58 vjeç, i Universitetit Stanford.

Akademia Mbretërore Shkencave të Suedisë tha se të tre kanë “reformuar plotësisht punën e shembujve konkret në shkencat ekonomike”.

“Studimet e Cardit mbi çështje parësore për shoqërinë dhe kontributet në metodologji të Angristit dhe Imbensit kanë treguar se eksperimentet natyrore janë një burim i pasur dijeje,” tha Peter Fredriksson, kryetar i Komisionit të Nobelit për Shkencat Ekonomike.

“Hulumtimi i tyre ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për t’iu përgjigjur pyetjeve të rëndësishme, gjë që ka qenë me përfitim të madh për shoqërinë.”

Në kërkimet e tij, zoti Card përdori përvojën e restoranteve në Nju Xhersi dhe Pensilvani për të matur efektet e rritjes së pagës minimale. Ai dhe partneri i studimeve Alan Krueger, që ka vdekur, zbuluan se një rritje në pagë minimale për orë pune nuk ndikon tek punësimi, duke sfiduar idenë se një rritje e pagës minimale do të ulte shkallën e punësimit.

Puna e akademikut Card sfidoi gjithashtu një ide tjetër mjaft të përhapur, sipas së cilës punësimi i emigrantëve ul pagat për punonjësit vendas. Ai arriti në përfundimin se të ardhurat e punonjësve vendas mund të përfitojnë nga emigracioni i ri dhe janë emigrantët më të hershëm ata që rrezikohen të preken negativisht.

Angrist dhe Imbens fituan për kontributin e tyre për zgjidhjen e çështjeve të metodologjisë që u mundësojnë ekonomistëve të nxjerrin përfundime të qëndrueshme për shkaqen dhe efektet, edhe kur është e pamundur të kryejnë studime sipas metodave rigoroze shkencore.

Duke folur me telefon nga shtëpia e tij në Masaçusets, Imbens u tha gazetarëve se kishte qenë në gjumë kur e kishi telefonuar.

“Kishim një fundjavë të ngarkuar.” tha Imbens. “Isha absolutisht i emocionuar kur dëgjova lajmet.”

Ai tha se ishte veçanërisht i emocionuar për Angristin, mik i tij i ngushtë që kishte qenë në dasmën e tij.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel, çmimi i ekonomisë nuk ishte parashikuar në testamentin e Alfred Nobelit, por banka qendrore suedeze e shpalli atë në vitin 1968, dhe fituesi i parë u zgjodh një vit më pas.

Javën e kaluar, Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2021 iu dha gazetarëve Maria Ressa nga Filipine dhe Dmitry Muratov nga Rusia për luftën e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes në vende ku gazetarët janë përballur me sulme të vazhdueshme, ngacmime dhe madje edhe vrasje.

Ressa ishte gruaja e vetme e nderuar këtë vit në të gjitha kategoritë.

Çmimi Nobel për letërsinë iu dha shkrimtarit tanzanian i vendosur në Britani, Abdulrazak Gurnah, i cili u vlerësua për “përshkrimin pa kompromis dhe të ndjerë të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatëve”.

Çmimi për mjekësi iu dha amerikanëve David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre në mënyrën sesi trupi i njeriut e percepton temperaturën dhe prekjen.

Tre shkencëtarë fituan çmimin e fizikës për studime që gjetën rregull në sisteme që dukeshin pa rregull, duke ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, përfshirë zgjerimin e të kuptuarit tonë për ndryshimet klimatike.

Benjamin List dhe David W.C. MacMillan fituan çmimin e kimisë për gjetjen e një mënyre më të lehtë dhe më të pastër për mjedisin për të ndërtuar molekula që mund të përdoren për të bërë përzierje, përfshirë ilaçe dhe pesticide.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend