VOAL

VOAL

Gjykata e Lartë konfirmon dënimin me burg për ish-kryeministrin Olmert

December 29, 2015

Komentet

“Thashethemet dhe smira, e detyruan të largohej nga Teatri”/ Dëshmitë e rralla të kolegëve, si e “vranë” aktorin e famshëm Naim Frashëri

Memorie.al/ Në lamtumirat e trishta, humbjet e mëdha të artit skenik, është pa dyshim, edhe vdekja e parakohshme e artistit të shquar Naim Frashëri. Ai u nda nga jeta më 18 shkurt 1975. Ishte një goditje për artin skenik, mbi të gjitha, një artist potent që kishte dominuar skenën me kryerole të dramaturgjisë botërore e asaj kombëtare për 20 vjet rresht, sidomos me Hamletin e Shekspirit. Sot i bëjmë homazh këtij emri të madh të teatrit shqiptar, në përvjetorin e ndarjes nga jeta.

 

“Natën, në të gdhirë të 18 shkurtit Naimi, i shqetësuar dhe me një gjendje të rënduar shëndetësore, që nuk e tregonte hapur, fjeti vetëm. U ngrit disa herë se kishte shqetësime e dhimbje”, tregonte e motra. – Në mëngjes nuk u ngrit për të vajtur në punë, në Institut. Violeta, e shoqja, i thirri: ‘Ngrehu Naim, se vajti ora! Kur ajo iu afrua, pa me tmerr sesi ishte mbledhur e kishte shtrënguar duart nga një sforco e jashtëzakonshme. Nuk jepte shenja jete. Vdiq nga një shtrëngesë e fortë, pa shqetësuar njeri”.

Ishte 18 shkurt 1975. Jashtë bënte ftohtë e frynte një erë e lehtë ngjethëse. Më 19 shkurt gazeta “Zëri i Popullit” botoi nekrologjinë e vdekjes. (Pak kohë më vonë u botua edhe një artikull i gjatë për të ku, mes të tjerash shkruhej edhe këtë fjali: “Heshtni liliputë përpara zërit dhe figurës më të ndritur të Artit, Naimin Frasheri”!).

Për organizimin e ceremonive të varrimit, u ngrit një komision shtetëror. Homazhet bëheshin në hollin e Komitetit Ekzekutiv, nga ora 9.30-10.00. Përcjella për në varreza u bë në orën 10.00. Funerali i Naim Frashërit qe një manifestim i popullit, që vërshoi në dyert e Komitetit Ekzekutiv, për t’i bërë homazhe e për ta ndjekur me dhimbje largimin e tij…!

Gjatë rrugës ku kalonte funerali, i ndjekur nga mijëra e mijëra qytetarë, shikoheshin anës bulevardit punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme që kishin lënë punën e përcillnin artistin. Fjalën e lamtumirës e mbajti ministri Thoma Deljana. Varrimi u shoqërua me marshe funebre e me tri breshëri qitjesh nga një grup pushkatarësh…! Një dhimbje e humbje e madhe për artin! Por, në një farë mënyre, “Artistin e Popullit” e “vranë”, e vdiqën para kohe. Dhe ja pse?

Fillimi i viteve ‘70-të ka qenë i tmerrshëm për ata që e përjetuan atë kohë në Teatrin Kombëtar. U krijua një klimë mbytëse, një frymë e keqe mes aktorëve, saqë ndikoi jo vetëm në nivelin e artit, por edhe në ecurinë e mëtejshme të institucionit. Naim Frashëri ishte njëri prej viktimave, “heronjve të heshtur” të kësaj lufte.

Në vitin 1970 ai kishte arritur gjithçka, titujt e lartë, “Artist i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”, deputet, sekretar Partie i Teatrit Kombëtar, por, përsëri, nuk ishte i përkëdheluri i regjimit. Ishte artist me sedër të madhe e me guxim të pashoq. Nuk bënte kompromise. Njerëz mediokër deshën “t’i ulnin hundën” se nuk e duronin dot shkëlqimin e tij. Për këtë shpifën, sepse kishin mbështetjen edhe nga “lart”.

Për dy gjëra mund të gjeje belanë në atë regjim, për agjitacion e propagandë dhe për çështje morali. Për të parën nuk e kapnin dot Naimin, ndërsa për të dytën shfrytëzonin nurin skenik, shfaqjet e partneret e shumta në skenë, ligësinë që e ushqenin njerëzit pa moral. Shpifën derisa e vranë shpirtërisht. Kërkoi dorëheqjen nga trupa e teatrit, për të shkuar në Institutin e Lartë të Arteve, si pedagog. Ai e kishte të lidhur jetën e tij me skenën e Teatrit Kombëtar, por ja që e detyruan maskarenjtë.

Naim Frashëri kishte kritikuar hapur nivelin e dobët të pjesëve që viheshin në teatër, angazhimin diletant të disa aktorëve dhe keqpërdorimin politik. “Unë mendoj, – shkruante Naimi, – se Teatri Qendror nuk duhet të kthehet në laborator për veprat e dobëta. Kjo punë të bëhet jashtë teatrit”. Në vitet ‘60-të, pas heqjes së repertorit të huaj, një sërë veprash skematike u vunë në skenën e Teatrit Kombëtar, aq sa i morën frymën. Për t’u evidentuar veprat e Fadil Paçramit vinin njëra pas tjetrës, në çdo sezon. Mediokritete!

Përplasja me Paçramin ishte e fortë, por Naimi ishte i guximshëm dhe trim. Kur Paçrami i tha Naimit: “Do të ishte më mirë të dilnit në pension”, ky i tha: “Dil ti më mirë, se e ke mbushur moshën, je bërë edhe gjysh”! Ishte i guximshëm. Në Teatrin Kombëtar, kur u ashpërsua lufta e klasave e frymëzuar nga diktatori Enver Hoxha, Naimi i doli zot Ilia Shytit, kur deshën ta përjashtojnë, për shkak të arratisjes së vëllait!

Naimi gjithashtu ruajti të paprekur reputacionin e aktorëve të talentuar Sandër Prosi e Prokop Mima, kur ata nisën t’i përgojojnë për të “kaluarën e tyre të paqartë”, iu bë mburojë aktorit të ri Bujar Lako, kur atë donin ta hiqnin “për arsye biografie”, shoqërohej me aktorët e rinj Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Timo Flloko, kur mbi ta ranë “hijet” e analizës biografike. Naimi ishte dhe mbeti njeri i madh, pavarësisht veshjes partiake.

Nga mbrojtja që u bëri Naimi të “deklasuarve”, atyre që kishin “njolla në biografi”, nga burrëria e tij nëpër mbledhje, kur ua kthente fjalën edhe të deleguarve të rëndësishëm të Partisë, bindemi se ishte njeri i ndershëm, mishërimi i virtyteve më të mira shoqërore. Personaliteti i tij nuk përcaktohej nga bindjet politike.

Drita Pelinku, aktorja e shquar, partnere në disa role, shkruante për të: “Ai u largua nga Teatri para shfaqjes ‘Familja e peshkatarit’. Ky largim i preu krahët Naimit. Largimi e vrau atë. Kur erdhi ta luante ‘Familjen e peshkatarit’ në fund, për regjistrim në Televizion, ishte njeri i heshtur, që kishte një dramë. Ai nuk jetonte dot pa skenën…”!

Ndërsa Ilia Shyti, thoshte: “Të paaftë gjetën rastin të merreshin me thashetheme, po ishte edhe cmira e të aftëve, ambiciet profesionale, që u shfaqën në teatër, në një formë a në një tjetër”. Ndërsa Agim Zajmi e përmbyll: “Pas mbledhjesh të shumta partie, ku ai u sulmua nga ‘komunistë të devotshëm’ dhe ku u vu në dyshim e tërë krijimtaria e tij, Naimi u shqetësua. Ishte një pikëllim i madh”.

“Teatri në ato kohë u bë shumë i vështirë, – kujton Pirro Mani. – Naimi iku, edhe unë ika një vit pas tij. Përmbi teatrin rrinin Komiteti Ekzekutiv, Ministria e Arsim-Kulturës, Ministria e Brendshme…! Qe një atmosferë mbytëse…! Në këtë gjendje të rëndë ideologjike, shpirtërore, me një thashethemnajë të madhe, Naimi e pa të arsyeshme që të largohej. Qe një shok psikik. Ai u largua në kulmin e pjekurisë artistike, artistë të tillë i duheshin teatrit”.

Punën e pedagogut Naimi e bënte me shumë pasion, duke sakrifikuar gjithçka nga përvoja e tij si aktor. Naimi pinte shumë cigare, madje cigare të lira…! Gishtat i ishin zverdhur nga nikotina. Mushkëritë e tij ishin bërë copa dhe kolla e shqetësonte vazhdimisht.

“Vitet e fundit Naimi ndiente vazhdimisht dhimbje, – kujton e motra Sofo. Herë pas here e zinte kriza e pankreasit. Në fillim na vdiq nëna, të cilën ai e donte shumë. ‘Më duket se edhe unë e kam pankreasin’, thoshte. Dhe në të vërtetë vdiq nga kjo sëmundje, pankreas akut, pas katër muajsh. Vdiq në shtëpi, as që e morën vesh”.

“Naimi vdiq i varfër, – thoshte regjisori Esat Oktrova, – edhe si njeri, edhe si aktor, ai ishte si një vullkan i heshtur”. Artisti që ia kushtoi jetën teatrit, që mishëroi mbi 100 role në skenë e ekran, për 35 vjet me radhë, përjetoi më në fund, edhe dramën e vet vetjake, me fundin tragjik.

Naim Frashëri mbetet një nga aktorët tanë më të shquar të skenës, i vlerësuar, përveç titujve “Artist i popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, edhe me Çmimin e Republikës kl.I, me titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe së fundi edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit./ Memorie.al

(Video) Jeta jote ishte një bekim, kujtimi yt një thesar – Video kushtuar shkrimtarit të shquar Mustafa Greblleshi nga i biri Adon Greblleshi

Mustafa Greblleshi – shkrimtari i burgosur dhe i ndaluar

Mustafa Greblleshi (Tiranë, 15 Janar 1922 – 22 maj 1986) ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.

Lindi në Tiranë në gjirin e një familjeje vendalie me origjinë nga Greblleshi, i biri i arsimtarit dhe ushtarakut Hamid Greblleshit dhe Nurijes[1].

Shkollimin fillor e mori në Vlorë, ku ishin me banim si familje ngaqë i ati ishte me shërbim. Shkollimin e mesëm në vendlindje, pranë Gjimnazit të Tiranës ku ishte drejtor Eqrem Çabej.

Pushtimi italian e gjeti 17 vjeç kur ishte ende në gjimnaz. I ati doli në lirim për arsye shëndetësore dhe krejt verën e vitit 1939 e kaloi me punë krahu deri kur iu dha një pension të atit. Gjen përkohësisht punë tek Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafeve. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë mbi gjendjen e pushtimit. Njëri prej të cilëve “Nji trandafile” – ku trëndafili ishte alegoria e Shqipërisë së pushtuar – provokoi autoritetet dhe e çuan para prefektit Qazim Mulletit, i cili meqë e njihte e këshilloi duke i vënë kushtin që të ikte në Itali prej drojës se mos i riu do të anonte nga idetë komuniste. Këshillë që e ndoqi nga vjeshta e 1942 deri në pranverën e 1943, kur edhe kthehet në Tiranë për t’u radhitur si më rishtari në redaksinë e Rojës Kombëtare (më vonë u quajt “Bashkimi i Kombit” dhe u bë e përditshme) me kryeredaktor Gjergj Bubanin[2].

Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si “armik i popullit”[3] dhe u burgos për 19 muaj[1] bashkë me kolegët Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete. Nuk zgjati shumë, pasi u konsiderua i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë. Kështu që u detyrua të punojë punëtor krahu deri në vitin 1974. Punët që bëri pasi u shpall i padenjë për të dhënë mësime gjuhe, ishin nga ato të hamallit që ngrinte thasë me çimento në kombinatin “Josif Pashko” deri tek bojaxhiu, për shumë vjet.

E bija Azylka tregon se mbylli sytë tek lexonte Monteskjenë në ballkonin e shtëpisë më 22 maj 1986, me dhimbjet e kancerit në kockë[3].

Përkthimet e tij nga italishtja e frëngjishtja do të botoheshin në faqen e tretë të gazetës “Tomorri”, e cila drejtohej nga kritiku i njohur Vangjel Koça. Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut[3]. Punon tri monografi, për Haki Stërmillin, Fan Nolin dhe Omar Khajamin – që u transmetuan në emisionet letrare të Radio Tiranës. Një monografi e katërt për Kristo Dakon nuk u përfundua nga shtjellimi i ngjarjeve të jetës[2].

“Kam shkruar edhe vargje, por si çdo poet i vërtetë përfundova në prozator”, shënon Greblleshi në monografinë e tij. Boton skica e tregime në revistat Kultura Islame, Njeriu, Vatra, Drini, Revista Letrare dhe sidomos në Bleta. Reflekset e trishtimit do t’i trashëgonte nga penat gjeniale si Mantegazza, Flamarioni, Carrelli, Waininger, Lombroso[3]. Më 1943 i botohet romani “Gremina e dashunís” nga miku i tij Fiqri Llagami[4]. Boton vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu” me ndihmën e Nasho Jorgaqit dhe Drago Siliqit (duke botuar së pari tregimet “Kuklla” dhe “Tut Huqi dhe hygjena” tek Nëntori më 1962), vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe “Njëmijë e një netët”[3] në mesin e viteve ’60[4].


Viti 1949, burgu i Tiranës, qelia numër 79. Brenda saj shikon qiellin e qytetit të kryqëzuar pas hekurave i biri i Hamit Greblleshit, patriotit të pushkatuar, pa gjyq e pa faj nga komunistët në vjeshtë të 1944-ës. Kur është diell, ajo fije e hollë rrezeje i pikturon buzëqeshjen në cepin e djathtë të buzës. Në ditët e vrenjtura me shi, errësira shkon e vjen sipas zemërgjerësisë së hijes. I biri i Hamitit ka mall për qytetin e tij, ka mall për Tiranën. Me bishtin e një lapsi plumbi nis e shkruan… “Gjithnjë të shoh nga hekurat ku jam ndry, O Tirana ime. Sa herë shpirti shpërthen n’trishtime, nostalgji kam për ty…” Poeti e shkrimtari Mustafa Greblleshi qan me vargje. Lotët i janë tharë 4 vjet më parë në rrugën e Tabakëve, teksa shihte trupin e vrarë të të atit, një ish oficer i xhandarmërisë së shtetit, pushkatuar me urdhër të Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën.
Pena i shfrynte dufin, dëshpërimin, trishtimin, mallin. Pak ditë më parë kish shkruar elegjinë “Qetësi, o Baba”, pas një nate të ëndërruar në bisedë me të. Ndërsa sot kishte mall për Tiranën. Ndjehet i vetmuar e i lutet kujtimeve të mos e lenë vetëm; “Përmallshëm lutem në përfytyrime, endem rrugëve si endesha dikur e gjithkah shëtis…” Tirana e Mustafait është plot nur, e magjishme, natën merr flakë nga xixëllimat e ai është i trishtuar se nuk mundet ta shoh./Wikipedia



TIRANA E HERSHME DHE FËMIJNIA JONË E MJERË

Nga Mustafa Gërblleshi

E kam të gjallë Tiranën e vogël me një grusht shtëpish qerpiçi e me një hotel të vetëm po prej qerpiçi, po me nji emën me nam: “Hotel Stambolli”. Se qysh i ka qëndrue furisë së moteve e ka mbetë në kambë edhe sot e kësaj dite, i qofsha falë. E ke aty mbas Mapos ushqimore, ku po ngrihen apartamentet e reja, ku nis Rruga e Durrësit. Konaqe me oxhakë kishin vetëm Toptanasit. Elektriku nuk njihej. Edhe llamba me vojguri e rrallë ish. Atë e gjeje vetëm në zyrat e hyqymetit e në odat e shtëpive me oxhak. Te votrat tona, ku ngrihej tymi fjollë, mu aty te carani, ngjat flakës së druve, digjej pishtari a flaka e bishtukut. Nji fjollë e zezë tymi, ngjitej përpjetë përtueshëm e me përdredhime… Elektrik nuk kish as xhadeve. Kandila me voj, rrallë e tek, xixëllonin rrugëve e ndriçonin nji sofër vend. Në do drushta të shtrembta vareshin fenerët, Mbramjeve, nji rrogtar i ngarkuem, me nji vojnik në dorë, i qasej drushtave. Ulte fenerin me anë të nji sixhimi, e ushqente me voj, e ndizte e kalonte te tjetri, tue shkelë me hap të randë nëpër gurët e shrregullt të kalldrameve. Kalldrame, vija uji, vorre e ullij ka pasë motit Tirana. Vorrezë e ullij ish i gjithë Pazari i Ri. Vorrezë e ullij, Sheshi Skënderbej, vorrezë e selvi Sheshi i monumentit të Partizanit. Gjithkund vorrezë. Në çdo lagje. Më kujtohen mirë ato fushat e vorreve, se unë e moshatarët e mij i vizitojshim shpesh, për të mos thanë për ditë.

-A di përse na të vegjlit silleshim vorreve? – vijoi Shyqri Beqir Fuga -Te hymja e vorrezëve, me të perënduem të diellit, do të takojshim patjetër ndonji plakë të mbështjellun me napën e bardhë. Plaka e mbështjellun me napë të bardhë dhe e ulun kambëkryq, shtronte përpara nji kuze të madhe me topa hallve dhe pranë kuzes nji ibrik dheje me ujë. Me zanin e saj të mekun e të mbytun ajo ftonte kalimtarët e rrallë të marrin “rahmet” për të afërmin e saj, që kish shkue kësaj bote. Kalimtari kthehej, përkulej mbi kuzen, merrte nji shuk hallvë, pinte edhe nji hurm ujë me atë çyçën e trashë t’ibrikut si kaçarrum dhe largohej në punë të vet, si i lëshonte nji rahmet shpirtit të të vdekunit. Po kështu përkuleshim edhe na të vegjlit, përlanim sikush nga nji shuk hallvë të ngrohtë e nga nxitimi voji na rridhte nëpër buzë. Pijshim nga nji herë ujë e me radhë i lëshojshim nga nji rahmet atij që kish shkue me të shumtët. Ja kështu bridhshim vorrezë me vorrezë. Ku të gjejshim ndonji plakë me tepsi përpara se ishim, si thonë, me lugë në brez. Nji grue tjetër, po e shtëpisë së përzishme, e mbështjellun gjithë me napë të bardhë e me tepsi përpara, rrinte në krye të rrugës së lagjes. Edhe ajo u kish zanë shteg kalimtarëve e i priste si në pritë. Na të vegjlit, si të mëdhajt, dy herë në nji tepsi nuk bajshim kabull me marrë, se e kishim për keq e për gjynah. Dy herë i urojshim prehje e paqe të vdekunit, po të marrim dy topa hallvë në nji tepsi, s’e pat thanë Zoti.

Prani e dalldisi në mendime Shyqri Beqir Fuga. Si të rrekej me i renditë në mend kujtimet e largëta që i vijshin me vrull. Ai pat folë si nji nxanës i përgatitun mirë, që s’don ta ndërpresish. Po ashtu nisi e foli sërish:

-Rrallë e tek u çelën do dyqane në Rrugën 28 Nandor. Në njanin syresh, në nji dyqan me harqe përballë Sahatit, pashë nji natë nji grumbull njerzish që ishin mahnitë si u mahnita edhe unë, prej dritës së fortë të nji llambe që s’patëm pa kurrë parandej. Ish nji petromaks. S’ngiheshim tue soditë ato dy mëshikza mëndafshi, që ndriçojshin aq fort, e s’dijshim si me e spjegue atë zhurmë si zhuzhurima e bletës. Elektrik si sot pamë për herë të parë kur patën qenë këtu austriakët, nemselitë si i quejshim na. Kur ndizeshin elektrikët e nemselive, nana ime binte në shehadet, se i ngatërronte me shkreptimat. Asokohe shkeli së pari kalldramet tona automobili. I madh e i vogël, të rij e pleq, i shkojshin mbas automobilit të parë. Ish nji automobil me rrota të nalta, si qerre. Pat edhe asish që e quejtën qerrja e qoftëlargut e i ndërsyen qentë e lëshuem, qent e kasapëve. Po kështu i fuguen pas edhe Shazivar beut kur pat sjellë nga Vjena biçikletën e parë.

E tillë ish Tirana kur kremtohej Nevruzi, Moti i Ri allaturka, kur njerëzit vritshin mendjen për të sajue nji byrek me lakna e s’u shkonte ndërmend se do të vijë nji ditë që do të rendin rrugëve e dyqaneve për të ble ambëlsina, fruta, lojna e kuklla për fëmije – tha Shyqri Beqir Fuga tue e pa me të qeshun shokun e tij. – Për të kremten e Nevruzit e kisha fjalën. Na të vegjlit e pritshim darkën me padurim, vetëm për atë byrekun me spinaq që e bajshim derë për derë e që e quejshim byrek me pare. Thërriste hoxha në minare, ja niste me gjëmue lodra me topuz e tallamazi me kaish. Uleshim të gjithë rreth e qark byrekut. Ndërmjet petëve të laknorit fshihej nji koron sermi, i mbështjellë me nji shuk brumi. I pari i shtëpisë e sillte vërdallë tri herë tepsinë. Mandej zejshim fill me hangër. Kujt t’i takonte për rrisk koroni kishte të drejtë me e përvetësue. Hej ç’kismet kishte ai që peshkonte atë koron të mbështjellë me nji guaskë brumi, si karavidhe! Ajo pare e vogël sermi të bante zot për disa çaste, se me ballin nalt, e ndaloje në vend, në daç sheqerxhiun, në daç simitxhiun. Kur ta shihshin në dorë atë pare sermi, si njani tjetri, ishin gati me të shërbye si t’ishe ti bir oxhaku. I pari ulte tavllën e të lente të zgjedhish, me dorën tande, copa hallve, mollë sheqeri të kuqe, tasa hashuresh, lule Stambolli. Tjetri i kthente simitet përmbys, për me të prishë mendjen me avullin e ngrohtë e me erën e kandshme të qiqrës.

Gjellë për darkë e për davet ish byreku me spinaq, byreku me pare sermi. Bam bum e dum dum, bubullonte tej e përtej daullja me topuz e Zhing zhang, tallamazi me kaish. Tak tak, trokitte zemra jonë e vogël që dridhej e dëshirueme për të gjetë, në petat e byrekut me spinaq, paren e vogël prej sermi. Atë pare sermi, që të bante me hangër simite të ardhuna me brumë qiqre e copa hallve me susam, kurrë nuk e pata gjetë në petat e byrekut me spinaq. Më kujtohet ashtu si nëpër gjumë se nji moti e gjet nana ime. Mirëpo ajo nuk u krenue si bajshin të tjerët, heshti dhe me marifet e vu në pjesën e laknave të mija. Që të gëzohesha edhe unë. Se i pat mbetë gozhdë në zemër kur më pat rrejtë disa herë: kur kalonte sheqerxhiu me tavllën plot hallvë, hashure e lule Stambolli. Zani i fortë i hallvaxhiut buçiste e ushtonte së largu e na e dridhte shpirtin ne të vegjëlve.

“Sheqerxhiu!” ulërija unë së vogli, tha Shyqri Beqir Fuga – e doja pa derman nji grosh, se goja më lëshonte larg për të lëpimë një aso mollësh sheqeri, gjak të kuqe. Po nana, dritë i pastë shpirti – se të thashë o Maksut vdiq e re; nuk vdiq, plasi – nana, me atë zanin e saj të ambël e gjithë ankim më thosh: “Jo bir, nuk asht sheqerxhiu, asht hoxha”. Thërret hoxha në minare, se u ba vakt dreke. Hajde të të jap nana nji copë bukë! Me çka e do, me gjizë apo me ullij? “Me gjizë, jo me ullij, e doja bukën. Se ullijt i kisha mbledhë vetë, kokrra kokrra, kur i shtronte era përmbi vorret. Më pëlqejshin fort ullijt e regjun me krypë e me voj, po nuk i haja. Më dukeshin ullij të vdekunish. Ullij të njomun me vesë vorresh. Nji ditë tjetër, kur nana ish shtrue – e s’u çue ma – në rrugë buçiti sërish zani i fortë i sheqerxhiut. Ajo u drodh e më pa me ata sy të fikun. Mandej nxori nga gjini nji grosh e ma dha:

“Merre bir e shko blej nji mollë sheqeri”.

– Ai grosh ish i ngrohët. M’u ba sikur ma dogj e ma përvëloi dorën. Ja ktheva prapë e i thashë: nuk e due nanë. Nuk asht sheqerxhiu. Po thërret hoxha në minare. Nana nuk foli. Veç nga ata sy të fikun, riguen çurk lotët e zbritën faqeve të zbehta. Me faqen time ja tera, e zjarri i etheve që digjte atë, më dogji edhe mue. Ky zjarr më dogji mirë nji ditë, kur te kryet e rrugës sonë, nji plakë e mbështjellun me napë të bardhë, me tepsi hallve përpara e me ibrik dheje, me za lutës u kujtonte kalimtarëve të marrin nga nji top hallvë për t’i lëshue rahmet shpirtit të nji grueje të re. Kjo grue e re që u fik përgjithmonë e që më la rrugëve, ishte nana ime. Ajo i mbylli sytë zemërplasun.

Ja Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë, – përfundoi Shyqri Beqir Fuga – Byreku me spinaq ish gjellë e rrallë. Sot kalamajt tonë e presin Motin e Ri të veshun e të qeshun. E presin me të gjitha të mirat. Kur qesh i vogël, i vogël si Ndue Gjokë Frroku, s’u gjet kush të më sjellë nji peshqesh. Sot, edhe pse im bir asht midis të gjitha të mirave në Kinë, unë mendoja ç’dhuratë t’i çoj, se më mbetej peks po ta ndaja nga këta pesë të tjerët. Ashtu si ti, që s’po të pritet gjersa të blejsh nji kukull të bukur për vajzën tande. Kujtoj se u çlodhëm, o Maksut Hasan. Shi nuk po bie ma. Çohemi e shkojmë bashkë dyqaneve për të zgjedhë nji kukull të bukur.

Në Rrugën e Postës, përballë magazive të valutës, qenë grumbullue plot njerëz. Qëndruen edhe të dy bojaxhinjtë.

– Me fal shoqe, ç’farë ka dalë këtu?

– Kukulla shok, kukulla të bukura për fëmijë.

Hynë. Shitsja hapte kutitë dhe nxirrte gjithfarë kukullash të bukura, me flokë të gjatë e të shkurtën, me flokë të zes e të verdhë. Nji palë me fustane të gjata, nji palë me tuta, nji palë me veshje marine.

– Sa kushtojnë? – pyeti Maksut Hasani nji grue të re, e cila tue dalë nga dyqani i buzëqeshte kukllës ashtu si nji nanë e re i buzëqesh bebes.

– Katërqind lekë – tha grueja e re. -E vlen për gazin që i fal fëmijës.

Maksut Hasani iu vardis shitëses:

– Të lutem shoqe, më jep nji kukull! Atë me flokë të zes e me përparse të bardhë. Duket kukull punëtore.

Më 7 janar 1952 lindi Maksim Cikuli, një nga personalitet më të shquara të mjekësisë shqiptare

Maksim Cikuli lindi në Korçë më 7 janar të vitit 1952. Ai ishte një politikan shqiptar, ish Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit dhe një personalitet i shquar i njohur për kontributet e tij në fushën e mjekësisë dhe shoqërinë shqiptare. 

Maksim Cikuli ishte biri i dy mjekëve të shquar, Dr.Rashel Cikuli dhe Dr. Zisa Cikuli.

Ishte nxënës i gjimnazit “Qemal Stafa” ne Tirane, të cilën e përfundoi me medalje ari, po ashtu përfundoi fakultetin e mjekësise si student i shkëlqyer me medalje ari, më pas nje student ekselent pasuniversitar qe per 4 vite studioi gjenetikë me profesorin e njohur ndërkombëtar, Jean Frezal ne Hopital Necker te Parisit, (nje nga spitalet pediatrike me te famshme te Evropes te krijuar ne vitin 1778 nga Madame Necker, nena e intelektuales me te famshme te Frances te shekullit XIX, Madame de Stael) dhe me pas themelues i Sherbimit te Gjenetikes ne QSUT, profesor ne Fakultetin e Mjekesise…

Në vitin 1974 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës me medalje ari.

Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm ne Minierën e Bakrit të Gjegjanit.

Në 1979-’81 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon formimit të mëtejshëm profesional në vitet 1981-’84 ka kryer specializimin pasuniversitar në Francë në Universitetin “Paris V”, ku si një student ekselent pasuniversitar  studioi gjenetikë me profesorin e njohur ndërkombëtar Jean Frezal ne Hopital Necker te Parisit, (nje nga spitalet pediatrike me te famshme te Evropes te krijuar ne vitin 1778 nga Madame Necker, nena e intelektuales me te famshme te Frances te shekullit XIX, Madame de Stael).

Kur u kthye në Shqipëri ai ishte themelues i Sherbimit te Gjenetikes ne QSUT, po ashtu Prof.Dr Maksim Cikuli dha mësim në Fakultetin e Mjekesise…Zotëronte tre gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht dhe shfrytëzonte gjerësisht literaturën në këto gjuhë.

Nga viti 1984 e në vazhdim është pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon karrierës pedagogjike dhe shkencore, në vitin 1986 ka qenë kandidat i Shkencave Mjekësore.

Në vitin 1989 ka mbrojtur titullin docent në fushën mjekësore dhe në 1994-ën profesor në këtë fushë.

Gjatë periudhës 1992-’94 ka qenë shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në vitin 1993-’94 ka qenë drejtor i QSUT “Nënë Tereza”. Nga viti 2001 e në vazhdim Shef i Departamentit të Pediatrisë.

Është autor i disa teksteve për studentë dhe pasuniversitarë dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë mjekësorë në shtypin shqiptar dhe të huaj.

Në karrierën politike, nga viti 1994 e në vazhdim është Anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike.

Në vitet 1994-1997, 1997-2000 dhe nga viti 2005 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.

Në periudhën 1994-1997 ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.

Në vitet 1996-2001 ka qenë deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura.

Është ndarë nga jeta më 18 maj 2020.

Prof. Cikuli me Presidentin e Bankes Boterore James Wolfensohn, Drejtorin e Rajonit te Europes Jugore Kemal Dervish dhe Peter Schumann kreun e Zyres se PNUD ne Shqiperi (1995)

Kush është gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen kundër Maduros, kryesoi dosje që lidhen me sulmet terroriste të 2001-it dhe sigurinë kombëtare! Njeriu që i tha “Jo” edhe Trumpit

Çështja kundër Nicolas Maduros i është caktuar gjyqtarit federal 92-vjeçar Alvin K. Hellerstein, i cili u nominua dhe u konfirmua nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1998. Ai ka gjykuar disa nga çështjet më të rëndësishme në historinë amerikane, përfshirë një me presidentin aktual, Donald Trump, si të pandehur.

 

Hellerstein, i cili u emërua gjyqtar më 15 maj 1998 nga Presidenti i atëhershëm Bill Clinton dhe mori postin e lartë në vitin 2011, ka shërbyer për më shumë se një çerek shekulli në gjykatën me seli në Manhattan. Pavarësisht moshës së tij, ai vazhdon të dëgjojë raste të rëndësishme penale që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare, duke u mbështetur në përvojën e tij të gjerë ligjore dhe qartësinë e mendimit.

Hellerstein ka kryesuar çështje që rrjedhin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe çështje të tjera që përfshijnë terrorizmin dhe sigurinë kombëtare. Gjatë verës, ish-gjenerali dhe kreu i inteligjencës venezueliane Hugo Carvajal Barrios u deklarua fajtor para Hellerstein për akuzat që lidhen me narkoterrorizëm dhe trafik droge.

Edhe më interesant është fakti që Hellerstein është një hebre ortodoks, gjë që i shton një dimension tjetër gjyqit të njërit prej aleatëve më të rëndësishëm të regjimit teokratik në Iran, i cili nga ana tjetër është armiku numër një i Izraelit.

Hellerstein ka bërë lajm gjithashtu vitet e fundit kur ai mohoi kërkesat e Trump për ta çuar çështjen e tij penale për paratë e heshtura në gjykatën federale. Hellerstein zbuloi se rimbursimi i Trump për Michael Cohen, i cili lehtësoi pagesat e parave të heshtura për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, nuk ishin akte zyrtare të lidhura me presidencën e tij. Trump ende po e lufton këtë vendim.

Gjykatësi Hellerstein hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Trump për të transferuar çështjen nga gjykata shtetërore, ku Trump u dënua majin e kaluar për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur [agesën për yllin e filmave për të rritur. Trump kërkoi që çështja të transferohej në gjykatën federale, ku shpresonte ta rrëzonte dënimin, por mori “jo”-në e Hellerstein.

Hellerstein gjithashtu hodhi poshtë argumentin e Trump në atë kohë se dënimi i tij duhej të rrëzohej në dritën e vendimit të korrikut të Gjykatës Supreme mbi imunitetin presidencial për aktet zyrtare.

Në pranverë, Hellerstein nxori gjithashtu një vendim që e ndalonte administratën Trump të përdorte Aktin e Armiqve të Huaj për të deportuar venezuelianët dhe e kritikoi administratën për deportimin e njerëzve në një burg të huaj. Panorama

“Shoferi i autobusit” që qëndroi për 13 vite në pushtet, kush është Nicolas Maduro?

Nicolas Maduro, 63 vjeç eshte njeriu që ka qeverisur Venezuelën pa ndërprerje që nga viti 2013. Ata qe nuk e duan e quajne “shoferi i kamionit”, edhe pse në realitet me pare ai ka qene shofer autobusi dhe organizator sindikate. Ata që e duan e quajnë “gjeli luftarak. Për Shtetet e Bashkuara, ai është një nga trafikantët kryesorë të drogës në botë.

I kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, i hetuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit, pasi i mbijetoi një krize shkatërruese ekonomike, sanksioneve amerikane, pandemisë dhe skandaleve, presidenti i Venezuelës nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e tij të tretë dhe për këtë arsye nuk do të bëhet, siç kishte shpresuar, kreu i shtetit jetegjate në Venezuelë pas diktatorit Juan Vicente Gómez.

Fati i tij, me shumë gjasa, është një qeli burgu në Shtetet e Bashkuara ose, në rastin më të mirë, një mërgim i gjatë.
Ngritja e Maduros në pushtet ishte e shpejtë dhe tërësisht nën hijen e Hugo Chávez, nënkolonelit që nxiti “revolucionin e ri bolivarian”.

Në paraqitjen e tij të fundit televizive, i pafuqishem nga kanceri, Chávez tha: “Votoni për të”. Kur vdiq, Maduro zuri vendin e tij si udhëheqës i vendit. Disa muaj më vonë, më 14 prill 2013, ai fitoi zgjedhjet presidenciale me më pak se dy pikë përqindjeje mbi kandidatin e opozitës Henrique Capriles. Që atëherë, ai nuk ka treguar shenja se do të heqë dorë nga pushteti.
Në vitin 2014, qeveria Maduro shtypi me përgjakje protestat e studentëve, shpërndau Parlamentin në vitin 2017 për të krijuar një Asamble Kushtetuese më pajtuese dhe fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, në të cilat ua ndaloi kundërshtarëve të saj pjesëmarrjen dhe të cilat shumica e bashkësisë ndërkombëtare i konsideroi të paligjshme.

I paepur ndaj kritikave, maduro i mbijetoi një atentati: disa dronë të armatosur me eksplozivë e sulmuan atë gjatë një parade ushtarake. Aleatët e tij më besnikë ishin ushtria, e cila kontrollon 12 nga 34 ministritë, përfshirë atë të Naftës, burimin kryesor të Venezuelës. Shtetet e Bashkuara – dhe agjentët e CIA-s – deri më tani kishin dështuar të minonin paktin midis regjimit dhe forcave të armatosura, të cilat në fakt drejtojnë së bashku vendin.

Sipas disa analistëve, “pushtet i fshehur” i vërtetë në krah të Maduros është gruaja e tij, Cilia Flores, e cila në fund u kap me të. Një avokate dhe kongresmene, asaj i pëlqen të quhet “luftëtarja e parë” në vend të “zonjës së parë”. Ishte Chavez ai që i bashkoi. Djali i tyre, Nicolás Maduro Guerra, ose Nicolasito, një ish-kongresmen, është përmendur shpesh si një trashëgimtar i mundshëm politik i babait të tij. Fati i tij ka ndryshuar gjithashtu në orët e fundit.

Marrëdhënia e trazuar midis Venezuelës – e pasur me naftë – dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila ka mbështetur prej kohësh disidencën kundër regjimit Chavist, nuk është e re, as nuk është unike për këtë vit. Megjithatë, konflikti arriti kulmin këtë vit, menjëherë pas fillimit të mandatit të tretë presidencial të Nicolas Maduro-s, fituesit të vetëshpallur të zgjedhjeve të korrikut 2024, dhe inaugurimit të mëvonshëm të Donald Trump për mandatin e tij të dytë. Pasi mori detyrën, presidenti amerikan deklaroi se nuk e konsideronte Maduro-n një udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e etiketoi bandën Tren de Aragua si një organizatë terroriste transnacionale. bw

Arkivi i Voal.ch 2012 “LIBRIN E ARBEN PUTOS SHQIPTARËT DO TA HEDHIN NË PELHRA” Nga ANGELA MUKA

 

 

Motra e Mustafa Krujës, hartuesit të tekstit të Pavarësisë së Shqipërisë, të një prej firmëtarëve të saj, si dhe ish kryeministrit të Shqipërisë, Angela Muka, i drejtohet me një letër-reagim ndaj librit të historianit Arben Putos, “shqiptarët librin tuaj do ta hedhin në plehra”. Puto, në librin e tij “Lufta italo-greke”, ka përdorur cilësimin “fashist” për Mustafa Krujën, por dhe për patriotë të tjerë si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi apo dhe mbretin Zog, ndërsa për qeverinë e regjencës, përfshi këtu Rexhep Mitrovicën apo ministrin e Brendshëm Xhafer Deva, ai ka përdorur cilësimin “terrorist”. Reagimi i zonjës Angela Muka, në një letër të hartuar dhe firmosur prej saj, sjell edhe njëherë në vëmendje debatin për figurat historike, të cilat i zhvlerësoi në librin e tij Arben Puto, libër që u promovua në nëntorin e vitit të kaluar.

Letra

“Zoti Puto!
Unë dëshiroj jo me lapsin tim të përdor fjalët jo njerëzore, sikur se keni shkruar në artikullin e “Gazetës Shqiptare”, e keni thirrur vëllanë tim, Mustafa Krujën e shokët e tij Fishtën, Mbretin Zog dhe Koliqin, fashista.
Ju jeni gabim se këta janë dhe kanë qenë patriotët e Shqipërisë. Ata e kanë dashur atdheun e tyre më shumë se jetën e tyre, duke shërbyer në mënyrë shembullore për rininë e ardhshme. Ju si komunist tregoni se nuk keni as fe e as atdhe. Mustafa Kruja nuk e uli dinjitetin e tij, si keni shprehur ju në shkrimin tuaj. Ai fliste për Enver Hoxhën dhe thonte vetëm dy fjalë:
-“Ai është komunist dhe unë nuk jam”. Kështu këshillonte miqtë dhe rininë të flisnin me dinjitet. Sot Shqipëria dëshiron të shërojë plagët që i ka bërë diktatura komuniste për 50 vjet. Mjafton të lexosh librin e Ëngjëll Çobës dhe artikullin që shkruajti gazetari Luan Miftiu në gazetën “55”.
Pra shqiptarët e kanë kuptuar se çfarë kanë bërë komunistat, dhe nuk dëshirojnë të lexojnë gënjeshtrat e tyre që po i ulin vlerat e patriotëve të Shqipërisë. Shqiptarët librin tuaj do ta hedhin në plehra.
Presidenti Amerikan Kenedy i tha popullit:
-“Mos prisni se çfarë do të bëjë atdheu për ju, por ju çfarë do të bëni për atdheun”.
Mustafa Kruja ka bërë këto për Shqipërinë dhe Kosovën:
1-Në vitin ai formuloi fjalët e independencës së Shqipërisë. Kur e mbaroj kompozimin e fjalëve, Kruja thirri Ismail Qemalin dhe patriotët e tjerë e i tha:
-“Shqipnia nuk është e lirë pa Kosovën.”
Komunistët shqiptarët nuk e kanë përmendur kurrë Kosovën.
2-Mustafa Kruja në vitin 1942 e liroi Kosovën, shkollat shqipe u hapën për herë të parë.
3-Mustafa Kruja shkoi në Francë në ligën e shteteve me një flamur të vogël kuq e zi, mbajti një fjalim dhe tha:
“Ky është flamuri i Shqipërisë”, ai ishte 27 vjeç dhe ishte ulur pranë presidentit amerikan Willson.
4-Në vitin 1942 shpëtoi 350 familje hebreje prej Hitlerit, Kruja hapi portat e Shqipërisë për hebrejtë dhe i emigroi ata në vende të lira.
5-Gjithmonë vazhdonte të punonte për gjuhën shqipe dhe mbaroi dorëshkrimin për një fjalor nacional për Shqipërinë dhe Kosovën, mjerisht ishin botuar shkronjat A dhe B. Fatkeqësisht dorëshkrimet e fjalorit i kanë zhdukur komunistët, për shkak të tyre sot Shqipëria dhe Kosova nuk kanë një fjalor nacional në gjuhën shqipe.
6-Në emigracion mbreti Zog kuptoi se Shqipërinë donin ta ndanin në dy pjesë. Ai tha se vetëm Mustafa Kruja mund ta shpëtojë Shqipërinë. Mbreti Zog i çoi letër Krujës dhe i tha:
“Shqipëria ju do sot më fort se kurrë”.
Mustafa Kruja shkoi në Egjipt dhe bashkë me patriotët e tjerë formoi qeverinë “Shqipëria e Lirë”, kundër Enver Hoxhës.

 

ANGELA MUKA

Nga Shefqet Kelmendi: M a n d a t a (MAN DATA), të lame me lot e gjak… Dyert e burgut

Dy prej tyne hise më ranë. Më dysh jetën ato ma ndanë.

 

Kur të afrohet mandata e tretë, sheun ka me e gjetë ambël tue fjetë…

E mira dhe e keqja, janë në zhvillim – e njëjta gja.

I lumi ai që din me i nda.

 

Mandata e PARË –

 

Prizren, qershor-korrik, 1946.

Nga shkjau, por jo bigajri hak.

I ri nga mosha. Zgjati pak.

Përjetime të thella shumë

Treguen rrugën që do t’ndiqja unë.

 

Mandata e DYTË,

 

Thojtë në fyt…!

Tiranë, janar 1984.

Nga vllau me shpirt shkjau,

Pa i pasë hile e hak.

Më vjen s e r i!…

Si papritmas m’erdh ky mendim?

Mos jam gati për çmendinë?!…

E shkuemja, e tashmja

Edhe e ardhmja, që ende s’ka mbërritë,

Për miliardat e viteve pa fillim e pa mbarim,

(bashkë me data e mandata),

Janë nji ç a s t i pandërpremë,

Për HYJNOREN e përhershme.

 

Tiranë, 4 shkurt 2021

——————-

Dyer
Atëbotë kur duheshin hapë pesë dyer të blindueme me hekura e dryna të randë, për me mbërrijtë te qelia e nëndheshme numër 16, nji kthinë pa dritare, por veç me nji kamin në tavanin e naltë, mbi të cilin trokonte pajada si çekiç çizmja e rojës;
Atëbotë, kur dimnit dridhesha si purteka nga acari, ndërsa verës pëlcisja nga vapa përvëluese, aq sa kur ndonji mizë fatkeqe, që përbirohej nga vrima e sportelit dhe ngordhte brenda nji çasti prej asaj nxehtësie-furrë, tue më shkaktue dhimbjen e të ndimit vetëm;
Atëbotë, kur asht e lëkurë, skelet i gjallë, përditë i gjakosun nga “përkëdheljet” e njerëzve të drejtësisë;
Atëbotë, kur i lidhun kambë e duer, varun në fillin e holluem të jetës, po vdisja për nji pikë ujë;
Atëbotë, kur uji e vdekja më ishin ba të barasvlefshme, aq sa i thoja shpirtit dil, por ai nuk dilte;
Atëbotë, vetëm atëbotë, më vinte në krye ky mendim:
Asht i lumtur e nuk duhet me u ankue kurrë njeriu që mundet me pi ujë sa të dojë e kur të dojë, dhe e hap Derën me duert e veta sa herë t’i teket, e jo kur duen të tjerët.
Atëherë, vetëm kaq kërkoja.
Sot qesh me veten time. Qesh, sepse çelësi i hapjes dhe i mbylljes së kësaj d e r e qenka brenda meje. Përplasja me jetën nuk qenka dënim, por domosdoshmëri. Ma randësi paska përpjekja që bajmë për me e kuptua çfarë asht u j i dhe pse asht uji, se sa lundrimi nëpër tana oqeanet e kësaj bote.
Nga “Kujtimet e burgut”
——

Shefqet Kelmendi (Peja, 1930) është shkrimtar nga Kosova dhe njihet si një ndër përfaqësuesit e plejadës së të rinjve intelektualë krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Intelektualët e tjerë të sotshëm që e nisën aktivitetin patriotik në vjeshtën e vitit 1942 janë Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Kamber Pajaziti, Engjëll Berisha, Skënder Rizaj dhe Osman Basha.

U arratis nga vendlindja drejt Shqipërisë më 1956, ku punoi si arsimtar dhe botoi pjesë të shkrimeve të veta nëpër të përkohshmet letrare të kohës. Më 1984 u dënua me vdekje, por dënimi u rishikua më 1985 dhe iu shndërrua në 25 vite burgim.

Është autor i botimeve “Një brez i veçantë” – Prishtinë, 1993; “Heroina Marije Shllaku” – Tiranë, 1994 ; “Selim Kelmendi, dëshmor i demokracisë” – Shkodër, 1995.

Shefqet Kelmendi, i mbijetuar tregon Natën e të dënuemit me vdekje – Dhjetor, Stacioni i fundit

Shefqet Kelmendi, i mbijetuar i dënimit me vdekje tregon për Selim Kelmendin një tjetër martir, helmuar në burgun e Spaçit

Shefqet Kelmendi, i mbijetuar tregon Natën e të dënuemit me vdekje – Dhjetor, Stacioni i fundit

Nata e të dënuemit me vdekje

Nji dhomë e madhe garrabinë, pa dritare. Në murin përballë derës, rrazë tavanit të naltë, nji vrimë e vogël rrumbullake sa kryet e nji luani, prej së cilës përvidhej pakëz dritë e bardhë. Aty, vetëm aty ku hynte liria, i ngrimë shtang, hidhte vështrimin banori i vetëm i atij hangari të blinduem. Dhe ashtu i përhumbun, dikur u përbirue në murin e imagjinatës dhe doli jashtë…

Tash para tij shfaqet shiriti i jetës me pamje e ndodhi të ndryshme, por me dhimbje ma shumë. Tek-tuk edhe ndonji përjetim i kandshëm, që i dukej si mish i huej. Sa zgjati kjo, nuk dihet. U fut aty ku ishte, mbrenda derës numër 7, sepse drita e bardhë u shkim. Aty po e vëzhgonte syni i përbindëshit. Dhe ai sy, sterrë i zi, i foli:

…Erdhi nata. Besoj se e ke mësue qëkur ishe fëmijë shprehjen se nata të han. E kjo asht nata jote e fundit, nata që ka me të hangër. Java u mbush. Nji javë jetë të fali Gjykata e Naltë, me vendimin e formës së preme, pa të drejtë ankimi.

Mendja po të punon. Më vjen mirë. Mbahesh. Të mbajnë prangat me duer e kambë lidhë, dhe helmeta në krye; zorrët që po të llokoçiten nga uria; dhambët e thyem që po të kërcasin nga të ftohtit e këtij fundi dhjetori, datë 29, e shtune. Fundjava. Datë e paharrueme për ty. Por shumë shpejt ke me e harrue, me të ague dita tjetër, ditë të cilën nuk ke me e pa deri në perëndim. S’ke me pa kurrë ma dritë. Të mban gjallë edhe krahanori që po të digjet zhari për nji pikë ujë në cengun e këtij dimni të acartë; edhe veshi që po të kruhet, e që ti nuk mundesh me e prekë me dorë, ngase duart i ke në pranga. Lum si ti!

Po ta kam lakmi. Ke me u kënaqë nga breshëria e plumbave. Thonë se shndrisin me shpejtësi marramendëse. Por nëse ma së pari të përshkojnë rradaken, s’ke me pasë kohë me u kënaqë me ta.

Ti e di se para se me u dhanë urdhni ZJARR!, ke të drejtë me i thanë fjalët e fundit. Nëse të dalin prej buzëve. Por edhe në mos dalshin, pak randësi ka. Në këtë jetë çdo gja e merr era.

Dera u hap dhe dy hije të zeza e kapën përkrahësh. Nga 7-a e çuen tek 5-a. Aty e plandosën dhe e lanë në qetësinë e tij pa adresë…

Teksa po e çonin atje, si gand vuni re se dera kishte numrin 5. Vetëm kaq mban mend nga ajo dhomë e asgja tjetër. Po ky numër iu ngul si gozhdë në tru. Solli ndërmend dy emna pesërrokësh, të kapun bashkë shpinë për shpinë si dy faqet e nji monedhe, emna të cilët ia kishin dhurue këtë lumtuni që po përjetonte.

Tash ai nuk asht aty. Ka dalë e nuk dihet ku asht e si asht. Gjallë apo vdekun? I zgjuem apo në gjumë? I shtrimë apo në kambë? Lëviz apo nuk lëviz?

Shtatin e fishkun imcak shpirti po e braktis…

——————-

Dhjetor, stacioni i fundit
Ky dhjetor asht mueji ma i tmerrshëm i jetës sime. Edhe i fundit.
Kambë e duer në pranga, helmeta në krye, i veshun hollë dhe pa çorape.
Ecje e kujdesshme, e dalëngadalshme, e diktuemë nga prangat.
Dridhem nga të ftohtit. Uria ban që zorrët të më llokoçiten në bark.
Në pikë të hallit siç jam, më pihet edhe ujë. Oh sa më pihet ujë! Gjâja ma e tmerrshme asht se pagurja e ujit ndodhet fare pranë meje, veçse duhet me e hapë tapën me dhambë, që të mund të pi. Por dhambët më janë thye prej “përshëndetjeve” të shpeshta me grusht, që më kanë dhanë njerëzit blu.
“Bukuria” e këtyne gjendjeve qëndron në faktin se kur më kruhet ndonji pjesë e trupit s’mundem as me e prekë, ngaqë duert i kam të prangueme.
Dhe kulmi i kësaj gjendjeje të llahtarshme qëndron tek rrjedha e pandalshme e kohës, te numërimi i atyne pak orëve të mbetuna të jetës sime, jetë e cila do të marrë fund para skuadrës së pushkatimit.
Edhe tri ditë jetë!
Mendja asht ba gati për me u nisë në nji shëtitje pa kthim.
Por mrekullia ma e madhe qëndron në faktin se njeriu vazhdon me shpresue deri në çastin e mbramë.
Më vjen me qeshë. Qeshja ime e mbytun kumbon shurdhtazi në ajrin e ftohtë të qelisë.
Ndoshta nuk asht qeshje, por thjesht shenja e parë e çmendurisë që po afrohet nëpër errësinë.
——–
Livadhi
Livadhi në shpat,
Me prroje përbri,
Lymin pak nga pak,
Derdhë e ka në Dri.
Koha ia ka rrudhë
Shtatin tash sa vjet,
Po blerimin krye,
Nuk e ka sosë krejt.
Ushqeu shumë frymorë,
Afro dyzet vjet,
Zogjtë e tij tek ai
Dritë e gaz kanë gjetë.
Livadhi po bie
Thellë në hon të madh.
Ndoshta ka me u ndi:
Ka qenë nji livadh.
Burgu i Spaçit, 1985

Shefqet Kelmendi (Peja, 1930) është shkrimtar nga Kosova dhe njihet si një ndër përfaqësuesit e plejadës së të rinjve intelektualë krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Intelektualët e tjerë të sotshëm që e nisën aktivitetin patriotik në vjeshtën e vitit 1942 janë Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Kamber Pajaziti, Engjëll Berisha, Skënder Rizaj dhe Osman Basha.

U arratis nga vendlindja drejt Shqipërisë më 1956, ku punoi si arsimtar dhe botoi pjesë të shkrimeve të veta nëpër të përkohshmet letrare të kohës. Më 1984 u dënua me vdekje, por dënimi u rishikua më 1985 dhe iu shndërrua në 25 vite burgim.

Është autor i botimeve “Një brez i veçantë” – Prishtinë, 1993; “Heroina Marije Shllaku” – Tiranë, 1994 ; “Selim Kelmendi, dëshmor i demokracisë” – Shkodër, 1995.

Shefqet Kelmendi, i mbijetuar i dënimit me vdekje tregon për Selim Kelmendin një tjetër martir, helmuar në burgun e Spaçit

 

Kur ia shqiptuan dënimin, Lev Kamenevi u thinj brenda natës

VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli – burat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi), nga kapitulli “Vitet e stalinizmitt”, po shkëputim shënime për viktimat e regjimit despotik sovjetik në sferat e larta, shoqëruar me sqarime nga Wikipedia.

Narodny Kommissariat Wnutrennich Djel (NKVD) mori në hetim Lev Kamenevin. (Në Bashkimin Sovjetik, të ashtuquajturit Komisariate Popullore morën funksionet e ministrive. Në këtë drejtim, NKVD ishte afërsisht ekuivalente me një Ministri të Brendshme deri në vitin 1946. Ndryshe nga Ministria e Brendshme në një demokraci, NKVD ishte shumë e përfshirë në operacionet e inteligjencës vendase. Deri sot, ajo mbetet sinonim i një organizate terroriste vendase në ndërgjegjen publike. Prandaj, termi NKVD qëndron për policinë sekrete sovjetike, përgjegjëse për vdekjen e miliona njerëzve.)

Lev Borisovich Kamenev (lindur Lev Borisovich Rozenfeld- 18 korrik(julian)- 6 korrik (gregorian) 1883 – 25 gusht 1936) nga një familje hebreje ishte një politikan revolucionar ruso-sovjetik. Një bolshevik i vjetër i shquar, Kamenev ishte një figurë udhëheqëse në qeverinë e hershme sovjetike dhe shërbeu si zëvendëskryeministër i Bashkimit Sovjetik nga viti 1923 deri në vitin 1926.

Marrëdhënia me kunatin e tij Trockin, e cila ishte e mirë pas revolucionit të vitit 1917 dhe gjatë Luftës Civile Ruse, u dobësua pas vitit 1920. Për 15 vitet e ardhshme, Kamenev ishte mik dhe aleat i ngushtë i Grigory Zinovievit, ambicia e të cilit i tejkaloi ato të Kamenevit.

Së bashku me Zinovievin dhe Josif Stalinin, ai formoi një Triumvirat qeverisës (i njohur edhe me emrin rus Troika) në Partinë Komuniste dhe luajti një rol kyç në margjinalizimin e Trockit. Triumvirati menaxhoi me kujdes debatin brenda partisë dhe procesin e përzgjedhjes së delegatëve në vjeshtën e vitit 1923 gjatë periudhës përgatitore për Konferencën e 13 të Partisë, duke siguruar shumicën dërrmuese të vendeve. Konferenca, e mbajtur në janar 1924, menjëherë para vdekjes së Leninit, denoncoi Trockin dhe “Trockizmin”.

Në pranverën e vitit 1924, ndërsa triumvirati po kritikonte politikat e Trockit dhe të Opozitës së Majtë si “anti-leniniste”, tensionet midis Zinovievit të paqëndrueshëm e aleatit të tij të ngushtë Kamenev nga njëra anë, dhe Stalinit të kujdesshëm nga ana tjetër, u bënë më të theksuara dhe kërcënuan t’i jepnin fund aleancës së tyre të brishtë. Megjithatë, Zinovievi dhe Kamenevi ndihmuan Stalinin të mbante pozicionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror në Kongresin XIII të Partisë në maj-qershor 1924 gjatë polemikave të para të Testamentit të Leninit, duke siguruar që triumvirati të fitonte më shumë avantazh politik në kurriz të Trockit.

Në gusht të vitit 1936, pas muajsh të hetimeve në burgjet e policisë sekrete sovjetike, Zinovievi, Kamenevi dhe 14 të tjerë, kryesisht bolshevikët e vjetër, u nxorën përsëri në gjyq. Këtë herë, akuzat përfshinin formimin e një organizate terroriste që vrau Kirovin dhe u përpoq të vriste Stalinin dhe udhëheqës të tjerë të qeverisë sovjetike. Ky Gjyq i të Gjashtëmbëdhjetëve ishte një nga Gjyqet Treguese të Moskës dhe përgatiti skenën për gjyqet e mëvonshme treguese. Bolshevikët e vjetër u detyruan të rrëfenin krime gjithnjë e më të përpunuara dhe monstruoze, duke përfshirë spiunazhin, helmimin dhe sabotimin. Ashtu si të pandehurit e tjerë, Kamenevi u shpall fajtor dhe u ekzekutua me pushkatim më 25 gusht 1936. Fati i trupit të tij është i panjohur. Në vitin 1988, gjatë perestrojkës, Kamenevi, Zinovievi dhe të pandehurit e tjerë u rehabilituan zyrtarisht nga Kolegjiumi Ushtarak i Gjykatës Supreme të Bashkimit Sovjetik.

Pas ekzekutimit të Kamenevit, të afërmit e tij pësuan fate të ngjashme. Djali i dytë i Kamenevit, Yu. L. Kamenev u ekzekutua më 30 janar 1938, në moshën 17 vjeç. Djali i tij më i madh, oficeri i Forcave Ajrore A.L. Kamenev, u ekzekutua më 15 korrik 1939 në moshën 33 vjeç. Gruaja e tij e parë, Olga, u ekzekutua më 11 shtator 1941, në pyllin Medvedev jashtë Oryolit, së bashku me Christian Rakovsky, Maria Spiridonovën dhe 160 të burgosur të tjerë të shquar politikë. Vetëm djali i tij më i vogël, Vladimir Glebov, i mbijetoi burgjeve dhe kampeve të punës së Stalinit, duke jetuar deri në vitin 1994.
Në fund të hetimeve të gjata nga NKVD, Kamenev u shpreh: “Nuk është me rëndësi cili do të jetë dënimi im, unë e konsideroj të drejtë paraprakisht.. Kur e dëgjoi dënimin, mbeti i shastisur, ndoshta e gënjente mendja. Brenda natës u thinj krejtësisht.

E ekzekutoi një toger i NKVD-së, i cili fillimisht e mbyti me shqelma, pastaj e zbrazi revolen në trupin e pajetë.

“Je fajtor. Tani na i trego një për një bëmat e tua!”- kështu fillonin hetimet nga NKVD.

Edhe krerët e shërbimeve sekrete patën të njëjtin fat: Jagoda sepse kishte vrarë pak, Jezhovi sepse kishte vrarë tepër, Berija sepse iu kishte krijuar probleme personazheve të lartë politikë.

Genrikh Grigoryevich Yagoda (rusisht: Ге́нрих Григо́рьевич Яго́да, transliterim shkencor Genrich Grigor’evič Yagoda, fillimisht Jenoch Gershenovich Yehuda; * 7 nëntor(Julian)/ 19 nëntor (Gregorian) 1891 në Rybinsk; † rreth 15 marsit 1938 [me sa duket] në Moskë) ishte kreu i Ministrisë Sovjetike të Punëve të Brendshme NKVD nga viti 1934 deri në vitin 1936, e cila u formua nën udhëheqjen e tij nga bashkimi i policisë sekrete OGPU me Komisariatin Popullor të Punëve të Brendshme NKVD të mëparshëm.

Nikolai Ivanovich Jezhov (rusisht: Николай Иванович Ежов, IPA: [nʲɪkɐˈlaj ɪˈvanəvʲɪtɕ (j)ɪˈʐof]; 1 maj 1895 – 4 shkurt 1940), i njohur edhe si Jezhov, ishte një zyrtar i policisë sekrete sovjetike nën Josif Stalinin, i cili ishte kreu i NKVD-së nga viti 1936 deri në vitin 1938, në kulmin e Spastrimit të Madh. Jezhov organizoi arrestime masive, tortura dhe ekzekutime gjatë Spastrimit të Madh, por ai humbi mbështetjen e Stalinit dhe u arrestua, duke pranuar më pas në një rrëfim një sërë aktivitetesh antisovjetike, duke përfshirë “arrestime të pabaza” gjatë Spastrimit. Ai u ekzekutua në vitin 1940 së bashku me të tjerë që u fajësuan për Spastrimin.

Lavrentiy Pavlovich Beria (gjeorgjisht: ლავრენტი ბერია; rusisht: Лаврентий Павлович Берия/Lavrentiy Pavlovich Beria; transliterim shkencor: Lavrentij Pavlovič Beria; * 17 Mars (O.S.) / 29 Mars (O.S.) 1899 në Mercheuli pranë Sukhumit; † 23 Dhjetor 1953 në Moskë) ishte një politikan komunist (PKBS) dhe kreu i shërbimeve sekrete të Bashkimit Sovjetik nga viti 1938 deri në vitin 1953.

Posti tij e bëri atë një figurë kyçe në terrorin e spastrimeve staliniste. Përveç krimeve të shumta dhe vrasjeve masive të tjera, siç është masakra e Katynit, ai ishte kryesisht përgjegjës për deportimet e disa grupeve etnike sovjetike në vitet 1940, të cilat rezultuan në vdekjen e të paktën gjysmë milioni njerëzve. Pas Luftës së Dytë Botërore, Lavrentiy Beria ishte gjithashtu organizatori kryesor i projektit sovjetik të bombës atomike.

Menjëherë pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, Beria u arrestua dhe u qëllua me nxitjen e disa udhëheqësve sovjetikë. Rrethanat e vdekjes së tij nuk janë plotësisht të qarta. Beria, së bashku me vetë Stalinin, konsiderohet personifikimi i dhunës në familje në Bashkimin Sovjetik gjatë epokës së Stalinit, edhe pse Terrori i Madh kishte filluar tashmë nën paraardhësin e tij, Nikolai Jezhov.
Ka qenë tepër e rrezikshme të bëje xhelatin në një regim despotik./S.B.

Dick Van Dyke i paharrueshem nga Mary Poppins feston një shekull jetë

I kthjellët dhe aktiv, i paharrueshëm nga Mary Poppins zbulon sekretet e jetëgjatësisë së tij, midis stërvitjes dhe dashurisë për gruan e tij, Arlene Silver.

Aktori do ta festojë përvjetorin e rëndësishëm në shtëpi me familjen e tij.

Dick Van Dyke,  ikoniku nga “Mary Poppins”, feston sot një shekull jetë, duke ruajtur një qartësi dhe vitalitet të mahnitshëm.

I lindur më 13 dhjetor 1925, në West Plains, Missouri, aktori do ta festojë këtë moment të rëndësishëm me familjen e tij.

Pavarësisht sëmundjeve të pleqërisë, Van Dyke mbetet në formë të shkëlqyer: disa ditë më parë, ai u fotografua në Los Angeles, i qetë dhe i buzëqeshur, i shtyrë në një karrocë me rrota nga gruaja e tij 54-vjeçare, Arlene Silver.

Aktori, i cili një vit më parë i kënaqi fansat me një paraqitje të shkurtër këndimi dhe vallëzimi në një video të Coldplay të xhiruar në shtëpinë e tij në Malibu, zbuloi sekretet e jetëgjatësisë së tij aktive.

Midis tyre janë seancat e tij tre-javore në palestër, thelbësore për ruajtjen e kockave dhe muskujve të tonifikuar, si dhe lidhja e tij e thellë me gruan e tij, një gur themeli i ekzistencës së tij.

Këmbët e tij, të cilat ai i quan “pasuria e tij më e çmuar”, vazhdojnë ta mbështesin në këtë aventurë të jashtëzakonshme shekullore.

Can Yaman: Gjyshërit e mi janë me origjinë kosovare e shqiptare

Fotografi nga facebook me nënën Guldem dhe babain Guven në Stamboll viti 2023

Historia e tij ka diçka prej përralle, shkruan Corriere della Sera. Can Yaman ishte ende një avokat i ri kur u vu re në dasmën e një miku aktor. I propozuan një rol të vogël në televizion dhe aventura do të kishte mbaruar aty, po të mos ishte fakti se ai si konsulent në Price Waterhouse Coopers në Stamboll, i diplomuar në Jurisprudencë dhe student shembullor ndihej i palumtur duke kaluar ditët para kompjuterit.

Në moshën 24-vjeçare vendosi kthesën që do ta çonte deri te Sandokan, seriali ku sot është protagonist, shkruan gazeta prestigjioze italiane.

Artikulli i plotë:

Fillon karrierën në serialet turke që në vitet 2019–2020 u transmetuan në Canale 5 (Bittersweet – Përbërësit e dashurisë, Day Dreamer – Krahët e ëndrrës). Disa thonë se pamja e tij të kujton Kabir Bedi-n, aktorin indian të sagës së famshme të bazuar mbi veprën e Emilio Salgarit, të transmetuar në vitin 1976. Turmat e fansave, megjithatë, më shumë e krahasojnë me piratin e Karaibeve, Johnny Depp.

Pesëdhjetë vjet pas kolosalit të parë, Can shqiptohet “Zhan”, si në frëngjisht thirret të interpretojë Tigrin e Malajzisë në tetë episode të prodhuara nga Lux Vide (grupi Fremantle) dhe Rai Fiction, me regji të Jan Michelini dhe Nicola Abbatangelo.

Është një prodhim ndërkombëtar, me një kast po aq të gjerë: Alessandro Preziosi në rolin e Yanez De Gomera-s, Alanah Bloor si Perla e Labuanit, ndërsa John Hannah dhe Ed Westwick interpretojnë sergentin Murray dhe Lord Brooke.

Ngjarjet zhvillohen në Borneo, në vitin 1841, mes popujve që luftojnë për liri dhe fuqive koloniale shtypëse. “Ky serial zbulon të kaluarën e Sandokan-it, një pirat me zemër si Robin Hood dhe me një spiritualitet të fortë. Është një luftëtar që buzëqesh,” thotë Yaman.

“Kisha kohë të përgatitesha, sepse xhirimet u shtynë për shkak të pandemisë.”

 

Me këmishë pak të hapur dhe pamje joshëse, aktori 36-vjeçar bëhet tejet serioz kur flet për profesionin e tij dhe nuk pranon të vlerësohet vetëm për sex appeal-in. Që prej transferimit në Itali në vitin 2021, popullariteti i tij është rritur ndjeshëm. Për shkak të numrit të madh të admiruesve, ai është shfaqur publikisht me një partnere (Sara Bluma, DJ me origjinë algjeriane) vetëm disa muaj më parë.

A e kishte lexuar sagën e Sandokan-it?

“Në Turqi nuk njihet shumë. Fillova të lexoj Salgarin në vitin 2021 për Sandokanin. Isha i paduruar të hyja në set, por pritja më ndihmoi të përgatitesha: humba dhjetë kilogramë, mësova kalërimin, studiova skenarin në anglisht (në versionin italian dubl-het nga Adriano Giannini).”

Ndërkohë, jeni ambientuar plotësisht me Italinë.

“Kam punuar në seriale të tjera që më kanë ndihmuar të rritem profesionalisht (Viola come il mare, Il Turco). Projekti Sandokan më jepte ankth. Fillimisht kisha frikë nga skenat e aksionit, por u desh të përqendrohesha sidomos te zhvillimi emocional. Më mësoi të ruaj pozitivitetin edhe në momentet e vështira. Zbulova edhe një strategji: të mendoj vetëm për të tashmen.”

E fliste tashmë italishten. Pse zgjodhe liceun italian kur ishe adoleshent?

“Mamaja ishte shumë e përkushtuar ndaj arsimimit tim. Donte që të ndiqja shkollat më të mira dhe të rritesha si qytetar i botës. Deri në moshën 14-vjeçare kam studiuar në një shkollë ku flitej anglisht, dhe për të mësuar një gjuhë tjetër zgjodha liceun italian, një nga më elitarët. Përzgjidhnin vetëm 80 studentë; disa lëndë i studionim në italisht, të tjerat, si historia, në turqisht.”

A është e vërtetë që flet edhe gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht?

“Kam bazën shkollore, por nuk i kam praktikuar. Ndërsa spanjishten po e mësoj tani për një serial që do të xhiroj në Madrid, por nuk mund të zbuloj më shumë. Jam shumë i disiplinuar kështu jemi mësuar në Turqi: punojmë 16 orë në ditë, derisa regjisorët na dërgojnë në shtëpi. Ky mentalitet i habit italianët: kërkoj shumë edhe nga bashkëpunëtorët. Për mua, dhjetë orë punë janë pak.”

Si ishte fëmijëria e tij në Stamboll?

“Jam rritur në Suadiye, një lagje rezidenciale në pjesën aziatike të qytetit, me fusha futbolli e basketbolli për djemtë. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë e të tretë, si gjyshërit e mi janë me origjinë kosovare e shqiptare, që kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata mes tyre flisnin shqip.”

E flet edhe shqipen?

“Jo. Babai ka lindur në Turqi dhe unë jam rritur si një djalë tipik i Stambollit, edhe pse mes njerëzve nga çdo vend. Nuk na habisin kulturat e ndryshme ato janë pjesë e historisë së Perandorisë Osmane. Turqia ka shumë migrantë, dhe vendndodhja jonë mes Lindjes, Europës dhe Afrikës së Veriut ndikon shumë në këtë. Si i rritur, mund të zgjedhësh vetë nëse do të jesh më perëndimor apo më lindor.”

Ke zgjedhur të jetosh në Itali. Çfarë përfaqëson Italia për ty?

“Një kulturë që e njoha për herë të parë falë liceut italian. Në moshën 14-vjeçare kalova verën me një familje në Livorno. U ktheva në 16 dhe tashmë e flisja shumë mirë. Çdo vit shkolla shpërblente nxënësit më të mirë dhe unë fitoja gjithmonë: një herë një laptop, një herë një shumë parash. Kur i thashë drejtoreshës se doja të studioja Jurisprudencë, ajo më këshilloi të përdorja paratë për të vizituar universitete si Padova, Siena dhe Bolonja.”

Por u diplomove në Turqi.

“Për arsye kohe. Në Itali do të më duheshin pesë vjet studim dhe dy të tjerë praktikë, plus dy të tjerë nëse do të kthehesha në Turqi. Më mirë ta përfundoja atje.”

A ishte me të vërtetë ëndrra jote të bëheshe avokat?

“Duhej të zgjidhja një profesion. Më pëlqente të lexoja dhe të mësoja gjuhë, dhe babai më tha: ‘Mund të bëhesh avokat ndërkombëtar’. Ai është shumë bindës dhe ideja e një karriere jashtë më pëlqente. Pas diplomimit u punësova në Price Waterhouse Coopers dhe, falë një mentori që u bë edhe miku im, fillova të shkruaja për revista të specializuara në financë dhe çështje ligjore.”

Si e pritën prindërit kalimin e tij në aktrim?

“Ndoshta fillimisht nuk e kuptonin, por e pranuan. Ata kanë pasur gjithmonë shumë besim tek unë.”

Tri pyetje për gjeneralin Charles De Gaulle

VOAL- Në librin “Tregim i një shekulli- Burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX”, botim i vitit 1999, Enzo Biagi (Enco Biaxhi)  sillte ndër të tjera edhe tri pyetje që përvijojnë portretin e Gjeneralit Charles De Gaulle (Sharl Dë Gol).

(Charles de Gaulle, i lindur më 22 nëntor 1890, Lille, Francë – vdiq më 9 nëntor 1970, Colombey-les-deux-Églises, ishte një ushtararak francez, shkrimtar, burrë shteti dhe arkitekt i Republikës së Pestë të Francës):

– Çfarë mendonte De Gaulle për gjermanët?

“I njihte mirë, e fliste gjuhën e tyre, mendonte se dalloheshin për dy përbërës kryesorë: atë çfarë ishin krijuar nga natyra dhe atë çfarë ishin shndërruar për faj të Hitlerit.”

– Cilat kritika e lëndonin më shumë gjeneralin?

“Keqkuptimi nga shtypi.”

– E akuzonin se ishte krenar.

“Nuk ishte krenar për veten; ishte i bindur, në njëfarë shkalle, se mishëronte Francën. Kur ai thoshte “Ne, Charles De Gaulle” e bënte këtë, sepse mendonte se ishte simboli i atyre që luftonin.” S.B.


Send this to a friend