VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Gjiganti farmaceutik Bayer shkurton 4 500 vende pune në Gjermani

By | April 10, 2019

Komentet

BE-ja ia përsërit Britanisë: Nuk e rihapim marrëveshjen e Brexit-it

Komisioni Evropian sërish përjashtoi mundësinë e rihapjes së marrëveshjes së Brexit-it të dakorduar me britanikët në fund të vitit të kaluar.

BE-ja e përsëriti qëndrimin pas informacioneve se kryeministrja britanike, Theresa May u kishte kërkuar këshilltarëve të saj të rishikojnë marrëveshjen në pjesën që ka të bëjë me kufirin irlandez.

“Përjashtojmë mundësinë që të rinegociojmë ose rihapim marrëveshjen sepse tashmë kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Ndërkohë, nga Londra bëhet e ditur se bisedimet mes qeverisë dhe opozitës do të vazhdojnë pas pushimeve për festën e Pashkëve.

Ministrat e kabinetit do të takohen me figura të larta të opozitës në një përpjekje për të zgjidhur bllokimin për një marrëveshje të Brexit-it që mund të fitojë mbështetjen e deputetëve.

Parlamenti britanik nuk i ka miratuar disa versione të marrëveshjes së Brexit-it të cilat kryeministrja Theresa May i kishte propozuar për votim.

Kjo bëri që kryeministrja May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian të pajtohen për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

Politikani gjerman kritika Mogherin-it: Nxiti planet për shkëmbim terrritoresh

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini “ka nxitur planet e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha për “Der Tagesspiegel” nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Johann Wadephul.

Në prag të samitit të organizuar nga Kancelaria gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, me delegacione nga Prishtina e Beogradi, të udhëhequra nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, e përditshmja gjermane bisedoi me disa anëtarë të parlamentit, të cilët theksuan qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë sa i takon idesë së shkëmbimit të territoreve.

Vuçiç dhe Thaçi kanë folur hapur mbi mundësinë e një skenari të tillë, të konsideruar një opsion për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Der Tagesspiegel” kujton se ka pasur fjalë që edhe Mogherini është e hapur ndaj një ideje të tillë, për të cilën Berlini zyrtar ka rezerva të forta.

“Nuk ekziston absolutisht asnjë garanci, se një ndryshim i kufijve apo një shkëmbim i territoreve do të kufizohej vetëm te Serbia dhe Kosova”, deklaroi Wadephul, sipas të cilit një lëvizje e tillë do të rindizte paqëndrueshmërinë dhe konfliktet etnike në Ballkanin Perëndimor, e nuk do të përjashtonte as gjasat e një konflikti ushtarak.

Gjermanët shpenzuan 8 miliardë euro në birra vitin e kaluar

Gjermanët shpenzuan mesatarisht 100 euro për kokë banori vitin e kaluar duke blerë birra apo pije me përmbajtje të birrës.

Shifrat dolën nga një studim i tregut që bëri kompania Nielsen.

Sipas saj, në vitin 2018, në Gjermani u shitën rreth 6.1 miliardë litra birrë, 2.9% më shumë se në vitin paraprak.

Qarkullimi u rrit për 7%, përkatësisht në 8 miliardë euro, pasi pothuajse të gjitha brendet e njohura të birrës i rritën çmimet.

Sipas studiuesve të tregut, birrat klasike, si Pilsner, u ballafaquan me konkurrencë në rritje, ndërsa birrat joalkoolike u bënë gjithnjë e më popullore.

Humoristi i fiton bindshëm zgjedhjet, bëhet president i ri i Ukrainës

Humoristi Volodymyr Zelensky ka fituar në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, për t’u bërë udhëheqës i ri i vendit.

Kështu tregojnë rezultatet e anketave me qytetarët pas votimit të tyre, të njohura si ‘exit poll’.

Sipas këtyre anketave, Zelensky ka fituar më shumë se 70 për qind të votave në garën përballë presidentit aktual, Petro Poroshenko.

Zelensky ka fituar edhe rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që është mbajtur tri javë më parë, në një garë me gjithsej 39 kandidatë.

Presidenti i Ukrainës ka kompetenca të rëndësishme rreth sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme të vendit. /Express/

Holandë, vazhdon spektakli tradicional në kopshtin më të madh të tulipanëve

Kopshti botanik Keukenhof në Holandë, i njohur si kopshti më i madh në botë i tulipanëve dhe i cilësuar si atraksioni kryesor i vendit, këtë vit mirëpret mysafirët e saj me temën “fuqia e lules”.

Keukenhof, një nga kopshtet më të mëdha në botë të luleve, që gjendet në qytetin Lisse, këtë vit hap dyert për herë të 70-të.

Kopshti çdo vit organizon spektaklin e luleve me koncepte të ndryshme, ndërsa tema e këtij viti do të jetë “fuqia e lules”. Fuqia e lules, ngjyrat e ndritshme, stili hippie, paqja dhe muzika përfaqëson atmosferën e viteve 70.

Përgatitjet për kopshtin, në të cilin gjenden thuajse të gjitha llojet e tulipanëve, kanë vazhduar me muaj.

Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanit, kopshti qëndron i hapur vetëm në muajt prill dhe maj.

Këtë vit, në kopshtin me sipërfaqe prej 32 hektarësh, janë mbjellur shtatë milionë lule, shumica tulipanë.

Në kopsht mund të shihen fotografë të shumtë duke shijuar spektaklin e ngjyrave, ndërsa po ashtu organizohen edhe ekspozita të ndryshme dhe shfaqje.

Kopshti siguron mbështetje të mëdha nga familja mbretërore. Deri në mesin e muajit maj, ai pritet të vizitohet nga mbi një milion njerëz nga rreth 100 vende.

Sipas të dhënave zyrtare të Keukenhof, në mesin e vizitorëve të kopshtit, prej të cilëve 80 për qind janë turistë të huaj, të parët radhiten gjermanët, francezët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.

Kopshti u krijua në vitin 1950 dhe atëherë ishte vizituar nga 236 mijë njerëz.

Keukenhof konsiderohet edhe si platformë ku kultivuesit ekspozojnë prodhimet e tyre.

Edhe pse tulipani origjinon nga Turqia, kjo lule asocohet me Holandën dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e saj. Holandezët prodhojnë mbi katër miliardë bulbe të tulipanit në vit, ndëra rreth gjysma e tyre eksportohen jashtë vendit.

Ekspertët vlerësojnë dëmet e zjarrit në Notre Dame

Ekspertët kanë filluar vlerësimin e dëmeve në katedralen Notre Dame të Parisit, pas deklaratës së zyrtarëve se zjarri që shkatërroi kishën e famshme ishte shuar. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Parisit, Gabriel Plus, tha se specialistët dhe arkitektët kishin filluar “studimin e lëvizjeve strukturore dhe shuarjen e materialit të shkrumbuar.”

Megjithëse zjarri shkaktoi dëme masive në ndërtesën e famshme gotike në qendër të Parisit, shefi i brigadës zjarrfikëse të qytetit, Jean-Claude Gallet, u tha gazetarëve se zjarrfikësit kishin shpëtuar dy kullat emblematike të katedrales dhe strukturën prej guri. Flakët, të cilat gjatë djegies shkonin në deri 10 metrash lartësi, shkatërruan një pjesë të mirë të çatisë dhe shkaktuan rrëzimin e saj.

Zyrtarët e Parisit thanë se zjarrfikësit punuan për të shpëtuar sa më shumë vepra arti dhe objekte të shenjta nga katedralja e shekullit të 12-të. Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanual Gregorie tha se copat e Kurorës së supozuar të Krishtit u shpëtuan dhe u transportuan në një vend “sekret”. Gjithashtu, organoja me famë botërore e shekullit të 18-të mbijetoi, tha zyrtari, po ashtu edhe statujat që ishin hequr vetëm disa ditë më parë për restaurimin dhe thesare të tjera brenda katedrales.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse zyrtarët e zjarrfikësve thanë se flaka mund të kishte lidhje me “punimet e rinovimit” që po bëheshin në ndërtesë.

Prokurori i Parisit Remy Heitz tha se është duke u zhvilluar një hetim që përfshin 50 specialistë, i cili do të jetë “i gjatë dhe kompleks”. Heitz tha se hetuesit do të intervistojnë punëtorët e pesë kompanive që punojnë për restaurimin. Zëdhënësi i njërës prej kompanive, Julien le Bras, tha se “të gjitha masat e sigurisë janë respektuar” nga 12 punëtorët e tij, të cilët ai tha se janë “duke marrë pjesë në hetim pa asnjë hezitim”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehte tronditje dhe trishtim duke e quajtur Notrë Damën një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”. Zëdhënësi i Vatikanit Alessandro Gisotti shkruante të martën në Twitter se Papa Françesku po lutej “për ata që po përpiqen të përballojnë këtë situatë dramatike”.

Presidenti Macron tha se do të niste një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar në këtë përpjekje.

Familja e biznesmenit miliarder francez Bernard Arnault u zotua të dhuronte 226 milionë dollarë për projektin, ndërsa biznesmeni François-Henri Pinault premtoi 113 milion dollarë. Kreu i Bashkimit Evropian Donald Tusk i bëri thirrje bllokut prej 28-vendesh të ndihmojë në përpjekjet e restaurimit.

Zjarri ndodh gjatë një momenti të shenjtë të vitit për të krishterët, më pak se një javë para Pashkëve dhe gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë Katolike. Të dielën në katedrale ishte planifikuar një meshë për Pashkët.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin kambanave në një thirrje për lutje. Konferenca franceze e peshkopëve njoftoi të martën se këmbanat në 103 katedralet katolike në të gjithë vendin do të bien të mërkurën në orën 18:50 UT, koha kur shpërtheu zjarri të hënën.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, me miliona njerëz që shkojnë aty çdo vit. Ajo daton në shekullin e 12 dhe njihet si skena e ngjarjeve të romanit klasik të Viktor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.

Lutje dhe himne për Katedralen e Notrë Damit

Brigada e zjarrëfiksave të Parisit tha të martën se struktura e katedrales së famshme të Notrë Damit është shpëtuar, së bashku me punimet kryesore të artit, pasi 400 zjarrfikës luftuan për më shumë se nëntë orë me një zjarr që shkaktoi dëme masive.

Dy kullat ikonë të ndërtesës dhe struktura e gurit i rezistuan zjarrit , por çatia dhe maja e katedrales së shekullit të 12-të, u shembën nga flaka.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo falënderoi zjarrfikësit dhe oficerët e policisë që ndihmuan në shpëtimin e objekteve të shenjta dhe veprave të mëdha të artit nga katedralja.

Merci aux @PompiersParis, aux policiers et aux agents municipaux qui ont réalisé ce soir une formidable chaîne humaine pour sauver les œuvres de #NotreDame. La couronne d’épines, la tunique de Saint Louis et plusieurs autres œuvres majeures sont à présent en lieu sûr. pic.twitter.com/cbrGWCbL2N

— Anne Hidalgo (@Anne_Hidalgo) April 15, 2019

Ajo tha se Notrë Dami është një vend ku “rezonohet shpirti i Parisit”.

Brigada e zjarrëfikësave tha se dy policë dhe një zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin.

“E keqja më e madhe u shmang, edhe pse beteja nuk është fituar ende plotësisht”, tha presidenti francez Emmanuel Macron para gazetarëve në katedralen pak para orës lokale të mesnatës. Ai tha se do të niste një fushatë kombëtare për grumbullimin e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar me këtë përpjekje.

Disa orë më vonë, miliarderi francez François-Henri Pinault premtoi 113 milionë dollarë ndihma në përpjekjen e rindërtimit, i ndjekur shpejt nga një tjetër miliarder francez Bernard Arnault, familja dhe kompania e të cilit tha se do të kontribuonin me 226 milionë dollarë.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse mediat franceze njoftuan zyrtarët të kenë thënë se ai mund të ishte “i lidhur potencialisht” me punët rinovuese që po bëhen në ndërtesë.

Disa pjesë të ndërtesës ishin nën skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi u hoqën javën e kaluar për rinovimin.

Zyra e prokurorisë së Parisit tha se ka nisur një hetim mbi zjarrin dhe tha se po e trajtonte incidentin si një zjarr “të pavullnetshëm”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehet tronditje dhe trishtim dhe e quajti Notrë Damin një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”.

Zjarri ndodhi gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë, dhe më pak se një javë para Pashkëve. Një meshë për Pashkët ishte planifikuar për në katedrale të dielën.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin këmbanave të kishave në një thirrje për lutje.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë Notrë Damit dhe pastruan zonën rreth katedrales, ndërsa hiri ra mbi blloqet përreth.

Mijëra dashamirës u rreshtuan në urat mbi lumin Senë vonë në mbrëmje për të parë skenën ndërsa të tjerë u mblodhën pranë kishës Saint Julien Les Pauvres duke kënduar himne dhe duke bërë lutje.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, që pret çdo vit miliona njerëz. Ajo është e famshme në portretizimin e romanit klasik të Viktor Hugosë, “Kurrizoja i Notrë-Damit”.

Katedralja Notre Dame përfshihet nga zjarri

Katedralja e famshme Notre Dame e Parisit është përfshirë nga flakët.

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.

Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfiksëve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo shkruante në Twitter: “Një zjarr i tmerrshëm ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin. Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë”.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar.

E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit.

Operacioni i zjarrfikësve është në vazhdim e sipër, por kulmi i ndërtesës gotike 850-vjeçare u shemb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e anuloi fjalimin drejtuar kombit, njoftoi një zyrtar i Pallatit Elysee.

“Jam i pikëlluar sonte që shoh këtë pjesë tonën të digjet”, tha Macron në një postim në Twitter.

Notre-Dame de Paris en proie aux flammes. Émotion de toute une nation. Pensée pour tous les catholiques et pour tous les Français. Comme tous nos compatriotes, je suis triste ce soir de voir brûler cette part de nous.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) April 15, 2019

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen.

Zyra e Prokurorit të Parisit tha se ka hapur një hetim mbi incidentin.

Londra ndan pikëllimin me Parisin, tha kryetari i kryeqytetit britanik, Sadiq Khan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si “simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane”.

“Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-Papa fajëson revolucionin e viteve 1960 për abuzimet seksuale

Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, ka publikuar një letër në të cilën fajëson për abuzimet seksuale të klerikëve, “lirinë e përgjithshme seksuale” të vitit 1960.

Ai thotë në letër se “revolucioni seksual” i viteve 1960 kishte shkaktuar homoseksualitetin në udhëheqjen katolike.

Ish-Papa thotë se pedofilia nuk ka qenë “akute” deri në fund të viteve 80-ta dhe u shkaktua nga “mungesa e Zotit” te njerëzit.

Letra me 5.500 fjalë u botua në revistën katolike gjermane Klerusblatt.

Në pjesën e parë, ish-Papa e quan periudhën e viteve 1960 si një kohë kur “standardet e mëparshme në lidhje me seksualitetin u shembën tërësisht”.

Më pas, letra shqyrton se si revolucioni seksual preku priftërinjtë, duke krijuar “klika homoseksuale” në seminare.

Letra përfundon me zgjidhjen që “ne edhe një herë fillojmë të jetojmë nga Perëndia”.

Në vitin 2013, ish-Papa Benedikti dha dorëheqjen që shënoi rastin e parë në Kishën Katolike, pas pothuajse 600 vjetësh.

Ai falënderoi pasardhësin e tij, Papa Françeskun, “për çdo gjë që ai bën për të na treguar përsëri dhe përsëri, dritën e Perëndisë, e cila nuk është zhdukur, madje as sot”.

Papa Françesku tha në një letër të botuar në vitin 2018 se Kisha “nuk veproi në kohën e duhur” për çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve dhe “nuk tregoi kujdes për të vegjlit, duke i braktisur ata”, transmeton BBC.

Qëllimi i takimit në Berlin është të vazhdojë dialogu pa anulimin e taksës

Pas ftesës së Gjermanisë dhe Francës për të mbledhur presidentët dhe kryeministrat serbë dhe shqiptarë në Berlin më 29 prill, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës nën moton për bashkëpunimin në rajon mund të fshehin një motiv tjetër – se Beogradi pranon të vazhdojë dialogun me Prishtinën pa heqjen e taksës mbi produktet serbe.

Kështu shkruan e përditshmja “Veçernje Novosti”.

Kjo gazetë raporton më tutje se si qarqet individuale diplomatike dhe burimet e saj interpretojnë angazhimin e aksit Berlin-Paris në zgjidhjen e çështjeve kyçe në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në ringjalljen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Siç ka raportuar të mërkurën klankosova.tv në takimin e udhëheqësve shtetëror ballkanas që organizohet nga dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian pritet të marrin pjesë edhe Edi Rama, Ilir Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin, transmeton Klan Kosova.

BE dhe Britania shtyjnë Brexit-in deri më 31 tetor

Bruksel

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, ka deklaruar se “27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britania, janë dakorduar për një shtyrje fleksibël të Brexit-it deri më 31 tetor”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë samitit për Brexit-in të zhvilluar në Bruksel, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Tusk ka njoftuar për dakordmin e BE-së dhe Britanisë për një shtyrje të Brexit-it deri më 31 tetor.

Tusk ka tërhequr vëmendjen se “shtyja fleksibël” i njeh Britanisë 6 muaj afat për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Britania vendosi të largohet nga BE nëpërmjet një referendumi të mbajtur më 23 qershor 2016.

Marrëveshja rreth Brexit-it që Britania ka arritur me BE-në është refuzuar tri herë në Parlamentin e Britanisë, ku në votimet e kryera me iniciativën e deputetëve parlamenti nuk ka dhënë mbështetje me shumicë për asnjë skenar të Brexit-it.

Sipas marrëveshjes që Britania ka arritur me BE-në, Brexiti i cili duhej të ndodhte më 29 mars, u shty për 12 prill. Kryeministrja britanike, Theresa May, duke i dërguar një letër presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, kërkoi shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor.

Gjiganti farmaceutik Bayer shkurton 4 500 vende pune në Gjermani

Berlin

Gjiganti gjerman i industrisë farmaceutike Bayer, thotë se po shkurton 4.500 vende pune në Gjermani.

Kompania gjermane tha sot se shkurtimet janë pjesë e 12.000 reduktimeve të vendeve të punës për të cilat njoftoi vitin e kaluar.

Kompania aktualisht ka rreth 32.100 punonjës në Gjermani.

Bayer aktualisht po vuan pasojat e padive për efektet e dyshuara kancerogjene të Roundup, një herbicidë të cilën e mori me blerjen e rivalit amerikan Monsanto.

Bayer thotë se provat shkencore flasin se produkti është i sigurt dhe se rregullatorët kanë mbështetur këtë përfundim. aa