Në jubileun e 80-vjetorit të krijimit të Radio Tiranës, spikati edhe dekorimi i Gjergj Bubanit me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut”, dhënë nga Presidenti i Republikës me motivacionin “Me mirënjohje për kontributin e njohur si personalitet i shquar në fushën e kulturës, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e publicistikës, si dhe krijimin e konsolidimin e Radio Tiranës, si drejtor i parë i saj.” Ky dekorim, i bërë me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH, vë në vend edhe një vlerësim të munguar për këtë personalitet ende jo edhe aq fort të njohur për publikun e gjerë. Është fakt që në historinë e Radio Tiranës, sa herë flitet për fillesat e saj, përmendet emri i Gjergj Bubanit. Jo vetëm për faktin se ky personalitet i shquar i publicistikës shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar ishte drejtuesi i saj i parë, por se puna që ai bëri, la gjurmë dhe krijoi bazat e së ardhmes, sidomos në politikën programore të radios, si një media në shërbim të publikut.

Përurimi i Radio Tiranes. Mbreti Zog përshëndet. 26.11.1938
I dekretuar si drejtor i Radio Tiranës prej Mbretit Zog, qysh në korrik të 1938, Gjergj Bubani arriti që brenda një kohe të shkurtër, madje që një javë pas përurimit në 28 nëntor 1938, t’i japë radios një profil sa kombëtar aq edhe gjithëpërfshirës, duke arritur të ideonte një varg programesh e emisionesh si “Ora letrare”, “Ora gazmore”, “Këshillat e mjekut”, “Muzikë e kërkuar” etj. Në mikrofonin e radios u afruan Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, doktor Hamdi Sulçebeu, apo më vonë Mihal Stefa, Evanthi Ciko-Zoraqi, Vitori Xhaçka e plot artistë e personalitete të artit.
Në librin e tij “Ju flet Tirana, (kujtime, histori dhe personazhe) botuar në vitin 2010, gazetari i njohur dhe një nga ish-drejtorët e Radio Tiranës, Agron Çobani shkruan: “…mendoj se kronisti i parë i Radio Tiranës duhet të ketë qenë Gjergj Bubani. Ai është i njohur si drejtor i parë i Radio-Tiranës, që në hapje të saj… Gjergj Bubani edhe duke qenë drejtor, zinte shpesh vend pranë mikrofonit dhe fliste për probleme të caktuara që shqetësonin shoqërinë shqiptare…
Gjergj Bubani, djalë i shkathët dhe pasionant, i shkolluar edhe vet jashtë Shqipërisë, diti të ofrojë intelektualët e paktë dhe patriotë të kohës… Me sa duket, drejtori Gjergj Bubani, njeri me vizion, por edhe organizator i zoti, i dekretuar si drejtor i Radios që në muajin korrik, kishte marrë masa dhe ishte përgatitur që nëntori i përurimit të mos e gjente bosh. Kështu mund të shpjegohet fakti që qysh javën e parë të transmetimeve radiofonike nuk kishin të reshtur ligjëratat e profesionistëve të ndryshëm.”
Një vit më vonë, Radio Tirana kishte arritur që të krijonte një profil të qartë, tepër të dallueshëm dhe kombëtar, ndonëse në kushte jo fort normale, siç ishte pushtimi fashist.
Në kujtimet e tij profesor Myzafer Xhaxhiu, asokohe një djalë i ri, ka lënë këto mbresa: “Gjergj Bubani ishte një njeri shumë aktiv, krijoi në Radio një trupë shume kompakte e shumë të apasionuar pas punës.
Një përshtypje të madhe më kishte bërë fakti që rreth Radio Tiranës Gjergj Bubani krijoi edhe një grup këngëtaresh e këngëtarësh shumë të mirë, siç ishin Merita Sokoli, Liza Vorfi, Bardhyle Katundi, Paulina Nikaj, e mjaft të tjera, apo Zihni Berati, Kel Sata etj. Me atë aktivitet intensiv të radios u krijua një përshtypje shumë e mirë që dëgjonjësit e Radios dhe shpesh ma thoshin shokë e miq që parapëlqenin më shumë të dëgjonin Radio-Tiranën, se sa stacione të tjera të huaja.

Stafi i Radio Tiranës. Shkurt 1939
Gjergji ishte me të vërtetë njeri shumë i pasionuar, shumë i drejtë, shumë dashamirës dhe fitoi simpatinë e tërë punonjësve, por edhe të një auditori të gjerë të intelektualëve, të cilët ishin shumë të interesuar që kultura shqiptare e arti të bëheshin të njohura nëpërmjet kanaleve radiofonike.
Portreti fizik i Gjergjit:
Ishte burrë shumë i pashëm, shumë simpatik, me një fytyrë tepër ekspresive, me ca vetulla të trasha, të zeza. Më kujtonte ngandonjëherë fytyrën e Aleksandër Moisiut.
Nga pikëpamja etike, nga pikëpamja morale, njerëzore, ishte shumë, shumë dashamirës, shumë i afërt me vartësit e tij, i merrte në zyrë, këshillohej me ta, priste madje edhe sugjerime nga vartësit e tij të sektorëve të ndryshëm të Radios, sigurisht që u jepte edhe këshilla, se ai ishte drejtori dhe kishte një vizion të përgjithshëm të punës në Radio-Tirana.
Ishte njeri demokrat në shpirtin e tij, tepër human… gjithnjë i qeshur, gjithmonë i afruar dhe shumë komunikativ me vartësit e tij.”
Ky përkushtim i tij ndaj punës në Radio, vihet re edhe në një letër që Gjergj Bubani i ka shkruar kunatit dhe motrës së tij që jetonin në Bukuresht.
“Tiranë, 20. XI. 939
Të dashurit e mi Niko dhe Urani,
Është shumë banal shfajësimi: “kam qenë shumë i zënë me punë, ndaj dhe nuk ju kam shkruar”. Megjithëkëtë mua kështu më ndodh, nëse nuk më besojnë, do të thotë që e pësoj si ai çobani që thërriste “ujku, ujku”, por nuk i zinin besë fshatarët, ngaqë i kishte gënjyer shumë herë.
Në këto gjashtë muaj kam qenë shumë i zënë me punë në Radio, nga 14orë në ditë, përfshi edhe të dielat. Kur fillova, tani një vit më parë, ishim vetëm pesë veta. Tani kemi një personel prej 65 punonjësisht dhe, deri sa të mekanizohet puna, unë si drejtor jam i detyruar të mbikëqyr gjithçka.
Mos u trembni, nuk do të jetë kështu përgjithmonë, por çdo fillim është i vështirë për ata që udhëheqin.

Gjergj Bubani
Pra, mos më keqkuptoni që nuk u kam shkruar deri tani. E kam filluar gjithë ato herë, por nuk kam mundur ta mbaroj letrën. Edhe tani po ju shkruaj nxitimthi, sepse pas 10 minutash duhet të jem në Radio. Dhe po ju shkruaj nga shtrati.
Është e kotë të përpiqem të shpreh me fjalë të ftohta, dashurinë që kam për ju dhe mirënjohjen për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni.
Ju puth me nxitim
Gjergj”
Një pasion dhe sakrificë që sot, në epokën e zhvillimit të mediave dhe revolucionit teknologjik, të duken të mahnitshme, po të mendosh kushtet në të cilat u krijua Radio Tirana dhe mënyrën e funksionimit të shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër, në këtë histori shohim një drejtues që ishte sa publicist, po aq edhe i pasionuar për artin.
Jeta e Gjergj Bubanit është bërë e njohur tashmë në librat e tij që janë botuar ose edhe në dokumentarët e realizuar nga RTSH. Kontributi i tij si publicist, duke filluar qysh nga viti 1919, kur edhe boton për herë të parë, e më pas duke u shfaqur në gazeta e revista të ndryshme të kohës si “Kuvendi kombëtar”, “Zëri shqiptar”, “Kosova”, “Drita” etj., është i madh. Ai është gjithnjë një shpirt i shqetësuar për fatet e kombit e të shtetit, për të cilat nuk pranon kompromise. Kjo atdhedashuri e shtyu më që në vitin 1936 të linte Bukureshtin dhe të vendosej përfundimisht në Shqipëri, ku mjaft intelektualë qenë kthyer për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.
Por Gjergj Bubani nuk ishte një publicist klasik. Qysh herët ai qe i njohur për dashurinë ndaj artit. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Rumani, Bubani ndiqte vazhdimisht shfaqje të ndryshme të operas, teatrit dhe kinematografisë rumune, të cilat kishin filluar të lulëzonin në atë kohë. Aq i fuqishëm qe ndikimi i tyre sa që ai vet interpreton në skenë, duke spikatur si aktor. Në fillim të viteve ’30, emri i tij përmendet në shtypin rumun të kohës.
Festivali i “Flagës”
“Akim” tragjikomedi në tre akte
Koncert Mandolinate – Lojna Sportive – Deklamacione
“FLAGA” ish vënë sivjet, me din e me imam, të na japë një festival të mbaruar, një festival i cili të shënojë një etapë në përparimin e saj të ngadalshëm, por të saktë. Dhe këtë herë mundi që ta çikë plotësisht qëllimin. Ky është mendimi i të 400 spektatorëve, shqiptarë dhe të huaj, që pasuan pardje me vërejtje programin e begaçëm që pati zhvilluar kjo shoqëri “e djemnisë shqiptare në Kostancë” mbi skenën e teatrit “Elpis”.
… Shfaqja e tragjikomedisë “Akim” të bashkatdhetarit tonë të shquar z. Viktor Eftimiu., e vënë në skenë nën drejtimin inteligjent të bashkëpunëtorit tonë z. Gj. Bubani, vuri në lëvizje të gjithë elementët filodramatikë të “FLAGËS”, duke u dhënë posibilitetin secilës e secilit të tregojë talentin dhe cilësitë për skenë në rolet që u përshtateshin më bukur. Dhe e vërteta është se gocat dhe djemtë flagjiste, kurrgjë nuk kursyen për të dalë faqebardhë…
Sa për rolin kryesor të Akimit të lojtur prej bashkëpunëtorit tonë z-it Gjergj Bubani – përkthyesi i pjesës dhe drejtor skene – do të kënaqemi të ribotojmë në përkthim, sa shkrojti, me këtë rast kritikuesi teatral i fletores “ZIUA” që del në Konstancë”
“Të Shtunë mbrëma (27 Dhjetor) u shfaq në skenën e një teatri të qytetit tonë – në gjuhën shqipe – tragjikomedia e z. Viktor Eftimiu “AKIM”.
Përkthimi i pjesës i detyrohet z. Gjergj Bubani, një i shquar publicist shqiptar, anëtar i shoqatës ndërballkanike të shtypit, q’u krijua tash e disa muaj në Sofje.
Mjerisht nuk jemi në pozitë të njohim gjuhën shqipe, që të mundim të gjykojmë përkthimin e pjesës, por nga loja e gjallë, nga gjestet dhe tingëllimi i replikave, kuptuam mjaft mirë se ansambli i tërë i teatrit së shoqërisë “FLAGA” u mundua të kuptojë thellësisht pjesën dhe t’i japë gjithë atë ngjyrë, atë rithmë dhe atë bukuri që ia kemi njohur nga shfaqjet e saja në gjuhën rumune.
Përkthyesi në Akim, e ngriti rolin deri në një kreacion të vërtetë.
Nuk mund veçse të na gëzojë aksioni i z. Gjergj Bubani, i cili në shërbim të bashkatdhetarëve të tij që rrojnë ndër ne, dhe të atdheut të tij, për zhvillimin kultural të së cilit punon ditë e natë, ka ditur gjithë në atë kohë të çelë dhe një rrugë afrimi midis dy vendeve, një rrugë e cilai bën këto dy vende të njihen sa më mirë me njëri-tjetrin.”
“Shqipëri e Re”, 4 janar 1931
Po në lidhje me këtë ngjarje, e cila u ndoq edhe nga gazetat dhe revistat prestigjioze rumune, Gjergj Bubani merr vlerësimet më të larta për lojën si aktor. “Dacia” shkruan: “…Në rolin titullar të Akimit doli z. Qiril Ikonomi, një talent në fazë më të plotë. Kolegu ynë z. Gjergj Bubani na dha një Daniel të natyrshëm, duke kaluar me shumë ndjenjë nga gjithë gama e gjendjeve shpirtnore. “Dobrogea” në vlerësimin e saj shkruan: “ … Z. Gjergj Bubani në rolin e Konti Daniel Ermolaef ka qenë i mbaruar, ka lojtar me një naturalesë që meriton çdo lëvdatë. Dhe nga mënyra qysh diti të përmbushë misionin e tij, tërhoqi breshër duartrokitjesh…” Ndërsa “Ziua” ne rubrikën “Cronica teatrala”, në numrin 29 marsit shkruan: “… Rolin e kontit Ermoalef e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer z. Gjergj Bubani, i cili vuri gjithë talentin tij për suksesin e shfaqjes…”
Vlerësime për punën dhe talentin i tij, vihen re edhe një vit më pas.
“Festivali kombëtar i shoqërisë “Flaga”
Shoqëria e Djelmurisë Shqipëtare “Flaga” në Konstancë, e vetmja shoqëri kombëtare që është përpjekur me çdo mjet të mbajë të ndezur flakën e atdhetarizmës në zemrat e shqiptarëve të këtushëm, dha më 31 janar k.v. një festival krejt kombëtar me të cilin, rreth zhvillimit të saj teatral, po i shtohen edhe një varg tjetër margaritarësh.
Zonjushat dhe djemtë e “Flagës”, të cilët pas aq suksesesh që kanë korrur gjer më sot në lëmin e teatrit, s’deshën të bien as këtë radhë më poshtë se radhët e tjera, prandaj për të formuar “kloun” e programit kishin zgjedhur për këtë herë dramën kombëtare “Besa” me 6 pamje të Sami Frashërit…
Në rolin e Zyberit dhe në atë të Fetahut na u paraqit kryetari i shoq. Z. Gjergj Bubani. Mbi personin e z-tij është e tepërt të zgjatemi se z. Bubani është lindur për teatër dhe të krijojë çdo rol, sado i rëndë qoftë. Por zotësinë dhe talentin zoti Bubani na e tregoi në këtë dramë në rolin e Fetahut, në kohën kur i dha besën Vahidesë se gjakun burrit të saj do ta marrë ai ve[të, pa ditur se gjakësori ishte djali i tij. Këtu z. Bubani u tregua sipër pandehmave tona dhe mënyra qysh e luajti këtë rol, bëri që publiku të mallëngjehet gjer në lot.”
“Shqipëri e Re”, 29 shkurt 1932
Kjo periudhë dhe ky aktivitet i jep përgjigje çështjes së shtruar më lart. Gjergj Bubani ishte një njeri vizionar. Për ta ofruar edhe më tepër publikun me Radion, nisur edhe nga përvoja rumune, ai hap revistën e Radio Tiranës “Radio Rivista”, të cilën në vitin 1941 e titulloi “Vatra shqiptare”. Në fokusin e punës së tij ishte vëmendja ndaj kulturës dhe të rinjve, të cilët më se një herë i kish quajtur “Shpresa e Atdheut”. Janë rrëfimet e bashkëpunëtorëve të tij, që e dëshmojnë këtë kujdes e vëmendje.
Shkrimtari Mustafa Greblleshi, në kujtimet e tij ka lënë të shkruar:
“Çdo të enjte në mbrëmje, Radio Tirana transmetonte një emision letrar. Këto emisione, zakonisht përgatiteshin prej shkrimtarëve të ndryshëm, me monografi figurash të shquara të letërsisë botërore dhe të letërsisë sonë.

Lola Gjoka, Gjergj Bubani, Jorgjie Truja
Unë përgatita një monografi për Haki Stërmillin, me të cilin më lidhte një miqësi e fortë. Dhe i vajta në zyrë drejtorit të Radio Tiranës, gazetarit dhe humoristit Gjergj Bubani. Ndonëse takoheshim për herë të parë dhe ndonëse unë isha një i ri fare i panjohur, ndërsa ai një personalitet i shquar i shtypit, më priti shumë mirë. I thashë se kisha shkruar dhe i dhashë monografinë që kisha përgatitur, të daktilografuar pastër. Gjergj Bubani më vështroi një hop me ata sytë e tij aq të gjallë e të zgjuar, më ftoi të ulesha në një kolltuk dhe më ofroi një cigare. Që të mos mërzitesha sa ta lexonte monografinë, më dha një revistë. Pasi e lexoi monografinë, shumë i entuziazmuar, më tha:
-Më pëlqeu, më pëlqeu shumë! Do ta transmetojmë të enjten. Do ta paraqesësh ti vet në mikrofon. Paske një stil të thjeshtë dhe tërheqës. A e njeh Haki Stërmillin?
-E kam mik, – i thashë, – por ai nuk di asgjë për këtë monografi. Kam dashur t’i bëj një surprizë. Dhe nuk e kam pasur të lehtë të mbledh të dhëna për jetëshkrimin.
-Edhe bashkë do të bëhemi miq të mirë! – më tha Gjergj Bubani, duke më rënë krahëve.
U bëmë vërtet miq të mirë dhe bashkëpunuam tok në shtyp.
Gjergj Bubani shtoi:
-Ndërkohë mendo për një emision tjetër!
Unë përgatita edhe dy monografi për emisionet letrare të Radio-Tiranës, njërën për Fan Nolin dhe tjetrën për Omar Kajamin.
Gjergj Bubani ishte gazetar i përsosur. Artikujt e tij i shkruante drejt në makinën e shkrimit. Madje kishte raste, kur nuk priste koha, që ia diktonte linotipistit.” Botuar në Republika, 28 shkurt 1999.
Ndërkohë Vitori Xhaçka (Xhomo), një nga folëset e para të Radio Tiranës, e ka kujtuar kështu Gjergj Bubanin: “Gjergj Bubani ishte njeri me një vitalitet të jashtëzakonshëm, me kurajë e dëshirë për të punuar në maksimum. Ishte një patriot i vërtetë që la Bukureshtin për të punuar për Shqipërinë.
Ditën që zëri i Radio Tiranës buçiti në të terë Shqipërinë, ne kishim një program të bukur me këngë patriotike, të udhëhequr nga Jorgji Filçe. Unë këndoja si soliste, kryesisht këngë popullore, deri me 1939, ditën e pushtimit fashist. Gjergj Bubani e priti me indinjatë të jashtëzakonshme këtë pushtim. Menjëherë buçitën këngët patriotike. Ai, pa pasur asnjë druajtje nga qeveria e nga askush, na ftoi të këndonim këngë patriotike… Atëkohë erdhën në Radio italianë, si punonjës e teknikë. Ne kishim një program me këngë popullore. Ata i thanë Gjergj Bubanit “Ne duam këngë italiane e jo shqiptare.” Ai u përgjigj me vendosmëri e zemërim: “Kjo është Shqipëria, është Radio-Tirana e nuk është Radio-Roma.” Kështu u krijua mes tyre një farë zemërimi. Megjithëkëtë, ne vazhduam me këngë patriotike e me këngë popullore.”
Gjergj Bubani ishte intelektuali klasik, i papërzier kurrë me rrymat politike. Për të i rëndësishëm ishte Atdheu dhe prosperiteti i tij. Ai qëndroi në krye të Radio Tiranës deri në mes të vitit 1943. Gjatë kësaj kohe Radio Tirana arriti të bëhej një vatër antifashiste. Për këtë qëllim, më 18 tetor 1943 Gestapoja arrestoi të gjithë punonjësit e radios, në krye të së cilëve ishte Gjergj Bubani. Vetëm ndërhyrja e ministrit të asaj kohe Mihal Zallari, bëri që ata të mos pushkatoheshin.
Po të mendojmë kushtet në të cilat ka qenë asokohe Shqipëria, pa dyshim që ky është një kontribut i vyer. Ndaj edhe vlerësimi i tij me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” është me të vërtetë një respekt i merituar.
v.l/Dita
Komentet