TIRANË- Deklarata e deputetes së Partisë Socialise Marjana Koçeku ka nxitur një debat të fortë mbi identitetin gjuhësor dhe trashëgiminë kulturore të veriut.
Përmes një reagimi, shkrimi i Astrit Canit e konsideron dialektin e gegërishtes si shtyllën origjinale të shqipes, duke kritikuar sulmet ndaj deputetes si një formë të mbetur të “luftës së klasave”.
Reagimi plotë:
“Nji shkrim prej Astrit Cani ,që meriton me u lexu, bile me “detyrim si tekst shkollor” në zonat e “shkodrianëve”, ktyne “armiqve të përhershëm të partisë”! Deputetja debutante me emrin kitsch Neomalësore, u gjind së mbrami në synin e ciklonit, ose ciklopit, ngase nuk flet neoshqipen. Madje ajo u qortue randshëm (por jo dhe bindshëm), se nuk na flitka as dialektin e gjyshave të saj të Dukagjinit. Porse për “me shitë p*rdhë” na përdorka të folmen e gropës së Shkodrës, që në fakt asht gegnishtja letrare.
E gjitha kjo duket krejt e ngatërrueme, por asht fare e thjeshtë. Gegnishtja asht shqipja origjinale, pra si thonte Gjon Shllaku, jo vetëm nuk asht dialekt, por asht gjuha ma e vjetër e kontinentit. Njiherit asht edhe gjuha ma e vjetër e kontinentit të letërsisë shqipe. Dhe n’asnji doracak historik të letërsisë shqipe, shkrimtarët e veriut, nuk quhen shkrimtarë dialektorë.
Ktë pretendim retroaktiv nuk e pati as banda militante e Kongresit të drejtshkrimit, e cila, kurr nuk pretendoi t’i impononte folësit neoshqipen e vet, përderisa u vetëmbiquejt “e drejtshkrimit”dhe jo “e drejtshqiptimit”, pra vendosi disa rregulla drejtshkrimore, që thjesht e komplikuen punën. Por ma shum e ndërlikuen mediat komerciale që dolën nga putschi i ‘97s, që e vazhduen luftën gjuhësore si luftë klasash e aplikueme kundër qytetarisë së vjetër. Dhe lanë jashtë tregut gjuhësor shumicën e shqiptarisë, që shkon prej Elbasanit deri në Bosnje. Rezultati: rinia kosovare me komplekse neokoloniale, në pamundësi me folë shqipen standarte – të cilën nuk e flet askush përveç inteligjencës artificiale!, – parapërdor anglishten e globalizmit, si gjethu fiku, me mbulue dekontestualizimin e vetë energjisë burimore të tabanit ku gjallon.
Edhe fjalori i gjuhës së sotme shqipe, që gjoja u përditësue online, e vazhdon ktë luftë klasash, dhe deri diku ia mrrin qëllimit që intelektualëve të “klasës” së përmbysun, t’iu rrotullohen eshtnat në vorr.
Neomalësorja mbasi i bashkohet luftës së klasave tek pranon të tufëzohet me Ps-në, kujtohet për luftën e individit, dhe nuk pranon të etiketohet si neomaloke, te nji media komerciale që i atashohet shtabit kundërkulturor me qendër në Tiranë. Dhe kta që janë kundërkulturor, kur vjen te gjuha bajnë si patriot!! Ato media që ma shum se asgja mundësuen shkatërrimin e çdo përkatësie identitetare dhe etike të shqiptarëve anembanë planetit, po ato pretendojnë se po i mësojnë shqip shqiptarëve.
Dhe asht shum kundërzbulues fakti, se pikërisht n’epokën e inkluzivitetit ndodh mobilizimi total mediatik për me lanë jashtë çdo përfaqësim të origjinalit, çka tregon edhe njiherë funksionin përjetësisht defiçitar dhe debilizues të pushtetit!
Nji model konstruktiv i kundërvendos luftës së klasave (e cila referon veç te pushteti i djeshëm dhe i sotëm), luftën e individit! Dhe jo luftën e individit kundër individit, por luftën e individit kundër pushtetit! Dhe kjo asht forma ma e shenjtë e çdo lufte – ajo që len shenj. Shumica e shqiptarve i thonë njishit nji, dhe pamvarësisht se në shkolla na bajnë me shkrue një, ne prap do ta shqiptojmë, nji, pra njih!”, shkruhet në Facebok./Dosja.al