1.
Një atentat ndryshe
Atentat n’kufi të vdekjes në Bratislavë. Që moti s’kishte ndodhur në Europë.
Të fundmit e atentuar që njohim nga krye guvernash ishin Aldo Moro, Olaf Palme apo Zoran Xhinxhiq i Serbisë.
Në fakt ky i mbrami, ndryshe nga të parët që vinin nga demokraci libertare, do të humbte jetën në një milje të zymtë ballkanik. Dhe të ndotur nga kënetë e krimit akoma sot.
Ishim mësuar që autorë përpjekjesh, me efekt fatal ose në tentativë, të ishin njerëz politike, vrasës me pagesë, madje përplasje mafije që shtrinte degnajën deri në kupolën e epërme regjimore.
Por, kësaj radhe (që dhe nëse s’është i pari nga ata që tashmë kanë mbetur në harresë), ishte Juraj Çintula, një poet i njohur sllovak.
Natyrisht, armëzjarri është i huaj për rendin e lirisë, anipse Neruda fliste me peshë misionari se poetët parathonë gjithçka…Sigurisht që dashnori i vargut të Andeve, e tepronte. Por, sidoqoftë, shpirti i poetit zbërthehet vështirë…
Tani fantazia konspirative do të përndizet si flakët e një zjarri të papritur. Teoritë do të ngjizin rrëmujshëm ide të prapaskenave të errëta.
Veçse justifikimi i tij nuk ishte aspak fjalëmadh: historia, kombi, armiku…Ishte, thjeshtë, përditësia e jetës së paslënë që bezdiste njeriun e tij të vogël sllovak.
Kur lexoja Princin, mrekullohesha nga mendimi i urtë politik i Niccollos. Por, njëkohësisht, përfundoja beftas në trishtim: panorama e grindjeve princërore ishte shpesh aq e përgjakur. E tillë, ajo çonte, jo vetëm në marrje haku ndaj njërit dinjitar të shtet-familjes rivale. Por shuhej i gjithë fisi armik, i madh e i vogël, që t’mos mbetej kush për revanshin e një kohe të dytë.
Kështu ishte etabluar aherë kultura politike e pushtetit, armiqësive dhe ekspanzionit të Fuqisë.
Ndër mote më pas, atentati sofistikohet pak. Goditet vetëm titullari i një rangu apo ideologjie, ikja e të cilit, rëndom, mbyllte një epokë politike.
Mirëpo si ftillohej përligjja e atentatit politik në histori?
Një libër i Alexander Demandt, rreket t’i gjej fijen e hollë në skenat e mëdha oborrtare.
2.
Rezoni shtetëror…
Në Hotel Saint-Pol, të Pallatit mbretëror, kishin mbërritur të gjithë: dukët, princërit, grofët, fisnikët, klerikët dhe, i pamunguari në të tilla ngjarje madhore, rektori i Universitetit parisien.
I fundit do të mbërrinte Johanni, duka i Burgonjëve. Kshte veshur mantelin e gjatë të kuq që, kur ngrinte dorën të njatjetonte, i shihej këmisha e hekurt e frikës dhe sigurisë…
Pati një kohë që midis tij dhe Luit, Dukës së Orléansit, i cili udhëhiqte Monarkinë pas rënjes n’shtratvdekje të të vëllait defrimtar, mbretit Karl i IV, vlonte një rivalitet i ashpër. Dyzimi konceptual i tyre përcyste zhvillime që do të çonin shpesh Francën e viteve 1400 në pragluftë civile…
Por nyjën e vështirë shtetprishëse u ngut ta prente Duka i Burgonjëve. Tashmë kundërshtari i tij ishte nën dhé. E Asambleja e madhe duhej të justifikonte pikërisht fundin e kësaj drame.
Ftillimin e tezës nuk mund t’a bënte kush tjetër përpos Normann Jean-Petit, teolog i shquar e armik idhnak i dukës së vrarë. I diplomuar në t’gjithë shtatë artet e lira, ai përfaqësonte tipikisht miljeun e atëmotshëm universitar.
Ndaj, në përplasjet politike do të merrte anë e do vënte dijet e tij në shërbim të Burgonjëve. Dhe këtë e bënte me t’vetmin instrument të kohës: logjikën aristoteljane!
Silogjizmi i tij përbëhej nga dy premisa përligjëse: “Është e lejuar dhe, njëkohësisht, meritore të vrasësh një tiran të vërtetë e trathtar”!
E pra: tiran e trathtar!
A s’ishin dy të këqija të mjafta që t’a vdisnin legjitimisht dukën e Orléansit..?
Që aherë, mbytja e tiranëve dhe, përgjithësisht, atentati politik për interesa të lartë shtetërorë, do rrekej të siguronte statusin e doktrinës.
3.
Kohë e moral tjetër
Ndërkaq, gjatë historisë së vonë politike, në shumëllojsinë e gjithëçkaje, bota do të njohë dhe shfaqje tiranish të fshehta që vijnë e krimbërojnë në ditët tona.
Porse, tashmë jashtë tipologjisë së diktaturave klasike, ato gjallojnë e zvarriten si shfaqje rudimentare kohe a rendi tjetër atipik.
Të kësillojta ngjajnë sepse, këtej botës së lirë, formalisht janë tirani e shpallur elektorale, por, sërish, si çelës i sojit, ushtrojnë vesin autokratik që flijon interesat kombëtarë…
Po ja, thotë Ana Magdalena Bach (Markezi “Shihemi në gusht”) dhe unë s’bëja tjetër përveçse ndiqja kurvëritë e varrezës. Ashtu si ajo një tjetri më parë, i shkoja nënës tek varri për lule dhe, më pas, përfundoja në trathti…
A s’kanë dhe monokratët e këtij miljeu varrezat e “Nënave”, amzën kulturore të tyre, ku, pas luleve dhe përshpirtjes, ndjekin po atë shteg përvers trathtie?
Ndaj dhe, përfundimisht, për t’i lënë pas regjimet e liga drejt një epoke të re, kushedi, mbase dikush mund të evokojë për frymëzim frëngun Jean-Petit dhe doktrinën e tij të bekuar…
R. K.
Edhe tine Alba Kepi po te punoje per qeverine Shqiptare do te korruptoheshe
dhe do ti mbushnje xhepat me pare.